Një marrëveshje kornizë për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po kërkohet nga kryeministri, Ramush Haradinaj, sipas të cilit, përmes saj do të drejtohej më pas i gjithë procesi i finalizimit të dialogut. Një kërkesë të tillë, Haradinaj e ka sforcuar sidomos pas Samitit të Berlinit dhe takimit të mëvonshëm që zhvilloi me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila bashkë me presidentin francez Emmanuel Macron, po kërkojnë një rol më të madh në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas kryeministrit të Kosovës, një marrëveshje paraprake, siç e quan ai, kornizë, lidhur me atë se për çka mund të merren vesh Kosova dhe Serbia dhe e cila do t’i përcaktonte vijat e kuqe të dialogut, do të ishte me rendësi të aprovohej nga palët dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, që në fillim të bisedimeve të ardhshme.
Këshilltarja për media e kryeministrit, Ramush Haradinaj, njëherësh edhe zëdhënëse e Qeverisë së Kosovë, Donjeta Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë se ajo që ka theksuar kryeministri është kornizimi i procesit të dialogut që, sipas saj, do të thotë se Kosova është e gatshme për dialog, por duhet të dihet se çka dhe ku do të shkohet me atë proces.
“Ky termi kornizim që është përdorur nga ana e kryeministrit Haradinaj, ka të bëjë me faktin se ne si Kosovë, dhe bashkësia ndërkombëtare si lehtësuese e këtij dialogu, duhet të kemi një formë apo platformë mbi bazën e të cilës do të dihet se çka do të diskutohet, për cilat marrëveshje konkretisht, pastaj afati i dialogut dhe çka synohet të arrihet me të”, shpjegon Gashi.
Ajo tha se pala kosovare nuk ka kushte për dialog, por ka kërkesa.
“Çka konkretisht, për secilën temë specifike, sa mund të zgjasë ky dialog dhe në çfarë nivelesh bëhet ky dialog, në kuptimin që nëse dialogojmë ta zëmë për një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme për të dyja palët dhe që derivon me njohjen reciproke, atëherë të specifikohet kjo gjë dhe kur të ulën palët në tavolinë të dihet saktë se cilat tema do të diskutohen”, tha Gashi.
Një element tjetër me rëndësi, sipas saj, është edhe përcaktimi i afatit kohor për dialog dhe marrëveshje ndërmjet palëve.
Në anën tjetër, Jeta Krasniqi, njohëse e procesit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kornizimi i dialogut do të thotë të dihet se deri ku dhe për çka do të bisedohet. Por, sipas saj, palët në proces janë ende larg njëra-tjetrës me qëndrimet e tyre.
“Kemi pasur proces të dialogut që ka zgjatur tetë vjet dhe kemi ardhur në atë fazë që duhet të vendosen parimet e përgjithshme, duhet të vendosen vijat e kuqe dhe duhet të jenë të qarta të dyja palët dhe në këtë rast edhe ndërmjetësuesit, pra BE-ja dhe mbështetësit si shtete anëtare të BE-së, por edhe SHBA-ja, që të dimë se cili është epilogu i këtij procesi”, tha Krasniqi.
Marrë parasysh faktin se palët janë shumë larg në qëndrimet e tyre, Krasniqi beson se nuk mund të ketë shpejt as një kornizim të dialogut, siç po kërkon Haradinaj.
“Nga diskursi politik, si i Kosovës ashtu edhe ai i Serbisë, shohim se Serbia në mënyrë të vazhdueshme kërkon kompromis dhe kërkon që të shtyjë përpara tezën e shkëmbimit të territorit, duke bërë çdo gjë që të sabotojë shtetin e Kosovës me sjelljet e saj destruktive në arenën ndërkombëtare, por edhe retorikën nacionaliste që nuk i kontribuon aspak frymës së normalizimit. E Kosova e ka shumë të qartë kërkesën e saj, që është njohja reciproke”, tha Krasniqi.
Aktualisht, procesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në formatin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, është i bllokuar. Ndërkaq, një tentativë e re për t’i vazhduar takimet, po provohet të lansohet nga Merkel e Macron.
Për të vazhduar dialogun në Bruksel, Serbia ka vendosur kusht heqjen e taksës për mallrat e saj nga ana e autoriteteve të Kosovës.
Por, autoritetet në Prishtinë kanë deklaruar se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe, nuk paraqet pengesë për vazhdimin e dialogut, por pengesa qëndron në mungesën e gatishmërisë së Serbisë për ta njohur Kosovën.
Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar se e mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Zyrtarët e lartë amerikanë kanë thënë se është fundamental për të ardhmen e të dyjave vendeve, Serbisë dhe Kosovës që të gjejnë një rrugë për të normalizuar raportet.
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Metthew Palmer në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë idealisht kjo do të thotë njohje e dyanshme dhe hapja e një rruge drejt integrimit evropian për të dyja vendet.
Ai ka deklaruar se nisma Merkel – Macron nuk paraqet zëvendësim të dialogut të Brukselit, por përpjekje për ta rifilluar procesin tashmë të bllokuar.
Komentet