Nga Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI
1. Hyrje e përgjithshme mbi sistemin e së drejtës, vlerat juridike, parimet juridike dhe normat juridike dhe interpretimin e normave
Sistemi i së drejtës nuk do të mund të ekzistonte pa parimin e ligjshmërisë i cili në thelb mishëron rregullin që siguron harmoninë midis normave juridike nëpërmjet rregullit të përjashtimit të zbatimit të një norme bazuar në hierarkinë e normave. Ndërkohë, baza e rregullit që përcakton hierarkinë e normave juridike është rëndësia e marrëdhënies shoqërore që rregullon norma. Kjo do të thotë që sa më e rëndësishme të jetë marrëdhënia, aq më e rëndësishme bëhet norma dhe sa më e rëndësishme të jetë norma, aq më lartë do të qëndrojë ajo në hierarkinë e normave juridike. Nga një këndvështrim tjetër, rëndësia e marrëdhënies dhe e normës juridike është edhe pasqyrim i rëndësisë së interesit publik. Ky i fundit është rregulli bazë që caktojë kufijtë dhe bazën e legjitimitetit të çdo veprimi ose mosveprimi dhe vetë ushtrimit të pushtetit shtetëror në tërësi.
Megjithatë, sistemi i së drejtës nuk përbëhet vetëm nga norma në kuptimin e një rregulli abstrakt sjellje, por edhe nga parimet e përgjithshme dhe vlerat juridike. Për nga rëndësia dhe radha, të parat janë vlerat, të cilat përcaktojnë përmbajtjen dhe vlefshmërinë e parimeve ligjore. Në fakt, tre vlerat themelore të një sistemi ligjor janë: rendi, drejtësia dhe liria.[i] Të dytat janë parimet ligjore të cilat janë në dy kategori, parime themelore të së drejtës dhe parime ligjore dhe janë pikërisht parimet që përcaktojnë përmbajtjen dhe vlefshmërinë e normave juridike.[ii] Të tretat janë normat juridike të cilat janë norma kushtetuese themelore të shkruara dhe zakonore, norma kushtetuese të shkruara dhe zakonore, norma juridike zakonore dhe norma juridike të shkruara. Midis normave juridike të shkruara bëhet një ndarje midis normave që burojnë nga akte të rëndësisë së veçantë që miratohen me shumicë të cilësuar dhe norma që miratohen me shumicë të zakonshme dhe për të vazhduar pastaj nga normat e akteve nënligjore, tek burimet e tjera të së drejtës.
Normat juridike dhe çdo rregull sjelljes ka për qëllim të urdhërojë kryerjen e diçkaje, të ndalojë kryerjen e diçkaje apo të lëri të lirë një subjekt të kryejë ose të mos kryejë një veprim të caktuar. Gjithë këto nocione bazë të së drejtës kanë kuptim porsa kohë ato kuptohen dhe zbatohen në kuadër të një shteti të së drejtës. Për Hegelin, e drejta ose ligji përfaqëson vullnetin e përgjithshëm të shoqërisë. Ndërkohë, për përkrahësit e teorisë të së drejtës natyrore si Thomas Aquinas etj, ligji është burim i arsyes njerëzore[iii], ai është i shenjtë dhe i përjetshëm dhe përcakton vlefshmërinë e ligjit njerëzor.[iv] Madje edhe John Locke mendonte qe ligji themelor natyror qeveris edhe legjislativin.[v] Në çdo rast arsyeja njerëzore mbaron kur mbaron logjika. Nga kjo vijmë në parimin e përgjithshëm të së drejtës që ‘in claris non fit interpretatio’ ose kur norma është e qartë nuk ka nevojë për interpretim. Nga ana tjetër sikurse thoshte Kryetari më i famshëm i Gjykatës së Lartë të SHBA, John Marshall, interpretimi nuk mund të çojë në krijimin e një norme të re, sepse kjo gjë i takon vetëm ligjvënësit.
E bëra këtë hyrje pikërisht për t’i paraprirë diskutimit në vijim dhe çdo debati mbi këtë punim, por edhe për të lehtësuar kuptimin e tij nga një lexues jo i kualifikuar.
- Kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve
Neni 4 i Kushtetutës së RSH, parashikon që dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Pra ushtrimi i çdo kompetence kushtetuese nga çdo organ bëhet pa pasur nevojë për ligj, porsa kohë Kushtetuta nuk e parashikon këtë kusht. Nga ana tjetër, neni 7 i Kushtetutës parashikon parimin e ndarjes së pushteteve që në thelb synon shmangien e konfliktit të interesit në lidhje me funksionin e miratimit të ligjit, zbatimit të tij dhe kontrollit të zbatimit të tij dhe që lidhet me tre pushtet themelore si legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori. Nga ana tjetër, Kushtetuta e RSH, sikurse edhe shumë kushtetuta të vendeve të zhvilluara perëndimore i rezervon Presidentit të Republikës, rolin e ekuilibruesit, ndërlidhësit dhe kontrollit të shumëfishtë midis tre pushteteve në fjalë duke pasur si bazë interesin e publikut ose popullit që është burimi i legjitimitetit të gjithë pushtetit shtetëror në tërësi. Kjo pasi pozita e tij nuk ka konflikt interesi sikurse kanë tre mbajtësit e tre pushteteve kryesore. Nisur nga përmbajtja e kushtetutës tonë, Presidenti si kreu i shtetit përfaqëson unitetin e popullit, kjo pasi sidomos pushteti ligjvënës dhe ai ekzekutiv nuk përfaqësojnë asnjëherë vullnetin e gjithë popullit, por vetëm të shumicës. Madje kjo e fundit në rastin tonë, për shkak të sistemit zgjedhor në rastin më të mirë përfaqëson zakonisht jo më shumë se 25 % plus një të gjithë popullsisë me të drejtë vote.[vi] Duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e qeverisë së një shumice që prodhohet nga ky sistem. Funksioni i saktë i Presidentit të Republikës së RSH, kuptohet qartë nëse krahasojmë edhe me Kushtetutën e Rumanisë e cila në nenin 80[vii] parashikon shprehimisht si vijon:
(1) Presidenti i Rumanisë përfaqëson Shtetin Rumun dhe ruajtësi i pavarësisë kombëtare, unitetit dhe integritetit të vendit.
(2) Presidenti i Rumanisë ruan dhe mbikëqyr (zbatimin) kushtetutën dhe funksionimin e rregullt të autoriteteve publike. Në kuadër të kësaj kompetencë, ai vepron si ndërmjetës midis pushteteve të shtetit, si dhe midis shtetit dhe shoqërisë.
Një rol thelbësor i njeh Presidentit edhe Kushtetuta Greke[viii] e cila parashikon shprehimisht në kuadër të seksionit “Struktura e Shtetit” në nenin 26/1 të saj ku thuhet se Pushtetit Legjislativ do të ushtrohet nga Parlamenti dhe nga Presidenti i Republikës dhe po të njëjtën gjë në 26/2 parashikon edhe për pushtetin ekzekutiv.
Parashikime të njëjta bëjnë edhe kushtetutat e vendeve të tjera. Si p.sh. në Kushtetutën Italiane, në nenin 87[ix] të saj parashikohet shprehimisht se:
Art. 87. Presidenti i Republikës është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin kombëtar… Përcakton zgjedhjet e dhomave të dhe përcakton rimbledhjen e parë të tyre.
Po ashtu, neni 89[x] i Kushtetutës Kroate parashikon shprehimisht se “Presidenti i Republikës cakton zgjedhjet për Parlamentin Kroat dhe thërret mbledhjen e tij të parë”.
Ndërkohë, Kushtetuta e Shqipërisë parashikon pa asnjë ekuivok në nenin 92 të saj, germa gj) që Presidenti i republikës “cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”. Ndërkohë, neni 93, përcakton që Presidenti i Republikës në zbatim të kompetencave të tij nxjerr dekrete. Pra në rastin konkret, është pikërisht Dekreti Presidencial që shënon datën kur do mbahen zgjedhjet dhe rrjedhimisht edhe përbën bazën urdhëruese për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të fillojë përgatitjet dhe shënon edhe lindjen e të drejtave dhe detyrimeve të tjera për subjektet politike dhe zgjedhësit, duke përfshirë kompetencën kohore dhe materiale të Kolegjit Zgjedhor. Kjo kompetencë ushtrohet drejtpërdrejtë dhe është tepër e qartë dhe s’ka asnjë kufizim, përjashto kufizimin e nenit 65 të Kushtetutës, i cili nuk parashikon që mandati i Kuvendit zgjat 4 vjet, por që Kuvendi zgjidhet çdo katër vjet (sikurse gabimisht po kuptohet nga shumë individë). Kjo është normale, pasi një proces i tillë sikurse zgjedhjet politike të përgjithshme s’mund të jetë produkt i një përcaktimi kaq të ngurtë kohor pasi zhvillimi i zgjedhjeve diktohet nga shumë faktorë të njohur dhe të panjohur. Në këtë frymë edhe Kodi Zgjedhor në nenet 8, 9 dhe 10, parashikon që Dekreti i Presidentit mund të caktojë datën e zgjedhjeve midis 15 marsit dhe 30 qershorit ose midis 15 shtatorit dhe 30 nëntorit. Pra Presidenti mund të zgjidhte edhe periudhën e dytë nisur nga Kodi Zgjedhor, kjo pasi vetë neni 65/1 parashikon mundësinë që mandati të vazhdojë përtej afatit 4 vjeçar kur në fjalën e fundit thotë: “Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur”.
Ndërkohë, parashikimi në paragrafin e dytë, ka përcaktuar kufizimin e periudhës me periudhën më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të kuvendit dhe se periudhat zgjedhore caktohen në ligjin për zgjedhjet. Nisur nga formulimi i dispozitave në fjalë, Dekreti do të ishte pikërisht i kufizuar në periudhën e parë. Nga ana tjetër, nisur nga parimet e përgjithshme kushtetuese nga nenet 1-14 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës në kushtet aktuale gëzon legjitimitet në zhdekretimin e dekretit të tij për datën 30 qershor 2019. Kjo pasi në thelb, mbajtja e zgjedhjeve në kushtet ku ndodheshim praktikisht minonte vetë parimet themelore mbi të cilën funksionon shtetit. Me minim, nënkuptoj së pari rrezikun e dukshëm të përkeqësimit të krizës dhe mundësisë krejt të pastër të një përplasje shoqërore që do të dëmtonte vetë funksioni dhe ekzistencën e shtetit. Kësisoj, në kuadër të interpretimit sistematik nenet 1, 2, 3, 4 dhe 7 të Kushtetutës, kanë epërsi ndaj nenit 65 të Kushtetutës dhe çdo neni tjetër në vijim. Në këtë mënyrë kompetenca e Presidentit për caktimin e zgjedhjeve merr fuqi absolute në çdo rrethanë, përtej përcaktimeve të nenit 65 të Kushtetutës, apo Kodit Zgjedhor dhe nuk lidhet me kohëzgjatjen e mandatit të Kuvendit, pasi në çdo rast mbizotëron parimi themelor kushtetues i vazhdimësisë institucionale të mandateve deri në zëvendësimin e çdo të zgjedhuri ose emëruari nga ai i zgjedhur ose emëruar rishtas.
Është me rëndësi të theksohet që Kushtetuta nuk parashikon detaje mbi kohëzgjatjen e mandatit dhe modalitetet e caktimit të datës së zgjedhjeve për njësitë e pushtetit vendor, por neni 10 i Kodit Zgjedhor referon tek neni 9 dhe 8 të tij, të cilët referojnë edhe për këtë çështje tek neni 65 i Kushtetutës. Pra Presidenti mund ta ushtrojë këtë kompetencë në mënyrë të pavarur nga ndonjë marrëveshje politike e mundshme.
Në të njëjtën kohë, praktika e deritanishme ka lejuar ndryshimin e datës së zgjedhjeve disa herë me marrëveshje politike, të cilat konsiderohen si burime të normave kushtetuese të cilat për nga burimi dhe rëndësia marrin rëndësi kryesore dhe rrjedhimisht qëndrojnë më lartë edhe sesa normat kushtetuese, me përjashtim të parimeve themelore kushtetuese. Nga kjo pikëpamje, këto praktika janë bërë tashmë pjesë e zakoneve kushtetuese si burim themelor i të drejtës kushtetuese, të cilat duke qenë se dalin nëpërmjet mekanizmit politik gjithëpërfshirës të partive politike mund të kuptohet si një rishikim i kuadrit kushtetues ose kontratës sociale. Kjo do të thotë që kur mekanizmat kushtetues mungojnë ose dështojnë për të rivendosur ekuilibrat, e vetmja mënyrë për të rivendosur ekuilibrin është marrëveshja politike e cila shënon pikërisht një kontratë të re sociale që nuk mund të bjerë ndesh me parimet themelore kushtetuese dhe as vlerat e sistemit të së drejtës.
Duhet theksuar, që çdo interpretim përtej këtyre kornizave do të ishte dalje jashtë logjikës së doktrinës dhe vetë logjikës së sistemit të së drejtës dhe vetë shtetit të së drejtës duke bërë krejt pa vlerë çdo diskutim të mëtejshëm.
- Rishikimi i dekretit presidencial për caktimin e datës së zgjedhjeve
Dekreti Presidentit në thelb është një akt kushtetues me karakter normativ ose që synon të rregullojë një marrëdhënie juridike pa një rreth të caktuar të subjekteve që përbëjnë palët në këtë marrëdhënie. Shumica e kompetencave presidenciale ushtrohet nëpërmjet dekreteve normativ që parashikojnë rregulla sjellje abstrakte ose të përgjithshme etj, por nuk përjashtohet edhe mundësia e ekzistencën së dekreteve me karakter individual ose që i drejtohen një grupi subjektesh të së drejtës saktësisht të përcaktuar dhe jo me karakter të përgjithshëm. Teoria e së drejtës, konsideron një akt normativ një akti i cili normon njëlloj një ligj. Ndërkohë, fjala ligj në gjuhën angleze ka më shumë se 5 kuptimeve. Konkretisht, sipas fjalorit të famshëm Black’s Law Dictionary, kuptimi i parë i “ligjit” është si një shprehje solemne e vullnetit të legjislativit. Ai urdhëron, lejon dhe ndalon. Ai shpall shpërblime dhe ndëshkime. Parashikimet e tij, nuk janë me karakter individual dhe nuk lidhen me një rast të vetëm, por lidhen me atë që është pjesë e zakonshme e funksionimit (të shoqërisë dhe shtetit në tërësi).[xi]
Pra ligji dhe një akt normative janë parashikojnë rregulla sjellje me ndikim të përgjithshëm tek shoqëria dhe nuk kufizohen me një rast ose një rreth të caktuar personash dhe as për një çështje me karakter individual. [xii]
Ndërkohë, ne nenin 2 të ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar, parashikohet sikurse vijojnë:
“Akt nënligjor normativ” është çdo vullnet i shprehur nga organi publik, në ushtrim të funksionit të tij publik, që rregullon marrëdhënie të përcaktuara me ligj, duke vendosur rregulla të përgjithshme sjelljeje dhe që nuk shteron në zbatimin e tij.”
Ndërkohë, neni 10 i po këtij ligji, saktëson më saktë se për çfarë akti normative e ka fjalën. Konkretisht, thuhet se “Gjykata Administrative e Apelit shqyrton në shkallë të parë, mosmarrëveshjet me objekt aktet nënligjore normative, si dhe raste të tjera të parashikuara me ligj”. Pra flitet për aktet normative që janë nxjerrë si akte nënligjore duke nënkuptuar aktet e Këshillit të Ministrave etj. Në asnjë rast dekreti presidencial për caktimin e datës së zgjedhjeve nuk është akt nënligjor, por akt i pastër kushtetues.
Nisur nga funksioni dhe natyra e Dekretit Presidencial për caktimin e zgjedhjeve, del në pah qartazi që ai është një akt i pastër normativ. Rrjedhimisht, referuar nenit 131 të Kushtetues, vlerësimi i kushtetutshmërisë së këtij dekreti bëhet vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
Gjithashtu, vlen të theksohet që ideja që kushtetutshmëria e një dekreti të tillë mund të vlerësohet nga Gjykata Administrative e Apelit ose aq më keq nga Kolegjit zgjedhor është krejtësisht e gabuar madje në nivelin e injorancës juridike. Kjo pasi vetë fakti që në këtë rast nuk shtrohet për vlerësim ligjshmëria, por Kushtetutshmëria, duke qenë se dekreti është vazhdimësi e ushtrimit të një kompetence kushtetuese dhe buron nga norma kushtetuese, tregon qartazi që këto organe nuk kanë asnjë kompetencë të vlerësojnë kushtetutshmërinë e këtij dekreti qoftë edhe në kuadër të ndonjë mendje që mendon parimin e subsidiaritetit kushtetues. Ndërkohë, në rastin e Kolegjit Zgjedhor është fare e thjeshtë si situatë, pasi Kolegji nuk ekziston dhe s’ka kompetencë të veprojë, porsa kohë nuk ka zgjedhje dhe për çështje që nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet. Kjo do të thotë që pa dekret s’ka zgjedhje dhe po ashtu, s’ka as çështje zgjedhore që mbulon ky kolegj, kjo pasi zgjedhjet dhe çështjet zgjedhore, burojnë pikërisht nga moment kur shpallet data e zgjedhjeve, pra nga moment kur ka zgjedhje dhe ka çështje zgjedhore.
Përfundimisht, ky dekret mbetet në fuqi derisa të dal një dekret tjetër ose të shfuqizohet vetëm dhe vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
- Raporti kushtetues President – Kuvend – Gjykatë Kushtetuese për shkarkimin e tij
Shkarkimi i Presidentit të Republikës është akt jashtëzakonisht i vështirë për t’u bërë dhe Kushtetuta parashikon kushte tepër të kufizuara për të realizuar një gjë të tillë. E njëjta situatë paraqitet edhe në kushtetuat e vendeve të tjera si në atë të Republikës së Italisë, Kroacisë, Gjermanisë, Maqedonisë së Veriut etj.
Sipas Nenit 105 të Kushtetutës së Kroacisë (që parashikon një president shumë të ngjashëm me Presidentin e RSH), parashikon shprehimisht si vijon:
“Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për çdo shkelje të kushtetues që ai ka kryer gjatë ushtrimit të kompetencave të tij.
Procedura e shkarkimit mund të iniciohet nga Kuvendi i Kroacisë me votimin që merr 2/3 e votave të gjithë anëtarëve.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kroacisë do të vendos për shkarkimin me 2/3 e anëtarëve të saj…. dhe nëse Gjykata Kushtetuese mbështet shkarkimin e tij, Presidenti do të pushojë së ushtruari kompetencat e tij vetvetiu sipas kushtetues.”
Ndërkohë, neni 90 i Kushtetutës Italiane saktëson që “Presidenti i Republikës mbanë përgjegjësi vetëm për tradhti të lartë ose për atentat ndaj kushtetutës. Në raste të tilla, ai vendoset nën akuzë nga Parlamenti në një mbledhje të zakonshme me shumicën absolute të anëtarëve të tij”. Ndërkohë, neni 134 parashikon njëlloj sikurse në RSH, kompetencën e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi akuzën ndaj Presidentit (për tradhti të lartë ose për atentat ndaj kushtetutës).
Ndërsa, neni 61 i Ligjit Themelor Gjerman (Kushtetutës Federale Gjermane parashikon si vijon:
“Neni 61
[Shkarkimi nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese Federale]
(1) Bundestagu ose Bundesrati mund të shkarkojë Presidentin nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese për një shkelje me dashje të Ligjit Themelor ose të çdo ligjit tjetër federal. Mocioni i shkarkimit duhet të mbështetet nga të paktën ¼ e anëtarëve të Bundestagut ose Bundesratit. Vendimi merret nga një shumicë e përbërë nga 2/3 e gjithë anëtarëve të këtyre institucioneve dhe vendimi do t’i paraqitet Gjykatës Kushtetuese Federale nga një person i caktuar nga organi shkarkues.
(2) nëse Gjykata Kushtetuese e shpall Presidentin Fajtor për një shkelje me dashje të Ligjit Themelor ose të çdo ligjit tjetër federal, mund të deklarojë që ai ka falsifikuar kompetencat e tij. Pasi Presidenti shkarkohet, Gjykata mund të marrë një masë të përkohshme që ndalon atë nga ushtrimi i funksioneve.”
Neni 87 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, parashikon si vijon:
“Presidenti mbanë përgjegjësi për çdo shkele të Kushtetutës gjatë ushtrimit të të drejtave dhe detyrave të tij. Procedura për përcaktimin e përgjegjësisë së Presidentit iniciohet nga Kuvendi me 2/3 e anëtarëve të tij. Për përgjegjësinë e tij, vendos Gjykata Kushtetuese me 2/3 e anëtarëve. Nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson që Presidenti mban përgjegjësi, mandati i tij përfundon vetvetiu sipas Kushtetutës.”
Në rastin e RSH duket qartë që është marrë për bazë modeli i Kushtetutës Gjermane, pasi pikat 2 dhe 3 të nenit 90 të Kushtetutës parashikohet shprehimisht si vijon:
“2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
- Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.”
Ndërkohë neni 131 i Kushtetutës, parashikon kompetencën ekskluzive të Gjykatës Kushtetuese duke parashikuar si vijon:
“Gjykata Kushtetuese vendos për: dh) shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të funksioneve të tij.”
Pra është e qartë që shkarkimi përfundimtar i Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe rrjedhimisht edhe momenti i përfundimit të mandatit të tij Kushtetues është pikërisht vetëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe jo i Kuvendit. Po ashtu, kushtetuta jonë nuk lejon pezullimin e Presidentit nga momenti kur merret vendimi i Kuvendit deri në momentin kur merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Situata juridike për këtë çështje është aq e qartë sa nuk ka nevojë për asnjë trajtim të mëtejshëm dhe çdo përpjekje thjesht është naivitet profesional ose paaftësi e rëndë apo servilizëm politik.
Titulli autorit
Kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, rishikimi i dekretit presidencial për zgjedhjet dhe raporti kushtetues President – Kuvend – Gjykatë Kushtetuese për shkarkimin e tij.
- Bibliografia
- Black’s Law Dictionary Second Edition by Henry Campbell Black, M.A. West Publishing Company. ST. Paul, Minn 1910.
- John Locke. “Two treaties of government”. From the Works of John Locke. A New Edition, Corrected. In Ten Volumes. Vol. V. Printed for Thomas Tegg; W. Sharpe and Son; G. Offor; G. and J. Robinson; J. Evans and Co.: Also R. Griffin and Co. Glasgow; and J. Gumming, Dublin. 1823.
- Jordan Daci. “Legal Principles, Legal Values, and Legal Norms: are they the same or different?”. Academicus International Scientific Journal, ISSN 2079-3715. No.1, 2011.
- Jordan Daci. “Law in Post-Communist countries: Case of Albania”. Published as part of the proceedings of the XXV. World Congress of Philosophy of Law and Social Philosophy, at the University of Frankfurt Germany, “Goethe Frankfurt am Main”, Paper series No. 024 / 2012 Series B “Human Rights, Democracy; Internet/intellectual property, Globalization”. URN: urn:nbn:de:hebis:30:3-248826. http://d-nb.info/1054043272.http://nbn-resolving.de/urn:nbn:de:hebis:30:3-248826. Dewey Decimal Classification: 340 Recht. Institutes: Rechtswissenschaft.
- Kushtetuta e Federale e Gjermanisë (Ligji themelor).
- Kushtetuta e Republikës së Italisë.
- Kushtetuta e Republikës së Kroacisë.
- Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
- Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
- Kushtetuta e Republikës së Rumanisë.
- Peter Stein, John Shand. Legal Values in Western Society. Edinburg University Press. Available at http://law.hku.hk/lawgovtsociety/stein.pdf. Accessed on December 17, 2010. Sikurse cituar nw Jordan Daci. “Legal Principles, Legal Values, and Legal Norms: are they the same or different?”. Academicus International Scientific Journal, ISSN 2079-3715. No.1, 2011.
- Thomas Anquinas. “Summa Theologica” 1225–1274. SUMMA THEOLOGICA (Benziger Bros. edition, 1947) Translated by Fathers of the English Dominican Province Acknowledgement: This digital file was produced through the kindness of Sandra K. Perry, Perrysburg, Ohio. I disponueshëm në https://d2wldr9tsuuj1b.cloudfront.net/15471/documents/2016/10/St.%20Thomas%20Aquinas-Summa%20Theologica.pdf .
- Thomas Anquinas. “Summa Theologica”. I-II, 96,4; II-II, 60.2,6. As cited in Steven Brust. “ANCIENT AND MODERN: NATURAL LAW AND UNIVERSAL MORAL PRINCIPLES”. The Catholic Social Science Review 14 (2009). Available at EBSCO Academic Search Premier Database.
[i] Peter Stein, John Shand. Legal Values in Western Society. Edinburg University Press. Available at http://law.hku.hk/lawgovtsociety/stein.pdf. Accessed on December 17, 2010. Sikurse cituar nw Jordan Daci. “Legal Principles, Legal Values, and Legal Norms: are they the same or different?”. Academicus International Scientific Journal, ISSN 2079-3715. No.1, 2011.
[ii] Jordan Daci. “Legal Principles, Legal Values, and Legal Norms: are they the same or different?”. Academicus International Scientific Journal, ISSN 2079-3715. No.1, 2011.
[iii] Thomas Anquinas. “Summa Theologica” 1225–1274. SUMMA THEOLOGICA (Benziger Bros. edition, 1947) Translated by Fathers of the English Dominican Province Acknowledgement: This digital file was produced through the kindness of Sandra K. Perry, Perrysburg, Ohio. I disponueshëm në https://d2wldr9tsuuj1b.cloudfront.net/15471/documents/2016/10/St.%20Thomas%20Aquinas-Summa%20Theologica.pdf
[iv] Thomas Anquinas. “Summa Theologica”. I-II, 96,4; II-II, 60.2,6. As cited in Steven Brust. “ANCIENT AND MODERN: NATURAL LAW AND UNIVERSAL MORAL PRINCIPLES”. The Catholic Social Science Review 14 (2009): 65-74, pp.65. Available at EBSCO Academic Search Premier Database.
[v] John Locke. “Two treaties of government”. From the Works of John Locke. A New Edition, Corrected. In Ten Volumes. Vol. V. Printed for Thomas Tegg; W. Sharpe and Son; G. Offor; G. and J. Robinson; J. Evans and Co.: Also R. Griffin and Co. Glasgow; and J. Gumming, Dublin. 1823, pp. 162.
[vi] Nëse në zgjedhje do të merrnin pjesë 50 % plus një e votuesve që është edhe rasti më dominues pasi ka raste kur marrin pjesë edhe më pak, atëherë shumica qeverisë do të përfaqësonte jo më shumë se 50 % plus një të 50 % plus një të përgjithshëm ose jo më shumë se 25 % plus një të gjithë votuesve me të drejtë vote.
[vii] ARTICLE 80 (1) The President of Romania shall represent the Romanian State and is the safeguard of the national independence, unit and territorial integrity of the country.
(2) The President of Romania shall guard the observance of the Constitution and the proper functioning of the publik authorities. To this effect, he shall act as a mediator between the Powers in the State, as well as between the State and society.
[viii] SECTION I Structure of the State
Article 26
- The legislative powers shall be exercised by the Parliament and the President of the Republic.
- The executive powers shall be exercised by the President of the Republic and the Government
[ix] Art. 87. Il Presidente della Repubblica e` il capo dello Stato e rappresenta l’unita` nazionale. Puo` inviare messaggi alle Camere [741 ]. Indice le elezioni delle nuove Camere e ne fissa la prima riunione [611 ].
[x] Article 98 The President of the Republic shall: – call elections for the Croatian Parliament and convene its first session;
[xi] Black’s Law Dictionary Second Edition by Henry Campbell Black, M.A. West Publishing Company. ST. Paul, Minn 1910, pp.700-701.
[xii] Për më shumë shiko. Jordan Daci. “Law in Post-Communist countries: Case of Albania”. Published as part of the proceedings of the XXV. World Congress of Philosophy of Law and Social Philosophy, at the University of Frankfurt Germany, “Goethe Frankfurt am Main”, Paper series No. 024 / 2012 Series B “Human Rights, Democracy; Internet/intellectual property, Globalization”. URN: urn:nbn:de:hebis:30:3-248826. http://d-nb.info/1054043272.http://nbn-resolving.de/urn:nbn:de:hebis:30:3-248826. Dewey Decimal Classification: 340 Recht. Institutes: Rechtswissenschaft.
Komentet