Diplomati austriak, Albert Rohan, ish zëvendës i krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, ndërroi jetë të mërkurën.
Ministria e Jashtme austriake tha se vdekja e tij është një humbje e rëndë.
Albert Rohan, i cilësuar shpesh si një diplomat shembullor, që nga vitet e 90-ta ishte përfshirë në përpjekjet për të vendosur paqen në Ballkan dhe për hapjen e perspektivës evropianë për vendet e rajonit.
Ai kishte hyrë në shërbimin diplomatik që në vitin 1963 dhe fillimisht kishte shërbyer në ambasadat e Austrisë në Londër dhe Beograd.
Në vitin 1977 qe emëruar në postin e shefit të kabinetit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Kurt Valdhajm.
Më pas kishte shërbyer edhe në vende tjera si ambasador dhe në vitin 1996 ishte emëruar sekretar i përgjithshëm në ministrinë e Jashtme të Austrisë.
Në vitin 2006 ai përkrah ish presidentit finlandez, Martti Ahtisaari, drejtoi negociatat për statusin politik të Kosovës. Në bazë të planit të hartuar prej tyre, Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh i pikëlluar për vdekjen e ambasadorit Albert Rohan. “Si negociator në dialogun për statusin e Kosovës dhe si diplomat austriak, Albert Rohan kontribuoi shumë për vendosjen e paqes në rajonin tonë. Do ta ruajmë kujtimin për të si një diplomat shembullor, që bëri shumë për popullin e Kosovës”, shkroi ai.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se “kemi humbur sot Albert Rohan, një nga gjigantët e diplomacisë evropiane dhe një nga paqebërësit më të mirë në Ballkan. Ai do të mbahet mend për aftësitë e tij të veçanta diplomatike dhe intelektuale, prej të cilëve kam mësuar shumë gjatë viteve rreth artit të negociatave”.
Ambasadori Rohan, mbështeste bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ishte kundërshtar i çdo ideje për ndarjen e veriut të saj apo dhënien e një autonomie rajonale për atë pjesë. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, ai pati thënë se “veriu i Kosovës duhet të ri integrohet në strukturat administrative e ligjore të Kosovës dhe plani i Ahtisaarit duhet të zbatohet. Unë kundërshtoj ndarjen, autonominë rajonale për dy arsye. E para, thjeshtë nuk është e arsyeshme të ketë dy lloje të komunitetit serb, një që do të ketë autonomi rajonale dhe një tjetër që nuk do ta ketë në pjesën tjetër të vendit. E dyta, autonomitë rajonale nuk janë të nevojshme, meqë plani i Ahtisaarit siguron të gjitha të drejtat e domosdoshme për komunitetin serb që të administrojë punët e tij në nivelin komunal. Ata mund të bashkëpunojnë me komunat tjera dhe mund të krijojnë asociacionin dhe kjo nuk është një dispozitë që ne e kemi shpikur, por është e mbështetur në Kartën e Këshillit të Evropës për vetëqeverisjen lokale. Pra të gjitha komunat mund të krijojnë asociacionin politik dhe të bashkëpunojnë me njëra tjetrën, prandaj autonomitë rajonale nuk janë të nevojshme“, kishte deklaruar ai për Zërin e Amerikës.
Komentet