Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se është takuar sot me përfaqësues të Këshillit Atlantik dhe të administratës së Kongresit Amerikan, derisa shtoi se ka bërë të ditur para nënkryetari të Këshillit se Kosova është e gatshme për marrëveshje me Serbinë, por, pa cenuar territorin, raporton Gazeta Express.
Këtë e ka bërë të ditur përmes Facebook’ut, Haradinaj duke shkruar se e ka njoftuar nënkryetarin e Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, për të arriturat e vendit në sundim të ligjit dhe në rritjen e sigurisë.
“Kosova po ndërton kapacitete për të shtyrë përpara agjendën e saj veri-atlantike, në mënyrë që të anëtarësohet në NATO, për të marrë rol aktiv për paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë. Bashkëbisedim i frytshëm me përfaqësuesit e Këshillit Atlantik nga Washington-i, prirë nga zëvendëspresidenti ekzekutiv, Damon Wilson, të cilët i njoftova me të arriturat e vendit, sidomos në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe në rritjen e sigurisë. Kosova është e gatshme të arrijë një marrëveshje paqeje me Serbinë, por asnjëherë duke shkelur kushtetutën apo cenuar territorin tonë. Synimi final i vendit tonë është dinamizimi i konsolidimit të shtetit dhe në këtë rrugëtim mbështetja e ShBA-së mbetet jetike”, ka shkruar Haradinaj.
Me Wilson është takuar sot edhe krye parlamentari Kadri Veseli. Përmes Facebook-ut, Veseli ka shkruar se kanë diskutuar për dialogun nëmes të Kosovës dhe Serbisë.
“Me përfaqësuesit e Këshillit Atlantik dhe të administratës së Kongresit Amerikan pata një diskutim përmbajtësor për Kosovën dhe zhvillimet rajonale.
U fokusuam tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ku theksova vendosmërinë tonë për t’u përpjekur në arritjen e një marrëveshje ligjore gjithëpërfshirëse që siguron njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, BE dhe NATO.
Për ta bërë këtë gjë, presim që SHBA-të të luajnë një rol më aktiv për të mbështetur këtë proces. Miqtë nga Këshilli i Atlantikut i falënderova për kontributin e tyre të deritanishëm dhe i kërkova mbështetje në fushën e informimit të publikut dhe planifikimit strategjik.
Gjithashtu, i informova për nismën time në kuadër të drejtësisë tranzicionale duke shpjeguar se zbardhja e së kaluarës dhe vënia në vend e drejtësisë për krimet e kryera nga shteti serb, i shërben përfundimit të konfliktit dhe pajtimit ndër-etnik”, shkroi Veseli.
Komentet