Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri shënoi çeljen e veprimtarisë së saj. ishin rreth 600 persona ata që morën pjesë në takin e parë. Drejtori i Qendrës në Shqipëri, Boiken Abazi shpjegoi pse kjo shtrirje nga Prishtian në Tiranë dhe synimin e kësaj organizate.
“Sot, pas gati 30 vitesh prej ndryshimit të regjimit, e kanë kuptuar të gjithë se ky nuk është tranzicion. Ky është vetë sistemi. Ekonominë e ka lënë pa prodhim, bujqësinë pa mbrojtje nga tregtia e pandershme, mbrojtjen e vendit pa ushtri me armatim bashkëkohor, dijen e ka lënë në mëshirën e fatit, ndërsa shëndetin publik në ligjet e pamëshirshme të tregut.
Ky sistem është edhe më brutal nëse je grua, fëmijë apo i moshuar. Edhe më keq nëse je nga periferia. Produkti me rendimentin më të lartë i këtij sistemi janë të përjashtuarit. Eksporti më i madh i këtij sistemi janë vetë shqiptarët. Sigurisht që zgjidhjet nuk arrihen lehtë, por ato janë këtu mes nesh, dhe presin. Presin që ne t’i njohim e t’i marrim përsipër. Presin angazhimin tonë, përkushtimin tonë, sakrificat tona, organizimin që i nxjerr ato në dritë e që i sjell ato në jetë. Ky organizim tashmë ka nisur…” – tha Abazi.
Çeljen e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri, e përshëndeti edhe Albin Kurti që vuri theksin te bashkimi kombëtar.
“Bashkimi ynë kombëtar dhe Bashkimi Evropian as nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe as nuk e pengojnë njëra-tjetrën. Është gabim të përdoret bashkimi kombëtar për ta frikësuar Bashkimin Evropian. Mënyra e tillë na lë edhe pa bashkim kombëtar, edhe pa Bashkim Evropian. E neve na nevojiten të dyja, pra, edhe bashkimi kombëtar, edhe Bashkimi Evropian.
Shqiptarët janë fuqi rajonale. Ne duhet ta pranojmë këtë fakt, ashtu qysh po e pranojnë fqinjët tanë. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi kombëtar i shqiptarëve, në Ballkan, bëhen paralelisht me krijimin e aleancës ballkanike Shqipëri-Kosovë-Kroaci-Bullgari, plus Sarajeva, Podgorica dhe Shkupi zyrtar, ku shqiptarët duhet të prijnë” – tha Kurti.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe anëtarë kryesie, deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes nga Kosova, ndërsa nga Shqipëria mori pjesë ministri për Diasporën, Pandeli Majko. Pjesëmarrësit përfshinë gjithashtu gazetarë e pjesëtarë të shoqërisë civile, bashkë me qindra anëtarë e simpatizantë të Lëvizjes në Shqipëri.
Kënga “Prag” e kantautorit Bashkim Rodoni dhe interpretimi i prozës migjeniane “Idhuj pa krena”, prej regjisores dhe aktores së mirënjohur, Ema Andrea, ishin urimi special për këtë datë të rëndësishme.
Komentet