Nocionet apo termat, që në diskursin formal dhe joformal përdoren për të shpjeguar dukuri që burojnë nga ideologjitë fetare dhe me të cilat iu referohet individëve apo grupeve të përfshirë në ato dukuri, jo rrallë nga të rinjtë përdoren pa ua ditur kuptimin atyre nocioneve.
Në rubrikën e përjavshme për të rinjtë, “VOX”, të Radios Evropa e Lirë, një gjë të tillë e dëshmojnë disa të rinj në Prishtinë, shumica prej të cilëve thonë se i takojnë besimit islam.
Disa prej tyre shprehin mendimin se nocioni “xhihad”, kuptimin e vetëm e ka për “luftën e shenjtë” apo “flijimin për Zotin”.
Në mjaft raste ata nuk e kanë të qartë nocionin “fundamentalizëm”, ndërkohë që termat “mysliman”, “islam” dhe “islamizëm”, për disa prej tyre, kanë kuptimin e njëjtë, duke mos e pasur të qartë se prapashtesa “izëm” i shndërron nocionet e caktuara në pezhorativa dhe u jep konotacion negativ.
Lidhur me këta terma, Qëndrim Gashi, maturant, jep mendimin e tij, duke shpjeguar se si i kupton ato.
“Xhihad, sipas meje, është të vdesësh për Allah. Mendoj se kështu është. Nuk e di çka është ‘fundamentalist’. Islamist është ai që është në fenë islame. Në bazë të fesë, është islam. Për mua islam, mysliman, islamist, është e njëjtë”.
VOX: Përdorimi i gabuar i termave fetare
Erion Krasniqi, student në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se termat xhihad, islam dhe islamizëm, janë të ngatërruar. Madje i ngatërron edhe vetë.
“Xhihadi është kur shkon në Mekë…. jo, haxhillëk është kjo. Nuk kam lexuar mjaft për fe dhe nuk jam i dhënë pas saj. Islamist, kjo do të thotë se merresh me islamin, je mysliman i devotshëm. Por, termin ‘islamist’, tash janë duke e përdorur është për këta që po luftojnë për fe, për ekstremistët. Është gabim ky term, sepse atyre duhet t’iu jepet një term tjetër dhe nuk duhet t’i përziejmë me islamin e vërtetë”, thotë Erioni.
Arianit Gashi, i cili sapo ka përfunduar shkollimin e mesëm, konsideron se ua di kuptimin këtyre termave, të cilët, siç thotë ai, i ka mësuar në internet.
“Nuk jam shumë i dhënë pas fesë. Por, siç e kam parë në internet, ‘xhihad’ i thonë kur flijojnë veten për Allahun. Ka ndoshta edhe kuptim tjetër, por unë nuk e di, nuk kam qenë i interesuar shumë. Fundamentalist? Nuk e di. S’kam ide. Islamist është njëjtë si mysliman. Ata që i përmbahen më shumë fesë janë islamist. Islamist është mysliman, jo ekstremist”, shprehet Arianiti.
Shpëtim Grajçevci, student i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se termat që kanë të bëjnë me religjionin islam dhe pasuesit e tyre, jo rrallë ngatërrohen, duke krijuar paragjykime.
“Për mua fjala ‘islamist’ ose ‘islamik’, në kuptimin fetar është njeriu që i kryen obligimet fetare. ‘Xhihadist’, në kuptimin e plotë, nuk është fjalë e keqe. Nënkuptohet si luftë, përpjekje për familjen, për Zotin… kështu diçka. Nuk jam shumë i sigurt se çka në thelb nënkupton fjala ‘xhihadist’. Por, grupet e interesit e kanë devijuar këtë fjalë dhe tash, fjala ‘xhihadist’, në shoqëri nënkuptohet si ‘terrorist’. Do të thotë është sinonim i fjalës ‘terrorizëm’”, thotë Shpëtimi.
Ariana Demiri, nxënëse e Medresesë Alauddin në Prishtinë, thotë se termi “xhihad” nuk e ka kuptimin e luftës kundër të tjerëve.
“Fjala ‘xhihad’ ka kuptimin e një synimi, një qëllimi, përpjekje dhe nuk është ‘xhihad’ ashtu siç e kuptojnë, vetëm për të shkuar në luftë. ‘Xhihad’ është çdo përpjekje, çdo mund që e bën, për hir të Allahut edhe për arritjen e diturisë. Për shembull të shkosh dhe ta marrësh diturinë diku, edhe kjo është ‘xhihad’”, shpjegon në mënyrën e saj Ariana.
Dardan Mataj, student në Fakultetin Ekonomik, thotë se i takon besimit të krishterë katolik. Ai thotë se e kupton drejt personin që beson në fondamentin e fesë, cilado qoftë ajo.
“Nëse dikush që e beson bazën e fesë, do të thotë atë bazën fetare që është e mirë. Por, ai që mundohet ta ndryshojë ose të kalojë përtej saj dhe t’ia imponojë dikujt atë, atëherë ky është gabim i madh. Ai është fundamentalist. Fundamentalizmi, siç ka qenë i njohur më parë dhe lëvizjet që ka bërë, ka qenë kundër modernizmit”, thekson Dardani.
Por, shumica e këtyre të rinjve, vlerësojnë se duke mos i kuptuar saktë termat e caktuar, ata iu drejtohen të tjerëve me to dhe në këtë mënyrë, krijojnë paragjykime.
Shpëtim Grajçevci, thotë se në mjaft raste është paragjykuar nga shoqëria.
“Ne kur e shohim dikë me mjekër, menjëherë, thjesht e paragjykojmë atë. I themi, ti je xhihadist, fundamentalist, vehabist. Mua më ka ndodhur kjo shpesh, në fakultet. Unë mjekrën e barti, jo për shkak të fesë, por për shkak të stilit. Ka ndodhur që më kanë paragjykuar shumë dhe më kanë thënë ‘ti i paske hyrë fesë thellë’ ose ‘ti paraqet rrezik për shoqërinë tonë”, ose ‘largohu nga ne se nuk bën kështu’.Kur e paragjykon një njeri, ti edhe përpiqesh t’ia imponosh ato gjëra”, tregon Shpëtimi.
Dardan Mataj thotë se është tërësisht e gabuar t’i drejtohesh dikujt me fjalë që nuk ua di kuptimin, e për më tepër kur i paragjykon:
“Është gabim shumë i madh. Gjithmonë duhet ta vësh tjetrin në pozitën tënde. Si do të ndiheshe po të të thoshte dikush ty ose si do të ndihej ai, sikur t’i drejtohesh me ‘fundamentalist’ ose ‘xhihadist’. Kjo është gabim”.
Ngjashëm shpreh mendimin edhe Ariana Demiri. Ajo thekson se, megjithatë, paragjykimet dhe gabimet e njerëzve nuk duhet parë si gabime të religjionit.
“Për mendimin tim, islami nuk duhet marrë bazuar në njerëz, sepse feja islame merret prej Kur’anit, prej librit që është i zbritur, e jo nga njerëzit. Njerëzit, tek e fundit, të gjithë janë gabimtarë”, thekson Ariana. rel
Komentet