“Duke ndjekur rrugën që ka bërë predha në trup, në jastëk, batanije dhe deri në dyshek, del se viktima…”
Nga Dashnor Kaloçi/ Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që janë botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, (pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë.
Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Harito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari.
Gjithashtu në dosjen në fjalë ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjithë personave të tjerë që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
DOKUMENTI ARKIVOR ME KONKLUZIONET E STUDIMIT TË VENDIT TË NGJARJES DHE EKZAMINIMEVE MBI VDEKJEN E MEHMET SHEHUT, NGA SHEFI I HETUESISË KOÇO JOSIFI, MJEKU LIGJOR BASHKIM ÇUBERI DHE EKSPERTI KRIMINALIST, ESTREF MYFTARI
K O N K L U Z I O N E
MBI STUDIMIN E VENDIT TË NGJARJES DHE REZULTATET E EKZAMINIMEVE LIDHUR ME VDEKJEN E MEHMET SHEHUT
Me datën 18.12.1981, u gjend i vdekur në dhomën e gjumit të apartamentit të vet, Mehmet Shehu.
Nga kryerja e vendit të ngjarjes, ekzaminimi i kufomës, provave materiale (pistoleta, gëzhoja dhe predha) dhe të dhënave hetimore, rezulton:
- Në trupin e viktimës ndodhet një plagë tej shkuese arme zjarri, me vrimë hyrje mbi thithën e sisës së majtë dhe vrimë dalje nën këndin e shpatullës së kësaj ane, e shkaktuar nga një qitje me puthitje jo të plotë. Predha pasi ka dalë nga trupi dhe ka shkuar tej për tej të dy jastëkët dhe batanijen e ndodhur poshtë tyre, u gjet e ngulur në dyshek.
Duke ndjekur rrugën që ka bërë predha në trup, në jastëk, batanije dhe deri në dyshek, del se viktima në momentin e qitjes ka qenë i shtrirë në krevat, me shpatullat të mbështetura në jastëk dhe se drejtimi i qitjes ka qenë nga përpara – prapa, nga sipër – poshtë dhe lehtësisht nga e djathta në të majtë.
- Mbi krevat, pothuajse në mesin e tij, 43 cm. larg dorës së djathtë të viktimës, u gjet pistoleta automatike “Makarov” Nr. BP 2935, e kalibrit 9 mm.
Nga ekzaminimi balistik i predhës dhe gëzhojës të gjetur në vendin e ngjarjes, rezulton se ato janë qitur në këtë pistoletë që disponohej nga vetë Mehmet Shehu.
- Dora e djathtë e viktimës, ishte në gjendjen e shtangësisë, gishtin tregues më të mbledhur se të tjerët, ndërsa në thoin e gishtit të madh të kësaj dore dhe në lëkurën 2-3 mm. larg tij, u konstatua gjurmë të veprimit të copërave të barutit. Në anën e djathtë të djepit luajtës të pistoletës, u zbulua një gjurmë gishti e të njëjtit tip (rrethore), me ato të gishtit të madh të dorës së majtë, të Mehmet Shehut.
Këto të dhëna flasin se Mehmet Shehu ka mbushur pistoletën në dorën e majtë dhe me dorën e djathtë, ka bërë qitjen.
Duke u mbështetur në tërësinë e këtyre të dhënave, konkludojmë se:
Vdekja e Mehmet Shehut, është si rezultat i vetëvrasjes me një qitje me armë zjarri.
HETUESI
KOÇO JOSIFI
EKSPERTI MJEKOLIGJOR EKSPERTI KRIMINALIST
BASHKIM ÇUBERI KANDIDAT I SHKENCAVE (ESTREF MYFTARI)
DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN E PUSHIMIT TË ÇËSHTJES PENALE PËR VETËVRASJEN E MEHMET SHEHUT, I NËNSHKRUAR NGA HETUESI I DREJTORISË SË BRENDSHME TË TIRANËS, KOÇO JOSIFI
VENDIM
MBI PUSHIMIN E ÇËSHTJES PENALE
Tiranë më 29 Dhjetor 1981
Unë Koço Josifi, hetues i Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, mbasi e studiova materialet e çështjes penale Nr. 794 lidhur me vetëvrasjen e Mehmet Shehut;
K O N S T A T O V A
Me datën 13 dhjetor 1981, nga ana e jonë u fillua çështja penale, lidhur me vetëvrasjen e Mehmet Shehut. Nga hetimet e zhvilluara rezultoi se; me datën 18 dhjetor 1981, rreth orës 8.00, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit, Mehmet Shehu.
Në këtë orë shkon në dhomën e tij Fiqiret Shehu, e cila konstaton se ai kishte vdekur, menjëherë e përmendura njofton djalin e saj, Vladimir Shehun, i cili së bashku me gruan e tij, Fatbardha Shehu dhe Fiqrete Shehu, shkojnë në dhomën ku konstatojnë vdekjen e tij.
Vladimir Shehu, menjëherë lajmëron oficerin e shërbimit dhe mjekët, dëshmitarët Ali Çeno, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, të cilët kur shkojnë, gjejnë të shtrirë në shtrat të vdekur, të përmendurin.
Pas kësaj, në vend shkoi grupi hetimoro – operativ dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ekzaminimi mjeko – ligjor i kufomës, ekzaminimin balistik i pistoletës të tipit, RP 29-35, predhës dhe gëzhojës të gjetur në vendin e ngjarjes, ekzaminimi daktiloskopik i gishtit të gjetur në këtë pistoletë, eksperimenti hetimor dhe pyetja e dëshmitarëve, rezulton plotësisht e vërtetuar se:
Armiku Mehmet Shehu, duke u gdhirë data 18 dhjetor 1981, me anën e pistoletës së tij personale, të tipit RP. 29-35, me kalibër 9 mm., ka kryer aktin e vetëvrasjes me një qitje të vetme, me puthitje jo të plotë, me vrimë hyrje në pjesën e përparme të majtë të gjoksit dhe vrimë dalje, në pjesën e majtë të shpinës. Vdekja ka ardhur nga shkaku tragjik.
Vetëvrasja vërtetohet se është kryer në këto rrethana:
Armiku Mehmet Shehu, në momentin e vetëvrasjes ka qenë i shtrirë në krevat, me shpatulla të mbështetura në jastëk. Qitjen e ka bërë me drejtim nga përpara prapa, nga sipër poshtë dhe lehtësisht, nga e djathta në të majtë.
Nga ekzaminimi balistik i predhës dhe gëzhojës të gjetura: në vendin e ngjarjes, vërtetohet se ato janë qitur me pistoletën RP. 29-35, që disponohej nga vetë Mehmet Shehu.
Gishti tregues i dorës së djathtë, i gjetur në momentin e këqyrjes më i mbledhur se të tjerët, praninë e gjurmëve të veprimit të copërave të barutit në thoin e gishtit të madh të kësaj dore dhe në lëkurën 2-3 mm. larg tij, si dhe prania në anën e djathtë të djepit luajtës të kësaj pistolete e, një gjurme gishti të të njëjtit tip (rrethore), me atë të gishtit të madh të dorës së majtë të Mehmet Shehut, provojnë se ky armik, ka mbushur pistoletën në dorën e majtë dhe me dorën e djathtë, ka bërë qitjen dhe vetëvrasjen e tij.
Nga sa parashtruam më sipër dhe në konformitet me nenit 71/ të Kodit të Procedurës Penale të RPSSH;
V E N D O S A:
Të pushoj çështjen penale për hetimin e vetëvrasjes së armikut Mehmet Shehu, mbasi ajo nuk përmban elementët e një vepre penale.
HETUESI
KOÇO JOSIFI
DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN E FILLIMIT TË ÇËSHTJES PENALE PËR VETËVRASJEN E MEHMET SHEHUT, NGA KRYETARI I DEGËS SË HETUESISË I DREJTORISË SË BRENDSHME TË TIRANËS, KOÇO JOSIFI
VENDIM
MBI FILLIMIN E ÇËSHTJES PENALE
Në Tiranë më 18.12.1981
Unë, Koço Josifi, kryetar i degës së Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, mbasi studiova materialin lidhur me vetëvrasjen e qytetarit Mehmet Ismail Shehu:
K O N S T A T O V A:
Në bazë të denoncimit të bërë, me datën 18.12.1981, në orën 8.00, u gjet i vetëvrarë në dhomën e gjumit të tij, qytetari Mehmet Ismail Shehu.
Duke marrë parasysh se materiali i sipërm shërben për fillimin e çështjes penale, në mbështetje të nenit 63, të Kodit të Procedurës Penale, të RPSSH-së;
V E N D O S A:
Në bazë të materialeve të sipërtreguara, të filloj çështjen penale për krimin e parashikuar nga neni 89, i Kodit Penal.
Një kopje të këtij vendimi, t’ja dërgoj Prokurorisë.
KRYETARI I DEGËS SË HETUESISË
KOÇO JOSIFI
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBIKËQYRJES SË VENDIT TË NGJARJES MBI VDEKJEN E MEHMET SHEHUT, NGA HETUESI KOÇO JOSIFI, EKSPERTI KRIMINALIST ESTREF MYFTARI, EKSPERTËT MJEKO-LIGJOR, DOC. BASHKIM ÇUBERI E DR. FATOS HARITO DHE DËSHMITARËT E PRANISHËM, ALI ÇENO E MILTO KOSTAQI
PROÇES-VERBAL
I MBIKËQYRJES SË VENDIT TË NGJARJES
Tiranë, më 18 dhjetor 1981
Unë, Koço Josifi, kryetari i Degës së Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, sipas njoftimit, krijova grupin hetimor, të përbërë nga unë, ekspertit kriminalist, Istref Myftari, eksperti ligjor, Doc. Bashkim Çuberi, të asistuar nga dëshmitarët Ali Çeno e Milto Kostaqi, bëra këqyrjen e vendit të ngjarjes, mbi vdekjen e Mehmet Shehut.
Banesa ndodhet në Lagjen Nr. 8, ndërtesë me dy kate, në katin e dytë, mbasi ngjit shkallët, në krah të majtë të tyre, ndodhet një korridor. Mbas së cilit, është një paradhomë, në të cilën, ndodhet një kolltuk dhe një tavolinë e vogël druri. Nga kjo hyhet në dhomën e gjumit të banesës së Mehmet Shehut, në të kundërt të derës së hyrjes së dhomës, ndodhet një dritare e mbyllur me grila, dhe me perde najloni, dhe damask.
Dhoma është me përmasa 6 m. x 6 m., në lartësi 2.90 m. Në anën jugore ka një derë dykanatëshe, që komunikon me verandën e cila u gjet e mbyllur me grila dhe perde të trasha, derën që komunikon me banjën, e cila u gjet me pozicion gjysëm të hapur, me çelësin e vendosur në bravë, nga ana veriore, ka një derë që del në verandë, dhe një derë që komunikon me zyrën e tij të punës, të cilat u gjetën të mbyllura rregullisht.
Dhoma është e shtruar me tapet dhe e mobiluar me një krevat mobilie, që ka në faqen perëndimore të murit, një pasqyrë tualeti, një gardërobë dhe nga ana veriore, një tavolinë e vogël mesi dhe kolltuk. Në dhomë gjithashtu, është një biçikletë sportive mjekësore dhe një peshore.
Krevati është prej mobilie dopje, ngjyrë arre, koka e krevatit është në formë mobilie, me gjerësi 181 cm., në krahun e majtë ka një shtesë 78 cm. dhe në të djathtin, me një shtesë 138 cm., me lartësi 90 cm. Pjesa shtesë e krahut të majtë, është në formën e një komoje, me një sirtar dhe një ndarje nën të. Në këtë pjesë në syprinën e komosë, që ka gjerësi 22 cm., ndodhet një transistor “SANYO”.
Mbi sirtarin e komosë, ndodhet një abazhur i ndezur, një mbajtëse butonash për sinjalizim, një elektrik dore, një aparat komunikimi (interfoni), një libër: “Për coampis volantare afgane SN.10.së”, një termos, një filxhan çaj me pak lëng ngjyrë të verdhë, me erë kamomili, një gotë uji e mbushur përgjysmë, me lëng të tejdukshëm, një kuti e tejdukshme plasmasi, në kapakun e së cilës shkruhet:
“Para gjumit”, brenda duket një kapsulë ngjyrë portokalli, një e gjysëm tabletë, ngjyrë të kaltër dhe dy tableta fare të vogla ngjyrë rozë të çelur, një shishe 2000 kubik, e mbushur me dy të tretat e saj, me një lëng të trashë, në të cilin shkruhet “Agerol”, një mbajtëse çelësash prej meshini ngjyrë të zezë, me 11 çelësa të llojeve të ndryshme, si dhe një gëzhojë pistolete të kalibrit 9 mm., me numra 81-66, e cila në nuhatje, ka erë të lehtë baruti.
Gëzhoja merret në cilësitë e provës materiale. Në pjesën e poshtme të kësaj komodine, ndodhet një aparat telefonik dhe tre copë libra, me titujt: “Duke zbuluar botën”, në gjuhë të huaj: “Les grandes patries étranges”, “Le erogzoletaipin mbgreme”, “Arehrepel du tiki”, “La valleo des”, “Rois”, “Calendario atlaste de agostin 1979”, “ Celtes et l’expansion celtique”, “La bete el lepaporo”, “Cap a l’coneit”, “Alor e de la forot vrerge”, “Srudi taim çudio”, “Ndren de la liberte”, “Amaniak”, “Drame erotiqueo”.
Brenda në sirtarin e kësaj komoje, u gjetën medikamente të ndryshme, si: Papaverin, Clorartin, adalat, imatotol, (tre shishe), rokuol valium, drabinil-rieka, kodotusil, karvosin (dy shishe), ritaolol, kodein, posilie valur (një kuti e gjysëm), dy kuti krem Nivea, tre tablet Culzalon, një termometër, një çantë e vogël lëkure, që përmban këto medikamente: Kalreton (tre tableta), avlokalidm, umenditol, punetaral, magzoform, kapoform, trinitrin, dhe një tarnomatsi dhe kodein.
Në krahun e djathtë të shtesës së krevatit, ju gjendën dy fotografi fëmijësh të vendosur në kornizë, një kuti butoni sinjalizimi. Poshtë u gjetën: një magnetofon “Kematofon”, i markës “Nacional – përladonin”, një radio transistor “Grunding”, një valixhe me një laps brenda.
Në sirtarin e krahut të majtë, u gjendën tre palë syze optike, si dhe një palë syze optike, një kasetofon i vogël “Sango”, një pjatë me tre çokollata, pesë copë bateri të vogla, një kuti me suport “Selty”, një kuti me suport “Anoide”. Në sirtarin e mesit, gazeta të ndryshme dhe disa letra të përkthyera, si dhe disa pako të vogla, që nga ana e jonë, nuk u hapën. Në sirtarin e tretë disa fotografi të ndryshme, kartonë dhe dy pako, të cilat nuk u hapën.
Në syprinën e kokës së krevatit, u gjet një kuti me butona sinjalizimi, dy zarfe të Buletinit të ATSH-së, dhe një buton zile elektrike. Në faqen e kokës së krevatit, e veshur me damask ngjyrë ulliri, në krahun e djathtë është instaluar një radio e markës “Urada”, me sahat elektrik. Krevati ka sustën në formë divani, një dyshek të trashë dhe sipër tij, një të hollë, çarçaf të bardhë dhe një batanije dopjo dhe një teke, ngjyrë kafe dhe bezhë.
Në krevat gjenden në anën e majtë të tij, tre agji (kufoma), e një personi të seksit mashkull, në moshën rreth 70 vjeç, shtrirë në shpinë, me kokën pak të ngritur, vendosur në dy jastëkë, dhe një batanije të palosur, poshtë tyre, të dy duart janë të përthyera në bërryl, të mbështetura në trup, me gishtat gjysëm të mbledhur, këmbët të shtrira horizontalisht, trupi është i mbuluar me batanije dhe çarçafi që përmban krevati, deri afër mjekrës.
Pothuaj se deri në mesin e krevatit, mbi batanijen e sipërme, 48 cm., larg nga dora e djathtë, dhe në të djathtë të kufomës, ndodhet një pistoletë e markës “Makarov”, me nr. RP 29-35, prodhim i vitit 1954. Pistoleta u gjet e armatosur me një fishek në fole dhe pesë të tjerë në krehër. Pistoleta së bashku me fishekët, u morën nga ana jonë, me cilësinë e provës materiale. Memorie.al
Problemi eshte se te kjo foto ndodhen dhe disa persona , qe e kane lejuar Hoxhen te mbaje fjalimin ne emen te djemnise shkodrane. Nje ri nga keto ne foto eshte edhe ish-shefi i sherbimit sekret te kohes, nje minoritar, qe me vone familja e tij banoj ne Shkoder. (ne kohen e Dulles)