Në Manhattan në kryeqendren e botës në mjediset e restorantit “San Marino”,
Shoqata Shqiptaro–Amerikane “Skënderbej Inc.” u mblodh për të njohur anëtarët dhe simpatizantët e saj me marrjen e dokumentacionit, miratimin e shoqatës nga departamenti i shtetit të Nju Jorkut si dhe me statutin dhe programin për vitin 2019-të.
Ish ushtarakë si dhe dashamirës të shoqatës takoheshin dhe bisedonin përzemërsisht me njeri-tjetrin, ata të gëzuar mendonin se takimet midis nesh e sjellin dhe më pranë Atdheun tonë të dashur.
Moderatorja e programit autorja e këtij reportazhi tha se ka kaluar më shumë se një vit që u mblodhëm për të festuar së bashku krijimin dhe organizimin e shoqatës Shqiptaro Amerikane me bazë nga ish ushtarakë të shkollës “Skënderbej” dhe Akadamia ushtarake, ne u mblodhëm si një shoqatë në radhët e Diasporës që i shërben vetëm Kombit.
Pas një pune dhe përkushtimi të devotshëm nga ish ushtarakë shqiptarë me në krye z.Bashkim Shehu, ish zv/ministër i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, në post diktaturë, z.Mark Qehaja ish ushtarak në forcat e NATO-s, z.Imer Laçaj ish ushtarak patriot dhe financier i shoqatës, Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej” Inc. mori miratimin ligjor nga shteti i Nju Jorkut.
Që nga mbledhja e themelimit të saj në muajin dhjetor 2017-të kjo shoqatë ka kryer shumë aktiviteteve patriotike dhe kulturore si: U organizuan festimi i 73 Vjetorit të Shkollës “Skënderbej”, aktivitet me rastin e 550 Vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, aktivitet në 106-të Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë si dhe festimin e 11-të Vjetorit të Pavarësise së Kosovës. Në këto aktivitete nderuan me pjesëmarrjen e tyre ish kongresisti amerikan z.Joe Di Guardi si dhe z.Mark Gjonaj ish Ansambleist dhe Anëtar i Këshillit të Bashkise së Nju Jorkut.
Si bijtë e Gjergj Kastriot Skenderbeut, Heroit Kombëar emrin e të cilit e keni gëzuar qysh në adoleshencë dhe e keni mbajtur me nder dhe kryet lart përpara Atdheut sot në këtë shoqatë ju keni ftuar dhe anëtarë nga jeta civile çka flet për një civilizim dhe qytetari, sepse Gjergj Kastrioti Skënderbej është Heroi Kombëtar është Heroi i gjithë shqiptarëve, është Heroi i bashkimit, ëndrra juaj dhe e gjithë Kombit shqiptar.
Ky emër i madh është si medaljon nderi për të gjithë shqiptarët!
Programi u hap me interpretimin e dy Hymneve kombëtare atë amerikan dhe shqiptar.
Kryetari i shoqates shqitparo-amerikane Skenderbej Inc. z.Bashkim Shehu, nje atdhetar dhe tejet i përkushtuar për shoqatën përshendëti të gjithë të pranishmit dhe tha se jemi krenar t’ju njoftojmë se shoqata shqiptaro amerikane Inc. Skënderbej mori miratimin nga Departamenti i shtetit të Nju Jorkut, çka na bën t’i shtojmë dhe më shumë përpjekjet për t’ja rritur prestigjin sa më lart shoqatës sonë me emrin e madh të Heroit Kombëtar. Si kryetar i shoqatës së bashku me anëtarët e kryesisë do të punojmë fort për të zhvilluar aktivitete të ndryshme për të ruajtur vlerat e larta të Kombit. Shoqata jonë qëkur u krijua e ka pasur si mision për të zhvilluar një sërë aktivitetesh patriotike dhe kulturore duke kujtuar datat më të rëndësishme kombëtare. Ndonëse kanë kaluar pak kohë me keqardhje them se një grup prej kësaj shoqate iku duke krijuar një shoqatë tjetër me të njejtin emër për shkak të mosmarrëveshjeve dhe pikëpamjeve politike të ndryshme që krijonin. Sidoqofte është e drejta e gjithësecilit të përfshihet atje ku dëshiron, megjithë përpjekjet tona për bashkëpunim dhe bashkim.
Z.Bashkim Shehu në emër të kryesisë propozoi për anëtarë nderi të shoqatës kolonel Qemal Zylo dhe Kozeta Zylo, shkrimtare dhe publiciste. Ai vazhdoi se ata si cift janë themelues të TV “Alba Life” dhe shkollave shqipe në New York duke sjellë dhe një biografi të shkurter për punën e tyre plot përkushtim në Diasporë. Propozimi u mirëprit me duartrokitje dhe u miratua njëzëri nga të pranishmit.
Njohja me statutin e shoqatës shqiptaro-amerikane Skenderbej Inc. u bë nga z.Imer Laçaj ish ushtarak, atdhetar i flaktë dhe i zgjedhur si financier i shoqatës. Ai paraqiti gjithë nenet e statutit në projektor ku nëpërmjet ekranit sqaroi profesionalisht komentet përkatëse. Statuti u miratua duke marrë parasysh vërejtjet nga salla.
Në fjalën e tij s.Mark Qehaja n/kryetar i shoqatës pasi iu uroi gjithë pjesëmarrësve mirëseardhjen, me krenari dhe përgjegjësinë që ndjente njohu shoqatën me programin që do të ketë gjatë vitit 2019-të. Programi përfshinte datat e rëndëishme kombëtare me aktivitetet pëkatëse, aktivitete qe janë zhvilluar denjësisht dhe më parë, ku më duhet të them se ka qenë përkushtimi i devotshëm i z.Qehaja për të zhvilluar me madhështi këto data historike kombëtare.
Programi u miratua nga të gjithë pjesëmarrësit duke marre parasysh dhe vërejtjet nga diskutantët.
Aktiviteti u bë dhe më i pasur kur nxënësja e talentuar Simelba Xhaferi bijë e dy aktivistëve Arta dhe Elton Xhaferi interpretoi poezi si shqiponjë e vërtetë në gjuhën e ëmbël shqipe.
Anëtarja e kryesisë znj.Arta Xhaferi inxhiniere arkitekte si bijë e një ish ushtaraku foli me krenari të ligjshme për të gjithë ata që i shërbyen Kombit me ndershmëri dhe përkushtim. Ajo tha se do të punojë me kryesinë për zbatimin e statutit dhe t’i rrisim sa më shumë radhët e saj.
Në këtë mjedis përshëndeti përzemërsisht z.Robert Metolli ish ushtarak, pedagog dhe drejtor i qendrës së gjuhëve të huaja në Akademinë Ushtarake. Me një humor të spikatur përshëndeti z.Gjok Lini ish skënderbegas dhe ushtarak.
Me plot respekt dhe frymëzim përshendeti nga tribuna z.Fatjon Zagonjari me origjinë nga Kosova.
Kryetari i shoqatës së mirënjohur “Devolli” z.Odise Salillari iu uroi kryetarit dhe kryesisë së shoqatës punë të mbarë për çështjen kombëtare. Unë flas plot respekt për të gjithë ushtarakët që kam njohur në Shqipëri dhe Diasporë dhe them se ata kanë qenë njerëz të sacrificës dhe shumë korrekt në çdo drejtim.
Kolonel Qemal Zylo me një karierë të lartë në ushtrinë shqiptare ish shef i teknikës në Drejtorinë e Autokratorëve në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Shef i Katedrës së Autokratorëve në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” dhe profesor i lëndëve inxhinierike, si dhe shef i transportit në Korpësin e Paqes në Tiranë bëri pershëndetjen dhe përmbylljen e programit.
Z.Zylo ndër të tjera sqaroi dhe kritikoi se marrja e dokumentave zyrtare u bë pas një zvarritje të gjatë, për të cilën përgjegjësia bie mbi kryesinë e shoqatës. Dhe kjo vonesë si dhe disa mospajtime pikëpamjesh dhe qëndrimesh krijoi dy grupime të cilat tani egzistojnë si dy organizata më vehte. Edhe pse ka pothuajse një kohë të gjatë që punon me të dy grupet për t’i bashkuar siç ishin në fillim të krijimit ku kryetar u zgjodh dhe vazhdon të jetë z.Bashkim Shehu, përsëri vazhdojnë mosmarrëveshjet. Z.Zylo dhe në emër të kryesisë shprehu dëshirën dhe vullnetin për bashkim me synim që në muajin dhjetor të bëhen zgjedhje të përbashkëta. Ai vazhdoi se shoqata është jo politike në bazë të ligjit amerikan dhe ne të gjithë mblidhemi për kënaqësinë tonë dhe jo për grindje, politikën t’jua lemë atyre që paguhen për atë punë, megjithëse politikanët shqiptarë vazhdojne të na përçajnë dhe këtu në Diasporë. Shoqata jonë duhet t’i shëbejë vetëm Kombit dhe të vlerësojë njerëzit më punëtorë dhe më të përkushtuar.
Ai ftoi për anëtarësime të reja dhe uroi që shoqata të ketë jetëgjatësi.
Anëtarët paguan kuotizacionin përkatës dhe njëkohësisht pati dhe anëtarësime të reja ku më shumë dominonin të rinj dhe të reja.
Me shumë dashuri u festua dhe ditëlindja e z.Esad Seci ish ushtarak, nje anëtar i devotshëm i shoqatës që në fillimet e saj, familjar dhe patriot i përkushtuar.
Ishte një e shtunë e bukur me një atmosferë të këndshme të ngrohtë ku mjaft pjesëmarrës u argëtuan nën tingujt e muzikës së bukur shqiptare.
14 prill, 2019
Manhattan, New York
Komentet