“Duhet të korrigjohet deformimi kushtetues i vitit 2008. Pa këtë korrigjim Shqipëria politike do të jetë gjithmonë një peng i ndërvarur madje një peng grotesk. Logjika historike është njëkohësisht dhe logjikë e politikës. Emancipimi jetik i politikës është edhe një iluminim i historisë. Ky ekuacion është i pashmangshëm por dhe i pashkatërrueshëm dot” – thotë në këtë intervistë botuar sot në Dita akademiku Moikom Zeqo.
Me Moikomin bisedoi gazetari Erion Habilaj:
-Prej javësh opozita ka djegur mandatet e deputetëve dhe është ngritur në protesta. Mendoni se është një veprim i duhur, dhe çfarë do të sugjeronit në një rast të tillë?
Djegia e mandateve të deputetëve nga ana e opozitës, nga PD dhe LSI në të vërtetë nuk përbën një lajm politik, por është një skandal politik. Marrja e një vendimi të tillë tregon nivelin mediokër dhe provincial të politikanëve vendimmarrës të këtyre partive të opozitës. Nuk di asnjë rast të ngjashëm në vendet demokratike të Europës, nuk di asnjë shëmbëlltyrë që i afrohet këtij “harikiri” të ish-deputetëve tashmë të opozitës dhe për më tepër ende nuk jam në gjendje t’i jap një kuptim justifikues apo ndoshta dhe stimulues për mënyrën paksa të pangjashme që rezulton me djegien e këtyre mandateve.
E kam theksuar shumë herë që ndryshimet e kobshme kushtetuese të vitit 2008 krijuan të drejtën e monarkut për të paracaktuar listat e deputetëve, gjë që shkatërron lirinë e zgjedhjes por dhe të votimit të lirë dhe të fshehtë. Të habit fakti që disa politikanë të LSI-së e kundërshtuan këtë shndërrim të frikshëm të kushtetutës, madje bënë dhe grevë urie.
Por janë pikërisht ndryshimet e vitit 2008 që duket sikur krijojnë të drejtën maksimale dhe absolute që kryetarët e partive kanë mbi vetë deputetët. Harruan që deputetët dalin nga një institucion juridik që lidhen me votimet publike. Pikërisht këtu funksionon e drejta juridike e listave që depozitojnë partitë politike në rast kur deputetët për arsye të ndryshme edhe mund të heqin dorë nga mandatet.
Kushtetuta gjithsesi e mbron të drejtën e votuesve për mandatet. Kush i pyet këta votues, që në një moment çmendurie apo me anë të një akti politik të heqin dorë nga posedimi i përfaqësimit politik të elektoratit? Kjo marrëzi erazmike është e pashembullt dhe nuk ka ndodhur asnjëherë tjetër. Kjo do të thotë që një akt politik nuk mund të shkatërrojë një logjikë juridike. Në këtë rast kemi një “dialektikë negative” siç do të thoshte filozofi Adorno. Akti juridik e vë në boshllëk aktin politik.
Konkretisht akti politik ka synuar destabilizimin total të sistemit politik në Shqipëri. Më habit fakti se si qoftë përfaqësues të së djathtës politike, por edhe të LSI që afishohet si e majtë politike flasin në mënyrë apokaliptike dhe bëjnë thirrje madje “revolucion”, republikë të re, duke mëtuar një përmbysje popullore. Është e vërtetë që PD dhe LSI kanë organizuar disa protesta dhe do të organizojnë prapë. Këtu kemi një shëmbëlltyre të rremë të parimit të identifikimit.
Opozita mendon se protestat janë mbarë popullore. E krijojnë me bindje këtë iluzion të identifikimit të vetvetes në tërë popullin shqiptar. Por ekuacioni i protestave parakupton vetëm pjesëtar të elektorateve të tyre që gjithsesi janë një pakicë e popullit shqiptar ose konform raporteve që u pasqyruan në përbërjen e deputetëve në kuvendin e Shqipërisë, jo më shumë. Mendja e mbrapshtë e një Mefistofeli të zi të politikës siç është Sali Berisha e konstruktoi përherë idenë e “djegies së mandateve”. Basha në fillim u tregua më i matur, pati një dozë realizmi. Por çdo gjë degradoi me shpejtësi.
Djegia e mandateve është një akt vetëvrasës ku politika shkatërron juridiken. Aq më tepër që ky akt nuk ka të bëjë me thelbin e opozitës si subjekt kushtetues. Opozita e kritikon qeverisjen e shumicës jashtëzakonisht ashpër, por nuk mund të heqë dorë nga roli juridik madje dhe shpesh komplementar që i jep kushtetuta opozitës. Po pse opozita u vetëpërjashtua nga ky funksion i kushtetutës dhe për më tepër ne mund të arsyetojmë trishtueshëm por dhe të habitur se si opozita nuk mori parasysh se nuk do të kishte as përkrahjen popullore në Shqipëri, por nuk do të kishte as përkrahjen e ndërkombëtareve. Pra në epokën e madhe të integrimit dhe partneritetit, opozita shqiptare e kthen në një subjekt përjashtues, por dhe kundërshtues gati në absurd edhe subjektin ndërkombëtar.
Mund të them që për dy javë u vërtetua se vetë përjashtimi i opozitës është një gabim tejet i kushtueshëm. Më duket që nga pikëpamja formale juridike listat e formuluara nga kryetarët e partive të opozitës mund të funksionojnë dhe të mos ketë asnjë kundërshtim apo boshllëk përveç ndërgjegjes dhe vullnetit personal që të krijohen emra deputetësh të rinj. Në këtë pikë e drejta prej monarku e kryetarëve të partisë përjeton gjithashtu një absurditet të dyfishtë.
-Çfarë mund t’i sugjerohet opozitës me këtë rast?
Nuk e di se çfarë mund t’i sugjerohet opozitës. Mbas vizitës së zëvendës sekretarit të shtetit Mathew Palmer, fare mirë krerët e partive të PD dhe LSI mund të reflektonin dhe nuk do të ishte fare turp për ta quajtur gabim aktin që bënë, për të qenë më të iluminuar dhe konkretë jo për ta bërë dhe një herë atë që ç’bënë, por për t’u përgatitur më seriozisht për zgjedhjet e ardhshme. Por sedra provinciale, mungesa e dukshme e kulturës politike tek politikanët shqiptarë, pra dhe tek ata të opozitës, bënë që ata tashmë të jenë skllevër të inercisë dhe të bëjnë lojën e Mitit të Sizifit.
-Sipas disa analistëve është edhe përgjegjësia e mazhorancës në këtë ngërç që është futur vendi…
Mazhoranca ose me shqip shumica qeverisëse nuk ka asnjë përgjegjësi për “harikirin” që bëri opozita. Askush nuk mund ta thotë këtë. Askush nuk mund ta justifikojë, sepse në fund të fundit, vendimi qe tërësisht i opozitës. Por shumica qeverisëse nuk është se përjeton një situatë të lumtur apo një apoteozë madhështie, apo që mund të jetë e qetë për një gjë të tillë që ka ndodhur, sepse shkatërrimi i sistemit politik nuk mund të jetë vetëm i disa partive, kur ky sistem ka një krizë të tillë është dhe shprehje e krizës së krejt sistemit.
Dikur në një nga shkrimet e mija këtu në gazetën Dita para fitores së PS-së në vitin 2017 kam artikuluar idenë e “vdekjes së bardhë të partive dhe politikanëve përkatës”. E kisha fjalën për parti të tilla të vogla që lidheshin me emra politikanësh si Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Dashamir Shehu, Fatmir Mediu, ose të partive politike të Ballit Kombëtar, të Legalitetit etj..
Kjo “Vdekje e bardhë politike” në të vërtetë ndodhi. Tashmë këto janë parti inekzistente ose parti të shënuara në regjistra. Fenomene të tilla ka shumë në vende demokratike. Në të vërtetë partitë lindin dhe vdesin. Vetë politika është e tillë që i bën partitë efemeride. Asnjë parti nuk mund të mburret se do të jetë e përjetshme. Shikoni çfarë ndodhi me Partinë Socialiste në Francë, me atë në Itali, apo dhe me Passok në Greqi. Nga parti të para me elektorat të madh brenda harkut të 20 vjetëve degraduan dhe sot janë parti të dorës së dytë ose dhe të katërt. Gjithashtu në Itali dhe Greqi ndodhi një përmbysje reale e sistemit politik të partive tradicionale.
Nëse ndodhi në Itali dhe në Greqi, nuk ka asnjë lloj tabuje që ndryshime të tilla të “vdekjes së bardhë politike” të ndodhin, disa vite me vonesë edhe tek ne në Shqipëri. Jam i bindur ndonëse aspak i gëzuar të them se parti të tilla tashmë tradicionale si PD dhe LSI rrezikohen të humbasin elektoratin e tyre dhe të shkojnë drejt asaj që quhet pika zero në politikë. Ajo që më habit sinqerisht është se si politikanët e opozitës bënë “s’kualifikimin e vetvetes” në prag të dy ngjarjeve të mëdha që janë: negociatat e Shqipërisë me BE-në dhe zgjedhjet e përgjithshme vendore.
Brenda faktorit ndërkombëtar dhe kombëtar opozita ka humbur sensin e orientimit logjik pra ka shkatërruar perspektivën e vet.
-Përsa i përket zgjedhjeve vendore…
Përsa i përket zgjedhjeve vendore PS do të arrijë një fitore spektakolare që për fat të keq metaforën e tepsisë së pushtetit do ta bëjë akoma më të rënduar madje dhe më totalitare. Pikërisht këtu do të fillojë një tjetër degradim i idesë së shumicës qeverisëse në mënyrë që shkatërrimin e sistemit politik, pra të partive të opozitës ajo do ta pësojë si një hiperbolë pushteti që do të jetë e papranueshme dhe do të krijojë kontradikta dhe me ndërkombëtarët.
Mos ta harrojmë që Sali Berisha në zgjedhjet e kontestuara të vitit 1996 e mori të gjithë pushtetin por kjo qe e pamundur të funksiononte. Pikërisht kjo pikë historike krijoi katastrofën e vitit 1997 pasuar dhe nga grushti i shtetit i vitit 1998. Kështu perspektiva negative bëhet ndikuese tek të gjitha subjektet e politikës, pa përjashtim, duke përfshirë dhe shumicën qeverisëse.
-Ka zëra brenda mazhorancës që thonë se Rama duhet të largohet dhe drejtimin e qeverisë ta marr një tjetër i majtë. Mendoni dhe ju kështu?
Padyshim që në tregun publik ka zëra alternativë siç ka dhe provokime apo dhe dëshira si dhe klithma. Nga pikëpamja juridike edhe politikani amerikan Palmer e tha qartë se qeveria është legjitime. Kjo është mëse e qartë. Kur Sali Berisha bëri grushtin e shtetit në vitin 1998 qe pikërisht Amerika që e quajti jo legjitime këtë gjë.
A është zhvillimi i brendshëm tek PS fakti që mund të zëvendësohet Edi Rama nga ndonjë tjetër figurë e PS-së? Unë mund të them që nuk di asgjë në këtë pikë. Nuk kam asnjë informacion. Në të vërtetë ky është një akt vendimmarrje i vetë PS.
Unë e shikoj politikën e prapambetur dhe provinciale shqiptare madje dhe politikanët shqiptarë nga optika e një politikologjie dhe nuk nisem nga arsyetimet aksidentale apo emocionale të opinionistëve të pafundmë dhe injorantë në kulturën politike që ka Shqipëria. Si politikolog mund të them që politika shqiptare në vitin 2019 nuk është se ka ndonjë zhvillim cilësor në kuptimin e një politkbërjeje në formë progresive dhe të zhvilluar.
Unë nuk besoj se ka dhe një debat të vërtetë shkencor midis shumicës qeverisëse dhe opozitës që juridikisht nuk është më opozitë. Ka më tepër sharje dhe grindje që të kujtojnë mllefet, anatomimet e pjesëtarëve të politikës me njëri-tjetrin, madje edhe dëshira fetare, duke ju drejtuar Zotit që nuk ka lidhje fare me politikën që të realizojë bëmat onirike të politikanëve të opozitës.
Këtë iluminim të politikës apo dhe kriticizëm rindërtues nuk e shoh as tek PS. Nuk besoj që PS ka politikanë të shquar, madje është shumë e habitshme se sa mungesë te kulturës politike ka jo vetëm nga shumica qeverisëse por nga të gjithë përfaqësuesit politik që përbëjnë Kuvendin e Shqipërisë.
Të tremb ky banalitet i madh sharjesh, thashethemesh, ndërhyrjesh në jetët e fshehta private, kjo egërsi e pashpirt dhe nganjëherë kanibale të ashtuquajturve politikanë të Shqipërisë në vitin 2019. Nga ana tjetër kjo klasë politikë që unë e kam quajtur dhe e quaj klasë parapolitike shqiptare nuk jep as shpresë dhe nuk ka asnjë gjë nga substanca e kauzës së vërtetë politike. Pra në vetvete, nga brenda ato që quhen “fitore triumfaliste politike” nuk janë në të vërtete fitore mendore, por një shkumbëzim propagande.
-Reforma në drejtësi edhe pse me ritme të ngadalta është duke përparuar. Si e shikoni këtë reformë dhe mendoni se është një nga arsyet që politika ka humbur toruan?
Reforma në drejtësi në të vërtetë nuk varet as nga PS dhe as nga forcat opozitare. Reforma në Drejtësi është një investim i ndërkombëtarëve konkretisht i partnerëve tanë kryesorë, i SHBA-së për shkak të dështimit real të politikanëve shqiptarë. Mendoni pak që kanë kaluar 30 vjet dhe këta politikanë shqiptarë nuk bënë asgjë të rëndësishme dhe pozitive për t’u kujtuar një ditë në histori.
Ju kujtoj përsëri se 30 vjet janë shumë më tepër si kohë, si rend vitesh se sa hapësira kohore nga Lufta e Parë Botërore deri në Luftën e Dytë Botërore kur politika përjetonte ndryshime të mëdha dhe kolosale.
Nëse politika shqiptare do të kish qenë e suksesshme dhe normale nuk do të kish dalë në skenë fare Vettingu.
Pyes pse do të duhej Vettingu nëse çdo gjë do të ishte qartësisht e saktë dhe juridike sipas kushtetutës, nuk do të kishte fare korrupsion, as vrasje, as grabitje të miliona eurove ne aeroport, apo në bankën e shtetit shqiptar siç ndodhi para shumë vitesh, as banda, as trafik droge etj. Statistikat tregojnë se këto 30 vjet Shqipëria është një vend problematik dhe nuk është aspak e vërtetë që është arritur një transformim i tillë që mund të mburremi apo qenë nevoja për tregun fantazmagorik të propagandës të jemi të vlerësuar nga vetë populli apo nga ndërkombëtarët.
U them këtyre politikanëve efemeridë të Shqipërisë: E dini ju se ç’mendojnë njerëzit e thjeshtë të Shqipërisë, çfarë thonë intelektualët dhe njerëzit e kulturës për ju? Nëse vërtetë do të kishit bërë punë të lavdërueshme do të dëgjonit dhe fjalë të mira. Nuk është puna për vlerësime klienteliste apo edhe për rituale servilësh. Puna është për vlerësime serioze, tejet serioze për të krijuar sidoqoftë një vetëdije kombëtare, si dhe një kauzë sociale të politikës apo dhe një kulturë mbushamendëse të politikës.
Do të ishte jashtë loje Vettingu nëse pas 30 vjetësh do të kishim arritur në një situatë tjetër e cila sot quhet hipotetike. Duhet ta kuptojnë se sa i vrazhdë dhe i rëndë është realiteti i sotëm në Shqipëri. Politikanët nuk mund të jenë Shqipëria, por ata mund të bëheshin Shqipëria. Por ja që nuk janë Shqipëria.
-Këtë vit është 75-vjetori i Çlirimit të vendit dhe duket se është lënë në harresë nga institucionet shtetërore. Cili është gjykimi juaj për këtë ngjarje?
Para disa ditësh në Muzeun Historik Kombëtar isha i ftuar për të folur për 80 vjetorin e vrasjes së Mujo Ulqinakut në 7 prill 1939. 7 prilli 1939 është dita e pushtimit fashist të Shqipërisë.
Mujo Ulqinaku është edhe heroi i parë antifashist në rrafsh europian, kaq shumë simbolikë dhe peshë ka shëmbëlltyra e aktit të tij plot dinjitet. Në moshën 24 vjeçare unë kam shkruar një libër për Mujo Ulqinakun i cili ka patur disa botime madje dhe anglisht e frëngjisht. I kam parë dokumentet dhe për më tepër kam parë shumë dokumente italiane por dhe angleze edhe amerikane që merren me pushtimin fashist të Shqipërisë.
Figura e Mujos mund t’i bënte nder çdo kombi të madh europian. Ai është njeriu që tregoi që çdo pushtim kundërshtohet nga populli. Është pikërisht heroizmi i Mujo Ulqinakut që sfidoi tërë tradhtinë e pashembullt të Ahmet Zogut dhe të ashtuquajturit parlament të tij. Në 6 prill 1939 lindi Leka dhe parlamenti u mblodh për ta shpallur si trashëgimtarin, pra për të bërë juridike idenë e një dinastie mbretërore të vijimsuar.
Natyrisht siç thuhet në kujtimet e Kontit Çiano “Shqipëria u përdhunua si një trup pa narkozë”. Thuhet që Abaz Kupi organizoi një vijë për datën 7 prill dhe mua më del dhe në dokument që ai vërtetë e mori këtë detyrë. Vija e rezistencës do të ishte nga kullat veneciane deri në urën e Dajlanit. Në kullën veneciane u vendos reparti i Mujo Ulqinakut. Kjo kullë ishte para hyrjes së portit. Zbarkimi fashist në mëngjesin e 7 prillit pati goditje prej disa orësh pikërisht nga ky repart i vogël i drejtuar nga Mujo Ulqinaku.
Vija e rezistencës që duhet të ishte deri në urën e Dajlanit nuk funksionoi dhe Abza Kupi hodhi në erë urën e Shijakut në mënyrë që të vononte automjetet italiane për të ndjekur ikjen e mbretit Zog i cili u arratis në Greqi. Konti Çiano thekson se po të kishte një mbrojtje qoftë dhe modeste në pikëpamje ushtarake, rezistenca do të qe më e madhe. Por çdo gjë u tradhtua madje dhe e vetmja bateri me topa që ndodhej në kodrën dhe kuotën 89 qe e pavlefshme se i kishin vjedhur gjilpërat e topave.
Tani për këta që kërkojnë lavdi të rreme dhe alibi për datën e 7 prillit ju kujtoj faktin se pikërisht më 12 prill deputetët dhe parlamentarët e Tiranës, të gjithë pa përjashtim (po si ka mundësi që të mos ketë një apo dy vetë që kundërshtojnë) me një servilizëm të pështirë dhe të neveritshëm u mblodhën e shanë mbretin Zog, pra dhe dinastinë mbretërore dhe i afruan zyrtarisht kurorën e Gjergj Kastriotit perandorit Viktor Emanuel i III. Cili nga këta deputetë të vitit 1939 mund të thotë se përfaqësonte vullnetin e popullit shqiptar? Si ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë? A nuk është kjo një tradhti apo një degradim i një politike që interesave të përputhura me pushtuesin?
Mujo Ulqinaku e hap rendin e emrave të mëdhenj të antifashizmit shqiptar. Konferenca e Pezës në vitin 1942, çeta e parë antifashiste në Europë e Myslym Pezës, por dhe figura të tjera popullore si Haxhi Lleshi apo Baba Faja Martaneshi qenë baza e organizimit të Luftës Nacional Çlirimtare shqiptare. Kjo është një luftë e lavdishme se i përket një kulture të re të njerëzimit: Antifashizmit botëror. Hera e parë pas 20 shekujsh që Shqipëria pati aleatët e mëdhenj të planetit që kryesuan antifashizmin botëror. Kjo e bëri fitimtar popullin shqiptar. Madje në këtë luftë armata shqiptare për herë të parë në historinë tonë mijëra vjeçarë dhe një kontribut antifashist deri afër Vishegradit, çka përbën një akt të pashembullt. Por të mos harrojmë që ky vit është 75 vjetori i çlirimi të atdheut.
Si ka mundësi që Kryeministri Rama por dhe figura të njohura të PS të mos e shpallin zyrtarisht Jubileun e Çlirimit Antifashist të Shqipërisë? Është një marrëzi e shumëfishtë politike, heshtja por dhe urrejtja e demonizuar kundër antifashizmit shqiptar çka do të thotë dhe një urrejtje ndaj antifashizmit botëror.
Para ca kohësh Presidenti i Francës Emmanuel Macron botoi një Manifest të quajtur “Për një Rilindje Europiane”. Në këtë Manifest Macron bën një apel të thekshëm dhe tejet të shqetësuar për të parandaluar që në zgjedhjet politike të këtij maji në Europë të mos fitojnë forcat e djathta neofashiste. Çdo të thotë ta ngresh një shqetësim të tillë? Do të thotë që antifashizmi nuk vlerësohet më nëse ringjallen forcat neofashiste.
Macron shkruan “unë propozoj që të krijohet një Agjenci Europiane për mbrojtjen e demokracisë, e cila do të ofrojë ekspertë Europianë për secilin shtet anëtar, për të mbrojtur procesin zgjedhor kundër sulmeve kibernetike dhe manipulimeve. Në këtë frymë pavarësie, ne duhet gjithashtu të ndalojmë financimin e partive politike europiane nga fuqi të huaja. Duhet të ndalojmë më ligjet europiane çdo gjuhë urrjetjeje dhe dhunë në internet, sepse respektimi i individit është themeli i qytetërimit tonë dinjitoz”.
Del pra që respektimi nderimi i Antifashizmit Shqiptar është një vlerë universale Europiane. Pse në Shqipëri nuk vlerësohet Antifashizmi Shqiptar? Historiani amerikan Bernd Fisher ka bërë një nga librat më seriozë për Antifashizmin shqiptar ku veç të tjerave me dokumente demaskon aleatët nazifashistë në Shqipëri të ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Tani së fundi në një intervistë në gazetën Panorama Bernd Fisher u shpreh për debatin rreth figurës së Mit’hat Frashërit se në historinë e Luftës së Dytë Botërore, Mit’hat Frashëri qe i lidhur dhe i kontaminuar nga ushtritë pushtuese nazifashiste.
Bernd Fisher e thotë këtë, kurse shqiptarët ende lëkunden dhe bëjnë homazhe pikërisht për të poshtëruar institucionalisht Antifashizmin shqiptar. Jam i bindur që njerëzit seriozë dhe normalë në Shqipëri pavarësisht se nuk e kanë statusin e politikanit e kanë statusin e historisë së vërtetë dhe të çastit të historicizmit.
-Duket se Shqipëria ka sfida të mëdha përpara, jo vetëm prej situatës së brendshme. Pëllumb Xhufi këtu në Dita disa numra më herët ngrinte shqetësimin e situatës tejet të trazuar në Europë…
Po. Shqipëria ka sfida të mëdha por jo vetëm Shqipëria por dhe vendet e tjera të Ballkanit dhe Europës. Nuk di se si do të shkojnë rezultatet e zgjedhjeve të majit në Europë. 50 shkrimtarë dhe filozofë të mëdhenj e bënë një Manifest për të sensibilizuar dhe ndërgjegjen e popujve europianë për të ruajtur parimet e demokracisë që “janë të kërcënuara”.
Kjo do të thotë që edhe politika europiane është në një krizë të madhe.
Kriza në Shqipëri është e shumëfishte dhe nuk mund të mbulohet me ligjërime triumfaliste. Duke rilexuar Monteskjenë më tërhoqi vëmendjen ideja se “edhe kur Liria është në qendër, në skajet e saj mund të ketë shumë tirani. Prandaj njerëzit duhet jo thjesht të lexojnë, por të mendojnë”. Monteskje me ironi flet se ç’janë të drejtat e njeriut dhe tallet me ata që mendojnë se liri mund të jetë dhe thjesht mbajtja e mjekrës duke harruar që liria është konceptualitet. Pa këtë konceptualitet ne nuk mund të kemi asnjë lloj ndërgjegje.
Më ka tërhequr vëmendjen dhe një libër i politikologut italian Emilion Gentiles “Fetë e politikës”. Në këtë libër tregohet qarët se si propaganda e spektaklet politike synojnë atë që quhet sakralizimi i politikës, ose duke përdorur një terminologji Mircea Eliade “manifestimet politike kthehen në hierofani moderne”. Gjithashtu dhe ata që mendojnë se mund të ketë një demokraci të “pilotuar”, që ka vetëm një politika që di gjithçka dhe gjithë të tjerët duhet të dinë ato që di ai janë në të vërtetë jo fitore mendore por disfata mendore.
-Pak më sipër ju folët për metaforën e tepsisë pas zgjedhjeve vendore. Pra ju mendoni që zgjedhjet vendore do zhvillohen në këto kushte?
Zgjedhjet vendore do të realizohen në Shqipëri. Ndërkombëtarët janë dakord dhe nuk ka asnjë pengesë juridike për t’i penguar këto zgjedhje. Do të uroja që PS po dhe partitë e tjera të zgjedhin njerëzit me moral të lartë dhe me personalitet plot dinjitet dhe të mos bien në prakticizmin e arketipit të “pasanikëve biznesmenë”. Përkundrazi duhet synuar në figura të sprovuara.
Mendoj se Erion Veliaj i fiton bindshëm dhe me meritë zgjedhjet në Tiranë, por do të mendoja apo dhe të sugjeroja që njerëzit e zgjedhur në këshillin bashkiak që është në të vërtetë parlamenti bashkiak të zgjidheshin krejt ndryshe dhe me parametra të tjerë nga çfarë janë zgjedhur deri më sot. Përsa i përket zhvillimit të “politikës së madhe” shoh një terren të brishtë, dhe të lëvizshëm dhe do të ketë ndikim shumë të madh këtë radhë arsyetimi adekuat mbi elektoratin më të madh që lidhet me PS-në.
Do të uroja krejt figura të tjera të këtij elektorati në kuvend sepse deputetët anonimë ndonëse pasanikë të PS-së në Kuvend aktualisht janë absolutisht të harrueshëm dhe efemeridë, nuk besoj se do të kujtohen nga askush.
Por që të arrihet kjo duhet të korrigjohet deformimi kushtetues i vitit 2008. Pa këtë korrigjim Shqipëria politike do të jetë gjithmonë një peng i ndërvarur madje një peng grotesk. Logjika historike është njëkohësisht dhe logjikë e politikës. Emancipimi jetik i politikës është edhe një iluminim i historisë. Ky ekuacion është i pashmangshëm por dhe i pashkatërrueshëm dot
Komentet