VOAL

VOAL

Sëmundjet, pse gratë diagnostikohen më vonë se burrat – Zbuloni arsyet

March 29, 2019

Komentet

Çfarë na bën ajri i ndotur?

“Një minutë i makinës së ndezur mbush 150 tullumbace me gazra të dëmshme”.

Ky është vetëm njëri prej mbishkrimeve në tabelat e vendosura ditëve të fundit në Prishtinë, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve që t’i braktisin makinat dhe të ecin në këmbë.

Këto tabela janë një tjetër rikujtim për qytetarët e Kosovës se në çfarë ajri jetojnë. Çdo vit në sezonin e dimrit, atyre u shtohet edhe ky hall: çfarë ajri po thithin?

Ndotja e ajrit përbën ndër kërcënimet kryesore për shëndetin e njeriut, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë [OBSH]. Sipas saj, 99 për qind e popullsisë botërore, jeton në zona ku nuk përmbushen standardet për kualitet të ajrit.

Grimcat PM 2.5 që përhapen në ajër kanë ndikimin më të keq në shëndetin e njeriut.

Grimcat [PM 2.5 dhe 10] janë shumë të imëta, dhe për shkak të peshës së vogël qëndrojnë lehtë në ajër, prandaj depozitohen lehtë në organizmin e njeriut përmes ajrit të thithur.

Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës – përgjegjës për monitorim të cilësisë së ajrit – më 2024 janë regjistruar 32 ditë me ndotje të ajrit mbi standardin e përcaktuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit – pra 32 ditë kur grimcat e ajrit PM 10 kanë qenë mbi nivelet e lejuara, në krahasim me 120 ditë më 2010.

“Standardi i lejon vetëm 35 ditë. Ne e kemi ulur ndotjen, por kurrsesi nuk jemi të kënaqur që të kemi tejkalime. Qoftë edhe nëse një ditë, një orë, kemi tejkalim të standardit, për neve është e papranueshme”, ka thënë Shkumbin Shala, specialist i cilësisë së ajrit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, periudha më kritike e ndotjes së ajrit në Kosovë është prej nëntorit deri në shkurt.

| Kush janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit?

Blloqet në termocentralin ekzistues të Kosovës A, kompanitë e mëdha sikurse Feronikeli, mbetjet e gjigantit metalurgjik Trepça, sektori i mbeturinave, sektori i transportit, ekonomitë familjare, mungesa e gjelbërimit dhe sektori i ndërtimtarisë në zonat urbane, konsiderohen shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes, sipas Shalës.

Sipas një raporti të Bankës Botërore të vitit 2019, kosovarët dhe popujt që jetojnë në Ballkan dhe Evropën Lindore, thithin më shumë grimca toksike sesa fqinjët në Evropën Perëndimore, dhe kjo edhe për shkak të më pak politikave për reduktim të ndotjes së ajrit dhe ngrohjes dhe gatimit duke përdorur lëndë djegëse të ngurta [shporete me dru dhe qymyr].

Ngjashëm edhe në raportin e vitit 2024 të OBSH-së – për ndotësit e ajrit brenda ambienteve shtëpiake në Kosovë – përmendet se ndër burimet kryesore të ngrohjes për ekonomitë familjare në Kosovë është stufa me dru, si kërcënim real për shëndetin e njeriut, përfshirë edhe tymosjen e cigares në ambiente të brendshme.
Një taketuke e mbushur plot me bishta të cigareve në një lokal në Prishtinë, në janar të vitit 2023. (Foto: Arben Hoti/Radio Evropa e Lirë)
Institucionet shëndetësore në botë vlerësojnë se ajri i ndotur shkakton probleme në sistemin e frymëmarrjes, kancer në mushkëri, bronkit, astmë, sëmundje kronike të mushkërive, probleme në sistemin kardiovaskular, probleme neurologjike, ndikon në zhvillimin e trurit të fëmijëve, në sistemin riprodhues, dhe në probleme me lëkurën.

Personat e moshuar, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe të varfrit si kategori sociale, thuhet se e vuajnë më së rëndi ajrin e keq të një vendi.

| Vdekjet e parakohshme

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) i ka thënë Radios Evropa e Lirë se 1.150 vdekje në vit i atribuohen cilësisë së keqe të ajrit, çka paraqet 12.1 për qind të vdekshmërisë totale nga të gjitha shkaqet natyrore.

Instituti ka thënë se këto të dhëna i mbështet në studimin e kryer nga projekti Millenium Challenge Cooperation në periudhën 2017-2019 në Kosovë.

Institucione tjera kanë të dhëna tjera.

Sipas raportit të Bankës Botërore, rreth 760 njerëz vdesin para kohe çdo vit në Kosovë për shkak të ekspozimit në ajër të ndotur.

Sipas Agjencisë Evropiane për Mjedis, numri i vdekjeve të parakohshme nga ekspozimi në nivele të dëmshme të grimcave PM 2.5 është ulur nga 3.888 në 2005, në 2.608 më 2021.

Më keq se Kosova, në nivel rajonal, janë Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Ndotja e ajrit përkeqësohet veçanërisht kur ulen temperaturat. Kuvendi i Kosovës ka miratuar strategjinë për Energji 2022-2031. Me këtë strategji Kosova synon që deri në vitin 2031 të arrijë që 35 për qind të nevojave për energji, t’i gjenerojë nga energjia e ripërtërishme. Strategjia, parasheh që thëngjilli të hiqet tërësisht nga përdorimi deri në vitin 2050. (Foto: Arben Hoti/Radio Evropa e Lirë)
Shkumbin Shala ia ka atribuuar këtë ulje adoptimit të praktikave të mira prej vendeve që veçse e kanë tejkaluar këtë fazë të ndotjes së ajrit.

Ai ka përmendur investimin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) më 2013 për mbulimin e deponisë së hirit, shtrirjen e ngrohtores përmes KEK-ut në Prishtinë, si dhe vetëdijesimin e një pjesë të qytetarëve për dëmet e djegies së thëngjillit apo druve.

“Në vjetët e fundit kjo ulje nuk vërehet në masë të rënies drastike, siç ka ndodhur në të kaluarën, pasi investimet e mëdha janë bërë, tani na duhen investime të vogla, me korrigjime në zonat urbane, te pjesa e ndërtimit, te pjesa e bizneseve. Ndoshta komuna mund ta menaxhojë më mirë që disa biznese si, restorante, autolarje e servisime që nuk janë të nevojshme në qendër të qytetit, të largohen në periferi”.

Shala rekomandon se për përmirësim të mëtejmë të situatës, duhet të shtyhet përpara përdorimi i energjisë së rinovueshme, të përmirësohet sistemi i transportit publik, të ketë kontroll të emetimeve industriale dhe të ketë fushata ndërgjegjësimi për mbështetje të politikave mjedisore.

| Çfarë mund të bëjë gjithsecili?

Autoritetet sugjerojnë se në ditët kur ajri është i cilësisë së dobët, nuk rekomandohet të dilni të ambiente të hapura, nëse nuk është e domosdoshme, apo të përdorni maskat e tipit N95.

Por, ajo që mund të bëni për ruajtje të ambientit përfshin mosdjegien e druve, qymyrit apo peletit, të reduktoni harxhimin e rrymës, të shmangni makinën dhe të ecni apo të përdorni biçikletën.

Radio Evropa e Lirë

Kosova nis imunizimin e djemve kundër papilloma virusit

Nga shkurti, në Kosovë do të nisë imunizimi i djemve me vaksinën kundër papilloma virusit (HPV), pasi një vaksinë e tillë nisi të administrohej për vajzat vitin e kaluar.

Në një konferencë për media, të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, u tha se që nga nisja e procesit të imunizimit, 10.000 vajza janë vaksinuar kundër këtij virusi.

Çfarë është papilloma virusi (HPV)?

Papilloma virusi (HPV) është një infektim që transmetohet seksualisht. Pothuajse të gjithë personat që janë seksualisht aktivë, në një moment të caktuar të jetës infektohen me këtë virus, por në shumicën e rasteve nuk shfaqin simptoma.

Në grupin e HPV-së hyjnë më shumë se 200 lloje të viruseve. Në shumicën e rasteve, ky virus nuk shkakton shqetësim, por infektimi me disa lloje të tij mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore dhe kancer.

HPV-ja mund të prek lëkurën, zonën gjenitale dhe fytin.

Prezervativët mund të ndihmojnë në mbrojtjen kundër infektimit me HPV, por nuk ofrojnë mbrojtje të plotë.

Më 2019, HPV-ja vlerësohet se ka shkaktuar 620.000 raste të kancerit te gratë dhe 70.000 raste të kancerit te burrat, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Rastet e kancerit me HPV mund të parandalohen përmes vaksinimit të hershëm.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se nisja e imunizimit të djemve me vaksinën HPV është hap thelbësor drejt parandalimit të sëmundjeve serioze.

“HPV është virus i rrezikshëm. Kanceret që mund të shkaktohen nga ky virus nuk bëjnë dallime dhe vaksinimi i djemve është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për të mbrojtur edhe ata nga pasojat shëndetësore në të ardhmen”, tha Vitia.

Sipas tij, HPV shkakton probleme shëndetësore edhe te djemtë edhe te vajzat si dhe lloje të ndryshme të kancereve.

Kosova vitin e kaluar futi në kalendarin e imunizimit vaksinën HPV. Vajzat e vaksinuara janë të moshës 11-12 vjeç.

E njëjta grup-moshë e djemve synohet të imunizohet, thanë nga MSH-ja dhe IKSHPK-ja, përfaqësuesit e të cilëve u bënë thirrje prindërve që të imunizojnë fëmijët e tyre.

Autoritetet bënë të ditur se veçse janë shpërndarë në nivel vendi, dozat e kësaj vaksine do të jepen falas.

Paralelisht me nisjen e imunizimit të djemve, do të vazhdojë edhe vaksinimi i vajzave.

Më 2022, Kosova kishte siguruar dozat e para të vaksinës, marrja e së cilës është e rekomandueshme, por jo e detyrueshme.

Që nga nisja e dhënies së kësaj vaksine, Fetije Fetaj, nga IKSHPK tha se nuk është raportuar për asnjë rast që ka pasur efekte të rënda anësore.

Rekomandimet për vaksinat HPV

Sipas një studimi të bërë më parë nga organizata “Cancer Research”, me seli në Britani, vaksina HPV zvogëlon rastet e kancerit të qafës së mitrës për gati 90 për qind.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se vaksinat HPV funksionojnë më mirë nëse ato administrohen para ekspozimit ndaj papilloma virusit.

Klinika Mayo në Shtetet e Bashkuara thotë se vaksina HPV i jep trupit një mënyrë të sigurt për të ndërgjegjësuar sistemin imunitar për HPV-në. Kjo nënkupton se trupi e ka më të lehtë që të pastrojë gjurmët e virusit, nëse një person infektohet më vonë me të.

Ndërkaq, OBSH-ja rekomandon që vajzave nga mosha 9 deri në 14 vjeç të vaksinohen me një apo dy doza. Rekomandimi njëjtë vlen edhe për vajzat dhe gratë të moshës 15 deri në 20 vjeç.

OBSH, ndërkaq, rekomandon dy doza, në një interval prej gjashtë muajsh, për gratë më të vjetra se 21 vjeç.

“Një minimum prej dy dozash dhe kur është e mundshme edhe prej 3 dozash mbeten të nevojshme për ata persona që dihet se e kanë të kompromentuar sistemin imunitar apo janë të infektuar me HIV”, thuhet në rekomandimet e organizatës.

OBSH po ashtu thotë se përveç vaksinimit të vajzave 9-14 vjeç, para se të nisin të jenë seksualisht aktive, rekomandohet që të vaksinohen edhe djemtë, kur është e mundur.

Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e sëmundjeve (CDC) thonë se vaksina HPV nuk rekomandohet për personat mbi 26 vjeç.

Por, vaksinimi i personave mbi 26 vjeç e deri në 45 vjeç mund të bëhet vetëm me rekomandimin e mjekut.

“Vaksina HPV sjell pak përfitime në këtë grup-moshë, për disa arsye, përfshirë edhe atë se më shumë njerëz të këtij grupi veçse mund të jenë ekspozuar ndaj HPV-së”, thuhet në ueb-faqen e CDC-së.

Vaksina HPV në kalendarin e vaksinimit të disa vendeve të rajonit

Në disa vende të Ballkanit Perëndimor, vaksina HPV është në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit. E fundit që futi në kalendar këtë vaksinë ishte Shqipëria, në nëntor të bitit 2022.

Në shtator të po atij viti, Mali i Zi kishte nisur administrimin e kësaj vaksine.

Maqedonia e Veriut e ka këtë vaksinë në kalendar që nga viti 2013 dhe vaksina është e detyrueshme për grup-moshën 12 deri në 26 vjeçe dhe jepet në tri doza.

Në kalendarin e vaksinimit të Serbisë është po ashtu HPV. Në këtë shtet, kjo vaksinë rekomandohet të merret, por nuk është e obligueshme.

Vaksina HPV jepet edhe në Bosnje e Hercegovinë, ndonëse nuk është e obligueshme. REL

Rritja e infeksioneve në Kinë- Dasho: Metapneumovirusi s’është virus i ri… Ja kush duhet të ketë kujdes

Lajmi se në Kinë ka një rritje e infeksioneve nga një virus i frymëmarrjes, që u pasua me spitale të mbipopulluara dhe masa urgjente ka ringjallur shqetësime për shpërthimin e një infeksioni që mund të transmetohet edhe jashtë vendit.

Për të mësuar më shumë se për çfarë bëhet fjalë, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte mjeku Erion Dasho.

Dasho theksoi se metapneumovirusi njerëzor (HMPV), nuk është një virus i ri, pasi është shfaqur thuajse 10 viteve më parë dhe është shkaktari kryesor i virozave tek fëmijët nën 1 vjeç.

“Nuk bëhet fjalë për një virus të ri, por është një patogen i njohur, qoftë nga klinika, moshën që prek, si dhe i ka të njohura masat parandaluese.

Por që përsëri është një agjent që shkakton sëmundje tek njerëzit dhe si të gjithë viruset duhet marrë me kujdes.

Është një virus ngjitës, transmetohet përmes pështymës dhe përmes mjediseve dhe sipërfaqeve të ndotura. Pra, dhe rrugët e transmetimit janë të ngjashme me viruset e tjera respiratore.

Duhet të bëhet kujdes me foshnjat, po ashtu edhe nënat e reja duhet të jenë të kujdesshme me foshnjat e tyre”, u shpreh ndër të tjera mjeku Erion Dasho.

Ndërkaq, ai tha se sa herë që nis sezoni i virozave personat tek të cilët ka indikacion: fëmijët, të moshuarit, personat që preken nga sëmundje të caktuara kronike që dëmtojnë imunitetin, personat që janë me funksione të caktuara si personeli mjekësor, apo arsimor dhe sigurisht që edhe ndaj atyre perosnave që duan që këto viroza t’i kalojnë në mënyrë sa më të lehtë apo edhe t’i shmangin ato, rekomandohet kryerja e tre vaksinave: vaksinës së kovidit, gripit dhe në vende të caktuara ofrojnë edhe vaksinën kundër sensitusit respirator.

“Pra këto tre vaksina duhet të bëhen pjesë e kalendarit të vaksinimit të rekomanduar në fillim të çdo sezoni të viruseve respiratore”, tha Dasho.

SHBA, paralajmërim për rrezik kanceri nga pijet alkoolike

VOA Marrë nga Reuters

Këshilltari i Presidentit për Politikat Shëndetësore në Shtetet e Bashkuara udhëzoi sot që në etiketat e pijeve alkoolike të shtohet paralajmërimi mbi rrezikun e prekjes nga kanceri, duke vënë në dukje se konsumimi i tyre shton mundësinë për rrezik të kancerit të gjirit, mëlçisë, zorrës së trashë dhe llojeve të tjera të kancerit.

Këshilltari i Presidentit për Politikat Shëndetësore Vivek Murthy bëri thirrje për rivlerësim të udhëzimeve mbi limitet e konsumimit të alkoolit, në mënyrë që njerëzit të peshojnë rrezikun e prekjes nga kanceri, kur të vendosnin nëse do të konsumojnë alkool dhe sa.

“Konsumimi i alkoolit është në mesin e tre shkaktarëve kryesorë të llojeve të ndryshme të kancerit në SHBA, të cilët mund të parandalohen. Alkooli është i treti, pas duhanit dhe obezitetit, që rrit rrezikun e prekjes nga 7 lloje kanceri”, tha përmes një deklarate zyra e Këshilltarit të Presidentit për Politikat Shëndetësore, të shoqëruar me një raport të fundit.

Sipas të dhënave të këtij raporti, alkooli është shkaktar për 100 mijë raste të sëmundjes me kancer në SHBA dhe për 20 mijë raste të vdekjes nga kanceri çdo vit, shumë më tepër se 13, 500 rastet e vdekjes si pasojë e alksidenteve rrugore.

Në SHBA, ka rreth 20 mijë raste të vdekjeve të lidhura me alkoolin çdo vit, thuhej në raport.

Aktualisht etiketat e pijeve alkoolike në Shtetet e Bashkuara përmbajnë paralajmërime mbi rrezikun e alkoolit për shëndetin, gratë shtatzëna këshillohen të mos konsumojnë alkool dhe po ashtu paralajmërohet se konsumimi i alkoolit dëmton aftësinë e individit për drejtimin e automjetit.

Ky paralajmërim nuk ka ndryshuar që nga fillimi i tij në vitin 1988.

Ja sekreti i JETEGJATESISE

Ja sekreti i JETEGJATESISE ….te mbani ison e bashkebiseduesit gjithmone ! 😉😉
Japoni….. 50,000 japoneze jane mbi ose te pakten rreth 100 vjec!
Dhe per 15 vjet do te kete me shume se nje milion njerez ne Japoni.Nuk ka vende te tjera ne bote me rezultate te tilla për sa i përket pritjeve dhe cilësisë së jetës.
Disa do të sugjerojnë se sekreti i jetëgjatësisë së tyre është ngrënia e peshkut të papërpunuar dhe algave të detit.Ka shumë vende në botë, veçanërisht ato që ndodhen në brigjet e ngrohta të oqeanit, ku vendasit hanë ushqim deti dhe jetojnë gjysmë më pak.
Sekreti i jetëgjatësisë qëndron në faktin se japonezët nuk përpiqen kurrë të prishin humorin e bashkëbiseduesit të tyre duke komunikuar me njëri-tjetrin.😉😊
Postuar nga R. Klejo

Gjinekologu: “Infertiliteti, problem shumë i madh në Shqipëri për të dyja gjinitë.  Sot 60% e lindjeve janë me operacion”

Gjinekologu Shkëlqim Balili, i ftuar në “Koha për t’u zgjuar” ka folur në lidhje me problemet me infertilitetin dhe riprodhimin.

Doktori ka sqaruar se infertiliteti është një problem shumë i madh në Shqipëri, për të dyja gjinitë.
Ai evidentoi se janë të shumtë meshkujt të cilët kanë spermatozoidë me aftësi thuajse zero për të fertilizuar vezën, ndërsa sa i përket gjinisë tjetër, doktori theksoi se problemi me gratë janë që e “lënë shtatzëninë për të fundit” duke i dhënë prioritet karrierës dhe duke mos ecur sipas orës biologjike.

“Infertiliteti është një problem shumë i madh në Shqipëri. Kërkon punë intensive nga të gjitha qendrat gjinekologjike sepse kemi çifte që duan shtatzëni dhe nuk arrijnë dot. Ka një lidhje logjike. Une ju thash që kam pritur 35 lindje ishin gratë pas 29-vjeçe. Gratë sot duan të sigurojnë ekonominë dhe karrierën pastaj shtatzëninë e lënë të fundit.

Diku kam thënë vajzat 30 vjeçe i quaj plaka, në fakt e thashë për aftësinë për riprodhim. Nëse një grua është 30 vjeç dhe nuk arrin të mbesë shtatzënë, duhet të konsultohet me një gjinekolog, por kur kjo moshë kalon periudha ulet në 6 muaj. Me kalimin e kohës ulet numri i vezës dhe cilësia e tyre.
Riprodhimi mashkullor sot ka prioritet sepse ka rënie. Meshkujt në spermogramë dhe spermokulturë dalin që spermatozoidë me aftësi dhe shpejtësi normale për të fertilizuar janë thuajse zero”, tha ai.

Doktor Balili shtoi edhe se më e mira është që lindjet të bëhen në mënyrë natyrale, ndërsa theksoi se më parë përqindja e lindjeve që kryheshin me Cesarian dikur ishte vetëm 10 përqind, ndërsa sot ka arritur në 60 %.

“Në maternitet më parë kemi pritur 35 lindje në natë dhe kemi bërë 5 operacione në natë dhe kur shkoja në shtëpi thoja kam pasur një natë të bardhë. Në kohën e verës kur kishte shumë nevojë, pothuajse çdo natë nga 30 lindje, dhe natyrisht shkenca nuk kishte arritur këtu ku është sot, kishim një ide shkencore që duhet të ekzistojë edhe sot, që lindjet normalisht të ishin natyrale.
Shumë vite më parë isha në Francë, sapo hyra në sallë mjeku më pyeti: Sa e keni përqindjen e operacioneve në Shqipëri, i thashë 10 përqind, dhe më tha është idealja. Sot e kemi 60- përqind”, tha ai.

Doktori ka theksuar që të gjithë çiftet që kërkojnë një shtatzani, duhet të bëjnë një kontroll paraprak, rreth 3 muaj para shtatzënisë.

“Të gjithë çiftet që kërkojnë të ngelin shtatzënë duhet të bëjnë një kontroll paraprak. Ne duhet t’i mësojmë vajzat dhe çiftet kur duhet të kryejnë marrëdhëniet seksuale për të ngelur shtatzënë. Në rastet kur ka infertilitet e pamundësi një konsultë është e domosdoshme. Konsulta duhet bërë 3 muaj para shtatzënisë”, u shpreh ai. bw

Atlasi i qelizave të trupit të njeriut

VOA

Shkencëtarët kanë krijuar një atlas që përshkruan disa nga 37.2 trilionë qelizat e trupit të njeriut. Studiuesit përdorën teknika të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, për t’iu afruar objektivit për të krijuar një atlas gjithëpërfshirës me të gjitha llojet e qelizave njerëzore, që do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë se nga çfarë përbëhet trupi ynë.


Imazhet janë aq të mahnitshme, saqë mund të ngatërrohen me vepra arti.

Por, këto janë qeliza njerëzore – të regjistruara si pjesë e një projekti ambicioz për të hartuar një atlas të të gjitha llojeve të qelizave njerëzore.

Puna kërkimore në kuadrin e iniciativës Atlasi i Qelizave Njerëzore, e publikuar nga revista Nature, përdori të dhëna të avancuara dhe mjete analitike, përfshirë inteligjencën artificiale, për të krijuar një hartë të hershme të detajuar të disa prej 37.2 trilionë qelizave të trupit të njeriut.

“Atlasi i qelizave njerëzore është një hartë e qelizave të indeve dhe organeve tona, dhe teknologjitë kryesore janë gjenomika me një qelizë të vetme dhe gjenomika hapësinore, që janë të integruara në një hartë të vetme, duke përdorur të dhënat shkencore dhe metodat e inteligjencës artificiale. Atlasi është në thelb një hartë me rezolucion të lartë e shtrirjes së plotë molekulare të çdo qelize. Dhe janë këto teknologji që na mundësojnë ta arrijmë këtë rezolucion të lartë”, shpjegon Sarah Teichmann, bashkëthemeluese dhe bashkëdrejtuese e e iniciativës Atlasi i Qelizave Njerëzore.

Zonja Teichmann dhe bashkëpunëtorët e saj u përqendruan në organe të caktuara – tek qelizat në gojë, stomak dhe zorrë, si dhe qelizat që përcaktojnë zhvillimin e kockave.

Studiuesit kanë prodhuar gjithashtu një atlas organoid të trurit që zbulon aspekte të zhvillimit të trurit.

“Ka disa pamje të bukura, përfshirë një që më pëlqen e placentës. Ka gjithashtu për zhvillimin e skeletit dhe gjymtyrëve. Përparimet e tjera të mëdha janë në studimet integrale të sistemeve, si p.sh. sistemi gastrointestinal. Pra, ku ne integrojmë studime të shumta dhe më pas përparojmë drejt një grupi të dhënash më gjithëpërfshirëse”, thotë zonja Teichmann.

Shkencëtarët shpresojnë që atlasi me rezolucion të lartë dhe i disponueshëm për të gjithë – i konsideruar si një variant fillestar – do t’i ndihmojë studiuesit të luftojnë sëmundjet që dëmtojnë qelizat njerëzore.

“Ka rëndësi për sa i përket përfitimit të një botëkuptimi gjithëpërfshirës themelor shkencor, të mënyrës se si funksionojnë trupat tanë. Ka edhe aplikime të gjera biomjekësore, për sa i përket zbulimit të treguesve biologjikë, zbulimit të objektivit të ilaçeve, kategorizimit të pacientëve etj.”, thotë zonja Teichmann.

E themeluar në vitin 2016, Iniciativa “Atlasi i Qelizave Njerëzore”, ka tashmë mbi 3600 anëtarë nga 102 vende.

Shkencëtarët e kësaj iniciative po krijojnë gjithashtu atlase të tjera, që mund t’i ndihmojnë të mësojnë më shumë rreth shkaqeve themelore të sëmundjeve dhe shëndetit në pjesë të veçanta të trupit.

Çfarë e bën ecjen kaq të mrekullueshme për shëndetin tuaj?

VOA/Marrë nga Associated Press

Ekspertët e shëndetit thonë se ecja është një mënyrë e lehtë për të përmirësuar shëndetin fizik dhe mendor, për të forcuar gjendjen fizike dhe për të parandaluar sëmundjet. Doktoresha amerikane Sarah Eby thotë se njerëzit duhet të shtojnë edhe aktivitete të tjera në kuadër të ushtrimeve të tyre fizike, duke përfshirë ushtrime si ngritja e peshave, apo joga për një shëndet të mirë.

Ndërsa ecja nuk është ushtrimi i vetëm që njerëzit duhet të bëjnë, sipas mjekëve ajo është një hap i parë i madh drejt një jete më të shëndetshme.

“Nuk keni nevojë për asnjë pajisje dhe nuk keni nevojë për të paguar për një anëtarësim në palestër. Ecni dhe përfitimet janë të mëdha”, thotë Sarah Eby, eksperte e mjekësisë sportive nga organizata jo qeveritare ‘General Mass Brigham’.

Ecja mund të ndihmojë në përmbushjen e rekomandimit të dhënë nga autoritetet e shëndetit publik, që të rriturit të bëjnë të paktën 2 orë e gjysmë aktivitet fizik, me intensitet të moderuar, çdo javë.

Kjo ndihmon në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, tesionit të lartë të gjakut, demencës, depresionit dhe shumë llojeve të kancerit.

Ecja gjithashtu është një ushtrim i lehtë për trupin, ndërsa forcon zemrën dhe mushkëritë.

“Nga pikëpamja e përfitimeve shëndetësore, 150 minuta aktivitet aerobik çdo javë mund të sjellin një sërë përfitimesh shëndetësore, duke përfshirë uljen e rrezikut të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, rrezik më të ulët të sëmundjes së arterieve koronare, goditjes në tru, hipertensionit, diabetit, si dhe shumë lloje të kancereve. Ecja ndihmon për uljen e ankthit, depresionit dhe përmirëson gjumin. Mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjes nga Alchajmeri dhe demencat e tjera”, thotë doktoresha Eby.

Megjithatë, ajo shton se ecja nuk është tërësisht e mjaftueshme pasi nuk forcon muskujt.

“Përveç ecjes, ne rekomandojmë dy ditë ushtrime për forcimin e muskujve. Kjo mund të jetë ngritje e peshave apo diçka e ngjashme”, thotë doktoresha Eby.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shëndetin e kockave të grave në moshë.

Ekspertët rekomandojnë shtimin e aktiviteteve të tilla të paktën dy herë në javë duke shkuar në palestër, si dhe bërja e ushtrimeve që përmirësojnë fleksibilitetin si joga.

Një çështje që përmendet shpesh është nëse është e mjaftueshme bërja e 10 mijë hapave në ditë?

Pothuajse të gjithë kanë dëgjuar për këtë synim, i cili filloi në kuadër të një fushate marketingu të viteve 1960, në Japoni. Ekspertët, megjithatë, theksojnë se ky është vetëm një udhëzim.

“Ne të gjithë kemi dëgjuar për bërjen e 10,000 hapave në ditë. Kjo u nxit nga një fushatë reklamuese në vitet 1960 që mbijetoi në mendjen e njerëzve pavarësisht se nuk është vërtet e bazuar në ndonjë zbulim shkencor”, shpjegon doktoresha Eby.

Vendosja e një objektivi kohor mund të jetë gjithashtu e dobishme. Doktoresha Eby sugjeron 150 minuta në javë, të ndara në 30 minuta ecje në ditë.

“Në këtë mënyrë, kjo është një shëtitje e shpejtë 30 minutëshe, pesë ditë në javë dhe me këtë keni treguar kujdes ndaj vetës”.

Gjatë motit të keq, njerëzit mund të ecin në ambiente të mbyllura si qendrat tregtare apo duke përdorur pajisjet për ecje dhe vrapim në palestër.

Me kalimin e kohes dhe përgatitjen fizike, mund të shpejtohet ritmi i të ecurit, ose duke ecur në rrugë të përpjeta.

Ecja me miqtë, ose me kafshët shtëpiake, si qentë, është një mënyrë tjetër motivimi për të ecur.

Një tjetër mundësi është t’i bashkohesh një klubi. Grupe të tilla gjenden gjithandej Shteteve të Bashkuara që synojnë të ndihmojnë njerëzit të arrijnë qëllimet e tyre të ecjes.

Shkenca e konfirmon njerëzit kanë 27 emocione!

Njerëzit janë të aftë të ndiejnë shumë më tepër lloje të ndryshme emocionesh sesa kemi menduar. Shkencëtarët një kohë të gjatë kanë theksuar që përpos gjashtë llojeve themelore të emocioneve (lumturia, pikëllimi, zemërimi, befasia, frika dhe neveritja) nuk ekzistojmë më lloje të tjera.

Në hulumtimin në të cilin kanë marrë pjesë 800 meshkuj dhe 1.200 gra, të intervistuarve u janë treguar përmbajtjet e videove të njerëzve të cilët kurorëzohen, lindin fëmijë, përshëndetja me dorë dhe vdekja.

Pas vështrimit të rezultateve të reagimeve të tyre, kanë konstatuar që ndjenjat e tyre mund t’i klasifikojnë në 27 kategori. Ato kategori janë: admirimi, adhurimi, admirimi estetik, argëtimi, tërbimi, ankthioziteti, respekti i thellë, habia, monotonia, qetësia, konfuzioni, përbuzja, lakmia, zhgënjimi, familjarizimi, varësia, shqetësimi, frika, faji, llahtaria, interesimi, lumturia, nostalgjia, krenaria, lehtësimi, romantizmi, pikëllimi, kënaqësia, dëshira seksuale, surpriza, simpatia dhe triumfi.

Të anketuarit nga grupi i parë kanë thënë se si ndihen pas çdo shikimi të videos. Grupi i dytë i të intervistuarave ka vlerësuar xhirimet si pozitive dhe negative përkundër atyre mallëngjyese dhe qetësuese në shkallën nga 1 deri në 9. Vlerësimet janë pajtuar me emocionet e lidhura me xhirimet të cilat paraprakisht u janë ndarë. Rezultatet kanë treguar që një xhirim mund të nxisë më shumë emocione të ndryshme dhe është normale të ndihen më shumë sosh në të njëjtën kohë.

Rezultatet e një anketimi nga psikologët amerikanë tregojnë se rrjetet sociale si Facebook, Twitter, Pinterest, Instagram, Snapchat dhe Tumblr i bëjnë njerëzit të ndihen të vetmuar e të izoluar. Përdorimi i përditshëm i rrjeteve sociale për dy orë ose më gjatë i dyfishon shanset për t’u ndjerë të vetmuar ose të izoluar, ndërkaq ekspozimi ndaj imazheve të ndryshme mund të shkaktojë ndjenja të inatit dhe xhelozisë.

Autorët e studimit theksojnë se ajo çfarë shohim në rrjete sociale jo domosdoshmërisht mund të jetë arsyeja se përse ndihemi keq, por mund të jetë një nga faktorët sepse i nxit emocionet që ndiejmë. Sipas teorive të prezantuara në rezultatet e studimit, thuhet se aq më shumë kohë që shpenzojnë njerëzit në rrjete sociale, aq më pak kanë kohë të bashkëveprojnë në jetën reale. sn

MJEKËSIA PARASHIKUESE- Nga SHEFQET DELIALLISI

NJË DRAMË…
Në vitin 1923, një ndër shkrimtarët francezë më të mirë të gjeneratës së tij, Jules Romain, shkroi dramën ‘Knock, ose Triumfi i Mjekësisë’ në të cilën satirizonte mjekësinë moderne. Përmes humorit dhe ironisë ai denonconte medikalizimin e jetës.
Personazhi kryesor i dramës, Doktor Knock, ndërtoi një biznes mjeksor të fuqishëm duke i kthyer gjithë banorët e fshatit ku punonte di mjek, në pacientë duke i terrorizuar me frikën e sëmundjeve.
“Njeriu që ndihet mirë, – thonte Doktor Knock, – në të vërtetë është i sëmurë, por nuk e di”.
Një shekull pas, profesori i bioetikës në Universitetin e Pensilvanisë, Arthur Caplan, shkruan:
“Nëse doni të ngjallni shqetësim në publik dhe keni dollarë për t’i bërë reklamë, ju mund të shndërroni pothuajse çdo gjë në sëmundje”.
NJË ANALOGJI UTOPIKE…
Mjeksia e “mirëmbajtjes”
Sipas ekonomistit shëndetësor amerikan, Dale Tussing, qeniet njerëzore duhet t’i nënshtrohen kontrolleve të mirëmbajtjes së shëndetit, ngjashëm me kontrollin fizik të makinave, pas çdo “x km”, imunizim, pas çdo “y km”, egzaminim për kancer të qafës së mitrës, pas “z” km” testim për kancerin e…e me radhë…
Është utopi të besosh se sëmundjet do të parandalohen në këtë mënyrë. Ka një ndryshimin thelbësor mes makinës dhe organizmit tonë.
Filip Mudgrove një ekonomist me karrierë të gjatë në forcimin e sistemeve globale shëndetësore, fitues i çmimit Nobel në ekonomi 2011, shkruan :
“Shëndeti është një aset i veçantë, që s’mund të shitet, s’mund të dhurohet, s’mund të merren pjesë këmbimi për të. Kur organizmi ndodhet në spital, nuk mund të merret hua një tjetër, si në rastin kur makina juaj është në servis…”
MJEKSIA PARASHIKUESE…
Prej disa dekadash mjekësia parandaluese është pasuruar me një variant të ri, Mjekësinë Parashikuese e cila ka si objekt jo njerëzit e sëmurë por njerëzit e shëndetshëm.
Ajo nuk kontrollon agjentët e identifikueshëm të sëmundjeve, por përpiqet të zbulojë faktorë të mundshëm risku për sëmundje në të ardhmen. Në këtë kuptim mjeksia parashikuese vetëm premton parandalimin e sëmundjeve mbasi me siguri s’mund të parashikojë se sëmundja do të ndodhë ose jo.
Shumë tërheqëse mjeksinë parashikuese e bën premtimi se do të sigurojë zgjatje të konsiderueshme të jetëgjatsisë por dhe një kursim të madh të shpenzimeve shëndetësore !
DY KËNDVËSHTRIME…
Pa dyshim që mjeksia parashikuese synon të na bëjë më të shëndetshëm, por dhe s’duhet të konsiderohet rastësi që është dhe një biznes mjaft fitimprurës.
Skeptikët ngrenë pyetje : pse kur jemi me shëndet të mirë, kur s’kemi asnjë shqetsim duhet të testohemi ?
Parashikuesit përgjigjen : “Jeni normal vetëm se nuk jeni testuar sa duhet. Duke qenë pre e kaq shumë sëmundjeve, sa më shumë të egzaminoheni aq më mirë.”
Skeptikët : mbështetur në statistikë sa më shpesh të kontrollohemi, aq më e mëdhe është dhe mundësia për të zbuluar diçka të gabuar. Testet nuk janë domosdoshmërisht të padëmshme, në një numër jo të pa konsiderueshëm, mund të jenë false duke u bërë shkak për operacione të panevojshme në njerëz të shëndetshëm.
Duhet aplikuar mjeksia parandaluese, pa një indikacion klinik ?
NJË DILEMË…
Doktor M.Durand 65 vjeçar është në dilemë :
“Mendoj se jam me shëndet të mirë. Por a jam vërtetë ?
Flokët më janë zbardhur. Më kanë rënë krejtësisht në disa pjesë. Shikimi më është vështirësuar. Kur sapo ngrihem nga shtrati në mëngjes, lëviz me vështirësi, kam dhimbije të tendineve. S’mbaj mend emra. Mos fshihet diçka në genet e mija ? Nëna ime, ashtu si nëna e saj më parë, është me demencë. Më tej ai vazhdon : “Nuk pi duhan. Pi pak alkool. Lëviz shumë në këmbë, por ushtrime fizike bëj pak. Kam kohë që s’kam matur presionin e gjakut. As yndyrnat. Dyshoj se më është zmadhuar prostata. S’e kam egzaminuar. As antigjenin specifik për prostatën s’e kam matur… Duhet ta vë ujin në zjarr për të zbuluar ndonjë tensionin e lartë të gjakut, apo ndonjë kancer të heshtur i cili mund të jetë gati për të më hequr qafe, apo të vazhdoj pa u shqetsuar…?
DHE NJË PËRGJIGJE
Në vend të mbylljes…
Në best-seller-in e tij “Alkimisti“, shkrmtari i shquar Paulo Koelho, pyetjes pse duhet të interesohemi kaq shumë për të ditur të ardhmen, i përgjigjet :
“Për të bërë disa gjëra që t’i paraprinë të keqes, për tu përgatitur për atë që do të ndodhë…
Do ishte mirë nëse parashikimet do të ishin të mira, por nëse do të ishin të këqia, çfarë do të ndodhte ? S’do bënim gjë tjetër veçse do fillonim të vuanim shumë kohë para se vuajtja të ndodhte. Dhe frika nga vuajtja është më e keqe se vetë vuajtja.”
Ja vlen të kërkojmë të dimë të ardhmen e shëndetit tonë ndërkohë që pa-parashikueshmëria e së ardhmes përbën një ngushëllim të madh për racën njerzore ? Mban gjallë shpresën e shumë njerëzve.
Askush me saktësi nuk di çfarë nesër do të ndodhë. Dimë shumë rreth probabilitetit, por probabiliteti është larg të sigurtës.
Nëse do të qëndrojmë gjithmonë në të sotmen do të jemi njerëz më të lumtur…

Armiqtë kryesorë të trurit: Faktorët që dëmtojnë funksionin mendor

Truri është pasuria më e vlefshme që kemi dhe kërkon mbrojtje të veçantë. Ja gjashtë “armiqtë” që mund të ndikojnë negativisht në funksionin njohës, gjendjen shpirtërore dhe mirëqenien tuaj:

Sheqeri

Konsumi i tepruar i sheqerit shkakton inflamacion në tru, duke ndikuar në kujtesë dhe rregullimin e humorit.

Aktiviteti i ulët fizik

Mungesa e aktivitetit fizik ndalon qarkullimin e gjakut në tru, duke ulur funksionin njohës dhe rritur nivelet e stresit.

Qëndrimi para ekranit

Kalimi i tepërt i kohës para ekranit mbingarkon trurin, duke rezultuar në lodhje dhe ulje të fokusit. Bëni pushime të rregullta dhe kaloni disa minuta pa teknologji çdo ditë.

Mungesa e socializimit

Lidhjet njerëzore janë thelbësore për shëndetin mendor dhe emocional. Ndërveprimet sociale stimulojnë rrjetet nervore dhe ndihmojnë në përmirësimin e elasticitetit kognitiv.

Dehidratimi

Pirja e pamjaftueshme e ujit ndikon në disponimin dhe përqendrimin tuaj. Duke qenë se truri është rreth 75% ujë, është thelbësore të qëndroni të hidratuar për të funksionuar në mënyrë optimale. Mbani gjithmonë një shishe me ujë pranë.

Mungesa e gjumit

Gjatë gjumit, truri pastron dhe përpunon informacionin. Mungesa kronike e gjumit ndikon negativisht në kujtesë dhe përshpejton rënien njohëse. Synoni për 7-8 orë gjumë cilësor çdo natë për të rimbushur trurin tuaj.

Duke marrë parasysh këto faktorë, mund të mbani trurin tuaj të shëndetshëm dhe të fortë! sn

A e dije se çdo qelizë e trupit tënd i dëgjon mendimet e tua?

Sa e rëndësishme është të mendojmë e të flasim në mënyrë të dobishme për një shëndet të mirë fizik por mbi të gjitha për një mirëqenie psiko-emocionale.

Mendimet, nuk janë vetëm fjalë në mendjen tonë. Mendimet janë ato që gjenerojnë sinjale kimike që përshkruajnë trupin, duke ndikuar në çdo qelizë tonën.

Sipas kësaj logjike, kuptojmë se mendimet negative, mund të shkaktojnë stres dhe sëmundje, ndërsa mendimet pozitive janë ato që na japin mundësinë për një mirëqenie që nuk rrezikohet nga faktorë të jashtëm dhe që kanë ngarkesë emocionale pesimiste.

Disa shembuj mendimesh që kanë një efekt negativ ne trupin tonë:

“ Nuk jam i/e zonja sa duhet..” nxisim prodhimin e adrenalinës në trup duke ndikuar për shumë gjatë një ndjesi ezaurimi mendor dhe lodhje kronike.

“Nuk meritoj të jem i/e lumtur për gabimet që kam bërë”, rrezikojmë të mos e prodhojmë serotoninën (hormonin e lumturisë) dhe nxisim ndjenjën e depresionit dhe të mbyllurit në vetvete.

Një mendim si; “ Unë jam një dështim”, rrit prodhimin e kortisolit ( hormonin e stresit) duke sjellë probleme në tretje dhe dhimbje koke.

Disa shembuj mendimesh që kanë një efekt pozitiv në trupin tonë:

“ Unë mund ta kalojë këtë sfidë”, stimulon prodhimin e dopaminës duke përmirësuar motivimin dhe nivelin e përqëndrimit.

“Ndihem krenare për çka kam arritur”. Ndihmon në rritjen e nivelit të serotoninës e cila na bën të ndihemi të lumtur.

“ Unë marr mësim nga çdo eksperiencë”, bën aktivizimin e korteksit prefrontal, duke përmirësuar aftësinë e marrjes së vendimeve.

“Unë meritoj suksesin dhe të jem i/e lumtur”, bën të mundur prodhimin i endorfinës, e cila përmirëson humorin.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë jemi në gjendje t’i shkaktojmë trupit tonë, përmes mendimeve tona. Le të përpiqemi të gjykojmë dhe të mendojmë në mënyrë të dobishme dhe inkurajuese, pa u zhytur dhe pa u mposhtur nga problematikat e jetës sonë të përditshme por të mësohemi të bashkëjetojmë me to në mënyrë produktive dhe të përballemi me optimizëm edhe atëherë kur jeta na përball me vështirësi. Mos harrojmë se çdo mendim i yni dhe ngarkesa emocionale që i vesh mendimet tona, reflekton plotësisht në çdo qelizë të trupit tonë!

Ndryshoje jetën tënde duke ndryshuar mënyrën tënde të të menduarit! sn


Send this to a friend