Papa: Me solidaritet kundër krizës e padrejtësive
Fjalimi i Papa Françeskut, i pari Papë që foli para Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u vlerësua shumë nga parlamentarët amerikanë, së paku nëse vlerësojmë nga duartrokitjet e vazhdueshme, për afër tridhjetë herë, që nënvizuan pasazhet kryesore të ndërhyrjes së Atit të Shenjtë: nga Amerika si tokë e ëndrrave deri te kërkesa për heqjes së dënimit me vdekje, nga ndalja e tregtisë ndërkombëtare të armëve që ushqen konfliktet në botë deri te politika që nuk duhet t’i nënshtrohet ekonomisë e financës, nga mbrojtja e ambientit te pritja pa frikë e emigrantëve. Një duartrokitje e gjatë finale e përshëndeti Papën në mbarim të fjalimit.
Më vijim propozojmë një përmbledhje të fjalimit të Papës mbajtur para Kongresit amerikan:
Papa Françesku, në fillim të fjalimit para Kongresit amerikan, foli mbi rolin dhe përgjegjësinë personale e shoqërore që ka çdo njeri, çdo bir e bijë e një kombi të caktuar. E në një mënyrë të veçantë kjo i përket Kongresit, që përbëhet nga përfaqësuesit e popullsisë, të cilët me aktivitetin e tyre legjislativ punojnë për të mirën e kombit. Shpesh në situata të vështira, ata janë të thirrur ta ruajnë e të garantojnë dinjitetin e bashkëqytetarëve, dhe të kërkojnë, pa u lodhur, të mirën e përbashkët, që është caku i çdo politike.
Papa Françesku përmendi në vijim figurën biblike të Moisiut, (i cili, siç njofton zëdhënësi i Sallë së Shtypit, atë Federiko Lombardi, gjendet në Sallën e Kongresit ku janë portretet e ligjvënësve të mëdhenj amerikanë e në qendër të tyre është figura e Moisiut. Moisiu është figura e vetme që shikon drejt përpara, ndërsa figurat e tjera shikojnë nga ana e majtë e nga ana e djathtë drejt Moisiut. Këndej Papa foli para Kongresit duke pasur përpara vetes Moisiun që e shikonte drejtpërdrejtë…) i cili përfaqëson popullin dhe ligjin për të siguruar udhën e drejtë e për ta mbajtur gjallë domethënien e bashkimit me mjetet e një ligjvënësi të drejtë. Në të njëjtën kohë Moisiu ishte i orientuar drejtpërdrejt kah Hyji e kështu ndiqte dinjitetin transcendental të qenies njerëzore. Moisiu – shpjegoi Papa – na ofron një sintezë të mirë të punës së Kongresit: mbrojtjen, me mjete ligjore, të imazhit e ngjashmërisë së modeluar nga Zoti në çdo fytyrë njerëzore dhe përpilimin e së drejtës që mbron imazhin e Hyjit në çdo qenie njerëzore.
Përmes anëtarëve të Kongresit amerikan, Papa Françesku iu drejtua të gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njerëzve, të cilët, ditë për ditë, me punën e tyre, duan të sjellin bukën e përditshme në shtëpi, të vënë mënjanë paratë për të siguruar një jetë më të mirë për familjet e tyre. Këta njerëz nuk mund të shikohen vetëm si taksapagues, sepse ata e mbajnë jetën e shoqërisë. Krijojnë solidaritet, krijojnë organizata për t’i ndihmuar më nevojtarët.
Papa dëshiron ta zgjerojë këtë dialog edhe me të moshuarit, të cilët mund të ndihmojnë me eksperiencën e tyre. E di se shumë prej të moshuarve janë në pension, por janë aktivë. Kujtoi edhe të rinjtë, që dëshirojnë t’i realizojnë planet e idealet e tyre, por përballen me situata të vështira, të cilat shpesh janë pasojë e papjekurisë së të rriturve. Ati i Shenjtë Bergoglio deshi të kujtonte edhe memorien historike të popullit amerikan.
Vizita ime – tha Papa – bie në një moment në të cilin burra e gra vullnetmirë janë duke kremtuar përvjetorët e disa amerikanëve të mëdhenj. Megjithë kompleksitetin e historisë e të realitetit të brishtësive njerëzore, këta burra e gra, me të gjitha dallimet e kufizimet e tyre, kanë qenë në gjendje, me punën e rëndë e sakrificën personale – disa edhe me flijimin e jetës – të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë. Ata i kanë dhënë trajtë vlerave themelore, që do të mbeten përgjithmonë në shpirtin e popullit amerikan. Një popull me këtë shpirt mund të kalojë shumë kriza, tensione e konflikte, por ka qenë përherë në gjendje të gjejë forcën për të shkuar përpara me dinjitet. Këta burra e gra na ofrojnë mundësinë për ta interpretuar mirë realitetin. Ndërsa e nderojmë kujtimin e tyre, nxitemi, edhe në mesin e konflikteve, në përkim me koherencën e jetës së përditshme, të gjejmë ushqim nga trashëgimia jonë më e thellë kulturore.
Këtu dua të përmend katër prej këtyre amerikanëve: Abraham Lincoln, Martin Luther King, Dorothy Day e Thomas Merton.
Sivjet bie 150-vjetori i vrasjes së Presidentit Abraham Lincoln, rojtar i lirisë, i cili punoi pa u lodhur që “ky komb, me ndihmën e mbrojtjen e Zotit, të lindte sërish në liri”. Ta ndërtosh një të ardhme të lirë, lypet dashuria për të mirën e përbashkët dhe bashkëpunimi me shpirtin e solidaritetit e të përgjegjësisë së përbashkët.
Të gjithë jemi krejtësisht të ndërgjegjshëm, e edhe thellësisht të shqetësuar, për situatën e sotme shoqërore e politike të botës. Bota jonë, gjithnjë më shumë, është vend i konflikteve të dhunshme, vend i urrejtjeve dhe i tmerreve brutale, të kryera deri edhe në emër të Zotit e të fesë. E dimë se baza e kësaj situate nuk është feja, por ekstremizmi ideologjik e zhgënjimi personal. Prandaj duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj çdo forme të fundamentalizmit. Duhet ta ruajmë ekuilibrin delikat ndërmjet luftës kundër dhunës në emër të fesë, të ideologjive e të sistemeve ekonomike dhe ruajtjes së lirisë së fesë, lirisë intelektuale e lirisë individuale.
Pastaj, tha Papa – ekziston edhe tundimi i një reduktimi të thjeshtë, që sheh vetëm të mirën apo vetëm të keqen; të drejtin apo mëkatarin. E dimë se gjatë përpjekjes për t’u liruar nga armiku i jashtëm, mund të tundohemi ta ushqejmë armikun e brendshëm. Imitimi i udhës dhe i urrejtjes së tiranëve e vrastarëve është mënyra më e mirë për të marrë postin e tyre. Në botën bashkëkohore ekziston rreziku i një polarizimi që na ndan në çdo fushë, tundimi i luftës kundër së keqes në atë mënyrë që, në realitet, na bën t’u zëmë vendin tiranëve e vrastarëve. E populli e refuzon këtë.
Përgjegjësia e Kongresit na nxit të bëjmë atë që është e mundur për paqen e për drejtësinë, të kemi guxim e inteligjencë në zgjidhjen e problemeve të shumta, që vijnë nga kriza gjeopolitike dhe ekonomike. Rezultatet e strukturave të padrejta janë mëse të dukshme. Duhet ta rigjejmë shpresën, të promovojmë mirëqenien e njerëzve e të popujve, në atmosferën e përtërirë të vëllazërimit e solidaritetit, duke punuar me bujari për të mirën e përbashkët, në përkim me historinë e Shteteve të Bashkuara e të mbështetur mbi talentin e njerëzve, jashtëzakonisht i dobishëm për përmirësimin e gjendjes së ndërlikuar e të rëndë të botës së sotme.
Në historinë e Kombeve të Bashkuara, emërtimet e ndryshme fetare kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë për ndërtimin e përforcimin e shoqërisë. Prandaj sot është e rëndësishme, si dikur në të kaluarën, që zëri i besimeve të vazhdojë të dëgjohet, sepse është zë i vëllazërimit dhe i dashurisë, që mundohet të nxjerrë në dritë anën më të mirë që ka njeriu dhe shoqëria. Një bashkëpunim i tillë është pasuri e madhe në betejën për eliminimin e formave të reja globale të skllavërisë, që kanë lindur nga padrejtësitë e rënda, të cilat mund të tejkalohen vetëm në sajë të politikave të reja e të formave të reja të konsensusit shoqëror.
E këtu Papa Françesku kujtoi Deklaratën e Pavarësisë së 4 korrikut të vitit 1777 e cila thotë: tërë aktiviteti politik duhet të shërbejë për promovimin e së mirës së qenieve njerëzore e duhet ta respektojë dinjitetin e dhënë atyre nga Krijuesi. Kjo do të thotë se edhe sot politika duhet t’u shërbejë njerëzve, jo të favorizojë skllavërinë nga ekonomia dhe financat. Për këtë arsye, Papa inkurajoi përpjekjet për të parë të mirën e përbashkët e interesin e jetës shoqërore.
Papa Françesku kujtoi edhe përvjetorin e marshimit të Martin Luther King nga Selma në Montogomery, 50 vjet më parë, si edhe “ëndrrën” për të drejtat e plota qytetare e politike të afroamerikanëve. SHBA-të janë një komb emigrantësh, të huajsh e Papa shprehu respektin e tij për përpjekjet që liria të bëjë pjesë në konceptin amerikan të demokracisë. Ati i Shenjtë ftoi të shmangen gabimet e së kaluarës dhe të edukohet brezi i ri me dëshirën për të hyrë në marrëdhënie me të tjerët, me ndjenjën e mikpritjes, të ndihmës së ndërsjellë dhe të kërkimit të vazhdueshëm të përmirësimit.
“Jemi dëshmitarë të emigracionit më të madh pas Luftës II Botërore – vuri në dukje Ati i Shenjtë, duke iu referuar gjendjes së sotme. Nuk duhet të shikojmë vetëm numrat, por para së gjithash, njerëzit, t’i dëgjojmë historitë e tyre e të përpiqemi t’u përgjigjemi më mirë nevojave të tyre. Le të kujtojmë Rregullën e Artë: gjithçka doni t’ju bëjnë njerëzit juve, bëjuani edhe ju atyre. Bëj të pamundurën për t’i lënë të tjerët të zhvillohen, ashtu siç dëshiron edhe për vetveten. Kjo sjell përgjegjësinë për mbrojtjen e jetës njerëzore në çdo etapë të ekzistencës. Shenjtëria e jetës na nxit edhe ta heqim dënimin me vdekje, siç kërkojnë ipeshkvijtë e SHBA-ve. Dënimi i drejtë dhe i nevojshëm nuk mund ta përjashtojë përmasën e shpresës dhe synimin për rehabilitim”.
Dorothy Day, themeluese e Lëvizjes së Punëtorëve Katolikë, qe personazhi i tretë historik, që përmendi Papa Françesku. Janë bërë shumë gjëra në favor të punëtorëve, pranoi Ati i Shenjtë, por në periudhën aktuale të krizës ekonomike duhet të vijojnë përpjekjet për solidaritet global, për të ndihmuar të varfrit e për të çrrënjosur shkaqet e varfërisë. Zhvillimi e mirëqenia kërkojnë zbatimin e drejtë të teknologjisë, duke mbajtur parasysh karakterin gjithëpërfshirës dhe të ekuilibruar të ekonomisë, krijimin e vendeve të reja të punës dhe shërbimin për të mirën e përbashkët.
Papa kujtoi disa pjesë të enciklikës “Lëvduar qofsh” mbi rrezikun e shkatërrimit të ambientit përmes veprimtarive të njeriut. Theksoi rëndësinë e dialogut me të gjithë për ta shpëtuar tokën, shtëpinë tonë të përbashkët.
“Kemi nevojë për përpjekje të guximshme dhe të përgjegjshme për të bërë kthesë e për të shmangur efektet më serioze të shkatërrimit të ambientit nga veprimtaritë njerëzore. Tani është momenti i veprimeve të guximshme dhe i strategjive të drejtpërdrejta për të vënë në jetë një ‘kulturë te kujdesit’ dhe ‘një qasje të gjithanshme për të luftuar varfërinë, për t’u ridhënë dinjitet të përjashtuarve e njëkohësisht, për t’u kujdesur për natyrën’”, nënvizoi Ati i Shenjtë.
E kemi lirinë e nevojshme për ta kufizuar dhe orientuar teknologjinë e për ta vënë atë në shërbim të një progresi më të shëndoshë, më njerëzor, më shoqëror e më gjithëpërfshirës. Papa shprehu bindjen e besimin se institucionet akademike amerikane, me punën e tyre kërkimore-shkencore do të japin një kontribut të rëndësishëm për këtë, në vitet e ardhshme.
Së fundi, Ati i Shenjtë përmendi Thomas Merton, njeri i reflektimit, i lutjes, i dialogut dhe i paqes ndërmjet popujve e feve. Me frymëzimin e tij shpirtëror, ai i hapi perspektiva të reja botës dhe impenjimit të Kishës. E në këto perspektiva, Papa Françesku përvijoi figurën e politikanit para Kongresit amerikan. Një lider i mirë politik, nënvizoi, është ai që, duke pasur parasysh interesat e të gjithëve, e kupton çastin historik me mendje të hapur e praktike. Një politikan i mirë preferon të fillojë procese, më shumë se të zotërojë hapësirë, citoi Papa “Evangelii Gaudium”.
“Dialogu – theksoi edhe një herë Ati i Shenjtë – na çon drejt pakësimit të konflikteve të armatosura në botë, na nxit ta pyesim gjithnjë e më shumë veten nëse hapat e ndërmarra sjellin pakësimin e vuajtjeve të individëve dhe të shoqërisë”. Në këtë kontekst, Ati i Shenjtë përmendi problemin e tregtisë së armëve, të cilat u shiten atyre, që planifikojnë t’u shkaktojnë vuajtje të patregueshme individëve e shoqërive, vetëm për para. …Para të përlyera me gjak, shpesh, me gjak të pafajshëm. “Përpara kësaj heshtjeje të turpshme e fajtore – ngriti zërin Papa Françesku – është detyra jonë ta përballojmë problemin e ta ndalojmë tregtinë e armëve”.
Së fundi, Ati i Shenjtë kujtoi se do të shkojë në Takimin Botëror të Familjeve në Filadelfia e ritheksoi rolin themelor të familjes në ndërtimin e indit shoqëror, nevojën për ta mbështetur atë në një epokë dyshimesh për marrëdhëniet ndërmjet burrit e gruas, baza të martesës e të familjes. Familja kërcënohet nga brenda dhe nga jashtë, si kurrë ndonjëherë, shprehu shqetësimin e vet Ati i Shenjtë, i cili u kërkoi anëtarëve të Kongresit amerikan t’i kushtojnë vëmendje gjendjes së të rinjve, shpesh të çorientuar, pa perspektiva shoqërore, lënë në duart e dhunës, të abuzimeve e të dëshpërimit. “Problemi i tyre është edhe yni”, nënvizoi Papa. Presioni kulturor për të mos krijuar familje sjell dorëzimin para mungesës së perspektivave për të ardhmen.
Përmes kujtimit të personaliteteve si Linkoln, Martin Luther King, Dorothy Day e Thomas Merton, Papa Françesku shprehu përmbledhtas pasurinë e trashëgimisë kulturore të popullit amerikan dhe shpresën, që anëtarët e Kongresit dhe krejt shoqëria, do të impenjohet për ta zhvilluar më tej këtë trashëgimi, për të mirën e të gjithëve. radiovaticana.va
Komentet