Nënsekretari i shtetit David Hale i ka ftuar liderët e Kosovës që të flasin me një zë, sepse në këtë mënyrë pozicioni i Kosovës në dialog do të ishte më i fortë. Në një intervistë të përbashkët për dy media në gjuhën shqipe dhe një në gjuhën serbe ai ka thënë se “asgjë nuk ka ndryshuar në përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë”. Z. Hale nuk ka dashur të komentojë nëse SHBA do të mbështesë zgjidhjet që do të bëheshin duke ndryshuar kufijtë në baza etnike.
Javën e kaluar Kosova u përfshi në një stuhi të paparë, kur në vendin tonë ishin për vizitë dy zyrtarë të lartë të Këshillit për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. U paralajmërua Aramagedoni. Në fakt, nëse tërheqja e ushtrisë amerikane nga Kosova do të ishte një opsion, siç u tha, atëherë historia e vendit tonë do të merrte një kthesë dramatike.
Prandaj, çdokush që sot do të takohej me njeriun e tretë më të rëndësishëm në Departamentin e Shtetit, David Hale, ishte i interesuar që të dëgjonte më mirë se sa çdoherë tjetër, në mënyrë që të mos përsëritet ajo çfarë ndodhi para një jave.
Nënsekretari i shtetit, David Hale, pas takimeve që zhvilloi me tre krerët e shtetit të Kosovës, Presidentin Thaçi, Kryeministrin Haradinaj dhe Kryeparlamentarin Veseli, e dha edhe një intervistë për tri media të Kosovës, dy në gjuhën shqipe, në mesin e të cilave edhe Gazeta Express, dhe një në gjuhën serbe. Mesazhet që Hale i dha në këtë intervistë ishin aq të matura, aq larg prej çfarë u tha javën e kaluar, se është jashtëzakonisht problematike edhe për të nxjerr një titull të fortë. Ai nuk ka thënë që ushtria amerikane do të largohet. Ai nuk ishte i rreptë në çështjen e taksës ndaj mallrave serbe. Ai nuk ishte dramatik as në kohën e mbetur për të përfunduar dialogun me Serbinë, që siç thuhet është fundi i këtij viti.
“I mbetet Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë një marrëveshje, e cila duhet t’i kontribuojë stabilitetit rajonal”, ka thënë Hale.
“Deri tash palët kanë dashur të tregojnë fuqinë e tyre, tash është koha për të treguar zgjuarsinë”, ka thënë Hale. Ai nuk e ka fajësuar asnjërën palë, as Serbinë e as Kosovën, në asnjë moment, për bllokimin e dialogut, ndërsa gjithashtu ka thënë që SHBA dhe BE pajtohen në shumicën e temave rreth këtij problemi.
Sa i përket temës së korrigjimit të kufirit, ose këmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, Hale ka thënë që kjo është një temë që i takon Kosovës dhe Serbisë.
“Ne nuk jemi palë në këtë proces”, ka thënë ai, duke shtuar, megjithatë, që SHBA do të mbështesin marrëveshjen e arritur në mes të të dyjave palëve, duke mos përmendur ‘vija të kuqe’.
Për raportet e Kosovës dhe SHBA’ve ai ka thënë se kjo është “një histori e gjatë dhe përkushtimi ynë për të ardhmen e Kosovës është i patundur”.
David Hale është diplomati më i lartë amerikan që e ka vizituar rajonin tonë, e edhe Kosovën, në disa vitet e fundit. Hale është diplomat i karrierës, që ka shërbyer në disa administrata. Para se të merrte pozitën e nënsekretarit të shtetit ka qënë ambasador i SHBA’ve në Pakistan, në vitet 2015 – 2018, ambasador në Liban në vitet 2013-2015 dhe i dërguar special për Lindje të Mesme në vitet 2011-2013. Ai, më herët në karrierën e tij, ka qenë edhe asistent ekzekutiv i sekretares së shtetit, Madeleine Albright.
Karriera e gjatë, duke shërbyer në vende me ndjeshmëri të lartë, e bënte z. Hale që të fliste me fjali të shkurtra, të qarta, dhe vështirë të keqkuptueshme. Secila prej përgjigjeve të tij, në pyetjet e bëra, nuk ishte më e gjatë se 15 deri në 30 sekonda.
Më poshtë është transkripti i kësaj interviste:
Nënsekretari Hale: Sapo e përfundova takimin me Presidentin, Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës. E shfrytëzova mundësinë për të folur për disa çështje. Është ndjenjë e mirë që jam në Kosovë për të diskutuar se si Amerika dhe Kosova mund ta vazhdojnë bashkëpunimin për paqe, drejtësi dhe mirëqenie për Kosovën dhe rajonin. Marrëdhëniet tona janë jashtëzakonisht të fuqishme. Kemi një miqësi të thellë mes popullit të Kosovës, popullit amerikan dhe liderëve tanë. Ne kujdesemi shumë për gjendjen, sigurinë dhe miqëqenien e Kosovës. Kjo është baza e bisedave tona. Ne besojmë në interesin e Amerikës dhe Kosovës që ta shohim Kosovën duke përparuar si shtet i pavarur dhe demokratik me lidhje të ngushta në fushën e sigurisë dhe të ekonomisë. Kemi histori të gjatë së bashku. Ne mbetemi të përkushtuar për të ardhmen e Kosovës në fushat e bashkëpunimit për siguri, ndihmave për zhvillim dhe përkrahjes për sovranitetin e Kosovës. Mendojmë se Kosova ndodhet para një hapi kritik që ka të bëjë me një të ardhme me më shumë mirëqenie. Marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe e dobishme mes Serbisë dhe Kosovës është rruga për ta arritur këtë të ardhme, me zotimin për njohje reciproke në thelb të saj. Për këtë arsye shkova në Beograd dhe për këtë arsye jam këtu, për të parë se si mund të ndihmojmë për këtë dhe për të vlerësuar se si mund ta luajë më së miri SHBA-ja një rol konstruktiv. Dëshirojmë të theksojmë se varet nga Kosova dhe Serbia për ta marrë vendimin e nevojshëm përgjatë këtij rrugëtimi dhe për t’i identifikuar temat që do të shtrohen në tavolinën e negociatave. Besojmë se duhet të ketë kreativitet, fleksibilitet dhe njohje në mënyrë që marrëveshja të jetë e qëndrueshme dhe të sjellë stabilitet në rajon. Bisedova me liderët kosovarë edhe për zotimet për të marrë masa për sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, përmirësimin e qeverisjes në politikë dhe vendosjen e saj mbi kornizën e politikës. Ndërhyrjet politike në përzgjedhjen e njerëzve të cilët kanë qenë të akuzuar ose të dënuar për krime serioze janë arsye për shqetësim. Populli i Kosovës meriton më mirë. Kjo është fjala ime fillestare dhe do të isha i lumtur t’i dëgjoj mendimet dhe pyetjet tuaja. Faleminderit!
Dua t’ju pyes për kreativitetin dhe fleksibilitetin lidhur me njohjen. Sa është e sigurt dhe e bindur SHBA-ja që marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet pa ndonjë pasojë në njerëz? Arsyeja pse po jua shtroj këtë pyetje është që ka pasur shumë thashetheme në rajon për këtë. Komuniteti serb në veçanti është jashtëzakonisht i shqetësuar. Serbët në jug dhe në veri të Kosovës janë duke shfaqur mosbesim të madh ndaj politikës zyrtare të Beogradit, ndonëse njerëzit frikësohen ta ngrisin zërin haptazi. Ajo për të cilën njerëzit janë kryesisht të shqetësuar është dhuna. Sipas thashethemeve të fundit, të paktën njëra palë, nëse jo të dyjat, do të bëjnë diçka që mund ta quajmë incident të organizuar, edhe nëse marrëveshja përfundimtare e zgjidh çështjen e demarkacionit pa shkëmbim përmbajtësor të territoreve. Thashethemet e fundit janë që ky lloj incidenti i planifikuar mund të bëhet së shpejti, ndoshta në Mitrovicën Veriore. Këto janë thashethemet e fundit. Ky incident mund të lidhet me ndonjë veprim ndoshta në Trepçë ose diku tjetër, por ky do të shërbente si arsye për Beogradin ose ndoshta Prishtinën për ta filluar punën në arritjen e marrëveshjes përfundimtare. I kam dy pyetje. E di që nuk do të komentoni, por a jeni të vetëdijshëm për këto thashetheme, cila do të ishte porosia juaj për njerëzit dhe a mund të bëhet ky lloj demarkacioni, ndërrimi i territoreve, ndarjeje, quajeni si të doni, pa pasoja në njerëz?
Hale: Nuk kam absolutisht asnjë informatë që do të ndërlidhej me atë që sapo e thatë në lidhje me përfshirjen e udhëheqësve në përdorimin e dhunës për të arritur qëllime politike. Nuk kemi informacione për këtë dhe nuk kam dëgjuar asgjë në takimet e mia në Serbi dhe Kosovë që do të më bënte të mendoj dhe të shqetësohem se liderët janë duke planifikuar gjëra të tilla. Përkundrazi, ajo që kam dëgjuar ishin zotimet e forta nga të dyja palët për të bërë gjithçka që është e mundur për ta mundësuar vazhdimin e dialogut. Mendoj se ekziston një vizion i përbashkët për rezultatet që kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ky është objektivi, kjo është ajo që liderët më kanë thënë që duan. Kjo është arsye që të vazhdohet kërkimi i mënyrave për vazhdimin e dialogut. Populli i dy vendeve do ta përcaktojë rezultatin përmes liderëve të tyre dhe mënyrave tjera demokratike dhe kjo nuk ka të bëjë me Shtetet e Bashkuara. Nuk dua të komentoj për rezultatin. Nuk kemi ndonjë qëndrim për rezultatin. Duam që t’i inkurajojmë përpjekjet për këtë dialog dhe për procesin që do të dërgojë drejt elementit kryesor, që është njohja. Ne mbështesim gjithçka që arrihet me marrëveshjen e dy palëve dhe që sjell dobi për të dyja palët.
Që nga viti 1998, kur Grupi i Kontaktit u mblodh për ta mbrojtur Kosovën nga ndërhyrja e ushtrisë serbe, kemi parë gjithmonë se miqtë ndërkombëtarë, si BE-ja, SHBA-ja dhe Franca, kanë mbajtur qëndrime të përbashkëta. Hera e fundit që e kemi parë këtë ishte rasti kur udhëheqësit e Kosovës deshën ta zhbëjnë Gjykatën Speciale. I kemi parë shtetet e Quint-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Britaninë e Madhe, duke vepruar njëzëri. Pse nuk po e shohim një gjë të tillë tash? Pse e kemi këtë situatë kaotike, jo vetëm me Kosovën, por edhe me miqtë tanë?
Hale: Unë jam në kontakt me këto shtete. Të gjithë dëshirojnë të shohin se çfarë është e mundur në këtë dialog dhe të vlerësojnë se a munden Kosova dhe Serbia të arrijnë mirëkuptim që do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon me njohjen në thelb të kësaj marrëveshjeje. Mendoj se ka marrëveshje për këtë. Mund të ketë dallime për atë se çfarë duhet të theksohet më shumë e çfarë jo. Ne shpresojmë që palët do ta gjejnë një mënyrë për t’i larguar pengesat, t’i kthehen sërish dialogut dhe të shikojnë se çfarë është e mundur në mënyrë që të arrihet rezultati që e përmenda më parë.
Kur flasim për marrëveshje të gjera, mendoj se është e qartë që në Kosovë nuk e kemi një të tillë. Nuk ka konsensus lidhur me rezultatin e dialogut. Siç kemi parë, pozicioni i presidentit është në kundërshtim me atë që po paraqet qeveria, ndërsa opozita po refuzon të marrë pjesë të paktën në këtë lloj formati të dialogut. Gjithashtu kemi parë se ka mosmarrëveshje për çështjen e taksës. Sa besoni që mund të lëvizim përpara dhe të bëjmë diçka deri në fund të këtij viti lidhur me dialogun kur e kemi këtë situatë këtu? Cili ishte mesazhi juaj për liderët e institucioneve dhe liderët e opozitës, ndonëse nuk jam i sigurt që i keni takuar? Çfarë duhet të bëjnë ata për ta tejkaluar këtë mungesë të konsensusit që është shfaqur para një kohe të konsiderueshme?
Hale: Unë jam takuar me tre liderë: Presidentin, Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit. Ne konsiderojmë që Kosova ka një sistem demokratik aktiv. Kjo është një nga gjërat që na lidh në raport me vlerat e përbashkëta që i ndajmë. Debatet dhe qëndrimet e ndryshme janë një nga mënyrat e demokracisë. Presidenti Trump ua ka dërguar një letër udhëheqësve tuaj dhe ka folur për këtë moment unik. Është shumë e rëndësishme që ai ka kërkuar nga udhëheqësit kosovarë të flasin me një zë gjatë bisedimeve. Është mirë të ketë debat dhe të shqyrtohen qëndrimet, por kur hyni në dialog, pozitën më të fuqishme mund ta merrni kur flisni me një zë.
Nëse më lejoni të ndërlidhem, çfarë mendoni për platformën që u votua dje. Ajo u kritikua shumë nga Beogradi, ndërsa ju nuk keni qëndrim. Cila është pozita e Shteteve të Bashkuara?
Hale: Mendoj se ajo është reflektim që debati është duke u zhvilluar. Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndonjë qëndrim për rezultatin dhe substancën e negociatave të ardhshme.
Kryeministri i Shqipërisë ka deklaruar dy-tri herë kohëve të fundit se Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen së shpejti. E kemi dëgjuar edhe presidentin Thaçi duke thënë se do ta marrim Luginën e Preshevës, se janë tri komuna që do t’i bashkohen Kosovës dhe se do ta ndryshojmë kushtetutën. Pse nuk kemi parë asnjë reagim për këtë çështje, konfirmim apo mohim? Kemi parë shumë reagime për të gjitha çështjet në Kosovë. Tash kemi të bëjmë me dy liderët kryesorë, liderët e Kosovës dhe të Shqipërisë, të cilët po synojnë të shkatërrojnë gjithçka që është ndërtuar për pavarësinë e Kosovës.
Hale: Këto çështje nuk janë hapur në bisedat që kam zhvilluar sot dhe ajo në të cilën jemi të përqendruar është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Diskutimet për dallimet në qëndrime mund të bëhen në atë mënyrë që t’i plotësojnë interesat e të dyja palëve.
Zotëri, si diplomat me përvojë, cili skenar mendoni se mund të mbizotërojë në rajon në fund të këtij procesi? Ju thatë se keni marrë mesazhe se palët janë të përkushtuara për paqe dhe stabilitet. Ju tingëlluat shumë optimist. A jeni të vetëdijshëm se të paktën për një vit e gjysmë liderët e Beogradit dhe Prishtinës po japin mesazhe që për popujt e rajonit tingëllojnë të ngjashme me retorikën e luftës. Vetëm disa orë pas bisedimeve me ju, nëse keni dëgjuar, nga Beogradi ka ardhur një fjalim në të cilin mund të ndihet zëri i luftës. Pra, cila politikë mendoni se do të mbizotërojë në fund? A do të jetë politika e paqes, mirëqenies, llogaridhënies dhe optimizmit që po na e paraqisni sot apo a do të mbizotërojnë zërat që popujt po i dëgjojnë nga liderët e tyre dhe të cilët tingëllojnë sikur po nxisin luftë?
Hale: Mund të komentoj vetëm duke u mbështetur në atë që kam dëgjuar gjatë vizitës sime, të cilën e cilësoj si të shkurtër, por jam takuar me udhëheqësit dhe kemi pasur takime të gjata në të dyja kryeqytetet dhe askush nuk foli me kërcënime për palën tjetër. Askush nuk e ka përdorur atë lloj retorike në takim me mua. Gjithçka që kam dëgjuar ishte në vijë me kërkesat për paqe dhe stabilitet. Çdo gjë tjetër do të ishte pengesë, prandaj më vjen mirë që i kam dëgjuar këto qëndrime. Tash është e rëndësishme që palët të mendojnë për mënyrat e përmbushjes së këtij qëllimi. Ka shumë pengesa në këtë rrugë. Mendoj se të dyja palët kanë dëshmuar se janë mjaft të forta. Tani është koha që ta dëshmojnë se janë mjaft të zgjuara dhe të futen në procesin e negociatave.
Ju sapo thatë që njohja reciproke duhet të jetë në thelb të marrëveshjes, gjë të cilën sigurisht se e mbështes, por cili ishte reagimi i Beogradit për këtë qëndrim dhe a kishte rezistencë nga lidershipi i Serbisë?
Diplomati: Nuk dua të komentoj në publik për hollësitë e bisedave të mia me liderët serbë. Mendoj se kjo nuk do të ishte gjëja e duhur.
Më lejoni të ndërlidhem. Çka tjetër duhet të jetë pjesë e marrëveshjes sipas Shteteve të Bashkuara? Kemi pasur disa marrëveshje që janë arritur gjatë dialogut, disa prej të cilave nuk janë zbatuar. A mendoni se këto duhet të zbatohen si pjesë e marrëveshjes përfundimtare, përfshirë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshjet tjera për energjinë dhe çështjet tjera?
Hale: Ne nuk jemi palë në këto negociata. Ne jemi miq të Kosovës dhe dëshirojmë të sigurohemi që Kosova të jetë shtet i suksesshëm dhe që pavarësia dhe sovraniteti i saj të jenë të mbrojtura, njësoj siç janë sot. Duam ta shohim Kosovën duke u rritur dhe kjo rrugë kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve. Kjo e sjell Kosovën te një e ardhme shumë më premtuese për ta rritur edhe më shumë suksesin e këtij vendi. Në këtë mënyrë, Kosova do të bëhet edhe më tërheqëse për investime. Është detyrë e liderëve kosovarë dhe serbë që t’i bëjnë llogaritjet për ta arritur marrëveshjen së bashku. Ne besojmë që marrëveshja është e mundshme dhe ajo është në interesin e Kosovës dhe Serbisë.
Kemi dy çështje. Njëra është korrigjimi i kufirit apo demarkacioni, ndërsa tjetra është shkëmbimi i territoreve. A do ta mbështeste SHBA-ja ndonjë marrëveshje që përfshin caktimin e kufirit në baza etnike mes Kosovës dhe Serbisë?
Hale: Nuk dëshiroj të komentoj për hollësitë. E thashë që është detyrë e palëve që të arrijnë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje. Nëse është në dobinë e të dyja palëve dhe nëse pranohet nga të dyja palët, Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin atë marrëveshje.
Kam dy pyetje të vogla. Sa jeni të informuar për komunitetin serb në Kosovë? Ata ndodhen në “senduiç” mes shumicës shqiptare në Kosovë dhe politikës së Beogradit. Në rast të ndonjë marrëveshjeje që nuk do të reflektonte proces natyral, kjo do t’i destabilizonte dy shtetet dhe komunitetin serb në Kosovë si grupin më të rrezikuar. Cili do të ishte mesazhi juaj për komunitetin serb në Kosovë? A jeni duke u treguar vigjilentë në rajon në mënyrë që të mos shohim dhunë?
Hale: Ne kujdesemi për të gjithë njerëzit e këtij rajoni dhe e kemi bërë këtë për shumë vjet. Të gjitha përpjekjet dhe qëllimet tona e kanë për synimn ndërtimin e paqes dhe stabilitetit dhe shmangien e tragjedive të tmerrshme që kanë ndodhur në të kaluarën. Të gjithë kanë vuajtur shumë. Ne i kemi parasysh ato kujtime, i keni edhe ju. Prandaj, ne kërkojmë nga liderët e shteteve përreth dhe liderët e Kosovës që të bëjën gjithçka që munden për ta shmangur çdo përsëritje të asaj situate. Ne besojmë se liderët janë duke u përpjekur për ta ndërtuar paqen dhe stabilitetin.
A e përjashtoni çdo rrezik të dhunës gjatë muajve të ardhshëm?
Hale: Ajo që thashë është se nuk kam dëgjuar asgjë të tillë në takimet e mia sot. Nuk kishte kërcënime se dhuna do të përdoret nga liderët për t’i përmbushur qëllimet politike.
Dua t’ju pyes për dy çështje që janë të ndërlidhura dhe të cilat janë përmendur si qëndrime zyrtare. Njëra është kërkesa e Shteteve të Bashkuara që Kosova ta heqë taksën sepse ajo e bllokon dialogun, ndërsa tjetra është që momentumi për dialogun mund të krijohet në fund të këtij viti, kur një lloj marrëveshjeje duhet të arrihet. Pse do ta parandalonte taksa zhvillimin e dialogut dhe pse duhet të kemi afate për këtë çështje. Dua të them që një gjë e tillë mund të pritet. Pse është kjo situatë?
Hale: Ka shumë pengesa nga të dyja palët për ta vazhduar dialogun. Ne i inkurajojmë palët që të gjejnë mënyra për t’i pakësuar dhe për t’i larguar këto pengesa në mënyrë që të hapet rruga drejt dialogut. Siç thashë më parë, të gjithë e kanë treguar forcën e tyre. Të shohim se sa të zgjuar janë liderët për të hyrë në negociata ose për t’i arritur qëllimet. Nuk ka afate, por besojmë se kemi të bëjmë me një mundësi unike këtu. Shumë elemente të ndryshme janë bërë bashkë. Ne jemi të përqendruar për t’i gjetur mënyrat e zhvillimit të dialogut dhe arritjes së objektivave.
Në vizitën e fundit të zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, ka pasur shumë thashetheme se ushtria amerikane do të tërhiqet nga Kosova. Nëse Haradinaj e mban këtë taksë dhe e bllokon dialogun, a është i vërtetë ky kërcënim apo ishte thjesht spekulim dhe kampi “Bondsteel” do të mbetet ende këtu?
Hale: Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin tonë dhe zotimet tona. Ju faleminderit shumë!
Komentet