“Më 2010 u mor vendimi katastrofik, kur ne i jemi drejtuar me letër Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ta pyetur se a është shpallja e Pavarësisë së Kosovës ilegale apo jo, dhe morëm përgjigjen se vendimi nuk ishte ilegal. Po të ishin shqiptarët të mençur, në Këshillin e Sigurimit do t’i përmbaheshin vetëm këtij vendimi, e jo në atë që i zura dhe i munda lehtë, si Plani i Ahtisaarit e çdo gjë tjetër, (në atë rast) ne do ta kishim shumë më vështirë”
Marrëdhëniet serbo-shqiptare e anasjelltas kanë qenë gjithmonë të acaruara. Shkalla e acarimit është matur me qëndrimin dhe veprimet e personaliteteve që kanë përfaqësuar elitat kombëtare të të dyja kombeve. Aktualisht këto marrëdhënie janë në tehpikun e një humnere apo të një rrugëtimi të mundimshëm mes luftës dhe paqes, mes armiqësisë e paqetimit, mes urrejtjes e respektimit të interesave reciproke…
Në këtë përballje që po vazhdon tash një shekull e gjysmë, shqiptarët vazhdimisht kanë dalë humbës në territore e në jetë njerëzish. Kjo për shumë shkaqe, por të shumtën e rasteve për shkak të keqorganizimit, të mungesës së elitave të qëndrueshme apo sajimit të tyre, të mungesës së vetëdijes kolektive dhe, natyrisht, yllësive gjeopolitike.
Në përballjen aktuale Serbinë po e përfaqëson kryetari i saj, Aleksandar Vuçiq. Ky është një personalitet me shumë ndikim dhe me pushtet të pakufishëm. Përmes mendimit të tij politik, përmes veprimtarive të tij të përditshme, mund të konkludohet se Vuçiqi pasqyron, në mënyrën më origjinale, tërësinë e moralit, vendosmërisë, dinakërisë dhe aftësive të prijësve serbë që nga Garashinini e këtej.
Prandaj edhe është objekt i kësaj analize.
Ngadalë, por sigurt drejt pushtetit absolut
Aleksandër Vuçiq (1970) angazhimin politik e filloi në kulmin e luftërave në ish-Jugosllavi, si gazetar i radios së Karaxhiqit në Bosnjë, dhe me aderimin, më 1993, në partinë e Sheshelit (Partia Radikale Serbe, PRS), një parti që mëtonte të jetë trashëgimtare e partisë së Nikolla Pashiqit (1845 – 1926).
Më 1994, Vuçiqi u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe, duke u bërë njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt e më besnikë të Vojislav Sheshelit, i dënuar për krime lufte.
Vuçiqi, me retorikën e tij të egër, përpiqej t’ia kalonte atit të tij shpirtëror, Sheshelit; ende mbahet mend deklarata e tij në Parlament, më 20 korrik 1995, kur u zotua se: “Për një serb të vrarë do t’i vrasim 100 myslimanë (boshnjakë)!“
Në vitin 1998, Vuçiqi u emërua ministër për informata në Qeverinë serbe të unitetit kombëtar. Gjatë bombardimeve ai ishte zëdhënës autentik i politikës shfarosëse serbe në Kosovë.
Gazetari anglez, Robert Fisk, në një shkrim në “Independent”, 14 maj 2016, e përshkruan kështu Vozhdin e gjatë:
“Në Beograd…, më 18 qershor 1998, u shfaq një i ri i sjellshëm, por i rrezikshëm; i referohesha sherrisht ‘fytyrës së tij të pafajshme, buzëve të trasha dhe buzëqeshjes së shpejtë’ derisa ai tentonte të na bindte ne, gazetarëve, se krejt çka donte diktatori Slobodan Milosheviq në Kosovë ishte paqja, dialogu dhe të drejtat e njeriut për të gjithë, përfshirë edhe 90 për qind të popullatës shqiptare. Për autonominë e Kosovës që ia kishin rrënuar nëntë vjet më parë nuk e thoshte asnjë fjalë”.
Më 2008, për shkak të mospajtimeve me liderin e tyre, Sheshelin famëkeq, derisa ky ishte “me pushime“ në Hagë, T. Nikoliq dhe A. Vuçiq, u ndanë nga partia radikale dhe formuan Partinë Progresiste Serbe (Srpska Napredna Stranka), duke i dhënë kështu partisë radikale një grusht dërrmues.
Se si ‘u mor kalaja nga brenda’ Shesheli e shpjegon pas daljes nga burgu, në një tubim me besnikët e tij:
“Gjatë kohës sa isha në Hagë, aktivistët e PRS-së, për të evituar shpenzimet, komunikonin brenda një rrjeti qarkor telefonik. Ndërkohë, Vuçiqi kishte blerë një aparat, rreth 30.000 euro, dhe i përgjonte të gjithë, përfshirë këtu edhe Tomislav Nikoliqin, madje edhe kur ky fliste me të huajt, prandaj e dinte saktësisht se çka po ndodhte në parti. [1]
Partia progresiste nuk ndryshonte shumë në përmbajtje nga partia e Sheshelit, por me një fjalor të zbutur e bënte ideologjinë politike të radikalëve serbë më të pranueshme për bashkësinë ndërkombëtare.
Ky kërcim akrobatik në verbin e Vuçiqit dukej kështu;
“Kur shqiptarët e shpallën pavarësinë, kam qenë i trishtuar, por kurrë nuk kam parë asi guximi si te djemtë përpara ambasadës së djegur amerikane.“ (2008)[2]
Është fjala për tubimin e madh protestues që u mbajt në Beograd me t’u shpallur Pavarësia e Kosovës, me ç’rast, në sytë e policisë, u sulmuan ose u dogjën disa ambasada të shteteve perëndimore në Beograd, e sidomos Ambasada amerikane, ku edhe u vra një person.
Pas disa muajsh, po i njëjti person, me emrin Aleksandar Vuçiq shprehej kështu:
“Kushdo që mund të thotë se gjendja në Serbi është ideale e ne t’i kemi marrëdhëniet ‘thikë e gjak’ me SHBA-në, unë i them se s’ka lidhje me kokën. Marrëdhëniet e mira me amerikanët janë e vetmja rrugë për ta shpëtuar Serbinë… Në këtë vend janë disa budallenj që thonë se mund të qeverisësh pa pasur mbështetjen e SHBA-së… Amerikanët kanë verëra të shkëlqyera. Më kanë dhuruar disa ‘chafer merlo’ (2008)“[3]
Në saje të këtij ‘reformimi’, Partia Progresiste serbe i fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, ndërsa më 29 shtator 2012, Aleksandër Vuçiqi u zgjodh kryetar i saj.
Në korrik të vitit 2012, Vozhdi i gjatë u emërua nënkryetar i Qeverisë, ministër i Mbrojtjes dhe njëherësh sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Me një fjalë, një kupolë e të gjitha shërbimeve sekrete serbe dhe një trampolinë drejt majës së gjithë pushtetit.
Në zgjedhjet e vitit 2014, Vuçiqi u emërua kryeministër i Serbisë, ndërsa më 2 prill 2017 ai u zgjodh kryetar i saj.
Gradualisht, Vuçiqi e shtriu pushtetin e tij absolut gjithandej në Serbi, së pari, me përjashtime të rralla, i disiplinoi mediat dhe orientoi tehun e tyre mercenar kundër opozitës, kundër shqiptarëve, kroatëve dhe boshnjakëve, dhe natyrisht kundër Perëndimit. Falë mediave ai e komprometoi keq dhe pastaj e eliminoi politikisht edhe shefin e tij, Tomislav Nikoliq, ani se ky i fundit e konsideronte si djalin e vet.
Me të marrë në duar të gjithë frenjtë e pushtetit, Vuçiqi i kushtoi një rëndësi të madhe komunikimit me Perëndimin dhe nuk la gur pa lëvizur për të krijuar atje një imazh tjetër për veten dhe për Serbinë. Në këtë funksion emëroi si kryeministër Ana Bërnabiq, lesbike e deklaruar, e cila madje nuk ishte as anëtare e partisë së tij.
Vozhdi, SHBA-ja dhe luftërat në ish-Jugosllavi
Gjatë gjithë luftërave në ish-Jugosllavi, Vuçiqi ishte dora e djathtë e Sheshelit dhe mbështetës i vendosur i krerëve serbë në Kroaci e Bosnjë kur ata, me ndihmën e ushtrisë federale, zbatonin ideologjinë serbomadhe dhe strategjinë e saj të spastrimeve etnike masive.
Për shkak të këtyre veprimeve dhe të kësaj vetëdijeje gati kolektive te serbët, Papa Pali i Dytë i pati thënë Klintonit:
Duhet t’i bombardoni serbët…
Më 20 mars 1995, në qytetin e pushtuar kroat të Glinës, Vucic e ndezte turmën:
“Vëllezër serbë, motra serbe, ju përshëndes juve që ngritët flakadanin e lirisë në tokat serbe.
Kurrë Krajina serbe dhe Glina nuk do të jenë Kroaci. Kurrë Banija nuk do të bëhet Kroaci… Nëse radikalët serbë fitojnë zgjedhjet, ju e dini se do të jetoni në Serbinë e madhe.“[4]
Në këtë vijë, sipas Vuçiqit: “Radovan Karaxhiqi pasqyron simbolin e luftës së popullit serb për liri. Radovani dhe Ratko (Mladiq) janë trima dhe patriotë të shquar në luftën atdhetare… Nuk do t’i dorëzojmë as njërin as tjetrin.. Nëse i takojmë diku, do të pimë kafe me ta. Serbisë ia duan të keqen më të madhe ata që detyrojnë Mladiqin dhe Karaxhiqin të dorëzohen në Gjykatën e Hagës. Akuzat kundër gjeneralit Mladiq janë gënjeshtra e manipulime që kanë për qëllim satanizimin e tij… Shtëpia ime, si dhe çdo shtëpi e familjes së gjerë Vuçiqi do të jetë shtëpi-strehë e sigurt për gjeneralin Ratko Mladiq…“[5]
Dënimi i serbëve për krime gjithandej në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë nga Tribunali i Hagës e sidomos për gjenocidin në Srebrenicë, nuk u pranua asnjëherë nga krerët e Serbisë.
Në këtë pikë, Vozhdi i gjatë ishte më i vendosuri:
“Histeria që po krijohet përmes Srebrenicës është një fushatë antiserbe, ndërkohë që heshtën vuajtjet e serbëve, viktimat dhe fatkeqësitë e tyre… Qëllimi i kësaj fushate që po bëhet kundër popullit dhe shtetit serb është arrestimi i Ratko Mladiqit dhe suprimimi formal i Republikës serbe.“[6]
Për shkak të qëndrimit të pandryshueshëm të krerëve serbë për këtë çështje madhore, më 29 nëntor 2018, Parlamenti Evropian, në rezolutën për Serbinë, nënvizoi “se pranimi i gjenocidit në Srebrenicë është një etapë fondamentale në procesin e aderimit të Serbisë në BE“.[7]
Vozhdi i gjatë vazhdimisht villte helm e vrer kundër Perëndimit dhe Amerikës sidomos: “Ashtu siç zgjerohej fronti antifashist në Luftën e Dytë Botërore, po ashtu do të zgjerohet edhe fronti i rezistencës kundër amerikanëve dhe idesë së tyre naziste-imperialiste.“ (1999)[8]
“Kemi vuajtur nën bombat amerikane, ndërsa tani po vuajmë edhe më shumë nga gjoja ndihmat dhe mbështetja e tyre ekonomike“. (2001) [9]
“Amerikanët po duan të zaptojnë dhe të pushtojnë çdo gjë, kudo duan ta kenë nga një Gjingjiç“ (2003, këtë e tha vetëm disa javë para se ai të vritej, shënim i autorit) [10]
“Krerët e DOS-it (partitë politike që erdhën në pushtet pas rënies së Milosheviqit) në mënyrë kusare e banditeske po përpiqen ta arrestojnë dhe ta dorëzojnë Slobodan Milosheviqin, të shkatërrojnë emrin e kombit serb, krenarinë, nderin dhe shtetin e popullit serb… Është e mjerë dhe e ngratë ajo qeveri që i dorëzon serbët vetëm për të përmbushur urdhrat e SHBA-së dhe Gjykatës së Hagës…“[11]
“Bashkësia ndërkombëtare po do t’ia fusë popullit serb banderin në anus dhe pret prej nesh që t’i themi se po ndihemi shumë mirë…“ (2005) [12]
Sipas Sheshelit, shefit të tij të dikurshëm:
“Vuçiqi ka ngjitur parulla me foton e Ratko Mladiqit nëpër rrugët e Beogradit, duke i vënë ato mbi treguesit e rrugës ‘Zoran Gjingjiq’.
Ai madje edhe në Kuvendin e Serbisë ka futur banderola me emrin Sigurna kuça za Ratka Mladiqa (Shtëpi e sigurt për Ratko Mladiqin)…
Ka punuar shumë me vetveten dhe është bërë ekspert për manipulimin e mediave. Me premtimet e zbrazëta ka fituar shumë simpati dhe ky është një fakt.“
Vozhdi i gjatë për Kosovën
Në diskursin politik të Vuçiqit Kosova është A-ia dhe Kryefjala e tij. Platforma më e qartë për Kosovën e Vozhdit të gjatë dhe bashkëmendimtarëve të tij është botuar në gazetën e Partisë radikale serbe “Velika Srbija“ (Serbia e madhe), më 14 tetor 1995. Vuçiqi ishte anëtar i redaksisë dhe i këshillit botues.
Platforma me titull “Si do ta zgjidhnin çështjen e Kosovës e Metohisë radikalët serbë“, ka 5.540 fjalë dhe është nënshkruar nga udhëheqja e PRS-së, kryetari, zëvendëskryetari, sekretari i përgjithshëm, Vuçiqi, të katër nënkryetarët si dhe nga 81 deputetë të PRS-së.
Në këtë analizë, kjo platformë do të citohet gjerësisht, sepse është njëri prej projekteve serbe më të rrezikshme dhe, për më keq, nuk përmendet asnjëherë prej pushtetarëve shqiptarë, madje as në rastet, si në një darkë me përfaqësuesit e BE-së, kur Vuçiqi pati akuzuar rëndë njërin prej qyqarëve të Kosovës dhe ky i fundit, për turpin dhe për të zezën tonë e të Kosovës, nuk e hapi gojën!
Fillimisht, në Platformë konstatohet se:
“Pa Kosovë e Metohi nuk ka as shtet serb. Mu për këtë ruajtja e Kosovës e Metohisë, si pjesë përbërëse dhe integrale e Serbisë, për nga rëndësia, është e barabartë me vetë ekzistencën e kombit serb…“
Në këtë frymë nënshkruesit zotohen për suprimimin e “…federatës ekzistuese dhe formave të autonomisë territoriale, sepse ato janë provuar si dështime për popullin serb, prandaj zgjidhja më e mirë duhet të jetë krijimi i një shteti unitar serb, në përbërjen e të cilit do të hynin Republika e Krainës Serbe, Republika Serbe, Republika e Serbisë dhe Republika e Malit të Zi.“
Pakicave u njihet “… e drejta për përdorimin e gjuhës së vet në jurisprudencë, e drejta për arsimin fillor në gjuhën e vet amtare, për shprehjen e ndjenjave fetare, marrjen me veprimtari kulturore e të ngjashme. Ndërkaq, ushtrimi i këtyre të drejtave nënkupton, para së gjithash, detyrimin e anëtarëve të pakicave për sjellje luajale ndaj shtetit, qytetarë të të cilit janë.“
Sipas Platformës, në atë kohë ishin rreth 400 mijë shqiptarë që duhej ndjekur nga Kosova, sepse qenkëshin ardhacakë. Ndaj tyre “… duhet të zbatohen standarde të dyfishta: për ata që njihen si ekstremistë duhet paraparë përzënia e menjëhershme, ndërkaq të tjerëve duhet t’u vihet si kusht zotërimi i të gjitha dokumenteve, madje edhe për nevojat më të zakonshme, për sigurimin e të cilave, si parakusht do të ishte dëshmia e shtetësisë, të cilën ata nuk e kanë si edhe pasja e listës së atdheut. Lista e atdheut do të zbatohej për të gjithë shtetasit e Serbisë, si mjet i detyrueshëm, me të cilën do të vërtetohej se kanë shtetësinë e Republikës së Serbisë. Në kopertinë, lista e atdheut do të kishte stemën e Serbisë: shqiponjën e bardhë dykrenore të Nemanjiçëve, mburojën me kryq dhe katër S-të.“ (Samo sloga srbina spashava! që do të thotë: vetëm uniteti serbët i shpëton).
“ Duhet penguar me të gjitha mënyrat kthimi i shqiptarëve të punësuar në botën e jashtme, e posaçërisht kthimi i atyre, që në periudhën 1990/93 kanë shkuar në mënyrë masive jashtë (vlerësohet se kanë shkuar rreth 300 mijë pjesëtarë të popullsisë më aktive).“
“Të gjitha pronat serbe që janë shitur apo që u takojnë në ndonjë mënyrë tjetër shqiptarëve, shtëpitë dhe apartamentet, sidomos ato të periudhës 1966/1987, (gjatë kohës së pushtetit ballisto-komunist në Kosovë), si edhe ato që fashistët i përvetësuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, duhet t’u kthehen pronarëve të mëparshëm ose pasardhësve të tyre.“
T’u hiqet shtetësia serbe dhe t’u ndalohet kthimi të gjithë shqiptarëve shtetas të Jugosllavisë, të cilët banojnë jashtë shtetit e që, atje veprojnë nga pozita separatiste.
“Përmes ndërtimit të autostradave (qëllimisht me korsi të ndara deri në 1 km, për shkak të ‘konfiguracionit të terrenit’ dhe sheshimit të një brezi të gjerë buzë rrugës) mes për mes mjediseve rurale shqiptare me dendësinë më të madhe të popullsisë, dhe ndërtimit të objekteve të tjera, si kazerma, poligone, magazina, etj., si dhe dhënia e trojeve dhe hapësira për kolonitë e të ardhurve, në këtë mënyrë do të imtësohet hapësira etnike shqiptare, me çka ata do të humbin “thellësinë” e territorit, që është element cenues i rëndësishëm i ndjenjës së tyre të sigurisë.
Qëllim i gjithë kësaj është krijimi i vetvetishëm ‘i lëkurës etnike të leopardit’, me çka, më vonë, me shtrirjen e enklavave serbe, ato shqiptare do të zvogëloheshin dhe do të zhdukeshin“.
“Me ndryshimin e kushteve të tregtisë, përmes firmave private, mund të shkaktohen mungesa artificiale mallrash, që nuk do të gjenden as në ato shtetërore, me çka do të krijohet ndjenja e pasigurisë dhe e ankthit.
Furnizimi me rrymë elektrike (ndërprerjet e shpeshta të saj me qëllim, si dhe sabotimet e vërteta në ato pjesë të rrjetit që furnizon enklavat shqiptare), në veçanti, u duhet ndërprerë ujin, që është problem i mprehtë në Kosmet, në këtë mënyrë do t’ua bëjmë jetën e padurueshme. Qëllimi i gjithë kësaj është që të bëhet ndarja (veçimi i plotë) e popullsisë, jo vetëm për nga aspekti i hapësirës, por për të bërë izolimin e plotë të shqiptarëve nga enklavat e tjera të banuara prej tyre…“
“…duhet vështirësuar funksionimi i sektorit privat të shqiptarëve me anë të veprimeve të rrepta administrative dhe të kontrollit të përhershëm të tregtisë, me çka do të vihej njëfarë kontrolli mbi financimin e partive të tyre politike.“
“Duhen vështirësuar kontaktet me firmat dhe ndërmarrjet private në Serbi, për të mos lejuar që kapitali shqiptar të krijojë monopol dhe të ndikojë në proceset ekonomike në Serbi.
Me anën e dispozitave përkatëse përfshirë dhe politikat tatimore, të mbikëqyret sektori i ndërtimeve pa leje, prej nga mund të fitohen mjete të mëdha financiare për investime në programin e kolonizimit dhe krijimit të vendbanimeve të posaçme“.
“Shkaktimi dhe demaskimi i aferave të ndryshme, në saje të të cilave do të ndiqeshin firmat e mëdha private dhe pronarët e tyre. Kujdes i veçantë i duhet kushtuar trafikut me drogë, duke përfituar nga rastet e zbuluara për të dënuar një rreth të gjerë njerëzish me dënime të ashpra. Rastet e zbuluara të përdoren për komprometimin e individëve të shquar…“
“Dhënia e lejeve të caktuara, dokumenteve nga organet shtetërore (me përjashtim të pasaportave) duhet të ndërlikohet deri në maksimum, ndërkaq dënimet për mungesën e tyre duhet të jenë të ashpra. Shqiptarët kanë aversion të posaçëm ndaj sjelljeve të këtilla, sepse rrjedhin nga një mjedis ku drejtpërsëdrejti aplikohet e drejta zakonore. Ata nuk e durojnë sidomos ndërhyrjen administrative në atë që ata e konsiderojnë si çështje të veten intime. Madje, duhet kërkuar edhe “leje për lopën” (leje për posedimin e kafshëve).
Duhet ndikuar që shkuarja e shqiptarëve jashtë të bëhet e zakonshme, ndërkaq kthimi të vështirësohet me procedura të koklavitura në kufi…“
“Veprimtaria gjithëpërfshirëse (e shërbimeve serbe, shën. i autorit) brenda organizatave shqiptare doemos do të shkaktojë pakënaqësi te shqiptarët, gjë që është parakusht për ta rritur gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në organizata të ndryshme, prej atyre jashtëligjore e deri në ato terroriste. Për këtë arsye, është e udhës që të infiltrohen individë nga Sigurimi i Shtetit, të cilët, në momente të përshtatshme do të inicionin formimin e organizatave të tilla, në mënyrë që pastaj të ndikohet në veprimtarinë e tyre, në mos edhe në udhëheqjen e tyre…“
“Me këso komplotesh mund të shkohet madje edhe në kryerjen e aksioneve, me çka kontribuohet në arritjen e satisfaksionit kolektiv të masave shqiptare, por edhe rënies së tendosjeve, ndërsa shtetit kjo do t’i shërbejë si shkas për veprime shumë më të ashpra ndaj të gjitha organizatave të tjera, e kjo sjellë deri tek tendosjet ndërnacionale dhe thellimi i mëtejmë i jetës së tyre paralele“.
“Në këtë kuptim, është i nevojshëm ekzistimi i shumë grupeve të tilla, ndonjë prej të cilave policia dhe Sigurimi i Shtetit, kohë pas kohe, do ta shkatërronin, deri sa ato të konsolidohen sërish, të tjerat e vazhdojnë punën dhe kjo i kontribuon krijimit të mendësisë se këto veprimtari janë në funksion të çlirimit“.
“Eliminimi i individëve të shquar (atyre aktivë, por edhe potencialë) të cilët luajnë ose mund të luajnë rol vendimtar në jetën politike, me afera të fryra publike dhe me “fatkeqësi të rastit”, si (fatkeqësi trafiku, vrasje nga xhelozia, infektime të individëve me virusin e SIDA-s, gjatë qëndrimit në botën e jashtme, të tillëve për të cilët dihet se kanë prirje për ekskursione dashurie, infektime që ‘zbulohen’ gjatë kontrollit në kufi, pas të cilit zbatohet vënia në karantinë.
Me përpunim të përshtatshëm medial, mund të krijohet një atmosferë e tillë, e cila do të nxitë kontrollin medikal të popullsisë shqiptare, në mënyrë që të konstatohet artificialisht se ekziston një përqindje e madhe e të sëmurëve nga SIDA, prej nga rrjedh nevoja e izolimit të një numri sa më të madh njerëzish; në mënyrë që të krijohet përshtypja në opinion se shqiptarët janë komb infektues“.
Veprimtaria informativo-propagandistike
“Duhen krijuar programe të posaçme televizive e radiofonike në gjuhën shqiptare, përmbajtja e të cilave do të orientohej drejt rrënimit të mendësisë së tyre patriarkalo-fisnore, me anën e paraqitjes së përmbajtjeve më dekadente nga Perëndimi, ndaj të cilave shfaqin prirje popujt primitivë. Enklavat serbe do të mbroheshin nga programet e tilla, para së gjithash me pengesa gjuhësore (radioja), si edhe me anën e aplikimit të televizionit kabllor, në vendbanimet e reja dhe në ndërtesa.
Ndaj botës është e domosdoshme të formohet një mekanizëm i fuqishëm propagandistik, në përputhje me përvojat e njohura.
Të parashikohen madje edhe botime të fshehta të nëndheshme, me përmbajtje që do të përhapnin për ta ide fatale e mistike dhe gjoja kritike për “regjimin serb“.
“Të gjitha shkollat dhe akademitë ushtarake e policore, të gjitha entet ushtarake, që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me komandimin në disa fusha ushtarake, si edhe një varg institucionesh të tjera shtetërore, si bie fjala, ministri të tëra, duhet të transferohen në rajonin e Kosovës e Metohisë, në mënyrë që të krijohen kushtet për vendosjen e dhjetëra e mijëra oficerëve, policëve, nëpunësve e anëtarëve të familjeve të tyre, dhe të infrastrukturës së plotë. Të gjithë serbëve, që dëshirojnë të jetojnë në ato hapësira tonat, duhet t’u sigurohet falas tokë bujqësore në pronësi të përhershme, si dhe troje për ngritjen e shtëpive familjare dhe të ndërmarrjeve ekonomike. Të gjithë atyre, që transferojnë atje përfaqësitë tregtare dhe ndërmarrjet prodhuese, në të cilat punësojnë së paku 10 veta, do t’u ofrojmë një prej lehtësive kyç: lirimin nga pagesa e tatimit, më së paku për dhjetë vjet. Pse Kosova e Metohia të mos jenë zona jashtë doganore?“
“Oficerëve të pensionuar, nënoficerëve, policëve dhe nëpunësve shtetërorë, si zgjidhje e përhershme e çështjes së tyre të banimit, t’u ofrohen banesa maksimalisht komfore në territorin e Kosovës e Metohisë. Të sigurohet brezi kufitar në gjerësi prej 50 km (minimumi) përgjatë kufirit me Shqipërinë. Të mos lejohet cenimi i kufirit nga hapësira e Shqipërisë së tashme, ndërsa marrëdhëniet me të do të zhvillohen në harmoni me mundësitë dhe interesat e të dyja palëve.
Zona kufitare me Shqipërinë do të mundë të popullohej vetëm me serbë, ndërsa toka tjetër do të ishte në pronësi të Ushtrisë së Jugosllavisë“.
2) Shkollimi
“Në shkollat shtetërore në Kosovë e Metohi, sistemi shkollor duhet të mbështetet në përmbajtjen dhe vlerat e artit dhe kulturës serbe, evropiane dhe botërore dhe duhet të shtjellohet në gjuhën serbe. Perspektiva e hapur e jetës dhe e zhvillimit të lirë në Serbi është mjaft tërheqëse që këtë sistem ta pranojnë edhe anëtarët e pakicave kombëtare. Shkollat në gjuhët e bashkësive minoritare duhen trajtuar si private dhe gjatë punësimit duhet kërkuar verifikimi i mësimdhënies sipas plan programeve zyrtare. Në këtë mënyrë do të bëhej seleksionimi normal në përputhje me vlerat dhe strukturën e shoqërisë serbe. Mësimi në Universitetin e Prishtinës, pas rrënimit të parashtetit shqiptar, ka përjetuar kthesë rrënjësore dhe është në rrugë e sipër për të arritur rezultate kapitale, dhe me këtë ta përcaktojë qartë fatin e Kosovës e Metohisë dhe të shtetit serb në tërësi. Ky nivel i arritur duhet stabilizuar edhe më tej, duke vazhduar me projektet dhe programet e reja. Kushtet e studimit në gjuhën serbe në Universitetin e Prishtinës duhen bërë më të përshtatshme se kudo tjetër në Serbi“.
“Duhet mbajtur dhe thelluar edhe më tej sistemi i tanishëm paralel e ilegal i shkollimit të shqiptarëve, sepse në këtë mënyrë, në të ardhmen, me diploma jolegale, atyre u mbyllen dyert e çdo angazhimi dhe integrimi në shoqëri si dhe mundësitë për gjetjen e vendeve adekuate të punës. Veç kësaj, vazhdimi i mëtejmë i shkollimit paralel dhe ilegal i shqiptarëve ka edhe një rëndësi tjetër: nuk është arsimim i detyrueshëm si ai shtetëror, prandaj bie shkalla mesatare e mësimit dhe zvogëlohet aftësia e tyre kolektive për t’i rezistuar manipulimit nga jashtë dhe nga brenda“.
“Të gjitha këto veprimtari duhet të bashkërendohen në mënyrë të tillë që ta nxisin sa më shumë derdhjen e popullsisë shqiptare në botën e jashtme, në Maqedoni dhe në Shqipëri. Duhet të përdoren mënyra të nduarnduarta të trysnisë, të krijimit të ndjenjës së pasigurisë për të nxitur shpërngulje sa më të madhe të shqiptarëve“.
“Policia, si organ i rëndësishëm i pushtetit, është përgjegjëse për mbetjen e Kosovës e Metohisë në pronësi të përhershme të shtetit serb“.
“Bisedimet dhe marrëveshjet me përfaqësuesit e shqiptarëve të mos fillohen, para miratimit të ligjit mbi shtetësinë dhe konstatimit të numrit të atyre që e njohin dhe e pranojnë Serbinë si shtet të vetin.“
“Ndaj atyre shqiptarëve që përcaktohen për të qenë shtetas të Serbisë, përkatësisht të Jugosllavisë, duhet të sillemi me tolerancë dhe t’i trajtojmë drejt, por, inkorporimi i tyre në organet shoqërore, politike dhe shtetërore, duhet bërë sipas masës së integrimit dhe të identifikimit të tyre të vërtetë me shtetin serb dhe me ligjet e tij.“[13]
Sigurisht për shkak të planeve të tilla, të shumta, të serbëve për Kosovën dhe për krimet e tyre në Bosnje e Hercegovinë, Margareth Thaçer pati kërkuar: “Ndalini serbët menjëherë dhe përgjithmonë!“[14]
Ndërkaq, Jacque Chirac, gjatë një dreke, në qershor të vitit 1995, ishte edhe më i drejtpërdrejtë:
“Serbët janë popull pa ligje dhe pa fe, këta janë popull banditësh dhe terroristësh.“
Kur lexuesi mendon thellë arsyen pse njerëz kaq larg prej serbëve dhe Serbisë, kaq të pa rrezikuar prej saj, shprehin këso mendimesh të pamëshirshme për ta, besoj se shkakun duhet kërkuar te rrëfime që nuk i mban as toka;
– për grabitësin që ta merr kafshatën nga goja dhe të tjerëve u thotë, është imja;
– për pushtuesin që ta burgosë fëmijën tënd dhe e tretë burgjeve pafund, e të tjerëve u thotë, ma ka rrezikuar ekzistencën time;
– për xhandarin që ta merr tokën e shtëpinë, dhe të tjerëve u thotë, gjithmonë kanë qenë te miat;
– për shtetin që të nxjerr nga shkolla, nga bibliotekat, nga universiteti që i kanë themeluar me mund prindërit tu, e ty të thotë nuk i meriton se je i egër;
– për oficerin që me urdhër shteti me krejt njësinë e tij t’i përdhunon gruan, fëmijët dhe të tjerëve u thotë ia kanë bërë vetës;
– për ushtrinë që t’i vret njerëzit tu në shtëpi dhe i djeg brenda ose ua merr kufomat dhe, për t’i fshehur gjurmët, i djegë në furrat e xeheroreve ose hap varreza masive dhe mbi të ndërton kisha e pista aeroportesh dhe ti nuk e ke as një varr për ta derdhur, në ditë trishtimi, një truç lot mbi të…
“Dialogu” me Kosovën dhe për Kosovën
Që nga viti 2013 e këtej, Vuçiqi u bë faktor vendimmarrës në ‘dialogun’ e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Edhe në këtë pikë qëndrimet e tij më herët ishin radikale:
“Vetëm pasi të jenë kthyer ushtria dhe policia jonë në Kosovë e Metohi ne do të mundë të negociojmë me të huajt dhe me shqiptarët.“ (2003)[15]
“Askush nuk ka të drejtë të heqë dorë as nga një livadh apo arë e vetme serbe… E vetmja mënyrë për ta ruajtur Kosovën është të na mbështesin Rusia dhe Putini.“ (2005)[16]
“Evropa dhe Amerika po na grabisin Kosmetin, Serbia as që duhet të mendojë për integrimet evropiane.“ (2007).[17]
Ndërkaq katër vjet më vonë, Vozhdi përdorte një fjalor disi tjetër :
“Kosova është e rëndësishme për ne, por ne duhet të mendojmë për investimet, partia progresiste nuk do të heqë dorë nga rruga evropiane.“ (2011)[18]
Me ardhjen e tij de facto në krye të delegacionit të Serbisë, Vuçiq e dinamizoi dialogun dhe arriti që, në prill të vitit 2013, të nënshkruhet nga Thaçi-Daçiq Marrëveshja e Parë e Parimeve, përmes së cilës, në kundërshtim me Kushtetutën, në Kosovë formohej një entitet juridik, një etnik, pra bëhej federalizimi i vendit.
Kjo Marrëveshje, që cenon rrezikshëm rendin kushtetues dhe integritetin e vendit, u përthellua përmes marrëveshjes për Asociacionin, më 25 gusht 2015, nënshkruar nga Vuçiqi dhe Mustafa. Nëse Marrëveshja e vitit 2013 e federalizonte vendin në favor të një pakice prej 5% të popullsisë, Marrëveshja për Asociacionin, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese (23 dhjetor 2015), krijon nga Kosova“…një formë konfederate ku njësitë territoriale bashkëpunojnë në nivel horizontal në bazë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndarjes së informatave. Asnjë formë e vetëqeverisjes lokale apo edhe e vetëqeverisjes rajonale nuk njeh një marrëdhënie të tillë horizontale me autoritetet qendrore…“
Kjo Marrëveshje dhe ajo për demarkacionin e sollën vendin buzë greminës së luftës civile, që filloi me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, në ato rrethana, si e vetmja mënyrë e mbetur për ta shpëtuar Kosovën nga copëtimi.
Paralelisht me këto fitore në tryezën e bisedimeve, Vozhdi i gjatë e ndryshoi kahun “dialogut“. Ai gradualisht dialogun me Kosovën dhe për Kosovën arriti ta kthejë në negociata të Serbisë me shqiptarët: në negociata për territore të Kosovës. Ai, ashtu si Gjingjiqi, është i prerë se zvarritja e kësaj çështjeje “po i thith gjakun sistemit, sepse po i kushton shtetit 1 miliard e 300 milionë euro në vit.“ [19]
Suksesi më i madh i Vuçiqit në politikën e jashtme ishte sidomos fakti se ai arriti ta fusë në kurth kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në mënyrë që edhe ky të bëhet avokat i vënies në pikëpyetje të kufijve të Kosovës dhe të vendimit të GjND-së:
“Më 2010 u mor vendimi katastrofal, kur ne i jemi drejtuar me letër Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ta pyetur se a është shpallja e pavarësisë së Kosovës ilegale apo jo, dhe marrim përgjigjen se vendimi nuk ishte ilegal. Po të ishin shqiptarët të mençur, në Këshillin e Sigurimit do t’i përmbaheshin vetëm këtij vendimi, e jo në atë që i zura dhe i munda lehtë, si Plani i Ahtisaarit e çdo gjë tjetër…“[20]
Njohësit e mirë të historisë moderne serbe e dinë se të paktën qe një gjysmë shekulli e këtej, Serbia ka këmbëngulur që për ndarjen e Kosovës të mos flasë me parinë e saj, por me pushtetarët në Shqipëri.
Kjo i përshtatet Beogradit shumë më tepër, sepse së pari nuk do të ketë nevojë ta njohë Kosovën, së dyti krerët serbë e dinë se shumë më lehtë do të merren vesh për këtë çështje me politikanë të atjeshëm se sa me ata të Prishtinës. Shkaqet janë të njohura: çdo politikan nga Kosova e din se futja në këtë lojë do të thotë të fusë në rrezik kokën e tij dhe të familjes, ndërsa ata në Shqipëri janë mësuar t’i bien kryq e tërthorazi Rubikonit pa u lag dhe pa therrë në këmbë.
Edi Rama: ora e mësimit të serbishtes
Mirëpo Edi Rama, pavarësisht se është një sharlatan ‘par excellence’, e hetoi se sa patate e valë është kjo temë, prandaj këtë punë të pistë ia la në dorë Hashim Thaçit, kokë turku që e di mirë se e presin prangat, prandaj është i gatshëm në çdo akt që do ta kursente nga burgu.
Vozhdi i gjatë është treguar mjeshtër në raport me shqiptarët, Thaçin duke e shantazhuar me dosje të trasha, ndërsa Ramën duke ia kashagitur mendjemadhësinë. Ja një dialog publik në Beograd (31 gusht 2015), që flet shumë.
Rama: “Kemi folur për unionin ekonomik, që realisht ta zgjerojmë tregun…, për rrugën Nish-Prishtinë-Durrës…, ajo rrugë duhet të jetë pa barriera tarifore…“
Vuçiqi: Edi është politikan botëror, ndërsa unë jam lokal, i ngarkuar vetëm për Serbinë.“[21]
Lojën “me tre çibrita“ që ka bërë Vuçiqi me Thaçin dhe Ramën në dëm të territoreve të Kosovës ai ia shpërfaq publikut me humor:
“Bisedimet që kisha në Davos me Hashim Thaçin dhe Edi Ramën nuk ishin të lehta… Me rëndësi është që të mos e humbim atë që nuk guxojmë ta humbim, dhe të humbim vetëm atë që jemi të detyruar… ose atë që nuk na takon.“[22]
Në allishverishet me Serbinë, si duket, Edi Rama ka shkuar edhe më larg. Sepse në mbledhjen, më shumë se teatrale, të të dyja qeverive në Pejë, më 26 nëntor 2018, ai shpalosi idenë se: “Marrëdhënia jonë me Serbinë është strategjike dhe afatgjatë. Shqipëria është e vendosur të ndërtojë një partneritet strategjik me Serbinë.“
Për marren e tyre, askush nga të pranishmit nuk i kërkoi sqarime Edi Ramës, se cili institucion shtetëror dhe kur kishte vendosur për këtë orientim strategjik të politikës shqiptare? Për më tepër kur dihet se marrëdhëniet në mes dy vendeve vuajnë në çdo pikëpamje nga pabarazia dhe mungesa e reciprocitetit elementar.
Këtë lojë të tejdukshme me liderët e pagdhendur shqiptarë, Vozhdi i gjatë e arriti edhe falë rrethanave të reja gjeopolitike, duke luajtur me mjeshtri kartën shumëfytyrëshe në marrëdhëniet e acaruara të Perëndimit me Rusinë, një imitim i politikës dikur të leverdishme të Titos.
Telashet me ndërkombëtarët, kur përpiqej t’ua shiste goglat për arra, Vuçiqi i shpjegon në mënyrë prozaike “… e pyeta shefin e diplomacisë gjermane si të dalë para serbëve dhe t’u them se nuk ka asgjë prej Kosove dhe se këtë ma kanë thënë miqtë tanë? Dhe të gjithë serbët të marrin fërteret dhe të më mëshojnë kokës?“[23]
Gazetari i njohur Andrej Ivanji shpjegon mirë taktikën e Vozhdit : “Thelbi i politikës së Vuçiqit është që Perëndimit dhe rajonit t’ua përcjellë të njëjtin mesazh: në njërën dorë kam shkrepsen dhe këtij rajoni jostabil mund t’i vë zjarrin kur të dua; njëkohësisht në dorën tjetër kam aparatin zjarrfikës dhe jam i gatshëm që zjarrin që kam ndezur vetë ta fik lehtësisht. Ju takon juve të zgjidhni.“[24]
Gjatë një manovre ushtarake, jo larg kufirit me Kosovën, në Pasuljanske livade (Livadhet e Pasulit), Vozhdi rrahte gjoksin se: “Asnjë vend në rajon nuk mund të krahasohet me ushtrinë e Serbisë… ne dhe hungarezët jemi si baraz. Të tjerët janë larg prapa nesh.“[25]
Njëri prej analistëve më të mirë të rajonit, Vladimir Gligorov, kërcënimin e Vozhdit e deshifron saktësisht: “Ushtria është mjeti, ushtria e pajisur mirë është mjet më bindës, e qëllimi cili është, të mbrohet vendi. Por nga kush saktësisht? Në mënyrë që përmes kërcënimit t’i kushtëzojmë të tjerët për të bërë lëshime? Cilët saktësisht. Nëse nuk ka përgjigje në pyetjen për qëllimin, atëherë fjala është për para të hedhura kot…“[26]
Kur strategjia për copëtimin e Kosovës u kundërshtua me këmbëngulje gjithandej ndër shqiptarë po edhe nga shumë serbë, më 24 shtator 2018, para Këshillit të përgjithshëm të Partisë së tij, Vozhdi i gjatë vajtoi:
“Politika ime që Serbia të ruajë shumëçka në Kosovë ka pësuar disfatë. Serbët duan t’i humbin të gjitha. Më shumë preferojnë të qajnë për diçka që do të mbetet larg se sa për diçka që e kanë në duar.“[27]
Dhe vazhdon të vajtojë:
“Patëm rastin të fitojmë më shumë se zakonisht, por serbët thanë se këtë nuk e duan.“[28]
Por kjo është vetëm lojë, nga ato që i thoshte D. Qosiq se “…rrena është interes shtetëror serb…“, sepse burime të besueshme pohojnë se Thaçi-Vuçiq, me dijen e Ramës, që në muajin shtator 2018 kanë ravijëzuar një marrëveshje për copëtimin e Kosovës. Vetëm po presin momentin e volitshëm që, nëse ia arrijnë, t’ia imponojnë popullit të Kosovës copëtimin e vendit, duke vënë kështu shqiptarët para një akti të kryer tradhtie.
Ministri i Jashtëm serb, Daçiq, ditë më parë, në një intervistë pohoi: “Nëse para dhjetë vjetësh do të vepronim kështu do të ishim në gjendje shumë më të mirë. Jam i bindur se deri tash problemi i Kosovës do të ishte zgjidhur.“[29]
Burime të besueshme pohojnë se katër vjetët e fundit Serbia për veprime që lidhen me zgjidhjen e çështjes së Kosovës ka shpenzuar rreth 600 milionë euro. Kjo nuk ka të bëjë fare me financimin e strukturave të saj apo të popullsisë serbe në Kosovë. Se a bëjnë pjesë në këtë shumë edhe 39 milionë euro që shpenzoi Serbia për pengimin e Kosovës të bëhet pjesë e Interpolit, nuk e di, sikundër që nuk e di se ku ka përfunduar ajo shumë kolosale parash; në xhepa të disa shqiptarëve, në xhepa të disa ‘ndërkombëtarëve’ apo në xhepat e të dyja palëve bashkë. Ajo që dihet është se çështja e Kosovës, që ishte një kapitull i mbyllur, sërish u nxor në pazarin e madh si çështje e pazgjidhur.
Hashim Thaçi: Mirësevini, bukë e territor sa te doni…
Edhe Hashim Thaçi, në takatin e tij, ka kontribuar në këtë drejtim, sepse me paratë e buxhetit skamnor të Kosovës, ka paguar lobistë për t’u mbështetur nga qendrat vendimmarrëse marrëveshja e tij me Vuçiqin.
Veç kësaj, ai ka harxhuar shuma kolosale të parave të taksapaguesve për të botuar jashtë librat e tij për marre, ku, paturpësisht, sakrificat e disa brezave për liri përpiqet t’i përvetësojë si kusar.
Keqpërdorimi i serbëve të Kosovës
Serbët e Kosovës qe një shekull e gjysmë janë objekt i yshtjes, dezinformimit dhe manipulimit të paskrupullt nga Beogradi. Kjo veprimtari diversive kundër tyre është intensifikuar sidomos këto katër dekadat e fundit.
Zakonisht votat e serbëve të Kosovës përdoren për sajimin e strukturave të cilat veprojnë jo sipas interesave të serbëve lokalë, por sipas diktatit të Beogradit, siç është e ashtuquajtura Listë Serbe.
Se si përdoren votat më së miri e shpjegon gazetari kosovar, Darko Dimitrijeviq: “… në zgjedhjet e fundit që janë mbajtur në Kosovë, në Osojan (vendbanim serb, afër Istogut) kanë votuar 38 zgjedhës, ndërsa 1.700 nga Kraljeva, Kragujevci etj. (qytete në Serbi, ku banojnë shumë serbë me origjinë nga Kosova), prej tyre 60% janë të vdekur. E kam parë listën me sytë e mi.“[30]
Prej ardhjes në pushtet, Vozhdi i gjatë u drejtohet, gati për çdo ditë, serbëve të Kosovës me mesazhe kundërthënëse e keqdashëse. Dhe nuk është ndalur me kaq, sepse në kulmin e bisedimeve të fshehta për copëtimin e Kosovës, kur Vuçiqit iu kundërvu vendosmërisht edhe njëri prej liderëve më të spikatur serbo-kosovar, Oliver Ivanoviq, këtë e vranë mizorisht para zyrës së vet. Burime serioze konfirmojnë se këtë vrasje, dhe jo vetëm këtë, e kanë kryer strukturat mafioze të lidhura me shtetin serb.
Paraprakisht, Ivanoviqi ishte demonizuar nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vozhdit dhe mediave që ky i kontrollon plotësisht, duke u shpallur njeri i lig e vegël e Prishtinës.
Prandaj, disa ditë para se të vritej, Ivanoviqi kishte takuar Vuçiqin dhe krerët e BIA-s (shërbimi sekret serb) dhe kishte kërkuar ndihmën e tyre për shkak se e kërcënonte me jetë, nënkryetari i partisë së Vuçiqit në Kosovë (Lista Serbe), mafiozi famëkeq, Milan Radoiçiq.
Një vit para se të vritej, Oliver Ivanoviq, u deklaroi mediave se “…fushata që po bëhet për zgjedhjet lokale në Kosovë, thënë më së buti është e çuditshme dhe se tash serbët po frikësohen prej serbëve më shumë se që janë frikësuar nga shqiptarët radikalë në vitet 1999, 2004 dhe 2008.“[31]
Në tubimin e fundit javor në Beograd (12 janar 2019), ku po marrin pjesë nga disa dhjetëra mijëra kundërshtarë të regjimit, Rada Trajkoviq, njëra prej liderëve të njohur të serbëve të Kosovës deklaroi:
“Na e vranë Oliverin, më të mirin prej nesh. Kanë menduar se vrasja e Oliverit do të promovonte si krejt të pamundur bashkëjetesën e serbëve dhe shqiptarëve, në mënyrë që përkufizimi (ndarja territoriale) të imponohet si ardhmëri. Ai edhe i vdekur i sfidoi, sepse në rrugëtimin e tij të fundit e përcollën edhe fqinjët e tij shqiptarë, të cilët shprehën keqardhje për vrasjen e fqinjit të tyre, dhe kështu plani i Vuçiqit dhe Thaçit (për ndarjen e Kosovës, shënim i autorit) u bë një plan i parealizueshëm“.
“Ne, serbët (e Kosovës) nuk po kërkojmë shumë. Po kërkojmë që serbët të mos frikësohen prej serbëve. E prej që Vuçiqi ka ardhur në pushtet, ne (serbët) po frikësohemi prej serbëve.“[32]
Vozhdi i gjatë ua fut frikën në palcë serbëve të Kosovës edhe duke gënjyer sy ndër sy. Në kohën e acarimit të gjendjes pas aplikimit të taksave doganore, ai në një tubim me serbët e Kosovës deklaroi: “Kemi informata për lëvizjen e trupave shqiptare nga baza e Belvedereve dhe Vrella… Ndoshta po shkojnë për të kontrolluar Liqenin (e Gazivodës), për t’i treguar muskujt dhe për të penguar ndonjë import mallrash“.
Ndërkaq zëdhënësi i KFOR-it deklaronte krejt të kundërtën: “…Nuk po ndodh asgjë. Nuk ka pasur kurrfarë lëvizjeje të trupave të FSK-së drejt veriut… nuk ka asnjë arsye për shqetësim.“[33]
Për këtë klimë të krijuar artificialisht flet me shqetësim edhe ish-ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, përndryshe banor i Leposaviqit: “Ajo që s’më pëlqen është pompimi medial që shpërndahet live. Tërë ditën emetohen emisione speciale, në të cilat të intervistuar të ndryshëm me përgjigjet, demagogjinë dhe rrenat e tyre i shqetësojnë serbët në Kosovë. Nuk e di pse krejt kjo. Kanë ndodhur gjëra shumë të rënda, por nuk kishte emetime mediale live. Duhet informuar qytetarët, por jo kështu…“[34]
Pas vendimit për formimin e Ushtrisë së Kosovës, Vuçiqi luante teatër me serbët e Kosovës, thua se ata nuk e dinë se KFOR-i nuk lejon të rrezikohet prej askujt siguria e tyre:
“Mos u shqetësoni. Në çdo përpjekje për sulm ndaj jush, Serbia do të ketë forcë për t’ju mbrojtur… Ne mbrapa nuk mundemi më, s’kemi ku. Mos mendoni se do ta pranojmë dhe me mirësjellje të kënaqemi me vetëshkatërrimin tonë.“[35]
Në këtë lojë të madhe, Vozhdi i gjatë ka mobilizuar sidomos mediat serbe. Vitin që lamë pas, ta zëmë, vetëm në tabloidët mercenarë “Informer“ e “Srpski telegraf“ në kryetitujt e faqeve të para 265 herë paralajmërohen luftërat dhe konfliktet kundër kroatëve e shqiptarëve në radhë të parë.“[36]
Në njërën anë Vuçiqi ndez zjarrin dhe menjëherë pastaj merr rolin e zjarrfikësit. Shembulli më i mirë është treni laran rus, që Kosova e ndali në kufi:
“Një pjesë e mirë e serbëve hidhërohen pse nuk e çuam trenin deri në Mitrovicë. Ne mund ta bënim këtë, por do të kishte të vdekur në të dyja anët… “ [37]
Kjo politike e tejdukshme meskine dhe e paskrupullt, që ka për synim të realizojë objektiva strategjike serbomëdha, ka irrituar edhe shumë serbë. Fjalët që do të duhej t’ia thoshin në takimet e tyre të shpeshta Vozhdit të gjatë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa ose Edi Rama, ia tha regjisori, çedomir Petroviq, serb me prejardhje nga Prishtina, deri tash mbështetës i Vozhdit të gjatë, i cili, në një letër që ia drejtoi, para disa javësh, kryetarit të tij, i thotë troç:
“Besimi im në ju ishte pjellë e dëshirës sime dëshpëruese që të shfaqet dikush pas kaq vitesh dhe me ndryshimin e vet ta ndryshojë edhe Serbinë.
Na mashtruat dhe na zhgënjyet. Kemi humbur në mënyrë të pakthyeshme shumë vjet, falë politikës tuaj të gabueshme e të luhatshme duke shtyrë kohën, e cila kurrsesi nuk punonte për ne“.
“Kemi kryer krime të tmerrshme ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Forcat policore serbe gjatë viteve 1998 e 1999 kanë kryer masakra, shkatërrime, helmime, të puseve të ujit, përdhunime, plaçkitje, vrasje të civilëve… Ushtria dhe policia.. të kontrolluara nga maja e shtetit kanë dëbuar nga Kosova 700 mijë shqiptarë të Kosovës.
Milosheviqi ka urdhëruar që të gjitha kufomat në Kosovë që do të mund të ishin objekt interesimi për Gjykatën e Hagës duhej të fshiheshin.
Në furrat e Trepçës janë djegur 1500 kufoma.
Nga thellësitë e Danubit të ftohtë janë dalë në sipërfaqe frigoriferët me trupa të grave dhe fëmijëve shqiptarë.
Gjithandej nëpër Serbi, në poligonet e policisë ka varreza masive.“[38]
Në vend se me fakte të tilla t’ia mbyllte gojën Vozhdit dhe Daçiqit, kur këta, duke ia treguar këndin e dosjeve të trasha me paudhësi, i kanë kërkuar copëtimin e Kosovës, Hashim Thaçi, i zënë pisk vetëm ka pëshpëritur : “… hesht se na dëgjojnë të tjerët… !“[39]
Komunikimi diabolik, herë prush e herë akull
Prej që ka ardhur në pushtet, gati për çdo ditë, Vuçiqi komunikon intensivisht me opinionin, përmes intervistave dhe deklaratave të ndryshme. Kryetemë ishte dhe vazhdon të jetë Kosova. Për të Kosova është : “…ankth i natës, është brenga më e madhe, me të cilën bie dhe zgjohem, ani se flej pak. Kosova është brenga ime më e madhe, sepse e di se sa shumë jemi përpjekur për ta ruajtur stabilitetin…“[40]
“Kosova ma han shpirtin. Pa zgjidhjen e këtij problemi çdo gjë që kam arritur nuk do të jetë e qëndrueshme. Kriza e parë do të na mbysë.“[41]
Në këtë temë me kërrabëzën e verbit, Vuçiqi përthur luftën, paqen, shpresën, lutjen, kërcënimin, inatin, zhgënjimin… Tamam teatër:
Deklaratave të pamend të parisë së Kosovës për Nishin etj., ai u përgjigjet me ironi: “Mirë, ata janë të fortë e të mëdhenj, ne, serbët, të vegjël e të pafuqishëm. Ndoshta do të mbërrijnë deri të Smederevska Palanka (qytet afër Beogradit), ta shohim…“[42]
Sipas Snjezhana Milivojeviq, eksperte e mediave, “…Vuçiq është një orator mesatar… ai përhap frikë rreth vetës… dhe dëshiron të krijojë bindjen se ai natë e ditë kujdeset për Serbinë… Sillet si pater familias i krejt kombit, kujdeset jo vetëm për njërin por për të gjithë serbët… Mendoj se ai ka një ide të fiksuar se ai duhet të jetë shpëtimtari i Serbisë… për të është tmerrësisht e rëndësishme që mu ai ta zgjidhë çështjen e Kosovës dhe ashtu të hyjë në histori…“[43]
Në një analizë të gjatë, të publikuar në NSPM (Nova srpska politicka misao) me titull “Silovanje Srbije“ (Përdhunimi i Serbisë) dhe nëntitull “Aleksandër Vuçiq në faqet e para të gazetave të përditshme“ konstatohet se:
“Si mediet e tjera, edhe gazetat e përditshme pandërprerë dhe me këmbëngulje formësojnë fotografinë e kryetarit si hero dhe martir, prijës dhe shpëtimtar i kombit, të gatshëm në sakrifica për të mirën e vendit dhe të popullit si model i lehtëpranueshëm për opinionin e brendshëm.“[44]
Shpeshherë edhe kur gjendja është krejt e qetë, Vozhdi ankohet pa asnjë shkak: “Jemi në gjendje të rëndë, po rrëmihin me këmbë e me duar… “ Me ata që rrëmihin ai mendon në Perëndimin, në shqiptarët dhe në opozitën.
Ose: “Shtrohet pyetja si do t’ia bëjmë nëse shpërthen ndonjë konflikt, prandaj vazhdimisht kam kërkuar ta gjejmë një kompromis. Ishte kjo lufta ime e Davidit me Golijatin, i cili quhet krejt Perëndimi me shqiptarët. Po luftoj që të fitojmë diçka për Serbinë dhe popullin serb, nuk isha afër asaj që të fitojmë diçka, por disa filluan të na dëgjojnë… Për shqiptarët Amerika është edhe nënë edhe baba, të tjerët janë halla dhe teze, Anglia, Franca, Gjermania.“
“Ne po përpiqemi, kemi mbështetjen e Kinës, Rusisë dhe disa vendeve. Por a mjafton kjo? Pozita jonë është e vështirë, po përpiqemi të mbahemi në fushë, që të paktën të kemi remi.“[45]
Përderisa me të huajt Vuçiqi përdor një fjalor shumë të përzgjedhur, me opozitën ai sillet si karrocier, duke i quajtur liderët e saj me të gjithë emrat: kafshë, hajdutë, tradhtarë, të pabesë, plaçkitës e çka mos tjetër. Njohësit e mirë të gjendjes në Serbi pajtohen se mediat, por edhe klima politike në Serbi nuk dallojnë shumë nga ajo e viteve të luftës (1991 – 1999).
Si pasojë e kësaj gjendjeje, ka dy muaj që në Beograd ka manifestime të rregullta. Shëtitësit, apo manifestuesit, që po shtohen vazhdimisht ditë më parë iu drejtuan Vozhdit me një letër të hapur.
“Po të drejtohemi drejtpërdrejt Ty, sepse ti je redaktori i të gjitha mediave. Sepse ti dëshiron të kesh njerëz-objekte e jo qytetarë.
Të gjithë ata që guxojnë ta thonë mendimin e tyre, trajtohen si armiq dhe duhet kredhur në baltën e “tabloidëve“… Dikur armiq ishin Slavko Quruvija e Oliver Ivanoviq, ndërsa tash të gjithë jemi bërë armiq dhe objekt i sulmeve tuaja.“[46]
Më 25 nëntor 2018 në një tubim përkujtues, në Vojvodinë, Vozhdi i gjatë u drejtohet kundërshtarëve sidomos:
“E keni kuptuar se Serbia sot është nën presion nga anë të ndryshme, dhe zogj të ndryshëm të zinj kanë mësyrë të çukatin çdo gjë që munden nëpër Serbinë tonë të bukur, por Serbia e di se ani se nuk jemi më të mëdhenjtë as në mesin e të mëdhenjve askush nuk ka mundur ta gjunjëzojë e nuk do t’ia arrijnë as ata që po përpiqen sot…“[47]
Në forumin e liderëve të Ballkanit me BE-në, në Tiranë, më 28 maj 2015, Vuçiqi iu drejtua përfaqësuesit të BE-së pa dorashka, lërini përrallat se: “Jemi lodhur me seminare, neve na duhen paratë…“[48]
Vozhdi i gjatë është ekspert për shndërrimin e tezave. Para se zyrtarizohej formimi i ushtrisë së Kosovës, ai takoi ambasadorët e Kinës dhe Rusisë në Beograd dhe i alarmoi se “Sjellja e Prishtinës mund të çojë deri te katastrofa, qëllimi i tyre është përzënia e popullit serb…“
“Serbia me asgjë nuk po shkakton destabilizim, por me provokacionet e përhershme do të vihemi para një situate pa rrugëdalje (deri të domosdoshme) për të mbrojtur popullin serb në Kosovë e Metohi. Serbia nuk guxon të lejojë ndjekjen e popullit të vet…“ [49]
Ndërsa vetëm pas dy ditësh :
“Shpresoj se do ta ruajmë paqen, Serbia do të japë çdo gjë nga vetja. Jam i bindur se do të kemi paqe, që s’do të ketë luftë, por nuk do të lejojmë përzënien e njerëzve tanë prej aty ku ata jetojnë… Gjithnjë do të bisedojmë për t’i zgjidhur problemet në mënyrë paqësore…“[50]
“Ata janë shumë të fortë dhe Serbia nuk është ajo që (mund) t’ia ndërrojë mendjen SHBA-së. Ne s’kemi çka të bëjmë tjetër, me shpatulla për muri jemi, duhet të ruhemi dhe të mbrohemi…“[51]
Vendimi për formimin e ushtrisë së Kosovës i shqetësoi së tepërmi autoritetet dhe opinionin serb gjithandej. Dhe nuk është çudi, sepse në shumicën e luftërave që i ka bërë Serbia, ajo zakonisht është përballur me civil ose me çeta të keqorganizuara e pa armë.
Lufta në Kroaci dhe BeH e ka dëshmuar se kudo ku ushtria serbe kishte përballë njësi ushtarake të udhëhequra nga oficerë profesionistë edhe sado të pakta në numër, megjithatë e ka humbur çdo betejë. Një shembull i mirë është Korpusi i pestë i Ushtrisë boshnjake i udhëhequr nga gjenerali Dudakoviq, i cili u ka shkaktuar forcave serbe humbje të pariparueshme.
Prandaj Vozhdi i gjatë flet me kaq shqetësim:
“Kosova e Metohia është makth i madh për ne, sidomos për shkak të potezit të Prishtinës për formimin e ushtrisë, që nuk mbështetet as në të drejtën (ndërkombëtare) e as në Rezolutën 1244. Është detyrë e Kforit që ta shformojë ushtrinë. Por ata nuk do ta bëjnë këtë, do të thonë se çdo gjë ka ndryshuar prej që (shqiptarët) e kanë shpallur Pavarësinë.“
“Mos e poshtroni Serbinë dhe popullin serb, sepse këtë nuk do ta lejojnë as Serbia e as populli serb.“[52]
“Shqiptarët dhe sponsorët e tyre amerikanë kishin vetëm një qëllim – ta shkelin Serbinë në kuptimin politik dhe të nëpërkëmbin vlerat e saj, në mënyrë që Serbia të mos mund të ngritet…“[53]
“Mirëpo Serbia ka fytyrë, krenari, dinjitet, shtetësi dhe popullin e saj krenar. Jam krenar me popullin tonë në Kosovë e Metohi, në ata njerëz që, si përgjigje ndaj atyre që kanë renditur gjithandej flamurin amerikan, ngritën flamurin e Serbisë nëpër rrugë dhe nëpër shtëpitë e tyre… e jo si ata që s’kanë me se të krenohen por shpalosin flamurin e huaj për të treguar se sa të fortë janë…“[54]
Duke analizuar makiavelizmin e Vozhdit të gjatë, m’u kujtua për dreq, një thënie e Martin Luterit, e shkruar këtu 500 vjet më parë për serbët, për të cilët kishte një urrejtje të madhe, ndoshta sepse mund të ketë takuar ndokund Vuçiqin e parë…:
“Serbët janë populli më i lig i të gjithë popujve, ai është popull i malokëve dhe i hajdutëve…“[55]
Një ditë pasi kishin marrë ai dhe Thaçi letrën nga presidenti amerikan, Vuçiqi paralajmëron opinionin se: “Zgjidhja në raportet Beograd-Prishtinë nuk është afër. Druaj se do të ketë zgjidhje të keqe për ne…“ dhe se për këtë letër do të fliste me Putinin.[56]
Kulmi i këngës së përvajshme të Vozhdit të gjatë, gjithsesi ishte fjalimi tij në Këshillin e Sigurimit, më 17 dhjetor 2018:
“Numrat tregojnë se serbët nuk kanë kryer pastrime etnike, sepse dikur në Kosovë ishin 220.000, ndërsa sot kanë mbetur vetëm 106.000…
I kemi përgjëruar të mos kandidojnë për anëtar të Interpolit, UNESCO-s, ENTSO-E. Ata llogarisnin në mbështetjen e SHBA-së dhe shumë shteteve evropiane, duke shpresuar se do të fitojnë. Në rundin e parë kishin më pak se 50% të votave. E pastaj filluan ta akuzojnë Serbinë, sikur ishte faji ynë…“
“Me taksat e tyre ata kanë rrezikuar krejt popullsinë serbe në Kosovë…, a mund ta merrni me mend që dikush, në shekullin XXI, ndalon dhe pengon qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve… ? “
Ne i kemi respektuar të gjitha që burojnë nga marrëveshja, ndërsa (shqiptarët) qe 2070 ditë nuk e kanë zbatuar dhe as që ka ndërmend të zbatojnë detyrimin për formimin e Bashkësisë së komunave serbe.“
“Dëshiroj të them se Serbia ka bërë shumë përpjekje e derdhur shumë mund që të vendoset paqja e stabiliteti gjithandej në Ballkanin Perëndimor. Kemi bërë çdo gjë që të përmbahemi e të mos përgjigjemi në provokime të ndryshme që vinin nga Prishtina…
Më duhet të them se jam tepër i shqetësuar, madje nga pak edhe i frikësuar për të ardhmen jo vetëm të popullit tim dhe shtetit tonë, Serbisë, por për krejt rajonin…“
“Duhet të jemi ne fajtor në mënyrë që dikush ta arsyetojë politikën e vet të gabuar.“[57]
Në këtë fjalim pervers Vozhdit të gjatë do t’ia kishte zili edhe mentori i tij i ndjerë, Dobrica Qosiq, i cili thoshte se “Serbët shumë herë gjatë historisë i ka shpëtuar gënjeshtra…“
Vuçiq, sa herë ka nevojë për ta zhvendosur vëmendjen e atyre që e dëgjojnë u kthehet dyshuesve në llogoret e tij politike, por të shumtën e rasteve opozitës, siç bën edhe në kongresin e partisë socialiste të Daçiqit:
“T’i pyes sot anëtarët tuaj e të mitë dhe funksionarët (partiakë), cili është kompromisi (për Kosovën) me të cilin ju do të ishit të kënaqur, askush nga ju nuk do të më përgjigjeni. Ne, serbët kënaqemi vetëm kur e fitojmë maksimumin.“
“Lërini përrallat e tuajve e të mive se krejt (Kosova) ishte e jona. Asgjë nuk ishte e jona. E kanë vënë kufirin në mes Serbisë qendrore dhe Kosovës në Jarinjë dhe në Bërnjak. Krejt ua kanë dhënë. Më 2010, ua kanë dhënë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se deklarata e tyre (e Pavarësisë) nuk ishte akt ilegal. Ky është turpi më i madh që i ia kemi bërë vetës. Dhe sot kjo është e vetmja gjë rreth të cilës po përpiqen ekspertët tanë dhe nuk po mund ta mbrojmë.“
Dhe, ashtu si në Gazivodë, edhe kësaj radhe glorifikon kasapin e Ballkanit :
“E di se gjithnjë do ta duani më shumë Milosheviqin se mua, ndoshta edhe më shumë se Daçiqin, por sot rezultatet janë më të mira se atëherë, pra edhe për këtë çështje (të Kosovës).“[58]
Në një letër të peshkopit të Kosovës, Teodosije, përmes së cilës kleriku i lartë kundërshtonte ndarjen e Kosovës, Vuçiq përgjigjet me hungërim:
“Nuk doni përkufizim me shqiptarët? S’ka problem, thoni njerëzve që të jenë të gatshëm ta mbrojmë Vranjën (qytet në kufi me Kosovën Lindore) për 40 vjet. A vërtet mendoni se qysh tash njerëzit tanë nuk po shpërngulen prej atje?“[59]
Vozhdi nuk vajton vetëm për Kosovën, por edhe për Malin e Zi: “Ne e kemi humbur Kosovën më 2008, sepse i kishim në pushtet dy persona që garonin në Beograd se cili do të pëlqehet më shumë nga të huajt… Edhe më 2006 kishim pushtetarë të paaftë kur e humbëm Malin e Zi…“[60]
Prandaj ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Drmanoviq, shpreh shqetësimin se:
“…Vuçiqi po i acaron marrëdhëniet me fqinjët… Acarimi i marrëdhënieve gati me të gjithë fqinjët nuk i sjell asgjë të mirë as vetë Serbisë.“[61]
Ndërsa ambasadori i Sllovenisë në NATO, Kacin, dikur europarlamentar i ngarkuar për Ballkanin deklaroi:
“Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, krejt do të varet nga ajo se a do të përcaktohet A. Vuçiqi për të ardhmen e Serbisë apo të gjitha vendet e rajonit do të mbeten peng i kthimit të tij në të kaluarën dhe në mitologji.“[62]
Ish-ministri kroat i Punëve të Jashtme, Davor Stier, në një analizë serioze për politikën serbe rezonon kështu :
“Ajo u përshtatet rrethanave të reja, por në substancë mbetet në gjurmët e Naçertanies së Garashaninit të shekullit XIX.“
Stier shpreh shqetësimin e tij të ligjshëm për qëllimet strategjike të Serbisë për ta shtrirë ndikimin në hapësirat e ish-You-së si dhe për sjelljen e papërgjegjshme të disa shteteve evropiane : “…kjo alternativë e logjikës së sferave të interesit ka bërë që për disa kryeqytete të BE-së më e kapshme është të mbështesin apo të tolerojnë Vuçiqin sesa të lejojnë që këto hapësira t’ua lënë lojtarëve më të mëdhenj, Moskës ose Ankarasë…“[63]
Përfundim
Vozhdi i gjatë, nganjëherë di edhe të befasojë me gjoja çiltërinë e tij, siç është rasti kur, më 29 dhjetor 2013, denoncoi krimin e shëmtuar të shërbimeve serbe, të cilat më, 14 dhjetor 1998, në Pejë, në kafenë “Panda“, që frekuentohej ekskluzivisht nga serbët, vranë mizorisht 6 të rinj serbë dhe plagosën shumë të tjerë. Me qëllim që të fajësonin shqiptarët.
Por ai nuk ndërmori asnjë hap për t’u zbardhur ky krim i shëmtuar dhe për t’i nxjerrë kriminelët para drejtësisë, përkundër premtimeve që, disa herë, u kishte dhënë familjeve të viktimave.
Në të njëjtën mënyrë është sjellë edhe me vrasjen mizore të vëllezërve Bytyqi (korrik 1999), sepse përkundër kërkesave të vazhdueshme të Washingtonit, kriminelët, megjithatë ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë…
Pavarësisht aftësive dribluese, energjisë dhe këmbënguljes, Vuçiq, megjithatë mbetët një politikan tipik ballkanik:
“E dua shumë gruan dhe për asgjë në botë nuk do ta ndërroja. Thjesht e adhuroj. Si person është e matur dhe e përmbajtur. Asnjëherë nuk më pyet se ku po shkoj dhe kur do të kthehem. Ajo nuk shkon askund pa fëmijët dhe burrin e saj. Me shoqet shkon për kafe kur unë konsideroj se është fjala për një datë të përshtatshme… “ [64]
Megjithatë, katër vjet më vonë ai e la këtë grua dhe e mori një tjetër, më të re. Por, fundja, kjo është çështje e tij private.
Ajo që nuk është çështje e tij private, sepse dëmton themelshëm interesat jetike të një populli, është se Vuçiq, falë mirëfunksionimit të organeve shtetërore serbe, shërbimeve sekrete sidomos, këmbënguljes së tij (Ai ia ka arritur që edhe një Angela Merkel ta bindë për t’i shikuar hartat, thoshte këshilltarja e tij, natyrisht, hartat për copëtimin e Kosovës…) pa përjashtuar këtu edhe lumin e parave, arriti që çështjen e Kosovës, që megjithatë ishte një çështje e mbyllur, ta nxjerrë sërish në tavolinën ndërkombëtare si çështje të hapur.
E nxori në një kohë kur rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar shumë dhe, mjerisht në disfavor të shqiptarëve.
Vuçiqi ia arriti kësaj, falë pushtetarëve të pagdhendur e të pamoralshëm të Kosovës, që është dëshmia më e qartë se sa të rrezikshme janë elitat e sajuara. Por edhe falë faktit se Shqipëria, fatkeqësisht, edhe pas një shekulli shtet, nuk arrin t’i mbrojë as interesat e veta strategjike e të mos flasim për interesat e kombit shqiptar.
Pallavrat e Edi Ramës se copëtimi i Kosovës do të mundësojë bashkimin kombëtar është një demagogji e shëmtuar që nuk do të duhej t’i lejonte vetës as Shukri Xhelili i ‘famshëm’…
Por të jemi me këmbë në tokë. Ky shtetrrënim i Kosovës para së gjithash është meritë e Hashim Thaçit, sepse ky, për të shpëtuar lëkurën e tij, në negociatat me Serbinë, luajti dhe po vazhdon të luajë rolin e Kalit të Trojës.
Thaçi përmes lidhjeve të tij, përfshirë dhe një mantenutë të kahershme, dhe me paratë e buxhetit të Kosovës, ka lobuar gjithandej që aleatët e Kosovës ta pranojnë si të mirëqenë Marrëveshjen e tij me Vuçiqin. Rezultat i kësaj veprimtarie duhet të jetë edhe letra e Boltonit drejtuar qeverisë së Kosovës, ku, në mënyrë ultimative kërkohet prej saj t’i heqë taksat kaherë të meritueshme doganore ndaj Serbisë.
Në të njëjtën mënyrë nesër do t’i kërkohet qeverisë heqja dorë nga qëndrimi kundër ndarjes së vendit e pastaj, edhe miratimin e nënshkrimit të Marrëveshjes Thaçi-Rama-Vuçiq për copëtimin e Kosovës.
Të njëjtën gjë Thaçi e ka bërë edhe gjatë negociatave për demarkacionin me Malin e Zi, kur, përmes kanaleve të tij, kërkoi nga BE që Kosovën ta kushtëzojë me liberalizimin e vizave derisa populli ta pranojë demarkacionin e imponuar.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Predrag Popoviq, “Moralni portret Aleksandra Vuçiqa”, Beograd 2011
Aty
Predrag Popoviq, “Moralni portret Aleksandra Vuçiqa”, Beograd 2011
Aty
Aty
Aty
Aty
Aty
Aty
“Kako bi srpski radikali razresili Kosovsko Metohijske pitanje“, ‘Velika Srbija’, tetor 1995
NYT, 04. 05. 1994
Predrag Popoviq, “Moralni portret Aleksandra Vuçiqa”, Beograd 2011
Aty
Aty
Aty
https://www.espreso.rs/autor/313/sasa-m-stajic
https://www.espreso.rs/autor/313/sasa-m-stajic
https://www.youtube.com/watch?v=ttXM8pVHhWc, minuti 10 :50
Pravda, 14 janar 2018
B92, 1 mars 2018.
Andrej Ivanji, intervistë te ‘Avangarda’, 28. 11. 2018
Blic, 10.11.2018
Vladimir Gligorov, Beta, 8. 01. 2019
B92, 15.10.2018. | 13:57
Blic, 6. 12. 2018
Blic, 9 janar 2019
Në Lëbushë të Deçanit me nderime të larta varroset Mr.Sc. Rexhë Sadriaj, edukator i shumë brezave në shkollat e Kosovës
Sot, në varrezat e fshatit Lëbushë të komunës së Deçanit, me nderime të larta është varrosur Mr.Sc.Rexhë Sadriaj, edukator i shumë brezave në shkollat e Prishtinës, Pejës dhe Deçanit.
Në nderim të jetës dhe veprës së tij në Amfiteatrin e Kuvendit Komunal të Deçanit, është organizuar mbledhje komemorative.
Me këtë rast familjarëve, kolegëve, nxënësve dhe miqve të shumtë të tij, me pikëllim e dhembje u është drejtuar z. Bashkim Ramosaj, kryetar i komunës së Deçanit.
Ai ka dhënë se Mr.Sc. Rexhë Sadriaj, profesor shumëvjeçar i lëndës së biologjisë dhe ish-drejtor në vitet më të vështira i Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit, do të kujtohet si njëri nga mësimdhënësit më të përgatitur dhe më të përkushtuar, jo vetëm në Dukagjin, por edhe më gjerë.
Rexhë Sadriaj, pas përfundimit të studimeve me sukses të shkëlqyeshëm në FSHMN, dega Biologji të Universitetit të Kosovës, regjistrohet në shkallën e tretë të studimeve në Zagreb të Kroacisë.
Ai në këtë Universitet specializohet në afatin e paraparë dhe merr gradën shkencore Magjistër i mikrobiologjisë.
Rexha punën prej edukatori dhe pedagogu e kreu me shumë dashuri. Andaj, lajmin mbi vdekjen e tij, të papritur përveç familjarëve dhe farefisit e kanë pritur me dhembje e lot, ish- kolegë e nxënës të shkollave në Deçan, Prishtinë e Pejë.
Familja Sadriaj gjatë ditës së sotme ka pranuar qindra telegrame ngushëllimi nga mbarë Kosova dhe Diaspora.
Telegrame ngushëllimi familjes Sadriaj, i kanë ardhur edhe nga Berati e Tirana, ku Rexha ka pasur miq të shumtë të të vëllait Ymer Sadriaj, i cili pas zullumit të madh serbë herët pati ikur në Shqipëri.
Zvicra është një pikëtakim i veçantë me mërgatën tonë të shkëlqyeshme. Puna dhe dedikimi i bashkatdhetarëve në këtë vend i ka dhënë një peshë të rëndësishme si rrugëtimit tonë drejt shtetndërtimit dhe zhvillimit, ashtu edhe lidhjes së Kosovës me Zvicrën. Në tubim mbrëmë, shpreha mirënjohje të thellë për kontributin që jep mërgata në forcimin e ekonomisë, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar. Duke sjellë me vete aftësi profesionale, resurse dhe ide të reja, bashkatdhetarët tanë jashtë kufijve mbeten një vlerë e shtuar për zhvillimin e Kosovës. I inkurajova që, ashtu siç po bëjnë tashmë shumë të tjerë, të kthehen dhe të jenë pjesë e transformimeve pozitive që po ndodhin. Gjithashtu, rikujtuam rëndësinë e regjistrimit për të votuar, me afatin që përfundon më 26 dhjetor. Bashkë, me përkushtim dhe vizion të qartë, do të vazhdojmë të punojmë për Kosovën që e duam.
Me guxim të pakompromis, partneritet të sinqertë dhe duar të pastra, e ndërtojmë të ardhmen së bashku!
Sot, bashkë me Kryeministrin Kurti, deputetë të Kuvendit të Kosovës, nënkryetarë e anëtarë të kryesisë së partisë, kryetarë të degëve në mërgatë, aktivistë, veprimtarë, dhe komunitetin shqiptar në Zvicër, festuam dhe bashkëbiseduam në Kreuzlingen të Zvicrës, nën frymën e unitetit dhe krenarisë kombëtare, organizuar nga dega e Partia GUXO në Zvicër.
Kosova është e bekuar me mërgatën e saj, një mërgatë unike në të gjithë botën, një mërgatë që asnjëherë nuk ka reshtur së punuari dhe kontribuari për Kosovën.
Pa mërgatën nuk do të mund ta organizonim rezistencën, pa të nuk do të mund ta mbanim arsimin, pa të nuk do të ishte çliruar Kosova, pa të nuk do të rindërtohej Kosova, pa të nuk do të vinte ndryshimi i madh i vitit 2021, e në fund të fundit, pa të, do të shndërroheshim të gjithë në diasporë.
Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, që nga ekzistimi i tij e deri në ditët e sotme në mesin e shumë ngjarjeve dhe festave tona kombëtare, pikë të veçantë të programit e ka pasur dhe do ta ketë shënimin e Përvjetorëve të Shtetit Shqiptar dhe Ditën e Flamurit.
Këtyre dy jubileve të mbarë popullit shqiptar u është shtuar edhe ditëlindja e Komandantit të papërsëritshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, që ka rastisur të jetë pikërisht në Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.
Mërgimtarët tanë me punë dhe banim në Gjenevë të Zvicrës, pavarësisht bindjeve të tyre politike dhe fetare me rastin e këtyre festave tona të veçanta përherë kanë qenë dhe janë tok me njëri- tjetrin.
Ata të veshur kuq e zi dhe si gjithmonë të hareshëm edhe kësaj radhe kanë festuar deri në orët e vona të natës. Kjo festë që pritet me padurim nga të moshuar dhe të rinj, është mbajtur në sallën e koncerteve të komunës Onex të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, dhe ka filluar me intonimin e himnit të Flamurit tonë kombëtar.
Kurse pjesën protokollare të këtij Manifestimi e ka hapur zonja, Rrezarta Sejdiu -Shatri, anëtare e Kryesisë së shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës “
Ajo nëpërmjet një studimi të përmbledhur në pika të shkurtra të pranishmit i ka njoftuar me rrjedhën e zhvillimeve historike, si dhe me aktet kryesore që kanë çuar në Pavarësinë e Shqipërisë, edhe pse të përgjysmuar.
Mbi përpjekjet shekullore të kombit tonë për Liri dhe Pavarësi ka folur edhe zonja, Floreta Kabashi, konsulle e përgjithshme e Republikës së Kosovës, në Gjenevë.
Ajo,diskutimin e saj e ka bërë edhe në gjuhën frënge me ç’ rast ka falënderuar deputet e personalitete të shumta të Gjenevës, që sonte festuan së bashku me komunitetin tonë.
Fjalë rasti kanë mbajtur edhe zonjat, Maryam Yunus Ebener dhe Carole – Anne Kast, aktiviste të njohura politike të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës . Ato me fjalët më të ngrohta kanë uruar të gjithë shqiptarët . Zonja, MaryamYunus Ebener, aktualisht kyetare e Bashkisë Onex, të gjithë të pranishmëve u është drejtuar edhe me fjalë në gjuhën shqipe, duke thënë: Urime, urime Festa juaj kombëtare! Me Ju,ishte edhe shteti im i origjinës Afganistani, që në mesin e vendeve të para të botës njohu Pavarësinë e Kosovës .
Në këtë Festë që të gjithëve na bënë krenarë ishte prezent edhe Z. Ueli Leuenberger, mik i madh i çështjes shqiptare . Leuenberger 50-vjet rresht luftoi për
Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të shqiptarëve të robëruar të Kosovës. Andaj, ai nga çdo familjeje e komunitetit shqiptar të Zvicrës, gëzon përkrahje dhe respekt.
Nxënës e nxënëse të Shkollës së Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Gjenevë, të shoqëruar nga mësueset e tyre si; Brikena Osmani, Lumnije Emini, Hana Bilalli, Hyrije Kurteshi, Fatime Bllaca dhe Antigona Haxhiu, kanë deklamuar vargje dhe kanë interpretuar këngë të ndryshme kushtuar figurave më të ndritura të kombit tonë.
Mësuese, nxënës e prindër për angazhimin dhe pjesëmarrjen në këtë program festiv i ka falënderuar z. Liburn Mehmetaj, kryetar i LAPSH-it, në Gjenevë dhe Zvicër. Mehmetaj, po ashtu në Gjykatën e Apelit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, e kryen detyrën e Gjykatësit.
Gjeneva e njohur me numrin e madh të mërgimtarëve shqiptar shquhet me talent të shumtë dhe shoqëri muzikore . Ansambli “Gëzuar “i Gjenevës, herë me ngritje e herë me rënie, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së adhuruesve të këngëve dhe valleve tona burimore.
Ky Ansambël me suksese të shumta në të kaluarën së bashku me simotrën e tij “ Rinia Contact”po ashtu të Gjenevës, sonte kanë prezantuar përpara një numri prej diku njëmijë mërgimtarësh valle të bukura të të gjitha trojeve tona.
Si rëndom me repertorin e pasur të këngëve me temë Atdhetare, këtë festë e kanë madhëruar bashkëshortët,Shpejtim dhe Afërditë Krasniqi, të plotësuar edhe nga çuni i tyre, Elion Krasniqi, një talent i rrallë në fushën e këndimit në gjuhën shqipe dhe frënge.
Kurse të ftuarit special të kësaj mbrëmje; Egzon Pireci, Ejona Bytyçi, Florentina Statovci, Bardh Ramadani,Loik Beka dhe instrumentisti Alban Bislimi, e kanë ndezur atmosferën me interpretim të këngëve patriotike, duke filluar nga epoka e Kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, e deri tek komandantët legjendarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, Zahir Pajaziti , Hakif Zejnullahu,Edmond Hoxha, Luan Haradinaj, Ilir Konushevci, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ismet Kumanova, Indrit Cara-Kavaja, Abedin Rexha, Agim Ramadani , Sali Çeku etj.
Po ashtu me afsh e dashuri i është kënduar edhe Flamurit kuq e zi, për të cilin u flijuan Fazli Grajçevci, Shaban Shala, Metush Krasniqi,Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka,Ukshin Hoti dhe plejada e organizatorëve të demonstratave të vitit 1968, në krye me të pathyeshmin Adem Demaçi,fitues i çmimit “Saharov” më 4 dhjetor të vitit 1991.
E, shtatë vjet më vonë me këtë çmim prestigjioz nga Parlamenti Evropian, është nderuar edhe Dr.Ibrahim Rugova, lider shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës.
Programin e kësaj mbrëmje festive e ka begatuar edhe Grupi muzikor “ Hareja” i krijuar së voni në Gjenevë, i cili është paraqitur me këngë korale.
Këtë festë që do të kujtohet gjatë e ka bërë edhe më të pasur prania e disa studentëve me origjinë shqiptare, të porsadiplomuar në shkallën Master, në Fakultete të ndryshme të Universitetit shtetëror të Gjenevës, gjegjësisht të atij të Lozanës.
Në fakt gjatë vitit akademik 2023- 2024 në disiplina të ndryshme në Universitetet e sipërpërmendura kanë diplomuar 41 veta . Mirëpo, për shkak të angazhimeve dhe zënies me punë rreth 30 veta kanë munguar. Duhet theksuar që të gjithë jetojnë në Gjenevë dhe janë të lindur në fund të viteve 90- të.
Këta të rinj që nga viti në vit po na bëjnë krenarë me arritjet e tyre akademike, motivim edhe për gjeneratat e ardhshme, janë nderuar me mirënjohje nga shoqata jofitimprurëse Komuniteti Shqiptar i Gjenevës.
Këto mirënjohje janë ndarë nga inxh.Ali.Sh.Mehmeti , i cili më 13 prill të vitit 2013, inicio krijimin e shoqatës joqeveritare “ Komuniteti Shqiptar i Gjenevës “
Me këtë rast kanë rënë në sy vëlla e motër Albin dhe Jeta Mehmeti,të diplomuar me nota të larta në Arkitekturë, përkatësisht Farmaci.
Një arritje tjetër që është për t’u vlerësuar është edhe ajo e z.Granit Molliqaj, i cili kohë më parë në Universitetin e Gjenevës, e ka mbrojtur temën e doktoratës në fushën e neurokirurgjisë.
Para përfundimit të këtij solemniteti kemi marrë edhe mendimin e zotit, Nasuf Nuhiu, kryetar i tanishëm i shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”
Z.Nuhiu, punëtor i dalluar sindikal dhe organizator i shkëlqyeshëm, që asnjëherë nuk imponohet nga zemra ka falënderuar Klube dhe Shoqata të Gjenevës, që pahezituar kanë ndihmuar realizimin e këtyre tri festave tona kombëtare.
Moderatorë apo drejtues të këtij Jubileu të rëndësishëm kanë qenë të rinjtë Artina Fejzullahu dhe Mal Bislimi.
Manifestimi ka përfunduar pa eksesin më të vogël, gjë që dëshmon edukimin e mirë dhe disiplinën në rritje të të rinjve tanë.
ARIF EJUPI
Serbia e papenduar për krimet e kryera ndaj shqiptarëve edhe sot po vazhdon me format më të turpshme të diskriminimit të tyre.
Medvegja, Presheva dhe Bujanoci, me diku 1 250m² dhe 65 fshatra të banuara nëpër shekuj me shqiptarë, kanë ngecur në zhvillim në të gjitha fushat.
Këto vendbanime edhe pse në periudhën e Perandorisë Otomane i takonin Vilajetit të Kosovës, padrejtësisht nga Superfuqitë e asaj kohe iu bënë dhuratë Serbisë. Zullumi ndaj shqiptarëve të këtyre trojeve s’ka të ndalur as sot.
Serbia në përpjekje të vazhdueshme për ta spastruar njëherë e përgjithmonë Medvegjën, Preshevën dhe Bujanocin, nga shqiptarët autokton po mohon paturpshëm çdo të drejtë të tyre.
Pas demonstratave studentore të vitit 1981,të organizuara në qytete të ndryshme të Kosovës, të gjithëve na kujtohet shumë mirë që Serbia, akuzoi pa kurrfarë provash shqiptarët e këtyre trevave për pjesëmarrjeje në to.
Me këto akuza të shpifura u dënuan dhe u përjashtuan nga puna mbi njëqind mësues e arsimtarë. Kurse ata që u shpëtuan këtyre masave ndëshkuese u lanë jashtë çdo mbështetje institucionale.
Po ashtu mësimi në shkolla u zhvillua sipas planprogrameve të Serbisë. Mbi 100 mijë shqiptarë edhe pse në tokën e tyre të mileniumeve nuk gëzuan të drejtën e një Gazete apo Radioje në Gjuhën shqipe.
Administrata e udhëhequr nga serbët për të krijuar huti në opinionin ndërkombëtar rreth etnogjenezës së shqiptarëve, me rastin e regjistrimeve në Zyrat e Gjendjes Civile, deformonte emra e mbiemra, të tyre me atë prapashtesën sllave viçi.
Kurse të gjitha ata që me dhunë e metoda të tjera bizare u ndoqën nga shtëpitë e veta, i ka shlyer nga regjistrat dhe ua ka shuar adresat e banimit
Edhe pse në një atmosferë të tensionuar dhe me rrezik për jetën, kësaj stuhie shovene është munduar dhe po mundohet t’ia ndalë turrin z. Shaip Kamberi, përfaqësues i denjë i shqiptarëve të Kosovës Lindore, në Parlamentin e Serbisë.
Ky elaborat i Qeverisë së Serbisë me pasoja të rënda për shqiptarët na kujton kohën e monstruozve, Vasa Çubrilloviq, Ivo Andriq dhe Aleksandër Rankoviq, kur shqiptarët, sipas projekteve të tyre dërgoheshin nën tytat e armëve dhe me dajak në djerrinat e Anadollit.
Bashkësia Ndërkombëtare nëse dëshiron qetësi dhe stabilitet në Evropë, urgjentisht duhet ta ndalojë këtë praktikë të çmendur të neofashistëve serbë.
ARIF EJUPI
Ragip Muharrem Hoti, nga Brdashi i Podujevës, i zemëruar tepër me suprimimin e Autonomisë, së Kosovës, me kërbaç e tanke nga Serbia, ishte betuar që s’do të nënshtrohet për të gjallë, por do ta vazhdojë me ngulm rrugën dhe amanetin e Ali Ajetit, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, që ranë në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurrë, më 30 maj, përkatësisht 2 nëntor të vitit 1989.
Ata ngjashëm me Dedë Gjo’ Lulin e Trabonit të Hotit,orë të tëra luftuan kundër forcave ushtarake dhe policore të pushtuesve serbo-sllavë.
Ragip Muharrem Hoti, lindi më 10 tetor të vitit 1953 në fshatin Bradash të Llapit. Paraardhësit e Ragipit në këtë lokalitet erdhën nga Hoti i Malësisë së Mbishkodrës, në periudhën kur këto treva puro shqiptare nga Superfuqitë e atëhershme iu bënë dhuratë Malit të Zi.
Mikesha e njohur e shqiptarëve dhe studiuesja e zellshme e zhvillimeve të gjithmbarshme në Ballkan, veçmas e dokeve dhe traditave tona Edith Durham, në një studim të themeltë dhe me bazë të qëndrueshme shkencore e jep të kompletuar etnogjenezën e pjesës dërrmuese të fiseve shqiptare.
Ajo në librin “Brenga e Ballkanit dhe Vepra të Tjera për Shqipërinë dhe Shqiptarët “ thotë “Hoti në kohën kur e kam njohur unë, ishte fisi kryesor i Malësisë së Madhe. Ai e pati fituar këtë të drejtë me trimëri në luftë” Ngulmi i Hotit, më 1878, i pengoi vendimet e Kongresit të Berlinit dhe e shpëtoi Tuzin dhe krahinat e Plavës dhe Gucisë, pa rënë nën sundimin e Malit të Zi”
Marash Uci,një plak i mençur dhe i përshtatshëm për të biseduar çdo temë me te, si trashëgimtar i këtij fisi, ia kishte zbërthyer gjenealogjinë e paraardhësve të tij, zonjës, Edith Durtham, të para 300 (treqind) vjetëve.
Ky rrëfim i padëgjuar deriatëherë në vende të tjera të Evropës, i shtjelluar me aq hollësi nga Marashi e kishte impresionuar zonjën Durtham.
Sipas, Marash Ucit, atëbotë 65 vjeç, që vdiq më 1911, nga pneumonia, stërgjyshi i Hotit, Geg Lazi, kishte porositur që asnjëherë brenda fisit të tij, të mos ndodhnin martesat.
Andaj, martesën brenda fisit të tyre Hotët, e konsideronin si një mëkat të madh dhe tmerr të patreguar.
Trimërinë, moralin, bujarinë, fisnikërinë dhe mosnënshtrim ndaj armiqve edhe në situatat më ekstreme të fisit Hoti, si duket në dejet e gjakut të tij, e trashëgoi edhe Ragip Muharrem Hoti.
Ai mësimet e para i ndoqi në fshatin e lindjes Bradash të Podujevës. Që nga klasa e -I- deri në klasën e IV- mësues e pati Ajet Sefer Hotin, pishtar i Arsimit në shkollat e rajonit të Llapit.
Meqenëse, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Kosovën e shkëputur dhunshëm nga trungu i saj, mungonin mësuesit Ajet Hoti, ende pa i mbushur 18 vjet, si maturant i shkollës së mesme Normale të Prishtinës, më 1952, nisë punën e mësuesit në fshatin Pollatë të Podujevës.
Ai këtë detyrë të shenjtë e kreu edhe në fshatra të tjera të Llapit si; Gllamnik, Kërpimeh, Lupç të Epërm, Lluzhan e Bradash. Ajeti më vonë punoi si nëpunës në Administratën e komunës së Podujevës, ku edhe u pensionua më 1992.
Ky mësues e nëpunës i palodhshëm që gëzonte respekt kudo, ish-nxënësin e tij Ragip Muharrem Hoti, e përshkruan si fëmijë të shëndetshëm, të shkathët e të dashur .
Sipas kujtimeve të mësuesit të tij, Ajet Hoti, që vdiq më 28 prill të vitit 2011, në moshën 76 vjeçare, Ragip Hoti, interesim të veçantë shfaqte në gjuhë shqipe, histori dhe gjeografi.
Madje një pyetje e Ragipit, si nxënës i klasës së katërt, për moshën e pazakontë e kishte lënë të shtangur mësuesin Ajet.
Ragipi gjatë një ore mësimi kishte pyetur “Mësues kush i janë shkijet dhe kush i ka sjellë në fshatin tonë ?!”..
Mësuesi, Ajet duke e ledhatuar Ragipin e kishte ndarë me një anë dhe i kishte thënë “Mbi këtë temë do të bisedojmë një ditë tjetër vetëm unë dhe ti”.
Ragip Hoti, edhe pse ende fëmijë preokupohej me fatin e popullit shqiptar nën administrim të serbo- sllavëve.
Ai mësimet nga klasa e -V-deri në -VIII- të, do t’i vazhdojë në shkollën “Emin Duraku” të fshatit Bajçinë të Podujevës.
Pas përfundimit të shkollës 8-vjeçare, edhe pse në kushte të rënda ekonomike, i motivuar nga djemtë e axhës së tij, Ahmeti dhe Xhevati, regjistrohet në gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës.
Kujtime nga periudha si gjimnazist rrëfen Osman Rexhep Sylejmani, nga fshati Sfeqël i Podujevës, i cili Ragip Hotin e kishte shok klase.
Osmani thotë “Në gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës, që më 1962, ishte pavarësuar nga ai “Ivo Llolla Ribar” i Prishtinës, unë dhe gjenerata ime mësimet i kemi filluar në vjeshtën e vitit 1970 dhe i kemi përfunduar në qershor të vitit 1974.
Drejtor shkolle atëherë ishte Zeqir S. Muçolli, nga Hertica, njëri nga gjeografët e parë në Llap. Edhe pse punohej në kushte të vështira ishim me fat, sepse të gjithë mësimdhënësit i kishim njerëz të mirë dhe të përkushtuar në punë.
Me sa mbaj mend ishim gjenerata e 8- apo e 9 e këtij institucioni arsimor të Llapit, thotë Osman Sylejmani.
Meqë nga ajo periudhë kanë kaluar 50- vjet, përveç Ragip Hotit më kujtohen edhe disa prej shokëve të klasës si; Emin Sylejman Sefa,tani dëshmori kombit, vrarë më 19 prill 1999 nga policë e paramilitarë serbë në Koliq të Prishtinës.
Mbaj mend edhe shokët, Ismet Begolli, Ramadan Cakiqi, Fehmi Gashi, Rrustem Berisha, Isak Havolli, e nga vajzat që ishin tri veta, më kujtohet vetëm Selvete Llugaliu e Surkishit.
Osmani prej vitit 1999 jeton në qytetin Bremen të Gjermanisë së bashku me gruan Bahrije Muçiqi -Sylejmani dhe katër fëmijët e tij.
Mosprezenca e gjatë në vendlindje dhe humbja e kontakteve me shokë e shoqe, natyrisht ia ka zbehur paksa kujtimet e periudhës, kur ai ishte nxënës në gjimnazin e Podujevës.
Megjithatë, Osman Sylejmani me nostalgji i kujton dy ngjarje të rëndësishme, të atyre viteve si mbrëmjen e maturës dhe shkuarjen në ekskursion në Serbi, Kroaci, Slloveni, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi.
Ai thotë, meqë ishte hera e parë që në mënyrë të organizuar dilnim jashtë Kosovës, të gjithë ishim të gëzuar.
Ragip Hoti, i njohur me karakterin e tij shpërthyes ndaj padrejtësive dhe shtypjes së njerëzve të pa krahë, haptas kishte shprehur pakënaqësinë e tij, duke thënë “Kudo proklamohet barazi dhe prosperitet për të gjithë, e në anën tjetër ne shfrytëzohemi dhe eksploatohemi pamëshirshëm”.
Në Podujevën tonë kemi vetëm baltën dhe tymin e fabrikës së llojit kovaçhane, të tullave dhe tjegullave, madje me emërtim provokues “Malo Kosovo” kurse qytetet e republikave që i vizituam vlonin nga fabrikat e uzinat.
Osman Sylejmani thotë, këtu pashë dashurinë e vërtetë të Ragipt, për Kosovën dhe njerëzit e saj.
Mos të harroj të them edhe një të vërtetë tjetër Ragip Hoti, qysh si nxënës i vitit të -II-të, gjimnaz, kur bënim lëndën Bazat e Mbrojtjes Popullore, i njihte të gjitha llojet e armëve. Ai si rrallëkush ishte i pasionuar pas tyre.
Osmani rrëfimin e tij e mbyll me lot në sy, duke thënë” ndihem i lumtur dhe krenar që Ragipin e kisha shok klase”. Dashurinë ndaj Atdheut të shfaqur përpara 17 viteve, Ragipi Hoti, e tregoi duke rënë në rezistencë me mbetjet çetnike të Serbisë.
Me gjithë dëshirën e flaktë që pas kryerjes së gjimnazit të vazhdojë me studime në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore seksioni i gjeografisë, të Universitetit të Prishtinës, Ragipi detyrohet të bëjë punë të tjera.
Ndonëse ishte e pamundur që të jetohej vetëm me rrogën e babait të tij, Muharremit, i cili punonte si punëtor krahu në Beograd, (atëherë kryeqendër e ish-Jugosllavisë)
Ragipi me shpresën që pas kryerjes së obligimit ushtarak do të gjejë ndonjë punë si nëpunës në Administratën e komunës së Podujevës, më 1976, së bashku me shumë shokë të gjeneratës së tij, shkon në të ashtuquajturin rekrutim në Nish të Serbisë.
Meqenëse, i plotësonte të gjitha kushtet për të qenë ushtar i rregullt i Armatës jugosllave, më 13 shtator të vitit 1979 merr ftesë nga organet e Mbrojtjes Popullore të komunës së Podujevës, për të shërbyer në këtë ushtri. Ragipi plotë 15 muaj shërben në kazermën ushtarake të Leskovcit ,qytet në jug të Serbisë.
Pas 8 muajve shërbimi nga Nishi në Leskovc, transferohet edhe Skënder Jusufi- Beselica,nga Pollata e Podujevës.
Në bisedë me Skënderin, arsimtar shumëvjeçar i gjuhës shqipe, në fshatin e tij, të lindjes, mësojmë që Ragipi, si përherë konsekuent e mosdurues ndaj denigrimeve dhe padrejtësive që u bëheshin haptas shqiptarëve, asnjëherë nuk u bindej urdhrave të eprorëve serbë e malazezë. Ata të mllefosur me sjelljet e tij, ia ndalojnë vizitat familjare dhe daljet në qytet.
Pas përfundimit të shërbimit ushtarak Ragipi, kishte provuar të gjejë ndonjë punë qoftë edhe si ofiçar, në Zyrat e Gjendjes Civile, në fshatrat e Llapit. Meqenëse nuk kishte kurrfarë lidhjesh me pushtetin e korruptuar të asaj kohe, përpjekjet e tij, për të siguruar çfarëdo pune shkojnë huq.
Ne që jemi dëshmitarë të asaj periudhe të errët e dimë fare mirë, që pjesa dërrmuese e ofiçarve në Zyrat e Bashkësive lokale të komunës së Podujevës, ishin gjimnazistë, bile kishte ofiçar edhe me 8- vjeçare, sikur njëfarë Millutin Gjurgjeviq,që punonte në Zyrën e Gjendjes Civile të Gllamnikut.
Ragip Hoti i gjendur në një situatë pashtegdalje baba i katër fëmijëve të vegjël, duke e ndjerë vetën të deklasuar nga regjimi komunist, detyrohet që të shkojë në Zagreb të Kroacisë, tek i vëllai Nazifi.
Ai pas dy -tri javësh gjënë punë si mjeshtër ndërtimi në qytezën Zhelina, diku 37 kilometra larg Zagrebit.
Ragipi mbi gjendjen e rëndë në Kosovë, bisedon me shumë shqiptarë të treva tona, që në mungesë pune e kushtesh në vendlindje, ishin punësuar në qytete të ndryshme të Kroacisë dhe Sllovenisë.
Ai i brengosur me situatën në Kosovë ,shpesh i vizitonte prindërit e tij, Muharremin dhe Sabilen,si edhe bashkëshorten Fexhrijen dhe fëmijët; Fitoren, Fatonin, Shkurtën dhe Liridonin, në fshatin Bradash të Podujevës.
Saherë që udhëtonte për në Kroaci, udhëtonte me zemrën vrer, ngase e shihte që bashkëkombësit e tij ,vriteshin, burgoseshin dhe rriheshin, sikur të ishin skllevër nga regjimi gjakatar i Sllobodan Millosheviqit.
Gjatë një vizite në Kosovë, saktësisht më 1nëntor të vitit 1989, vetëm pse kishte marrë pjesë në një demonstratë të organizuar në Prishtinë, ishte rrahur dhe burgosur i vëllai Nazif Hoti.
Ky rast e kishte acaruar edhe më tepër Ragipin . Ai vazhdimisht kishte menduar armatosjen dhe vetëmbrojtjen. Me të shpërthyer lufta në Kroaci i sigurt, që flakët e kësaj lufte do ta përfshinë edhe Kosovën, më 13 maj të vitit 1991, e braktis përfundimisht Kroacinë.
Një mbrëmje një shqetësim të tij, Ragipi, e diskuton me djalin e axhës së tij, Ahmet Bajram Hoti, profesor i lëndës së Kimisë në gjimnazin “ 8 Nëntori “ të Podujevës, dhe kryetar i LDK-së, Aktivi në Bradash.
Meqenëse, Muharremi dhe Bajrami e kishin kultivuar një dashuri dhe respekt brenda familjes Ragipi për çështje të rëndësishme çdoherë konsultohej me djemtë e axhës së tij, Ahmetin dhe Xhevatin,me këtë të fundit ishte edhe vërsnik.
Ragipi një burrë i guximshëm qyshkur regjimi kriminal i Serbisë, nisi t’i kërcënoj nëpërmjet mitingjeve popullsite shqiptarët, sikur më 28 qershor 1989 në Gazimestan të Kastriotit( ish-Obiliq), e Fushë-Kosovë, asnjëherë s’ dilte jashtë pragut të shtëpisë pa armë.
Ai e kishte njoftuar Ahmetin që po përcillej çdo hap, nga Shërbimi i fshehtë serbë dhe e kishte lutur që t’ia siguroj pesë -gjashtë bomba dore, i vendosur që ato t’i hedh në Stacionin e Policisë në Podujevë, Kërpimeh apo Lluzhan, në mënyrë që të marrë me vete sa më shumë policë mizor e vrasës të Serbisë.”
Sigurimi shtetëror serbë me informatorët e tij, në terren nën dyshimin që edhe në Bradash,kishte filluar organizimi i shtabeve vetëmbrojtëse, kishte kohë që i mbante në mbikëqyrje aktivistët Ahmet Bajram Hoti, Ismail Rushit Revuçi dhe Xhafer Hajzer Hoti.
Në mënyrë që të krijohej frikë dhe pasiguri tek fshatarët në vendin e quajtur Kalina,ishin pozicionuar edhe njësite ushtarësh rezervistë të ashtuquajturës Jugosllavi, në fakt Serbi, që i mbante nën sqetulla si macja miun miopët e Malit të Zi dhe maqedonasit e Maqedonisë së Veriut, të pa identitet kombëtarë dhe të pa dinjitet njerëzor.
Serbia kontingjente të reja ushtarësh kishte sjellë edhe në kazermat në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj. Thjesht, Kosova ishte nën Administrim ushtarak dhe policor të Serbisë.
Praninë e këtyre njësiteve rezerviste në këtë pjesë të Bradashit e kishin vërtetuar edhe Arif Ejupi, veprimtar KMDLNJ-së, dega në Podujevë dhe Ridvan Slivova, fotoreporter i gazetës” Zëri ditor” të Prishtinës. Ata me veturën e tij” Opel Cadet 1000“ deri afër vendit të ngjarjes i kishte shoqëruar Islam Sherif Ejupi.
Ahmet Hoti nga frika e ndonjë arrestimi të mundshëm kishte planifikuar largimin e përkohshëm nga Kosova. Më 17 maj të vitit 1991,në orët e mbrëmjes së bashku me bashkëshorten, kishte shkuar tek miqtë e tij në Podujevë, e të nesërmen kishin planifikuar udhëtimin për në Gjermani.
Më 18 maj të vitit 1991, pas ngrënies së mëngjesit ,diku në ora 9:00 e 50 minuta, Muharremi, Ragipi, Xhevati dhe Rexhepi, dalin tek vendi i quajtur “ Bunari i Barashit “ për të pritur minibusin që qarkullonte në linjën Kërpimeh- Podujevë dhe anasjelltas.
Meqenëse të shtunat në Podujevë, çdoherë ishin ditë tregu ata donin që t’i kryenin disa punë shpejt e shpejtë, e kohën e mbetur ta kalonin në biseda me miq e shokë.
Ndërkohë vije edhe minibusi i drejtuar nga Xhafer Çitaku i fshatit Bajçinë. Derisa udhëtarët përgatiteshin për të zbritur dhe hyrë në minibus një çun i ulur në sedilen e pasme sinjalizon shoferin, duke i thënë se po përcilleshin nga një Patrullë e Policisë serbe.
Shoferi duke dashur që t’i ikë provokimit të policisë serbe, hap rrugë, në mënyrë që ata të parakalojnë.
Mirësjellja ndaj këtyre policëve të egër ishte pa efekt . Ata të armatosur deri në dhëmbë me të arritur minibusi tek varrezat e fshatit Peran të Podujevës, e ndalojnë dhe fillojnë kontrollimin e udhëtarëve.
Muharrem Hotin, babain e Ragipit e urdhërojnë që të kthehet në shtëpi. Kjo sjellje primitive e policëve serbë e zemëron pamasë Ragipin.
Ai në ato çaste i revoltuar nga gjesti i ultë i policëve serbë kishte thënë:”-Eu -eu, që taksirat na ka zënë. Loparët e Serbisë, me na caktuar rregulla e rend në shtëpinë tonë”
Polici serb që ishte përgjegjës i ekspeditës shfrynte mllefin e tij me sharje e ofendime ndaj udhëtarëve shqiptarë.
Ragipi, sypatrembur në mbrojte të nderit dhe krenarisë shqiptare me vrull nxjerr nga beli revolverin e tij “Beretta 92”dhe nën parzmore mbërrin me ia fut tytën, këtij banditi dhe arroganti.
I goditur me 15 plumba në stomakun e dhjamosur polici serb, përnjëherë bije si i pa kokë në asfalt . Krismat e kapelës së metaltë shkëputur nga koka e tij, linin përshtypjen sikur mbi te, të ketë shkrepur rrufeja.
Në rrëmujën e krijuar Ragipi , i vërsulet edhe një polici tjetër të cilit mundohet t’ia rrëmbejë automatikun. Gjatë përleshjes me thikën e tij e plagos në qafë këtë egërsirë të uritur për gjak shqiptari.
Të lemerisur nga heroizmi i Ragip Hotit dhe frika që edhe ata mund të pësojnë, dy policë të tjerë nga kallashnikovët e tyre derdhin breshëri plumbash mbi Ragipin.
Pas plagëve të marra në dyluftim me këtë ekspeditë kriminelësh serbë Ragip Muharrem Hoti, ndërron jetë, duke e fuqizuar edhe më tepër eposin e kreshnikëve llapjanë, që ranë në Beteja me hordhitë fashiste serbo-sllave.
Policia kriminale e Serbisë, shkaktare e këtij incidenti të rëndë bllokon rrugën Kërpimeh-Podujevë dhe rrugën që shpie në fshatin Bradash.
Nga jehona e krismave të Armës së Ragip Hotit, alarmohet edhe Beogradi zyrtar. Në vendngjarje vinë forca të shumta policore.
Papritur mbërrin dhe një helikopter i cili e bart njërin nga policët e lënduar rendë, sipas të gjitha gjasave të vdekur drejt Serbisë. (Beogradi asnjëherë nuk i bënte publike vrasjet apo plagosjet e policëve serbë, nga frika që s’ do të arrinte mobilizimin nëpër efektiva e brigada të policëve dhe ushtarëve të rinj )
Kurse vetura e ndihmës së shpejtë policin e therur në qafë e transporton në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës. Sipas disa burimeve ende të pa verifikuara polici i lënduar në qafë ishte fëmijë kolonizatori nga Vitia e Kosovës.
Po ashtu në morgun e këtij Spitali, dërgohet për obduksion edhe kufoma e Ragip Hotit.
Në shenjë hakmarrje që Ragip Hoti, një burrë trim tmerroi një ekip të armatosur deri në dhëmbë të xhandarmërisë së Serbisë, pa kurrfarë faji në Stacionin e Policisë në Podujevë, dërgohen Xhevat Bajram Hoti dhe Rexhep Zeqir Hoti, kushërinj të Ragipit,
Ata në këtë stacion mbahen deri në ora 20:00. Me këtë rast nga harbut serbë të ardhur nga stalla derrash e dosash të Serbisë,si Xhevati ashtu edhe Rexhepi, rrahën me mjete të forta në mënyrë çnjerëzore. Gjithashtu në Stacionin e Policisë në Podujevë, torturohet rëndë edhe Naser Sahit Çitaku, pasagjer i minibusit ,nga Bajçina e Podujevës.
Meqenëse nga kjo ngjarje e trishtë kanë kaluar mbi tri dekada të keqtrajtuarave të tjerë që nuk u janë cituar emrat u kërkojmë falje deri në përkulje.
Pas lirimit të tyre Dr. Selman Hoxha, specialist i Mjekësisë familjare dhe veprimtar i KMDLNJ-së, dega në Podujevë, një periudhë dhe Kryetar, i kësaj organizate joqeveritare, sikur në shumë raste të tjera tregohet i guximshëm dhe humanist i pashoq.
Dr.Hoxha, përveç ndihmës së dhënë mjekësore Xhevatin e lënduar rëndë, nëpër rrugë dytësore me veturën e një miku të tij, e çojnë në fshatin Bradash.
Muharremi që ende nuk e kishte tërhequr kufomën e të birit Ragipit, kur e sheh të gjallë Xhevatin gëzohet tepër, ngaqë druante që kriminelët serbë mund ta mbysin apo ta gjymtonin.
Xhevati ,me profesion inxhinier i elektroteknikës në cilësinë e mësimdhënësit dha kontribut të jashtëzakonshëm në Shkollën e Mesme Teknike “ Fan Stelian Noli” dhe në Gjimnazin “ 8 Nëntori “ tani “ Aleksandër Xhuvani” të Podujevës.
Me të kuptuar lajmin tragjik nga Podujeva në Bradash, mbërrin edhe Ahmet Hoti. Meqenëse ai kërkohej nga policia serbe nga frika që mund të hasë në postblloqet e ngritura kudo, detyrohet të hyjë rrugicave të arave dhe livadheve, të përmbytura nga reshjet e shiut.
Me të arritur në shtëpi Ahmetin e merr ngrykë Muharremi, babai i Ragipit. Nga pikëllimi dhe dhembja e madhe për Ragipin, të dytë shkrehen në vaj. Ky moment i rëndë të gjithë të pranishmit i bënë me lot.
Me gjithë dhembjen e madhe për humbjen e Ragipt,38 vjeç, familja Hoti, kishte rënë në hall s’e si ta nxirrte nga morgu kufomën e tij.
Diku 13- të, familjarë e të afërm të Ragip Hotit, ishin tubuar tek pompa e derivateve, që gjendej ngjitas me Motelin “ Besiana” në Podujevë, me shpresën që do të gjejnë ndokënd me ndonjë furgon, për ta bartur trupin e pajetë të dëshmorit Ragip Hoti, deri në Bradash.
Ramë Buçaj, sipërmarrës i njohur në Llap, e mbi të gjitha bamirës i madh shprehë gatishmërinë që me furgonin e tij, ta bëjë transportimin e kufomës së Ragip Hotit.
Meqenëse ishte krijuar situatë e tensionuar kishte të ngritura post- blloqe të shumta të policisë serbe. Sofija, bashkëshortja e Ramës ,ndihej mjaft e shqetësuar . Ajo e porosit disaherë Ramën, që të bëjë kujdes.
Z. Ramë Buçaj ,sot 77 vjeç, atë ditë të rëndë e kujton si njërën prej ditëve më të vështira të jetës së tij.
Rama thotë” Qysh në hyrje të Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës, ishte stacionuar një numër i konsiderueshëm policësh serbë. Pas sqarimesh se unë po bëja vetëm punën e taksistit mezi u lejova që të shkoja para portave të morgut.
Atje përveç policëve në uniforma vërejta edhe inspektorë të shërbimit të fshehtë të Serbisë. Njëri prej tyre që ishte njëfarë udhëheqës i grupit thotë Rama , nisi të më provokojë duke më thënë” Ti, kur janë në pyetje shqiptarët këtë punë e bënë falas . Kurse mbi trupat e policëve tanë kalon me furgon pagrimë mëshire.
Rama një burrë i pjekur me këtë rast tregohet i matur dhe gjakftohtë. Ai ishte i vetëdijshëm që ky farë eprori shkurtabiq situatën gati shpërthyese donte që ta kthej në përleshje të re me familjarët e Ragipit.
Njëri prej policëve që veten e konsideronte po ashtu njëfarë zyrtari kishte vazhduar debatin me Ramën, duke i thënë , pse nuk qani për personin e vrarë, aludonte në Ragipin, kur familjarët e policit serb të plagosur nga komuna e Vitisë së Kosovës, nga vaj dhe britmat e kanë çuar peshë spitalin.
Rama kishte thënë që britmat dhe vajet nuk përkojnë me traditat tona . Pas përfundimit të kësaj bisede provokuese dhe të pakëndshme Rama dhe 13- të , familjarët e Ragip Hotit, dërgohen në Stacionin e Policisë, që gjendej përballë Pallatit të Sporteve “ Boro e Ramizi” në Prishtinë.
Ata të gjithë merren në pyetje dhe kontrollohen veç e veç. Pas këtij kontrollimi të bezdisshëm dhe të tensionuar lirohen të gjithë.
E diku pas një pritje prej katër-pesë orëve u lejohet tërheqja e kufomës së Ragip Hotit.
Në Bradash ku duhej të zhvillohej ceremonia e varrimit të heroit Ragip Muharrem Hoti, kishin mbërritur mijëra njerëz nga të gjitha trojet tona.
Natën tragjike në familjen e Muharrem Hotit, kishte shkuar Adem Demaçi, i cili afër tri dekada i kishte kaluar në burgjet skëterrë të ish-Jugosllavisë., me synimin e vetëm që Kosovën ta bëjë Republikë, të shtatë të ish-Jugosllavisë, me të drejta të barabarta me serbët, kroatët sllovenët, hercegovasit, malazezët e maqedonasit.
Enkas nga Duboviku i Deçanit në Bradash, kishte ardhur edhe Ajshe Gërvalla, nëna e heronjve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, vrarë me një atentat të turpshëm së bashku me Kadri Zekën, më 17 janar të vitit 1982,në Untergruppenbach të Gjermanisë, nga UDB-a, jugosllave, organizatë e fshehtë kriminale, identike me organizatat terroriste.
Nënë, Ajshja, me zemrën e çeliktë dhe fjalët e praruara i kishte ngushëlluar prindërit, shoqen dhe fëmijët e Ragipit, duke u thënë” Djemtë si Ragipi, janë krenari jona mbarëkombëtare”
Ndërsa nga Lidershipi i atëhershëm kosovar në Bradash ishin parë udhëheqës të lartë të LDK-së, të nivelit lokal dhe atij qendror, që asokohe ky subjekt politik, vlerësohej si Lëvizje mbarëkombëtare.
Gjithashtu me praninë e saj familjen Hoti e kishte nderuar edhe zonja, Luljeta Pula Beqiri, kryetare e parë e Partisë Socialdemokrate të Kosovës.
Në fushën që si shihej fundi në të djathtë të rrugës që çon në lagjet Spahiu e Revuçi, ishin mbledhur të moshuar e të rinj.
Ata me pjesëmarrjen e tyre masive prej mbi 40 mijë vetave donin që ta nderonin Ragip Hotin ,i cili tregoi heroizëm të rrallë, në dyluftim me neofashistët serbë, të cilët të hipnotizuar nga përrallat e mitomanëve dhe priftërinjve infantil, kishin menduar s’e i nënshtrojnë dhe poshtërojnë lehtë shqiptarët.
Çdonjëri që doli në binën e improvizuar tha fjalë zemre dhe shpirti për Ragipin.,i cili me heroizmin e treguar u bë udhërrëfyes dhe motivues i mijëra djemve e vajzave, që rrokën armët dhe u rreshtuan në radhët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa diktat e imponim.
Ata që mëtojnë dashuri, humanizëm dhe përkushtim të sinqertë ndaj Atdheut, vende pelegrinazhi duhet t’i kenë varret dhe fushat e mejdanit, ku djem dhe vajza, me gjakun e tyre të derdhur ëndrrën tonë për Liri e Mëvetësi e bënë realitet !
ARIF EJUPI P. S. Autori i këtij artikulli dhe Z.Nexhmi Adem Balaj, ishin të pranishëm në ceremoninë e varrimit të dëshmorit Ragip Muharrem Hoti, në cilësinë e veprimtarëve të KMDLNJ-dega në Podujevë.
Misioni Katolik Shqiptar dhe Shoqata Bamirëse „Nënë Tereza“ në kantonin e Luzernit të Zvicëres, janë bashkë organizator të mbrëmjes kulturore: GJURMËVE TË RRËNJËVE TONA, kushtuar dy figurave me rëndësi historike jo vetem për hapësirën gjeografike shqiptare por edhe atë botërore me të dhëna e dëshmi historike përmes trajtimit të temës:
“SHËNË JERONIMI DHE SHËNË NËNË TEREZA, DY GJIGANT TË QYTETËRIMIT SHQIPTAR“ nga Prof.Dr. Muhamet Malaj.
Në mbrëmjen e 23.11.2024 në Emmenbrüke të Luzernit, organizatorët e mbrëmjes kulturore, mirëpriten me dashamirësi e për mrekulli mbi 300 pjesëmarrës që kishin ardhur nga katër anët e Zvicrës ku jetojnë dhe punojnë bashkëatdhetarët kurbetçarë, si edhe nga Gjermania të cilët kanë qenë me kohë të lajmëruar e thirrur përmes Ftesës dhe programit të shpërndarë. Me që Salla ishte përplot ku qëndronin edhe në këmbë, organizatori në fjalën përshëndetëse mes tjerash tha: siç po shifet herave tjera duhet me siguruar një sallë edhe më të madhe se kjo qenka e vogël për ti zënë të gjithë të interesuarit!
Paraqitjen dhe rrjedhen e programit e udhëheqen në mënyrë profesionale folësit: Znj.Jehona Gashi dhe z. Dan Morina.
Dr. Don Anton Uka, Udhëheqës i Misionit Katolik Shqiptar në Luzern, nga foltorja Ju drejtue të të gjithë pjesëmarrësve të pranishëm dhe i falëndoi përzemërsisht që s’bashku këtë mbrëmje të organizuar kulturore ta bëjmë sa më madhështore, përmes programit që do e paraqesim sonte, kushtuar dy figurave madhështore të qytetrimit shqiptar: „SHËNË JERONIMIN DHE SHËNË NËNË TEREZËN“.
Dr. Don Anton Uka, në vazhdim paraqiti një vështrim përmbajtësor kryesisht kushtuar krye temës: GJURMËVE TË RRËNJËVE TONA“ temë me shumë rëndësi në shumë drejtime në kohë dhe hapësirë, për rrjedhatë dhe zhvillimet lidhur me çështjen kombëtare si dhe për ruajtjen dhe kultivimin e rrënjëve tona arbërore kulturore, gjuhësore dhe shpirtrore në hapësiratë gjeografike shqiptare dhe kudo në kurbet ku gjinden jetojn dhe punojnë bashkëatdhetarët tanë.
Në vijim fjalimi i plotë i lexuar në mbërmjen kulturore:
RRËNJËT TONA NA BASHKOJNË
(Fjalimi i plotë i Dr. Don Anton Ukës mbajtur më 23 brymor (nëntor) 2024
në Emmenbrücke në mbrëmjen kulturore “Gjurmëve të rrënjëve tona”)
Monsinjor i dashur dhe shumë i respektuar Lush Gjergji
I nderuari Konsulli i Republikës së Kosovë, z. Vigan Berisha
I nderuari prof. Dr. Muhamet Malaj
Të nderuar meshtarë, motra të nderit, profesorë, përfaqësues të botës politike, artistë, piktorë, moderatorë, gazetarë dhe përfaqësues të medias, të nderuar pjesëmarrës dhe dashamirës të Misionit Katolik Shqiptar në Lucern dhe të Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza” këtu në Zvicër, më lejoni t’ju përshëndes dhe ju uroj mirëseardhjen në edicionin e dytë të Gjurmëve të Rrënjëve tona, i cili këtë vit ka në fokus Shën Jeronimin dhe Shën Nënë Terezën, dy gjigantë të qytetërimit shqiptar.
Qëllimi apo ideja e fillimit të këtyre takimeve kulturore, siç kemi theksuar në edicionin e parë kushtuar arbëreshëve, lind nga një arsye e dyfishtë: së pari nga dëshira për të dhënë një kontribut që diaspora jonë shqiptare këtu në Zvicër të ruajë vetëdijen identitare dhe të rris përkushtimin ndaj kulturës, historisë, traditës, gjuhës, simboleve dhe figurave tona kombëtare dhe së dyti nga nevoja për t’u thënë jo atyre dukurive të dëmshme për traditën, gjuhën dhe kulturën tonë, që fatkeqësisht në Kosovën e pasluftës janë shfaqur edhe në institucionet fetare, kulturore dhe politike, detyra apo misioni i të cilëve do të duhej të ishte ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore, kurrsesi shkatërrimi apo deformimi i saj.
“Kush nuk i njeh rrënjët e veta nuk mund ta dijë për çka ka nevojë pema e jetës së tij që të rritet dhe të zhvillohet përbrenda,” shkruan autori i famshëm gjerman, Anselm Grün.
Nga kjo thënie kuptojmë se pema e jetës, qoftë ajo e një njeriu, e një familjeje, e një kombi, e një kulture e një tradite, ka nevojë për rrënjët e veta që të rritet e zhvillohet brenda saj, përndryshe është e destinuar të vdesë. Ne nuk duam dhe nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë, sepse ruajtjen dhe kultivimin e rrënjëve tona e kemi amanet nga jeta, fjala dhe gjaku i derdhur i të parëve tanë.
Tani me dëshirën për të përcjellë një mesazh për ju të dashur të pranishëm dhe për ata që na ndjekin përmes rrjeteve sociale, vendosa të ndalem shkurtimisht në tre karakteristika themelore të rrënjëve.
1. Rrënjët tona na bashkojnë dhe na mbajnë të bashkuar
Me shprehjen rrënjë nënkuptojmë simbolikisht ato elemente të thella dhe themelore që përbëjnë identitetin e një kombi. Rrënjët e një kombi janë ato që e bëjnë atë të veçantë, pra unik dhe koherent me kalimin e kohës, pa prishur harmoninë dhe integrimin me kombet dhe kulturat e tjera.
Rrënjët që e mbajnë të bashkuar një komb janë historia dhe tradita që e ka formuar atë, duke i dhënë atij një trup, një identitet dhe një qytetërim.
Një element tjetër shumë i rëndësishëm i rrënjëve të një kombi është gjuha si mjet komunikimi që bashkon njerëzit. Prandaj ne duhet ta ruajmë gjuhën shqipe në mjediset tona familjare, kulturore dhe fetare, sepse pa të nuk do të mund të transmetojmë kulturën, vlerat dhe njohuritë nga një brez në tjetrin, pa gjuhën do të jetë e vështirë dhe pothuajse e pamundur të ruhen traditat tona.
Një element tjetër integral i rrënjëve të një populli është feja dhe vlerat shpirtërore. Në këtë fushë, ne shqiptarët, për shkak të faktorëve historikë tashmë të njohur, ndahemi kryesisht në të krishterë dhe myslimanë.
Në takimin e javës së kaluar mes nesh priftërinjve të Kishës Katolike që shërbejmë në Zvicër dhe disa hoxhallarëve, që u zhvillua në Cyrih, nën patronatin e konsullit të nderuar z. Vigan Berishës, në fjalimin tim mes tjerash theksova: “Shumë të nderuar, ne e dimë se pikëpamjet tona fetare janë të ndryshme, madje mbi disa tema shumë të ndryshme, po ashtu edhe mbi teologjinë, doktrinën dhe moralin, megjithatë kemi edhe të përbashkëta sepse fetë tona janë monoteiste, pra ruajnë besimin në një Zot të vetëm. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të komunikojmë dhe të debatojmë duke ruajtur respektin e ndërsjellë dhe në këtë mënyrë të ndihmojmë popullin, veçanërisht ata persona që janë në kërkim të një identiteti shpirtëror, të vendosin me vetëdije, më liri dhe me përgjegjësi se cilën fe, cilën doktrinë dhe çfarë disipline etike dhe morale dëshirojnë të ndjekin, të besojnë dhe kështu pastaj t’ua kalojnë brezave të rinj. Por kjo ndryshueshmëri apo ky dallim që ekziston në pikëpamjet tona fetare nuk duhet të jetë i tillë përballë identitetit tonë kombëtar, sepse historia, tradita, kultura, figurat tona kombëtare janë të përbashkëta dhe duhet të mbeten gjithmonë të tilla, këto nuk mund të cenohen e as të shtrembërohen, aq më pak të fyhen sipas tekave të caktuara apo interesave personale, fetare dhe politike. Nëse nuk e pranojmë, vlerësojmë dhe promovojmë këtë trashëgimi historike dhe kulturore ashtu siç ajo është më të vërtetë, atëherë komunikimi konstruktiv do të bëhet i pamundshëm, uniteti ynë do të dobësohet dhe vizioni për të qenë pjesë e pandashme e familjes së madhe evropiane do të pengohet, dhe kështu do të mbetemi peng të vetvetes.”
2. Rrënjët tona na frymëzojnë
Një karakteristikë tjetër e rrënjëve kulturore është frymëzimi që jep jetë dhe mban në jetë. Rrënjët dhe trashëgimia kulturore duhet të jenë burim krijimtarie, shprehjeje dhe risie për një popull pa humbur origjinalitetin dhe identitetin. Kur një popull e lë veten të frymëzohet nga rrënjët e tij kulturore, atëherë ato rrënjë do të marrin formë duke gjetur shprehje konkrete në muzikë, vallëzim, poezi, art, letërsi, aktrim dhe gatim, sinteza e të cilave është kjo mbrëmje festive, e cila shpalos përpara nesh këto vlera dhe tradita të përbashkëta. Nga sa themi kuptojmë më mirë se rrënjët tona kulturore nuk janë dhe nuk mund të jenë pengesë për zhvillimin apo integrimin, përkundrazi, ato janë pikënisja pa të cilën nuk do të dimë se ku jemi dhe ku duam të shkojmë.
3. Rrënjët tona na tregojnë rrugën që duhet ndjekur
Në shprehjen: Gjurmëve të rrënjëve tona, ndeshemi me ftesën e shenjtë që na bëjnë të parët tanë për të ndjekur gjurmët e tyre dhe kështu të jetojmë me mençuri të tashmen, duke u orientuar drejt së ardhmes perëndimore që na kanë trasuar të parët tanë.
Shkrimtari ynë i madh Kadare, i vlerësuar nga më të mëdhenjtë e qytetërimit botëror si rojtari i së bukurës dhe lirisë njerëzore, sikur përmbledh të gjithë trashëgiminë tonë kulturore e shpirtërore, duke ftuar këdo që ndihet vërtetë shqiptar të jetë flamurtari i identitetit të tij evropian.
Në këtë kuptim, rrënjët tona kulturore mund të shihen si një busull që drejton rrugën tonë, duke treguar një rrugë të bazuar në vlera, tradita dhe përvoja që formojnë një qytetërim të jetës, lirisë dhe dashurisë. Këto rrënjë jo vetëm që ofrojnë një ndjenjë përkatësie, por gjithashtu na ndihmojnë të përcaktojmë se kush jemi, nga vijmë dhe ku duam të shkojmë. Prandaj rrënjët kulturore të çdo populli nuk janë pengesë për zhvillimin, por një thesar i çmuar që na ndihmon të orientohemi në botën bashkëkohore. Ato na ofrojnë një themel nga i cili duhet të fillojmë apo të nisemi, një vizion për të ardhmen që integron respektin për të kaluarën dhe inovacionin, duke na udhëhequr nëpër sfidat dhe mundësitë e jetës së përditshme.
Prof. Dr. Muhamet Malaj, lexoi pjesë nga punimi i tij hulumtues dhe studiues në hollësi e thellësi lidhur me figurën madhështore të Shën Jeronimit të titulluar: „Shën Jeronimi, urëlidhësi mes ilirisë dhe botës perëndimore në shërbim të Fjalës së shenjtë“ Në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe brilante paraqiti figurën e Shënë Jeronimit në kohë dhe hapësirë si dhe veprimtarinë e tij në shumë drejtime si dhe gjurmët e pa shlyra që ka lënë për qyterimin shqiptarë dhe botërorë jeta dhe veprimtaria e tij Prmendi dhe ballafaqimet e Shënë Jeronimit gjithandej ku jetoi dhe veproi si dhe periudhën e jetës së tij që e ka bërë si astek etj.Të pranishmit në shenjë falënderimi e duartrokiten shpeshëherë gjatë ligjëratës së tij pothuajse gjysëm ore, për të dhënat e paraqitura për Shënë Jeronimin jetën dhe veprën e tij krijuese, kulturore, historike dhe shpirtërore si për popullin tonë por edhe në hapësirat gjeografike botërore. Ai, bëri me dije edhe për rreziqet ekzistuese në vazhdimsi nga përvetësimi nga të tjerët i kësaj figure siç janë përvetsuar edhe shumë figura e kulte fetare nga të tjerët.
6. Dr. Don Lush Gjergji rrjedhëshme e në mënyrë brilante dhe shumë domethënëse foli lidhur me temën: „Nënë Tereza në 45 vjetorin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe“
Si, gjurmues, hulumtues e studiues në hollësi e thellësi dhe njohësi më i mirë e më sakti në të gjitha drejtimet, lidhur me jetën dhe veprën e bamirëses me famë botërore Gonxhe Bojaxhiut e mirënjohur në tërë botën si Nëna Terezë, me gjuhë, traditë gjak e kulturë shqiptare.
Dr. Don Lush Gjergji, tregoi se në vitin 1979 Jugosllavia kishte kërkuar që Çmimi Nobel për Paqe, ti ndahej Titos.Mirpo reagimet e shumta për veprimtarin e tij gjatë e pas luftës së dytë botërore me burgosje dhe vrasje të shumta i kthet përgjegje negative parashtruesëve të Kërkesës. Edhe për Papen e Romës n’at vitë kishin paraqitur kërkesë për të njejtin çmim. Kërkesa ishte kundërshtuar nga komisioni që vendos me arsyetimet e dhëna.
E treta e vërteta tha mes tjerash Dr. Don Lush Gjergji: Komisioni për shqyrtimin e Kërkesave të paraqitur shqyrtoi Kërkesen e paraqitur nga anëtari i komisionit për ndarjen e Çmimit Nobel për Nanë Terezen dhe një zërit komisioni mori Vendim dhe ndau Çmimit Nobel për Paqe për Gonxhe Bojaxhiun e njohur në tërë botën si Nana Terezë, që Ju dorzua në Oslo më 10.12.1979. Pjesëmarrësit me emocione në shenjë falënderimi e nderpren fjalimin e Dr. Don Lush Gjergjit, me duatrokitj për të dhëna mjaft interesante për pjesëmarrësit e pranshëm në sallë, të emocionuar kur dëgjonin rrëfimet për jetën dhe veprën e bamirëses me famë botërore që përherë ka nda dashuri e bamirësi Goxhe Bojaxhiu -Nënë Tereza.
Programin kulturor e përmbylli z. Nue Zalli, kryetar i Shoqatës Bamirëse“ Nënë Terza“ në Zvicër me fjalën e tij në vijim:
Nue Zalli
Nënë Tereza dhe Shën Jeronimi ilir.
Të nderuar të pranishëm, zonja e zotërinj.
Më lejoni që në emër të Shoqatës “Nënë Tereza” në Zvicër dhe Misionit Katolik shqiptar në Lucern, të përshëndes të gjithë të pranishmit dhe të falënderoj gjithë ata që kontribuan në hulumtime dhe prezantime të këtyre dy personaliteteve, shën Jeronimit she shën Nënë Terezës që i dhanë dije, humanizëm dhe besim njerëzimit, duke u bërë rrëfim për të kaluarën tonë në shekuj.
Në bashkorganizim me Misionin Katolik Shqiptarë këtu në Lucern, si dhe aktivistë të shumtë që jetojnë në Zvicër, po bëjmë përpjekje të sjellim tema për ta kërkuar pjesën më të mirë të vetës dhe për ti dhënë kuptim jetës nga e kaluara në të tashmen. Ndoshta edhe për ta rinjohur vetveten, për një të ardhme më të ndritshme.
Sapo dëgjuam kumtesa, mendime dhe konstatime për të kaluarën e cila përshkruhet me personalitete, sikur ishin këto dy figurat, për eruditin e njohur, filolog, filozof dhe teolog, Shën Jeronimi dijetarë nga Iliria.
Si dhe Shën Nënë Terezën, ikonën e shëmbëlltyrës së dashurisë, ndaj njeriut e ndaj Zotit, për t’u bërë madhështi në vete, e dinjitet për ne, sot dhe për jetë e mot.
Rrënjët tona kanë gjenezë dhe kanë histori, sepse kaluam nen shumë regjime, por ruajtëm me krenari gjuhën, shkrimin dhe kulturën.
Kanë lavdi, sepse nga gjiri ynë dolën trima dhe luftëtarë që mbrojtën atdheun dhe identitetin tonë.
Kanë humanizëm, sepse dolën shumë dijetarë, humanist e mjeshtër krijues, që ndriçuan kulturën dhe shkencën shqiptare.
Kanë edhe dhimbje, sepse padrejtësisht na copëtuan në shumë shtete, duke na larguar nga njëri-tjetri.
Por, pavarësisht këtyre sfidave, të gjitha këto e formojnë një Arbëri që, megjithëse jo të plotë, mbetet e pasur në shpirt, histori dhe kulturë, një Arbëri që jeton në zemrat dhe kujtesën tonë.
Civilizimi përshkruhet me arritje në shkencë e teknologji. Por janë ngjarjet dhe proceset ato që e ndryshojnë shoqërinë. Dhe janë personalitetet e kohës ato që krijojnë shëmbëlltyrë, kulturë veprimi dhe vlera. Dhe bota i njeh këto figura me ndikime historike duke krijuar identitetin e ri të civilizimit.
Ku takohen këto dy figura në histori, shën Jeronimi dhe Shën Nënë Tereza?
Të përbashkëta i kanë dijen, besimin, dhe dhuratën në dobi të njerëzimit.
Shënimet na mësojnë se dija e lartë e Shën Jeronimi nuk u pajtua me varfërinë mendore që përfaqësonin masën asaj kohe, me mënyrën e të besuarit dhe ideologjitë perandorake.
Përderisa Nënë Tereza, nuk u pajtua me mjerimin që e shkakton varfëria shpirtërore e njeriut për t’i lënë të braktisurit, të sëmurët pa dinjitet e shpresë.
Ajo u bë vetëmohim në shërbim të tyre dhe protestë ndaj politikës denigruese.
Populli ynë, ka enciklopedi të zgjeruar të dijetarëve. Ka treguar guxim për ta ruajtur gjuhën, kulturën, që janë indikatorë për ta kërkuar lirinë.
Liria nuk është vetëm lëvizje e lirë. Ajo matet me peshën e shpirtit që ia japim identitetit tonë. Popujt që kanë çlirim shpirtëror kanë ardhmëri dhe nuk shuhen kurrë.
Të nderuar të pranishëm
Shën Nënë Tereza na mësoj më së miri se si bëhet dashuria njerëzore.
Këtu në Zvicër, nën emblemën e saj veprojmë si subjekt humanitar për të ndihmuar të gjithë atyre që janë me nevojë.
Me nevojë e kemi edhe ruajtjen e identitetin tonë, sepse është identiteti i nënës.
Me këtë vetëm sa shpalosemi ndaj botës përmes praktikimit të cilësive që kemi, si shembull i mirë për të tjerët.
Dhe në fund më lejoni edhe njëherë që në emër të dy misioneve, të falënderoj të gjithë ata që kanë ardhur nga Kosova, biografin e Nënë Terezës, Dr. Don Lush Gjergjin, historianin e devotshëm Prof. Dr. Muhamet Malaj, drejtorin e shoqatës Nënë Tereza në Kosovë z. Zef Shalën si dhe kontribuesit tjerë.
Moderatorët e nderuar Johona Gashi dhe Dan Morina, që me profesionalizëm dhe elegancë e moderuan këtë mbrëmje.
Ansamblin Shqiponja dhe këngëtaren Fatime Kalimashi, e cila me zërin e sajë të bukur na dhuroj një atmosferë festive.
Aktorin nga gjermania Mustaf Shabani, për interpretimin e tij të mrekullueshëm.
Korin e Misionit Katolik Shqiptar në krye me motrat e nderit, dhe vullnetarët e shumtë të cilët kanë qenë të gatshëm për të ndihmuar në organizimin dhe realizimin e kësaj mbrëmje kulturore.
Dëshirojmë të veçojmë familjen Frrokaj Verën dhe Kastriotin për Aperon që do ta shijomë pas pak.
Piktorët tanë: Arsim Berisha, Daniel Rosaj, Pren Berisha dhe Xholec Deda, të cilët përmes pikturave të tyre plot ngjyra dhe mesazhe e zbukuruan këtë mbrëmje kulturore.
Një falënderim i madhe edhe për ju të dashur mysafirë që me prezencën tuaj e begatuat këtë tribunë që është me interes për gjithë shqiptarët e sidomos për gjenerata që po rriten në mërgatë.
Shpresoj se do të takohemi me tema tjera në vazhdimësi.
VOAL- Xherdan Shaqiri e ka zvarritur fjalë për fjalë Bazelin e tij në krye të renditjes së Superligës, tani së bashku me Luganon me 28 pikë. Po, sepse në Sankt Jakob-Park, ish-lojtari i përfaqësueses së Zvicrës shënoi një hat-trick personal në 3-1 kundër Servette, duke eliminuar Gjenevasit në minutat e fundit falë një goditjeje pas një penalltie të humbur në minutën e 90-të dhe finales në rikuperim të plotë.
St. Gallen dhe Yverdon ndanë pikët në lojë në raundin e 15-të pas një barazimi pa gola. Skuadra e San Gallo humbi kështu shansin për të kaluar në krye të tabelës, ndërsa Vaudois përfundoi një seri prej tre ndeshjesh pa pikë. RSI
Boksieri Leonid Berisha është shpallur kampion i Zvicrës në kategorinë 80 kg. Ky titull i tij vjen pas një viti përkushtimi e disipline si dhe fitoreve të njêpasnjëshme pa asnjë humbje.
Ky titull i tij vjen për herë të dytë. Leonid Berisha ka lindur më 13 maj 2002 ne Zvicër dhe është me prejardhje nga fshati Drenoc, Komuna e Rahovecit. bw
Në një intervistë për SRF në programin “Sportpanorama Xherdan Shaqiri ” ylli i FCB-së në “Sportpanorama” shprehet i kënaqur që është kthyer në shtëpi dhe luan për skuadrën e Baselit
Në “Sportpanorama” Xherdan Shaqiri ka folur për rikthimin e tij, bujën që e rrethon dhe të ardhmen e tij.
Baseli fitoi 6-1 kundër Winterthur, dhe 33-vjeçari ishte lojtari i jashtëzakonshëm në fushë. Të dielën ai u ul në studio dhe foli me Fabienne Gyr për temat e mëposhtme:
Rikthimi i tij në Zvicër dhe ambiciet e tij me FCB
“Jam shumë i lumtur që jam kthyer në Zvicër pas shumë vitesh jashtë vendit. Gjithmonë duhet pak kohë kur të ktheheni në shtëpi. Për një moment ju dëshironi të filloni dhe më vjen mirë që gjërat shkuan ashtu sikur duhet kundër Winterthur. Ne kemi fituar tre ndeshjet e fundit, gjë që është gjithashtu e mirë për klubin. Mund të vazhdojë kështu.”
“Gjithmonë ndjen pak malli. Jam familjar dhe gjithmonë kam dashur që prindërit të më vizitojnë sërish në “Joggeli”. Gjithmonë kam dashur të kthehem në Zvicër. Kur FCB m’u afrua, nuk m’u desh të mendoja gjatë. Dua që Basel të luajë sërish për tituj. Prandaj kam nënshkruar jo vetëm për një vit, por për tre vjet”.
Shpresoj dhe besoj se kombëtarja do të dalë nga kjo gropë e vogël”.
Me këmbë në tokë
“Jam shumë krenar për karrierën time dhe atë që kam arritur. Shumë njerëz harrojnë se nga vij unë. Unë nuk vij nga një familje e pasur dhe jam rritur në vend. Por edhe kjo tregon se mund të arrish shumë me punë, talent dhe këmbëngulje. Kur më pyesin për këtë, është gjëja më e mirë. Dhe nëse edhe njerëzit në Zürich më shohin të pëlqyeshëm, kjo do të thotë shumë për mua.”
Trajnerët formues në karrierën e tij
“Kam pasur shumë trajnerë dhe shumë trajnerë të mirë. Më duhet t’i falënderoj të gjithë. Ottmar Hitzfeld luajti një rol shumë të rëndësishëm për mua. Ai më çoi në Kupën e Botës në Afrikën e Jugut kur isha 17 vjeç dhe përfitova shumë nga kjo. Por edhe Jupp Heynckes më ndihmoi shumë te Bayern”.
Dorëheqja nga Nati
“Kam luajtur me idenë e dorëheqjes për një kohë të gjatë. Doja të fokusohesha në futbollin e klubeve dhe mendoj se ishte koha e duhur. Ndeshja kundër Skocisë ishte fundi i përsosur për mua. Unë jam ende duke ndjekur kombëtaren, gjërat nuk po shkojnë aq mirë për momentin. Shpresoj dhe besoj se do të dalin nga kjo vrimë e vogël”.
E ardhmja e tij
“Unë nuk jam nga ata që shohin të ardhmen e madhe dhe e marrin atë ditë pas dite. Por është e qartë se dua të qëndroj në futboll për një kohë të gjatë”.
SRF ZWEI “Sportpanorama”, 27 tetor 2024, ora 18:00/EB
Reprezentacioni i Zvicrës në futboll në kuadër të ashtuquajturës Ligë e Kombeve të Evropës, sonte është përballur në stadiumin e FK ”Duboçia” të Leskovcit me Serbinë.
Ndeshjen e kanë fituar serbët 2:0. Humba është pjesë e lojës, por brengosëse është sjellja skandaloze e mbi 10 mijë shikueseve serbë.
Ata tamam si në kor korbashë gjatë gjithë ndeshjes i kanë fishkëllyer Granit Xhakës, kapiten i skuadrës së Zvicrës. Në tribuna është parë edhe Aleksandër Vuçiq, kryetar i Serbisë.
Vuçiq i zhytur deri në maje të kokës me racizëm dhe urrejtje ndaj shqiptareve me atë qeshjen e tij, artificiale dhe cinike me rastin e shënimit të lojtarëve të Serbisë ndaj Zvicrës, edhe gëzimin e shfaqi në stil kurve.
Granit Xhaka, një ylli i vërtetë i futbollit duke e njohur shpirtin e prishur të serbëve për as një çast nuk ra nën provokimin e tyre. Atij fare-fare nuk i bënë përshtypjet përjargiet e këtyre huliganëve, që në të gjitha fushat e futbollit në Evropë, bëjnë vandalizma dhe veprime banale.
Serbët njëherë e përgjithmonë duhet ta kuptojë që luanët si Granit Xhaka, as qerpikun nuk e trembin nga sorrat apo galat.
Të gjithëve u ra në sy takimi miqësor dhe i shkurtër që pati Granit Xhaka me trajnerin e Serbisë, Dragan Stojkoviç. Pas ndeshjes së përfunduar 2 me 0 për Serbinë kundër Zvicrës, kapiteni shqiptar iu drejtua trajnerit serb.
Është vetë trajneri Dragan Stojkoviç, që siç raportojnë mediet serbe ka zbuluar çfarë i tha Granit Xhaka.
“Më tha mua se gjithçka ishte në rregull, që ato patën një qëndrim të mrekullueshëm dhe gjithçka shkoi mirë”, u shpreh Dragan Stojkoviç.
Kujtojmë ndërkohë se gjatë ndeshjes atmosfera nuk ishte aspak miqësore. Koret kundër shqiptarëve nuk munguan gjithë ndeshjen, ndërsa nuk pati incidente në fushë.
Momenti i takimit të Granit Xhakës me Dragan Stojkoviç: (VIDEO)
Komentet