Liqeni i Shkodrës është ura lidhëse mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Por ky park natyror në vend që t’i bashkojë këto dy shtete, ka thelluar më shumë ndasitë mes tyre. Mungesa e bashkëpunimit mes dy vendeve nis që me faktin se lejimi i peshkimit është i ndryshëm, edhe pse peshqit dhe periudha e riprodhimit të tyre është e njëjtë si në Mal të Zi, edhe në Shqipëri. Rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve ishte edhe në fokusin e aktivitetit të organizuar nga Prezenca e OSBE në Shqipëri dhe Misionit të OSBE në Mal të Zi. Pjesëmarrësit në hapjen e këtij turi treditor ishin nënkryetari i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Robert Wilton, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, deputetë të Komisionit parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, Besnik Bare dhe Irma Kopliku si dhe specialistë të mjedisit dhe peshkimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilët pasqyruan problematikat dhe masat që duhet të merren për ruajtjen e Liqenit të Shkodrës.
AKTIVITETI
Aktiviteti ndërkufitar i organizuar nga Prezenca e OSBE me gazetarët e dy vendeve fqinje synon të rritë mirëkuptimin dhe punën e përbashkët mes Shqipërisë dhe Malit të Zi për zgjidhjen e problemeve madhore ekologjike që lidhen me Liqenin e Shkodrës, këtë vlerë të përbashkët natyrore. Nënkryetari i prezencës së OSBE në Shqipëri, Robert Wilton tha se: “Mjedisi është një çështje që na prek të gjithëve, në shëndet, ekonomi, turizëm. Ndaj Liqeni i Shkodrës në të dyja anët e kufirit duhet të jetë gjithëpërfshirës. Edhe qasja jonë si OSBE synon bashkëpunimin dhe lidhjen e dy kombeve”. Ndërsa për kryebashkiaken e Shkodrës, Voltana Ademi, veç bashkëpunimit mes dy vendeve, duhen marrë masat për më shumë investime. “Duhet të respektohen marrëveshjet që kanë dy vendet për bashkëpunim mes palëve. Liqeni i Shkodrës sipas të dhënave ka një gjendje relativisht të mirë dhe ndotje të ulët. Por për ta ruajtur nga çdo rrezik i mundshëm duhen më shumë investime. Kryesor është ndërtimi i impianteve për filtrimin e ujërave të ndotura që derdhen në liqen. Liqeni i Shkodrës është një potencial i zhvillimit të turizmit për rajonin e Shkodrës dhe Malin e Zi”, tha kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Ademi.
NDOTJA
Sipas specialistëve, problematikat kryesore të Liqenit të Shkodrës, i cili ka një sipërfaqe ujore prej 368 m2, janë shkarkimi i ujërave të zeza të papërpunuara, peshkimi dhe gjuetia e paligjshme, si dhe hedhja e mbetjeve, sidomos e atyre plastike. Po ashtu, shqetësues është dhe niveli i ujit gjatë sezonit të shirave, i cili përbën rrezik të vazhdueshëm për përmbytje shkatërruese. Rrezik tjetër po aq shkatërrues ndaj biodiversitetit të liqenit është edhe Uzina e Aluminit në Podgoricë dhe mbetjet boksite, që quhen rezervuari me “baltë të kuqe”. Edhe pse kjo fabrikë nuk punon me kapacitet të plotë, sipas Aleksander Perovic, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Mjedisore OZON, mbetët një ndër 5 pikat më të ndotura të Malit të Zi, si dhe një ndër ndotësit kryesorë të parkut natyror të Liqenit të Shkodrës. Sipas Perovic, zgjidhja e duhur është mbyllja e kësaj fabrike.
PESHKIMI&PËRMBYTJET
Një tjetër problematikë për Liqenin e Shkodrës është edhe peshkimi dhe gjuetia e paligjshme. Edhe pse sipas specialistëve moratoriumi i gjuetisë ka dhënë efektet pozitive edhe në këtë zonë. Ndërkohë që sipas specialistit të peshkimit Arjan Çinai, problem mbetet peshkimi i paligjshëm. “Gjuetia me rrymë elektrike apo me lëndë plasëse janë një rrezik serioz për speciet peshkore”, tha Çinari. Por veç peshkimit, Liqeni i Shkodrës përbën rrezik edhe për përmbytje katastrofike si ato të vitit 2010-2011, ku u përmbytën mbi 25 mijë ha tokë.
Sipas specialistëve, është i domosdoshëm thellimi i lumit Buna, pasi për shkak të aluvioneve, është bërë shumë i cekët dhe del nga shtrati. Shkak për këtë situatë janë edhe portat e peshkimit të vendosura mbi lumin e Bunës, të cilat nuk janë spostuar prej 50 vitesh. Këto porta janë ngritur si problem edhe nga pala malazeze për shkak se pengojnë qarkullimin e peshqve migratorë, duke mos u lejuar shumimin. “Këto kanë mbi 50 vite që nuk ndryshojnë. Normalisht që janë problem edhe shumimin e peshqve, pasi nuk lejon kalimin e peshqve migratorë nga liqeni drejt lumit dhe më pas të shkojnë në det.
Veç saj, është shumë problem edhe fakti se duke qenë se portat nuk ndryshojnë prej 50 vitesh, kanë bërë që Buna në këtë pjesë të ketë shtrat të cekët dhe të shkaktojë përmbytje, pasi në këto dekada janë grumbulluar shumë aluvione (baltë). Nga një legen me fund të thellë që ka qenë shtrati i Bunës dikur, tashmë është si një pjatë e cekët dhe sa herë ka reshje me intensitet të lartë, lumi del nga shtrati”, sqaroi për “GSH” Ridvan Gjeçaj, inxhinier hidroteknik. Problemi i portave të peshkimit në lumin e Bunës janë ngritur si shqetësim edhe nga eksperti Danilo Mrdak, studiues në Fakultetin e Shkencave dhe Matematikës, departamenti i Biologjisë, Universiteti i Malit të Zi. “Koha e peshkimit në liqen është e ndryshme, në Mal të Zi lejohet nga 15 marsi-15 qershor, në Shqipëri është nga 1 prilli-15 maj, në një kohë që periudha e peshkimit duhet të jetë e njëjtë për të dyja vendet. Problem të cilin e kemi ngritur edhe me palën shqiptare janë portat e peshkimit në lumin e Bunës.
Ato pengojnë peshkun migrator, qefullin dhe peshqit që hyjnë nga deti, apo ngjalat që të dalin për depozitimin e vezëve”, tha për “GSH” eksperti Danilo Mrdak. Sipas tij, gjysma e peshkimit në të dyja vendet bëhet në mënyrë të paligjshme. Sa u përket përmbytjeve, eksperti Pllumb Dani, nga Zyra e Emergjencave Civile ka theksuar se ato janë të paevitueshme, por duhet të merren masa që të mos ketë humbje në jetë njerëzish si dhe të minimizohet dëmi ekonomik./ERMELINDA HOXHAJ
Komentet