Akademiku zbulon shpërdorimet financiare nga kryesia e Akademisë: Të ndërhyjë qeveria, prokuroria dhe KLSH. Cikël shkrimesh denoncuese.
ARTAN FUGA/
Për dijeni: Kryeministrit Edi Rama
Ministres së Arsimit, Besa Shahini
1. Sh(përdorimi) i fondeve për botimet Akademia e Shkencave e Shqipërisë reziston me kokëfortësi ndaj procesit të reformimit për shkak të një grupi brenda saj që i imponohet në mënyrë të paligjshme Asamblesë dhe të gjithë opinionit publik, shtetit në përgjithësi.
Modeli i saj i dështuar institucional, administrimi i saj me paaftësi nga Kryesia, heshtja e pafalshme e akademikëve ndaj kalbëzimit të institucionit, kanë sjellë edhe një shpërdorim të parasë publike, çka bën të lindin dyshime, të cilat vetëm organet e specializuara kanë për detyrë dhe kompetencë t’i analizojnë në hollësi dhe thellësi. Këtu është vetëm maja e ajsbergut!
Dështimi i turpshëm i këtij modeli, të cilin grupi i punës i Akademisë për gjoja-reformim na e risjell duke e servirur në tabaka për qeverinë si një gjellë e re, (në fakt, mbeturinë e gostisë me dehje të të gjithë këtyre viteve), duket qartazi edhe në treguesit financiarë të buxhetit të përdorur në vitet e fundit për botimet që ka Akademia e Shkencave ka bërë.
Këto të dhëna i kemi marrë zyrtarisht në shërbimet financiare të Akademisë të Shkencave pas kërkesave të përsëritura dhe kushedi sa kohë të vonuara. Më konkretisht, u referohemi të dhënave financiare që lidhen me paranë publike të sh(përdorur) për botimet e Akademisë të Shkencave përgjatë periudhës që përmbledh katër vite, pra, 2014–2018.
Analiza e tyre vendos përpara përgjegjësisë etike, administrative, ndofta edhe ligjore, si Kryesinë që ka ushtruar mandatin e saj përgjatë kësaj periudhe, si veçanërisht Sekretarin e saj Shkencor, ashtu edhe ndonjërin nga anëtarët e Këshillit Ekzekutiv dhe ndonjërin nga drejtuesit e seksioneve të Akademisë të Shkencave. Gjithashtu, e gjithë Asambleja e kësaj Akademie mbetet me përgjegjësi etike dhe shkencore për heshtjen e vet, pra për memecllikun shkencor dhe administrativ të saj.
Por le të shohim faktet!
– Shpërndarje e privilegjuar e fondeve financiare
Detyra më parësore, ndofta e vetme, e Akademisë të Shkencave përgjatë mandatit të marrë në shqyrtim, ka qenë që me anë të botimeve të saj, të promovojë arritjet më të mira të mendimit teorik dhe kulturor shqiptar të traditës dhe arritjet shkencore të tij. Kjo do të kërkonte që strategjia e përzgjedhjes të veprave që do të duhej të botoheshin, të kalonte medoemos për aprovim në mbledhjet e Asamblesë ose të paktën të seksioneve të saj. Por, Kryesia e Akademisë të Shkencave e ka injoruar këtë detyrim që do të shënonte një menaxhim të pranueshëm të fondeve publike që merren nga taksat e qytetarëve për buxhetin publik dhe që në periudhën e shqyrtuar shkon në mbi 400 milionë lekë të vjetër. Një shumë që do ta kishte pasur zili çdo shtëpi botuese private. Diagrama e mëposhtme do të na tregojë një lloj shpërndarjeje që dëshmon se në vend që të përdoret sipas prioriteteve apo sipas një strategjie të aprovuar çdo vit, kjo shumë përdoret kuturu nga një Këshill Botimesh, që kontrollohet me dorë të hekurt nga Kryesia dhe Këshilli Ekzekutiv i Akademisë të Shkencave, i cili bën njëherësh, dëgjojeni mirë, edhe tenderët financiare për botimet etj.
Tabela 1
Nga tabela e mësipërme vihet re që rreth gjysma e buxhetit të majmë të përdorur për botime në periudhën katërvjeçare 2014 – 2018 të marrë në shqyrtim, sipas përllogaritjeve tona, bazuar në dokumente financiare zyrtare, është përdorur për të botuar punime shkencore të punonjësve shkencorë, që punojnë në agjenci të tjera shkencore të vendit ose për punime që u kushtohen tematikave, të cilat mbulohen nga këto institute ose agjenci të tjera shkencore.
Pra, është fjala për 51 % të këtij buxheti. Dikush që nuk është marrë me administrimin e financave për kërkimin shkencor mund të mbledhë supet dhe të pyesë: Ku është problemi këtu?
Po shpjegohemi. Si do të ishte më e udhës dhe do të përbënte një menaxhim të arsyeshëm profesional? Këto para publike t’u viheshin në dispozicion këtyre instituteve shkencore të specializuara në fushat ku janë bërë këto botime apo këto parà publike të përdoreshin subjektivisht nga Akademia e Shkencave? Sigurisht, do të kishte qenë e udhës që paratë për botimet që i kushtohen gjuhësisë të administroheshin nga Instituti i Gjuhësisë dhe jo nga Akademia e Shkencave, që në Asamble ka vetëm 1 anëtar gjuhëtar! Paratë për botimet nga fusha e historisë të menaxhoheshin nga Instituti i Historisë dhe jo nga Akademia, e cila në Asamblenë e saj nuk ka më shumë se dy historianë. Paratë për botimet kushtuar tematikave të procesit letrar t’u akordoheshin Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë dhe jo Akademisë të Shkencave, e cila në Asamble ka vetëm një studiuese të letërsisë. Në vend që këto botime (vlera e të cilave nuk mund të diskutohet këtu meqë është jashtë kompetencave tona) të debatoheshin, të gjykoheshin se sa prioritare do të ishin për botim, të krijohej një strategji afatgjatë e menduar mirë për botimin e tyre në qendrat shkencore të specializuara, për to vendos një Këshill Botues në Akademinë e Shkencave, i cili heterogjen sikurse është, sigurisht që nuk mund të gjykojë profesionalisht as një strategji dhe as një politikë botimesh në fusha të specializuara. Mund të mendohet se mos Akademia e Shkencave ka bërë konsultime të gjera për strategjinë e botimeve të saj në fusha të specializuara kërkimesh shkencore me institute shkencore, me fakultete ose me departamente; se mos e ka bërë ndonjëherë këtë strategji objekt të mbledhjeve të Asamblesë të saj, – e kotë. As që bëhet fjalë.
Akademia e Shkencave, edhe në botime, sikurse edhe në raportimin e rezultateve të kërkimit shkencor, jo vetëm keqmenaxhon në mënyrë abuzive paranë publike që do të duhej të administrohej nga agjenci shkencore të specializuara, por edhe bën botime, për të cilat ajo nuk ka kompetencën shkencore për të gjykuar nëse ato duhet ose jo të mbajnë vulën e logos të saj.
Arsyeja është sepse Akademia e Shkencave, edhe në dokumentet e veta zyrtare, ende kujton se ka në varësi institutet shkencore, ose ka ëndërruar se i ka pasur ato në varësi, çka nuk përkon fare me realitetin institucional dhe administrativ të peizazhit të agjencive të kërkimit shkencor të vendit. Grandomania, nga e cila vuan edhe modeli gjoja-reformues i grupit zyrtar të punës, ka bërë që Akademia e Shkencave të mos japë prej vitesh asnjë vlerë të shtuar themelore në kërkimin shkencor në vend. Vetëm uzurpon me një delir dhe mendjemadhësi të pashoqe vendimmarrjen për subvencionimin e punës shkencore, që do të duhej t’u kishte takuar qindra punonjësve shkencorë dhe universitarë në vend. Por, nuk është se përtej kësaj grandomanie për të pasur nën menaxhim fonde të majme publike të rrëmbyera nga agjencitë e specializuara shkencore, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nuk ka persona të interesuar, që prej kësaj politike të mbrapshtë të mos nxjerrin privilegje dhe parà për të subvencionuar punën e tyre.
Nga tabela e paraqitur më lart del se 23% e fondeve për botime, pra, rreth një e katërta e tyre për periudhën 2014–2017, pra për katër vjet radhazi, janë përdorur për të subvencionuar anëtarë të Kryesisë të Akademisë të Shkencave, anëtarë aktualë ose edhe të dikurshëm, që nuk i ndahen vjeljes të privilegjuar të fondeve edhe sot e kësaj dite.
Po kështu, përllogaritjet tona, mbështetur në të dhëna zyrtare të zyrës së financës të Akademisë të Shkencave, dëshmojnë që për të njëjtën periudhë, 21% e fondeve të përdorura për botimet kanë shkuar për të financuar punën dhe botimin e akademikëve që punojnë në administratën e Akademisë të Shkencave. Pa pyetur Asamblenë, duke anashkaluar seksionet, duke iu imponuar me konflikt interesi Këshillit të Botimeve, akademikët që punojnë në administratën e Akademisë të Shkencave kanë futur duart e tyre në thesin e buxhetit të Akademisë dhe kanë privilegjuar si pa të keq veten e tyre.
Madje, sipas tabelës, rezulton se 10% e buxhetit në fjalë është përdorur për botimet e Kryesisë së Akademisë të Shkencave që ka ushtruar mandatin drejtues të viteve të fundit.
Shtrohet pyetja djegëse: Këta akademikë të burokracisë, ku e kanë gjetur të drejtën për të privilegjuar veten e tyre?
Ja e dhëna që na ka rezultuar: Kryesia e Akademisë të Shkencave e përbërë prej tre vetësh harxhon për botimet e veta 10% të buxhetit të përdorur për botimet; kurse pjesa tjetër e akademikëve, e përbërë prej 30 a 40 personash, harxhon jo më shumë sesa 28% të këtij buxheti. Kryesia e Akademisë të Shkencave, njeri nga anëtarët e Këshillit Ekzekutiv dhe sekretarët teknikë të seksioneve, gjashtë persona, harxhojnë për këtë periudhë për të subvencionuar botimet e veta 20% të buxhetit të botimeve, kurse akademikët e tjerë, 30–40 persona, harxhojnë vetëm 28% të këtij buxheti. Shpërpjesëtime ulëritëse, që tregojnë sesi administrohet paraja publike në Akademinë e Shkencave, e cila na paraqet si model të ardhshëm të saj, pikërisht këtë model të kalbur keqadministrimi egoist.
A është çudi pastaj se përse disa individë bëjnë çmos për të qenë në drejtimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe nuk i ndahen luftës karrieriste për poste drejtuese atje?
Kjo është arsyeja, besoj, se përse Akademia e Shkencave e Shqipërisë vazhdon të ketë grandomaninë qesharake që t’u imponohet instituteve të kërkimit shkencor dhe botës universitare. Nga njëra anë shpërndan fonde sipas vendimeve subjektive të grupit drejtues të saj dhe, nga ana tjetër, ky grup përdor fondet duke privilegjuar veten e vet! Dhe të mos harrojmë që në krye të këtij përdorimi egoist të parasë publike për vetëpromocionin e botimeve personale, në krye të listës qëndron në këta katër vjet vetë sekretari Shkencor i Akademisë të Shkencave. Po t’u referohemi burimeve zyrtare, ai rezulton me 3 tituj të botuar.
– nuk dihet sesi të gjykuar si studime akademike prioritare – dhe nga kush të gjykuar, sepse në atë fushë në Akademinë e Shkencave është vetëm ai që punon – dhe me një subvencion nga buxheti publik për botimet prej mbi 12 milionë lekësh të vjetër, përftuar në katër vjet!
Por të ishte vetëm kaq do të ishte gjysma e skandalit financiar keqmenaxhues të Akademisë të Shkencave.
– Investime për botime të mbetura stok
Le të shqyrtojmë pak se çfarë mësojmë nga të dhëna të tjera, sipas përllogaritjeve tona, mbështetur në të dhënat zyrtare të shërbimeve financiare të Akademisë të Shkencave.
Të shohim se ku shkojnë kopjet e librave të botuar, për të cilët harxhohen fonde financiare të majme që do t’i kishte pasur zili çdo shtëpi botuese private!
Të dhënat tregojnë se nga 11.950 kopje librash që janë botuar, (të paktën sipas asaj që rezulton në letër, sepse kjo do të investigohet më pas), pas një periudhe nga 1 deri në 3 vjet prej ditës së botimit, del se janë shitur ose shpërndarë 1.563 kopje prej tyre. Pra, 1.563 kopje të shitura ose të shpërndara nga 11.950 kopje të shtypura!!!
Tabela 2
Pra, nga titujt e botuar për periudhën trevjeçare të marrë këtu në konsideratë, vetëm 13% e tyre janë shitur ose shpërndarë, kurse 87% e kopjeve duhet të jenë stok në magazinat e Akademisë së Shkencave. Ende nuk i kemi hyrë pyetjes se ku janë këto magazina stoku dhe çfarë bëhet, si ruhen dhe ku janë 10 mijë kopje librash të pashitur ose shpërndarë si gjendje fizike!!! Nevoja e një inventari kopje për kopje e titull për titull imponohet vetiu!
Por le të analizojmë të dhënat zyrtare me sa më shumë objektivitet!
Është marrë në konsideratë periudha trevjeçare 2014–2016, sepse është konsideruar që në çastin kur janë marrë të dhënat financiare, te të cilat referohemi, pra në vitin 2018, qarkullimi i librave të botuar në vitin 2017 ende mbase nuk kishte marrë pamje të plotë. Por, theksojmë që në momentin që kanë dalë të dhënat e mësipërme, pra, në fillim të vitit 2018, shpërndarja e librit botuar në vitin 2017 ishte në tregues katastrofikë. Gjithsesi, le ta lemë mënjanë përkohësisht vitin 2017.
Kur flitet për faktin që vetëm 13% të kopjeve janë qarkulluar, bëhet fjalë për shitjet, por jo vetëm për to. Por, edhe për dhënien e tyre falas në këtë apo atë masë. Edhe këtë tregues ta lëmë mënjanë përkohësisht. Kush vendos për dhënien e kopjeve të librave falas!? Ku kanë shkuar librat e dhënë falas? Në duart e kujt janë vendosur? A ka procesverbale për to në zyrat e financave, të Këshillit Ekzekutiv apo të Këshillit të Botimeve? Kjo çështje duhet parë në një moment të dytë nga organet e specializuara.
Problemi që do të interpretohet këtu ka të bëjë me pyetjen : Si është e mundur që e gjithë kjo parà publike që harxhohet nga Akademia e Shkencave për botimet, financon një dije e informacion që mbeten të paqarkulluara? Pra, është një dije e informacion që nuk shkon te publiku. Mbetet në gjendje stoku. Kjo dëshmon se është një parà publike e investuar pa efikasitet. Në këtë kuptim, ajo është e abuzuar dhe e keqpërdorur. Kjo gjendje vë përpara përgjegjësisë financiare Kryesinë e Akademisë të Shkencave, sekretarin shkencor të saj, administratën e Akademisë së Shkencave dhe veçanërisht, shërbimet financiare të saj.
Kujt i duhen libra të botuar, që nuk shkojnë te lexuesi?
A nuk është një financim i çuar dëm?! Sigurisht dhe plotësisht.
Kjo na lë të dyshojmë, me arsye, se midis faktit që botohen libra që nuk shiten dhe faktit që Akademia e Shkencave boton libra e vepra shkencore për të cilat nuk ka kompetencë të gjykojë, ka një lidhje të brendshme. Faktet tregojnë që financimi i punës shkencore shkon jo për të çuar dijet te lexuesi ose që interesojnë lexuesin, por në shumë raste te prioritete subjektive të tjera.
Nuk mund të mos sjellim përpara lexuesit pretekstin që përdorin prej kohësh në Akademinë e Shkencave dhe prapa të cilit përpiqen të fshihen për këtë abuzim të madh me paranë publike : Librat që botohen kanë qarkullim të ngadaltë për arsye gjoja se janë vepra shkencore madhore, që nuk kanë shumë lexues! Dobia e tyre gjoja nuk matet me shitjet, por me faktin se botohen pasuri shkencore kombëtare!!!
Përdorimi i këtij argumenti tregon veç faktin se sa larg janë drejtuesit e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga politikat e sotme të botimit dhe të shpërndarjes, edhe se çfarë argumenti qesharak mund të jepet prej tyre për të justifikuar abuzimin me paranë publike.
Duhet njohur se ka vepra të botuara, që vërtet specialistët thonë që përmbajnë rezultate të pasura shkencore. Por kjo nuk mjafton për të legjitimuar mungesën e shitjeve në librat, që boton Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
E para, sepse askush nuk e detyron botuesin të botojë një vepër shkencore në 400 kopje, kur dihet se ajo nuk ka pasur shitje veçse në disa kopje. Në kushtet kur sot mund të shtypet një libër edhe në një kopje të vetme sipas kërkesës, shtypja në 400 kopje e librave që mbesin pa shitur është një shpërdorim i pastër i parasë publike, për të cilën duhet të mbajnë përgjegjësi ata që janë ngarkuar me botimet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
E dyta, me teknologjinë e sotme mund të botohen këto vepra madhore si e-libër, pra në formën numerike dhe të ruhen e përdoren për bukuri dhe me fare pak shpenzime.
E treta, kur provon të shohësh ndonjë dokument analize të segmenteve të publikut të mundshëm për çdo titull të marrë në shqyrtim në Këshillin e Botimeve, atje nuk gjen asgjë të tillë të dokumentuar! Si mundesh të botosh një libër, qoftë edhe vepër e rëndësishme shkencore, pa bërë më parë një analizë marketingu të tregut, pra, të publikut të interesuar për të?
Asnjë shtëpi botuese nuk do t’ia kishte lejuar vetes së vetë këtë. Por Akademia e Shkencave ia lejon vetes, sepse duket që drejtuesit e saj i kanë përdorur në këtë pikë paratë si mall pa zot!
Por, a është e vërtetë që librat e botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk shiten meqë janë vepra madhore shkencore? Po të shohim titujt e botuar në periudhën katërvjeçare të marrë në konsideratë përgjatë viteve 2014– 2018, del se veç veprave vërtet madhore (që do të duhej të ishin botuar nga institute shkencore të specializuara), ka edhe libra të tjerë që nuk janë as më shumë e as më pak, veçse botime si të gjitha të tjerat nga ato që botojnë pafund shtëpitë botuese private. Nga të dhënat zyrtare të zyrës së financës e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, rezultojnë të dhëna që na japin një tabelë :
Tabela 3
Akademia e Shkencave e Shqipërisë pothuajse e ka braktisur kujdesin për botimin e veprave madhore të korifenjve të kulturës shqiptare të së kaluarës përpara Luftës së Dytë botërore. Pyetja e madhe dhe shqetësuese është se, përse kjo braktisje e madhe? Për arsye ideologjike? Apo për kritere financiare sepse aty nuk ka kush përfiton? Nuk dihet! Vetëm 7% e titujve i përkasin kësaj tematike. 22% u takojnë titujve që sjellin mendimin dhe rezultatet shkencore të studiuesve të periudhës së socializmit. Nuk mungojnë rastet kur këto botime i kanë punuar familjarët e shkencëtarëve që kanë ndërruar jetë!!! Kurse mbi 70% e titujve janë tituj librash sikurse çdo shtëpi botuese private sot boton në rutinën e vet të marketingut të zakonshëm. Fare të zakonshëm.
Edhe këta titujt kanë qarkullim të paqenë?
Kush na ka detyruar të botojmë një studim për “Hymnin Kombëtar” në 400 kopje? Kush na detyron të botojmë një libër me titullin pa profesionalizëm “Çështje juridike shoqërore” në 400 kopje dhe të harxhohen për të paguar autorin e tij me më shumë se 11 milionë lekë të vjetra? Kush na detyron të botojmë në 400 kopje nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë një libër me titull “Këngët partizane?” Kush na detyron të botojmë në 400 kopje një libër për hapësirën bregdetare Divjakë–Karavasta, sado i vlefshëm të jetë në përmbajtje? Kush na detyron të botojmë në 400 kopje librin me titull “Hieronimi: në botën arbëreshe” e kështu me radhë?
Kush i mbush botimet me qindra e mijëra faqe meqë paguhet sipas faqeve daktilografike!!! Sa më shumë faqe aq më e madhe pagesa!!!
Kush i bën këto politika? Këtu konflikti i interesit është i dukshëm, por për këtë do të flitet në vazhdim të këtij cikli shkrimesh. Kështu ndodh kur kryesia e Akademisë së Shkencave, Këshilli i saj Ekzekutiv, Komisioni i Tenderimeve, Këshilli Botues vërtitet rreth të njëjtit grup njerëzish që e kanë kapur rob Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Këtë model na paraqet edhe grupi i punës i saj për gjoja-reformën!!!
– Kosto efektive stratosferike e produktit
Dhe meqë kopjet e botuara nuk shiten, treguesit financiarë të botimeve të Akademisë
– veprimtari nga më kryesoret e saj – kanë arritur në kufijtë e mitologjisë, të komedisë dhe të budallallëkut njëkohësisht
Jo më kot kam thënë se Akademia e Shkencave e Shqipërisë është çmendur. Çmenduria e saj si institucion lidhet me faktin se veprimtaria e saj, në këtë rast botuese, por jo vetëm, ka dalë jashtë nga çdo parametër i arsyeshëm. Pa marrë parasysh botimet e vitit 2017, të cilët do ta përkeqësonin shumë rëndë tablonë financiare, por duke konsideruar vetëm botimet e bëra për periudhën trevjeçare 2014–2016, rezulton se kostoja efektive e një kopjeje libri të botuar nga Akademia e Shkencave, kopje e shitur dhe/ose e shpërndarë, arrin në nivele stratosferike. Ja tabela që e tregon këtë vizualisht :
Tabela 4.
Nga analiza e vetëm 21 titujve që kanë kopje të shitura ose të shpërndara, përllogaritur nga ne sipas të dhënave të zyrës së financës e Akademisë së Shkencave, (pra, duke lënë mënjanë ato botime që nuk kanë asnjë kopje të shitur – çka po të merrej parasysh do ta shumëfishonte koston reale efektive për një kopje libri) del se mesatarisht kjo kosto shkon në më shumë se 300.000 lekë të vjetër për një kopje libri të shitur deri tani!!!
Cila shtëpi botuese në Europë do t’ia lejonte vetes këtë luks?
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ia lejon vetes!
Ta gjejë Kontrolli i Lartë i Shtetit se përse ia lejon!
Ta gjejë Ministria e Financave se përse ia lejon!
Ta gjejë Asambleja e Akademisë së Shkencave se përse ia lejon!
Ta gjejë Ministria e Arsimit se përse ia lejon!
Po të dojë, edhe Prokuroria!
Dhe duhet thënë se është një shifër mesatare. Nuk flitet për majat se ku arrin kjo kosto efektive për një kopje libri të shitur.
300.000 lekë të vjetër kostoja e një libri, që mesatarisht e ka çmimin 10.000 të vjetra. Pra, kemi një kosto efektive reale mesatare rreth 30 herë më e lartë sesa çmimi në treg! Imagjinoni të blini një aparat televizori, që koston 600 euro për vetëm 20 euro.
Ka bir nëne a babe që e pranon këtë abuzim?!
Me aq lekë, edhe sikur shkrimet origjinale të Budës, Konfucit, Zarathustrës të ishin, nuk do të kushtonin aq shumë. Imagjinoni, janë një pjesë libra që nuk i do njeri.
Këtu ka çuar abuzimi prej politikave të mbrapshta, prej një modeli të mbrapshtë administrativ, prej një pozicioni të mbrapshtë në peizazhin e agjencive shkencore, që ka zënë e nuk e lëshon Akademia e Shkencave e Shqipërisë!
Grupi drejtues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nuk dëshiron të dëgjojë se me politikën që ka ndjekur ka dëmtuar paranë publike, si edhe politikat shkencore. Është e qartë se ai nuk ka më veshë më të dëgjuar. E kotë të merresh me të!
Përgjegjësi të rëndë ka në çdo aspekt vetë administrata e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që duhet të japi llogari për keqmenaxhimin e parasë publike dhe ortakërinë në këtë politikë të papranueshme.
Po a ka veshë Ministria e Financave, Ministria e Arsimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Kryeministri, të cilët duhet menjëherë të ndërhyjnë për t’u dhënë fund këtyre skandaleve, duke vendosur kontrollin dhe auditin e vërtetë mbi këtë agjenci që administrohet si mall pa Zot?
Komentet