Dje u nda nga jeta Sadije Agolli, gruaja e Dritëro Agollit, një nga shkrimtarët më emblematikë të Shqipërisë. Sot do t’i jepet lamtumira e fundit. I qoftë i lehtë dheu aty pranë Dritëroit të cilin e deshi si dritën e syve!
Ikja e Sadijes ishte e papritur dhe e parakohshme për shumë arsye. Jo vetëm se nuk e kishte kohën për të ikur nga kjo jetë, por kishte një vitalitet të paparë për të përjetësuar veprën e Dritëroit. E kush më mirë se ajo që i njihte çdo nerv dhe qelizë, shkrimtarit dhe bashkëshortit të saj të shquar, mund ta bënte këtë?
Shprehja brilante se pas një burri të shquar, ndodhet doemos një grua e shquar, në këtë rast ka një kuptim perfekt. I kam thënë këtë Dritëroit në sy të Dritëroit dhe ai ma ka miratuar këtë. Veprat e mëdha që ka shkruar Dritëroi gjatë më shumë se gjysmë shekulli dhe që hyjnë në fondin më të shquar të letrave shqipe, vërtet kanë emrin e Dritëroit, por ato kanë dhe një bashkautor: Sadijen. Ajo ka qenë për më shumë se gjysmë shekulli lexuesja e parë e gjithçkaje që shkruante Dritëroi, redaktorja e parë dhe kritikja e parë e tij. Këtë që po them unë e kam përjetuar dhe mund ta dëshmoj me fakte. Ia merrte copërat e letrave nga xhepat, ku Dritëroi shkruante shprehje të mençura, copëza dialogjesh, vjersha, subjekte tregimesh e romanesh dhe ia ruante me shumë kujdes. Sepse ajo e njihte më mirë se askush se cili ishte Dritëroi. E deshi pambarimisht, e vlerësoi dhe e adhuroi si askush tjetër në këtë botë! E nga kjo dashuri marramendëse, i shkoi dy vjet më pas atje pranë… Ndjente mungesën Dritëroi për të apo ajo ndjente mungesën e Dritëroit? Nuk e di. Fakt është që sot Sadija do të shkojë të prehet pranë Dritëroit.
U prehshin në paqe të dy këta njerëz të mirë!
Mund të shkruaj pambarimisht për Dritëroin dhe Sadijen. Sot është dita e Sadijes, e ndarjes fizikisht me këtë grua fisnike dhe të mençur, ndaj më duket sikur mëkatoj që flas më shumë për Dritëroin se për të. Ajo ishte një monument më vete. Por Sadija nuk do të më zemërohej për këtë mëkat. Sikurse dhe Artani dhe Elona, bijtë e mrekullueshëm të Sadijes dhe të Dritëroit…
Unë e kam njohur shoqen e madhe të jetës së Dritëroit, ndaj dhe kam pasur dhe kam një respekt të madh për Sadije Agollin. Bashkëshortësia e saj më Dritëroin ishte një amalgamë njerëzore e admirueshme në të gjitha aspektet. Sadija e donte marrëzisht bashkëshortin e saj të shquar sa kishte marrë të gjitha huqet e tij. Mbase edhe Dritëroi kishte marrë nga ajo. Po ju sjell një fakt domethënës: Në disa dedikime dhe letërkëmbime që ruaj prej çiftit Agolli unë nuk jam në gjendje ndonjëherë të kuptoj se cili është shkrimi i Dritëroit dhe cili i Sadijes. Ata shkruanin gati njëlloj, me të njëjtin stil komunikimi dhe intelekti, të ortografisë dhe të drejtshkrimit. Aq shumë ishin shkrirë me njëri-tjetrin. Një aliazh që nuk u ndryshk deri në fundin e jetës së tyre fizike. Edhe ky mendoj se është një element i dashurisë së tyre të madhe…
Prandaj i kam respektuar dhe dashur ata. Dhe do ti kujtoj përjetësisht me dashuri.
Në dy vjetorin e ndarjes nga jeta të Dritëroit, Sadija po punonte intensivisht për një libër me kujtime të miqve bashkëkohës të Dritëroit. Libri ishte drejt përfundimit. Mbi 90 për qind ishte dhe është i kryer, falë përkushtimit të jashtëzakonshëm të Sadijes. Disa nga këto kujtime janë botuar në gazetën DITA.
Një ditë para se Sadijes t’i binte hemorragjia e rëndë cerebrale që i mori jetën, unë kam pasur një bashkëbisedim të gjatë me Sadijen për fatin e këtij libri dhe për autorë të veçantë që duhej të përfshiheshin në këtë libër. Ishte një bashkëbisedim prekës. Nuk do ta harroj kurrë atë bashkëbisedim. Ajo që më bënte përshtypje në të gjitha bashkëbisedimet e shpeshta që kam pasur me Sadijen (sepse Dritëroi nuk mbante telefon celular) sa herë doja të komunikoja me Dritëroin do të flisja me doemos me Sadijen. Ato që më thoshte Sadija përputheshin tërësisht me ato që më thoshte Dritëroi. Janë histori letrare, politike e shoqërore këto të cilat i ruaj si brilante në kujtesën time. Fotografitë që kam me shkrimtarin dhe poetin e shquar janë dëshmi autentike për këto që po them.
Por sot është dita e Sadijes. Dita e ndarjes fizike me të.
Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të Dritëroit, Sadija e përkujtoi shokun e një jete për më shumë se gjysmë shekulli, duke botuar letërkëmbimin e tyre shumëvjeçar. E ka titulluar “Dashuri në moshën e Krishtit”, duke iu referuar moshës së Dritëroit, kur ata u njohën. Në këtë përmbledhje janë përfshirë letrat që Sadija dhe Dritëroi i kanë dërguar njëri-tjetrit në vitet e para të njohjes, por edhe më vonë për të kujtuar kohë të vjetra apo për t’i thënë njëri-tjetrit gjëra që nuk i thoshin dot me fjalë.
Libri është i pajisur me një parathënie të shkruar nga vetë Sadije Agolli, përmes së cilës ajo ndan me lexuesin dhimbjen, mungesën, një vit të gjatë dhe të vështirë pa njeriun e dashur. Ajo rrëfen copëza nga përditshmëria e tyre së bashku, por edhe kujtime të hershme… Janë momente të bukura dhe të vështira, të cilat jo rrallëherë, Dritëroi i kthente në vargje.
Tashmë që Sadija iku nga kjo botë, e kuptoj se çfarë thesaresh kemi humbur. Vetë Dritëroi më pat thënë dikur se “Eh, ç’mund të shkruaj unë për kujtimet e kësaj jete. Por unë jam shpirtdhimbsur. Më dhimbsen edhe kundërshtarët dhe nuk më pëlqen t’i shoh se si vuajnë nga mëkatet që kanë bërë. Por, jam edhe ipamëshirshëm. Do t’i lë kujtimet e mija nën jastëk e le të botohen pas vdekjes sime. Sadija do të merret me to…”
Unë nuk e di fatin e kujtimeve të Dritëroit. E kisha lënë të bisedoja me Sadijen këtë në një kohë të volitshme, pa menduar kurrë se ajo do të ikte kaq papritmas… Ndjej keqardhje të thellë dhe shumë i penduar që nuk nxitova t’ia merrja ca kujtime Sadijes…
Komentet