Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë!
I nderuar Kryetar i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, zoti Talat Xhaferi!
Të nderuar deputetë të Lëvizjes “Besa”, zonja Teuta Bilalli dhe zoti Bilal Kasami!
Jemi mbledhur sot në Tiranë për të dhënë aprovimin mbi Protokollin e hyrjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.
Me datën 6 shkurt në 2019, në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s, përfaqësuesit e përhershëm të 29 vendeve anëtare të Aleancës, nënshkruan Protokollin e Aderimit në Aleancë, të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Pas kësaj ngjarjeje të posaçme për ardhmëninë e sigurt dhe të qendrueshme në Ballkanin Përëndimor, përkryerja e procesit të anëtarësimit lëvizi drejt parlamenteve të vendeve respektive anëtare, duke i hapur rrugën vendit të 30, të jetë pjesë e një sistemi sigurie të njëjtësuar.
Sot ne kemi përgjegjësinë politike për t’iu përgjigjur pozitivisht, më votën tonë në organin sovran të Republikës së Shqipërisë, pranimit të këtij protokolli për vendin fqinj tonin, Republikën e Maqedonisë së Veriut, në të cilen jetojnë në trojet e veta shekullore, një pjesë e urtë, e mençur dhe punëtore e kombit tonë.
Kjo ngjarje shënon një përparim të mëtejshëm në procesin e integrimit në strukturat euro-atlantike të vendeve të rajonit të Europës Juglindore.
Hapja e procesit të aderimit përfundimtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO në fakt është rezultat i progresit të lexueshëm të demokracisë, respektimit më të mirë të drejtave të njeriut dhe të drejtave të kombësive përbërëse në krahasim me periudhat e palavdishme pararëndëse. Ky përmirësim është realizuar në mënyrë më të spikatur nga qeveria aktuale e Kryeministrit Zoran Zaev, dhe përbën një shkallë më të avancuar të respektimit të shtetit ligjor dhe barazisë të shtetasve dhe shtetarëve para ligjit, gjë që ka çuar në faktin se në atë vend, asnjë politikan nuk mund të qendrojë mbi ligjin.
Ky zhvillim në vendin e vogël fqinjë, përparimi i mëtejshëm i tij në rrugën e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, në fakt është një diferencë të spikatshme në sytë të Perëndimit, në raport me vendin ku sot zhvillohet ky debat dhe ky votim parlamentar, të kapërthyer nga ligësia politike, kapja e ekzekutivit nga një dirigjencë e markës mafioze, që në një formë ose në në tjetër, duhet çrrenjosur para se të jetë shumë vonë.
Posaçërisht, stabiliteti i vendit fqinj, ka ardhur edhe për shkak të një qendrimi të urtë dhe të vendosur, racional në pikëpamje të respektimit me mençuri të të drejtave kombëtare, pa cënuar të drejtat e bashkështetasve të tyre maqedonas, të komunitetit shqiptar, që banon në trojet e veta në atë republikë, për arsye të ndarjeve të padrejta të një kohë të shkuar dhe të pangjashme me kohën e sotme të europianizimit të mirëfilltë të Ballkanit. Një rol të posaçëm në këtë drejtim ka luajtur udhëheqësia intelektuale e këtij komuniteti.
Në mënyrë më konkrete, në aspektin e pengesave ndërballkanike, që klasa politike e Shkupit ka kapërcyer në këto dy dhjetvjeçarë, dy syresh spikasin në mënyrë të veçantë, në të dy ekstremitetet kohore të përiudhës:
1- Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar me 13 gusht të vitit 2001, që i dha fund konfliktit të armatosur në mes UÇK dhe forcave të sigurisë shtetërore maqedonase. Ajo marrëveshje ishte një shembull që tregonte se si me politika të mira, me më shumë mirëkuptim, me diskutime më të mira, me më shumë tolerance, paqa mund të rivendosej dhe besimi mund të rindërtohej, edhe pas krizave aq të thella sikur ajo që shpërtheu në fillim të mijëvjeçarit të tretë në ato anë ku kalon kufiri etnik në mes popullit shqiptar dhe popullit sllavo maqedonas.
2- Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar me 12 qershor 2018, në mes Kryeministrit të Republikës së Greqisë Alexis Tsipras dhe homologut maqedonas Zoran Zaev, sipas të cilës, Republika e Maqedonisë do të riemërohej si Republika e Maqedonisë së Veriut. Referendumi i dështuar i 30 shtatorit 2018, aprovimi vijues parlamentar, si edhe ratifikimi nga ana e Parlamentit të Greqisë me 25 janar 2019 i saj, i hapi rrugën përfundimisht anëtarësimit të vendit fqinjë në NATO.
Marrëveshja e dytë në fakt, arriti të amortizonte një politikë të kahershme regjionale të shtetit grek, të ndërtuar në mënyrë absurde, duke u mbështetur mbi pretendime me konotacione antike, le të themi Epiri, ose Maqedonia, pa llogaritur realisht kompozitën etnike të këtyre regjioneve në epokën bashkëkohore, as edhe mbi një proces real të zhvendosjes së dhunshme popullsisë jo helene që ka ndodhur nga Maqedonia e Jugut, dhe nga Epiri i Jugut, në fund të Luftës së Dytë Botërore, zhvendosje që klasa politike greke kërkon ta fshijë nga kujtesa historike. Përdorimi i miteve dhe nocioneve antike, në ndjekjen e një politike të fqinjësisë bashkëkohësi, nuk mund të konsiderohet në perëndim, por edhe në vendet normale që operojnë politikisht mbi të vërteta, si një argument racional dhe i vlefshëm. Thanun ndryshe, të mendosh se pas njëzet shekujsh të trazuar në Ballkan, situacionet etnike dhe demografike të Ilirisë, Epirit, Maqedonisë, Greqisë dhe Trakisë, kanë mbetur të palëvizshme, përbën një abuzim të dëmshëm me historinë dhe realitetin politik, që mund të peshonte rëndë mbi të drejtën, mbi paqen dhe mbi harmoninë mes popujve të kësaj anë të Europës edhe në filllim të shekullit të XXI
Ajo ishte një qasje e dalë jashtë kontekstit të realitetit dhe përmbyllja kësisoj, që ndodhi këto ditë dimri, është vetëm një taposje e një dezikuilibrimi të raporteve ndër ballkanike, që duhet të shoqërohet më tutje nga vlerësime reale politike, të denja për shekullin e XXI.
Tani është vendi t’u kujtoj kolegëve maqedonas në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, se në të gjithë këtë marrëveshje për të zgjidhur një konflikt, i cili mbështetej nga nacionalizmi helen mbi absurde historike, elita politike dhe intelektuale shqiptare në atë republikë, ka mbajtur një qendrim luajal ndaj shtetit dhe bashkështetasve të tyre maqedonas. Po ashtu duhet të kuptojmë se pa faktorin politik shqiptar, Marrëveshja e Prespës në Parlamentin e Maqedonisë nuk do të kalohej. Është një e vërtetë që qeveritarët e Shkupit duhet ta kujtojnë kur zgjohen në mëngjes dhe kur të bijnë në gjumë në mbrëmje. Ishin edhe shqiptarët, ata që e mbajtën drejtimin e anijes shtetërore drejt Perëndimit; ishte luajaliteti ndaj vlerave të demokratizimit, perëndimizimit, i klasës intelektuale dhe komunitetit shqiptar atje, që mundësoi që ne sot të vendosemi para një dokumenti të tillë, për të kryer një mision përparimtar për paqen dhe sigurinë në Ballkan.
Por le të dalim tek problem i parë: Nuk ka dyshim që Marrëveshja e Ohrit ka krijuar një mbrojtje më të mire parlamentare për pakicat, duke parashikuar shumicën e dy të tretave për ligjet që kanë të bëjne me kulturën, gjuhën, arsimimin, dokumentat personale dhe simbolet kombëtare. Po ashtu, kompetencat e pushteteve vendore në aspektet e vendimarrjes institucionale, financimit dhe administrimit të shkollave fillore dhe të mesme, ekzekutimin e çështje të përkrahjes sociale, arsimin universitar në gjuhën shqipe, janë shumë më të mëdha se para vitit 2001. Ligji i aprovuar në vitin 2005 lejoi ngritjen e flamurit shqiptar në ndërtesat publike me shumicë shqiptare. Akti më i vlefshëm është aprovimi me 14 mars 2018, i “Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve”, që mundësoi përdorimin më të gjërë të gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në vend. Por duhet të shënojnë se ky përdorim nuk ka qenë i papenguar me mjete artificiale, ndaj lipset që në Kushtetutën e Republikës, të vendoset e përcaktohet që gjuha shqipe të mos ketë më kufizime. Ky avancim i gjuhës shqipe nuk e mbyll çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe dhe politikanët maqedonas e shqiptarë para vetes kanë shumë punë për të bërë.
Sa më sipër është një kërkesë komunitare, që në vitet në vijim, të sillen vendime që gjuha shqipe të jetë zyrtare, pa kufizime siç shihet që edhe sot ende i ka.
Kështu pra, pavarësisht përparimeve të ndodhura në vendin fqinj, ato në konceptimin tone europianist, janë ende në gjysmën e rrugës drejt përkryerjes me standardin e kërkuar. Ka një vështirësi për të pranuar rënien një herë e mirë të kohës, kur populli shqiptar në ish Jugosllavi, për rrjedhojë edhe në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, nuk konsiderohej si komb shtetformues. Koha që po kalojmë dhe aktet të cilat jemi mbledhur sot t’i aprovojmë, na kujtojnë se duhet të mbahen qëndrime krejtësisht të reja.
Formalizimi i njohjes të së drejtës shtetformuese të popullit shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në këndvështrimin tim, do të përbënte njohjen e një realiteti veprues, aspak të dëmshëm për stabilitetin e vendit, përkundrazi, i tillë që do të sherbënte si një garanci përforcuese kushtetuese. Nuk duhet të harrojmë se herët apo vonë, këtë zyrtarizim të plotë, brezat e ardhshëm më të emancipuar kanë për ta realizuar.
Shqiptarët lipset të jenë themeltarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe rrugë tjetër përveç njohjes, nuk mendoj se mund të ketë.
1-Për këtë arsye, së pari, mosdefinimi i shtetit si shtet i dy etnive më të medha, por si shtet i etnisë maqedone, mendoj se i përket të shkuarës. Politikbërësit europianë në Shkup duhet ta lexojnë qartë vullnetin e shqiptarëve të: Dibrës, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Shkupit, Strugës, Manastirit, Kumanovës etj., për të qenë besnikërisht themeltarë të vendit, si faktor të barabartë në përparimin dhe integrimin euro-atlantik të Republikiës së Maqedonisë së Veriut.
2- Marrëveshja e Ohrit ka pasur dinamike implementimi deri në vitin 2004 dhe 2005. Për përiudhën nga viti 2006 deri së fundmi, nuk janë vërejtur zhvillime të metejshme implementuese, me përjashtim të marrëveshjes së marsit 2018. Është i paqartë niveli i implementimit të një numri prej pikave të marrëveshjes. Mbetet një punë e rëndësishme informuese mbi nivelin e zbatueshmërisë, posaçërisht në aspektet e përfaqësimit në institucione dhe në administratën publike. Edhe sot kur ne po diskutojmë, administratorët shqiptarë mbeten nëpër shtëpitë e tyre, duke mos qenë pjesë e administratës shtetërore. Maqedonia e Veriut lipset ta ndryshojë qasjen e saj ndaj shqiptarëve, sepse nuk i bën nder që të aplikojë dhe të jetë në familjen e madhe europiane e në NATO, dhe nën anën tjetër shqiptarët e punësuar në administratën shtetërore, organet e sigurisë, të vazhdojnë të rrijnë në shtëpi, pa pasur një detyrë dhe një rol në këto procese.
Këtu edhe një mesazh për politikanët shqiptarë në qeveri: individët profesionalisht të aftësuar, pavarësisht se nuk i përkasin partisë suaj, nuk mund të pengohen dhe lihen mënjanë për arsye të mungesës së besnikërisë politike ndaj pjesës së pushtetit që ju keni marrë. Kjo logjikë duhet të lihet mbrapa, mbasi ajo e dëmton qenien shqiptare në Maqedoninë e Veriut, nxjerr jashtë drejt rrugëve të kurbetit rininë e shkolluar, njerëzit e thjeshtë. Ruajeni arsyen sepse dëshira dhe doktrina janë fillimi dhe fundi i një rruge që të jeni themeltarë.
3.Ligji i gjuhëve që u aprovua në marsin e vitit 2018 ka shumë mangësi Gjuha shqipe nënkuptohet si gjuha e 20% e popullates dhe ky përkufizim paraqitet vetëm në nenin 1 të ligjit, gjë që është e pamjaftueshme për t’i dhënë formalizim të plotë barazisë së të drejtave.
4.Mbetet ende i faktuar, diskriminimi ekonomik i vendbanimeve shqiptare me buxhet, gjë që është lehtësisht e verifikueshme. Zona ekonomike në Tetovë, që ishte vendi ku prodhohej molla më vitale e vendit nuk po funksionon si duhet dhe punon me kapacitete minimale. Po ashtu nuk kemi investime kapitale në vendbanimet shqiptare: kërkohen investime për ujësjellësa, për dritë e për infrastrukturë. Kjo gjendje lipset të ndryshojë sa më shpejt në erën e re dhe buxheti të ndahet proporcionalisht e jo të merren taksa nga shqiptarët e të lejohet që ata të vazhdojnë të jetojnë në mjerim. Kjo nuk është një politikë europiane, është veç një politikë ballkanike që e aplikojnë komunistët dhe socialistët në Shqipëri, por kurrsesi nuk mund të zërë vend një hapësirë të mbizotëruar nga serioziteti.
5. Problemi më i rëndë për shqiptaret mbetet në ato qytete dhe rrethe, ku për shkak të politikave të kahershme të zbrazjes, ndryshimit të nacionalitetit të popullsisë orthodokse shqiptare, politikave të heshtura diferencuese ndaj shqiptarëve muslimanë, shqiptarët janë nën 20%, si në Manastir, në Prespë, në Oher, në Prilep, në Veles, në Krushevë. Një situatë e pangjashme mosvëmendjeje i është kushtuar komunitetit të vogël katolik shqiptarë në Shkup prej dekadash. Pikërisht këto problem nuk janë zgjidhur në mënyrën më të përshtatshme nga autoritetet drejtuese politike të Shkupit. Një numër mangësish të legjislacionit në trajtimin e përshtatshem dhe të barabartë të shqiptarëve të këtyre anëve, lejon që ata aty të diskriminohen dhe të asimilohen në mënyrë sistematike, dhe kjo gjë nuk duhet të ndodhë më, në kohën tonë, të Perëndimizimit të vendeve tona, nën heshtjen edhe të autoriteteve të Tiranës zyrtare, të majisur nga korrupsioni, servilizmi dhe përulja e paprinciptë. Buxheti per arsimin shqip vazhdon të jetë diskriminues në rastet e bashkive ku shqiptarët janë nën 20% të popullsisë, si në Manastir, Prespë, Ohër Velesh, Çashkë. Si është e mundur që nxënësve shqiptare në këto anë nuk u mundësohet e drejta e barabartë e shkollimit në gjuhën shqipe, për shkak të një shifre, të kuptuar mekanikisht? Dhe jo në mënyrë logjike? Në Manastir, në Prespë fëmijët mësojnë maqedonisht në një kohë që Ministri i arsimit dhe i kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut është i kombësisë shqiptare. Nëse nuk keni mësues e arsimtarë, ne do i sjellim nga Shqipëria dhe nuk do të lejojmë të asimilohen shqiptarët, për shkak të qejfeve politike në udhëheqësinë e mbyllur. Ne i respektojmë të tjerët, por lipset që edhe fqinjët në rastin konkret Maqedonia e Veriut, të punojë me kujdes në drejtim të kulturës, arsimit dhe trashëgimisë kombëtare.
6. Prej më shumë se një dhjetëvjeçari në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk është realizuar regjistrimi i popullsisë. Nuk dihen arsyet, por qarqet më të spikatura intelektuale shqiptare atje, e konsiderojnë këtë mungesë si një tregues se ekziston “frika” e pajustifikuar, se numri i shqiptarëve mund të jetë shumë më i madh se sa normat e parashikuara nga legjislacionin që përmendëm më lart. Secili ka të drejtë të regjistrohet dhe ta deklarojë identitetin e vetë kombëtar.
7. Problem i madh mbetet mosdhënia e shtetësisë për një numër të konsiderueshem qytetarësh, që shkon sipas disa përllogaritjeve, deri 100.000 qytetarë me origjinë nga Republika e Maqedonsië së Veriut. Asnji faktor subjektiv nuk mund të ndalojë të drejtat civile të shtetasve, që për arsye të emigrimit politik dhe ekonomik të dekadave të shkuara nga një vend komunist siç ishte Jugosllavia e Titos, të pengohen sot, të rimarrin regjistrimin në regjistrin civil të shtetit të origjinës. Edhe personalisht në emigracionin tim të shkurtër kam takuar me dhjetra bashkëatdhetarë, që ma kanë bërë të njohur këtë problem që sot, në këtë ditë të shënuar, po e ekspozoj për vëmendjen e autoriteteve politike dhe diplomatike të shtetit fqinj.
8. Edhe pas 18 viteve nga Marrëveshja e Ohrit, ende nuk ka ligj per pjesetaret e UÇK-se. Inkuadrimi dhe integrimi i tyre në institucionet e administratës publike dhe politike mbetet i paqartë për dallim nga pala tjetër, qe e ka rregulluar me ligj çeshtjen e branitelleve (ish pjesëtarëve të sigurisë) siç i quan pala maqedone. Është rasti të rishikohen të gjitha rastet dhe dënimet që u janë dhënë ish pjesëtarëve të UÇK-së me kujdes dhe të zgjidhen një nga një.
Neni 56 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut garanton mbrojtjen, përparimin dhe begatimin e thesarit historik dhe artistik të të të gjitha bashkësive që jetojnë në atë shtet, por edhe të të mirave që e përbëjnë atë, pavarësisht regjimit të tyre juridik.
Pyetja që bëj është kjo: a përfshihen në thesarin historik të popullit shqiptar, edhe shtëpia e një prej bashkëthemeluesve të shtetit shqiptar me origjinë nga Tetova, Ministrit të parë të Mbrojtjës, Mehmet Deralla?
Derisa sot kur po flasim, pasuria e Mehmet Pashë Derallës, gjeneralit tonë te nderuar nga Tetova, pasuria e tij e patundshme, mbetet e konfiskuar, e tjetersuar dhe pasardhësve të tyre, që jetojnë në Shqipëri, u është mohuar shtetesia. Qeveria e Maqedonise së Veriut, lipset t’ia kthejë familjes Deralla, Shtëpinë e Halim beut, që gjendet në Spitalin e Tetoves, e rrethume me baraka te shpifura, e lënë në harresë. Keto veprime janë të papranueshme nga qytetaret shqiptarë në atë shtet ndaj do të duhet të korrigjohen. Janë veprime të vogla po domëthënëse për të kthyer besimin e shqiptarëve atje dhe mbylljen e plagëve të vjetra.
I nderuar shkelqësi kryeparlamentar Xhaferri: Ju jeni në pozicionin shumë të nderuar dhe mjaft të rëndësishëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si rezultat i vullnetit të të gjitha forcave politike shqiptare, përfshirë edhe ato të opozites, ndaj koordinimi i plotë i faktorit politik shqiptar, është detyrim që rrjedh nga autoriteti që ju ka dhënë juve sovrani.
Personalisht kam besim se udhëheqësia juaj e urtë dhe e mençur në këto kohë të mira të kthesës së mbarë europianizuese për shqiptarët dhe maqedonasit në shtetin ku ju patet fatin të jeni një aktor i rëndësishëm politik formalizues, ka qenë e rëndësishme. Une mendoj se një rëndësi të posaçme ka adresimi i shkollimit në gjuhën shqipe, i brezit të ri dhe brenda këtij kuadri, formësimi me kulturën më të mirë që u ngjiz ndër nxënësit e sistemit shkollor shqiptar në shtetin amë, nga etërit e mëdhenj të shkollës shqipe të viteve 1920’, 1930’ dhe 1940’. Ata kanë lane një trashëgimi të qytetëruar, shekullare dhe maksimalisht korrekte në pikëpamje të respektimit të vendit tone në këtë anë të Europës Juglindore. Me lejoni t’ju kujtoj i nderuar shkelqësi, se unë mendoj se çdo nxënës shqiptarë në Maqedoninë e Veriut duhet të ketë pranë në tavolinën e tij të studimit, tekstin e “Bota Shqiptare” dhe vellimet e “Shkrimtarëve Shqiptare”. Ato që i kanë hartuar, kanë qenë njërezit më të ditur të trojeve tona, më tolerantët dhe europianistët ndër ne, që i kanë përpiluar me objektivin e qartë të themelimit të një vetëdijeje të njësuar dhe të konsoliduar të brezit të ri të kombit tonë. Ne nuk kemi mundësi të bëjme eksperimente të metejshme me kombin dhe qënien e tij në Europë, dhe aq më pak ta lëmë edukimin në duart e atyre që kanë sendërtuar metodat e krijimit të vektorëve të ndryshëm edukues ndër shqiptarë, për të shpërbërë njësueshmërinë tone kulturore.
Juve ju takon të ndalni çdo përpjekje për ta vijuar këtë liri të stërholluar nga qarqe që nuk kanë të bëjnë me nacionin tonë dhe vendin e kombit tone në Europën e Bashkuar. Maqedonia e Veriut ka shumë punë para vetes, ne nuk e pengojmë, por do e mbështesim faktorin shqiptar atje, sepse jeton në vendin e vet, në truallin e vet dhe ka të drejtë t’i gëzojn të gjitha të drejtat, pa cenuar asnjë milimetër nga të drejtat vetvendosëse të popullit bashkë-shtetformues maqedonas atje. Me përgjegjësinë më të lartë qytetare e intelektuale dje, sot e nesër do jem në mbeshtetje të kësaj ideje, që shqiptarët të jetojnë të lirë kudo që jetojnë edhe në Maqedoninë e Veriut. Do të jem në përkrahje të të drejtave europianizuese.
Unë i përgëzoj bashkëkombasit e mi dhe jam admirues se sa fort ata e ruajnë gjenezën e tyre, duke reflektue shumë europianizëm. Në të njejtën kohë përshendes dhe përkrah udhëheqësinë aktuale maqedonase, kolegët e mi profesorë atje, që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në respektin ndaj shqiptarëve.
Rrugë të mbarë në Europën e Bashkuar
Komentet