VOAL

VOAL

BE pajtohet për rregulla më të forta ndaj gazsjellësit rus

February 8, 2019

Komentet

Macron falenderon Gisele Pelicotin për kurajën në gjyqin e dhunimeve masive: Dinjiteti i saj ka inspiruar Francën dhe botën

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e ka nderuar figurën e Gisele Pelicotit për forcën që ka shfaqur në gjyqin e dhunimeve masive, të inciuara nga burri i saj dhe të kryera nga 50 burra tjerë.

 

Duke e përshkruar atë si pioniere për gratë, ai ka thënë se “dinjiteti i saj dhe kuraja e kanë inspiruar Francën dhe botën”.

Ish-burri i saj, Dominique Pelicot, 72-vjeçar, është dënuar me 20 vjet burgim për dhunim, pasi e ka pranuar se e ka droguar Giselen për pothuajse një dekadë dhe se ka rekrutuar burra tjerë për ta dhunuar atë, teksa ajo ka qenë në gjendje kome në shtrat. Të 50 burrave tjerë u janë dhënë dënime më të vogla.

Gisele Pelicot ka thënë se procesi gjyqësor ka qenë i vështirë, mirëpo beson në një të ardhmen kur burrat dhe gratë mund të jetojnë “në harmoni dhe me mirëkuptim”.

Ajo pati marrë vendim që procesi të mos jetë anonim dhe e ka bërë rastin publik, i cili ka marrë vëmendje globale.

Gjyqtarët në jug të Francës kanë thënë se 51 burrat që janë paditur, të moshave prej 27 deri në 74-vjeçare, janë fajtorë dhe janë dënuar, mirëpo avokati i Giseles ka thënë të premten se “asnjë vendim nuk do t’ia kthejë mbrapsht jetën që i është shkatërruar”.

Tre fëmijët e saj kanë dhënë se janë të zhgënjyer me disa dënime që u janë shqiptuar disa burrave, të cilat dallojnë prej tre deri në 15 vjet.

Sipas raportimeve, 41 burra janë dërguar menjëherë në burg.

Avokati i Dominique Pelicotit ka thënë se është “tronditur” nga dënimi ndaj klientit të tij dhe do të vendosë në ditët në vijim nëse duhet apeluar atë.

Aktivistët kundër dhunës seksuale e kanë ndjekur nga afër procesin gjyqësor, me shpresën se do të nxisë reforma në ligjet e Francës dhe të ndryshohet kultura e debatit për dhunimet dhe dhunën seksuale që përfshin edhe abuzim me drogën./rel

Von der Leyen: Po e shqyrtojmë aplikimin e Kosovës dhe jemi gati t’i heqim masat

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur gatishmërinë që institucioni që ajo drejton të nisë punën në trajtimin e aplikimit të Kosovës për marrjen e statusit të kandidatit.

Megjithatë, ajo theksoi se për këtë proces është i nevojshëm një vendim unanim nga shtetet anëtare të BE-së.

“Jemi të gatshëm të nisim procesin, por na duhet një ftesë për të dalë me opinion. Po punojmë që ta marrim këtë dhe ne jemi gati”, ka thënë Von der Leyen gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Bruksel.

Kosova ka aplikuar në vitin 2022 për statusin e kandidatit, por deri tani nuk është trajtuar nga Këshilli i BE-së.

Për të mandatuar Komisionin Evropian të punojë në opinionin përkatës, kërkohet një vendim unanim nga të gjitha shtetet anëtare.

Presidentja e Komisionit Evropian tha se edhe çështja e masave ndaj Kosovës është në duar të shteteve anëtare, të cilat duhet të vendosin njëzëri për heqjen e tyre.

“E njëjta vlen edhe për masat. Ne jemi absolutisht gati t’i heqim masat, por edhe këtu na duhet unanimiteti i vendeve anëtare, të cilin tash nuk e kemi, por po punojmë shumë që ta marrim, sepse gjithsesi është me rëndësi që edhe Kosova të lëvizë”, ka deklaruar von der Leyen, duke shtuar se pavarësisht rrethanave, Kosova ka mbështetje të plotë nga institucionet evropiane. sn

Gjykata e Francës e mban në fuqi dënimin e Sarkozysë për korrupsion

Gjykata Supreme e Francës e ka mbajtur në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila e kishte shpallur ish-presidentin francez, Nicolas Sarkozy, fajtor për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit derisa ishte lider i vendit.

Sarkozy, 69 vjeç, përballet me burgim, megjithatë ai pritet t’i kërkojë gjykatës ta lajë dënimin në shtëpi duke e mbajtur një byzylyk elektrik në dorë. Kështu ndodh në Francë në rastet e dënimeve me dy apo më pak vjet burgim.

Ai u shpall fajtor për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit nga gjykata e Parisit më 2021 dhe nga Gjykata e Apelit më 2023, për përpjekje për t’i dhënë ryshfet një gjykatësi në këmbim të informatave për një rast ligjor në të cilin ishte përfshirë.

“Dënimet dhe vendimet janë përfundimtare”, thuhet në komunikatën të Gjykatës Supreme të mërkurën.

Sarkozy, i cili ishte president i Francës nga viti 2007 deri në vitin 2012, u tërhoq nga jeta publike në vitin 2017, megjithatë ai vazhdon të luajë një rol me ndikim në politikën konservatore franceze. Ai ishte ndër të ftuarit që morën pjesë në rihapjen e Katedrales Notre Dame në fillim të këtij muaji.

Sarkozy reagoi në X pas vendimit, ku tha: “Do t’i marr përgjegjësitë e mia dhe do të përballem me të gjitha pasojat”.

Ai shtoi: “Nuk e kam ndër mend të ankohem. Por, nuk jam i gatshëm ta pranoj padrejtësinë e thellë që më është bërë”.

Sarkozy tha se do të kërkojë ta çojë çështjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe shpreson që këto procedura të çojnë në “dënimin e Francës”.

Ai përsëriti “pafajësinë” e tij.

“Vendosmëria ime është e plotë, si në këtë rast, ashtu edhe në të tjerat”, përfundoi ai.

Avokati i Sarkozyt, Patrice Spinosi, tha se klienti i tij “do ta respektojë” vendimin. Kjo do të thotë se ish-presidenti do të duhet ta mbajë një byzylyk elektronik, tha Spinosi.

Është hera e parë në historinë moderne të Francës që një ish-president shpallet fajtor dhe dënohet me burg për veprime gjatë mandatit të tij.

Paraardhësi i Sarkozyt, Jacques Chirac, u shpall fajtor në vitin 2011 për keqpërdorim të fondeve publike gjatë kohës sa ishte kryetar bashkie i Parisit dhe u dënua me dy vjet burg me kusht. REL

Lajçak: Kosova ta themelojë Asociacionin, Serbia t’i njohë simbolet e Kosovës

Takimi mes emisarit të BE-së (në mes) dhe kryenegociatorëve nga Kosova (djathtas) dhe nga Serbia, më 17 dhjetor 2024, në Bruksel.

 

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ua ka kujtuar Prishtinës dhe Beogradit, të martën në Bruksel, se normalizimi i marrëdhënieve nënkupton integrim në BE, dhe se dy proceset janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin.

Lajçak ka thënë se me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq, kanë diskutuar për hapat drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, teksa ka përmendur “shtensionimin, përgjegjësinë për sulmet e 2023-tës, riintegrimin e serbëve të Kosovës, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës”.

Deklaratat e Lajçakut erdhën një ditë pasi Kosova dhe Serbia përmbyllën me sukses negociatat për zbatimin e Deklaratës së vitit 2023 për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Lajçak ka thënë se dakordimi për zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit ishte “një hap i rëndësishëm që përfundimisht do të sjellë një përmbyllje për familjet”.

Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.

Emisari evropian ka paralajmëruar se Brukseli së shpejti do të jetë mikpritës i takimit të parë të një Komisioni të Përbashkët, ndërkaq Bislimi ka thënë se ky komision do të fillojë të merret me çështjet që i takojnë nga janari i 2025-tës.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Por, deri tani, asnjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë. REL

Kancelari Scholz humb votëbesimin; Gjermania drejt zgjedhjeve të parakohshme

VOA Marrë nga Associated Press

Kancelari Olaf Scholz humbi votë-besimin në parlamentin gjerman të hënën, duke e çuar shtetin me popullsinë më të madhe dhe ekonominë më të madhe të Bashkimit Evropian drejt zgjedhjeve të parakohshme në muajin shkurt.

Kancelarin Schulz e mbështetën vetëm 207 nga 733 ligjvënësit e dhomës së ulët të Bundestagut, ndërsa kundër votuan 394 ligjvënës dhe abstenuan 116 të tjerë. Për t’i mbijetuar një votë-besimi, kancelari gjerman duhet të kishte marrë të paktën 367 vota.

Kancelari Scholz humbi shumicën në parlament, pasi koalicioni i tij jopopullor u shpërbë në 6 nëntor, pasi ai shkarkoi ministrin e financave për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi buxhetin. Udhëheqësit e disa partive kryesore ranë dakord më pas që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 23 shkurt, shtatë muaj më herët se ç’ishte planifikuar fillimisht.

Mocioni i sotëm i ishte i nevojshëm pasi kushtetuta gjermane e hartuar pas Luftës së Dytë Botërore nuk ia lejon Bundestagut të vetëshpërndahet. Tashmë duhet të vendosë Presidenti Frank-Walter Steinmeier nëse duhet të shpërndahet parlamenti dhe të mbahen zgjedhjet e reja.

Presidenti Steinmeier ka 21 ditë afat për të vendosur dhe pritet sidoqoftë që ta marrë vendimin përpara Krishtlindjes. Zgjedhjet duhet të mbahen brenda 60 ditëve pas shpërndarjes së parlamentit.

Në praktikë, fushata elektorale ka filluar tashmë dhe debatet e së hënës që zgjatën tre orë e reflektuan këtë fakt.

Çfarë thonë palët politike?

Zoti Scholz, social-demokrat i qendrës së majtë, u tha ligjvënësve se zgjedhjet do të përcaktojnë nëse “ne, si një vend i fortë, do të guxojmë të investojmë në të ardhmen tonë; a kemi besim tek vetja dhe vendi ynë, apo vëmë në rrezik të ardhmen tonë? A vendosim në rrezik kohezionin dhe begatinë tonë duke vonuar investime që duhet të ishin bërë prej kohësh?”.

Apeli i zotit Schulz për votuesit përfshin premtimin për “të modernizuar” rregullat e rrepta, të vetë-imponuara të Gjermanisë për borxhin kombëtar, për rritjen e pagës minimale dhe për uljen e taksës mbi ushqimet.

Rivali nga qendra e djathtë, Friedrich Merz u përgjigj se “po e lini vendin në një nga krizat më të mëdha ekonomike në historinë e pasluftës”.

“Qëndron këtu dhe flet sikur gjithçka të ishte në rregull, se duhet të rrisim borxhin në kurriz të brezit të ardhshëm, le të harxhojmë paratë dhe fjala ‘konkurencë’ e ekonomisë gjermane nuk figuroi as edhe një herë gjatë fjalimit që mbajte sot”, tha zoti Merz.

Kancelari tha se Gjermania është vendi evropian që furnizon me më shumë armatime Ukrainën dhe se ai dëshiron që kjo të vazhdojë, por nënvizoi këmbënguljen e tij për të mos dërguar raketa me vetëdrejtim Taurus, që kanë rreze të gjatë veprimi, për shkak të shqetësimeve për një përshkallëzim të luftës me Rusinë, apo një dërgim të mundshëm të forcave gjermane në konflikt. “Nuk do të bëjmë asgjë që rrezikon sigurinë tonë”, tha ai.

Zoti Merz, i cili ka qenë i hapur ndaj mundësisë së dërgimit të raketave me rreze të gjatë veprimi, tha se “nuk na nevojiten leksione për luftën dhe paqen” nga partia e zotit Scholz. Ai tha, megjithatë, se rivalët politikë në Berlin janë të bashkuar në një “vullnet absolut për të bërë gjithçka në mënyrë që kjo luftë në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Cilat janë shanset e tyre?

Anketimet tregojnë se partia e Kancelarit Scholz mbetet shumë pas bllokut kryesor opozitar të zotit Merz, i quajtur Union, i cili kryeson. Zëvendëskancelari Robert Habeck i ambientalistëve të Partisë së Gjelbër, partneri i mbetur në qeverinë e zotit Scholz, po bën gjithashtu ofertë për postin e lartë – megjithëse partia e tij është më mbrapa.

Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë, e cila ka nivel të fortë mbështetjeje në anketime, ka emëruar zonjën Alice Weidel si kandidate të saj për kancelare, por nuk ekziston ndonjë shans për ta marrë këtë detyrë, sepse partitë e tjera refuzojnë të punojnë me të.

Sistemi zgjedhor i Gjermanisë prodhon tradicionalisht koalicione dhe anketimet tregojnë se asnjë parti nuk është afër shumicës absolute. Zgjedhjet pritet të pasohen nga javë të tëra negociatash për të formuar një qeveri të re.

Mocionet e besimit janë të rralla në Gjermani, një vend me 83 milionë banorë që vlerëson stabilitetin. Kjo ishte vetëm hera e gjashtë në historinë e saj të pasluftës që një kancelar bën vetë thirrje për një mocion të tillë.

Hera e fundit ishte në vitin 2005, kur kancelari i atëhershëm Gerhard Schröder mundësoi zgjedhje të parakohshme, që u fituan ngushtë nga sfiduesja e qendrës së djathtë, Angela Merkel.

Transportonte 40 cisterna naftë për ushtrinë ruse, ukrainasit godasin me raketa amerikane trenin

Një tren rus i nisur nga Krimea për të furnizuar me naftë forcat ushtarake të Moskës në Zaporizhzzhia, është hedhur në erë nga ukrainasit.

Treni që transportonte 40 cisterna me naftë është sabotuar falë një operacionit të Inteligjencës ukrainase (SBU)) dhe ministrisë së Mbrojtjes, duke çuar kështu në zvogëlimin e kapaciteteve logjistike të ushtrisë ruse në rajonin e pushtuar.

SBU pranon se ka bashkëpunuar me grupin kolaboracionist Tavria për të shënjestruar trenin rus. Operacioni filloi në afërsi të fshatit Oleksiyivka në qarkun Bilmatsky, kur SBU-ja ukrainase sabotoi binarët e trenit.

Kjo bëri që treni të del nga shinat dhe rezervuarët me naftë u përfshinë nga zjarri pas kësaj. Ndërkohë grupi Tavria përdori sistemin raketor amerikan HIMARS për të goditur me precizion rusët, duke shkatërruar lokomotivën dhe binarët, duke garantuar që nafta të mos arrinte në destinacion.

Sulmi jo vetëm që shkatërroi rezervuarët e naftës në tren, por edhe binarët që çonin në pjesë të tjera ku janë të shpërndarë trupat ruse, të cilat këtë fundvit po përballen me mungesë të ushqimit dhe karburantit. bw

Piranjat- Mateo Renzi: Kryeministri Rama dhe Meloni kanë bërë një idiotësi së bashku

Investigimi i një jave më parë në resortin me pesë yje në Shëngjin, atje ku janë akomoduar rreth 100 agjentë të policisë dhe karabinierisë, shkaktoi një tërmet të vërtetë në jetën politike italiane, ndërkohë që mediat kryesore të vendit fqinj, i hapën faqet e para me këtë argument që ka zemëruar jo pak italianë.

La Repubblica, La Stampa, La Gazzetta del Mezzogiorno, Dagospia, L’unitá, Domani, Il Secolo Decimo Nono, La Sicilia… e shumë media të tjera të gadishullit apenin, i bënë jehonë kësaj historie.

Po çfarë kishte ndodhur në resortin në fjalë, që shkaktoi kaq reaksion në Itali?

Për të kuptuar se çfarë po ndodh brenda resortit, ne u hoqëm si turiste të strukturës mikpritëse të italianëve, dhe ajo që mësuan në orët e qëndrimit aty, ishte që këta agjentë që kishin ardhur për të mbikqyrur kampin e refugjatëve të Gjadrit, dhe qendrën e pritjes së Shëngjinit, në realitet po bënin turistin me paratë e taksapaguesve italianë.

Pas shpërndarjes së kësaj historie në mediat italianë, reagimet nga politika ishin të menjëhershme.

Eli Shlejn, sekretarja e Partisë Demokratike, do të shkruante në rrjetet e saj sociale për këtë skandal.

Reagime të ashpra erdhën nga pjesa më e madhe e spektrit të majtë në Itali.

Ndërkohë, për të kuptuar më shumë se çfarë po ndodh në vendin mik pas këtij skandali, Piranja Luela Gaxhja realizoi një interviste me dy prej drejtuesve më autoritarë të opozitës italiane.

Matteo Renzi, ish kryeministër, aktualisht lider i Italia Viva, dhe Roberto Maxhi, sekretar i Piu Europa, të dy shumë kritikë ndaj marrëveshjes Rama Meloni për emigrantët.

Deputeti Maxhi u bë i njohur në Shqipëri pas kësaj përplasje me gardën në hyrje të kampit të Gjadrit. Agjentët nuk e kursyen aspak politikanin italian dhe ishte kryeministrja Meloni e cila evitoi një incident diplomatik

Deputeti Maxhi e konsideron të papreçedent sulmin e kryeministres Meloni ndaj gjykatave, madje një rrezik për demokracinë.

Ndërsa lideri i italia Viva Matteo Renzi ka provuar diçka mes qeshjes ironike dhe zemërimit, pasi ka parë investigimin tonë për agjentët italianë në Shëngjin.

Kjo qasje qe sipas Renzit është tipike e një influencerje, shoqërohet edhe me një lloj insistimi, pavarësisht nëse është apo jo e gabuar.

Ky propozim i një senatori me peshë në politikën italiane siç është Matteo Renzi, mund të zërë vërtetë të papërgatitur dy kryeministrat Rama dhe Meloni, por pas këtij operacioni të cilin ne e kemi quajtur një dështim me sukses, kjo ndoshta është zgjidhja më e mirë për të shpëtuar së pari fytyrën e tyre, dhe së dyti gati 1 miliard euro të taksapaguesve italianë, mes të cilëve edhe mbi 500 mijë shqiptarë. Por sa do të jetë dakord zoti Rama me këtë tezë që sapo u hodh nga një eksponent i së majtës italiane? sn

Macron emëron François Bayroun kryeministër të ri të Francës

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka emëruar të premten politikanin e qendrës, François Bayroun si kryeministër të ri, ka thënë Pallati Elysee, vetëm një javë pas rënies së Qeverisë paraprake.

Të mërkurën e kaluar, opozita e ka rrëzuar Qeverinë e ish-kryeministrit konservator, Michel Barnier, për shkak të mospajtimeve për buxhetin, ndonëse ka qenë vetëm tre muaj në zyrë.

Franca është në ngërç politik pasi zgjedhjet e mbajtura në qershor dhe korrik nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat të qartë.

Ndërkohë, shteti është duke u përballur me situatë kritike në ekonomi, sidomos për shkak të rritjes së borxhit publik dhe deficitit të madh buxhetor.

Partitë opozitare kanë kërkuar edhe dorëheqjen e Macronit në gjithë këtë krizë ekonomike dhe politike, pasi buxheti për vitin 2025 ende nuk është miratuar.

Por Macroni ka refuzuar të japë dorëheqje. REL

Rusia i afrohet qytetit kyç të Ukrainës, teksa Zelensky e viziton vijën e frontit

Forcat ruse vazhdojnë t’i afrohen qytetit strategjik në lindje të Ukrainës, Pokrovsk, derisa përpjekjet diplomatike janë rritur për t’i dhënë fund luftës më të madhe në Evropë ndër dekada.

Sipas platformës online të hartave të luftës, Deep State, trupat ruse janë afruar 3 kilometra pranë pjesës lindore të Pokrovskut, i cili është kryqëzim kyç për Ukrainën, si dhe furnizuesi i vetëm i brendshëm i vendit për koks.

“Duhet të ndërmerren vendime jokonvencionale për ta zgjatur qëndresën e mbrojtjes sonë dhe për ta shkatërruar më shumë pushtuesin”, tha gjenerali Oleksandr Syrskiy, kryekomandanti i Ukrainës.

“Luftë jashtëzakonisht e ashpër në fushëbeteja. Rusët po i përdorin të gjitha forcat në përpjekje për ta thyer mbrojtjen tonë”, shkroi ai në Facebook.

Kjo zonë prej muajsh është dëshmitare e disa prej beteja më të ashpra nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës prej Rusisë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili vizitoi vijat e frontit në rajonin e Zaporizhjas të enjten, ka kërkuar përforcime, pasi duket se pozicionet ukrainase po hasin në vështirësi për ta përballuar përparësinë e Rusisë në ushtarë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Serhiy Filimonov, komandanti i batalionit të 108-të “Da Vinci Wolves”, paralajmëroi se arsyeja kryesore e humbjeve derisa Rusia po çan përpara drejt Pokrovskut, janë “detyrat joreale” për trupat në këtë rajon, duke marrë parasysh numrin e ushtarëve të tyre.

Luftimet në fushëbeteja janë ashpërsuar pasi të dyja palët janë duke synuar t’i përforcojnë pozicionet e tyre, pasi ka shenja për një armëpushim të mundshëm dhe për bisedime për paqe në muajt në vijim.

Vrulli diplomatik

Ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë u takuan në Berlin të enjten për të biseduar rreth ndihmës për Ukrainën, ndërsa kryeministri polak, Donald Tusk, vendi i të cilit është mbështetës i fortë i Ukrainës fqinje, e priti presidentin francez, Emmanuel Macron, në një takim në Varshavë për të biseduar për hapat pas luftës.

Liderët nga e gjithë Evropa po përpiqen t’ia dëshmojnë presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, i cili do ta marrë detyrën më 20 janar, se ata janë të gatshëm ta bartin barrën që u takon për t’i dhënë fund luftës pothuajse trivjeçare në Ukrainë.

Trump ka pohuar se ai mund t’i japë fund luftës për 24 orë, duke ngjallur shqetësim se ai mund ta detyrojë Ukrainën t’i dorëzojë territor Rusisë, duke e rrezikuar sigurinë e BE-së.

Në një Deklaratë të ashtuquajtur “Deklarata e Berlinit”, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës, Polonisë, Italisë, Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, nënvizuan mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Kievin.

“Ne jemi të përkushtuar për t’i siguruar Ukrainës garanci të palëkundshme të sigurisë, duke përfshirë mbështetje afatgjate ushtarake dhe financiare”, tha deklarata.

Takimi në Berlin u organizua nga ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Pas takimit me Macronin, Tusk tha se Polonia nuk ka plane për të dërguar trupa në Ukrainë.

Një media polake raportoi në prag të takimit se Tusk dhe Macron do të diskutonin mundësinë e dërgimit të një force paqeruajtëse evropiane prej 40.000 ushtarësh në Ukrainë.

Zelensky ka kërkuar vazhdimisht garanci të forta sigurie, përfshirë anëtarësimin në NATO, duke thënë se ndryshe nuk mund ta ndalesh Rusisë nga kryerja e pushtimeve të tjera.

Tusk dhe Macron, të cilët u takuan para mbledhjes së ministrave të BE-së, riafirmuan se çdo marrëveshje paqeje në Ukrainë duhet të përfshijë ukrainasit.

“Ne do të punojmë me Francën për një zgjidhje që do të mbrojë mbi të gjitha Evropën dhe Ukrainën”, tha Tusk.

Kryeministri polak tha dy ditë më parë se bisedimet për paqen mund të fillojnë “në dimër”. REL

“Rusia humbi 198 mijë”, Zelensky: 43.000 ushtarë ukrainas janë vrarë në luftë

Rreth 43.000 ushtarë ukrainas janë vrarë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një deklarim të rrallë për numrin e viktimave.

Në një postim në rrjetet sociale, presidenti ukrainas ka thënë se janë raportuar 370.000 persona të plagosur, ndonëse në këtë shifër ai ka thënë se përfshihen edhe ushtarët që janë plagosur më shumë se një herë.

Ai ka pretenduar se si pasojë e luftës janë vrarë 198.000 ushtarë rusë dhe janë plagosur 550.000 të tjerë. Kievi dhe Moska kanë publikuar rregullisht vlerësime për humbjet që ka pësuar pala tjetër, mirëpo asnjëherë nuk kanë folur në hollësi.

Shifra e re në anën ukrainase përbën rritje të konsiderueshme të vdekjeve prej nisjes së luftës. Zelensky pati thënë në shkurt të këtij viti se shifra e viktimave shkon në 31.000.

Vlerësimet e Zelenskyt për humbjet e palës ruse janë të ngjashme me ato që kanë ofruar zyrtarët perëndimorë, të cilët vlerësojnë se Rusia ka regjistruar 800.000 viktima, përfshirë të vrarët dhe të plagosurit.

Moska hedh poshtë këto shifra. Përmes një deklarate, Kremlini ka pretenduar se humbjet e ukrainasve janë “disa herë më të mëdha” sesa ato ruse.

Zhvillimet e fundit kanë ndikuar në rritje të numrit të të vdekurve. Forcat ushtarake ruse vazhdojnë të bëjnë avancime të vogla në vijën e frontit në lindje të Ukrainës, si dhe në rajon rus, Kursk.

Forcat ukrainase kontrollojnë pjesë të vogla të territorit rus në Kursk, të cilin e kanë fituar përmes një ofensive të befasishme në Rusi, në gusht të këtij viti.

Rusia e ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014. Tetë vjet më vonë e ka nisur luftën e plotë në Ukrainë, duke pushtuar territor në jug dhe lindje të shtetit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. bw

“Kambanat e historisë sonë po bien sërish”- Rihapja e katedrales “Notre Dame”, Macron: Zbuluam atë që kombet e mëdha mund të bëjnë, të arrijnë të pamundurën

Presidenti francez, Emmanuel Macron, në fjalën e tij në cerëmonin për rihapjen e Katedrales Notre-Dame, shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që shpëtuan dhe ndihmuan në rindërtimin e monumentit ikonë.

Ceremonia madhështore, e ndjekur nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe dhjëtera liderë të tjerë në botë, shënoi ringjalljen historike të katedrales pasi u shkatërrua në një zjarr të vitit 2019.

Macron tha se ne kemi rizbuluar atë që kombet e mëdha mund të bëjnë, të arrijnë të pamundurën.

“Ne duhet ta vlerësojmë si thesar këtë mësim brishtësie, përulësie dhe vullneti dhe të mos harrojmë kurrë se sa shumë ka çdo person dhe se si madhështia e kësaj katedrale është e pandashme nga puna e të gjithëve”, tha Macron në ceremoninë e rihapjes.

Por, pas rihapjes së katedrales “Notre-Dame”, të parët që u falenderuan brenda saj, ishin zjarrfikësit të cilët luftuan me flakët që përfshinë katedralen 5 vite më parë, duke minimizuar kështu dëmet.

Qindra të ftuar, duartrokitën për 5 minuta zjarrfikësit që bënë një punë vetëmohuese për shpëtimin e katedrales mbi 800-vjeçare.

Macron e mbylli fjalimin e tij duke thënë “rroftë Notre-Dame” dhe rroftë republika franceze. gsh

“Ferr”, Zelensky zbulon armën e re ukrainase: Raketë-droni ka një rreze prej 700 km

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zbuluar një “raketë-dron” të prodhuar nga Ukraina. Kjo armë, sipas autoriteteve ushtarake ukrainase, është e aftë për të goditur objektivat 700 km (430 milje) larg, më shumë se dyfishi i rrezes më të gjatë të raketave të ofruara nga aleatët perëndimorë.

Mjeti ajror pa pilot, i quajtur “Peklo”, që do të thotë “ferr” në gjuhën ukrainase, është lloji i dytë i të ashtuquajturit “raketë-dron” i zbuluar nga Kievi këtë vit.

Dronët, të cilët fluturojnë ulët si një raketë lundrimi, mund të arrijnë shpejtësinë 700 km/h (430 mph), tha prodhuesi shtetëror i armëve ukrainas Ukroboronprom ndërsa arma iu dorëzua zyrtarisht forcave të armatosura.

Raketat britanike dhe franceze Storm Shadow kanë një rreze prej rreth 250 km (155 milje), ndërsa raketat Atacms të furnizuara nga SHBA mund të godasin deri në 300 km (185 milje).

Muajin e kaluar, Vladimir Putin testoi një raketë të re hipersonike të quajtur Oreshnik duke goditur Dnipron në Ukrainë. bw


Send this to a friend