Do të kërcejë me Albërie Hadërgjonajn për herë të parë në ekran të hënën, si partneri i një artisteje me karrierë. Për fituesin e “Big Brother 8”, Vesel Kurtishaj, kjo sfidë e re, përveç lakmisë së fitores, do t’i shërbejë si trampolinë që një ditë të ketë emisionin e tij në ekran. Por dhe me dashurinë s’është keq. Pas disa ditësh pushime romantike në Turqi me Tean, ai thotë se kanë nisur bashkëjetesën në Tiranë. Për të gjitha ndryshimet në jetën e tij, Veseli flet për “Panoramën”…
I rikthehesh vrullit të jetës pas disa ditësh pushime romantike në Turqi me Tean. Çfarë dimensioni arriti intimiteti juaj?
Pushimet në Turqi i kaluam shumë mirë, pasi ambienti e gjithçka ishte perfekte. Mendoj se intimiteti është diçka shumë personale, ndaj duam ta ruajmë për vete, pa qenë nevoja ta ndajmë me të tjerët.
Çfarë hobesh të reja zbuluat së bashku? Ishin grindjet pjesë e ditëve tuaja?
Pak a shumë ia njihnim hobet njëri-tjetri tashmë, dhe nuk pritëm këtë rast për të njohur të tjera. Si të gjitha çiftet, edhe ne mund të kemi momentet tona të zënkave të vogla që përfundojnë shumë shpejt, por që sigurisht nuk i kishim lënë për pushimet, pasi shkuam vetëm për t’u qetësuar. Kur ishit në lojë e komplimentoje Tean për trupin me bikini. Cila pjesë e trupit të josh më shumë tek ajo? Mua më pëlqen çdo gjë nga trupi i Teas, por nëse do të kishte një pjesë të trupit që do ta veçoja, përsëri do të preferoja të mbetej diçka mes meje dhe Teas.
Kur jeni bashkë, konsumoni alkool? Është kjo mënyra që zgjidhni për t’i ikur realitetit?
Jo, nuk është se e kalojmë masën me alkool. Mund të pijmë ndonjë gotë verë, shampanjë, apo edhe ndonjë shishe birrë, por mbetet aty, pa e tepruar. Ajo çfarë po përjetojmë ne është reale dhe shumë e bukur, kështu që… Ndërkohë, ndryshe nga ajo, ti do të rikthehesh në ekran si konkurrent i “Dance with me”.
Si e priti Tea, dhe pse pranove një ofertë si kjo?
Tea e priti shumë mirë këtë ofertë për mua, se sigurisht që ne gëzohemi për arritjet e njëri-tjetrit. E pranova si fillim, sepse kërcimi është një nga hobet e mia që i vogël. Së dyti, më pëlqen të jem pjesë e televizionit dhe kjo është një mundësi e mirë që mund të më shërbejë si trampolinë, për sa kohë “Dance with me” është një shou që të mban në sytë e publikut për tre muaj rresht. Kështu të jep mundësinë që jo vetëm të shpalosësh vlera në kërcim, po nëpërmjet klipeve që duhet të improvizosh çdo javë të shpalosësh dhe vlera të tjera, të cilat do t’u shërbenin ambicieve të mia drejt televizionit.
Dhe deri ku shkojnë ambiciet e tua?
Ajo që do doja të arrija ishte një emision i ideuar nga vetë unë.
Çfarë komplimenti të bëri regjisorja Vera Grabocka kur u takuat?
Vera Grabocka është një zonjë dhe profesioniste e vërtetë, që me punën e saj të imponon respekt. Nuk më bëri ndonjë kompliment të veçantë, por ndihem i nderuar që më jepet rasti të punoj me një figurë të showbizz- it shqiptar, me një regjisore kaq të talentuar. Më pëlqeu shumë dhe stafi drejtues dhe balerinët, të cilët na pritën shumë mirë. Në këtë sfidë je çift me një artiste me karrierë si Albërie Hadërgjonaj.
Çfarë do bësh për ta arritur fitoren?
Alberia është ndër këngëtaret më të njohura në trojet shqiptare, dhe ndaj ndihem i nderuar që jam çift me të. Sa për pyetjen, unë do të bëj atë që kam bërë gjithmonë, do jap maksimumin tim, përfundimi pastaj mbetet të shihet. Sigurisht qëllimi që i kam vënë vetes është si çdokush tjetër aty. Si fillim të paraqitem denjësisht, të jap maksimumin dhe në fund sigurisht që fitorja është qëllimi final.
Kishe premtuar se bashkë me ofertën do nisje dhe bashkëjetesë me Tean në Tiranë? Keni filluar të jetoni bashkë?
Ne jemi duke bashkëjetuar. Dhe meqë jemi këtu te bashkëjetesa, doja të shtoja se në “BB” të tjerë bënin plane bashkëjetese, madje dhe për martesë, por në realitet po bashkëjetojmë unë dhe Tea, që nuk bëmë asnjëherë deklarata të tilla, por çdo hap e hodhëm shumë gradualisht e natyrshëm, që të mos pendoheshim më pas.
Cila është kënga që të përfshin shpirtërisht dhe që do të doje ta kërceje me Tean?
Kënga që më përfshin dhe ajo që do e kërceja është “Careless Whisper” e George Michael.
I surprizuar nga ndarja: Diedoni djalë me vlera, Alba e paqëndrueshme
Veseli nuk ka hezituar të japë mendimin e tij për çiftit Alba-Diedon, që u ndanë pak javë më parë. Si personi që ka qenë pranë tyre edhe jashtë lojës, ai e komenton kështu ndarjen: “Nuk dua të paragjykoj apo gjykoj askënd, dhe si fillim dua të them se si lidhjet, ashtu edhe ndarjet, janë pjesë e jetës. Në rastin konkret më duhet të them “Po”, u suprizova pak ashtu, si shumë të tjerë besoj nga ndarja e tyre, sepse nga deklaratat e forta që bënte Alba, si brenda lojës dhe jashtë, njerëzve iu krijua përshtypja se ajo ishte “e dashuruara e shekullit”. Pavarësisht kësaj, nuk është se ndarja s’i shkonte në mend askujt. Ajo që përbën surprizën në këtë rast është se mbaroi shumë shpejt si histori. Për më tepër, mesa di unë, ka qenë Alba, e cila fliste me shumë siguri në deklaratat e saj, ajo që i ka dhënë fund lidhjes. Shpresoj që ky të mos ketë qenë vendim i nxituar nga ana e saj dhe ata të gjenjë rrugën e mirëkuptimit për t’u lidhur përsëri, nëse të dy e dëshirojnë diçka të tillë. Përndryshe, Alba duket e paqëndrueshme në ato që thotë e bën. Ndërsa Diedoni është djali më me vlera që kam njohur. Ai i tregoi me vepra dhe jo me fjalë qëllimet serioze në lidhje me Albën”.
Komentet