Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ritheksoi kërkesën amerikane për heqjen tarifave ndaj mallrave serbe duke nënvizuar se çështja nuk është nëse Kosova ka të drejtë ta vendosë atë por nëse është vendim i mirë për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë për Kohavisionin (KTV) ai përjashtoi mundësinë e sanksioneve ekonomike ndaj Kosovës, por tha se i mbetet udhëheqjes së Kosovës të vlerësojë nëse dëshiron ta ruajë miqësinë me Amerikën.
“Ne kemi rezistuar të japim ndonjë ultimatum. Ne nuk duam ta diktojmë punën e qeverisë së Kosovës. Ne besojmë fuqimisht që pezullimi i përkohshëm i taksës, sa më shpejt që është e mundur, do ta ndihmojë ecjen përpara të procesit. Nëse kjo nuk ndodh, ka rrezik të humbjes komplete të momentumit, që do të jetë shumë e dëmshme për popullin e Kosovës e atë të Serbisë dhe do të jetë e dëmshme edhe për Shtetet e Bashkuara e Bashkimin Evropian. Çështja nuk është nëse Kosova ka të drejtë ta vendosë tarifën, por pyetja është nëse është vendim i mirë për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara”.
Ai tha se para intervistës në KTV kishte lexuar raporte sipas të cilave Shtetet e Bashkuara do t’i vënë sanksione ekonomike Kosovës.
“Dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës që kjo nuk është e vërtetë. Kjo nuk është mënyra se si ne veprojmë me një shtet mik si Kosova. Ajo çka kërkojmë nga Kosova është që te ketë udhëheqje të guximshme për të marrë vendime. Nëse Kosova zhvillon politika që ia vështirësojnë ose ia bëjnë të pamundur ecjen përpara për të ndërtuar paqe, përparim dhe drejtësi në Ballkan, Shtetet e Bashkuara do të jenë të shqetësuara nga kjo, do të jenë thellësisht të zhgënjyera me këtë”.
Aambasadori Kosnett tha se është e pashmangshme që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë së bashku për ta ruajtur marrëdhëniet e ngushta.
“Është sikur martesë, kur ju duhet të respektoni nevojat edhe perspektivën e njëri –tjetrit . Kam dëgjuar disa zyrtarë të Kosovës të thonë se Kosovës nuk i duhet më SHBA-ja. Epo, nuk mendoj se kështu mendojnë qytetarët e Kosovës. Mendoj se populli i Kosovës nuk pajtohet me këtë. Populli i Kosovës dëshiron që të mbajë marrëdhënie të afërta me SHBA-në. Nëse Kosova vendos që kjo nuk është e rëndësishme, do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, theksoi mes tjerash ai.
Ambasadori Kosnett takoi të enjten udhëheqësit e Kosovës për të diskutuar këtë çështje, ndërsa ata u takuan edhe në orët e mbrëmjes mes vete për të shqyrtuar situatën e krijuar në vend për shkak të dallimeve edhe brenda koalicionit qeverisës për tarifat ndaj mallrave serbe dhe procesin e bisedimeve me Serbinë.
Tarifat ndaj mallrave serbe, të vendosura në nëntor të vitit që lamë pas, ka nxitur edhe reagimin e Bashkimit Evropian ndërkaq Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave duke bërë që procesi të vazhdojë të mbetet i pezulluar.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ngulë këmbë që tarifat të mbeten deri në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ndërsa presidenti Hashim Thaçi kërkon që të dëgjohen aleatët që kërkojnë heqjen e saj. Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli ka propozuar një pezullim 120 ditësh të saj.
Mospajtimet kanë vënë në pikëpyetje dhe qëndrueshmërinë e mëtejme të koalicionit qeverisës në vend.
Komentet