Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara kanë ulur nivelin e statusit diplomatik të delegacionit të Bashkimit Evropian në Uashington vitin e kaluar, pa e bërë të ditur zyrtarisht ndryshimin dhe pa njoftuar Brukselin.
Zyrtarët evropianë thonë se çështja doli në dritë vetëm kur i dërguari evropian në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, diplomati irlandez David O’Sullivan, zbuloi se nuk po ftohej në disa lloje aktivitetesh dhe se ishte ftuar në funeralin e ish-Presidentit George H. W. Bush pas ambasadorëve të vendeve të veçanta, pavarësisht rangut të tij.
Diplomacia përshkohet nga simbolika dhe kuptimet e dyfishta dhe tashmë kjo ulje e statusit, e cila është hequr përkohësisht, ka zemëruar zyrtarët e BE-së, të cilët kanë frikë se kjo lëvizje është një shenjë mospërfilljeje. Sipas zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijancic, ata kanë kërkuar një shpjegim për këtë ulje të statusit.
Politikanë dhe analistë në të dyja anët e Atlantikut po mundohen megjithatë të kuptojnë arsyet e këtij veprimi, duke debatuar nëse administrata synonte një lloj refuzimi, ndërsa është përplasur me Brukselin për çështje të tregtisë dhe mbrojtjes, apo nëse ky veprim ishte rezultat i një ngatërrese burokratike.
Një zyrtar i BE-së u tha sot gazetarëve në Bruksel se “u anulua ulja e statusit të përfaqësuesit të BE-së, pas bisedimeve dypalëshe të zhvilluara në dhjetor”.
Presidenti Donald Trump ka qenë një mbështetës i fortë i daljes së Britanisë nga BE-ja, duke e përshkruar veten gjatë fushatës elektorale, si “zoti Brexit” dhe dhe duke kritikuar rëndë BE-në për sufiçitin tregtar me Amerikën.
Ai ka përqafuar figurat anti-BE, si Nigel Farage, një ndër mbështetësit kryesorë të Brexit-it dhe ish-udhëheqës i Partisë për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar. Me të u takua pas zgjedhjes President dhe përpara se të takohej me ndonjë nga udhëheqësit e BE-së, apo edhe me vetë kryeministren britanike.
Presidenti shkroi në Twitter se ai mendon se zoti Farage duhet të emërohet ambasador i Britanisë në SHBA: “Shumë njerëz do të donin të shihnin @Nigel_Farage si ambasador të Britanisë në Shtetet e Bashkuara. Ai do të bënte punë të shkëlqyer,” tha Presidenti Trump.
Si rezultat i mbylljes së pjesëshme të qeverisë në Uashington, Departamenti i Shtetit nuk u është përgjigjur kërkesave të medias për komente lidhur ndryshimet protokollare.
Më parë, Shtetet e Bashkuara e trajtonin delegacionin e Bashkimit Evropian dhe ambasadorët e BE-së në të njëjtën mënyrë si trajtohej përfaqësia diplomatike e një vendi tjetër, thanë zyrtarët e BE-së. Por ndryshimi, që mendohet se u bë në tetor apo nëntor të vitit të kaluar, e ul statusin e përfaqësisë diplomatike të Bashkimit në nivel të ngjashëm me një organizatë ndërkombëtare. Ky është një status diplomatik shumë më i ulët dhe mund të ndikojë tek qasja që do të kenë në të ardhmen diplomatët e BE-së tek zyrtarët e administratës.
“Kemi mësuar se kohët e fundit ka pasur ndryshime në mënyrën se si zbatohet lista e rëndësisë diplomatike nga Protokolli i Shteteve të Bashkuara,” tha zonja Kocijancic në një deklaratë. “Po diskutojmë me shërbimet përkatëse në administratë lidhur me ndikimin e mundshëm që do të ketë kjo masë për delegacionin e BE-së në Uashington. Nuk ishim informuar për ndryshimin. Shpresojmë që praktika diplomatike që u vendos disa vite më parë, të respektohet”.
Ndryshimi i statusit u njoftua fillimisht nga Deutsche Welle. “Nuk e dimë ekzaktësisht se kur e bënë, sepse harruan të na informonin, se kështu u erdhi për shtat,” tha një zyrtar në komentet për Deutsche Welle. “Është e qartë se nuk kemi të bëjmë vetëm me një çështje protokollare, duket qartë se ka një motiv politik këtu,” tha zyrtari.
Diplomatë të tjerë të BE-së në Uashington, të kontaktuar nga Zëri i Amerikës kanë shprehur të njëjtën pikëpamje. Një diplomat i lartë evropian po ashtu shprehu bindjen se ndryshimi mund të jetë motivuar nga dëshira për të anuluar një vendim të marrë nga administrata Obama, e cila e ngriti statusin e delegacionit të BE-së në 2016.
“Nëse vendimi nuk u mor si ofezë, atëherë është i pashpjegueshëm momenti kur u mor ky vendim,” tha ai. “Zakonisht ndryshimet protokollare bëhen në muajt e parë të një administrate, jo pas dy vjetësh,” tha diplomati. “Por edhe nëse nuk e morën këtë masë për të treguar përçmim për delegacionin, gjithsesi duhet ta kenë pasur të qartë se do të interpretohej si e tillë. Kjo masë përputhet me qëndrimin anti-BE që kemi konstatuar nga administrata Trump, e cila nuk i do organizatat shumëkombëshe”.
Në një fjalim që mbajti në dhjetor në Bruksel, ndërsa ulja e nivelit të përfaqësimit ishte duke u diskutuar mes zyrtarëve amerikanë dhe të Bashkimit Europian, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, tha se politika e Donald Trumpit “Amerika e para” po ripërcaktonte sistemin e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, duke njohur rëndësinë shteteve sovrane kundrejt institucioneve shumëpalëshe. Ai kritikoi “burokratët” për besimin që kishin patur se grupimet janë “qëllim në vetvete” dhe hodhi dyshime tek përkushtimi i BE-së ndaj qytetarëve të vet. Këto komente të zotit Pompeo u kundërshtuan me forcë nga Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së.
Disa politikanë të rëndësishëm europianë reguan të zhgënjyer ndaj lajmit të ditës së martë. “Kjo është një politikë që i ngjan një telenovele: Shtetet e Bashkuara e kanë ulur nivelin e misionit të BE-së në Uashington, një lëvizje e pamenduar mirë nga Trump.”- shkroi në tweet Carl Bildt i Këshillit Europian për Marrëdhënie me Jashtë dhe ish kryeministër i Suedisë.
Por ky lajm i gëzoi euroskeptikët, sidomos përkrahësit e BREXI-it, që nuk vonuan të shkruanin tweete me frymë ngadhnjyese.
Komisionerja e Tregtisë e BE-së Cecilia Malmstrom, të martën u nis për në Uashington, për bisedime me homologun e saj amerikan Robert Lighthizer. Tensionet tregtare mes Washingtonit dhe Brukselit janë ngritur, që nga koha kur Presidenti Trump vendosi tarifa ndaj importeve europiane të aluminit dhe çelikut. Presidenti amerikan ka kërcënuar gjithashtu se do të vendosë tarifa edhe ndaj makinave europiane.
Komentet