60 vjet mё parё ndёrroi jetё MUSTAFA MERLIKA – KRUJA
(1887 – 1958)
Mustafё!
Kur tё pata kёrkue ndjesё pёr vonesёn e pёrgjegjes, Ti, nё letrёn t’ânde me datё 16 korrik 1958, mё thojshe: – “Shёndosh tё jemi, se s’ka gjâ pse rrallohen letrat. Ka pёr t’ardhun nji ditё qi s’kemi pёr t’i shkruem kurrё njâni tjetrit e ti s’ke pёr tё dijtё se nё ç’botё e ke Mustafёn,…”
Edhe básh qashtu ndodhi. As Ti mâ kurrё do tё na shkruejshё, as na mâ kemi me mund me tё shkruem. I mbylle fletёt e kalendarit tё jetёs t’ânde pёrgjithmonё, tue na kёthyem shpinёn e tue na lânun me lot pёr faqe!…
Po edhe pёr jetёn t’ânde, Mustafё, pate pasun parapamje, si ç’pate parapamё shum ndodhina tjera? Sá i pá mёshirshёm paska pasё qênё ky fat, i cili na ngarkoi né tё zezve pёr me tё vajtuem Tý, qi u shqepe nesh e pёr me qamё mjerimet t’ona qi kemi mbetun si zogjt e shkretё e krahёthyem ndepёr ferra nё kёt stuhí, qi po nxjerrё gur’ e dhé! Nё kёt stuhí qi po na e bân ditёn natё.
Po! Mustafa Kruja, i përvëluem në mёrgim nga mâlli i Atdhéut, ndrroi jetë me 27-12-1958 në Niagara të Shteteve të Bashkueme t’Amerikës, tue lânun nji boshllëk të madh n’okólin e parësís së Kombit. Atje në skâjin e asaj bote të largët e paska pasun dhét dhe njâna nga shtyllat mâ kryesore të nacjonalizmës shqiptare.
Nuk ká mundë, gjithkushi, me e njoftun mirë Mustafa Krujën me të tâna pamjet. Për me mundë me e njoftun edhe me e çmuem Mustafa Krujën, njeriu, për veç qi duhet të ketë qênë pak a shum, në rrafshin e ‘Tij kulturuer e shoqnuer, por, duhet qi të ketë pásun me ‘Tê edhe nji farë përzêmërsije.
Mustafa Kruja, nuk ká qênë nji harár, ku futen shumë plaçka grumbull, por, ká qênë – me gjithë kuptimin e fjalës – nji thesár i vlefshëm. Nji thesár i madh i ndamë në shum sysekë të ndryshëm. Dhe seicili prej këtyne sysekëve, ishte i mbushun pílas me gjâna të çmueshme, si fv.: me kulturë të gjânë, me moral të pastër, me edukatë të kulluet, me besë të fortë, me energji të pá shoqe, me gjykim të shëndoshë, me vendim të premë dhe me burrënin mâ të rrusmueme et. et. Mbi të gjitha këto vetína, mu si gur’ i çmueshëm i shkëlqente ndiesíja e thellë e njij dashuníje të flakët për Komb e për Atdhé. Me nji fjalë, Mustafa, i gëzonte të tâna cillsínat e mbara si nji trashigimtár i dênjë i breznínave të vjetra të racës të lavdíshme shqiptare. Thuese, Aj, qe krijuem në përshtatje të plotë me dëshirën e vet.
Në kët mënyrë, Mustafa, simbas natyrës së marrëdhânjeve, qi kishe me ‘Tê, do të fillonte me i hapun sysekët e vlerave të veta nji nga nji e shkallë shkallë dhe aty ndepër dritën e këtyne, do të niste me u dukun nâltësíja e personalitetit të Tij, gjithnji tue u rrijtun.
Prá, ata qi nuk kan pasun rasë me qênë në mârrëdhânje të ngushta me ‘Tê, ose ata, qi, për nji shkak ose për nji tjetër, kan qênë të ndikuem prej shkulmave propagandistikë të kohës vend e pa vend, për të cillët, historíja, ende nuk e ká çfaqun gjykimin e vet – me gjithë qi tashmâ ia kan sisë me u dukun lakuriq përfundimet e ngjarjeve – kan arsye mos me e njoftun mirë Mustafa Krujën.
Un, si njeri, qi ká pasë mundë me depërtuem bukur si shum në thellsín e shpirtit të Mustafa Krujës, nuk kam ndër mend – dhe as jam në gjendje – me folun mbi kompetencën e ‘Tij të gjânë në lâmën e kulturës ose mbi politikën e zhvillueme prej ‘Tij në lidhje me fatin e Atdhéut. Për këto pika, do të flasin, ndoshta, tjerë burra, qi janë në gjêndje mâ të pershtatshme se un. Dikuer, pá tjetër, ká për t’a thânun fjalën e fundit edhe historija vetë, mbassi të jenë ftohun gjaknat e të jenë qetësuem prrâjt (= nervat), të cillët, tash për tash, ndodhen të trázuem e të kapërthyem prej ndodhínave, qi sollën nji shkatrrim të madh n’aqpeshimin e gjendjes shqiptare. Atëherë, ajo, ká për t’i lnórun, për t’i peshuem e për t’i krahasuem ngjarjet në lidhje me përfundimet e tyne përkatse.
Prá, un, do të flas shkurtas mbi virtutet morale, qi përbâjnë personalitetin e Mustafa Krujës.
* * *
Mund të thom pá frikë haprimi se, mbas këndej, si për kah njoftja e zakoneve shqiptare ashtu dhe për kah nderimi e zbatimi i pjesës së mirë të tyne, në botën shqiptare, âsht vështirë qi të lejnë, aq shpesh, shokët e Mustafa Krujës. E kishte për natyrë me ndigjuem mâ shum e me folun mâ pak. Kur ndigjonte, e përmblidhte krejt vemendjen në bisedë dhe, në rasë se ana tjetër kishte arsye, i shtrohej pá nji pá dý. Jo veç me iu shtruem, por, nё qoftё se ana tjetёr e kishte lânun mêtё, Aj, iu shtonte arsyetimeve edhe dishka nga ana e vet, me qellim forcimi t’argumentit.
Kur bisedonte, folte kadalas, rrasët e gjithnji tue u menduem e tue u arsyetuem me shembuj e me prova. Në mendimet e ‘Tija, kurrë nuk kishte me hasun në ndonjë konfuzjon. Edukata e ‘Tij shêmbullore, nuk e lêjonte me shamë tjerët ose me folun banalisht për ndokênd. Nuk e kishte zakon me riprodhuem mahína ose tregime, qi nuk i kan hije gojës së njij zotníje. Ndonji herë, kur çfaqej me shtek ndonji mahí, e rreshtonte ketê në nji formë të bukur e delikate, tue i dhânun kuptim përkitas me ndonji ngjarje ose me ndonji çashtje, nga e cilla mund të merrej nji mësim i dobíshëm. Gjykimi i mpréfët dhe mendmbajtja e ‘Tij e mrekullueshme, të bâjshin, përnjimend, me u habítun.
Mustafa, sá i urtë ishte në rrethin familjár e shoqnuer, aq i gjallë dhe hovmadh ishte në zbatimin e detyrave, qi kan lidhje me mârrëdhânjet familjáre e kombtáre. Aj, gjithmonë vendoste, mbassi t’a kishte sítun imtësisht problemin, simbas rrethânave. Dhe mbassi të kishte vendosun nji herë, nuk këthente mâ kurrë në gjymës të rrugës, por, i grahte me sá fuqi kishte, për t’a permbaruem vendimin e vet në trajtën mâ të përsosun, qoftë edhe në flîjime të rânda; sepse, nji vendim i pá zbatuem ose i pá zbatueshëm, nuk kishte kuptim për ‘Tê.
Dý gjâna ishin, ato, qi mund t’ia lidhshin kâmbë e duer Mustafes në zbatimin e vendimit të vet: Kur çashtja, paraqitej e pá pajtueshme me interesat e Atdhéut, ose kur ajo, vinte ndesh me parimet e ‘Tija morale.
* * *
Mustafa Kruja, në veprimet e veta si burrë shteti, gjithmonë ká qênë i prîjmë prej udhzimeve, qi e kishin rrânjën në shkencën pozitive, me të cillën ishte i pajuem. Ç’do hap e hidhte në mbështetje të njij paracaktimi të studjuem hollësisht. Prandej, si i tillë, ká qênë ngushtësisht njeri i programit. Tek Aj, nuk gjêjshin mirëpritje formulat si “Shif e bân!” e “Shkel e shko!”. Nuk i pat pervetuem kurrë këta formula. Pikënisht për kët shkak, asnji kompromis nuk bânte rreth programit, qi kishte perpiluem, per arsye se ishte besimtár i pá tundun në ç’kishte sajuem për të mirën e përgjithëshme.
Dikushi, e kritikon Mustafën, tue thânun se, në Shqipní, programet, nuk janë të zbatueshme; prandej, Aj, duhet t’ishte nji akrobat politik dhe t’i përshtatej gjendjes. Mirëpo, Mustafa, mendonte krejt ndryshe. Aj, thonte se: – “Në kët botë, nuk ká gjâ mâ të kollajt se me bâmë idarei maslahat, qi na tash, po i thomi oportunitet. Un, për të dijtë, e dij ketê, por, nuk e bâj; sepse, “Idare-i Maslahat”-i, të lêjon me e pranuem e me e vazhduem gjendjen ashtu si ç’âsht, ani pse nuk mbërrijhet në ndonji përmirësim. Dmth.: Në vend numró! Kurse na, duhet të përmirsojmë e të krijojmë, tue shkuem përpara, mbasi, qoftë si jetë shoqnore, qoftë si jetë shtetnore, kemi mbetun shum mbrapa. Kemi mbétun vonë e na ka zânun vapa n’udhë. Nuk mund t’i mbërrijhet synésës, tue thânun: “Mirë qumështi e mirë kosi!”.
Pá dyshim, vullneti i fortë dhe ideali i nâlt, qi shtrabzonte nga shpirti i ‘Tij, nuk e lêjojshin Mustafën me u strukun e me u ngujuem mbrapa formulave këso dore, qi përfaqsojnë mâ të madhen plogsí e qi mund të vlejnë vetëm për nji kolltuk të thatë… Per nji shkâmb, qi i brénë shpirtin atij, i cilli ká ndërgjegje të pastër e trêmbet përpara përgjegjësís së detyrës. Prandej, Mustafa, tue qendruem në vijën e realitetit, e mëninte si idarei masllahatin ashtu edhe fluturimin n’utopína.
– “Asht demoduem, Mustafë,” i pata thânun nji herë, “regjimi i monarkís; prandej, qendrimi i Yt me kambëngultje si monarkist,….”.
– “Edhe un, e besoj”, më tha, “se regjimi republikan, âsht mâ ideal, por, un, bâj politikën, qi i përket brezit t’em. Struktura e shqiptarëve, si ç’âsht në gjendjen e sodëshme, po më duket mâ e përshtatëshme për monarki. Do të vijë nji kohë qi shqiptarët, do t’a meritojnë edhe republikën, por, un, nuk kam për t’ia mbërrijtun asaj dite”.
* * *
Qenë fare të rrallë, në botën shqiptare, ata, qi patën përqafun “vetëmbrojtje”-n dhe “vetmohim”-in në kuptimin qi iu pat dhânun, Mustafa Kruja, këtyne parimeve, rrotull së cillave vërtiten të gjitha mârrëdhânjet njerzore. Mustafa, i udhëhjekun prej dritës së këtyne dý pishtarëve themelorë të jetës, të pá ndashëm prej njâni tjetrit e tue i dhânun rândsi mâ tepër moralitetit se sá pjesës materjale, ishte nji tip, qi kur e keshillonte interesa e përgjithëshme, nuk i bânte lak kurrë përgjegjësís. Në rasa të tilla, ishte gati për t’u vetëmohuem, pá mârrun parasýsh se, ndokush ose ndonjë grup, nuk ia kursente kritikat. Për Atê, mjaftonte me pasë formuem besim se, rruga e ‘Tij, ishte mâ e drejtë dhe mâ e dobishmja ndër tjerat.
Por, kur e shifte se, po don me iu kërcnuem ndonji cenim në pjesën morale të personalitetit të vet, atëherë, pozitat e nâlta dhe rrogat e mâjme, nuk kishin rândsi për ‘Tê, as sá banë miza në fletë. Për mos me mposhtun vehten moralisht, ishte i zoti me shkelmuem të tâna këto, sá çel e mshel sýt. Kështu ngjau, kur dha dorëhekjen – bashkë me pjestarët e qeverís së kryesueme prej ‘Tij – për shkakun e vrasjes së Qazim Koculit në Vlonë. Atëherë, me qênë se u ndodha rasësisht si ndigjues në këshillin ministruer, i mora lêje dhe i shfaqa mendimin t’em se, nuk ishte koha e dorëhjekjes. Më tha:
– “Disá shqiptarë, po kërkojnë prej meje, aq sá s’mund të bâj; ndërsá, do tjerë, po më pengojnë. Un, çdo gjâ nuk kam në dorë. N’anë tjetër, Qazim Koculin e pata çuem vetë në Vlonë. E, për dersá urdhënat e mijë nuk zbatohen për kapjen dhe dënimin e shkaktarëve të vrasës së Koculit, o më duhet me e pranuem se e kam vramë un, ose më duhet me dhânun dorëhjekjen… Un, nuk mund të çvéshem nga vehtja e eme”.
Kjo, qe sjellja e njij njeriu, qi e nderonte opinjonin dhe nuk duronte me i prékun as me pendël në sedrën e ‘Tij morale.
Pikënisht për mos me njollëzuem vehten përpara opinjonit, pat parapëlqye me përshkuem nji jetë modeste e, sidomos, gjatë perjodës së këti emigracjoni të trishtueshem, qe shtrëngue, ndonji herë, me pranuem prej ndonji miku, ndihma në të holla. Jo se nuk pat rasë me i ramë pré ndonjij strupulli…
* * *
Nji herë, para disá vjetësh, kur ishte n’Egjypt, i pata shkruem nji letër, ku, medis tjerash i thojsha edhe se, duhej t’ia niste me shkruem dishka mbi arsyenat, qi e patën ngállijtun Atê dhe shokët, me bashkëpunuem me italjanë e me gjermanë, gjatë luftës së dytë botnore, mbasi nji pjesë e opinjonit, ndoshta e prékun prej sentimentit, qi polli fatkeqsíja e ngjarjeve, ishte tue na gjuejtun me kritika t’ashpërta. M’u – përgjegj:
– “A mos po don me më shtijmë qi të filloj me shkrue kujtimet e mija politike? Qebesa, aspak nuk e kam menden me i hymë kësaj vallje. Ç’do kush, âsht i lirë me mbajtun mendimin e vet. Sá për mue, sikur të këthente edhe nji herë ajo kohë me të njâjtat rrethâna, nuk kisha me vepruem ndryshe, veçse me shkuem ndeper ato gjurma, qi kam pasë ndjekun”.
Kjo, tregon çeltas se, Mustafa, kur bisedonte ngultas në drejtimin qi kishte mârrun, e vazhdonte rrugën e vet vrullë e pá ia vûmë veshin shigjetave, qi i vringllojshin djathas e majtas. Ishte tolerues për kritikat e tjerëve. Cillsí e njerzve, qi kan guxim me mârrun nisma të mëdhaja politike.
– “Ti Mustafë, jé kundra bejlerve!”, i tha njâni nji herë, kur ishim të ftuem në nji darkë prej Gjon Marka Gjonit në Romë.
– “Jo!”, u përgjegj me nënqeshje, “un, kurrë nuk kam qênë kundra bejlerve. Un, jam kundra atyne, qi abuzojnë në shoqnín kombëtare dhe i hypin më qafë atij ose këtij, pá pasun asnji të drejtë. Ndër bejlerë kam shum miq, qi meritojnë respekt. Kur më qellon rasa me dëshmuem për ndonji bej të mirë, mbassi t’i përshkruej cillsínat e vlefëshme personale, shtoj edhe se, âsht djalë, ose burrë i njij familje fisnike…”
Këtu, ndodhemi përpara Mustafës, qi i epte rândësi punës, thelbit vetë të vlerave të njeriut, e jo fjalës ose pozitës. Si ç’ka thânun Leka: “Prej të mirit del i keqi; prej të keqit del i miri”. Njerzt, peshohen me punët, qi bâjnë.
* * *
Mustafa Kruja, si dijetár i madh, si puntuer i pá lodhshëm dhe si atdhétár i vërtetë, u-përpoq me i dhânun dritë rrethit ndepërmjet të kulturës dhe të zakoneve të mira shqiptare. Veçanrisht përpiqej me i shërtuem gjithkuej, nji dashuní të pá kufishme për gjuhën t’onë. Ishte kjo dashuní, qi e shtrëngoi Mustafën me botuem librin “Abetar’i të Mërguemit”. Me ia nisun punës në themel.
Para do vjetësh, për t’i mësuem mendimin, i pata dërguem nji varg artikujsh – mâ se 40 – të shkruem në gjuhë të huej mbi situatën e sodëshme e të botuem prej njij nga fletoret e vendit. Nuk mungoi me më tërhjekun vrejtjen:
– “Or… i dashun! Artikujt, qi mi dergove, më kan pëlqyem fort, por, për tyrqishten, italishten, gjermanishten e tjera, ká kush punon. Na, kemi nevojë me punuem për gjuhën t’onë, për shqipen. Nuk janë tue na ndihmuem gjâ ato veprat e shkëlqyeshme, qi kan bâmë shqiptarët për vende të hueja. Pra, përmbelidhu, bre burrë, e puno pak edhe për shqipen!”
Ku dhêmb dhâmbi shkon gjuha. A mund të rrinte pá e bâmë kët porosí qortuese, kryemjeshtri i shqipes, qi ishte shkrumuem qysh në riní të vet me flakën e dashunís për Kombin dhe per gjuhën e vet, së cillës ia kushtoi mundimin deri në minuten e fundit?
***
Si ç’merret vesht nga libri “Türkiyede Siyasi Partiler” (Partinat Politike në Turki) – faqe 149 – i Dr. Tarik Z. Tunaya Profesor n’Universitetin e Stambollit, Mustafa Kruja, qysh kur ishte student në Mülkiye (Fakulteti i shkencave Politike), me emnin Kruyali Mustafa Asim, ká pasë mârrun pjesë aktive në këshillin drejtues të “Cemiyeti Inkilâbiye”-s, qi don me thânë “Shoqni Revolucjonare”, e formueme në Shtatuer 1904 prej Hamid Ongunsu, Satvet Lûtfi Tozan, Ferid Necdet, Dr. Mahmud Bey e tjerë, për të luftuem tiranín e Sulltan Hamidit dhe për t’a shtrënguem ketê qi të vênte në zbatim statutin themeltár të vjetës 1876, të cillin, Sulltani, nji herë e pat pranuem e mâ vonë e pat pezulluem. Mustafa, në kët kohë, do të ketë qênë 16-17 vjetësh.
Mâ vonë, Mustafën e shofim, po me emnin Mustafa Asim, ndërmjet atdhétarëve fatmirë, qi patën rrethuem Ismail Qemalin, kur ngrêjti Flamurin në Vlonë me 28-11-1912. Mandej, Mustafa, duket vazhdimisht në skenën politike shqiptare, herë si revolucjonár me armë në dorë e herë si dirigjues. Por, në të tâna rasat, tue qêndruem larg ç’do demagogjije e spekulimi.
Qe brumzuem me mâ të mirin ideal dhe u shkrí e shkoi, bashkë me tê, si besnik i pa thyeshem i rrugës së vet të shênjet…
* * *
Po të vréhen tugjind, dmth. të gjitha s’bashku, vlerat e ‘Tija, kisha me thânun se, në botën shqiptare, sod për sod Mustafa Kruja, ká qênë i pá zavêndësueshëm. Janë të rrallë ata njerz, qi t’iu ketë dhuruem natyra kaq cillsina të mira si ato të Mustafës.
* * *
Ora e zezë, âsht tue rânduem për mbi né, qi po na dënon fati i keq me i përcjellun, nji nga nji, apostujt e shqiptarís, tue i shëkuem për mbrapa me duer në gjí e me qafë të ngërmueme. Ata fatbardhë, e krijuen Shqipnín dhe i a dorzuen brezit të ri, tue e pasë përmbushun detyrën e tyne. Qofshin lavduem gjithmonë e jetë. Tash, të rijve iu përket me u treguem bijë të meritueshëm të këtyne burrave!…
***
Mustafë!
Flêj i qetë, tue pasun me vete hirin e të Madhit Zot, atje ku ké ramë n’atë dhé të huej! S’ká gjâ pse jé larg, se shpirtin t’ând – sado e madhe qi të jetë – nuk e danë distanca prej Nânës Loke Shqipní!…
Me të vërtetë, shkove i përvëluem qi nuk munde me e pamë Shqipnín ashtu si ç’e pate sajuem n’ândërrimet t’ua, por, nuk duhet me të mbétun djegë, mbasi pate punue e bâmë mjaft për ‘Tê e mbassi i a pate vûmë gjishtin me kohë edhe kësaj plage të pëgâme, qi tash, pá pushuem, po na kullon gjak.
Mos kijë kujdes aspak!
Ká nisë me lëshuem en brezi i ri mirënjofës, i cili, tue çmuem veprat t’Ua, të zhvillueme e të botueme deri tash dhe ato 10-15 tjerat, qi janë gati për t’u-botuem mbas këndej, nji ditë, ká për me t’i prûmë eshtnat t’Ua n’Atëdhe e ka për me t’i venduem me nderime të posaçme në Krujën t’ânde, atje në trojet, ku ká lemë Heroi i ynë Kombtár, Skënder Beg Kastrijoti.”
Tё jesh i sigurtё!
Nuk vdesin, jo, njerz si Ti, qi u shkrîjtёn, tue punuem nat’ e ditё pёr Komb e pёr Atёdhé. Ata, janё tё pёrjetsuem pёr né, se shqiptarёt, qi dijnё me ruejtun cillsinat stёrgjyshore, nuk kan me qênё kurrё mohimtarё tё vlerave kombtare; kurrё nuk kan me i pёrbuzun tё mirat.
E na, kemi me tё kujtuem sá tё jemi gjallё; kemi me qênё afёr Teje sa tё na rraktojё zêmra nё kёt jetё. E dikur, do tё jemi afёr Teje edhe me shpirt atje n’amshim, ku fluturove Ti!
Lum kush lên nji ushtimё tё mirё nё kёt botё, se na, tё gjithё, jemi tё birёt e vdekjes…..
Marrё nga revista “Shêjzat”, n° 1 – 2, Kallnuer – Fruer 1959
Pronar ERNEST KOLIQI Kryeredaktor MARTIN CAMAJ
Komentet