









Në Bibliotekën Britanike (British Library), ose sikurse quhet edhe Biblioteka Kombëtare e Mbretërisë së Bashkuar, ku raftet mbajnë mbi 170 milionë artikuj, pra një koleksion i gjallë që bëhet më i madh çdo ditë, ndodhet dhe Enciklopedia „Shqiptarët në artin botëror“, enciklopedi e autorit të mirënjohur shqiptar, Prof. Dr. Ferid Hudhri. Në Katalogun online të këtij institucioni, ku rrënjët e tij shtrihen në shekuj, dhe ku mblidhet gjithçka e botuar sot, që të shërbej për nesër dhe për dekada në të ardhmen, ku ka miliona klikime, kërkime për miliona libra, por edhe gazeta, harta, regjistrime zanore, patenta dhe pulla, rezulton se libri në fjalë i Hudhrit mbetet mjaft i kërkuar nga lexuesit. Përpara se Katalogu të sulmohej nga hakerat, rezultonte në disa mijëra klikime, dhe natyrshëm zyrtarët e këtij mjedisi mjaft të vizituar dhe me një emër të madh Global, e deklaronin këtë me një krenari të veçantë. Arsyet ende nuk dihen, por dihet se kjo Enciklopedi është e vetmja, e munguara ndër vite, dhe me një cilësi të madhe e të padiskutueshme të realizimit të saj.
Ky libër mjaft cilësor i autorit Hudhri, është i kërkuar dhe për shumë arsye të tjera, që vijnë nga vlerat, kërkimi adekuat dhe profesional, trajtimi i sqimtë e mirëfilli-shkencor, diskursivitet i të gjithë burimeve, gjithëpërfshirja, informacion i një modeli të paparë, materiali ilustrues burimor dhe trajtimi i detajuar, e i planifikuar mirë, në vetë strukturën e Enciklopedisë. Duke ditur se për shekuj me radhë, në kufijtë midis kohërave dhe orekseve kohore, territori i Shqipërisë ishte një lakmi e hershme e Perandorisë Romake, pastaj e Bizantit dhe forcave të tjera agresive dhe grabitëse, dhe në periudhën e hershme moderne pre e Perandorisë Osmane dhe më pas edhe nën Pushtimin italian, apriori ishte dhe fakti që mbeti nën mjaft ndikime. Këto ndikime të mbivendosura kanë rezultuar në varietete kulturore në të gjithë Shqipërinë (natyrale dhe gjeografike), ku përveç lidhjes gjeografike është vetë një ndikim karakteristik për Ballkanin më të gjerë, madje edhe për Mesdheun. Ndikimi bizantin në Shqipëri ishte i thellë, kryesisht përmes tregtisë dhe ndikimeve romane, ashtu sikurse pasuan më pas ndikimet e kulturës dhe arkitekturës italiane.
Edhe pse me pak gjasa të mbaheshin në këmbë shumë nga këto arrritje dhe qasje me ndikime, kishat dhe manastiret e asaj periudhe i japin shumë vlerë dhe dimension. Shqipëria ka pesë monumente kulturore të regjistruara në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s: Butrintin, Qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës, Amfiteatrin e Durrësit, Varret Mbretërore të Selcës, si edhe Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e rajonit të Ohrit. Ka valle tradicionale popullore nën shoqërimin e tradicionales (Vallja e Tropojës) janë të regjistruara në Listat e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s. Ministria e Kulturës dhe Informacionit ka për detyrë të ruajë trashëgiminë kulturore të vendit dhe të mbikëqyrë zhvillimin e saj. Edhe pse aktivitete të mëtejshme në mbështetje të zhvillimit të kulturës ndërmerren në nivel të qeverisjes vendore, por kjo është në një plan të gjerë, në një plan që i përket ministrisë, ndërsa atë që ka bërë autori i Enciklopedisë natyrisht është një punë e munguar, një vlerë e madhe dhe një risi e ndjeshme edhe për të huajt, që kohët e fundit duket se kanë shtuar orekset për ta rizbuluar ndryshe.
Kësisoj në këtë pikë Enciklopedia „Shqiptarët në artin botëror“ ka rolin e saj të padiskutueshëm. Pse e themi këtë? Së pari, nga vetë fakti që ajo është ndër më të kërkuarat dhe së dyti, ngase ajo është e strukutruar dhe e paisur edhe me aparatin e duhur ndihmës, i nevojshëm ky për të lehtësuar konsultimin e shpejtë dhe efikas nga ana e lexuesit dhe studiuesve. Indeksi i jep asaj një kënd tjetër profesional dhe kështu ajo mbetet në kornizat më të larta akademike dhe kërkuese si vlerë. Vetë teksti i enciklopedisë është pajisur me indeksin e personave që paraqiten në veprat e artit, si edhe listën e veprave të artit, ku këtu mirëkuptohet se cili ka qenë „gjahu“ rreth të cilit të huajt e artit janë vërtitur e frymëzuar më shumë. Këtë e vërtetojnë qasjet me figurat historike. Figura të tilla si Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Mehmet Ali Pasha, Ahmet Zogu, Aleksandër Moisiu e deri tek ato bashkëkohore si Ismail Kadare dhe Nënë Tereza, natyrisht janë embrioni i këtij thelbi.
Prof. Dr. Ferid Hudhri nga eksperienca e tij e gjatë, nga koha me të cilën ai ka hulumtuar, e zbuluar, gjetur e përshtatur, një kohë gati katër dekadash në studim, kërkim dhe hulumtim shkencor, ka ditur të flasë me dy gjuhë të veçanta. Themi kështu se ka ditur ti afrojë shqiptarëve një realitet të akumuluar dhe të parë në një kënd ndryshe mes artit dhe në anën tjetër mjeshtërisht ka ngritur diskursin të informojë edhe për jetën dhe karrierën artistike të autorëve, duke theksuar interesimin dhe përkushtimin që ata kanë pasur ndaj botës shqiptare, fenomenve shqiptare, koloritit dhe kostumografisë, virtyteve dhe tipareve, natyrës së Shqipërisë, njeriut shqiptar, objekteve dhe kulturës materiale shqiptare. Për secilin prej piktorëve, apo skulptorëve autori ravijëzon edhe punimet me subjekt shqiptar që ai ka realizuar, historiku i krijimit dhe ekspozimit të tyre, lëvizjet nëpër ekspozita dhe koleksione të ndryshme dhe vendndodhja aktuale e tyre.
Enciklopedia “Shqiptarët në artin botëror”, kjo vepër monumentale e Ferid Hudhrit, nuk është thjesht një botim i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, por një përkujdesje e gjatë dhe e gjallë shpirtrore, profesionale, akademike dhe art-përcjellëse që konkuron me vlerë, me cilësi, me art dhe me çdo gjë në përgjithësi, thuajse me të gjithë paraqitjet e këtij lloji në kohë të ndryshme. Në këtë pikë duke parë volumin e saj të madh, që natyrshëm është rreth pesëqind faqe, dhe duke ditur se enciklopeditë janë vepra referimi, ose përmbledhje që ofrojnë përmbledhje të njohurive, të përgjithshme, ose të veçanta, në një fushë, ose disiplinë të caktuar dhe për to angazhohen institucione të tëra, e themi padyshimin më të vogël, se kjo Enciklopedi është ajo që e bën Prof. Dr. Ferid Hudhrin një institucion më vete. Kjo e mjaft të tjera si kjo e bën këtë Enciklopedi mjaft të kërkueshme edhe në Bibliotekën Kombëtare të Britanisë së Madhe.
Faktet e tjera burojnë nga ajo që përfshihet në këtë vepër voluminoze, por dhe nga konteksti që dihet e përfshihet se trojet e banuara nga shqiptarët, ashtu si dhe fatet e kulturës shqiptare, ndonëse gjeografikisht i takonin Europës, u mbajtën për shumë kohë larg ndikimit iluminist, ngaqë për shkaqe që tashmë dihen, ndodheshin në skajin më të largët të Perandorisë Osmane e për rrjedhojë, u ndien gati të harruara. Ajo që vlen të citohet është se një ndikim pati Orientalizmi. Orientalizmi tregoi interes për skenat orientale në artet pamore të shekullit të 19-të. Fushata e Napoleonit në Egjipt, pushtimi i Algjerisë, si dhe librat e udhëtimeve dhe përshkrimet e tjera letrare, nxitën entuziazmin dhe imagjinatën e artistëve. Vendet islamike ishin bërë destinacioni i preferuar i udhëtimit për shumë artistë. Skenat e shesheve, pazareve, haremit dhe ngjarjeve të ndryshme folklorike hynë në pikturën evropiane. Orientalizmi rrallëherë kishte një karakter thjesht dokumentar dhe më shpesh përshkruante entuziazmin e evropianëve për bukurinë, gjallërinë dhe joshjen e botës së panjohur dhe ekzotike. Natyra e egër dhe zakonet e pazakonta, të kombinuara me ngjyrat dhe dritën e mrekullueshme, ishin bërë një frymëzim i madh për artistët evropianë. Një shembull mbetet vlera e pikturës historike të Leopold Müller-it, e njohur për motivet e saj orientale. Nuk ka dyshim se mësimet vendimtare të Millerit përcaktuan preferencën e mjaft subjekteve për pikturë, që vunë në dukje rritjen e interesit të Evropës për ngjarjet në Ballkan. Kështu krahas tij që udhëtoi në Shqipëri, Mal të Zi, Dalmaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi duke mbledhur skica dhe studime të jetës së popujve ballkanikë, janë dhe të tjerët që mbajnë vendin e tyre në këtë Enciklopedi, që për fatin e mirë pamje të jetës së përditshme prej punës së tyre përjetësoheshin në tablo, statuja, monumente, si dhe në vepra të tjera arti. Gjithë kjo krijimtari e begatë, shtrirë në të gjitha gjinitë dhe zhanret e arteve pamore, përbën objektin e enciklopedisë së hartuar nga Ferid Hudhri.
Para disa vitesh, kur në Ambasadën e Shqipërisë në Londër ishte Kryediplomati shqiptar, që në vetvete kishte dhe një shije të lartë estetiko-kulturore, po aq dhe atdhetare-dashamirëse ndaj arti dhe letërsisë, publicisti dhe studiuesi i njohur Mal Berisha, Enciklopedia “Shqiptarët në artin botëror” së bashku me disa libra të tjerë të rëndësishëm u ekspozua në kënde të ndjeshme e të mirëndërtuara për vizitorët e huaj. Ndërsa kjo eciklopedi u pasqyrua krahas librave të Kadaresë, Elsies, e mjaft të tjerë natyrisht kishte dhe meritoren tjetër përkrah saj në gjuhën angleze me titullin “Albania in the World Art”, (Athinë, 1990), e cila ishte e plotësuar me 100 riprodhime të reja në pikturë, skulpturë dhe grafikë.
Të mos harrojmë edhe faktin tjetër se kjo enciklopedi kur iu dhurua nga ish-Zëvendëskryemintsri i Shqipërisë dhe Ministër i Arsimit, Kulturës dhe Shkencës, Prof. Dr. Myqerem Tafaj, ish-Ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Arvizu, ajo nuk ishte thjesht një surprizë, por një vlerësim i madh, të cilin vetë Ambasadori Arvizu atëkohë e quajti vlerë mbi vlerat. Në atë kohë ishte dhe një shkëputje nga një shkrim i autorit Kastriot Marku që përblidhte si më poshtë: „Me rënien e regjimit komunist dhe hapjen e vendit, kishte mundësi shumë më të mëdha kërkimi, hulumtimi dhe studimi nëpër galeri, muze, biblioteka, arkiva dhe koleksione private të ndryshme në qendra kryesore të artit botëror në shumë vende të botës, si Paris, Romë, Londër, Athinë, Nju Jork dhe deri në Shën Petërburg (në British Museum, Victoria and Albert Museum, Wallace Collection në Londër, në Art Museum në Mançester, në Musé du Louvre e Muse d’Orsay në Paris, në Metropolitan Museum of Art në Nju Jork, Houghton Library në Harvard, Muzeun Ermitazh në Shën Petërburg e Galerinë Tretjakov në Moskë, në Muzeun Uffizi në Firence, në Galerinë e Arteve Moderne në Romë, Muzeun e Soloturnit në Zvicër, Benaki Museum në Athinë) etj., duke siguruar kështu të dhëna të mjaftueshme për enciklopedinë me temë shqiptare. Nga 118 autorë që kishte përfshirë në botimin e parë, tash në këtë botim enciklopedik, numri i tyre shkon në 1250 piktorë, skulptorë dhe grafistë, ndërkohë që numri i riprodhimeve është 1112 copë. Enciklopedia ka gjithsej 871 zëra/njësi enciklopedike të zgjedhura nga mijëra vepra arti nga një arkiv personal, që sikurse e përmend autori shkon në mbi 1400 dosje dhe 7000 njësi arkivore, çfarë dëshmon një punë të pallogaritshme hulumtuese kërkimore dhe sistemore, pas së cilës qëndrojnë 40 vite të tëra pune.“ (Marku, Gazeta „Shqip“ 2013)
Sikurse shkruhet, Enciklopedia përmban: „Studime mbi ndikimin e shqiptarëve në artin botëror, si artistë dhe si figura të paraqitura në art; Dokumente dhe materiale arkivore të rralla, duke përfshirë piktura, grafikë, dhe fotografi nga artistë të huaj dhe shqiptarë; Piktura e huaj me tematikë shqiptare, që përshkruajnë figura, peizazhe dhe skena nga kultura dhe historia shqiptare; Biografi dhe analiza të thelluara të artistëve shqiptarë, të cilët kanë kontribuar në skenën ndërkombëtare të artit.“ Jo më kot kjo Enciklopedi u bë fituese e Çmimit Special „KULT 2013“.
Duke parë punën e madhe të këtij autori ndër vite, shkrimet e tij të shumta, paraqitjet akademike e shkencore, duke parë këtë enciklopedi në këndin e saj meritor, mund të themi se “Shqiptarët në artin botëror” është një studim jo vetëm me karakter kombëtar por edhe ndërkombëtar të artit gjithëkohor që ka vendosur si kryefjalë Shqipërinë dhe shqiptarët, duke hedhur një vështrim kritik në punën e artistëve të njohur në këtë drejtim dhe duke eksploruar tendenca dhe lëvizje të gjera me vlera ndërlidhëse, ndërkombëtare. Libri merr si temë qendrore ndikimin e punëve në fatet e mohuara, që natyrisht me forcën që kanë artet pamore kanë synuar të bëjnë atë që mbetet e pavdekshme. Diskutohet dominimi i këtij arti që ka bërë shqiptarët të kenë dhe ata vendin kohor, në kohën kur ishin lënë të braktisur e në harresë të plotë. Përveç kësaj, enciklopedia ka veçori të ndjeshme e të thella disa dhe të panjohura më parë mbi artin që gjunjëzon me art kohërat dhe ngre lart vlerat e ekzistencës dhe vetë jetës si një dëshmi madhështore e përkushtimit të Prof. Dr. Ferid Hudhrit dhe një trashëgimi e vyer për brezat e ardhshëm.
Duke përfunduar dua të shtoj se duke patur në Bibliotekën personale një vepër të tillë, sikurse është dhe mbetet e patjetërsueshme, enciklopedia „Shqiptarët në artin botëror“, natyrshëm ke autorësinë e këtij hulumtuesi të madh shkencor, Prof. Dr. Ferid Hudhri, por dhe mbi 1250 autorë në 871 zëra dhe artikuj, të ilustruar me 1112 vepra arti nga dora dhe vëmendja e tij, dhe që vepër kaq domethënëse që u botua në 100-vjetorin e shtetit shqiptar. Dhe natyrisht me fjalën e ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Aleksandër Meksi, që shprehet qartë se „Tashmë shqiptarët punojnë e studiojnë kudo në botë dhe zbulimi i veprave të tilla është me të vërtetë një detyrë fisnike. Sidoqoftë kjo i takon së ardhmes; tani le t’i gëzohemi kësaj vepre të bukur dhe të urojmë autorin për kënaqësinë që na dha.“, ajo që shkon përshtat si thirrje publike është që ndërsa të huajt e kërkojnë dhe e klikojnë në British Library, shqiptarët e kudondodhur duhet ta kenë atë në duart e tyre që të tregojnë vlerat e tyre si shqiptarë, në artin global.
(Marrë nga ExLibris)
Më 29 janar të vitit 1932 Ministria e Arsimit e Mbretërisë Shqiptare njoftoi themelimin e Shkollës së Vizatimit në Tiranë, e para Shkollë Arti në Shqipëri. Përmes një shkrese të posaçme Ministria e Arsimit porosit të inkurajohen nxënësit e gjimnazeve në të gjithë vendin që tregojnë aftësi për vizatim për me frekuentue shkollën e lartpërmendun. Në atë dokument shkruhet gjithashtu se me propozimin e Komitetit Artistik dhe vendim të Ministrisë së Arsimit, shkolla do të drejtohet nga z. Prof. Mario Ridola, i ndihmuar nga Andrea Thanasi, profesor i gjimnazit.
Gjatë viteve ’30 të shekullit të kaluar Shkolla e Vizatimit u kthye në një qendër të rëndësishme të veprimtarive artistike në Shqipëri. Krahas përgatitjes së artistëve të ardhshëm, në mjediset e atij institucioni u organizuan disa ekspozita me krijime të nxënësve dhe të mësuesve të shkollës si dhe me punime të piktorëve dhe skulptorëve të tjerë nga i gjithë vendi. Aty ekspozuan edhe autorë të huaj. Piktori gjerman Carl Blohm, pasi jetoi dhe pikturoi për disa muaj nëpër disa krahina të ndryshme, në muajin nëntor të vitit 1934 përgatiti një ekspozitë vetjake me tema shqiptare në sallat e Shkollës së Vizatimit. Veprimtaria më e rëndësishme u organizua gjatë muajit nëntor të vitit 1937. Në mjediset e shkollës së artit u ekspozuan të gjitha bocetet e skulptorëve dhe arkitektëve që morën pjesë në Konkursi Ndërkombëtar për ngritjen e monumentit kushtuar Gjergj Kastriotit. Edhe skulptori italian Romano Romaneli, autori i monumentit ekuestër të Skënderbeut në Romë, erdhi pikërisht në sallat e Shkollës së vizatimit, ku skicoi vizatimet e para për variantin e monumentit që realizoi në Itali.
Shkolla e Vizatimit bashkë me të gjithë ish mësuesit dhe ish nxënësit e saj kanë një vend të rëndësishëm në Historinë e Artit Shqiptar. Në atë shkollë u hodhën hapat e para në rrugë profesionale për zhvillimin e arteve figurative. Aty e kanë pikënisjen disa nga tablotë më të mira të traditës, aty morën mësimet e para mësuesit e ardhshëm të brezit më të ri të artistëve shqiptarë.
Para pak ditësh në Itali u botua një monografi për piktorin Mario Ridola. Libri është shkruar nga historiani, studiuesi dhe shkrimtari i njohur Bruno Castagna. Siç paraqitet edhe në atë botim veprimtaria më e rëndësishme e artistit italian është drejtimi i Shkollës së Vizatimit në Tiranën e viteve ’30. Monografia kushtuar drejtuesit të së parës Shkollës Arti në Shqipëri, shoqërohet me dy parathënie nga dy historianë të artit Antonio Falbo dhe Ferid Hudhri.
Gjatë epokës së artë të Rilindjes Italiane, pikërisht në periudhën kur jehona e veprave të Leonardos, Mikelanxhelos, Rafaelit dhe mendjeve të tjera të ndritura rrezatonin në të gjitha mjediset artistike të Europës, trojet shqiptare në anën tjetër të Adriatikut vazhdonin të ishin nën pushtetin e Perandorisë Osmane. Kur artistët në bregun përballë nesh vendosnin njeriun në qendër të krijimeve të tyre, feja e pushtuesve osmanë nuk lejonte asnjë lloj pikturimi apo vizatimi të figurave njerëzore, as motive të tjera nga jeta e gjallë. Kështu për disa shekuj, në të dy anët e Adriatikun jeta ecte në kahje të ndryshme. Nga brigjet e shqiptarëve banorët u mbajtën larg ideve iluministe të Rilindjes. Artistët vendas nuk mundën të përjetësonin si duhet jetën e bashkëkohësve, madje as të krijonin imazhin e mjediseve ku banonin. Vepra e parë e Rilindjes Shqiptare, tabloja Motra Tone e Idromenos, u realizua në janar të vitit 1883, thuajse 5 shekuj më pas.
Gjithsesi, duke qenë përballë vendit nga ku u përhapën idetë iluministe, shqiptarët patën fatin të përjetësoheshin në disa veprat prej artistëve italianë. Afresku i Paolo Veronezes Mbrojtja e Shkodrës në Pallatin Dukal të Venecias dhe portreti i Skënderbeut pikturuar nga Cristofano dell’Altissimo në Galerinë Uffizi të Firences, janë dy nga tablotë e njohura në dy muze shumë të rëndësishëm, krahas shumë veprave të tjera që ndodhen nëpër galeri, muze dhe koleksione të ndryshme. Motive të tjera arbërore u pikturuan edhe nga autorë të shquar si Botticelli, Bellini, Pinturicchio, Carpaccio, Lipparini, Hayez, Lotto etj. Pas periudhës së Rilindjes e deri në ditët e sotme ekzistojnë disa qindra vepra arti me motive shqiptare të realizuara nga piktorët dhe skulptorët A. Deveria, F. Agricola, B. Pinelli, A. Preziosi, E. Baroni, L. Basiletti, A. Beltrame, A. Biagini, S. Bulo, M. Cavalla, P. Conti, U. Giunti, R. Romanelli, L. Piffero e shumë të tjerë .
Një pjesë e madhe e krijimeve artistike u realizuan gjatë shekullin e XIX, në atë kohë kur u shtuan më shumë përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Në vitet e mëpasshme, sidomos gjatë dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XX, artistët italianë udhëtuan dhe pikturuan më shpesh midis shqiptarëve. Piktori i njohur Aldo Carpi para se të bëhej profesor, dekan dhe drejtor i Akademisë së njohur Brera në Milano kishte vizatuar nëpër trojet shqiptare motive të ndryshme nga jeta e përditshme. Të kësaj periudhe, midis viteve 1916-1918, janë edhe disa peizazhe e tablo të pikturuara nga Arturo Bianchini, Gino Romiti, Tommaso Cascella etj. Pak vite më vonë në Romë u organizuan ekspozita të veçanta me piktura me temë shqiptare nga Vincenzo Ciardo, Giorgio Oprandi dhe artistë të tjerë italianë.
Në lakun kohor të dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit të kaluar, kur studiot e artistëve italianë ishin pasuruar me më shumë motive shqiptare, erdhi për të pikturuar në Tiranë edhe Mario Ridola. Që në muajt e parë të njohjes me botën e shqiptarëve, piktori Ridola u bë i pranishëm në dy veprimtaritë më të rëndësishme të asaj kohe; më 10 maj të vitit 1931, kur u krijua shoqëria Miqtë e Artit në Tiranë dhe, më 24 maj, kur u hap Ekspozita e Parë Kombëtare e Artit Shqiptar. Ridola e pa me sytë e tij suksesin e menjëhershëm të ekspozitës. Edhe në shtypin e kohës u shkrua se Ekspozita e artit e mrekulloi publikun e Tiranës me bukurinë dhe shkëlqimin e saj! Arritjet e Ekspozitës e afruan realizimin e idesë së hershme të artistëve shqiptarë se koha për të hapur një Shkollë Arti kishte ardhur. Vetëm pak muaj pasi piktori Andrea Kushi kishte çelur kursin e vizatimit, në Tiranë u hap Shkolla e Vizatimit, e para Shkollë Arti në Shqipëri.
Dokumenti që njofton themelimin e Shkollës së Vizatimit mban datën 29 janar 1932. Sipas shkresës së Ministrisë së Arsimit: Komiteti Artistik ka themelue një shkollë vizatimi që ka për qëllim me stërvitë në arte të bukura gjithë djemtë që tregojnë aftësi të veçantë. Shkolla është e drejtueme prej z. Prof. Mario Ridola, organizator i Komitetit Artistik, i ndihmuar nga Andrea Thanasi, profesor i gjimnazit1.
Angazhimi i drejtuesit të shkollës ishte i përnjëhershëm. Sipas kronikës së kohës, artisti italian bëri një konkurs në të gjithë shkollat e Shqipërisë dhe ay që do të japë shenja talenti do të merret si bursist. Konkursi bëhet në mënyrë që z. Ridola të sigurohet se vizatimet që erdhën janë autentike t’atyre që i kanë nënshkruar. Askush tjetërs’ka vënë dorë mbi to2. Në shtypin e kohës botoheshin lajme për datat e konkurseve nëpër qytetet kryesore, shkruhej edhe për interesimin e të rinjve. As intelektualët më optimistë të asaj kohe nuk mund të mendonin se kërkesat për shkollë arti do të ishin aq të mëdha. Për konkurrimin në Tiranë, në një nga gazetat kryesore të viteve ‘30, shkruhej: U paraqitën 150 kandidatë, djem e vajza dhe instruktorët vunë re një interesim të madh për artin ndër të rinjtë shqiptarë, shumë më të madh se ç’e pandehnim. Salla në të cilën zhvillohet konkursi është shumë e bukur, e plotësuar dhe e stolisur në mënyrë që t’i inspirojë kursistët e zellshëm dhe të lehtësojë në zbulimin e disa talenteve e pasioneve artistike të panjohura. Fatkeqësisht salla është e vogël për 150 vetë!3
Në vitet ’30 kur Shkolla e Vizatimit hidhte hapat e para, nëpër Europë ishin në lulëzim rrymat moderne në pikturë. Ato po depërtonin edhe në shkollat dhe akademitë e njohura të artit. Shkolla shqiptare, ende në djep, do të çorientohej nga futja e atyre korrenteve të reja artistike. Drejtuesi Ridola dhe artistët shqiptarë A. Buza, O. Paskali, A. Kushi, me mësimdhënien e përkushtuar, si dhe përpjekjet për t’u përshtatur me psikologjinë dhe traditën shqiptare, krijuan profilin e një shkolle të kohës, me nivel e kërkesa të qarta profesionale, mbështetur po ashtu në trashëgiminë kombëtare. Ridola solli nga Italia disa modele në gips, kopje të kryeveprave të artit antik, për t’u mësuar nxënësve mjeshtërinë e vizatimit, raportet e dritëhijes, format e volumit, vlerat e plastikës dhe kompozimit artistik, ndjenjën e ritmit dhe të frakturës. Por, për të perfeksionuar aftësitë artistike, Ridola i kushtoi më shumë rëndësi punës së studentëve përballë modeleve të gjalla. Nëpër atelietë e vizatimit, pikturës dhe skulpturës, erdhën për të pozuar djem të rinj, gra dhe burra me veshje tradicionale. Me portretizimin e tyre, nxënësit jo vetëm përvetësonin dijen mbi artin e të vizatuarit, por, çka ishte më e rëndësishme, përpiqeshin të kapnin psikologjinë e personazhit e përmes tyre psikologjinë e vetë kohës, botën shqiptare të viteve ’30. Ndërsa gjatë pikturimit të veshjeve njiheshin me mjeshtërinë e artit popullor dhe frymëzoheshin nga elemente etnografike të trashëgimisë kombëtare. Nga fundi i vitit të parë u konstatua se, siç ishte shkruar në një nga revistat e Tiranës, Shkolla e Vizatimit tani është diçka më tepër se ç’dëfton emri modest i saj… puna që ka kryer z. Ridola na bën të shohim perspektivën e Akademisë Shqiptare t’Arteve të Bukura4.
Mësuesi Ridola pikturonte edhe vetë të njëjtat modele me nxënësit e Shkollës së Vizatimit. Ndërkohë krijoi edhe tablo të tjera direkt nga natyra. Në kronikën e shkollës shkruhej se z. Ridola q’është një piktor i mbaruar, ka punuar gjatë këtyre muajve dhe ka bërë shumë tablo, vendosi që viti shkollor të mbyllet me një ekspozitë. I bije tablotë e tija, i ve nëpër mure bashkë me vizatimet e nxënësve, i thërret edhe piktorët e skulptorët shqiptarë të marrin pjesë n’ekspozitë 5. Nga ajo periudhë ruhen edhe sot në Galerinë Kombëtare të Artit Shqiptar në Tiranë portreti Plaku me shkop i ish-nxënësit S. Kaceli, si dhe punime të tjera nga I. Kodra, F. Stamo, N. Zajmi, K. Kodheli, Q. Grezda, L. Nikolla, G. Strazimiri, F. Pëllumbi etj.
Nga Shkolla e Vizatimit pjesa më e madhe e nxënësve u nisën për studime në akademitë e arteve të Romës, Firences, Milanos dhe Parisit. Pas diplomimit u kthyen në atdhe. Disa prej tyre u bënë mësues të brezit më të ri, të tjerë kontribuan në fusha të ndryshme të artit. Megjithëse i kishin aftësitë dhe mundësitë të qëndronin dhe të pikturonin nëpër Europë, ata ja kushtuan zhvillimit të artit shqiptar gjithë krijimtarinë dhe veprimtaritë e tyre artistike. Nga ajo kohë Ibrahim Kodra, pasi kreu Akademinë Brera qëndroi deri në fund të jetës në Itali. Pikturoi dhe ekspozoi midis artistëve më të shquar të Europës. Sot vlerësohet si një nga piktorët më të shquar të diasporës shqiptare. Ndërsa me veprat e krijuara prej artistëve të tjerë që u kthyen në atdhe pas studimeve akademike, u pasurua fondi i krijimtarisë artistike në Shqipëri. Emrat e piktorëve Kaceli, Zajmi, Stamo, Kodheli, Sejdini, Nikolla, Grezda etj., që dolën nga Shkolla e Vizatimit bashkë me gjeneratën e mëparshme të artistëve Idromeno, Rrota, Paskali, Mio, Buza, Kolombi, Paço, Koljaka, motrat Zengo, Jani, Tuçi etj., të cilët gjithashtu pasi kryen studimet nëpër Europë, u kthyen në vendlindje, sot përbëjnë brezin e krijuesve më të rëndësishëm të trashëgimisë shqiptare ne art.
Pas vitit 1944 në Tiranë u hap Shkolla e Mesme Artistike “Jordan Misja”. U ngrit Instituti i Lartë i Arteve, më pas Akademia e Arteve dhe tani Universiteti i Arteve. Në secilën prej këtyre institucioneve të rëndësishme do të përmendet vazhdimisht Shkolla e Vizatimit, si e para shkollë arti në Shqipëri që u ngrit në Tiranën e vitit 1932.
*
Por pas vitit 1944 u krijua edhe një shkëputje tjetër e shqiptarëve nga zhvillimet artistike të vendeve perëndimore. Nga kufizimet e Luftës së Ftohtë gjatë atyre viteve në Shqipëri nuk mund të përmendeshin artistët nga Perëndimi. Kështu për shumë kohë nuk u kujtua asnjëherë edhe piktori Mario Ridola, i cili krahas veprave të artit me temë shqiptare, kishte drejtuar shkollën e parë të artit në Tiranë.
Edhe në vitit 1983, kur në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë u përkujtua 50 vjetori i Shkollës së Vizatimit, Ridola nuk u përmend. Bashkë me ish nxënësit, në atë mbrëmje përkujtimore morën pjesë dy ish mësuesit kryesor të shkollës, skulptori Odhise Paskali dhe piktori Abdurrahim Buza. Ish mësuesi Mario Ridola kish ndërruar jetë 13 vjet më parë, por edhe i gjallë të ishte nuk mund të ftohej në atë përvjetor. Krahas Luftës së Ftohtë shqiptarët në ato vite po ndjenin edhe peshën e vetizolimit nga shteti komunist. Ndonëse ish mësuesit dhe ish nxënësit e Shkollës së Vizatimit që diskutuan në atë pasditen e 5 janarit të vitit 1983, nuk mundën t’i përmendin as edhe emrin, në mendjet e tyre, midis kujtimeve të shumta, gjithë kohës vërtitej imazhi i mësuesit dhe drejtorit të tyre. Mario Ridola nuk u kujtua atë natë, por kontributi i tij mbetet i paharrueshëm për të gjithë ish nxënësit e Shkollës së Vizatimit. Emri i tij zë një vend të veçantë në Historinë e Artit Shqiptar.
*
Gjatë kërkimeve shumëvjeçare për studimin Shqiptarët në Artin Botëror, pas zbulimit të çdo vepre të re më lindte dëshira për të biseduar me autorin rreth mbresave gjatë ditëve të pikturimeve, si dhe për ndjesitë që provonin nga ndarja që kishte ndodhur me tablotë e tyre. Por ishte një mision i pamundur. Në ato vite as nuk mund të mendohej kontakti me artistët nga vendet perëndimore. Megjithatë, edhe në atë kohë të vështirë, ndodhi një rast i vetëm. Në javën e parë të nëntorit të vitit 1985 marr një letër nga Japonia. Piktorja Kimiko Amabe më shkruante për ditët e pikturimeve nëpër Shqipëri gjatë pranverës së vitit 1965. Kishte qenë bashkë me piktorin e shquar Inosuke Hazama (1895-1977). Në atë letër shprehej shumë mall, nostalgji dhe adhurim. Dukej si një poezi dashurie për Shqipërinë dhe shqiptarët. Midis të tjerave shkruante: pikënisja ku unë mbështetem tani dhe më vë akoma në lëvizje është Shqipëria. Të mendosh në kohën tonë se ka një vend të tillë në botë, të duket gati-gati si ëndërr. Njerëzit ishin të pastër në shpirt. Fëmijët ishin të ëmbël, porsi engjëj, dhe s’besoj të ketë vend tjetër në botë ku fëmijët edukohen aq mirë sa atje. Po të mos ishte udhëtimi im në Shqipëri, një përvojë e çmuar kjo për gjithë jetën time, nuk do ta kisha gjetur sensin për të thyer mosbesimin njerëzor dhe s’dihet në do të kisha arritur ku jam sot në rrugën e mundimshme të artit.6Interesi që ngjalli edhe te lexuesit e shumtë të gazetës Drita, ku u botuan fragmente nga kjo letër në dhjetor të vitit 1985, ma ngacmoi më shumë mendimin e dikurshëm për të kontaktuar artistët, por situata vazhdonte të ishte e njëjtë; e pamundur për t’u lidhur me artistët e huaj.
Pas viteve ’90, kur Shqipëria u hap me botën dhe mundësia e komunikimeve ishte e madhe, m’u rikthye më e fuqishme ajo ide. Midis artistëve që kishin ardhur në gjysmën e parë të shekullit të kaluar më shumë sillja ndërmend Mario Ridola-n, mësuesin e parë të brezit të piktorëve shqiptarë të viteve ’30. Dhe, për koicidencë, përsëri në javën e parë të një nëntorit tjetër, atij të vitit 2023, më vjen një email nga Italia. Më kërkohej informacione rreth veprimtarisë artistike të piktorit Mario Ridola në Tiranën e viteve ‘30. Fjalia e fundit e email-it: Ridola era mio nonno. La saluto cordialmente, Bruno Castagna, më befasoi edhe më gëzoi më shumë. Email-i ishte shkruar nga nipi i artistit Mario Ridola, nga historiani, studiuesi dhe shkrimtari i njohur Bruno Castagna. Një ngjarje e bukur në punën time si studiues. Për një çast m’u duk sikur u lidha me vetë mjeshtrin që kishte pikturuar në Tiranë.
Në se nga letra e piktores Amabe ndjeva mbresat, dashurinë dhe mallin e artistes për muajt e pikturimeve nëpër Shqipërinë e vitit 1965, nga komunikimet me shkrimtarin Castagna kuptova më mirë ndjesinë e krenarisë së nipit për veprimtarinë artistike të gjyshit piktor në Tiranën e viteve ‘30. U binda gjithashtu se lidhjet që i kërkoja dikur me autorët e tablove me temë shqiptare, lidhje që nuk u arritën as me fëmijët, po realizohen me nipërit. Historia vazhdon.
Ndonëse për Ridola-n kisha shkruar në librat Arti i Rilindjes Shqiptare dhe Shqiptarët në Artin Botëror, përsëri mora kënaqësinë t’i rihap edhe një herë skedimet e mëparshme, për të bërë kërkime dhe hulumtime të reja. Nga bashkëpunimi me studiuesin Bruno Castagna dolën në dritë disa tablo të tjera, të pikturuara në Tiranë apo edhe në studion e tij në Itali.
Deri dje kishim më pak të dhëna për artistin Ridola. Tani, pas një pune të gjatë e të kujdesshme të autorit të këtij libri, pas kërkimeve intensive për zbulimin e veprave të panjohura më parë, si dhe me hulumtimet e reja rreth jetës dhe krijimtarisë së piktorit në Itali, në Shqipëri dhe vende të tjera, e kemi të plotë të gjithë veprimtarinë artistike të mjeshtrit Mario Ridola. Me këtë libër rikujtojmë edhe njëherë fillimet e të parës Shkollë Arti në Shqipëri.
Bibliografi:
1. Sipas dokumentit që ruhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Tiranë, Fondi Ministria e Arsimit dhe Kulturës, Dosja nr. 13, Viti 1932.
2. Një djep i jetës artistike në Shqipëri, revista Minerva, nr. 10, Tiranë, 13 maj 1932.
3. Paraqiten 150 kandidatë në Konkursin Artistik, Gazeta e Korçës, Korçë, 14 maj 1931.
4. Çika, N., Një djep i jetës artistike në Shqipëri, revista Minerva, nr. 10, Tiranë, 13 maj 1932.
5. Çika, N. (artikulli i cituar).
6. Shqipëria vendlindja ime e dytë, (përktheu nga japonishtja, Ilir Konomi), gazeta Drita, f. 16, Tiranë, 1 dhjetor 1985.
Ndonjëherë një karikaturë flet më shumë se mijëra fjalë.
Mjeshtri Bujar Kapexhiu ka sjellë një punim me titull: Dakordësi Partiake.
Aty tregohet se kush e urdhëroi në të vërtetë arrestimin e Veliajt.
Në karikaturë shihet Edi Rama teksa i dorëzon prangat Altin Dumanit.
Ky punim nuk ka nevojë për shumë koment:
Personazhet e pikturave të Krist Dimo-s shfaqen në disa postera të mëdhenj, si ftesë në ambjentet e COD (Center for Openness and Dialogue) në një ekspozitë autentike dhe interesante të titulluar “Tejdukshmëri ekzistenciale” Personazhe të çuditshme të vendosura në posterat në hyrje të ekspozitës, të një gjuhe sa specifike dhe aq të rrallë të krijuar nga intuita, fantazia e subkoshienca e piktorit paralajmërojnë takimin me botën e tyre të panjohur, thuajse surreale, tejet origjinale, si një armatë qeniesh të konturuar në një ishull shpirtëror ku qëndrojnë dhe lëvizin përtej telajove në fantazinë tonë, na përfshijnë në botën e tyre sa të dukshme aq dhe të pakapshme, në tablo të mëdha me ngjyra e tone të veçanta, në figura të deformuara intriguese. Bota e tyre si personazhe të një planeti të mistershëm shpirtëror është e thjeshtë në dukje nëpërmjet kontureve, linjave e njëkohësisht tejet e komplikuar, në shpërfillje të anatomisë, tipareve, aty ku ndjesia fëmijërore dhe meditimi i thellë shkrihen me njëri tjetrin në një bashkim abstrakt, në linja sa të thjeshta aq dhe moderne, në një stil unison që i unifikon të gjitha dhe i veçon nëpërmjet tipareve tejet personale e unike, duke i siguruar secilës pavarësinë.
Çrregullsitë e tyre bashkohen në një uniformitet mendimi, ndjesie, përjetimi dhe krijojnë një botë paralele me atë reale ku personazhet flasin një gjuhë specifike nëpërmjet tipareve të çuditshme të formave, ngjyrave, linjave, të elegancës, sfondeve, të kepucëve të gjelbra, të shprehjeve, të kontrasteve, kontradiktave, pakënaqësive dhe rebelimit, herë si përçues të ndjesive e herë si profesionistë që nëpërmjet ironisë kontrastojnë e ngjasojnë me kohën e sotme. Më një stil elegant, me përkushtim dhe dashuri teksti kuratorial i vendosur në hyrje dhe gjithë detajet e infrastrukturës dixhitale, titujt e tablove duket se e përfshijnë vizitorin për të kuptuar, menduar e vëzhguar gjatë. Shkrimet, ngjashmërisht si titujt e veprave muzikore me program, nëpërmjët fjalës të drejtojnë drejt tablove, për të çuditur me lidhjen e përsosur mes tyre dhe asaj çka piktura përfaqëson, për ta vëzhguar sërisht herë në detaje e herë të gjithën, me ndjesinë se diçka i ka shpëtuar vëmendjes, mbetur në misterin e botës së personazheve në atë ngatërrese linjash e fantazie, të vendosur mjeshtërisht mbi kanavaca të kthyera mbrapsht, në materiale të përziera, të studiuara e përshtatura ndjesive, si një domosdoshmëri për ti shfaqur unike.
Përtej fjalës e shpjegimeve letrare, kisha besuar në një lidhje mes arteve. Ishte një fushë tjetër që interferonte me anë të së cilës mund të jepje një tjetër shpjegim. Letërsia u qëndronte arteve pranë në shpjegime e dokumentime, po shpesh dhe artet pamore kishin ngjashmërinë me të tjera forma. Muzika me misterin e saj të tingujve u qëndronte pranë gjuhëve të pakuptuara, apo ekspozitave të tilla ku personazhet i përkisnin një bote tjetër, ku liria e fantazisë të lejonte të bëje paralelizma. Teksa shëtisja mes tablove, të cilat ishin të ngjashme e të ndryshme, tingujt e kompozitorit të madh amerikan minimalist më shoqëronin heshtaz. Muzika magjepëse e Philip Glass ishte më pranë kësaj pikture. Stili minimalist, detajet e përsëritura, fraza e nota që përfshiheshin nga ndryshime harmonike më kishin çuar në kohë të largëta, në atë lidhje mes artesh që krijonte gjendje emocionale të veçanta. Isha munduar ti shkëpus personazhet duke i shoqëruar mes tingëllimeve unike të “Metamorphossis” apo “The hours” që i përshtateshin ekspozitës, ndërsa kjo lidhje mes arteve më kish çuar larg në një kohë fëmijërie, ku talenti i piktorit të ekspozitës kish shtresuar në mendje. Gjatë viteve, ngjyra e një autobuzi të vizatur mrekullisht kish humbur, ish harruar, kish mbetur e paqartë, ndërsa ai vizatim i autorit në moshën 5- vjeçare që gjyshja më kish treguar dikur nga fëmijëria e djalit të saj ish shndërruar në simbolin e talentit për njeriun e afërt, autor i kësaj ekspozite.
Ai vizatim kish udhëtuar në kohë me atë mjet në mënyrë figurative, talenti i artistit kish nisur të konsolidohej fillimisht në Durrës, në qytetin e lindjes, me vizatime, kompozime, me kopjime të piktorëve të mëdhenj siç ndodh zakonisht, ish ndalur në fletore të tëra shënimesh ku specifikoheshin stilet e pikturat moderne, karakteristikat e figurave të modernizmit si Paule Gauguin, Claude Monet, Gustave Climt, Paul Klee, Pablo Picasso e shumë të tjerë, ish frymëzuar nga letërsia, muzika, këngët, kinemaja, ish ndalur në orë të gjata bisedash me të afërmit, me piktorin e skenografin Zef Ujkaj, me piktorët Nikolet Vasia e Gavril Priftuli. Që herët në heshtje duket se e kish konsoliduar në mendje të ardhmen e tij në rrugën e artit…Ndryshimet e sistemit dhe koha e lirisë që po vinte i dhanë mundësinë ti bindej ikjes e gjendej në shtetin përtej detit, për ti dhënë pasionit dhe talentit rrugën e duhur drejt një pikture moderne, të lirë, përtej skematizmit, në një rrugë që do ta shfaqte pikturën e tij tejet autentike. Rrugëtimi ish ndalur për një periudhë të gjatë dhjetëvjeçare në Itali, ndërsa takimi me profesorin e Akademisë së Arteve të Bukura, si dhe drejtues i saj në Foggia, do ndikonte profesionalisht, duke e çuar pikturën e tij në nivele të tjera kompozimi dhe meditimi. Dario Damato, i njohur si profesor dhe personalitet i nderuar i qytetit të Foggia-s dhe Capitanatë-s shquhej për ekpozimet e punëve të tij në muzetë e rëndësishëm në Itali dhe Perëndim si dhe cmimet dhe vlerësimet e niveleve të larta mes të cilëve ai i Senatit Italian të vitit 1973 dhe Presidentit të Republikës Italiane në vitin 1974. Damato ishte drejtues artistik në shumë galeri arti në Itali. I komentuar dhe vlerësuar nga kritikë të rëndësishëm, në vitin 1967 regjizori Massimo Mida i dedikon një film artistik, fitues i çmimit të parë në Festivalin e Cannes. Qyteti i Foggia -s, kjo nyje hekurudhore e qyteteve italiane do bashkonte talentin dhe profesionalizmin e Krist Dimo- s. Dario Damato e ftoi dhe udhëhoqi në laboratorin e tij për ti dhënë drejtimin e duhur në rrugën e veçantë dhe moderne. Kjo periudhë do vendoste të tjera ritme në krijmtarinë e tij, filloi një përvojë re dhe e shpejtë e realizmit të kuadrove të mëdha, e pikturave që do bëheshin pjesë e ekspozitave në Itali, e më pas e një koleksioni privat në Romë. Një periudhë eksperimentimi që fillonte me materialet e telajove, teknikën, me gërshetimin e talentit me profesionalizmin.
Kjo eksperiencë do i jepte pikturës së tij të veçantë dhe personazheve intrigues përsosmërinë, në përpjekje për konsolidimin e një stili unik, që do i bënte ato të qarta, të dallueshme, që më pas duket se nuk do kishin nevojë për firmën e piktorit. Mendoj se suksesi i kësaj pikture është pikërisht autorësia e kuadrove e cila nuk vjen nga autori, po firmoset në heshtje nga veçantia e personazheve. Puna intensive dhe pjekuria ndër vite do i stilizonte, rafinonte, do i shndërronte me elegancë personazhet enigmatikë të një bote imagjinare që lindnin nga subkoshienca, tashmë akoma më të përsosura. Ato do pasuroheshin, konsolidoheshin në një stil unik, duke theksuar vlerën e tyre më të spikatur, veçantinë. Pjesëmarrës në “ekspozitat e nëntorit” në Galerinë Durrës, në Galerinë Kombëtare, në “Onufri 2000” Tiranë, krijimet e mëvonshme i përkasin periudhës 2015-2024. Pjesëtar i Fedac Found Brussels, krijimet e tij janë publikuar dhe në galerinë Hambly and Hambly, galerinë Kiro Group C Irlandë, si dhe Eine Art Galery në Gjermani. Po aq interesant vjen dhe albumi me fotot e pikturave të punëve të tij kryesisht nga viti 2016- 2024. Qëndrojnë bashkë në një botim elegant, si domethënie dhe dëshmi e ekspozitës. Në album kuadrot shoqërohen me shkrime dhe komente interesante nga Carlo Colombo Calabria, (shkrimtar) i cili hulumton, përshkruan e analizon me pasion në mënyrë të spikatur personazhet e kësaj pikture. “Burra extra ujorë me sy si milingona që jetojnë në qoshet e një bote të lodhur, që heshtjet shqetësuaese i kufizojnë në forma” i cilëson Colombo personazhet e tablove …
Tingujt e “Metamorphossis” të Philip Glass më shoqërojnë edhe jashtë ekspozitës. Ato ngjajnë si trokitje të përsëritura, apo kujtesë tashmë për ekspozitën, e cila është e hapur për të tjerë vizitorë.
Krijimi i një strukture nga ana e SPAK për të hetuar krimet elektorale është pritur me ironi në median sociale.
Strukturën do e drejtojë vetë Altin Dumani, i cili akuzohet se ka amnistuar krimet më të rënda zgjedhore në vend.
Ndërkohë mjeshtri Bujar Kapexhiu sjell një karikaturë virale me titull: “Këshillë SPAKORE”.
Ajo nuk ka nevojë për shumë koment. sn
…meqë po afrohet dita e inaugurimit Trumpidencial, dhe meqë s’dimë çfarë duhet thënë me ndonjë artikull (ashtu-kështu s’na e boton kush, për fat të keq s’na njohin, as Washington-Posti as New York-Posti), ndoshta dhe grafikisht mund të kontribuohet, jo vetëm me fjalë, andaj e bemë 1 kartolinë (me ndihmën e AI), sipas nesh majtas është versioni imagjinar i fansave, kudo që janë, anembanë botës, sikur dhe imagjinata e të gjithë votuesve të tij atje në Amerikë, madje dhe e shqiptarëve të disasporës që patën ikur dikur nga komunizmi dhe që i tremben dhe sot e kësaj dite, prandaj dhe ngelën andej oqeanit, i arsyeshëm moskthimi në atdhe, sepse kur e ke frikë komunizmin s’ke as si kthehesh, dhe kështu dmth. duke votuar për Trumpidentin e çelikosën besimin e tyre “o trumpizmi o komunizmi”, i thanë komunizmit “stop, shporru nga Amerika, ik andej diku në Kinë a në Rusi…” – ndërsa djathtas sipas nesh grafika e paraqet imagjinatën e vetë Trumpidentit, siç i duket atij froni dhe shkëlqesia e vet, më 20 Janari 2025…
[ ngjitur, poster, art feminist – “Guerrilla Girls Manifesta” (kujdes: jo manifesto, por manifesta) për muzeumet artistike të mbarë botës ]
“Guerrilla Girls” është një grup anonim artistesh (grup femrash) një kolektiv feminist i cili ka mëtuar ta sfidojë botën e artit që nga v. 1985, kur grupi qe themeluar në Nju Jork. Misioni i tyre është që në mënyrë sistematike dhe me “metodat e gueriljes”, t’i kundërvihen mendësisë dekadente të “maskilinizmit”, t’i kundërvihen seksizmit dhe racizmit brenda botës së artit.
Metoda e tyre gueril-iste nënkupton përdorimin e posterave, ikonave, pllakateve, librave, tabelave, intervistave dhe të shumçkaje tjetër që e ndihmon angazhimin e tyre artistik. Thuhet se mesazhet e tyre si aktivitet artistik në përgjithësi janë punë mjaft provokative, “kolorifike”, e veçantë, dhe përmban plot humor.
Artistet guerile, “guerrilla girls” veprojnë prapa maskave, skena e tyre a veprimit është anonimati kolektiv. Për t’i mbrojtur identitetet individuale (psh. kur japin intervista për mediat) ato mbajnë maska gorillash (ashtu vetë kanë zgjedhur, ashtu dhe quhen). Pastaj përdorin pseudonime që u referohen artisteve femra të mirënjohura, si psh. Frida Kahlo, Kathe Kollwitz etj. Po ashtu përdorin pseudonime të ngjashëm me emra të shkrimtareve dhe aktivisteve të ndryshme të historisë, si psh. të Gertrude Stein, Harriet Tubman etj.
***
Tashmë e 3-4 dekada “gorillat feministe” e kanë përdorur kreativitetin e tyre artistik për t’i trajtuar çështjet sistematike të seksizmit dhe të racizmit brenda industrisë së artit. Me posterin ikonik “Manifesta” (dmth. o-ja duhet të ktehet në a, në mënyrë që t’jetë “manifesta”, rregullore feministe, të dallojë nga “manifesto-mendësia” maskilineske : ) ato në mënyrë anonime, kuptohet si gjithmonë, prapa maskave gorilliste, i shpalosin rregullat e tyre për t’i bërë muzetë e artit institucione moderne, organizata më të mira të artit, më të drejta, më të denja.
S’ka as dhe një fjalë apo diç të “manifesta”, madje as presje as pikë, për t’mos u pajtuar, ato e thonë troç e thjeshtë – bie fjala, e gjithë bota mbarë e di se muzeumet e botës perëndimore janë përplot me artifakte të plaçkitura ndër shekuj nga Egjipti dhe nga sfera afrikane në përgjithësi. S’ke si t’mos pajtohesh me kërkesën e “manifesta” që artifaktet do duhej riatdhesuar, do duhej kthyer pronarëve dhe do duhej kërkuar falje.
Anise muzeumet e Londrës, të Nju Jorkut, Parisit etj. (si organizata biznesi, si ndërmarrje moderne të fitimprurjes) kurrë s’do “pajtohen”, sipas tyre kthimi i artifakteve të plaçkitura do t’i “zhbënte” muzeumet, s’do ishin tutje çfarë muzeumet janë.
Disa nga kërkesat kryesore të “Manifesta” (që u drejtohen muzeumeve të artit të mbarë botës) mbase do thuktoheshin si vijon:
Luftoje, zhbëje racizmin institucional, seksizmin, klas-izmin (luftoji klasat dhe diskriminimin klasor), luftoje ableizmin (dhënien përparësi njerëzve normalë, krahasuar me invalidët trupor, dmth. ji kundër diskriminimit para-artistik), luftoje homofobinë, transfobinë, kolonializmin gjithashtu.
Tregoje gjithë historinë e artit, duke përfshirë skllavërinë dhe gjenocidin e indigjenëve.
Pranoje se për shekuj femrat janë përshkruar e trajtuar si objekte seksualistike të imagjinatës dhe të dëshirës mashkullore, dhe si viktima të agresionit mashkullor. Pranoje se madje dhe vetë artistët ishin “predatorë (grabitqarë) seksualë”.
Artifaktet e plaçkitura, kontrabanda shekullore dhe objektet e grabitura të koleksionit tuaj duhet riatdhesuar, duke kërkuar dhe falje publike ndaj pronarëve të artifakteve.
Dhe po ashtu, nëse një muze ekspozon vetëm art super të shtrenjtë, blerë ndër galeritë super të shtrenjta të artit, ose dhuruar nga koleksionistë super të pasur, ai muzeum do duhej riemërtuar, do duhej të vetëquhet diç si “Muzeu i Artit të Njerëzve Super të Pasur” : )
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022
Komentet