Artisti Helidon Gjergji ka pasur një sezon të ngarkuar. Përveç punës si profesor arti në Universitetin SUNY Old Westbery në Nju Jork, ai ka hapur gjatë pesë muajve të fundit dy ekspozita në dy kontinente, me tema të frymëzuara nga e kaluara dhe nga puna e tij në Shqipëri.
Studentët në Universitetin SUNY Old Westbury në Nju Jork u prezantuan gjatë javëve të fundit me Tiranën moderne, përmes instalacionit të artistit Helidon Gjergji që përcjell një prej elementëve më të dukshëm dhe ndoshta më të famshëm të qytetit, fasadat plot ngjyra, një projekt që filloi që në vitin 2001.
“Tirana, përveç kaosit urban absolut që mbizotëronte ishte një qytet mjaft gri. Kishte humbur edhe atë identitet që kishin dikur nga ndërhyrjet pa asnjë lloj rregulli. Njerëzit mbyllnin ballkonet, hapnin dritaret. Ishte një projekt i zhvillimit urban alternativ, për t’i dhënë ngjyrë, për t’i dhënë shpresë këtij qyteti gri”.
Në rrjedhën e viteve, projekti vazhdoi të zgjerohet duke tërhequr edhe emra të njohur të artit bashkëkohor. Në mjediset e universitetit ku jep mësim, artisti Helidon Gjergji prezantoi një instalacion mbi kontributin e tij në këtë projekt, të realizuar në Bienalen e Katërt të Tiranës. Një ide e lindur për të sjellë pak shpresë e ngjyra, thotë artisti, është shndërruar tani në një identitet të qytetit.
“Kjo u absorbua nga arkitektët e rinj dhe tani krijoi një mënyrë koherence. Të paktën në qendrër shikon shumë ndërtesa të reja që e kanë ndjekur këtë koncept, jo në mënyrë artistike sa vetë projekti i fasadave, por është ndjeshmëria që e ndjek. Qyteti vetë ka një fare koherence që e ndjek,,, një nga lidhjet e dukshme”.
Fasadat me ngjyrat e ndezura të Tiranës dhe imazhet abstrakte u bënë menjëherë objekt kritikash, shumë prej të cilave dëgjohen edhe kësaj dite.
“Ideja e përdorjes së ngjyrës për zhvillimin urban nuk është një gjë e re. Që në kohën e rilindjes gjen afresqe… që në kohën e Rilindjes gjen afresqe.”
Zëri i Amerikës: “Po jo në këtë palet ngjyrash”.
Gjergji: “Po sepse jetojmë në një vit tjetër. Në masa ndryshon, aty ishin të izoluara. Por në këto përmasa e gjen në Brazil ku e kanë përdorur bojën për zhvillimin e disa lagjeve të disavantazhuara.
Zëri i Amerikës: A do të ishte më mirë që këto fonde, kjo energji, ky talent të ishte përdorur për të krijuar diçka që ndikon në jetën e përditshme të qytetarit?
Gjergji: “Kjo ka qenë një ndër kritikat më të mëdhaja dhe vazhdon të jetë ndoshta, megjithëse tani pshtë ulur intensiteti se kjo kritikë nuk qëndron deri në një fare mase. Se po ta thjeshtësojmë fare, bukuria në art, në sipërfaqe sjell edhe ekonomi. Nuk është thjesht fasadë. Lëkura nuk është thjesht fasadë, është organ aktiv i trupit. Kur shkojnë turistat në Tiranë, një ndër gjërat kryesore janë fasadat. Ai turisti që vjen do të shkojë në një hotel dhe ai hoteli ka një punëtor, ndoshta ka dy, ndoshta ka 100. Mora një element. Elementi tjetër, kjo është estetikë, krijon një fare mirëbesimi. Shikon një njeri që është veshur keq ke besim? Do të shkosh të bësh biznes me të? Ishte ideja e imazhit të një qyteti. Pse qendrat e qyteteve janë githmonë.. gjithmonë ka qenë kështu. Ndoshta pa ditur asnjë informacion mbi atë vend, pamja… pra është lidhur 100% me ekonominë.
Përmes projektit, autori Helidon Gjergji është tani përditë i pranishëm në Tiranë, një arritje që e përmbush më tepër se profesionalisht:
“Kam lindur në Tiranë. Që të bëja diçka për qytetin tim shkonte përtej artit professional. Kishte një lidhje nostalgjike Dhe kjo ideja e shpresës, për t’i rikthyer shpresën qytetit”.
Një tjetër ekspozitë e fundit e autorit e lidh me Shkodrën, qytetin ku kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme. Ai paraqiti gjatë muajve korrik-shtator, ekspozitën Shkodar në Cetinje të Malit të Zi.
“Shkodar një tjetër projekt që lidhet me të kaluarën time, pasi kur shkonim për t’u larë, për të ngrënë një drekë shikonim çfarë ka përtej. Në fakt nuk shihnim asgjë”.
Në ekspozitë, autori e koncepton liqenin si një pjesë përbërëse e komuniteteve që jetojnë rrotull tij dhe dëshmitar të valëve historike, politike e sociale që kanë përjetuar kombet e natyra.
“Konsumerizmi ka krijuar probleme të jashtëzakonshme dhe kjo ka shkaktuar probleme të mëdha të florës dhe faunës. Dhe nuk ekziston koordinimi… pasi duhet konceptuar si një trup I vetëm. Kjo ishte një nga temat e e4kspozitës… flora fauna, uji që janë të përbashkëta por që ndahen në mënyrë artificiale. Një tjetër temë është historia që është ndarë dhe mënyra si tregohet historia. Njëra pale tregon historinë… dhe rrallë here qëllon që kjo të jetë historia e vërtetë dhe për këtë, pa ia vënë fajin askujt… pa i vënë gishtin… përdora idenë e retushimit… fotot, udhëheqësit me udhëheqës të tjerë që zhdukeshin… shumë e zhvilluar me fotoshop, por është një histori mjaft e vjetër…”.
Artisti ka përdorur letrat e censuruara për të simbolizuar ndarjen artificiale të një fenomeni gjeografik dhe komuniteteve që jetonin në brigjet e tij nga politika dhe historia. Shumë letra që dërgoheshin gjatë viteve mes të afërmve mbërrinin të nxira nga censura e diktaturës.
Artisti flet për një përmbushje si personale, ashtu edhe profesionale nga ky angazhim. Një artiste malazeze, e impresionuar nga puna e tij dhe metafora që përcjell ekspozita, i ofron ta njohë me atë pjesë të liqenit që e imagjinonte, por pa arritur ta shihte në fëmijërinë e tij.
“Ajo erdhi, pa ekspozitën. I pëlqeu puna dhe më çoi të shihja shpinë e gjyshit ngjitur me Shqipërinë dhe e mbushi hapësirën boshe, edhe vetë ekspozitën në një fare mënyre e verifikoi atë që thoja në ekspozitë duke më çuar vetë me makinë. Ky ishte shkëmbimi njerëzor”.
Horizonti enigmatik që ai shikonte nga brigjet e liqenit në fëmijërinë e tij në Shkodër, më në fund mori trajta në formë fizike e simbolike falë ekspozitës mbi një liqen që sa ka ndarë, aq edhe ka bashkuar në mijëvjeçarë.
Komentet