Gjendja e të punësuarve në sektorin privat në Kosovë vazhdon të jetë e mjerueshme dhe jashtë çdo norme të punës ajo sa vije e po rëndohet edhe më shumë.
Gjendja e të punësuarve në sektorin privat ngjanë me atë të kohës së trajtimit që u bëhet njerëzve në skllavëri dhe bashkë përgjegjëse pos bizneseve janë edhe institucionet e shtetit që nuk veprojnë e rrinë duar kryq.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, tha se gjendje e rëndë po vazhdon ti përcjell punëtorët në sektorin privat. Situata është e brishtë dhe me tendencë të përkeqësimit edhe më të madh, e cila krahasohet me kohën e skllavërisë.
“Gjatë vizitës në 18 kompani brenda dy muajve të fundit kemi vërejtur skllavërizëm, ku disa kompani nuk respektojnë asnjë normë e ligj dhe janë disa gjëra me të cilat punonjësit ballafaqohen si në kohën e skllavërisë. Ka shumë padrejtësi dhe mbi 90 për qind të punonjësve trajtohen si skllevër”, tha Azemi.
Sipas tij një pjesë e madhe e punëtorëve në sektorin privat marrin edhe nga 120 euro pagë, gjë e cila është në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe të gjitha ligjet në fuqi në vendin tonë.
E derisa pjesa më e madhe e punëtorëve në sektorin privat janë të diskriminuar në shumë aspekte në anën tjetër ka edhe kompani të përgjegjshme të cilat punonjësit i trajtojnë dinjitshëm dhe duke respektuar çdo normë ligjore të punës.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, tha se Ministria e Punës nuk ka bërë asnjë hapë konkret për ngritjen e pagës bazë në sektorin privat prej 5 për qind.
“Zyrtarët e shtetit kanë prioritet ngritjen e të ardhurave të tyre, apo atyre që rrinë nëpër zyra e nuk punojnë asgjë, e jo edhe për ngritjen për 5 për qind të pagave të punonjësve të sektorit privat dhe kjo ngritje duhet të ndodh dhe të ketë barazi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat”,tha Jusuf Azemi.
Sipas tij asnjë institucion në vend nuk po merret seriozisht me çështjen e punëtorëve të sektorit privat dhe trajtimin e dinjitetshëm që duhet rritje pagash edhe në sektorin privat.
Ai shtoi se ka kompani të shumta që për rreth e mbi dhjetë vjet të punësuarve nuk u kanë kryer obligimet apo kontributet dhe nëse deri me 15 tetor ata nuk i kryejnë këto obligime do të publikohen emrat e këtyre kompanive.
E gjithë kjo pjesë e kontributeve në vend se të shkon në fondin shtetëror, ato mjete shkojnë në pasurinë e pronarëve të kompanive të cilat janë edhe në marrëveshje me institucionet shtetërore.
“Kjo është një hajni e pastër të cilën pronarët e kompanive po e bëjnë me institucionet e vendit. Inspektorati e Punës, nuk po e kryen funksionin e saj dhe ka pasur edhe disa vdekje e lëndime në punë”, tha Azemi
Në Kosovë sipas të dhënave zyrtare janë mbi 370 mijë punëtorë, prej tyre rreth 80 mijë në sektorin publik të cilëve u paguhen kontributet. Ndërkaq në sektorin privat nuk kalon shifra e 100 mijë punëtorëve që u paguhen kontributet e të tjerëve jo. Kjo i bie që mbi 50% apo më shumë se gjysma e punëtorëve të sektorit privat nuk janë as të regjistruar dhe bizneset punojnë në të zezë.
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, tha se Inspektorati i Punës, në vend se të veprojnë heshtin, duke mos kryer punën e vet në të cilën thirret në të mirë të punëtorëve.
“Për gjendjen e mjerueshme të punëtorëve në sektorin privat, përgjegjësinë e mbanë Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me pronarët e kompanive. Ne kemi argumente të mjaftueshme për inspektorët dhe zyrtarët e ministrisë për mos veprime”, tha Azemi.
Ai ka kërkuar veprime konkrete, sepse gjendja sa po vije e po rëndohet. toskanapress.info
Komentet