Me 59 vota të 61 deputetëve të pranishëm, parlamenti i Kosovës miratoi rezolutën dhe ekipi negociator për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Rezoluta është hartuar nga Partia Socialdemokrate në opozitë, e cila bëhet pjesë e ekipit negociues të propozuar nga qeveria e Kosovës. Projekt rezoluta përfshinë parimet e bisedimeve me Serbinë dhe në të kërkohet që çdo marrëveshje e mundshme të kalojë përmes parlamentit të Kosovës.
Delegacioni do të udhëhiqet nga kryetari i Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj. Pjesë e delegacionit do jenë edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, Avni Arifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ministri i jashtëm Behgjet Pacolli, ministri nga radhët e pakicës turke, Mahir Yagcilar, zëvendëskryeministri Dardan Gashi, një përfaqësues i shoqërisë civile, si dhe dy vende janë të rezervuara për dy partitë opozitare Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe lëvizjen Vetëvendosje.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, tha se rezoluta përfshinë të gjitha çështjet e ngritura në diskutimin publik e parlamentar për bisedimet. Sipas tij vendimmarrja në këtë proces ka kaluar te delegacioni shtetëror i cili edhe mandatohet edhe i jep llogari parlamentit.
“Me rezolutë zotohemi e me platformën shtetërore do të konfirmohen pacenueshmëria dhe patjetërsueshmëria e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe karakterit unitar të Republikës së Kosovës. Përmes këtij procesi të dialogut përfundimisht Serbia do të obligohet të njohë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran përndryshe nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë. Republika e Kosovës nuk do të zbatojë asgjë njëanshëm”, tha ai.
Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje bojkotuan seancën ndërsa kërkuan legjitimitet qytetarë para se të formohet çfarëdo ekipi negociator.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, numëroi dy çështje që sipas tij janë të rëndësishme për të ardhmen e bisedimeve.
“E para që platformë e vetme për dialog është vetëm kushtetuta e Kosovës, nuk mund të ketë kurrfarë platforme që del mbi kushtetutën e Kosovës dhe e dyta nuk mund të simulojmë ekipe për dialog, pasi ekip për dialog është vetëm qeveria që ka legjitimitet qytetarë, qeveri e shumicës që flet në emër të shumicës së qytetarëve normalisht me rolin shumë të rëndësishëm në atë ekip në të ardhmen të opozitës, të shoqërisë civile”, tha zoti Hoti.
Shefi i grupit parlamentar i lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se qeveria aktuale nuk ka legjitimitet për të shkuar në bisedime me Serbinë.
“Kapaciteti jonë si spektër politik i Kosovës për të ndaluar projektin i cili është në tavolinë, vetëm një projekt sot ekziston, projekti i Hashim Thaçit. Kur t’i mbyllet këtij projekti dera dhe Hashim Thaçi të jap përgjegjësi për këto dëme që ja ka shkaktuar Kosovës atëherë kjo është masë preventive, por atëherë ne jemi të sigurt në shtetin tonë, pastaj hapi i dytë dhe i tretë janë zgjedhjet e reja në Kosovë”, tha zoti Konjufca.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi menjëherë në rrjetet sociale se “e mirëpret vendimin e rëndësishëm për krijimin e ekipit negociator për bisedimet me Serbinë. Pres të punoj me ta për të arritur marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse që do të hapë dyert e OKB-së, NATO-s dhe BE-së për Kosovën”,
I welcome the important decision today on creation of the Negotiations Team for the dialogue with #Serbia co-headed by Mr. Limaj & Mr. Ahmeti. I look forward working with them together in reaching final, comprehensive settlement that will open UN, NATO and EU doors for #Kosovo.
— Hashim Thaçi (@HashimThaciRKS) December 15, 2018
Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se me votimin e rezolutës, parlamenti merr rolin kryesor në bisedime, ndërsa presidenti Thaçi vazhdon me detyrat e tij sipas kushtetutës.
Miratimi i rezolutës shihet edhe si kundërvënie ndaj ideve për prekjen e kufijve që u hodhën gjatë verës nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Kryetari i Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se seanca ka për synim të dëshmojë se Kosova nuk e bllokon procesin e bisedimeve.
Bisedimet tashmë kanë ngecur dhe Beogradi ka kushtëzuar vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, një vendim që qeveria e Kosovës e vendosi më 21 nëntor si kundërpërgjigje ndaj siç është thënë, fushatës agresive serbe ndaj shtetësisë së Kosovës.
Tensionet ndërmjet të dyja vendeve u shtuan pas votimit të së premtes në parlamentin e Kosovës për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë, duke i hapur rrugë procesit të themelimit të ushtrisë së saj, një veprim që zemëroi Beogradin i cili tha se do të përdorë forcën nëse ajo keqpërdoret për të sulmuar serbët e Kosovës.
Vendet që mbështetën votimin për ushtrinë kërkuan që Kosova t’u ripërkushtohet bisedimeve. John Bolton, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, shkroi në twitter se një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë sa më parë.
I welcomed Foreign Minister Miro Cerar of Slovenia to the White House today. As NATO Allies, we discussed our shared economic and security interests in Europe and the need for Serbia and Kosovo to reach an agreement as soon as possible. I much appreciated his insights.
— John Bolton (@AmbJohnBolton) December 14, 2018
Por, ndërsa themelimi i ushtrisë mori 107 vota në parlamentin 120 vendesh, rezoluta e së shtunës mezi u votua dhe u deshën shumë orë për të filluar seancën e parlamentit.
Komentet