Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë gjatë një fjalimi vjetor në Parlamentin e vendit se rrezikimi dhe cenimi i marrëdhënieve me shtetet aleate cenon vetë Kosovën dhe është gabim strategjik.
“Të punosh me ata që na kanë ndihmuar ta kemi lirinë e shtetit, asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në aleancat tona”, tha Osmani të enjten në Kuvendin e Kosovës.
Duke folur në një seancë të bojkotuar nga dy prej tri partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës, presidentja e vendit tha se “aleanca e Kosovës me vendet e tjera është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.
Ajo bëri thirrje që Kosova t’i ruajë aleancat e saj, sepse ato, sipas saj, janë “gur themel i sukseseve tona dhe investim në të ardhmen tonë, ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komitetin euroatlantik të kombeve të lira”.
“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtën e republikës sonë”, tha ajo.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, është kritikuar dhe akuzuar gjatë këtij viti nga Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i vendit, si dhe nga Bashkimi Evropian, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe.
Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë hapash për ta shtrirë autoritetin në veriun e banuar me shumicë serbe, duke mbyllur institucionet paralele serbe.
Kurti vazhdimisht këmbëngul se veprimet e Qeverisë së tij nuk janë të drejtuara kundër askujt, se ndjek Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se marrëdhëniet me SHBA-në janë të mira, përkundër mospajtimeve për disa çështje.
Osmani tha gjatë adresimit të saj se “asnjëherë nuk i kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës”.
Tutje, Osmani i bëri thirrje spektrit politik të këtë angazhim të madh vitin e ardhshëm për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.
“Ka disa gjëra që kërkojnë vëmendje dhe angazhimin e të gjithëve gjatë vitit 2025. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, avancimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, si dhe fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO duhet të jenë suksese të vitit 2025”, tha ajo.
Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por ende nuk e ka statusin e vendit kandidat. Ndërkaq, aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk pati sukses për shkak se u kushtëzua me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Osmani kërkon reflektim rreth qasjes në dialog
Presidentja Osmani tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian prej vitit 2011, ka qenë “fatkeqësisht i pabalansuar” dhe bëri thirrje për reflektim.
Ajo tha se Kosova “është trajtuar padrejtësisht” ndërsa, Serbia është “akomoduar vazhdimisht”.
“Fakti që në tavolinën e dialogut sot, shteti që kreu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa, kurse viktima e këtij agresioni, Kosova, është nën masa, është dëshmia më e qartë e kësaj. Prandaj, është e domosdoshme që të ketë reflektim rreth kësaj qasjeje, nga të gjithë ata që vërtetë duan paqe e stabilitet afatgjatë në rajonin tonë”, tha ajo.
“Por, kjo nuk do të thotë se edhe ne nuk duhet të vetëreflektojmë për rrugën e deritanishme dhe si mund t’i bëjmë gjërat më mirë”, tha ajo.
BE-ja vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Sipas burimeve diplomatike të BE-së, në diskutimet e fundit për këtë temë, shumica e shteteve anëtare kanë qenë në favor të heqjes së masave, askush nuk ka qenë në mënyrë të prerë kundër heqjes së tyre, por ka pasur dallime rreth asaj se si dhe kur do të bëhet një gjë e tillë.
Ajo tha se këshillat e saj për përmirësimin e procesit të dialogut kanë qenë në shënjestër të “sulmeve të ulëta dhe dezinformatave që s’i kanë hije askujt në Kosovë”.
“Për të qenë edhe më e qartë, kur unë kam propozuar që drafti i asociacionit të fillohet të diskutohet me SHBA-të, në mënyrë që kjo çështje mos t’i lihet as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar që unë po kërkoj themelim të asociacionit, por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetvetes sonë dhe Amerikës, sesa disa burokratëve nga shtetet jonjohëse”, th ajo.
Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ndër pikat kryesore të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Osmani tha se është akuzuar padrejtësisht dhe me “lloj-lloj shpifjes të ulëta” se ajo ka kërkuar nënshkrimin e njëanshëm të marrëveshjes.
Kurti ka thënë se është i gatshëm ta zbatojë Marrëveshjen Bazë dhe aneksin për zbatimin e saj, për çka Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023, vetëm nëse Serbia e nënshkruan dokumentin.
Ajo tha se kishte theksuar se zbatimi i marrëveshjes ka kuptim vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët, dhe se, si alternativë, ajo kishte kërkuar që Kosova, nëse e sheh që Serbia nuk po e zbaton pjesën e saj, të diskutojë me aleatët e vet për zbatimin e përgjegjësive të saj në marrëveshje, nëse merr garanci për sigurinë nga SHBA-ja, përfshirë anëtarësim në NATO.
“Thënë troç, për mua, më shumë sesa nënshkrimi i presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i Presidentit të Amerikës. Shpresoj që jam mjaftueshëm e qartë”, tha Osmani. REL
Rinia rilindi shpresën
Së fundmi kanë nisur protestat e të rinjëve e që po vazhdojnë të nxisin fjalë, reagime, veprime në shumë drejtime. Kanë ngrohur e po ngrohin qeniet tona që ka kohë që i ka pushtuar plogështia e shoqëruar me ngrica dhe acar. Reshat Kripa e ndjen këtë ngrohtësi nga zjarri i ndezur i revoltës së sotme duke kujtuar vrullet e kohës së rinisë së brezit të tij me fjalët që bashkojnë breza e gjenerata të tëra shqiptare: “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!” Paolo Coelho thotë diku se një luftëtar drite nxit veten dhe të tjerët për të vepruar. Shumë gjëra janë thënë, përpjekje janë bërë e po bëhen, gjurmë e shenja kanë mbetur e do mbesin, shumëçka është shkruar e po shkruhet për rolin e moshës së mesme që duket të jetë ura që qëndron mes brigjeve të fëmijërisë e pleqërisë. Kimete Berisha derisa shkruan për protesën e sotme në Tiranë, përmend edhe protestat tona të këtej gardhit. Dhe lutet për një njeri që nga traktori u hidhte lakra e i këshillonte ta mbanin shpirtin edhe me to. Dhe na bije ndër mend se një pjesë e mirë e jetës sonë na ka shkuar edhe protestave. Ato që si fëmijë i mbajmë mend që nga viti 1989 e edhe pas vitit 1999 s’kanë reshtur organizimet, grevat, protestat për të pagjeturit e të pakthyerit e luftës, pastaj kundër ndarjes së urës mbi Ibër, kundër marrëveshjeve e planeve të hapura a të fshehura, kundër privatizimeve e lloj-lloj padrejtësie që na erdhi na të huajt a nga tanët, a nga kombinim strukturash e klanesh. E gati gjithëherë të pakënaqur me rezultatet. “O, vend gërmadhash, në ty shembej çdo gjë, /ç’dhembje nuk shprehe, ç’dhembje nuk të vërshen!”, janë vargje të poezisë “Këngë e dëshpëruar” të Pablo Nerudës. Dhe kthehemi te studentët që duan dhe po mundohen të mos i lënë të korruptuarit (o)pozitarë e të gjitha krahëve qofshin të mos infiltrohen. Këtë drojë e shfaqi edhe Shinasi Rama në një shkrim të tij duke paralajmëruar studentët se beteja nuk është aspak e lehtë dhe partitë e sotme për të ruajtur pushtetin që e ndrrojnë me rotacion do të bëjnë ç’është e mundur që këtë pakënaqësi ta fusin qorrsokaqeve, dhe do të ishte ogur i mirë sikur kjo protestë të shpiente kah rrugëzgjidhjet e drejta e të vërteta në dobi të shtetit e kombit shqiptar. Diku tjetër, në një faqe të dikurshme të gazetës “Çlirimi” shohim poezinë me titullin “Apel” të François Hirsch që fillon: “Rini, /Juaja fuqi kujt mund t’i vyejë/Nëse mëmëdheu loton/E zemrën tuaj peshë s’e çon”, dhe poezia vazhdon t’i drejtohet rinisë të jetë e pakompromis në luftën kundër padrejtësive e tiranisë. Ndërsa në një intervistë Hysamedin Feraj thotë se protesta s’është partiake por është politike kurse partitë janë antipolitike e të përpiqemi dhe të urojmë në suksesin e studentëve që vendin tonë nga të pajetueshëm t’ia kthejmë jetën e mirëqenien, përfundon Feraj. Nuk po dijmë çka të marrim nga poezia e Rexhep Hoxhës:”Rinia, ajo e diellit”, megjithatë po shkoqisim këtë strofë:
“M’bie n’mend rinia e Skënderbeut,/Ajo që në zemër ka plot guxim;/Ajo që t’zezat i zhbin prej dheut,/Ajo që t’drejtën ka për parim./”Dhe po vëmë dhe ca fjalë të Lazër Shantos që i pamë: “Nji zemër studentit sot qi nuk asht e zoja për sakrificë, o do të thahet o do të pelsasë”. Kjo shpresë që rilindi na bëftë që të hyjmë në një vit të mbarë. Protesta kumbon, protesta vazhdon…