TIRANË – Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, priti në një takim zv/sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Rose Gottemoeller, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit, Xhaçka dhe Gottemoeller dhanë një deklaratë të përbashkët për mediat, ku zyrtarja e lartë e NATO-s tha se Shqipëria jep një kontribut të vlefshëm për NATO-n.
“Ne mirëpresim që Shqipëria po investon më shumë në fushën e mbrojtje dhe se planifikon rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes deri në vitin 2024. Kjo është edhe për investimin në aftësitë ushtarake moderne dhe për të kontribuar në misionet dhe operacionet e NATO-s. NATO është e angazhuar për sigurinë në Shqipëri. Ne planifikojmë të investojmë 51 milionë euro për modernizimin e objekteve ekzistuese në bazën ajrore Kuçovë. Kjo përfshin projektet për ruajtjen dhe trajtimin në terren dhe përpjekjet e tjera logjistike”, deklaroi zv/sekretarja e Përgjithshme të NATO-s.
Ndërsa ministrja Xhaçka theksoi se Shqipëria është e vendosur dhe angazhuar seriozisht për ruajtjen e solidaritetit dhe kohezionit të Aleancës.
Duke u ndalur tek investimet, ministrja Xhaçka deklaroi se, “Jemi shumë entuziastë që NATO zgjodhi Bazën Ajrore të Kuçovës, si një bazë taktike për operacionet e Aleancës në rajonin e Ballkanit”.
Sipas saj, projekti është ambicioz dhe konfirmon Shqipërinë si vend lider sigurie në rajon dhe më gjerë.
“Shqipëria në më pak se 2 vjet ka trefishuar praninë e trupave (136 personel) në Misionin e NATO-s në Afganistan, mbështet fuqimisht Misionin e KFOR-it në Kosovë, është e angazhuar në Prezencën e Forcës së Përparuar të NATO-s në Letoni si dhe në aktivitetin detar të NATO-s në Detin Egje. Gjithashtu kemi deklaruar një kompani në kuadër të Forcave të Reagimit të Shpejtë të NATO-s. Shqipëria është e përkushtuar ndaj rrugës së saj për në Bashkimin Evropian dhe vazhdon kontributin në misionin e trajnimit të BE-së në Mali dhe misionit ALTHEA në Bosnjë dhe Hercegovinë”, tha Xhaçka.
Lidhur me rolin e Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, Xhaçka tha se Shqipëria do të vazhdojë të mbajë qëndrimin e palëkundur si “faktor i stabilitetit, dialogut dhe paqes”, duke bashkëpunuar me të gjithë fqinjët.
Gottemoeller u takua edhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, ndërsa do të takohet edhe me kryeministrin e vendit, Edi Rama.
– Gottemoeller: Të gjitha palët të sigurojnë që vendimi i transformimit të FSK-së nuk do të rrisë tensionet në rajon
Gottemoeller foli edhe mbi votimin në Kuvendin e Kosovës të projektligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri.
“Dua të theksoj se të gjitha palët duhet të sigurojnë që vendimi i sotëm nuk do të rrisë më tej tensionet në këtë rajon. Të gjithë aktorët politikë përgjegjës në rajon duhet të përqendrohen në përparimin e reformave dhe dialogut”, deklaroi Gottemoeller.
Ndërsa, Xhaçka, nga ana e saj, tha se, “Ne jemi në favor të dialogut të drejtuar nga BE midis Serbisë dhe Kosovës, si një gur themeli për një zgjidhje të përbashkët dhe të qëndrueshme. Misioni i KFOR-it në Kosovë ka kontribuar në krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Kujtojmë se në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës me një shumicë absolute miratoi tre projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, respektivisht projektligjin për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe projektligjin për shërbim në FSK.
Votimi i projektligjeve të sotme pritet të dekretohet nga presidenti Thaçi, pas së cilës Kosova zyrtarisht bëhet me ushtri.
Komentet