SIBEL VEZAJ
PRISHTINË (AA) – Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së nesërme, 14 dhjetor, pritet t’i miratojë projektligjet që e transformojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri. Ky votim vjen pas përpjekjeve shumë vjeçare për të bindur deputetët e komunitetit serb për ndryshime kushtetuese për shndërrimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, për të cilën sipas procedurës nevojitet miratimi nga dy të tretat e gjithsej 120 deputetëve të Kuvendit si dhe pëlqim nga dy të tretat e 20 deputetëve të grupeve të tjera etnike (10 deputetë serbë, si dhe 10 nga komuniteti turk, boshnjak, ashkali dhe goran), shkruan Anadolu Agency (AA).
Sipas kreut ekzekutiv të Qeverisë aktuale të Kosovës, transformimi i FSK-së është në përputhje me angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s, ashtu sikurse edhe me Selinë Qendrore të NATO-s.
2009:
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), u formua zyrtarisht më 21 janar 2009, pas shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse te Kosovës (TMK), e cila ishte formuar në vitin 1999 si pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
I krijuar në përputhje me Pakon e Martti Ahtisaari-t, ish-të dërguarit special të OKB-së për statusin e Kosovës, misioni i FSK-së ishte që t’i kryejë operacionet e reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj, operacionet e mbrojtjes civile brenda Kosovës, si dhe t’u ndihmojë autoriteteve civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.
2014:
Lëvizjet e para për transformimin e FSK-së në forca të armatosura kanë ndodhur në vitin 2014, menjëherë pas aprovimit të Analizës së Rishikimit të Sektorit të Sigurisë (RSSK), e cila u inicua me vendimin Qeverisë së Republikës së Kosovës më 21 mars të vitit 2012.
Në muajin maj të vitit 2014 kryeministri i atëhershëm, president i tanishëm i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi se Qeveria e Kosovës ka vendosur që FSK të shndërrohet në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) dhe kishte propozuar disa amendamente për ndryshimin në Kushtetutë, që rregullon mandatin e FSK-së.
Mirëpo, votimi i amendamenteve në Kuvendin e Kosovës u shndërrua në peng të kushtëzimit të deputetëve të komunitetit serb nga Partia e Pavarur Liberale (SLS), që në shkëmbim për themelimin e FAK-ut kërkonin që të kenë vendet e rezervuara edhe për një mandat më shumë se sa dy mandate të cilat kanë qenë të paraparë me kushtetutë dhe me Pakon e Ahtisaari-t. Një gjë të tillë e kishte përkrahur Partia Demokratike e Kosovës (PDK), por e kishin kundërshtuar partitë opozitare.
Më 5 maj të vitit 2014 Kuvendi shtroi në rend dite krijimin e ushtrisë, por në seancë munguan deputetët serbë. Kjo seancë u shty dhe nuk u parashtrua më në rend dite në Kuvend. Edhe përkundër apeleve dërguar Kuvendit të Kosovës nga Qeveria e Kosovës, deputetët nuk pranuan që formimin e FAK-ut ta votojnë në të njëjtën pako me vendet e rezervuara për komunitetet pakicë. Pas kësaj, më 7 maj, Kuvendi i Kosovës u shpërbë dhe vendi shkoi në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme.
2015:
Amendamentet për ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës u rikthyen në Kuvend edhe në muajin maj të vitit 2015, kur në pushtet erdhi koalicioni PDK-LDK me kryeministër Isa Mustafën.
Mirëpo, kundër tyre përsëri ishin përfaqësuesit e komunitetit serb, tashmë pjesë e asaj që edhe sot njihet si Lista Serbe, të cilët kërkonin një dialog më të gjerë për këtë. Ata po ashtu kushtëzuan këtë transformim me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Edhe këtë rast, për shkak të rrezikut të mos-votimit të këtyre amendamenteve nga ana e deputetëve të komunitetit serb, kryesia e Kuvendit të Kosovës më 20 korrik të vitit 2015 hoqi nga rendi i ditës votimin e tyre në seancë plenare.
2017:
Një lëvizje e dytë serioze në lidhje me transformimin e FSK-së ndodhi më 7 mars të vitit 2017, kur presidenti Thaçi ia dorëzoi kryeparlamentarit Kadri Veseli projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Siç tha ai, transformimi i FSK-së do të donin të ndodhte përmes ndryshimeve kushtetuese, por kjo nuk ka ndodhur për shkak se, siç tha ai, deputetët e komunitetit serb e kanë bërë të qartë se kurrë nuk do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese për themelimin e ushtrisë së Kosovës.
Një ditë më pas, kryesia e Kuvendit mori vendim për t’i proceduar qeverisë projektligjin për transformimin e FSK-së, por në të njëjtën ditë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, reagoi kundër propozimit që ky transformim të ndodhë pa ndryshime kushtetuese.
“E kam bërë të qartë se hapat e njëanshme, siç janë këta, janë të padobishme dhe u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të jenë në kontakt të ngushtë me Beogradin”, ishte shprehur shefi i NATO-s.
Në lidhje me këtë edhe SHBA-të u shprehën se janë të shqetësuar për synimin e paralajmëruar të Kosovës për ndryshimin e mandatit të FSK-së pa amendamente kushtetuese. Sipas Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, ky transformim duhet të bëhej përmes një procesi politik gjithëpërfshirës, në pajtim me Kushtetutën.
Pak kohë pas këtyre reagimeve, më 4 prill të vitit 2017, presidenti Thaçi deklaroi se do të shterren të gjitha mundësitë për të bindur Listën Serbe për transformimin e FSK-së dhe se tani do të bëhej përpjekja e fundit për të siguruar përkrahjen e Listës Serbe që ky transformim të bëhet me ndryshime Kushtetuese.
Pas rreth një muaji, në rrethana të krijuara edhe me çështjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, kishte rënë Qeveria e Kosovës.
2018:
Pas formimit të qeverisë në shtator të vitit 2017 në krye me Ramush Haradinajn, kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ish-komandantin e UÇK-së, Ramush Haradinaj, periudha një vjeçare ishte “e qetë” sa i përket çështjes së transformimit. Mirëpo, gjatë kësaj kohe, përkatësisht pas gjysmës së parë të vitit 2018, FSK u përball me dukurinë e largimeve nga FSK-ja të disa pjesëtarëve të komunitetit jo shumicë serb.
Sipas kryeministrit Haradinaj sulmet dhe shantazhet e Beogradit ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së kanë bërë që këta të fundit të kërkojnë lirim nga shërbimi në FSK. Sipas të dhënave të organizatës joqeveritare Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), gjatë vitit “60 pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti serb ofruan dorëheqjet e tyre nga ky institucion”.
“Gjendja e qetë” për çështjen e transformimit të FSK-së vazhdoi deri më 13 shtator të këtij viti kur Qeveria e Kosovës miratoi dhe i procedoi Kuvendit të Kosovës tre projektligje për transformimin e FSK-së në ushtri, respektivisht Ligjin për FSK-në, për shërbim në FSK dhe atë për Ministrinë e Mbrojtjes.
Qeveria e Kosovës përsëri kishte vendosur të bëjë ligjërisht transformimin e FSK-së, sepse nuk ishte e mundur të sigurohej mbështetja nga deputetët e Listës Serbe, e përfaqësuar me 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Në lidhje me këtë procedim, Haradinaj u shpreh se “vendimi është kompetencë e tyre dhe i një vendi sovran në përputhje me kushtetutën”.
Pas këtij procedimi, më 18 tetor deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim tre ligjet për transformimin e FSK-së në ushtri. Ato u votuan pro nga të gjithë deputetët që ishin të pranishëm në seancë, e cila kishte treguar unitetin e partive në pozitë e opozitë për këtë çështje. Ato kishin marrë mbështetjen edhe të komuniteteve tjera, përveç atyre serbe të cilët u larguan nga salla e Kuvendit përpara votimit të këtyre projektligjeve.
Igor Simiç, deputet i Listës Serbe, deklaroi se propozimi i tre ligjeve për transformimin e FSK-së është kundër të gjitha akteve, kryesisht siç tha ai, të karakterit ndërkombëtar, të cilat janë në fuqi, si Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshja e Kumanovës. Sipas tij, projektligjet janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Përveç Listës Serbe, këtë transformim po e kundërshton edhe Beogradi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç më 30 shtator të këtij viti deklaroi se transformimi i ushtrisë “është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare”. Ai më tej u bëri thirrje serbëve të Kosovës të mos marrin pjesë në formimin e ushtrisë së Kosovës, sepse sipas tij “këtë ushtri e formojnë për asgjë tjetër por që serbët një ditë t’i shfrytëzojnë për të qëlluar serbët tjerë”.
Ndërkaq edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, më 5 dhjetor komentoi këtë transformim, ku tha se “Serbia nuk do ta ketë patjetër ta përdorë ushtrinë e saj”, por se momentalisht kjo është një nga opsionet në tavolinë, sepse sipas saj “nuk mund të shikojë edhe një spastrim etnik të serbëve”.
Për këtë transformim së fundi reagoi edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ky transformim, sipas tij “ndodhë në kohë të papërshtatshme, është në kundërshtim me këshillat e shumë aleatëve të NATO-s dhe mund të ketë pasoja serioze për integrimin e ardhshëm euroatlantik të Kosovës”.
Pas kësaj deklarate, kryeministri Haradinaj zhvilloi një bisedë telefonike me Stoltenberg të cilit i kishte siguruar se “transformimi i FSK-së do të jetë transparent dhe në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n”. Duke e njoftuar kabinetin qeveritar në lidhje me bisedën në fjalë, Haradinaj bëri të ditur se Stoltenberg është shprehur se në rast se ndryshohet mandati i FSK-së në ushtri, atëherë NATO duhet të shqyrtojë marrëdhëniet me FSK-në, e jo me Kosovën.
Njëkohësisht, edhe presidenti serb kishte zhvilluar bisedë telefonike me Stoltenberg, të cilin e falënderoi për “konstatimin e tij se nuk është koha për formimin e ushtrisë së Kosovës”.
Përkundër NATO-s, sipas Qeverisë së Kosovës, SHBA-të mbështesin procesin e transformimit të FSK-së. Pas vizitës së kryeministrit Haradinaj në selinë e Pentagonit në Washington në muajin shtator ishte shprehur se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme për FSK-në dhe procesin e ndërlidhur me transformimin e kësaj force. Së fundmi edhe ambasadori i ri i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, ishte shprehur se është më se e natyrshme për Kosovën, si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse.
Ndërkohë edhe komandanti i Komandës së Përbashkët të Forcave Aleate në Napoli, admirali James Foggo, gjatë vizitës së tij në Maqedoni më 12 dhjetor, tha se “Kosova është një demokraci e njëjtë ashtu siç janë Maqedonia dhe Serbia ku qytetarët votojnë personat të cilët marrin vendime në emër të tyre. Nga këtu them se ky është një vendim sovran të cilin do të duhet të bëjë Kuvendi i Kosovës për transformimin e FSK-së”.
Gjatë ditës së nesërme, më 14 dhjetor, do të bëhet votimi i dytë i projektligjeve për transformimin e FSK-së, të cilat kanë marrë mbështetjen edhe të opozitës, por edhe të komuniteteve tjera jo serbe. Pas kalimit të këtyre projektligjeve, më 14 dhjetor në Prishtinë pritet të organizohet edhe një pritje shtetërore.
Komentet