Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë shënon institucionin e parë të sistemit të ri që Reforma në Drejtësi synon të krijojë. Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve zgjodhi 6 anëtarët nga radhët e veta mes 9 kandidaturave. Për tre vendet nga radhët e Prokurorëve të Shkallës së parë në garë ishin 6 kandidatë. Votimi nxori fitues Besnik Canin, Gentian Osmanin dhe Antoneta Sevdarin. Për dy vendet nga prokurorët e Apelit, nuk pati garë pasi dy ishin dhe kandidaturat Bujar Sheshi dhe Arben Dollapaj. Ndërsa për vendin nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme Kostaq Beluri fitoi përballë Anila Lekës.
Në fund të procesit, prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, falenderoi të gjithë kolegët e saj. “Të gjithë bashkë, sot duhet të ndihemi krenarë. Me votën tonë ne krijuam institucionin e parë të drejtësisë së re, e hodhëm një gur themeli për gjithë sistemin e drejtësisë. Të gjithë bashkë, ne dëshmuam se jemi të përgjegjshëm. Treguam se ne mundemi t’ia dalim edhe kur të gjithë janë skeptikë ndaj nesh. Treguam se jemi një model që duhet ndjekur”, u shpreh zonja Marku.
Ndërsa një ditë më parë, i paraprinë mbledhjes me një deklaratë të përbashkët, në hapje të saj e ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara Leyla Moses-Ones dhe ambasadori i Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca , ritheksuan dhe një herë rëndësinë e këtij momenti. “Kjo është koha juaj për të votuar. Kjo është koha juaj për të bërë historinë për Shqipërinë dhe botën. Kjo është koha juaj për t’i dhënë njerëzve të Shqipërisë sistemin e drejtësisë që meritojnë dhe që kërkojnë”, u shpreh diplomatja amerikane duke ju drejtuar prokurorëve shqiptarë. Ndërsa ambasadori Soreca theksoi se “reforma e drejtësisë po arrin një moment kritik këtë javë me krijimin e strukturave të pavarura gjyqësore të parashikuara nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2016. Zgjedhja e gjashtë prokurorëve të Këshillit të Lartë Prokurorial do të shënojë një hap vendimtar për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së. Sot është mundësia juaj për të formësuar sistemin shqiptar të drejtësisë për vitet e ardhshme. Këshilli i Lartë Prokurorial do të luajë një rol përcaktues në formimin e Shërbimit të Prokurorisë për të ardhmen”, nënvizoi ambasadori i Delegacionit europian. Përfaqësuesit e dy selive diplomatike të cilat kanë qenë sponsorët e Reformës në Drejtësi, ritheksuan angazhimin për mbështetjen e mëtejshme të institucioneve të tjera që pritet të formohen.
Të mërkurën është radha e gjyqtarëve që të zgjedhin kolegët e tyre për të bërë të mundur ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në përfundim të procesit të rivlerësimit, janë 6 gjykatës së shkallës së parë që janë konfirmuar si kandidatë për në KLGJ. Nga këta Marçela Shehu, nga gjykata e Kurbinit bën që të plotësohet kriteri për një anëtar nga Gjykatat e rretheve, dhe ajo automatikisht siguron vend në KLGJ-ën e ardhshme, ndërsa 5 të tjerët (Manjola Xhaxho – Gjykata e Tiranës; Alma Brati – Gjykata e Tiranës; Astrit Faqolli – Gjykata e Tiranës; Dritan Hallunaj – Gjykata për Krimet e Rënda; Brunilda Kadi – Gjykata e Tiranës) do t’i nënshtrohen votimit për dy vendet e tjera.
Sa i përket dy vendeve me gjyqtarë të Apelit, janë konfirmuar tre kandidatë, Ilir Toska – Gjykata Apelit Tiranë), Nertina Kosova (Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda) dhe Brikena Ukperaj, nga Apeli i Vlorës. Kjo e fundit kalon automatikisht, duke qenë se plotëson kriterin për të qenë nga Gjykata jashtë Tiranës.
Për vendin e përfaqësuesit nga Gjykata e Lartë, i vetmi i rikonfirmuar në detyrë, pas procesit të rivlerësimit, është anëtari i saj Medi Bici. Kandidati tjetër, për në KLGJ, Artan Zeneli u rrëzua
Ngritja e KLGJ-ës dhe KLP-ës pritet të rikthejë normalitetin në sistemin e Drejtësisë, ndërsa i hap rrugë dhe formimit të Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme, si dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, organe të cilat do të jenë të fokusuara te lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Komentet