Me Serbinë, siç e thotë fjala, kemi pikërisht marrëdhënie: dikush ka diçka këmpër të marrë, dikush për të dhënë. Mirëpo, ndërkohë që mes palëve këto janë marrëdhënie, për palët veç e veç nuk janë më të tilla, sepse për Serbinë janë bërë “marrje-marrje”, për ne “dhënie-dhënie”.
Kush po merr, çka, dhe kush po jep, çka? Serbia po na merr territore, ne sapo i kemi dhënë… po territore! Çka kemi marrë, dhe ç’ka dhënë Serbia? Asgjë! Kjo vërtet i deformon marrëdhëniet! Serbisë, sapo i kemi dhënë një Republikë Serbe brenda Kosovës, me territor dhe kompetenca të qarta, tani për tani pa këtë emërtim dhe pa të drejtën e shkëputjes.
Por, nëse vijon kjo sjellje shqiptare (e qeverisë dhe popullsisë), këto të drejta serbët do t’i marrin dhe ne do t’i japim me marrëveshjen tjetër të ardhme, siç është marrëveshja e tashme (25 gusht 2015), vijim i marrëveshjes së kaluar (19 prill 2013).
Shpesh është folur kot për “kthesë historike”, “epokë e re” në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, por marrëveshja e para pak javësh është vërtet historike, por mbi të gjitha Histori e bërë në bashkëpunimin mes serbëve e shqiptarëve, në të mirë të serbëve dhe në dëm të shqiptarëve, pikërisht sepse për ata është marrje-marrje, për ne dhëniedhënie. Humbjen tonë e bën të mundshme, së pari, fakti se kemi marrëdhënie vetëm me historiografinë, por jo me historinë.
Prandaj, nëse do të jenë si ne, brezat e ardhshëm do ta kuptojnë nga historiografia historinë që kemi bërë ne tani për ta, për t’u dhënë serbëve falas territore shqiptare dhe, rrjedhimisht, për të vënë në lëvizje axhendën afatgjatë të ardhme të këtyre dy popujve.
Nëse ka njëfarë vërtetësie në përgjithësimet e lëvizjeve nacionale, nga njohja si pakicë te fitimi i autonomisë, te njësi (republikë, a sido të quhet) e barabartë politike me njësitë e tjera, tek e drejta e vetëvendosjes (përmes referendumit etj.) dhe shkëputjes, te pavarësia dhe bashkimi me shtete të tjera – atëherë nuk është e vështirë të kuptohet se kjo ecuri e serbëve tashmë ka bërë hapa aq të rëndësishëm para, sa vështirë të legjitimohemi se nuk e kuptojmë teksa po e bëjmë këtë histori, por do ta kuptojmë kur të jetë bërë historiografi.
Marrëveshja po aq e përcakton axhendën e veprimtarisë shqiptare: federalizmin e Kosovës, shndërrimin në “shtet” që nuk mundet të funksionojë edhe nëse qeveritarët do të kishin vullnetin e mirë (që nuk e kanë tani), përpjekjet dhe ankimet te ndërkombëtarët për të mos lejuar pavarësinë e republikës serbe të Kosovës nga Kosova, habinë e ndërkombëtarëve se nga e marrim këtë të drejtë të ankohemi kur vetë i kemi çuar punët në këtë fazë etj., etj.
Humbjen tonë e mundëson, së dyti, por më e rëndësishme, zëvendësimi i politikës me menaxhimin e bizneseve, sidomos të konflikteve familjare për biznese, menaxhimin e votave e të votuesve, menaxhimin e krimit dhe të tenderëve etj.
Ndërkohë që jemi “të zënë” ethshëm në konfliktet njëri me tjetrin, individualisht ose në klane të ngushta, se kujt iu hoq e kujt iu dha një biznes, kush do të fitojë e kush jo një tender, kush do të përfitojë nga projektet ndërkombëtare e kush të mbahet jashtë – ata që quajmë politikanë në fakt janë reduktuar në menaxherë të konflikteve të brendshme klanore dhe private.
Të përthithur plotësisht e deri në ekstazë me menaxhimin e rivaliteteve njëri me tjetrin, për ta bota është bërë vakum, pamundësi e proceseve të tilla; për ta, tej rivalitetit të njërit me tjetrin, nuk ka asnjë rivalitet qoftë edhe biznesi, tenderësh, projektesh ndërkombëtare në rajon ose në botë.
Sigurisht as që kuptojnë se mund të flitet për rivalitete dhe konkurrenca ndërmjet shteteve, për interesa të shtetasve dhe të kombeve etj., sepse për ta ekzistojnë vetëm individë, e shumta “grupe të identifikueshme”, por jo njësi “abstrakte”, kolektivitete si “komb”, “shtet” etj.
Të vetmit në botë që duan ta besojnë këtë konceptim “liberal” kundër “abstraktëve”, në bisedimet me Serbinë shkojnë si menaxher ndërmarrjesh të vogla me politikanët shtetërorë e kombëtarë serbë. Prandaj, të pajisur me vetëdije shtetërore e kombëtare, Serbia bën politikë përballë menaxherëve tanë dhe çon para me shpejtësi projektin e saj nacional.
Humbjen tonë në “marrëdhëniet” me Serbinë e mundëson, së treti, megalomania jonë, madhështia e udhëheqësit rajonal e botëror, si kompensim i vogëlsisë ku qëndrohet çdo ditë teksa menaxhohen konfliktet e vogla.
Të liruar nga interesat shtetërore e kombëtare, këto njësi të “mesme”, as të vogla sa një individ e familje, as të mëdha sa rajoni e bota, diskuri politik shqiptar është shtyrë nga politikanët-menaxherë kah zgjidhja e konflikteve të mëdha botërore dhe pasojave të tyre, sidomos lidhur me refugjatët sirianë dhe tifozëritë ndaj vendeve që po merren realisht me ta.
Humbjen tonë në “marrëdhëniet” shqiptaro- serbe e mundëson, së katërti, fakti se përgjithësisht media shqiptare ndjek me bindjen kokulur axhendën e diskurit të vendosur nga menaxherët tanë që i quajmë politikanë.
Për rrjedhojë, marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi, kalimi te serbët i një pjese të madhe të territoreve shqiptare, po kalon pothuaj pa u përmendur, sepse media është po aq e zënë me menaxherializmin, me “Prengën”, me “CEZ-in”
Komentet