VOAL

VOAL

“Drekat në restorante luksoze”, Pëllumb Xhufi: Si Greqia dhe Serbia financojnë media e politikanë shqiptarë-(E PLOTE)

October 30, 2018

Komentet

INTERVISTË ME ULJAN SHARKËN- SIPËRMARRËSIN MILANEZ ME ORIGJINË SHQIPTARE- Nga MASSIMO GAGGI- Përktheu Eugjen Merlika

Uljan Sharka

“Evropa po shpejton: mund të bëhet e ardhmja e inteligjencës artificiale”

New York: “Amerika ndryshon, Kina kopjon, Evropa rregullon. Në botën e teknologjisë ndigjohet vazhdimisht e ka diçka të vërtetë. Por është një fotografi statike. Gjërat ndryshojnë me shpejtësi: mbas tre vitesh Kina nuk do të ketë më nevojë të kopjojë dhe shpejtimi I jashtzakonshëm I aftësive kompiuterike i ofruar nga mikroproçesorët e rinj, do t’i japë Evropës, që nga viti i ardhshëm mundësinë për të fituar terren”. Themeluesi i iGenius, i të parit unicorn Italian (start up që kalon vlerën e një milliard dollarësh, sipërmarrësi milanez me ogjinë shqiptare, Uljan Sharka, sapo ka përfunduar një marrëveshje me Nvidian për të sendërtuar në Itali superkompiuterin Koloseum në veprim që nga mesi i vitit 2025. Do të jetë, shpjegon, “fabrika e inteligjencës artificiale” m’e fuqishmja e Evropës në sajë të çipeve të rinj Blackwell.

Çfarë do të bëni? Përse Italia e jugut për një data qëndër aq ambicioze?
“Në Jugë kemi gjetur kushte të favorshme, si energjinë nga burime të ripërtërimëshme, të papërdorëshme nga ndërmarrjet vendore. Me proçesorët e rinj hopi përpara është tronditës: 30 herë më i fuqishëm, me një harxhim energjie 5 herë më të të ulët. Do të kemi rreth njëqid herë fuqinë e kompiuterit evropian më të vlefshëm sot. Konkretisht: me Koloseumin iGenius mund të realizojë aplikime shumë më të përparuar se AI në fusha që kërkojnë besueshmërinë më të madhe dhe saktësi, që nga shëndetësia tek sektori publik. Do të jetë një këmbim i vërtetë i arketipit.”

Amerika duket e paarritëshme në digjitalen: ka epërsi të pandreqëshme sa i përket aftësisë së ripërtëritjes, përmasave të big tech, talenteve, financës. Ndërsa ju mendoni se Evropa mund të kthehet protagoniste megjithë caqet e saj teknologjike dhe energjitike, copëzimin politik, kulturor, gjuhësor. Si mund t’i a arrijë?

“Shtetet e Bashkuar sot mbizotërojnë, por në teknologji gjërat mund të ndryshojnë, veçanërisht në çastet e kthesave. E ne jemi në fillimin e qarkut të tretë të ekonomisë digjitale, mbas atyre të viteve Tetëdhjetë e të atij të nisur në 2000. Open AI mund të jetë edhe si Olivetti i qarkut të parë, me që paguan shpenzimet e kërkimeve për të gjithë. Vipat e tjerë ndjekin e kopiojnë. Atëherë Olivetti bëri një kompiuter revolucionar. Pastaj arriti Hewlett Packard, më i fuqishëm. Sendërtoi shpejt një kopie të Programit 101: një kompiuter që kushtonte më pak, por ishte më me rendiment. Është pak a shumë ajo që bëjnë sot Google, Microsoft e Amazon me Open AI. Por është ende e nivelit të dytë. 40 vite më parë i treti që erdhi mbas Hp dhe përforcoi tregun me cilësinë dhe stilin e tij. Evropa mund të tundohet të bëhet Apple e brezit të ri. “

Synim ambicioz për një kontinent në vonesë e të copëzuar.

“Shpejtimi teknologjik dhe fuqizimi që do të jetë në industrinë e ShBA do të krijojnë hapësira për Evropën që mund të ndërtojë një alternativë mbi karakteristikat e saj edhe politike e kulturore, përfshirë edhe aftësinë për të normalizuar. Kështu si Apple, Evropa mund të zhvillojë një model alternativ. Ndoshta jo më të mirë, por tërheqës, sepse të bazuar mbi besimin: një faktor gjithënjë e më shumë të rëndësishëm. Përdoruesi mund të zgjedhë një model evropian sepse është më i mbrojtur: besueshmëri që mund të kompensojë edhe ndonjë vonesë. Dhe kemi gjithmonë 35% të tregut botëror”.

Në një Evropë mozaik Vëndesh e ndërmarrjesh, me kryqëzime gjuhësh e kulturash të ndryshme, kush mund të bashkojë duke shtyrë drejt kësaj arritjeje?
“Jo qeveritë dhe as BE, duke mbajtur parasysh shpejtësinë e teknologjisë: duhen aktorë privatë që të bashkohen. Sigurisht duhen shkëndija për t’i aktivizuar. Është ajo që duam të bëjmë neve: të tregojmë se është e mundur të jesh ambicioz. Sapo lajmëruam Koloseun jemi kontaktuar nga sipërmarrje të cilat nuk kishim besuar kurrë se do t’i kishim takuar.”

Gjithshka pa mbështetjen e shteteve?
“Mbështetja publike duhet por jo me ndihma. Kur më ofrojnë kontribute falas përgjigjem: më mirë një shtet që digjitalizohet e blen prodhimet tona.”
Për juve copëzimi i i Evropës ndërmjet gjuhësh e kulturash të ndryshme, deri këtu element dobësie, a do të bëhet element fuqie, si?
“Përzjerja e kulturave dhe gjuhëve të ndryshme çiftohet me kërkesën e AI, që mund të zhvillohet vetëm nëse ushqehet nga një ndryshueshmëri e madhe të dhënash. Për këtë nëse provon të stërvitësh modelet me të dhëna sintetike, të krijuar në laborator për të zëvendësuar mbarimin e atyre të gjindëshme në internet, nuk krijon inteligjencë: janë të sheshta, të shkruajtura në një gjuhë të vetme, të përsëritura. Krijimtari e copëzim krijojnë ndryshueshmëri që bëhet më inteligjencë. Nëse Evropa kupton se mund të ketë dobi nga kjo ndryshueshmëri dhe e bashkon me përçapjen e saj në respekt të të drejtave njerëzore që ka nisur me AI Akt, mund të krijojë një AI më të mirë, një inteligjencë në të cilën të mund të besohet. E kjo mund të kthehet në një markë si për ushqimet e disa sektorëve industrialë: konsumatori mund të zgjedhë forcën e ShBA ose një ekosistem evropian më të besueshëm e më të kontollueshëm.”.

“Corriere della Sera”, 16 dhjetor 2024 E përktheu Eugjen Merlika

Intervista- “Mos u përfshini në rrëmujë”- Ish-dhjetoristi: Kërcënimi një javë para protestave më 1990! Kush ishin vizitorët e paftuar në Qytetin Studenti!

 Ja roli i Azem Hajdarit dhe Sali Berishës

 

VALENTINA MADANI/ Me datën 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të protestave që sollën rënien e sistemit komunist.

Mes tyre ishte edhe studenti i fakultetit filologjik Arben Çejku. Ish-dhjetoristi teksa u rikthehet atyre ditëve tregon për gazeta “Panorama”, momentet e përjetuara ku forcat policore godisnin pa mëshirë me shkopinj gome mbi trupat e studentëve që t’i shpërndanin. Arben Çejku shpreh mirënjohje për familjet tiranase që u hapën derën të rinjve, të cilët po i ndiqte policia, por që nuk arritën të shuajnë zemëratën ndaj diktaturës.

Por zanafillën e asaj revolte që brenda pak ditësh përfshiu gjithë vendin, ish- dhjetoristi tregon për një ngjarje tjetër që i parapriu datës 8 dhjetor në Qytetin Studenti. Ai flet për vizitorët e “paftuar” në dhomat e tyre dhe kërcënimin që ata u bën studentëve…

Z. Çejku, ngjarjet e dhjetorit të vitit 1990 sollën pluralizmin politik në Shqipëri dhe i dhanë fund diktaturës komuniste. Cila ishte situata para datës 8 dhjetor 1990 në Qytetin Studenti?

Si shumë studentë të tjerë që ishin nga rrethet, banoja në konvikt në qytetin “Studenti”, në godinën 14 bashkë me tre student të tjerë. Dhoma jonë ishte direkt mbi radio “Studentin”, me pamje nga Pallati i Kulturës së asaj kohe, ku dy muaj më vonë do zhvillohej edhe greva e urisë. Një javë para datës 8 dhjetor, nëpër dhoma na kishin ardhur si “instruktorë” disa nga pedagogët tanë dhe persona të tjerë, të cilët na kishin “porositur” që të mos përfshiheshim në ndonjë rrëmujë të provokuar, sepse mund të na dënonin e përjashtonin nga universiteti.

Më vonë kam mësuar se ky presion kishte qenë masiv dhe i koordinuar nga udhëheqja komuniste e asaj kohe. Duke menduar se edhe ky mund të ishte një grumbullim provokativ, unë dhe shokët e tjerë të dhomës, nuk i dhamë rëndësi. Për më tepër, kishte disa ditë, që “godinat e reja”, ku ishin inxhinieria etj., nuk kishte drita dhe dikush na tha se, “janë ata të godinave të reja që kërkojnë drita”.

Dhe vjen data 8 dhjetor. Çfarë kujtoni nga ajo ditë?

Me datën 8 në mbrëmje vonë, diku rreth orës 10.30, kemi dëgjuar zëra, por nuk e dinim që pak më lart, kishte grumbullime studentësh të revoltuar. Të nesërmen në mëngjes, me datë 9, kur po shkoja për në mensën e studentëve, pashë grumbullime të vogla nga 5-10 veta, që këndonin këngë patriotike dhe, ajo që më rrëqethi dhe më tronditi thellë ndërgjegjen ishte thirrja solemne: “Eja, mblidhuni këtu! Këtu!”, që duke u përsëritur, po mbushte sheshin. Më tej dëgjohej “Lironi shokët tanë” si dhe “Poshtë komunizmi”. Hëngra mëngjes – dy garuzhde çaj dhe një fetë djathtë sa një biskotë, se aq na jepnin, dhe dola.

Jashtë po grumbulloheshin studentët dhe unë u afrova dhe mora vesh çfarë kishte ndodhur një natë më parë. Organizimi nuk kishte drejtues, të gjithë jepnin mendime dhe sigurisht, fitonte propozimi më i arsyeshëm. Natyrisht, disa nga studentët, që më vonë u vunë në krye të Lëvizjes dhe u bënë edhe figura të njohura publike e politike, nisën të “udhëhiqnin” bërthamat kaotike dhe të revoltuara të studentëve. “Do zbresim tek sheshi!”.

Çfarë nënkuptonte ajo ftesë?

Kjo “ftesë” nënkuptonte vajtjen tonë në qendër të Tiranës, me qëllim sensibilizimin e qytetarëve të Tiranës, sepse ndjehej që ishim vetëm. Sigurisht, që u bëra pjesë direkte e këtij rebelimi dhe e braktisa mësimin bashkë me shumë studentë të tjerë të Fakultetit Filologjik, pavarësisht thirrjeve de kërcënimeve të disa pedagogëve. Duhet thënë se këtë bojkot e përkrahën thuajse të gjithë pedagogët e rinj të asaj kohe. Në orën 9.30 kemi qenë tek ish-ambasada italiane (sot Amerikane) dhe aty na u vu prita nga regjimi. Për këtë pjesë janë bërë shumë rrëfime, por dua të them se për 4 orë oshëtinte Tirana nga thirrjet tona, të cilat hap pas hapi u koncentruan në thirrje politike kundër regjimit dhe aty ka lindur lajtmotivi “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe parulla “Liri – Demokraci”.

Në atë shesh, që sot më duket i vogël, në atë copë rrugë, ne mundëm frikën dhe regjimi kuptoi se nuk kishte kthim prapa. Një natë më parë ata kishin rrahur shokët tanë. Në mesditë, na u turrën ne të gjithëve me shkopinj e me çfarë mundën. Unë isha diku në rreshtin e tretë dhe shihja shumë mirë Azem Hajdarin, të cilin nuk e njihja bashkë me disa studentë të tjerë trima, që qëndronin në ballë. Kur na sulmuan forcat speciale, jemi shpërndarë në mënyrë kaotike dhe kemi ikur sipër nga lëndina mes ambasadës amerikane dhe rezidencës së sotme italiane. Aty tani ka pallate të reja, por atëherë ishte bosh. Unë kam rrëshqitur, si edhe shumë studentë të tjerë, në baltovinën që u krijua në breg për shkak të një vese shiu që po binte. Kam hyrë në një pallat dhe jam ngjitur në fund të tij, ku na hapën dyert familjarë të ndryshëm. Mua më doli përballë një zonjë e moshuar që më ftoi brenda bashkë me dy tre student të tjerë. E falënderova, por nuk hyra, sepse po shihja nga boshllëku i shkallëve se si, përballë nesh, forcat speciale po rrihnin të tjerë studentë të zënë nëpër cepa. Ishte pamja më e tmerrshme dhe më revoltuese që kam para sysh edhe sot. Dhimbja dhe revolta na u bënë bashkë dhe zbritëm të gjithë nga ku ishim nëpër shkallët e pallateve dhe dolëm, ndërkohë që forcat speciale po tërhiqeshin. Në u rigrupuam në Qytetin Studentit, aty tek mensat dhe për herë të parë, pamë sesi po na vinin në ndihmë qytetarët e Tiranës. Kjo na ngrohu zemrat. Shumë studentë ishin rrëmbyer nga policia dhe të tjerë të plagosur refuzonin të shkonin në spital. Të gjithë po prisnim orën 6 pasdite për të dëgjuar “Zërin e Amerikës”, nëse do jepej lajm apo jo. Kur u dha lajmi për atë që kishte ndodhur, unë e kuptova se nuk kishte më kthim prapa dhe nuk jemi larguar nga sheshi në qytezën tonë deri nga darka vonë. Të nesërmen ishte improvizuar një podium me altoparlantë.

Nuk e di kush janë heronjtë që i sollën për ne. Podiumi u kthye në foltore demokracie dhe studentë, intelektualë, qytetarë e pedagogë të ndryshëm merrnin fjalën njëri pas tjetrit, duke shtruar kërkesa të shumta kundër regjimit. Mbaj mend se aty kemi “shkarkuar” anëtarët e Byrosë politike njëri pas tjetrit.. Po “ushtronim” demokracinë antike.. Me pak fjalë dua të them se që nga mëngjesi i datës 9 dhe në vazhdim kam qenë pjesëmarrës, protagonist dhe dëshmitar për të gjitha zhvillimet e dhjetorit ’90 dhe më pas për grevën urisë, protestat për shtyrjen e zgjedhjeve të 31 marsit 1991 etj., U jam rikthyer studimeve pasi kanë mbaruar zgjedhjet dhe jam angazhuar më pas me grupime të ndryshme studentore, që po lulëzonin si paradhomë e shoqërisë civile. Deri në qershor 1992, kur kam nisur punën si gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, kam qenë një student mes studentëve, që nuk e kishim kuptuar akoma rëndësinë e pjesëmarrjes në ato ditë të mëdha historike.

Si e mbani mend Sali Berishën, Azem Hajdarin?

Me datën 10 dhjetor kam qenë në shesh bashkë me shokët e fakultetit dhe mijëra studentë të tjerë, kur dikush e ftoi Berishën që të marrë fjalën. Më duket se Tefalin Malshyti ose Blendi Gonxhja e kanë ftuar, nuk e mbaj mend mirë emrin e atij që po drejtonte foltoren. Por kur tha se “këtu mes nesh është pedagogu i mjekësisë, intelektuali dhe shkencëtari Sali Berisha, që do të na përshëndesë”, unë u bëra kureshtar ta shikoja, sepse e “njihja” nga shkrimet që botonte në revistën “Shkenca dhe Jeta”, “Mjekësia Popullore” dhe, kisha përshtypjen se në tribunë do të dilte ndonjë burrë i moshuar.

Por, Berisha ishte krejt tjetër gjë nga përfytyrimi që kisha për të deri atëherë. Katër gjëra më bënë përshtypje menjëherë; mosha mesatare dhe energjia që kishte, gjatësia trupore, zëri i fortë dhe, sigurisht, dialekti gegë. Ai u përpoq në fillim të mbajë një fjalim “ndërmjetësimi” mes nesh e Ramizit, por turma nisi të fërshëllente dhe nuk po e linte të vazhdonte më tutje. Ai e kuptoi se sa larg kishin shkuar gjërat, dhe me instinktin që e karakterizonte, pa që para tij ishte „ushtria” e demokracisë, që po shembte sistemin e kalbur të Ramizit dhe, në çast ndryshoi komplet qasjen e tij, duke kaluar në anën tonë gjatë gjithë fjalimit. Kurse për Azemin, ju thashë që “takimin” e parë e patëm tek rruga e Elbasanit, por pa u prezantuar. Jemi prezantuar disa ditë më vonë, nëpërmjet shokëve të përbashkët që ishin nga Tropoja.

Po Gramoz Pashkon, Edi Ramën dhe eksponentë të tjerë të asaj periudhe?

Gramoz Pashko ka mbajtur një fjalim, por nuk e mbaj mend si protagonist të Lëvizjes – ai dhe shumë të tjerë u bënë protagonistë të krijimit të Partisë Demokratike. Dhe, në fakt, ky është momenti që u bë një lloj “divorci” mes asaj që kishte qenë Lëvizje dhe asaj që po krijohej si Parti. Periudhës idilike të ushtrimit të demokracisë në shesh i erdhi fundi me fillimin e pluralizmit politik dhe, ajo ishte gjithnjë në sfond, si vlerë dhe moral, por tashmë aksionet kaluan në duart e partive të reja.

Edi Rama, siç e ka shpjeguar edhe vetë, arriti vonë tek Lëvizja, e cila tashmë po transformohej në parti politike dhe ai ka tentuar të bashkëngjitet në komisionin nismëtar të PD. Unë nuk kam qenë protagonist tek „ngjizja” e partisë dhe nuk mund të them më shumë. Kishim dëgjuar për tubimet e tij me Klosin e të tjerë, që vazhduan edhe më pas, por nuk u identifikua si zë më vete dhe nuk dëgjuam për shumë vite për të.

Cilat mendoni se ishin arritjet kryesore të Lëvizjes së Dhjetorit ’90?

Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90 është një nga faqet më të ndritura të historisë sonë politike e kombëtare dhe kam bindjen se, pasi të përmbyllim këtë periudhë të vështirë tranzicioni, ajo do të marrë shkëlqimin e merituar. Kjo Lëvizje, si fillim vrau frikën, tregoi se kur ke ideale të pastra dhe i ke për të mirën e shoqërisë dhe të vendit tënd, nuk ka forcë që të mposht. Ajo përmbysi pa dhunë një nga diktaturat më të dhunshme në botë. Ajo zgjoi ndërgjegjen kombëtare për lirinë individuale dhe për interesin kombëtarë. Ajo u bë pishtar shprese për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar. Kjo Lëvizje vuri themelet e demokracisë, themeloi pluralizmin politik dhe përcaktoi ardhmërinë euroatlantike të Shqipërisë.

Por çfarë nuk përmbushi, sipas jush kjo Lëvizje?

Lëvizja e Dhjetorit, u kufizua në kohë dhe veprim; ajo mbeti si zhvillim historik dhe i pazëvendësueshëm nga data 8 – 12 Dhjetor 1990. Pas datës 12, kur iu hap dera pluralizmit politik, Lëvizja nisi të pësonte gërryerjet e para së brendshmi, për shkak se protagonistët e saj kryesorë nisën angazhimet në parti të caktuara. Kuptohet, grupimi më i madh shkoi tek PD, të cilën si fillim po e udhëhiqte Azem Hajdari. Por edhe aty, protagonizmi për karrierë dhe lufta e bërrylave nisi ta zbehë Lëvizjen si institucion.

Ethet politike të partiakëve ish-pjesëmarrës në Lëvizje, e ftohën raportin e tyre me studentët, të cilët u lanë në “shenjtëninë” e tyre. Natyrisht, që këto parti i ftuan studentët për të ndihmuar për zgjedhjet e 31 marsit, por kushtet ishin të vështira, sepse presioni mbi studentët po rritej. Shumë politikanë kishin tashmë partitë e tyre, ashtu si edhe sindikalistët kishin sindikatat e tyre, kurse studentëve ende u mbeti mbi supe emri„Enver Hoxha”, të cilin kërkuam ta hiqnin. Bëmë një peticion me nënshkrime në fund të janarit 1991, por nuk u konsiderua seriozisht dhe “argumentet” djallëzore ramiziste për ta zbehur emrin e Enverit paralel me “riorganizimin” e universitetit, kishte gjetur mbështetje edhe tek disa drejtues me rëndësi të PD-së dhe partive të tjera opozitare.

Injorimi dhe anashkalimi i kërkesës sonë na çoi drejt grevës së urisë, e cila kulmoi me rrëzimin e monumentit të Enverit në Sheshin “Skënderbej” dhe heqjen e emrit të tij nga universiteti. Gabimi më i madh që u bë është se Lëvizjen e “braktisën” shumë shpejt ata që ishin protagonistët kryesor të saj dhe nuk e ushqyen më tutje si një formacion rinor të pavarur. Kjo erdhi ndoshta edhe si rrjedhojë e mungesës së eksperiencës në organizime të tilla politike dhe nevojës për të ngritur nga hiqi pluralizmin politik. Ajo jetoi vetëm disa ditë në Dhjetor ’90 dhe disa ditë në shkurt 1991. Më pas, e gjitha mbeti histori, për shumë arsye që dihen e nuk dihen. Prandaj mendoj se duhet t’i bëhet një analizë më e gjerë, gjithpërfshirëse kësaj lëvizjeje duke mos e lidhur vetëm me një parti apo me dy tre individë të caktuar. Ajo ishte Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90, në të cilën përfaqësohej e gjithë Shqipëria.

Edhe pse keni qenë vazhdimisht në publik me shkrime si gazetar, autor librash dhe analist për çështjet politike e diplomatike, si ish-student i Dhjetorit ’90 rezulton se nuk keni publikuar të dhëna dhe komente lidhur me ato ngjarje historike. Pse kjo zgjedhje apo tërheqje?

Konstatimi juaj është i drejtë lidhur me protagonizmin tim mediatik për të folur apo shkruar rreth zhvillimeve të asaj periudhe historike. Koha kur vepruam qe e shkurtër dhe zhvillimet shumë intensive dhe, secili bëmë sa mundëm sipas mundësive dhe vendit ku na kapi ky moment. Për mua ka pasur dhe ka rëndësi kati që isha me fat që u ndodha në atë moment historik të papërsëritshëm dhe bëra atë që munda të bëj, i ndërgjegjshëm që të tjerë bënë më shumë e sakrifikuan dhe jetën! Kam anashkaluar ftesat për të folur si protagonist, jo se nuk kam qenë aktiv, por kam menduar se kjo Lëvizje, më shumë se për emrat, ka nevojë të zbardhet dhe vlerësohet për filozofinë dhe kontributin e saj institucional në zhvillimet e demokracisë sonë të re.

Janë botuar tek tuk shkrime dhe libra, por nuk kemi ende sot një botim të mirëfilltë akademik, që të përfshihet në kurrikulat arsimore të edukimit politik për brezat e rinj. Përdorimi për interesa politike e kësaj Lëvizjeje e dëmtoi imazhin e saj dhe sot, pas 34 vitesh, nuk kemi një qasje gjithvlerësuese për këtë hop cilësor historik. Nuk u bë një analizë ashtu siç duhej dhe dalë nga dalë, nisi edhe “privatizimi” i saj, duke lënë anash gjithnjë e më shumë vetë Lëvizjen. Ata që patën pushtet në këto 34 vjet, qoftë majtas qoftë djathtas, nuk e zgjeruan gamën e trajtimit të Dhjetorit ’90 si revolucion demokratik për përmbysjen e sistemit. Në vitin 1992 u dhanë një grusht dekoratash presidenciale “Pishtar i Demokracisë”, të cilat as nuk u përmendën më dhe as nuk u vijua më tutje, sepse disa nga të dekoruarit, nisën të dilnin nga rreshti partiak, duke i dhënë më shumë vlerë mendimet të tyre të lirë e demokratik, sesa militantizmit partiak.

Fraksionet partiake që lindën nga Partia Demokratike dhe aktet hakmarrëse të ish-nomenklaturës komuniste, ndikuan gjithashtu që, në periudhën 1993 – 1998, të zhvendoset vëmendja nga rëndësia e Lëvizjes së Dhjetorit, e cila në disa raste u anatemua e u shpërfill.

Si për shembull vrasja e Azem Hajdarit?

Vrasja e Azem Hajdarit ishte goditja më e rëndë që mori kjo lëvizje dhe kjo duket sikur i vuri kapak edhe rëndësisë së trajtimit të mëpasshëm të Dhjetorit ’90. PD, e cila lindi nga kjo Lëvizje e pastër studentore, nuk e kuptoi rëndësinë e një qasjeje institucionale ndaj saj dhe për fat të keq, “Dhjetori ‘90″, nuk e ka marrë ende vlerësimin e duhur institucional as nga shteti dhe as nga shoqëria në tërësi. Të rinjtë e sotëm nuk kanë njohuri të mjaftueshme për atë periudhë të lavdishme të bashkëmoshatarëve të tyre, të cilët idealet demokratike i kishin më të vlera se interesat personale!

Uroj që të vijë dita që ngjarjet historike që kanë diktuar zhvillimet në Shqipëri të trajtohen në lartësinë e duhur dhe atëherë, jo vetëm unë, por do të inkurajoja edhe shumë të tjerë të kontribuojnë për zbardhjen e plotë të zhvillimeve të asaj periudhe dhe të vlerësohet siç duhet ajo Lëvizje. Deri më tani, jemi anuar drejt vlerësimit të rolit individual të “dhjetoristëve”, por nuk e kemi bërë ende vlerësimin e vërtetë për vetë Lëvizjen e Dhjetorit 1990!

/Gazeta Panorama

 

Intervista – Ish gjenerali i shërbimit sekret rus Savostyanov: Siria ishte një barrë e kotë, por Erdogan e poshtëroi Putinin

“Për Vladimir Putinin, Siria është simboli i vetë-afirmimit të tij si një lider global. Por për Rusinë, Siria është një barrë e padobishme që kërkonte një shpenzim të madh të forcave ushtarake, politike dhe ekonomike, pa dhënë asgjë në këmbim”.

Kjo duhej të ishte thjesht një pëshpëritja nga afër për presidentin rus. Më pas ngjarjet aktuale imponuan verdiktin e tyre.

Ish-gjenerali i FSB-së, Yevgeny Savostyanov, konsiderohet si një nga analistët më të sofistikuar për gjendjen e vendit të tij.

Kohë më parë, ai ishte njeriu i thirrur nga Boris Yeltsin për të çmontuar KGB-në e vjetër në Moskë, dhe më pas një i ashtuquajtur teknik prestigjioz i përfshirë në politikë.

Për shkak të së shkuarës së tij, atij iu fal mosbindja e vitit 2015, kur u largua nga Ministria e Kulturës, duke denoncuar klimën e censurës, e cila sipas tij tashmë mbizotëronte për “çdo çështje me interes publik”, siç shkruante në letrën e dorëheqjes.

Në vitin 2022, ai promovoi dhe nënshkroi një dokument kundër luftës në Ukrainë dhe më pas një tjetër kundër përdorimit të kërcënimit bërthamor.

Sot jeton jashtë vendit. “Sigurisht që kam paguar një haraç. Kam humbur atë që kam lënë në Moskë, kam humbur statusin tim. Por nuk ka rëndësi. Unë mbeta një njeri i lirë, veprimet e të cilit nuk bien ndesh me bindjet e tij”.

Intervista e Yevgeny Savostyanov me Corriere della Sera:

Çfarë nënkupton rënia e Assad-it për Putinin?

“Mbi të gjitha, është një poshtërim personal kolosal, i bërë para së gjithash nga Rexhep Erdogan, i cili e kishte poshtëruar edhe herë të tjera. Erdogan e përzuri nga Kaukazi i Jugut, ia mbylli Bosforin, e ka bërë të priste në takimet e tyre. Presidenti turk është i vetëdijshëm se sa shumë është dobësuar Rusia nga politika ambicioze e Putin-it. Ishte tashmë e qartë në vitin 2014, në kohën e konfliktit të parë në Ukrainë: kur fillon të ndjekësh një politikë revanshiste, merr parasysh se dikush mund të hakmerret ndaj jush. Copë pas cope, Erdogan po rifiton atë që Turqia humbi në shekullin e 20-të”.

Cilat janë pasojat për Moskën?

“Në nivel ushtarak dhe politik, të pakta. Bazat tona në Siri nuk na lejojnë të zgjidhim asnjë detyrë të rëndësishme, veçanërisht tani që Turqia ka mbyllur hyrjen e anijeve ushtarake në Detin e Zi. Prania e anijeve ruse ka qenë gjithmonë vetëm simbolike: ishte e qartë për të gjithë se ne nuk mund t’ju kundërvihemi flotave të NATO-s në Mesdhe. E vetmja vlerë e shtuar e Sirisë aleate ishin votat e saj pro-ruse në OKB, të cilat nuk vendosin asgjë. Dhe më pas, mundësia e sigurimit të armëve për ‘miqtë’ tanë në Liban, Bregun Perëndimor dhe Irak. Tani, pas mposhtjes së Hamasit dhe Hezbollahut nga Izraeli, është një operacion që ka shumë pak kuptim edhe në logjikën e shërbimeve sekrete ruse”.

A ka të drejtë Ukraina të gëzohet në këtë pikë kthese në Lindjen e Mesme?

“Ngjarjet siriane tregojnë se forcat e ushtrisë ruse janë lodhur nga Operacioni Special Ushtarak. Nëse do të mundej, Putini do ta kishte shpëtuar Assad-in. Por sot, angazhimi i çdo burimi në një skenar tjetër është pothuajse i pamundur. Në të ardhmen e afërt, ndryshimi i regjimit në Siri është përkundrazi i favorshëm për Rusinë: burimet kursehen, kontingjenti në Ukrainë mund të forcohet. Putini madje mund të përdorë braktisjen e asaj zone si mjet pazaresh në negociata, veçanërisht nëse ato menaxhohen nga Erdogan”.

Si e imagjinoni reagimin e Putinit ndaj rënies së Assad-it?

“Ai pranon komunikimin burokratik, të besuar në dokumente. Në mbledhje ai hesht. Ai thjesht vëzhgon, në heshtje. Që në fillim ky aspekt e karakterizoi në mënyrë gjithëpërfshirëse personalitetin e tij”.

Sa peshon mbi të përvoja e tij si oficer i KGB-së?

“Tej mase. Putini po përgatitej të punonte si rekrutues agjentësh. Zyrtarët e këtij lloji mësohen të studiojnë me kujdes karakterin e bashkëbiseduesit-subjekt të regjistrimit, të dinë ta dëgjojnë gjatë dhe me kujdes, duke zgjatur në heshtje socializimin për t’iu përshtatur atij dhe kur është e nevojshme të shtypin vullnetin e tij duke këmbëngulur në pikën nevralgjike të ekspozuar. Kështu ka bërë gjithmonë ai”.

Si e vlerësoni evolucionin e tij ndër vite?

“Inekzistente. Pasi pushtoi postin e presidentit të Rusisë, Putin nuk synonte më t’ia dorëzonte pushtetin askujt. Por është e pamundur të qëndrosh në bashkësinë e shteteve demokratike si një guvernator i pazëvendësueshëm. Prandaj, ai duhej të merrte rrugën e kundërshtimit ndaj Perëndimit”.

A janë kërcënimet bërthamore një blof?

“Nuk duhen marrë lehtë. Por e gjithë politika e jashtme e Putinit, të gjitha luftërat dhe provokimet e tij, nuk janë gjë tjetër veçse një mënyrë për t’i garantuar vetes një qeveri të përjetshme. Një person që përgatitet për një luftë bërthamore nuk investon miliarda në kërkimin e kurave për të zgjatur jetën e tij në 120 vjet ose më shumë, siç po bën”.

A janë BRICS një mundësi e vërtetë mbijetese për Rusinë?

“Tashmë sot jemi përballur me një varësi totale të ekonomisë ruse nga Kina. BRICS, të cilin unë e quaj ‘Klubi i entuziastëve të investimeve kineze’, përpiqen të qëndrojnë larg Rusisë: ata nuk e financojnë atë përmes bankës së organizatës, ata nuk mbështesin iniciativat për një monedhë alternative dhe një sistem pagese, ata ju druhen sanksioneve dytësore nga Perëndimi”.

A mund të kontribuojë kriza ekonomike dhe pika e kthesës siriane në përfundimin e luftës në Ukrainë?

“Në radhët e rebelëve fitimtarë të Assad-it ka mjaft njerëz nga ish-BRSS. Njerëz që mund të kthehen në shtëpi në vendet e Azisë Qendrore. Një destabilizim lokal, po mendoj për Taxhikistanin ose problemin e përjetshëm të pazgjidhur të Kaukazit, është i mundur. Ngjarjet e fundit kanë treguar se Rusia nuk mund të bënte shumë sot në rast të shpërthimeve të reja të revoltës. Kjo mund ta nxisë Putinin të kërkojë një dalje nga lufta në Ukrainë. Por pas asaj që ndodhi në Siri, pozicioni i saj negociues është dobësuar. Siç thuhej në një film të famshëm, një luan i vjetër është para së gjithash i vjetër”./Corriere Della Sera – Syri.net

Bashkëthemeluesi i PD: Çfarë fshihej pas perdes gjatë takimit me Ramiz Alinë dhe e vërteta e mbërritjes së Edi Ramës në Qytetin Studenti më 1991

Në dhjetor të ‘90-ës, Edmond Budina po kthehej nga Zvicra me trupën e Teatrit Kombëtar, ku kishin shkuar për të dhënë shfaqje. Në kufi mësoi se në Tiranë ishte përhapur fjala se ai dhe Yllka Mujo kishim kërkuar azil politik atje. Me të mbërritur në kryeqytet, dikush i tha se, “në Qytetin Studenti ka plasur revolta…”. Të nesërmen ishte mes studentëve. Nga ai moment, Edmond Budina iu bashkëngjit lëvizjes së studentëve deri në rrëzimin e plotë të diktaturës së gjatë komuniste.

Z.Budina rrëfen për gazeta “Panorama” ngjarjet e atyre ditëve që bënë histori, që nga takimi në Pallatin e Brigadave me Presidentin Ramiz Alia, te përgatitja e programit të PD-së në shtëpinë e Gramoz Pashkos. Edmond Budina tregon se u kujdesën për ta ruajtur atë nga policia deri te studentët. Ai flet edhe për rivalitetin dhe debatet brenda protagonistëve për drejtimin e PD-së. Bashkëthemeluesi i PD-së hedh dritë edhe mbi takimin e Edi Ramës në Qytetin Studenti në mars të vitit 1991-it.

Z.Budina, cila ishte situata në Tiranë dhe në Qytetin Studenti paraditen e 8 dhjetorit 1990? Kur u bëtë pjesë e lëvizjes studentore?

Nuk di të them se cila ishte atmosfera e datës 8 dhjetor 1990, sepse unë isha duke u kthyer nga Zvicra me trupën e Teatrit Kombëtar, ku kishim shkuar për të dhënë shfaqje. Di të them që atmosfera e gjithë atyre muajve, që përgatitën 8 dhjetorin, ishte e nderë në të gjithë Shqipërinë. Këtë atmosferë ne e kishim marrë me vete edhe në turneun tonë zviceran, ku për herë të parë vizitonim një vend perëndimor, që për ne ishte si një përrallë. Në Tiranë ishte përhapur fjala se unë dhe Yllka Mujo kishim kërkuar azil politik në Zvicër. Oficeri i kufirit, kur më pa që u ktheva, e shprehu hapur habinë duke më thënë: “Shyqyr që erdhe o Mond Budina, se këtu janë përhapur fjalë se ke kërkuar azil politik”.

Të njëjtën gjë më thotë edhe një shok i vëllait tim, Robertit, të cilin e kisha përgatitur për të hyrë në Akademinë e Arteve: “Pse u ktheve o profesor, se këtu janë hapur fjalë…”. Për një çast më erdhi në mendje kisha e famshme, Duomo e Milanos, të cilën e pamë për herë të parë në orën 4 të mëngjesit, pas një udhëtimi të lodhshëm. Binte një vesë shi i imët dhe përreth kishte një tis të hollë mjegulle. Shkova te porta në krahun e majtë, mbështeta duart dhe unë, që nuk besoja në Zot, u luta: “O Zot, ndihmoje popullin shqiptar!”. E thashë atë lutje në italisht e shqip, thua se Zoti nuk do të më kuptonte. Pas lutjes dhe asaj që kisha përjetuar në perëndimin e anatemuar për dekada e dekada të tëra nëpërmjet propagandës së regjimit, përgjigja ime nuk mund të ishte veçse: “Jam kthyer për të luftuar”. Dhe ai më tha: “Në Qytetin Studenti ka plasur revolta”. Të nesërmen isha mes studentëve.

Ky ishte momenti që ju u bëtë pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen e Dhjetorit ‘90? Si i keni përjetuar ato ditë?

Janë disa ngjarje në jetën e njeriut, në të cilat ai përfshihet me ose pa dashje, por që mbeten të pashlyeshme në kujtesë dhe bëhesh pjesë e një historie. Të tilla ishin ato ditë të atij dhjetori të ‘90-ës. Unë mbase jam i vetmi që kam qenë pjesëmarrës në takimet me Ramiz Alinë, qoftë në atë të gushtit nëntëdhjetë me intelektualët e njohur të vendit, qoftë në atë me studentët. Nëse në takimin e parë mbresat nuk kanë qenë kushedi se çfarë, për shkak të reagimit të trembur të intelektualëve, përfshi edhe mua; në të dytin, për shkak edhe të atmosferës së krijuar, ishin tepër mbresëlënëse. Nuk do të harroj asnjëherë çastin kur hipëm në autobus për të shkuar në takim dhe dritën e shpresës në sytë e studentëve dhe qytetarëve që na përcollën dhe na pritën pas takimit. Kishte prej atyre që qanin, preknin, puthnin xhamat e tij si të ishte diçka hyjnore. Po ashtu, edhe atmosferën sa të nderë, por edhe të bukur brenda autobusit. Takimin, ku studentët, ndryshe nga intelektualët, u treguan të guximshëm, të vendosur për ta çuar luftën e tyre deri në fund.

Ato ditë ishin të ngarkuara me kaq emocion, ngjarje, përjetime, të cilat është e pamundur t’i harrosh. Nuk mund të harroj, për shembull, momentin kur autobusi në vend që të kthehej djathtas, pasi doli nga Qyteti Studenti, për të shkuar te Pallati i Kongreseve, sikundër na ishte thënë paraprakisht, mori majtas. Të qeshurat, entuziazmi për një çast mbetën pezull. Të gjithëve na shkoi ndërmend Mali me Gropa, atje ku ishin pushkatuar armiqtë e regjimit. Pas sqarimit të bërë prej ministrit të Arsimit të asaj kohe, Skënder Gjinushit dhe sekretarit të Komitetit Qendror të Rinisë, Lisien Bashkurtit, të cilët na thanë se po shkonim në Pallatin e Brigadave, u rikthye, në një farë mënyre, atmosfera e gëzueshme.

Mbresëlënëse ishte edhe mbërritja në ambientet e Pallatit të Brigadave, ku nga shkurret dekorative dilnin kokat e rojeve, disa civilë e disa ushtarakë, që na vështronin me kërshëri, apo mbase edhe me mllef. Ditët në vazhdim ishin si ditët kur vërshejnë lumenjtë, të cilat rridhnin kaq shpejt dhe të ngarkuara me ngjarje dhe emocione të paprovuara. Ishte lejuar pluralizmi, po krijohej një parti opozitare, një gjë gati e paimagjinueshme, veçse pak ditë më parë. Ishte thyer miti i Partisë së Punës, diktaturës së proletariatit dhe njerëzit ishin plot shpresë e ëndrra.

Si ishte takimi që ndau epokat, sepse të nesërmen Presidenti Ramiz Alia mblodhi menjëherë Byronë Politike dhe deklaroi të drejtën e pluralizmit politik…?

Takimi me Presidentin Alia u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, pasi kishin ndodhur të gjitha ngjarjet, që tashmë dihen. Tensionin veç të tjerave, sipas meje, e krijonte disi edhe ajo perde, pas shpinave tona, që ndante sallën. Edhe sot nuk di se ç’fshihej pas saj. Gjithsesi, duhet thënë se studentët nuk u tutën. Alia u tregua, gjithmonë sipas mendimit tim, tepër dinak, kur pranoi pothuajse qysh në fillim formimin e një partie studentësh ose pluralizmin politik, por në një formë disi të zbehtë, të turbullt. Me një pohim të tillë takimi duhej të përfundonte dhe ne duhet t’i ishim mirënjohës presidentit, që po na bënte lëshimin e “madh”, po na falte, po na jepte mundësinë të krijonim një parti, por studentët nuk u kënaqën me aq pak dhe nuk ranë pre e atij kurthi.

Ata këmbëngulën për një pluralizëm të vërtetë dhe ia përplasën në sy të gjitha bëmat dhe defektet e Partisë së Punës, qeverisë e policisë. Për atë kohë, ndonëse gjërat kishin filluar të ndryshonin, qoftë edhe në arenën ndërkombëtare, nuk ishte fushë me lule dhe e lehtë t’i kundërviheshe diktaturës së proletariatit. Askush nuk e dinte se si mund të reagonte ajo. Eksperienca 45-vjeçare kishte treguar se kur qe nevoja, ajo nuk e kishte kursyer dhunën e represionin. Tani, mbas 34 vitesh, kur dëgjon disa “heronj” e llafazanë që pëllasin e thonë se gjithçka ishte e drejtuar, e organizuar nga vetë Partia e Punës, ose studentët nuk vepruan si duhet për këtë ose atë ngjarje, të vjen të ulërasësh e t’u thuash: “Mirë studentët dhe lëvizja e dhjetorit nuk veproi sa dhe si duhet, po ju “trima pas pilafit”, ku ishit kur ne realisht përballeshim me mllefin dhe forcat e diktaturës?”. Mbase jo gjithçka u krye në perfeksion dhe ashtu si duhej, por ama për herë të parë studentët u ngritën kundër diktaturës dhe u vendos pluralizmi politik, i mirë ose i keq, me vlera apo defekte. Ajo që nuk kishte ndodhur qysh prej 1944, me gjithë pakënaqësitë dhe revoltat e herëpashershme, ndodhi më 1990, falë revoltës së studentëve.

Lideri i lëvizjes ishte një student 28-vjeçar nga Tropoja. Quhej Azem Hajdari, studionte filozofi, ishte më i madh në moshë se sa shokët e tjerë. Cili ishte takimi juaj i parë me të dhe çfarë patë tek ai student, që u vu në krye të lëvizjes, duke dalë publikisht dhe duke hequr frikën e dhjetëra studentëve të tjerë?

Azem Hajdarin nuk e njihja, por rastësia e solli të njihesha me të në një rrethanë të veçantë. Sikundër e thashë, unë sapo isha kthyer nga Zvicra dhe të nesërmen nisem për në Qytetin Studenti. Rrugës takoj një student të artit dramatik, Arben Derhemin, i cili më thotë të shkoja në godinën ku po bëhej mbledhja e përfaqësisë së studentëve dhe pedagogëve, që do të përzgjidhnin grupin, i cili do të shkonte te presidenti. Sipas tij, kjo ishte një porosi e Arben Imamit, që ndodhej brenda godinës ku zhvillohej mbledhja. Dera me kuadrate qelqi e godinës ishte e mbyllur. Përtej saj shoh një djalë me xhup lëkure, i cili afrohet tek dera dhe më thotë: “Respekt për ju profesor. Kemi parë ‘Natë me hënë’ dhe na keni frymëzuar. (“Natë me hënë” ishte një dramatizim i imi i veprës së I. Kadaresë dhe shfaqje e vënë po prej meje në skenën e Teatrit Kombëtar, e cila bëri shumë bujë në atë kohë, pasi për herë të parë guxohej të shfaqej diçka që nuk ishte e realizmit socialist.) Këtu kanë ardhur disa intelektualë e pedagogë, por ne nuk i kemi pranuar. Do të më falësh sa të pyes përfaqësinë, që është brenda”.

Hyri dhe u rikthye pas pak. Duke hapur derën më tha: “Urdhëroni! Po ju presim!”. Ky ishte Azem Hajdari. Qysh në momentin e parë të njohjes sime me të, më ka bërë përshtypje mënyra e drejtpërdrejtë e komunikimit. Ai thoshte atë çka mendonte pa hezituar, pa frikë. Nuk kishte “qime në gjuhë”. Flas për atë kohë që e kam njohur unë. Dëgjonte me vëmendje ata që ishin më të mëdhenj, i respektonte, por nuk hezitonte edhe të kundërshtonte, kur e shihte të arsyeshme. Me mënyrën e tij veriore të të folurit, me një natyrë të hapur, që komunikonte me të gjithë, pse jo dhe me guximin ose kokëshkretinë e tij, ai ngjallte besim te të tjerët. Mbase ngaqë ishte edhe pak më i madh në moshë, ata e kishin përzgjedhur si udhëheqësin e tyre. Azemi, kam përshtypjen, në atë kohë ishte një lloj frymëzuesi për bashkëmoshatarët e vet. Mendoj se frika në përgjithësi në atë kohë kishte filluar të vritej dhe studentët guxonin, por natyrisht edhe shembulli i Azemit ka ndikuar te një pjesë e tyre.

Dua të kujtoj se studentët e Akademisë së Arteve dhe veçanërisht ata të Artit Dramatik e Regjisurës, kanë guxuar të reagojnë edhe përpara 8 dhjetorit dhe kanë qenë tepër aktivë në gjithë lëvizjen. Një nga kujtimet e bukura që ruaj me të është kur në Qytetin Studenti uleshim në mensën e studentëve dhe hanim fasule me kos ose spinaq, në të njëjtën pjatë prej alumini, me ato lugët e shtrembra. Më ka bërë përshtypje tek ai, entuziazmi i jashtëzakonshëm. Ishte i palodhur kur shkonim mitingjeve për të krijuar PD-në dhe nuk hezitonte të përleshej me policinë, sikundër na ndodhi në Lushnjë. Ishte nga të vetmit, që edhe kur u bë deputet etj., pasi unë isha larguar nga jeta politike, i cili ndalonte makinën në rrugë dhe më takonte. Në gusht të vitit 1998, kur kisha ardhur me pushime nga Italia, në bulevardin e madh, tek bustet e vëllezërve Frashëri shoh Azemin mes një grupi njerëzish që e shoqëronin. U shkëput prej tyre dhe më takoi me përzemërsi. Kjo ishte hera e fundit që e pashë. Më 12 shtator e vranë.

Cili ishte roli i Sali Berishës ato ditë?

Sikundër e thashë edhe më sipër, unë u bëra pjesë e lëvizjes studentore më 11 dhjetor, ditën që shkuam në takimin me Presidentin Alia, kështu që nuk di të them se cili ishte roli i Sali Berishës në ato momente dhe e kujt ishte ideja për takimin. Përsa i përket zotit Berisha, atë e kam njohur diku rreth vitit 1986, kur isha me pushime në Pogradec prej një miku të paharruar, neurokirurgut të njohur Arian Xhumari. Berisha ishte një kardiolog me emër në atë kohë dhe veç kësaj, kishte botuar artikuj në gazetën “Zëri i Popullit”, kishte folur në “Zërin e Amerikës” dhe në takimin me intelektualët pati guximin të thotë se forcat policore kishin plagosur ose vrarë dikë në 2 korrik 1990, kur u bë dyndja nëpër ambasada, kështu që ishte i njohur në opinion si një kundërshtues dhe kërkonte ndryshime thelbësore të shoqërisë e politikës shqiptare. Sipas atyre që kam lexuar, dëshmive të atij vetë, kronikave të kohës, ka pasur një rol aktiv në gjithçka po ndodhte ato ditë.

Ju jeni një ndër bashkëthemeluesit e PD-së, si u arrit deri te krijimi i së parës parti pluraliste pas diktaturës së gjatë komuniste?

Pas kthimit nga takimi me Presidentin Alia në Qytetin Studenti, atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Ne ktheheshim nga takimi me një rezultat të jashtëzakonshëm, pluralizmin politik. Ndonëse ishte natë, pjesëmarrja ishte e paparashikueshme dhe entuziazmi i papërshkruar. Ndërkohë që prisnim të vinte nga presidenca shiriti i incizuar i takimit, i cili do të dëgjohej në shesh, ne ftuam të flisnin para turmës Sali Berishën dhe Gramoz Pashkon, të cilët kishin ardhur të na mbështesnin së bashku me intelektualë të tjerë. Atje ramë dakord që të takoheshim të nesërmen në orën 8 të mëngjesit në shtëpinë e Gramos Pashkos për të hartuar një program minimal të PD. Gramozi kishte një shtëpi relativisht më të madhe se apartamentet tona modeste, ishte fare pranë Qytetit Studenti dhe kishte kompjuter. Më kujtohet madje, që për të hyrë në shtëpinë e Gramozit duhej të përdornim edhe një parullë, si ato që ne i kishim përdorur në filmat nga lufta dhe me ilegalë të realizmit socialist.

Të nesërmen, fiks në tetë, trokas në derë, por për dreq kisha harruar parullën. U deshën disa minuta derisa Shpendi, (me sa më kujtohet, kështu quhej një student i Gramozit, i cili ishte vendosur si roje) më hapi derën. Atje veç Gramozit, për herë të parë njoha edhe Aleksandër Meksin dhe Genc Rulin, të cilët ishin të afërt me të dhe të thirrur prej tij. Më pas, sikundër e kishim lënë, erdhën edhe Sali Berisha, Arben Imami, Azem Hajdari. Në bibliotekën e shtëpisë ishte edhe “Karta e të drejtave të njeriut”, të cilën e lexuam dhe po formulonim programin minimal të partisë, që qysh atje menduam ta quanim “Partia Demokratike”. Më kujtohet se si diskutonim dhe çdonjëri prej nesh jepte mendimet e veta. Një moment lindi nevoja për të mbajtur një lloj procesverbali dhe asnjëri prej nesh nuk ndjehej i aftë për ta bërë, kështu që thirrëm Eduart Selamin, i cili rrinte në katin përdhes së bashku me gruan e Gramozit, Mozën dhe Dashamir Shehin. Po ashtu, më kujtohet që në një moment erdhi edhe Agim Buxheli, i cili kreu disa xhirime me kameran e tij. Natën vonë ka ardhur një mik i Gramozit, që me sa mbaj mend, quhej Sokol, i cili punonte në ministrinë e jashtme dhe e pa materialin nga ana juridike.

Ramë dakord që të nesërmen do të lexohej programi në mitingun e organizuar në qytetin studenti, prej Arben Imamit dhe do të përshëndeste në emër të studentëve Azem Hajdari. Programi u printua në disa kopje dhe unë personalisht ua kam dhënë disa studentëve të besuar në atë kohë të Akademisë së Arteve, për ta sjellë në Qytetin Studenti. Frika se dikush mund të pengohej prej policisë, na bëri të mendojmë këtë variant. Studentët do të hynin në Qytetin Studenti nga drejtime të ndryshme dhe do t’ia dorëzonin programin Benit ose mua. Këta studentë, të cilët i konsideroja të besuar ishin Robert Budina, Kastriot Çipi, Arben Derhemi, Hervin Çuli dhe Altin Basha. Në fakt nuk patëm asnjë pengesë prej policisë dhe Arben Imami lexoi programin përpara një mase të paparë njerëzish, të cilët gëzonin e deri qanin prej entuziazmit e shpresës.

Si u krijua PD-ja ku debatet mes vetë protagonistëve nuk kanë qenë të pakta… deri në vendimin final?

Në shtëpinë e Gramozit kishim dakordësuar edhe që do të zgjeronim rrethin e intelektualëve, do të krijohej një komision nismëtar, i cili do të merrej me organizimin e partisë së ardhshme. Më duhet të pranoj se të gjithëve ne na mungonte eksperienca e krijimit dhe drejtimit të një partie dhe gjithçka u bë në një lloj kuptimi e improvizuar “me të parë e me të bërë”. Shumë gjëra u kthjelluan dhe kuptuan rrugës. Kishte edhe në ato momente moskuptime, intriga, prurje elementësh që mbështesnin x-in ose y-nin. Kishte nga ata që kërkonin të futnin përkrahës të vetes, grupime që donin të merrnin përparësi në raport me të tjerë. Kishte nga ata që u serviloseshin atyre që mendonin se do të bëheshin udhëheqës, pra në një lloj kuptimi, kishte amulli, dëshirë, pasion, ambicie, por mbi të gjitha një të përbashkët, ndryshimin e Shqipërisë dhe afrimin e saj me Europën. Në klubin “Studenti” u bë një mbledhje ku do të përzgjidhej komisioni nismëtar për formimin dhe legalizimin e PD-së.

Një dyndje e jashtëzakonshme njerëzish, të cilët kërkonin të hynin në sallë deri duke u shtyrë. Disa prej pjesëmarrësve njiheshin, ndërsa një pjesë ishin krejtësisht të panjohur dhe propozimet ishin nga më të habitshmet. Më vjen në mendje dikush që u ngrit e tha. “Propozoj zonjën, e cila është luftarake, e aftë…” dhe shtoi një sërë cilësish që të linin me gojë hapur. Në fund e mbylli ligjëratën me fjalët: “Padyshim e meriton të jetë e zgjedhur, e njoh shumë mirë sepse është motra ime”. Nuk harroj fjalët e të ndjerit Gramoz që tha pak a shumë se, “na u bë si mbledhje kooperative me mjelset e dalluara”. Debatet, deri sa unë kam qenë pjesëmarrës, kanë qenë të shpeshta dhe herë, herë edhe të forta. Më kujtohet që mbledhjet na zgjatnin deri në orët e vona të natës, por padyshim kjo ishte një nga gjërat më të mira, sepse po sillte një mentalitet të ri. Nuk kishte një “Njësh”, i cili vendoste për gjithçka.

Vendimet edhe pse me debate merreshin në mënyrë kolegjiale. Kur dikush, për shembull, donte të largonte njërin ose disa nga kryesia, ngriheshin pjesa tjetër dhe e kundërshtonin fort. Më kujtohet një rast kur Arben Lika, Tef Malshyti, Shinasi Rama, Ritvan Peshkëpia e ndonjë tjetër kërcënuan se do të largoheshin e do të formonin një parti tjetër. Madje, njëri prej tyre shkroi edhe një letër ku thoshte se po tradhtoheshin aspiratat e studentëve. Pra ishte një rrugë e panjohur, jo e lehtë, por që gjithsesi e dha rezultatin e saj, krijimin e një partie opozitare, Partinë Demokratike, e cila mirë ose keq (por më shumë mirë) është një vlerë dhe pasuri e shoqërisë shqiptare.

A ishte Sali Berisha njeriu i duhur për të drejtuar PD-në?

Nëse ishte ose jo Sali Berisha njeriu i duhur për të drejtuar PD, këtë e tregoi koha. Gjithsesi, në atë moment duhej një njeri i fortë, me personalitet, sepse mendësia, sikundër vazhdon edhe sot, është ajo që gjithmonë kemi nevojë, na duhet një bari, i cili të ketë tiparet e një njeriu të pathyeshëm, një heroi, që t’i përngjasojë një qenieje gati hyjnore. Udhëheqësi duhet të krahasohet o me Skënderbeun, Zeusin, ose të shpallet hero, që e adhuron e gjithë Shqipëria. Harrojmë që udhëheqësi, pavarësisht personalitetit të fortë, aftësive vetjake, nuk është asgjë pa masën e mbështetësve dhe sa më i përbashkët të jetë drejtimi i partisë ose i vendit, aq më i suksesshëm është edhe vetë udhëheqësi.

Sali Berisha në atë moment u gjend në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe me ambicien e duhur. Askush nuk mund ta gjykojë dot nëse në vend të Sali Berishës do të ishte dikush tjetër dhe gjërat do të kishin shkuar më mirë se sa shkuan. Mund të kishin shkuar më mirë, por mund të kishin shkuar edhe më keq, si fjala vjen një luftë civile. Këtu meritë kanë të gjithë ata që ishin në krye të punëve në atë periudhë.

Cilët ishin ata që shfaqën ambicien për drejtimin e PD-së?

Kur ktheheshim natën vonë nga mbledhjet e gjata me një grup miqsh, të gjithë thoshim se duke mos qenë politikanë në profesion, ne do të tërhiqeshim, sapo të vinin politikanët e duhur, por për fat të mirë, apo të keq askush nuk u tërhoq nga politika, përveç meje. Në ato fillime nuk është se kishte shfaqur dikush ambicie haptas për t’u bërë drejtues i PD-së dhe veprohej bashkërisht. Natyrisht duke mos pasur ambicien për t’u marrë me politikë, unë vija re se si përpiqeshin një pjesë për të qenë në qendër të vëmendjes, apo kryenin edhe ndonjë veprim për të marrë pozicionin e udhëheqësit, por haptas askush nuk ishte shprehur. Më pas, kur filluan të bëhen zgjedhjet, dolën edhe figurat që u prezantuan si kandidatë për të drejtuar partinë. Në kongresin e parë, që u zhvillua në Teatrin e Operës, ku u bë edhe votimi për kryetarin e partisë, di që pati një rivalitet midis Sali Berishës dhe Aleksandër Meksit, por që në fund u zgjedh Sali Berisha.

Në atë periudhë, Edi Rama a iu kundërvu sistemit me art…?

Të them të drejtën, nuk di të kem parë në atë periudhë ndonjë vepër të tij, që t’i kundërvihej sistemit. Më kujtohet po, që diku aty nga fundi i viteve ’80, ai kishte realizuar një murale në hyrje të degës së Dramës dhe Arteve Figurative, me aksionistë që mbillnin pemë dhe pëllumba mbi supet e tyre. Një vepër tipike e realizmit socialist. Mbase në artet figurative, me studentët e vet, mbase ka bërë edhe vepra që i kundërviheshin sistemit, por publikisht nuk kam parë. As nuk kam dëgjuar, që në kohën kur ne vinim në skenë “Natë me hënë” dhe erdhi e gjithë Byroja Politike për ta parë e për ta ndaluar, kur na dërgonin letra kërcënimi se po i kundërviheshim sistemit, që ai kishte realizuar vepra arti kundër sistemit. Nëse i ka pasur të fshehta dhe i ka ruajtur për t’i nxjerrë kur sistemi ra, kjo është tjetër gjë.

A ishte z.Rama në llogore të protestës studentore që solli ndryshimin e sistemit komunist. A është e vërtetë se ai fliste për një ndryshim sistemi dhe për procese demokratike që duhet të orientohen drejt Europës Perëndimore dhe jo Europës Lindore?

Dua të dëshmoj se ai nuk ka qenë në asnjë çast në llogore kur ishte fjala për veprime konkrete. Nuk ka qenë pjesëmarrës as në protestën e heshtur të qytetarë të Tiranës më 28 janar 1990, të orës 18, ku u shkul e gjithë Tirana, as në revoltën e studentëve në dhjetor të po atij viti, as në takimin me Ramiz Alinë, as në formimin e PD-së, as në grevën e urisë së studentëve për heqjen e emrit Enver Hoxha të Universitetit dhe as në rrëzimin e shtatores së diktatorit.

“Rastësisht me dashje”, ai ndodhej në të shumtën e rasteve jashtë shtetit. Personalisht nuk kam qenë asnjëherë i pranishëm kur ai ka folur për ndryshimin e sistemit, por për të qenë i vërtetë kam dëgjuar qysh në atë kohë se fliste për nevojat e ndryshimit. Në atë kohë ishte e lehtë të flisje ndonjë fjalë kundër, kur kishe prindërit anëtarë të Komitetit Qendror, apo deputetë ose kur shoqëroheshe me fëmijë e nomenklaturës, që jetonin në Bllok, por duhet të kishe këllqe për të vepruar konkretisht kundër, pa pasur asnjë lloj mbështetjeje.

Si është e vërteta e ardhjes së Edi Ramës te protesta dhe deklaratës së tij se “komunistët duhet ti varim në litar”? Pse u largua Rama dhe kush nuk donte që ai të ishte aty në ato momente…?

Në atë kohë çdokush që ishte kundër sistemit ishte i mirëpritur dhe dyert u ishin hapur të gjithëve. Të gjithë ne dëshironim të na afroheshin sa më shumë njerëz. Ne kishim nevojë për mbështetje sa më të gjerë. Nuk kishte asnjë që nuk e donte prezencën e tij. Veçse gjërat duhen parë në rrethanat në të cilën kanë ndodhur. Diku andej nga marsi i vitit 1991, ai u shfaq në Qytetin Studenti, në një kohë që në Shkodër, sipas njoftimeve të studentëve shkodranë si Arben Broci etj., kishin filluar raprezaljet e policisë. Ai erdhi, me ç’mbaj mend, i ftuar nga Gramoz Pashko. Hyri në mbledhjen që po organizonim dhe me një fodullëk e arrogancë të pashoqe, kërkoi të bënim gjithçka thoshte ai. Deri atëherë nuk ishte shfaqur askund, nuk kishte marrë asnjë iniciative dhe tani vinte të na diktonte urdhrat ose mendimet e veta.

Natyrisht të gjithë iu kundërvunë, sepse askush nuk donte hakmarrje e dhunë ose derdhje gjaku dhe ai kur pa se nuk kishte asnjë mundësi të realizoheshin propozimet e tij, ose të kishte një karrige për të, u largua. Qëndrimi i tij ishte ekstremisht i djathtë dhe kërkonte varjen e komunistëve, përfshi babain e tij. Këtë ai e shprehu publikisht në mitingun e marsit para stadiumit “Qemal Stafa”. Pikërisht ky ekstremist i djathtë një mëngjes na u gdhi i majtë dhe në krye të Partisë Socialiste. Fatmirësisht nuk u varën komunistët, por fatkeqësi që komunistët edhe sot vazhdojnë të votojnë një fashistuc të tillë. Mbase nuk thonë kot që ai, i cili të rreh, të do, imagjinoni sa i do Rama komunistët sa do edhe t’i varë…/Gazeta Panorama/

Bislimi: Shpërthimi i fundit në veri të Kosovës tregon se Beogradi nuk do normalizimin

VOA Keida Kostreci

Zv/Kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi thotë se Serbia qëndron pas shpërthimit në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit dhe për këtë arsye nuk do të ishte e logjikshme që të bëhej pjesë e hetimit të krimit. Megjithëse Beogradi ka mohuar të ketë pasur rol në shpërthimin që ka tensionuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, zoti Bislimi tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se “të gjitha informacionet që kemi çojnë në vetëm një adresë”. Sipas zv/Kryeministrit, i cili është edhe kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ky incident i fundit rikonfirmon se Serbia nuk është e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe se vetëm ajo është përgjegjëse për ngecjen, pavarësisht nga kritikat perëndimore ndaj të dyja palëve.

Zëri i Amerikës: Tensionet janë shtuar për shkak të shpërthimit të javës së kaluar. Megjithëse qeveria e Kosovës fajësoi Serbinë se qëndron prapa shpërthimit, Serbia vetë e ka mohuar një gjë të tillë. A do të ishte Kosova e gatshme që të pranonte bashkëpunimin e Serbisë për hetimin e këtij shpërthimi, kësaj çështjeje?

Besnik Bislimi: Do të ishte e palogjikshme që në këtë fazë adresa kryesore të cilës i atribuohet krimi, të bëhej pjesë e hetimit të krimit. Prandaj mendoj që është e pamundur që hetuesit nga Serbia të bëhen pjesë e hetimeve. Për këtë moment nuk ka nevojë. Institucionet tona kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtarisht, por jo nga Serbia.

Zëri i Amerikës: Akoma nuk është arritur një përfundim në fakt se kush qëndron pas këtij shpërthimi…

Besnik Bislimi: Tani duhet të kujdesemi që sulmi terrorist që ka ndodhur në kanalin e ujitjes, apo të ujësjellësit, në Ibër Lepenc, të mos bëhet një test i aftësisë së Kosovës për ta dëshmuar kryesin e krimit, edhe e aftësisë së Serbisë për të kryer një krim perfekt. Të gjitha informacionet që kemi çojnë në vetëm një adresë dhe mendoj që do të ishte e palogjikshme që tash të merremi me atë nëse ka dëshmi të mjaftueshme, apo jo. Ajo që është me rëndësi, është të analizohet se cili ka qenë qëllimi primar i këtij sulmi. A ka qenë vetëm dëmtimi i kanalit, apo ka qenë synimi që kjo të shkatërrohet në tërësi, që pastaj të pamundësohet furnizimi me energji elektrike, me ujë dhe me komunikime? Apo ka qenë vetëm synimi që të dërgohet sinjali se Serbia ka ende potencial për të destabilizuar Kosovën dhe kjo pastaj të përdoret për të rritur fuqinë negociuese të tyre në Bruksel.

Zëri i Amerikës: Zoti Bislimi, a keni kërkuar ndihmë ndërkombëtare për hetimin e këtij incidenti, e këtij shpërthimi?

Besnik Bislimi: Institucionet e policisë kanë kërkuar bashkëpunim me segmente të caktuara ndërkombëtare, por duhet të kuptojmë edhe natyrën e krimit. Sulmi terrorist ka ndodhur në kanalin që sjell ujë. Do të thotë që edhe shpërthimi ka ndodhur aty dhe rrjedhimisht do të jetë e vështirë që në vendin e krimit të gjenden dëshmi të caktuara. Dëshmitë që ne kemi kanë të bëjnë me komunikimet që kanë ndodhur përpara sulmit dhe ndoshta pas saj, që pastaj kërkojnë një natyrë tjetër të forensikës.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndikimi do të ketë mendoni ju një ngjarje e tillë tek procesi i përgjithshëm i negociatave, i bisedimeve?

Besnik Bislimi: Tani, sinjalet që për ne janë me rëndësi është që nuk kemi të bëjmë (thjesht) me një akt terrorist, por pjesë e një plani më të gjerë, të cilat dëshmojnë që Serbia ka axhenda të tjera. Do të thotë që Serbia nuk është e interesuar për normalizim të raporteve. Paraqitja në Bruksel, Serbisë i shërben vetëm për të vazhduar thithjen e fondeve financiare nga Bashkimi Evropian, të cilat pastaj kombinohen me ndikimin pro-rus. Por në bisedimet për dialog, pjesëmarrja e Serbisë është vetëm pro forma, dhe kontributi i tyre i vetëm në Bruksel është pastaj konferenca për shtyp të cilën e organizojnë pas takimeve, ku tregojnë për konstruktivitetin e tyre dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar. Por në fakt, kjo pjesëmarrje ka qenë fallco gjithmonë, sepse nuk ka asnjë rast përgjatë këtyre tre viteve ku unë të kem parë edhe minimumin e konstruktivitetit të palës serbe, apo minimumin e gatishmërisë për të ndërmarrë ndonjë hap që të paktën na çon më tutje, pak drejt normalizimit.

Zëri i Amerikës: Në fakt, kritikat e ndërkombëtarëve kanë qenë ndaj të dyja palëve, për sa i takon vullnetit për këto bisedime, për këto negociata, por qoftë edhe veprimeve të ndryshme të palëve, lidhur me marrëveshjet…

Besnik Bislimi: Ka qenë një qasje në Bruksel që për të ecur tutje me normalizimin na duhen të dyja palët dhe çfarëdo tentative që njëra palë të apostrofohet si palë përgjegjëse, mund të ndikojë negativisht në gatishmërinë e kësaj pale për të marrë pjesë. Dhe në këtë kuadër të kësaj, në mungesë të vullnetit që të indentifikohet pala bllokuese, Bashkimi Evropian ka preferuar pastaj që ta ndajë fajësinë mes palëve, por joformalisht dihet qartë që kush është pala që bllokon dhe kush është pala që është konstruktive dhe ofron alternativa. Për shembull, për secilën iniciativë të Brukselit, pala kosovare ka ofruar propozimet e saj konstruktive. Të marrim si shembull edhe diskutimet që kemi bërë për planin e sekuencimit. Kemi deri më tani dhjetë drafte të përgatitura nga zyra e zotit Lajçak. Në këto dhjetë drafte kemi dhjetë komente të palës kosovare, por zero komente të palës serbe. Kjo tregon se cila palë ka qenë aktive në gjetjen e zgjidhjes, se cila ka qenë aktive në bllokimin e zgjidhjeve.

Zëri i Amerikës: Më 17 dhjetor është edhe takimi i radhës i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me të dërguarin Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorin e Serbisë. Në këto kushte që përshkruani ju, cilat janë pritshmëritë e këtij takimi të ardhshëm?

Besnik Bislimi: Takimi i datës 17 dhjetor nuk është se mund të prodhojë, që duhej të prodhonte pritje, qoftë në Bruksel qoftë në Prishtinë apo në Beograd. Ai po ndodh në një moment kritik për tre arsye. E para, kemi sulmin terrorist në kanalin e Ibër Lepencit. Kemi ardhjen e figurave të reja në Komision, të cilat do të jenë përgjegjëse për dialogun. Dhe kemi shkuarjen e zotit Lajçak, i cili e përfundon mandatin si emisar. Rrjedhimisht, kjo nuk është periudha më e mirë për të nisur diçka më të madhe, por edhe me gjasë nuk ka edhe gatishmëri nga pala serbe që të merremi seriozisht me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit, të vitit 2023.

Zëri i Amerikës: Në kushtet e ndryshimeve politike ndërkombëtare, do të kemi një administratë të re këtu në Uashington në janar, drejtuesit e Bashkimit Evropian kanë ndryshuar, si e parashikoni ecurinë e marrëdhënieve me administratën e re të zotit Trump, ndërkohë që duhet të theksojmë që edhe gjatë kohës së zotit Biden marrëdhëniet nuk ishin dhe aq të mira, le të themi…

Besnik Bislimi: Fillimisht, le të themi që në Evropë kemi më shumë qartësi për momentin, për arsye se figurat kryesore të cilat do të kenë në tavolinë edhe çështjen e Kosovës janë të ditura. Zonja Kaja Kallas, si përfaqësuese e lartë e cila do të ketë përsipër edhe portofolin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe kemi zonjën Marta Kos, e cila do të merret me politikën e zgjerimit. Ajo që mungon është vetëm emri i falicitatorit të ri, apo përfaqësuesit special për dialogun Kosovë-Serbi. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata është ende në kompletim e sipër. Ende ato figura që mund të merren me Kosovën, ose rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk janë të ditura. Unë nuk do të isha pajtuar me konstatimin se raportet me administratën e Presidentit Biden nuk kanë qenë të mira…

Zëri i Amerikës: …sipas komenteve të vetë zyrtarëve të administratës së zotit Biden.

Besnik Bislimi: …tash unë nuk mund të flas në bazë komenteve. Mund të flas në bazë të asaj që është thënë nëpër takime. Mendoj që nëpër takime në vazhdimësi është njohur qëndrimi pro-amerikan edhe i qeverisë së Kosovës. Madje ka pasur raste kur është konstatuar që qëndrimi pro-amerikan dokumentohet përmes promovimit të vlerave për të cilat qëndron Amerika, që kanë të bëjnë me rritjen e mirëqenies, luftimin e krimit dhe korrupsionit, politika këto të cilat qeveria Kurti i ka bërë më së miri.

Intervista- Surroi: Kosova dhe Serbia rrezikojnë të sjellin luftën e re të ftohtë në kufinjtë mes tyre

VOA/Garentina Kraja

Publicisti i njohur nga Kosova, Veton Surroi vlerëson se sulmi i javës së kaluar në Kosovë përbën një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zoti Surroi, aktualisht këshilltar i jashtëm i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, thotë se moszbatimi i marrëveshjes të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dëshmon dobësinë e ndërmjetësve dhe se për çdo proces të ardhshëm do të duhen garanci ndërkombëtare dhe trajtim i çështjeve të sigurisë. Zoti Surroi i tha koleges Garentina Kraja se pret që administrata e Presidentit të zgjedhur Donald Trump do ta shikojë çështjen e Kosovës brenda një konteksti shumë më të gjerë se tani – atë të luftës së Rusisë dhe zhvillimit të botës euro-aziatike.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, javën e kaluar në Kosovë u sulmua kanalin i furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit, që u cilësua si sulm ndaj infrastrukturës kritike. Prishtina akuzoi Beogradin se qëndron pas sulmit, ndërkohë që Serbia e mohoi përgjegjësinë. Si e shpjegoni këtë zhvillim dhe ndikimin e tij në procesin e dialogut?

Veton Surroi: Mendoj se gjëja më e rëndësishme nga ky shpërthim është fakti që është analog me sulmet që bën Rusia në Ukrainë, pra kundër infrastrukturës kritike. Në rastin e Rusisë përdoret armatimi, përdoren dronët, raketat. Në rastin e Kosovës është përdorur një shpërthim eksplozivi. Ky është brengosës. Natyrisht në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me veprim terrorist, në rastin e Rusisë kemi të bëjmë me luftë të hapur. Por ndikimi i shpërthimit është përshkallëzim i mëtejshëm, brengosës dhe përtej analizës se kush është fajtor, se kjo do të tregohet nga hulumtimet, me rëndësi është sot të informohemi nga strukturat e sigurisë së Serbisë se sa kanë ditur për këtë veprim dhe nëse kanë indicie, apo nëse kanë indicie që të drejtojnë në kahje tjetër, le t’i tregojnë. Ky borxh i mbetet strukturave të sigurisë të Serbisë, për shkak të veprimit që kanë bërë me rastin e Banjskës dhe sulmit paraushtarak të grupit të Radojçiçit. Aso kohe, strukturat e sigurisë së Serbisë është dashur të tregojnë se sa kanë ditur për këto veprime. Nëse nuk kanë ditur, pse. Nëse kanë ditur, pse nuk i kanë penguar këto veprime, ose a kanë ndihmuar në këto veprime. Këto janë gjëra të ndërlikuara që kanë të bëjnë me sigurinë, por që janë tepër të nevojshme, në mënyrë që të krijohen bazat e një besimi të ndërsjellë.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët rastin e Banjskës dhe tensionet e tjera në veri gjatë vitit të kaluar, për të cilat mendohej se do të shtonin trysninë e Perëndimit ndaj palëve, ndaj Kosovës dhe Serbisë, për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit të arritur në Ohër. Por në realitet një gjë e tillë nuk ndodhi dhe tensionet mbetën të larta. A është ky fundi i dialogut në këtë formë?

Veton Surroi: Ndoshta nuk po i jepet fund dialogut në këtë formë, por po i jepet fund besimit se vetëm me këto veprime mund të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, Kosova ka hyrë në një proces negociatash me vullnet të plotë. Kryeministri disa herë ka përsëritur gatishmërinë e tij për ta nënshkruar marrëveshjen. Serbia disa herë ka deklaruar, edhe me shkrim, se nuk mund ta pranojë marrëveshjen në tërësi. Kjo ka dëshmuar dobësinë e ndërmjetësve dhe tash duhet të hyjmë në një fazë të re, në të cilën garancitë e bashkësisë ndërkombëtare duhet të jenë të tilla që palët t’i kuptojnë seriozisht dhe t’i hyjnë një zbatimi të një procesi i cili, pos kësaj dinamike të përhershme, duhet të trajtojë çështjet e sigurisë.

Publicisti Veton Surroi gjatë intervistës për Zërin e Amerikës

Publicisti Veton Surroi gjatë intervistës për Zërin e Amerikës

Zëri i Amerikës: A mendoni se po i hapet rruga një procesi të ri tani që ka një udhëheqje të re të Bashkimit Evropian, por edhe në Uashington me administratën e re të Presidentit të posazgjedhur Trump?

Veton Surroi: Tash do të shohim. Kushtet janë për një veprim të ri e të shohim a ka gatishmëri dhe përgatitje. Mos të harrojmë, çështja e Kosovës është shumë e vogël në krahasim me krizat e mëdha në botë. Bota kurrë nuk ka qenë më e pasigurtë që nga rënia e Murit të Berlinit dhe në këtë drejtim edhe më e ndërlikuar. Dhe në këtë ndërlikim, ajo çka mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian është që t’i hyjnë me një energji shumë më të madhe këtij procesi, në mënyrë që të tejkalohet sa më shpejt, sepse është krizë tepër e vogël për të shpenzuar shumë kohë në të.

Zëri i Amerikës: A është kjo një krizë që mund të tejkalohet shpejt? Synimet e Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë të jenë diametralisht të kundërta. Në fakt, pas këtyre zhvillimeve të vitit të fundit, cilat janë synimet e palëve?

Veton Surroi: Synimet e Kosovës janë të qarta. Është integrimi në Bashkimin Evropian, integrimi në NATO, marrëveshje me Serbinë, e cila është pjesë e këtij rrugëtimi. Serbia është e ndarë në synimet e veta strategjike dhe ky është një problem real, por ky është një problem i cili e tejkalon Kosovën dhe Serbinë, sepse ndarja përgjatë çerek shekullit të kaluar, vija ndarëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë vija ndarëse mes botës euroatlantike dhe Rusisë. Rusia, në çfarëdo forme, ka penguar që të përmbyllet normalizimi i marrëdhënieve në mënyrë që kjo pjesë të jetë pjesë e natyrshme e Perëndimit. Në çerek shekullin e ardhshëm rreziku është që nëse vazhdon gjendja e tanishme, vija ndarëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë vija ndarëse mes botës euroatlantike dhe botës euro-aziatike dhe do ta sjellim luftën e re të ftohtë në kufijtë tonë. Ky nuk është interes strategjik as i Kosovës, as i Perëndimit, besoj as i Serbisë në të ardhmen dhe duhet të tejkalohet kjo gjendje.

Zëri i Amerikës: Çfarë prisni nga administrata e re amerikane në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë?

Veton Surroi: Ndoshta është shumë herët ende, sepse duhet të shohim kush janë njerëzit dhe cilat janë prioritetet. Por ato çka dimë dhe njerëzit të cilët i njohim është se çështja e Kosovës shikohet brenda një konteksti shumë më të gjerë, e kjo është lufta e Rusisë dhe zhvillimi i botës euro-aziatike. Në atë kuptim, besoj që do të jetë në interes të administratës Trump, që sa më shpejt t’i hyjë kësaj pune në mënyrë që mos të krijohet kjo vijë ndarëse mes Kosovës dhe Serbisë, si vijë ndarëse mes botës euro-atlantike dhe asaj euro-aziatike.

Zëri i Amerikës: A ju shqetëson fakti që marrëdhëniet e administratës Trump herën e fundit ishin të acaruara me Kryeministrin Kurti, ndonëse ai kishte marrëdhënie jo të lehta në fakt edhe me administratën e Presidentit Biden. Disa vëzhgues thonë se këto marrëdhënie janë në pikën e tyre më të ulët. A pajtoheni?

Veton Surroi: Nuk besoj që janë në pikën më të ulët, por besoj që është shumë nevojë e madhe që të ngrejmë nivelin e marrëdhënieve me administratën e re dhe kjo natyrisht nuk është prioritet vetëm i Kosovës. Çdo shtet në Evropë përpiqet të vendosë marrëdhënie me administratën e re dhe që të integrojë interesat e veta në këto marrëdhënie dhe që t’i intergojë në atë mënyrë që të jenë pjesë e interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mos të harrojmë, Kosova është shteti më pro-amerikan në Evropë dhe kjo është një letër hyrëse për komunikim me cilëndo administratë.

Zëri i Amerikës: Këto ditë u nda nga jeta Ambasadori Morton Abramowitz, i cili ishte i përfshirë në proceset që u dhanë fund luftërave në ish Jugosllavi e po ashtu ishte edhe këshilltar i qeverisë së Kosovës në procese të ndryshme. A druheni se me kalimin e viteve dhe ndryshimin e brezave Kosova po e humbet një memorie ndërkombëtare institucionale dhe kontekstin që e rrethon atë?

Veton Surroi: Natyrisht po humbim njerëz shumë të dashur dhe të mirë, njerëz që na kanë ndihmuar shumë, roli i të cilëve për fat të keq nuk njihet aq shumë as në Kosovë, por ajo çka ndodh është se kemi hyrë në një botë krejt tjetër dhe në këtë botë krejt tjetër, e cila është krejtësisht e ndryshme prej asaj të fundit të shekullit 20, kur është zgjidhur çështja e Kosovës me ndërhyrjen, me çlirimin e Kosovës, me vendosjen e mundësisë që në mënyrë evolutive të shpallet pavarësia, kemi hyrë në një botë e cila ndryshon dhe në të cilën duhet të krijohen marrëdhënie të reja, me njerëz të rinj.

Zëri i Amerikës: A mendoni që Kosova është e përgatitur për këtë fazë të ardhshme?

Veton Surroi: Po kjo është si puna e testimit të ujërave në liqen apo në det. Duhet të hidhet njeriu dhe të notojë.

Mjeshtër i MADH dhe Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut Gëzim Tushi: -Pse jemi shoqëri kaq e dhunshme dhe e kriminalizuar?- Intervistoi Fran Gjoka

Situata sociale në Shqipëri duket disi e tronditur nga një seri krimesh që po ndodhin pothuajse çdo ditë. Si mendoni Ju për këtë gjendje? Cilat janë shkaqet e kësaj situate?

Është e vërtetë që ka kohë që situate sociale në shoqërinë shqiptare është tronditur ekzistencialisht nga përmasat e zgjeruara dhe gjithnjë në rritje të krimit, fenomen social që ka kapur të gjitha institucionet bazë të shoqërisë, strukturat e autoritetit social dhe institucionet themelore të qytetërimit tonë. “Limfa” e krimit është bërë gati si buka e përditshme për ne. Madje duket sikur ka edhe një proces paradoksal të adoptimit të shoqërisë me këtë nivel të lartë të kriminalitetit.
Ontologjia dhe fenomenologjia e krimit është bërë banale dhe e sofistikuar. Ajo ka të tërë gamën e njohur të kriminalitetit nga ai banal e për motive të dobta deri tek tendencat për shfaqjen e krimit të organizuar dhe inicimin e organizatave kriminale. Një fenomen, që nga pikëpamja gjeografike, është pothuaj e ndodhur kudo: në zonat urbane e qytetet metropolitan, në zonat periferike periurbane e rurale, në familje e shkollë, në jetën publike e sjelljet komunitare. Dukuria e kriminalitetit, qoftë nga pikëpamja moshore apo gjinore gjithashtu, është tejet prezent. Të përfshirë në këtë veprimtari janë burra e gra, të rinj, madje nga ky infeksion social kanë filluar të mos jenë të imunizuar as fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë. Ulja e moshës së fillimit të veprimeve kriminale, sikurse ishte rasti i ngjarjes makabre në ambintet e shkollës “Fan Noli” është bërë shqetësues.
Shkaqet e kësaj situate kërkojnë diagnostikime të gjëra, komplekse dhe shumëdimensionale, sepse ato janë shkaqe të ndërlikuara, të përziera, sintetike dhe sinkretike. Megjithatë sociologjia e krimit në kuptimin e përgjithshëm social apo edhe mikrosociologjia e shkaqeve të kapilarizuara në jetën e institucioneve apo të personalizuara me individë të caktuar, të përfshirë në botën e erët të krimit, dëshmojnë se ky zgjerim i aktivitetit kriminal, ky nivel i akseleruar i dhunës sociale ka shkaqet e veta, me natyrë historike, kulturore, edukative, shoqërore dhe individuale.
Sipas mendimit tim, krimi në shoqërinë tonë është i lidhur me shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, sidomos me problemin e situatës së destabilizuar të institucioneve kryesore të autoritetit social dhe sigurisë morale. Ka një dobësim të dukshëm të “makinerisë edukative” që ka role formuese e parandaluese për formimin qytetar. Në këtë kontekst është reduktuar roli i strukturës së familjes në procesin e edukimit, është reduktuar koha dhe cilësia e prindërimit në marrëdhëniet e prindërve me fëmijët, nën pretekstin e angazhimeve jashtë familjare. Po ashtu dëmtime serioze në aspektin e edukimit ka pësuar edhe shkolla, si institucioni më autoritar për formimin qytetar të brezit të ri, si mekanizmi që ka të gjitha mundësitë t’u mësojë fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve mënyrat e sjelljes jo agresive e kriminale, por rrugën humane të zgjidhjes së kontradiktave dhe konflikteve të natyrshme nëpërmjet komunikimit, tolerancës, mirëkuptimit, etj. Të gjitha këto mekanizma kanë nevojë të ridimensionojnë punën e tyre, sepse ato janë institucionet themelore e influente që mund të ndikojnë në edukimin qytetar dhe parandalimin e krimit.
Padyshim, në këtë situatë, ka përgjegjësinë e vet edhe shteti bashkë me strukturat e veta të drejtësisë, policisë dhe ndëshkimit të krimit. Asnjë toletrancë nuk i duhet bërë krimit. Ndëshkimi i kriminelëve është kusht për të vënë në vendin e duhur shtetin ligjor.

Vritet një fëmijë adoleshent, 14 vjeçar, në mes të rrugës, pranë shkollës. Si e shikoni këtë moment: rastësi apo ndikim negativ nga rrjetet sociale, mosfunksionim të familjes në procesin e edukimit, neglizhencë e shkollës, paaftësi dhe mungesë përgjegjësie e sistemit të edukimit dhe të mbrojtjes së fëmijëve nga ana e mësuesve, oficerit të sigurisë, shërbimit psiko-social në shkollë apo çfarë?

Pa dashur që shkollën ta bëjmë “kokë turku” dhe t’i shkarkojmë tërë përgjegjësitë dhe mangësitë e integruara të gjithë makinerisë edukative, duhet të pranojmë se pas kësaj ngjarje dhe shumë ngjarjeve të tjera të akteve të dhunës dhe krimit midis dhe ndërmjet adoleshentëve, është edhe shkolla si institucion dhe mësuesit si aktorë kryesorë të saj. Ngjarjet skandaloze të dhunshme e kriminale që kanë ndodhur në shkollat tona e shtrojnë si detyrë imperative ndryshimin dhe përsosjen e ndikimit të mekanizmave social-psikologjikë e pedagogjikë të edukimit, sepse shkolla nuk duhet konsideruar vetëm si institucioni kryesor i dijes, por mbi të gjitha si institucioni themelor i edukimit qytetar, sepse në shkollë nxënësit dhe adoleshentët jo thjesht vetëm shkollohen, por aty edukohet si njeri që ka mundësi të zgjedhë rrugën e duhur të jetës.
Për t’i mësuar fëmijët dhe adoleshentët se si të gatuajnë “supën e jetës” duhet të funksionojnë të “dy kuzhinat” edukative: familja dhe shkolla. Shkolla ka të gjitha mundësitë e plotësimit të dy detyrave themelore të misionit të saj institucional dhe eduktiv, duke kombinuar luftën për formimin intelektual përmes dijeve mësimore, por e kombinuar kjo edhe me vetëzhvillimin e drejtuar të adoleshentëve. Duhet shkundur shkolla nga situatat rutinore dhe indiferenca edukative, duke përmirësuar sa më shumë të jetë e mundur kuotat e komunikimit empatik dhe bashkëpunimin e frutshëm, me efiçiencë edukative në marrëdhëniet e tyre me adoleshentët. Nxënësit kanë nevojë për horizont kulturor, po aq, në mos më shumë se sa për horizont shpirtëror dhe qytetar. Nuk ka pse të na vijë keq, besoj se në shumë raste në shkolla puna edukative ose është e përciptë, pa shpirt dhe empati ose është “veprimtari e lodhur”. Është e vërtetë që shkolla po përballet me furitë, turbulencat, rebelizmin dhe shfaqje të anarkisë moshore, sepse adoleshentët e kohës sonë janë të përbërë nga tjetër “materie sociale”. Kjo është arsyeja e tronditjes së mësuesve dhe e marramendjes së shkollës.
Padyshim ndikimi i gjëndjes së shoqërisë tonë, ka ndikimet e veta në punën, sukseset apo difektet e shkollës, sepse ai është institucion i “interferuar” dhe jo i izoluar nga ndikimet pozitive apo influencat patologjike e toksike të shoqërisë shqiptare. Në këto rrethana duket që jo vetëm familja, por dhe koha është në “kohë të vështirë” për të përmbushur kërkesat edukative dhe deontologjike të saj. Situatat që kalon shkolla në marrëdhëniet me adoleshentët nuk kërkon trajtime “en block” të problemeve, konflikteve dhe ballafaqimit me adoleshentët, as diagnostikime të përgjithshme statistikore apo burokratike. Shkolla ka nevojë për diagnostikime kapilare e të personalizuara të çdo adoleshenti, të tipologjisë dhe fenomenologjisë së shfaqjeve. Këtë mund ta bëjnë vetëm mësues me personalitet dhe integritet.

Përse jemi një shoqëri kaq e dhunshme, një dhunë e futur kaq thellë, deri në familje, deri në moshat e vogla? Cilët mund të jenë faktorët që ndikojnë sot në këtë drejtim?

Po, është e vërtetë që kohët e fundit sidomos shoqëria shqiptare po përballet me nivele të larta të dhunës, në të gjitha format e mundshme të saj, që nga ato antiqytetare e deri në akte të bujshme kriminale. Për fat të keq, dhuna në familje është në zgjerim. Sidomos kjo e shkarkuar padrejtësisht mbi gratë dhe fëmijët.
Në fakt u bënë tri dekada e gjysëm që në shoqërinë tonë përditë, në mënyrë të vazhdueshme, po përballemi me forma të llahtarshme të krimit, tipologji të tilla të sjelljes së përbindshme, që jo vetëm e kanë bërë atë fenomen social shumë intensiv, por akoma më keq, është bërë dukuri që synon të krijojë në shoqërinë tonë klimën e adoptimit social, herë në mënyrë lineare e paqësore e herë të tjera të detyruar e me dhunë sociale, praninë dhe pranimin e kësaj të keqeje të madhe, këtij shqetësimi të përbashkët për individin dhe shoqërinë shqiptare në tërësi. Paradoksalisht me kalimin e kohës, situata e krimit është ekzagjeruar keq.
Në mënyrë të sintetizuar, duke vlerësuar objektivisht e sociologjikisht fenomenin, duhet pranuar se situata e krimit të organizuar dhe ordiner në Shqipëri është tejet e zymtë. Në se këtë analizë sociale dhe sociologjike do ta bëjmë drejt, objektivisht, pa subjektivizëm dhe njëanshmëri, mund të themi se të duket sikur burimet e krimit janë në përmasa të tilla, që e bëjnë të dyshimtë ecjen tonë drejt progresit social, realizimit të normave europiane dhe standardeve sociale të qytetërimit postmodern.
Besoj se duhet të “zgjohemi” nga gjumi social dhe të kuptojmë se në totalin e vet, krimi në shoqërinë tonë ka bërë që situata të jetë e tillë, nga që sasia e kriminelëve dhe cilësitë e krimit janë bërë të tilla, që kanë filluar të gërryejnë “muret e ekzistencës” dhe funksionimit normal të organizimeve kryesore të jetës sociale, familjes, qytetit, komuniteteve dhe shoqërisë shqiptare në tërësi, duke vënë në rrezik serioz modalitetet e ndërtimit të marrëdhënieve njerëzore, sigurimin e kushteve të duhura të funksionimit të paqes sociale në Shqipëri.
Ajo që është tejet shqetësuese në këto momente, që duhet të na bëjë të mendojmë mirë, lidhur me shkaqet dhe situatën e përhapjes masive të krimit, janë shfaqjet e një lloj qëndrimi pajtues, konformist të shoqëruara më një indiferencë sociale, pajtueshmërie pasive. Kjo përbën rrezik pse është një mënyrë e rafinuar, për të na bërë të përshtatemi me praninë e krimit në jetën e përditshme, duke e patur gjithnjë pranë dhe afër nesh, madje pa shumë shqetësim social të lloj-lloj krimeve dhe kriminelëve që i kryejnë ato.
Kultura e pasivitetit, e pajtimit indiferent me këto situata, është njëri nga shkaqet madhore të përhapjes intensive dhe ekstensive të krimit në shoqëri. Sondazhet sociale tregojnë se niveli social i kuptimit dhe reagimit social ndaj krimit në shoqërinë tonë, është tmerrësisht i ulët. Ky është faktori që po favorizon përhapjen dhe zgjerimin e tij në familje, shkollë, ambinete publike, komunitet e kudo. Duket dhe ka një perceptim publik, që tregon se strukturat e shtetit dhe reagimi social, po bëhen të pafuqishme përballë ligësisë së krimit. Kjo është një situatë që duhet përballuar. Sepse krimi jo vetëm ndikon në “shqepjen e tegelave” të shoqërisë, por ndikon edhe në shfaqjen e “krisjeve sociale” të unitetit të shoqërisë përballë të keqes personale dhe ligësisë sociale…

Mos vallë institucionet demokratike e kanë humbur besimin tek njerëzit apo këto institucione nuk janë të afta të veprojnë apo të gjejnë mënyrat e duhura për t’i parandaluar, jo me forcë, por me veprime dhe ligje inteligjente që njerëzit të bëhen të vetëdijshëm për të mos përdorur dhunën si zgjidhje?

Ka kohë që paradoksalisht në shoqërinë shqiptare po qarkullon gjërësisht ideja e zgjidhjes së problemeve me forcë dhe ideja e krijimit të “njeriut të fortë”. Kjo “limfë ideologjike” shumë e përhapur dhe toksike ka kapur individë, madje edhe grupe sociale e shtresa të gjëra të shoqërisë tonë. Madje ky është një nga shkaqet pse dhuna, bullizimi dhe krimi me gjak të ftohtë po shfaqet edhe në konfliktet dhe rivalitetet moshore të adoleshentëve. Edhe aty po shfaqet “fantazma” e njeriut të fortë dhe e përdorimit pragmatist të dhunës për të qënë “dikushi” në grup apo i afirmuar si “i forti” i klasës apo shkollës.
Sigurisht situata është e lidhur me shumë faktorë historikë, kulturorë, social, të traditës së familjes patriarkale e paternaliste, me “abortin” edukativ të përpjekjes së dështuar gysëmshekullore për krijimin e “njeriut të ri”, etj. Por tani situata është agravuar, nga që janë tkurur, rrudhur, indiferentizuar institucionet kryesore të “autoritetit” dhe sigurisë sociale.
Sociologët evidentojnë si shkaktare të situatës faktin që shoqërive të sotme po i “shqepen tegelat” social nga që ka një rënie progresive të autoritetit edukativ të familjes dhe shkollës, por dhe dobësim të veprimit të drejtësisë ligjore, parandaluese dhe ndëshkuese të organeve të shtetit, për të ndëshkuar pa hezitim krimin dhe për të bërë “zap” kriminelët, të cilët po tentojnë të formojnë grupe sociale për t’iu kundërvënë institucioneve të shtetit, ligjeve dhge shoqërisë. Në këto rrethana shoqëria ka nevojë për një strategji të integruar, polivalente e shumë faktoriale për të bashkuar në një strukturë kompakte të gjithë faktorët, aktorët dhe institucionet për të rregulluar ekuacionin e duhur ekzistencial për të përballur këtë valë të zgjeruar të kriminalitetit.
Sigurisht, duke rregulluar metafizikën dhe funksionin komplementar të insiticioneve të edukimit dhe parandalimit me ato të drejtësisë dhe ndëshkimit ligjor. Kjo është ajo që presin qytetarët dhe shoqëria shqiptare, si mënyra e vetme për të zbutur intensitetin e krimit në shoqërinë tonë.

Gjuha e politikës, dhuna në institucione, a mos janë disa nga shkaqet që ndikojnë negativisht në gjithë ambientin social dhe deri në familje?

Padyshim, politika ka përgjegjësitë e veta në këtë situatë të agravuar të krimit në shoqërinë tonë. Politika, politikanët dhe ata që janë në “bordin e shoqërisë” dhe që kanë detyrën dhe përgjegjësinë e administrimit të situatës sociale, shumë shpesh janë faktorë të nxitjes së intolerancës politike, agresivitetit konkurencial, dhunës verbale, psikologjike e fizike, duke i kthyer ato paradoksialisht në mjete aspak adekuate të luftës politike midis palëve alternative e kundërshtare politike.
Gjuha e drujtë, akuzat e pabazuara, replikat formale pa substancë dhe si qëllim në vetvete, janë faktorë që nxitin zgjerimin e neurotizmit social në jetën shoqërore, me ndikim edhe në komportimin psiko-social të njerëzve tanë në familje, shkollë dhe jetën shoqërore. Politika ka mëkatet e veta në këtë situatë. Ajo duhet t’i njohë përgjegjësitë e veta dhe të bëhet “ilaçi i duhur” për të ndihmuar përmirësim, pse jo edhe shërimin e plagëve të dhunës dhe kriminalitetit në shoqëri. Në këtë kontekst, edhe institucionet fetare, media dhe shoqëria civile kanë rolin dhe përgjegjësitë e tyre. Të gjithë si individë, si shoqëri dhe bashkë me institucionet sociale, jemi përballë një beteje të madhe qytetare dhe qytetëruese për t’u përballur qytetarisht me dhunën dhe krimin. Kjo kërkon strutura të integruara, kohezive, bashkëpunuese e kompakte për të bërë të mundur zbutjen e agresivitetit social, shëndoshjen e institucioneve të edukimit dhe harmonizimin e interesave midis individit, familjes, shkollës dhe shoqërisë.

E bija e Lasgush Poradecit rrëfim të ndjerë në ‘Odeon’: E lanë pa varr

Në “Odeon”, e bija e poetit Lasgush Poradeci shprehu një zhgënjim të thellë për mungesën e vëmendjes dhe respektit ndaj trashëgimisë së babait të saj nga autoritetet vendore dhe shtetërore. Ajo kritikon hapur qasjen utilitariste dhe mungesën e ndjeshmërisë kulturore të zyrtarëve, duke i përmendur problemet si mungesa e një muzeu për Lasgushin, shembja e shtëpisë së tij dhe neglizhenca në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Po ashtu, ajo nxjerr në pah mungesën e etikës dhe profesionalizmit nga ana e drejtuesve të institucioneve.

Marie Gusho bënë apel për një qasje më njerëzore dhe kulturore ndaj figurave historike, që të mos shihet gjithçka përmes prizmit të përfitimit ekonomik apo politik, por përmes vlerës shpirtërore dhe kombëtare që ato përfaqësojnë.

PJESE NGA BISEDA

Egla Xhemalaj: Që kur keni bërë bisedat e para për bustin, për varrin e tij, çfarë ka ndryshuar?

E bija: Asgjë s’ka ndryshuar! Se nuk e kanë mendjen aty, ata e kanë mendjen te ky tenderi, te këto lekët që do ndahen nuk e kanë mendjen. Ata kujtojnë se ma bëjnë mua, ata ja bëjnë fëmijëve të vet, ata ja bëjnë të ardhmes. Ata në qoftë se do të kishin bërë muzeun ata mund të prodhonin të ardhura aty muzeu e mban vetë veten e vet atje. Ata edhe në qoftëse bëjnë një aktivitet e bëjnë që ti vijnë lekët dhe të bëjnë faturën në fund fare. Pogradeci është një qytet pa elitë intelektuale. Çfarë i kushton Pogradecit? Nuk bëjnë asgjë, ata bëjnë vetëm hesape, vetëm hesape. Pse? Sepse.. ti mos vendos kryetar Bashkie atë që është i veshur me lekë ti vendos një tjetër që është i veshur me zemër që të jetë i veshur me shpirt, jo atë që është me lekë.

Egla Xhemalaj: Marie a e keni pasur ju një urë komunikimi me Kryetarin e Bashkisë së Pogradecit për të folur për këto problematika?

E bija: Është i paedukatë fare! Është i paedukatë fare.

Egla Xhemalaj: Si ju ka pritur?

E bija: Jo nuk më ka pritur, por që i kam çuar haber, “ik more aty tii”. Një komb ka bërë përpara,e  di kur, kur kryeministri mban në krah ministrin e Kulturës, jo Ministrin e Financave që janë lekët dhe ministrinë e Brendshme që është krimi. Këtu Ministri i Ekonomisë e Ministri i Brendshëm. Megjithëse kishte një vendim nga Ministria e Kulturës që të shpenzohen kaq lekë për t’i bërë varrin Lasgushit nuk ja bënë. Kam nisur një korrespondencë që të bëhet muzeu i Lasgush Poradecit jo shtëpia, sepse shtëpinë ata e shembën. E shembi shteti shtëpinë. Pse e shembi shteti shtëpinë? Pse ja hoqi shteti emrin shtëpisë së Kulturës? Pse nuk e pastron shteti atë, ka një institucion që pastron monumentet? Nuk po them që na e kanë vjedhur që rri devolliu atje, rri fshatari bën biznes dhe ne gocat e Lasgushit rrimë nëpër gjyqe.

Në këtë kontekst, kritikat e saj pasqyrojnë një realitet më të gjerë për mënyrën si trajtohet trashëgimia kulturore në Shqipëri dhe mungesën e vëmendjes ndaj figurave që kanë kontribuar në pasurimin e kulturës dhe identitetit kombëtar.

‘Babai më krijoi vetësigurinë’- Robert Budina në A Show: Nëse studentët e ’90-tës s’do ngriheshin, sot do ishim…

I ftuar në A Show në SYRI TV me Adi Krastën, regjizori Robert Budina, ka rrëfyer nëpërmjet fotove karrierën e tij artistike, jetën familjare, punë në kinema dhe deri te filmi i fundit që ka realizuar.

Duke u ndalur te familja e ngushtë, Budina theksoi se babai i tij është ai që i ka krijuar vetësigurinë duke ia nxitur që i vogël.

‘Njëherë më mori 5-vjeç në Malin e Thatë dhe më tha shtype këtu dhe unë e shtypa, shpërtheu mali dhe unë u thosha shokëve që hodha malin në erë dhe ata më thoshin që gënjen, po jo u thoja unë unë e hodha dhe kjo më ka krijoi një vetësiguri dhe ai ma nxiti këtë vetësiguri’, u shpreh Budina.

Intervista në studio: 

Budina: Babai im Janaqi dhe Leta. Të dy më kanë rritur me…babi ka qënë i tmerrshëm, derisa u bëra 20-vjeç thoshte ‘po lërëni mo foshnjen, po ç’keni me foshnjen’. Nuk më bërtit kurrë.

Krasta: Ka qënë ndryshe me ty në raport me familjen?

Budina: Besoj se po, më ka dashur më shumë se të tjerët, më ka përkëdhelur pafund, më ka rritur me një autoritet të jashtëzakonshëm, s’më ka bërtitur kurrë. Njëherë më mori 5-vjeç në Malin e Thatë dhe më tha shtype këtu dhe unë e shtypa, shpërtheu mali dhe unë u thosha shokëve që hodha malin në erë dhe ata më thoshin që gënjen, po jo u thoja unë unë e hodha dhe kjo më ka krijoi një vetësiguri dhe ai ma nxiti këtë vetësiguri.

Gjithashtu Budina u ndal edhe te zhvillimet politike në Shqipëri pas protestës së studentëve të 1990 dhe si ndikoi ajo në ngjarjet e mëvonshme.

Sipas regjisorit, ‘nëse studentët nuk do kishin reaguar ne sot do të ishim një Kurdistan’.

Intervista në studio: 

Budina: Jemi në grevën e urisë që konkuldoi me hedhjen e bustit. Ai është Floriel Selenica. Kemi qënë në grevën e urisë shumë miq e shokë që lëviznim lartë e poshtë. Në grevën e urisë kam qënë i angazhuar. Gjithçka ka filluar te Akademia e Arteve.

Krasta: Kjo grevë i ka gjetur pak njerëzit të papërgatitur në atë kohë?

Budina: Një një moment të caktuar, pas një takimi me Ramiz Alinë na erdhën dhe na thanë  se mund të dalim sepse rrezikojmë shumë dhe të 700 studentë që ishin aty iu kundërvunë atyre që e thanë këtë mendim dhe u ngrit një valë emonicioni dhe të nesërmen 100 mijë shqiptarë që bërtisnin ‘Liri Demokraci’ dhe unë shpesh mërzitem pak interpretimet që thonë që gjithçka ishte e pilotuar nga Ramiz Alia, por unë të siguroi që nëse studentët nuk do kishin reaguar ne sot do të ishim një Kurdistan.

Intervista- Judah: Kthimi i Grenellit mund të sjellë shqetësime për Qeverinë e Kosovës

Analisti britanik, Tim Judah.

 

Enis Shaqiri

Ende pa u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, analistë e vëzhgues të shumtë shtrojnë gjithnjë e më shumë çështjen e pozicionimit të administratës së re amerikane, të presidentit Donald Trump, lidhur me vatrat aktuale të krizës në botë, pa e përjashtuar këtu edhe rajonin e Ballkanit.

Analisti britanik, Tim Judah, thotë për Radion Evropa e Lirë se është herët të flitet për këtë për shkak se kjo do të varet nga ata që do të emërohen në detyra të caktuara.

Rikthimi eventual i Richard Grenellit, i cili gjatë administratës Trump ishte përfaqësues amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, do të ishte me ndikim të rëndësishëm dhe për këtë, Qeveria në Prishtinë mund të ketë arsye për t’u shqetësuar, thotë ai.

Judah shprehet skeptik për mundësinë që administrata e re Trump të arrijë një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:

“Trump u përpoq edhe më parë. Kishte një nënshkrim të famshëm në Uashington për dy marrëveshje të veçanta, por asgjë e madhe nuk doli prej tyre”, shprehet Judah në intervistën për REL.

Radio Evropa e Lirë: Cilat mendoni se do të jenë prioritetet e mundshme të administratës së re të presidentit Trump për Ballkanin Perëndimor?

Tim Judah: Nuk mendoj se z. Trump ka menduar ndonjëherë për Ballkanin. Ka disa njerëz rreth tij, si Richard Grenell, të cilët sigurisht se kanë menduar për Ballkanin.

Ajo që do të ndodhë, varet nga ata që do të emërohen në detyra të caktuara. Për shembull, a do të kthehet Richard Grennell, i cili luajti një rol të rëndësishëm më parë? A do të jetë sërish me ndikim? Në atë rast, mendoj se ndoshta ka arsye për t’u shqetësuar, veçanërisht për Qeverinë në Prishtinë.

Nëse e pyesni Trumpin sot, cilat janë prioritetet tuaja në Ballkan, mendoj se ai ndoshta nuk do të kishte ide, ndoshta do të kishte vështirësi edhe për ta gjetur Ballkanin në hartë, pra, nuk mendoj se Ballkani është në listën e çështjeve të tij kryesore. Megjithatë, ai duhet të emërojë persona që do të hartojnë politika dhe të merren me pjesën tjetër të botës. Le të shohim se kë do ta caktojë.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se administrata e re e Trumpit do të jetë në gjendje të arrijë një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Tim Judah: Mendoj se nuk ka gjasa, sepse në fund të ditës, duhet të ketë vullnet politik në Kosovë dhe në Serbi, apo në qeveritë e tjera paraprake të Kosovës dhe Serbisë. Aktualisht, nuk mendoj se ka ndonjë vullnet politik për ta bërë këtë, pra nuk ka shumë rëndësi. Dua të them, po, sigurisht, është e rëndësishme nëse amerikanët dhe evropianët janë të bashkuar dhe mbështesin një formë zgjidhjeje. Fakt është se ata kanë qenë të bashkuar edhe në vitet e fundit, por problemi ka qenë te mungesa e vullnetit politik në Beograd dhe në Prishtinë. E dini, z. Trump u përpoq më parë. Kishte një nënshkrim të famshëm në Uashington për dy marrëveshje të ndara, por asgjë e madhe nuk doli prej tyre. Kështu që nuk jam i sigurt nëse do të ketë ndryshime në administratën e dytë të Trumpit.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, vëzhguesit nuk e përjashtojnë mundësinë e një konfrontimi tjetër të lokalizuar në veriun e Kosovës për të arritur një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy shteteve. Çfarë mendoni?

Tim Judah: Kjo tingëllon si një teori konspirative. Nuk besoj se dikush në Uashington do të pajtohej që të ketë një lloj konfrontimi në veri për të arritur një marrëveshje. Nuk pajtohem me këtë. Mendoj se do të ketë një marrëveshje për veriun e Kosovës kur të ketë vullnet politik për ta bërë këtë, në Prishtinë dhe në Beograd.

Radio Evropa e Lirë: Me presidentin Trump, a prisni ulje të tensioneve në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë për shkak të ndikimit serbo-rus?

Tim Judah: Mendoj se është shumë herët. Do të varet nga ata që do të emërohen në pozicione të caktuara në administratë. Mendoj se ka njerëz që mendojnë, ndoshta me të drejtë, se disa nga njerëzit e Trumpit, përsëri po e përmend z. Grenell, kanë qenë qartësisht proserbë. Nëse Grenell, për shembull, kthehet në një pozicion të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë ose në administratën e re, po – atëherë ka arsye për t’u shqetësuar në Kosovë dhe në Bosnjë. Po ritheksoj, ende nuk e dimë se kush çfarë do të bëjë në administratën e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Duke qenë se po flasim për këto çështje në Maqedoninë e Veriut, çfarë mund të presim nga administrata e re e SHBA-së për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë, veçanërisht për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë?

Tim Judah: Nuk jam plotësisht i sigurt pse një administratë e re duhet të jetë ndryshe nga ajo e mëparshmja në këtë drejtim? Nuk e kuptoj pse. Mendoj se nuk ka arsye që ata të mos vazhdojnë me të njëjtën politikë dhe të përpiqen ta bindin Qeverinë të bëjë atë që është e nevojshme. Megjithatë, nuk jam i bindur se do të ketë ndonjë ndryshim të madh në politikë. Nuk shoh arsye. Dhe, mendoj se problemi nuk është vetëm këtu; është gjithashtu paqëndrueshmëria politike në Bullgari pas shtatë palë zgjedhjeve në vitet e fundit.

Ka probleme këtu, ka probleme gjithashtu edhe në Bullgari. Çështje të tilla, veçanërisht ajo e Bullgarisë, nuk lidhen me amerikanët dhe nuk kanë të bëjnë me asgjë që ata mund të ndikojnë. Kështu që, nuk shoh arsye pse të ketë ndryshim në këtë aspekt në lidhje me Maqedoninë e Veriut.

Radio Evropa e Lirë: Krejtësisht në fund, si mendoni se do të ndikojë politika e jashtme e Trumpit në Ukrainë dhe në krizën aktuale atje, veçanërisht duke marrë parasysh angazhimet e tij të mëparshme me Rusinë dhe qëndrimet e tij për NATO-n?

Tim Judah: Trump ka deklaruar triumfalisht se mund ta përfundojë luftën në Ukrainë brenda 24 orëve. Ndërsa, J.D. Vance, i përfolur si zëvendëspresident i mundshëm, ka thënë se zgjidhja duhet të përfshijë që Ukraina të heqë dorë nga territoret e humbura dhe të mos anëtarësohet në NATO, gjë që nënkupton mungesë të garancive të sigurisë – diçka që ukrainasit me siguri nuk do ta pranonin.

Ata mund të detyrohen të pranojnë nëse Trump vendos të ndërpresë furnizimin me armë dhe municione për Ukrainën, por përsëri është herët për të nxjerrë përfundime, sepse ka shumë forca brenda Partisë Republikane që përfundimisht nuk duan ta braktisin Ukrainën dhe do të donin të përballeshin me Rusinë.

Vendimi, pra, nuk do të jetë plotësisht në dorën e Trumpit. Sigurisht, ai është padyshim lojtari kryesor në çështjen e Ukrainës, por jo i vetmi. Për më tepër, Trump është i paparashikueshëm. Është si me financat.

Ju shihni reklama për investime dhe thuhet, të paktën në Britani, performanca e kaluar nuk është udhëzues për të ardhmen. Dhe, mendoj se kjo mund të thuhet edhe për Trumpin. Performanca e kaluar dhe gjërat që ai ka thënë në të kaluarën mund të mos jenë udhëzues për të ardhmen. Prandaj, le të shohim. Fatkeqësisht, ende nuk e dimë. Është shumë herët.

Burgosja e opozitës – Berisha në intervistën për Rai3, ‘Il Cavallo e la Torre’: Ne jemi në një regjim diktatorial

Kreu i opozitës Sali Berisha ka thënë një intervistë për kanalin italian Rai3. Ai ka komentuar gjendjen e opozitës në Shqipëri por edhe marrëveshjen e Melonit me kreun e qeverisë shqiptare për emigrantët.

Biseda:

Gazetari: Ju çdo ditë dilni në ballkon dhe flisni me përkrahësit tuaj. Aktualisht ndodheni në arrest shtëpiak.

Berisha: Unë vazhdoj betejën time për vlerat në të cilat besoj, për parimet që mbroj. Kauza është e drejtë.

Gazetari: Sipas ligjit shqiptar, a mund ta jepni këtë intervistë?

Berisha: Sipas ligjit shqiptar, po; sipas vendimeve të skllevërve të Edi Ramës, jo.

Berisha: Marrëveshja ‘Meloni-Rama’ nuk ishte e pranueshme për ne.

Gazetari: Po flisni për marrëveshjen për të huajt në veri të Shqipërisë?

Image

Berisha: Po, për këtë.

Gazetari: Jeni kundër kësaj marrëveshjeje?

Berisha: Ne kemi qenë gjithmonë kundër për një arsye të vetme: të drejtat e njeriut! Kjo ka qenë marrëveshja më e fshehtë pas Luftës së Dytë Botërore që kam parë ndonjëherë. Presidenti i Republikës së Shqipërisë e mësoi nga TV. Ai ishte në një konferencë kur gazetarët e pyetën dhe ai nuk dinte asgjë.

Gazetari: Giorgia Meloni po ndjek një politikë të eksternalizimit të kufijve.

Berisha: Absolutisht nuk mendoj se kjo është zgjidhja: të jemi një rezervuar për emigrantët që shkojnë në vendet europiane nuk mund të pranohet.

Gazetari: A mund t’ju pyes, ju personalisht çfarë marrëdhënie keni me Giorgia Melonin?

Berisha: E kam admiruar Melonin si një “makinë” të jashtëzakonshme elektorale. Ajo ka qenë një fenomen elektoral. U bë violina e parë e politikës italiane.

Gazetari: Por ka lindur një miqësi e madhe mes Melonit dhe Edi Ramës?

Image

Berisha: Edi Rama është një bluffist, ai tha se nuk humb asgjë. Tha se gjithçka është italiane, sepse ai e dinte se do të kishte një problem të gjatë nga këndvështrimi i marrëdhënieve publike, mediave dhe organizatave për të drejtat e njeriut. Ai e dinte këtë dhe donte të bënte sikur nuk kishte asnjë lidhje me këto probleme.

Gazetari: Pra, ai po ia heq përgjegjësinë vetes dhe ia kalon Giorgia Melonit?

Berisha: Po!

Gazetari: Por atëherë pse Giorgia Meloni u hodh në këtë ide të dy qendrave në Shqipëri?

Berisha: Nuk e di dhe nuk e kam kuptuar këtë gjë, sepse Meloni bëri këtë marrëveshje shumë të rëndësishme në Europë.

Gazetari: Dhe Edi Rama pse e bëri?

Berisha: Rama bën gjithçka për të forcuar pushtetin e tij.

Gazetari: Për arsye të zgjedhjeve?

Berisha: Për arsye të zgjedhjeve, Rama ka kryer dhe krime të rënda.

Gazetari në protestë: Përkrahësit e Sali Berishës kanë bllokuar rrugën që të çon nga Tirana në Durrës. Ata protestojnë kundër qeverisë së Edi Ramës.

Berisha: Ne jemi në një regjim diktatorial. Qeveria kontrollon vullnetin e qytetarëve me mjete të ndryshme. Ne do të luftojmë me të gjitha forcat tona që shqiptarët të kenë të drejtën të votojnë si qytetarë të lirë. sn

Intervistë me Bedri Çokun: Unë, i mbijetuari i ferrit të Spaçit

Me Bedri Çokun, ish gjimnazistin e “Janaq Kilica’’ në qytetin e Fierit, i cili ka përjetuar dy dekada vite burg në të ashtuquajturin “ferri i Spaçit”, jam njohur në vitet e para të demokracisë, në pranverën e vitit 1994, gjatë promovimit të librit “Dy vëllezër në një prangë”, shkruar nga vetë ai dhe vëllai i tij, Çaush Çoku. Episodet emocionale që trajtoheshin në këtë libër me dy kapituj, Bedriu në prozë dhe Çaushi në poezi, më motivuan për zhvillimin e një interviste ekskluzive me Bedriun. Ai njihet dhe si protagonist i grevës që shpërtheu në vitin 1973 në burgun e Spaçit, ku dhe u ridënua. Gjatë viteve të demokracisë ai mbetet i dashuruar pas letërsisë, paçka se emërimi i tij në disa poste të rëndësishme shtetërore i jepnin shansin e karrierës së tij në politikë. I pasionuar në veçanti pas Dostojevskit dhe Kutelit, krahas mjaft dorëshkrimeve të dy romaneve dhe novelave, si analist në disa gazeta, kohët e fundit paraqitet përpara lexuesit me librin e ri mjaft domethënës “Plaku i Kenetës“. Intervista e zhvilluar mbart realitetin e viteve të komunizmit, ngjarjet reale në burgjet e diktaturës dhe zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Bedriu së bashku me të atin dhe dy vëllezërit, Çaushin dhe Esatin u dënua me 67 vite burg.

Intervistoi Fadil SHEHU

F.Shehu:- Cili është Bedri Çoku?

B.Çoku:- U linda në fshatin Muçias, Lushnjë, në vitin 1949. Në vitin 1951 babai im u dënua 20 vjet me heqje të lirisë, si kundërshtar i regjimit komunist dhe, njëkohësisht, u shpallë kulak, me konfiskim të pasurisë së tundshme e të patundshme. Të mbetur mes katër rrugëve pa shtëpi, pa katandi, u endëm ditë të tërë nëpër rrugët e baltosura të Myzeqesë, deri sa më në fund gjetëm strehim tek tezja e jonë, në Fier, Ankushe Boriçi, e martuar me Ali Boriçin. Ndenjëm aty deri sa Këshilli i Lagjes i asaj kohe na strehoi tek një ahur i Taq Bozos, ish tregtar para regjimit komunist, por që djemtë e tij gëzonin mirëkuptim me regjimin e ri. Këtë ahur Taq Bozo e kishte përdorur për kuajt e biroçes së vet. Ishte vetëm me katër muret dhe çatinë. Megjithatë, ishim të detyruar që, gruaja dhe bijtë e një “Armiku” te regjimit të kalonim jo pak, por 9 vjet të jetës sonë në ato kushte çnjerëzore. Shyqyr që në vitin 1959 ajo ngrehinë u rrëzua nga tërmeti i fuqishëm i po atij viti që ne të kishim të drejtë të strehoheshim në një banesë tjetër. Me një dhomë e kuzhinë në barakat e ndërtuar urgjentisht nga shteti i asaj kohe për të ndihmuar fatkeqit prej “zemërimit natyror”, në lagjen “1 Maj”, sikur vuri dorë zoti.

– A thua, me këtë rast, se mbaruan vuajtjet dhe peripecitë çnjerëzore për ju? – Jo. Sepse në vitin 1966, pikërisht sapo kisha hyrë në provimet e maturës, një vendim, sa absurd aq edhe kriminal, i Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë, urdhëronte për të gjitha familjet me “biografi të keqe”, të cilat jetonin dhe punonin me dekada apo shekuj nëpër qytetet e Shqipërisë, të dëboheshin apo të internoheshin me forcë për në fshatrat e ndryshme, nga më të prapambetura të vëndit. Ndërsa neve na rikthyen në fshatin tonë pasi “gëzonim” titullin makabër, kulak, për të cilin bashkëfshatarët ishin të indoktrinuar tashmë për të na ndëshkuar me urrejtje dhe indiferencën e tyre, siç ua kërkonte ideologjia komuniste e luftës së klasës.

-A ju kujtohet se sa familje u internuan apo u dëbuan së bashku me ju nga qyteti i Fierit ?

-Vetëm natën e dëbimit tonë, më 11 Qershor të vitit 1966, mund të jenë internuar apo dëbuar nga qyteti i Fierit, pa e ditur se ku, rreth 37 familje. Por kjo “fushatë”, në se mund ta quajmë kështu me fjalorin e kohës, vazhdoi muajt e mëvonshëm, dhe vitet e mëtejme, pothuajse vazhdimisht. Internimi dhe dëbimi në atë regjim u shndërrua në sistem. Ishte një nga hallkat shtrënguese dhe terrorizuese më makabre të atij regjimi.

-A e menduat, se qysh nga ajo ditë rrjedha e jetës për ju do të ishte ndryshe?

-Në të vërtetë unë, personalisht, kisha iluzione se, të paktën mua si Bedri, do të më toleronin, pasi isha gjimnast i kategorisë së parë, volejbollist, atlet, sporte me të cilat përfaqësoja edhe ngjyrat sportive të klubit “Apolonia”, axhamillëk, natyrisht. Por në atë moshë, 18 vjeçare, aq mund të gjykonte një njeri në pozitat e mia. Unë mendoja se do t’u vinte keq njerëzve të partisë e të pushtetit për talentin tim, por…

-Ju thatë, sapo kishit hyrë në provimet e maturës, por arritët vallë t’i jepnit të gjitha provimet?

-Jo vetëm që i mbarova të gjitha provimet e shtetit, por shkova edhe një muaj në aksionin e rinisë, në ndihmë të kooperativave bujqësore, siç organizoheshin atëherë, nga Komiteti i Rinisë së Rrethit, me nxënësit e shkollave të mesme. Këtë mundësi ma dhanë shokët e shoqet e mia, veçanërisht shoku im i ngushtë i të gjitha viteve shkollore, aktori, “Artisti i Merituar’’, Ahmet Pasha. Fjeta një muaj në shtëpinë e tij.

-A ju kujtohet dita, kur u ndatë nga shokët e shoqet e shkollës për të shkuar përfundimisht në internim?

-Edhe pse mësuesit e mësueset e shkollës më mbanin afër, më ngushëllonin për largimin tim nga qyteti dhe për pamundësinë time, me këtë rast për të vazhduar studimet e larta, gjithsesi unë isha i vrarë shpirtërisht. Veçanërisht i prekur për mua ishte mësuesi i matematikës, njëkohësisht dhe kujdestar klase, Sulejman Mehmeti, i cili jo vetëm që më ndihmoi për provimet e shtetit, por ishte i vetmi që erdhi së bashku me shokët e shoqet e klasës për të më përcjellë deri tek Ura e Sheqit. Me lot në sy u ndamë dhe me shpresë se një ditë do të bashkoheshim përsëri me njeri-tjetrin, po aq të dashur e të sinqertë.

-Ju keni qenë tre vëllezër në burg, me gjithë babanë katër, duke vuajtur gati 70 vite burg. Me Çaushin, vëllain e vogël keni botuar një libër, me titull “ Dy vëllezër në një prangë” , ai me poezi dhe ju me prozë, cila është e veçanta dhe e përbashkëta për ju të dy ?

-Me Çaushin kemi kaluar së bashku ditë e netë të tmerrshme në qelitë dhe burgjet komuniste. Them kështu se me të më bashkoi fati me dekada nën terrorin e paparë të regjimit. Na morën ushtar së bashku, na arrestuan, na dënuan dhe na ridënuan në burg po së bashku. Prandaj edhe sot në jetën e lirë ne jemi përsëri së bashku. Ndaj poeti Visar Zhiti, i cili i ka bërë parathënien librit tonë, është i mendimit se titulli që i është vënë, mund të jetë më i qëlluari për rastin tonë. Ne jemi arrestuar për agjitacion e propagandë, por edhe për poezitë e Çaushit dhe romanin tim me titull ‘Të dënuarit e pafajshëm” që Sigurimi i Shtetit i gjeti në shtëpi në dorëshkrime. Ne u ridënuam në kryengritjen e famshme të burgosurve politikë të Spaçit që u zhvillua në vitin 1973, si ndër pjesëmarrësit më aktiv të asaj kryengritje historike.

-Çfarë trajtonit në shkrimet tuaj të konfiskuara nga Sigurimi i Shtetit?

-Në poezitë e tij Çaushi i këndonte rinisë, dashurisë, fshatit myzeqar, nënës tonë të shumëvuajtur, vuajtjeve tona, izolimit të Shqipërisë etj. Ndërsa unë trajtoja në roman jetën e njerëzve që diktatura i ndëshkonte si nacionalistë, apo si bijtë e nipërit e tyre.

-Këto ditë ju keni nxjerrë nga shtypi një libër me titull “Plaku i Kënetës”, çfarë përfaqëson rrëfimi i plakut në librin tuaj ?

-Në parathënien e bërë nga zoti Novruz. R. Shehu thuhet me të drejtë se “Plaku i Kënetës” është një personazh gati i harruar në letërsinë shqiptare. I lënë pasdore apo i “internuar” qëllimisht në një ishull, pa nam e nishan. Si e si që në letërsinë e socrealizmit komunist të mbizotëronte personazhi i porositur nga partia , ai i besnikut të Partisë dhe armikut të të gjithëve që nuk e donin Partinë dhe diktaturën e saj të proletariatit ! “Plaku i kënetës” është një njeri i vërtetë i atyre viteve me cilësitë e fshatarit të trashëguara denbabaden, jashtë klisheve dhe mentalitetit komunist. Sa është i realizuar artistikisht dhe në përmbajtje këtë do ta thotë lexuesi.

-Në parathënien e “Plakut të Kënetës” thuhet se keni gati për botim tregime, novela dhe romane, kur do të shohin ato dritën e botimeve?

-Me siguri, sapo të gjendet sponsorizimi.

-Çfarë përjetuat kur nxorët nga botimi këtë libër?

–Të them të vërtetën ky është libri i dytë që botoj, sepse artikuj nëpër gazeta kam me qindra, gjithësesi është lumturi për mua kur mendoj se njerëzit do të kenë nëpër duar një“ krijesë” nga mendja dhe shpirti im.

-A mundet, të na tregoni se si ka ardhur krijimtaria artistike tek ju?

-Nuk besoj që dikush me dy pare mend në kokë të përpiqet të thotë se si i lindi atij dëshira për të pikturuar, për të shkruar poezi , romane, apo për të kompozuar këngë. Krijimtaria për mua erdhi si një nevojë e domosdoshme, në fillim për të thënë ato gjera që mendoja se ishte lumturi t’ia tregoja edhe të tjerëve. Me kalimin e kohës dëshira për të shkruar u bë një domosdoshmëri për t’u treguar të tjerëve padrejtësitë tokësore.

-Ju kujtoheni nga bashkëkohësit tuaj, si sportist i klasit të parë, muzikant virtuoz, por edhe si shkrimtar? Cilën mund të veçoni nga këto tre pasione?

-Të tre këto pasione i kam dashur dhe i dua tërë jetën. Sepse duke jetuar brenda meje ato kanë zënë rrënjë. Me këtë rast dua të them diçka që më rëndon në ndërgjegje. Nuk mund të rri pa e thënë një ditë. Fakti që unë në qytetin e Fierit kam qenë një sportist i shquar, i kategorisë së parë. Madje isha kandidat për Mjeshtër Sporti në gjimnastikë, këtë e dinë të gjithë. Përveç kësaj, mund të jem i vetmi sportist i klubit “Apolonia’ që u ndëshkova aq rëndë nga diktatura. Nuk më kanë thirrur as në një rast në përkujtimet festive të klubit “Apolonia’”, qoftë edhe si një sportist që kontribuova me sukses për disa vjet për ngjyrat e “Apolonisë”.

– A ka sekret mosha juaj, pasi tregoni më i ri nga ç’jeni?

-Po. Lëvizja, energjia,optimizmi.

-Cili është momenti më i gëzuar i jetës tuaj?

-22 Marsi. Fitorja e popullit shqiptar kundër komunizmit.

-Po më i hidhuri? (Në çast vështron tutje diku në horizont.)

-Ka shumë çaste, por unë mund të konsideroj atë kur mësova lajmin se përveç ne të dyve, mua dhe Çaushin që kishim vite e vite të prangosur, tani në pranga kishin vënë edhe vëllain e tretë, Esatin. Në shtëpinë tonë, me këtë rast, dy prindërve të moshuar, të lodhur e raskapitur nga lufta e stërzgjatur klasore, u kishte ardhur mandati i vdekjes.

-Ç’ishte nëna për ju, e cila tregohej me gisht në diktaturë, si “ gruaja e burrit dhe nëna e djemve “armiq të popullit dhe të partisë?”

-Nëna ime, përveç se ishte nëna ime e shtrenjtë, por ajo ishte dhe mbeti një simbol i rezistencës antikomuniste të nënave shqiptare.

-Cilët janë shkrimtarët që kanë ndikuar më shumë në formimin tuaj artistik në letërsi?

-Çdo vepër artistike më jep lumturi dhe më lartëson shpirtërisht, por për mjeshtërinë e të shkruarit, veçanërisht më ka tërhequr Dostojevski dhe Kuteli ynë.

-Si ndjeheni tani, pas 24 vite nga dita e lirimit si i burgosur, a janë arritur ato ideale që ju keni pasur e keni në mendjen dhe shpirtin tuaj ?

-Për këtë temë do të kisha dashur të isha i angazhuar tërësisht në një intervistë tjetër sepse është temë e gjerë dhe serioze.

-Ju faleminderit, zoti Bedri.

-Kënaqësia ishte e imja.

Intervistoi: Fadil Shehu/DIELLI


Send this to a friend