Pjesa e Parë
Ilir Ukidi u ngrit nga shtrati pak minuta para orës shtatë. Mori orën, që ishte vendosur mbi komodinën ngjitur me krevatin, çaktivizoi alarmin dhe e la përsëri në vend. Ky rit përsëritej pothuajse çdo ditë. Në mëngjes zgjohej gjithmonë para orës shtatë dhe çohej nga shtrojet më parë se të dëgjonte tringun përsëritës të ziles së orës. Ndonjëherë, me vetëdashje, e linte alarmin të aktivizuar disa sekonda, për të kontrolluar saktësinë e tij me kohën.Veshi pizhamat dhe me disa lëvizje të plogëta, shpihu duar e këmbë,qafën dhe bustin. Iu afrua dritares dhe ngriti grilën lart, siç bënte çdo mëngjes, për të vëzhguar motin. Qielli ishte gri. Retë ishin tepër lart dhe gjasat për shi ishin të pakta. Ndaj vendosi, që kur të dilte nga shtëpia, ombrellën të mos e merrte me vete. I hodhi një sy kalendarit, që mbante mbi tavolinë. Kalendari ishte me fletë ditore, i vijëzuar për çdo orë të ditës. Ai i shërbente si bllok shënimesh e ditar. Me stilolaps bojëkuq, Iliri shkruante punët apo takimet e planifikuara ditë më parë. Në mbrëmje, kur kthehej në shtëpi, merrte stilolapsin bojëblu dhe bënte shënime për çdo orë të ditës.
Ishte mëngjesi i 12 Shtatorit 1998. E shtunë. Mori stilolapsin bojëjeshil dhe vijëzoi një kryq të vogël sipër datës, shenjë kjo, që dita aktive sapo kishte filluar. Shënimet i dinte përmendësh. Megjithatë i lexoi përsëri. Në orën 10-të do të takohej me R.X. (që Iliri e lexonte Riksi), t’i dorëzonte sasinë e valutës, që ai kishte porositur. Në orën 18-të do të darkonte me Aleancën, në një nga tavernat, buzë Gjanicës. Qëndroi në këmbë, me kalendarin në dorë, i pavendosur, në duhej të shtonte diçka tjetër në axhendën e ditës. Mori stilolapsin dhe shkroi përbri orës 12-të “ Mitingu i PD, Azem Hajdari!? “ Kjo nënkuptonte që, nëse Azemi do të ishte i pranishëm në miting, edhe ai do të shkonte atje.
Shënimin e bëri me stilolapsin jeshil, njësoj si kryqin e vogël në krye të fletës. Ndërkohë që duhej të përdorte atë të kuq. U ndje ligsht nga ky krahasim i beftë, por vetëm për pak çaste. Ç’mendoj dhe unë, qortoi veten.
Mitingu do të mbahej në sheshin qëndror të qytetit, atje ku zhvilloheshin të gjitha tubimet politike të partive. Për mitingun e PD, ai kishte dëgjuar ditë më parë, por vetëm dje kishte parë afishet të vendosura anembanë qytetit, që saktësonin orën dhe vendin e zhvillimit. Ndërsa televizioni lokal, AVN, i vetmi në qytet, që nga mbasditja e së premtes e në vazhdim, lajmëronte me titra për mitingun dhe pjesëmarrjen në të, të krerëve më të lartë. Emri i Azemit nuk përmendej, por nën zë thuhej se ai do të ishte pjesë e grupit që do të vinte nga Tirana.
Ndërsa po lahej dhe ormisej për të dalë nga shtëpia, Ilirit iu kujtua mitingu i parë i PD-së, i organizuar në qytet, ku ai, për të parën herë e pa dhe e dëgjoi “in live” Azem Hajdarin.
Ishte fillimi i Janarit të vitit 1991, mbasdite. Data e saktë nuk i kujtohej. Kur Iliri mbërriti në sheshin qëndror, mitingu kishte filluar. Donte t’i afrohej tribunës, por kjo ishte e pamundur. Moria e njerëzve në shesh ishte aq e madhe dhe e ngjeshur, saqë ishte kthyer në një masë të padepërtueshme e të palëvizëshme. Mundi të lëvizë disa hapa, derisa gjeti një vend disi të përshtatshëm, për të parë më mirë tribunën. Figurën e Azemit e shqoi menjëherë midis dhjetra të tjerëve, që ndodheshin në tribunë. Emri, zëri dhe portreti i tij, njiheshin tashmë në të gjithë vendin. Pikërisht, atë çast, Azemit i dhanë megafonin. Ai nisi të flasë. Foli ngadalë, duke theksuar çdo fjalë, që të mos humbisnin në ovacionet e herë pas hershme, që shpërthenin nga masa mijëragojëshe e njerëzve. Kur Azemi mbaroi ligjëratën, toka u drodh. Gjëmimet e mëdha vijnë nga qielli dhe atë çast populli ishte qielli. Iliri për herë të parë dëgjonte publikisht, faqe gjithë botës, të anatemohej diktatura dhe diktatori. Disa policë, prapa tij, lëvizën. Iliri pati ndjesinë, sikur ata do t’i afroheshin dhe do t’i thoshnin “Zoti qytetar, jeni i arrestuar, sepse po dëgjoni propagandë antishtetërore.” Mbas kësaj do t’i hidhnin prangat, që ata mbanin në duar. U rrënqeth dhe instiktivisht u largua disa metra më tej. Paskëtaj i lindi dëshira të ngjitej në tribunë, të ngrinte dy gishtat lart e të fliste për të larguar frikën, që e kishte mbërthyer për shkak të policëve. Por tribunës as mund t’i afrohej dot. Kur mitingu mbaroi dhe njerëzit u shpërndanë, ai mendoi se Azemi dhe shokët e tij ishin më shumë se trima. Ai i krahasoi ata me replikantët, të programuar për të mos e njohur frikën, për të luftuar errësirën e për të udhëhequr njerëzit drejt lirisë.
Iliri buzëqeshi, tek solli ndërmend atë ditë të largët janari, frikën e vet dhe krahasimet naive për liderët e rinj të asaj kohe. Tani, që vitet kishin kaluar, figurat e politikanëve i ishin zvetënuar. çuditërisht, vetëm figura e Azem Hajdarit mbështillej e ngrohtë, thellë në nënndërgjegjen e tij. Patjetër që do të shkoj në miting, neqoftëse do të jetë atje Azemi, vendosi përfundimisht.
Zbriti shkallet e pallatit dhe u drejtua për tek hotel Lux, që ndodhej pranë sheshit qëndror. Kafen e mëngjesit e pinte pothuajse gjithmonë në barin e tij. Atje fillonte dita e tij e punës.
Iliri punonte në tregun valutor të rrugës. Ishte një nga kambistët më në zë të qytetit. Tregu valutor jo zyrtar apo informal, siç quhej nga media, zhvillohej në njëqind metra trotuar, midis qëndrës së qytetit dhe urës së madhe, pranë kishës. Dimër e behar, nga mëngjesi në mbrëmje, kjo ishte hapësira më e gjallë e qytetit, më e pasura, një Uoll Strit në miniaturë. Me dhjetra kambistë, kalonin në duart e tyre çdo ditë miliarda lekë e miliona dollarë a valutë tjetër gjithësoj. Ata ishin një hap para bankave dhe ekspertëve të bursave, në parashikimin e krizave apo bumit ekonomik. Gjithë valuta e qytetarëve, tregtarëve, emigrantëve, por edhe mafies, rivlerësohej në këtë treg e rishpërndahej përsëri. Sigurisht për të zhvilluar disi ekonominë e qytetit, ku vetë shteti ishte më shumë se jozyrtar.
Iliri e kishte filluar këtë punë këtu e pesë apo gjashtë vite më parë dhe tani ishte në majë të kambizmit të rrugës. Klientët e tij ishin tregtarët dhe disa nga njerëzit më të pasur, më të fuqishëm të qytetit. Disa kambistë të vegjël punonin për të. Por edhe vetë Iliri s’kishte hequr dorë nga rruga. Pjesën më të madhe të ditës, ai e kalonte atje, duke ndikuar në vlerat e këmbimit valutë –lek, që i afroheshin tregut të lirë të Tiranës dhe që ishte dukshëm më i avantazhuar se agjensitë bankare
Ora shënonte tetë, kur Iliri mbërriti në barin e Lux-it. U ul i vetëm në të njëjtën tavolinë, ku ulej çdo mëngjes. Priti kamarierin t’i sillte kafen ekspres, dopjo kafe, në filxhan çaji. Mbas disa minutash, në tavolinën e tij do të ulej Agimi, pronari i hotelit, ose ndonjë nga klientët e tij. Për ndonjë porosi, apo thjesht për të pirë kafen bashkë e për të shkëmbyer ndonjë fjalë për vlerën e valutave, politikën dhe motin. Rrallë ndodhte të mbaronte kafen i vetëm. Sajmiri, kamarieri që punonte zakonisht paradite, iu afrua buzëqeshur.
– Mirëmëngjes, – përshëndeti ai. – Shefi më porositi ta pini kafen me të, në barin sipër.
Iliri e kuptoi. Dikush, që s’donte të binte në sy, kërkonte shërbimet e tij. Këto takime bëheshin gjithmonë në barin privat të pronarit të hotelit, që ndodhej në katin e dytë.
Iliri u ngrit nga tavolina dhe mori shkallët e brendshme, që të çonin në barin sipër. Ndaloi para derës një çast, pastaj trokiti. Derën ia hapi Agimi. Tokën duart dhe Agimi e tërhoqi butësisht brenda.
– Njihu me miqtë e mi, – i tha ai Ilirit, duke e udhëhequr drejt tavolinës së madhe, ku ishin ulur dy djem.
Më i madhi ishte rreth tridhjetë vjeç, barabitur me moshën e Ilirit. Tjetri ishte pesë apo gjashtë vjeç më i ri. Më i madhi, ishte veshur me kostum të zi, këmishë të zezë dhe kollare të zezë. Me siguri edhe këpucët i ka të zeza, mbase Mullingan, mendoi Iliri për këpucët, që nuk i dukeshin, për shkak të tavolinës. Ishte bjond, i qethur fare shkurt, me pak mjekër e mustaqe, që dalloheshin ngaqë qimet i kishte të kuqërremta. Sytë i kishte të bardhë dhe të qelqtë. Tjetri, edhe ai bardhosh, ishte kokërruar. Kishte mbathur një palë pantallona bluxhins, një këmishë të bardhë, të mbërthyer deri në kopsën e sipërme, pa kollare. Mbi këmishë mbante një xhuboks, që ishte i ngushtë për shpatullat e tij të gjëra. Sytë i kishte të jeshiltë, të ftohtë. Me siguri ka veshur atlete të bardha, mbase Adidas, mendoi Iliri, që nuk ia shihte këmbët për shkak të tavolinës.
Iliri u afrua pranë tyre dhe i përshëndeti:
– Mirëmëngjes zotërinj!
– Mirëmëngjes! – ia kthyhen ata njëzëri dhe u çuan në këmbë.
Iliri priti që ata t’i zgjasnin dorën, të rroknin pëllëmbët, por ata s’e kishin fare atë mendje. Qëndronin në këmbë, duke zotëruar gjithëboshin e lokalit e duke zhbiruar me sytë e ftohtë figurën e Ilirit. Kaluan disa sekonda ballë përballë dhe atëherë Iliri e kuptoi. Duhej të ulej i pari në karrige. I shtypur nga supremacia e tyre!? Apo e mendonin aktin e qëndrimit të gjatë në këmbë, si respekt për të porsaardhurin!?
Pa Agimin. Agimi, i mësuar me të tilla kokëkrisje absurde, lëshoi ekspresin. Fishkëllima e zgjatur e tij e prishi heshtjen.
– Dopio ekspres, në filxhan çaji ?- pyeti Agimi
– Po,- tha Iliri dhe zuri vend në tavolinë, ballas me të panjohurit.
Paskëtaj, të dy djemtë panë njëri-tjetrin. U ulën njëkohësisht, në karriget e mëparshme. Agimi solli kafen dhe zuri vend në tavolinën e madhe, midis Ilirit dhe djaloshit veshur me të zeza.
– Të fillojmë nga puna, – tha Agimi, duke kthyer kokën nga të dy djemtë dhe Iliri. – Zotërinjtë, miqtë e mij, Ilir , do të flasin vetë për kërkesat e tyre.
Agimi i përmendi emrin Ilirit. Kjo nënkuptonte se u kishte folur më parë miqve të tij per të.
– Po ju dëgjoj zotërinj, – tha Iliri dhe pa nga djali më i madh.
Për habinë e tij, foli djali me xhuboks. Ai u ngrit në këmbë, mori qëndrimin pothuajse gatitu dhe tha:
– Kërkojmë gjysmë milion dollarë. Afati është dhjetë ditë. Në qoftë se nuk e siguroni dot gjithë shumën në dollarë, pranojmë lireta ose franga zviceriane me kundërvlerën e dollarit.
Ai heshti dhe pa nga shoku i tij. Djali me të zeza, tundi kokën i kënaqur e i bëri shenjë të vazhdonte. Djali me xhuboks vijoi:
– Sasinë e lekëve, për gjithë shumën e valutës, ia kemi dorëzuar Agimit. Valutën do e marrim përsëri këtu. Për kursin e këmbimit, besojmë në ndershmërinë tuaj. Gjithë sasia e valutës, do të kontrollohet nga një aparat, para se ta marrim në dorëzim. Kaq ishte!
Pa nga shoku i tij. Ai tundi përsëri kokën dhe i dha shenjë të ulej. Djali me xhuboks, zhbëri qëndrimin gatitu, lëvizi duar e këmbë dhe u ul me kujdes në vendin e vet.
– Pranoj,- tha Iliri- Brenda dhjetë ditëve, pesëqindmijë dollarët do të jenë këtu. Ju mund t’i kontrolloni me aparat. Është e drejta juaj. Por aparati edhe mund të gabojë. Ndërsa gishtërinjtë e mi nuk gabojnë kurrë!
Iliri shkoi vetëtimthi gishtat e mëdhenj mbi mollëzat e gjithë gishtërinjve të tjerë, si tu tregonte djemve një test të profesionalizmit të vet. Personi me të zeza, që deri atëherë nuk kishte thënë asnjë fjalë, nxorri nga xhepi anësor i xhaketës një pliko me kartëmonedha 1O dollarëshe, fringo të reja dhe i vendosi para Ilirit.
– Kjo është për ju, – tha ai – dhurata e njohjes.
Fjalët i shqiptoi ngadalë, me një zë basi të kumbueshëm, që i kujtoi Ilirit zërin e komentatorit të boksit, Ahmet Golemit. Gati e falenderoi, më shumë për zërin se sa për njëmijë dollarët, por ngurroi një çast. Mori plikon e dollarëve dhe kaloi gishtin e madh në dy-tre kartëmonedhat e para. Pastaj, në më pak se gjysmë minute, me gishtrinjtë e njerës dorë, kontrolloi të njëqind fletët 1O dollarëshe. Hoqi mënjanë vetëm kartëmonedhën e sipërme dhe e vendosi plikon para dhuruesit.
– Po mbaj vetëm këtë – tha – Gjithë të tjerat janë fallco. Mungojnë disa elementë sigurie.
Djali me të zeza i tha ftohtë:
– Qenke me të vërtetë i zoti! Aparati edhe mund të gabojë. Sidoqoftë, ruaj kokën!
Ai pa filxhanin e madh të kafesë, që tanimë ishte bosh dhe i hodhi sytë nga Agimi. Iliri e kuptoi se ishte koha të largohej. U çua në këmbë. Edhe djemtë u ngritën nga karriget. Agimi lëvizi për nga dera. Iliri u përball edhe njëherë me vështrimet e ftohta të klientëve të rinj, por gjithsesi u tregua i sjellshëm. U buzëqeshi dhe para se tu kthente shpinën, i përshëndeti
– Ditën e mirë zotërinj! Është kënaqësi të punosh me ju!
– Ditën e mirë! – foli më i riu.
– Një minutë – tha zëbasi – Juve ju quajnë Ilir Ukidi. Do të isha kureshtar të dija se cili jam unë, sipas teje. Agimi më tregoi se të gjithë klientët me të cilët ju punoni, i emërtoni me iniciale, ose i thërrisni me emra të shpikur.
Iliri u mendua pak. Pastaj i tha:
– Ju jeni zotëria V, pikë, Z, pikë.
Djali, me zë basi, u habit nga ajo që dëgjoi.
– Ju më njihni mua!?
Nxorri nga xhepi i xhaketës një palë syze të zeza dhe mbuloi sytë, si të fshihte vetveten.
– Ju e njihni shefin? – pyeti djali më i ri.
Largoi fundin e xhuboksit dhe preku me dorë pistoletën e ngjeshur në brezin e pantallonave bluxhins.
– Jo – tha Iliri dhe u mundua të dukej i qetë.
– V dhe Z janë gërmat e para të emrit dhe mbiemrit tim.
– S’ma merrte mendja të ishte kështu- tha Iliri
– Atëherë, ç’kuptim kanë këto shkronja?
Toni i zërit të tij ishte disi i lartë, në kufijtë e padurimit.
– V, pikë, Z, pikë, do të thotë Vrima e Zezë, – sqaroi Iliri.
Personi me të zeza u irritua tej mase nga fjalët e Ilirit.
– Ju guxoni dhe më quani mua vrima e zezë!? Unë ju jap mundësi të fitoni para dhe ju keni një mendim kaq negativ për mua?
Zëri i tij ishte bërë tashmë kërcënues. Djaloshi tjetër lëvizi në drejtim të Ilirit. Situata po përkeqësohej në mënyrë paradoksale. Iliri donte të fliste prapë, por Agimi ndërhyri para tij.
– Vrima e zezë eshtë një term që përdoret në Astronomi. Janë shumë yje bashkë, mbase me miliona, që tërheqin rreth vetës yje të tjerë. Iliri e ka studiuar astronominë në universitet dhe i pëlqen të përdor shprehje dhe terma të ndryshme nga kjo fushë.
V.Z. u qetësua sakaq nga fjalët e Agimit. Pa shokun. Ky i buzëqeshi.
– Më pëlqeka ky term – tha V.Z., duke iu drejtuar Ilirit. – Por ti duhej të na sqaroje më parë, se mund të lindin edhe keqkuptime e puna shkon në dreq pastaj.
– Atë po bëja zotëri, – tha Iliri gjakftohtë – Doja të krahasoja fenomenin astronomik, me përthithjen e valutës në treg për llogarinë tuaj.
– Qenke i zoti, – foli përsëri djali. – V, pikë, Z, pikë. Më pëlqen të krahasohem me një grumbull yjesh. S’është rastësi që edhe emri e mbiemri im fillojnë me të njëjtat gërma.
Kthehu kokën nga shoku i vet. Pyeti Ilirin:
– Po shokun tim, si do ta thërrisje shkurt?
Iliri u mendua pak, vështroi orën e dorës dixhitale dhe iu përgjegj:
– A, pikë, M, pikë.
– Që do të thotë?
– Anti meridian. Është term anglisht, që në shqip do të thotë “paradite”. E zgjodha këtë term, meqënëse njohja jonë është sot paradite.
V. Z. Vuri buzën në gaz, duke parë shokun e tij.
– A. M.! Paradite! E bukur, apo jo! Kështu do të thërras edhe unë ndonjëherë.
– Si urdhëron shef! – pranoi A. M..
Iliri, me nxitim, shqiptoi edhe njëherë përshëndetjen e largimit:
– Ditën e mirë, zotërinj!
– Ditën e mirë! – thanë ata njëherësh.
Lëvizën në anë të tavolinës. Për herë të parë u shfaqën para Ilirit, nga koka, tek këmbët. Iliri u hodhi një sy të shpejtë nga këmbët. V.Z. kishte mbathur këpucë te zeza, ashtu si hamendësonte Iliri, por të markës Alpina. A.M. mbante të veshura atlete të bardha, me shenjën e firmës Nike.
Ndërsa e përcillte nëpër shkallë, Agimi i tha Ilirit:
– U mërzite pak nga miqtë e mi, mos thuaj jo. Por në thelb janë djem të mirë. Dhe pagujnë mirë.
– Kam parë edhe më keq – iu përgjigj Iliri – Por në biznes duken të pastër.
– Ashtu janë. Sidoqoftë, ti mbase s’ke për t’i takuar më. Veç nëse pranon të drekosh me ne, sot në orën dymbëdhjetë. Do të shkojmë në një lokal, në Poro. Kemi porositur prodhime deti të freskëta. Do të vish?
– Jo – tha Iliri. – Në orën dymbëdhjetë do të jem në mitingun e PD. Dua të shikoj Azem Hajdarin.
– Pse, do të vijë Azemi?
– Kështu flitet.
– Oh, mund të takohemi në shesh atëhere.
– S’do të shksh në Poro?
– Mitingu nuk është në dymbëdhjetë, por në katër mbasdite. – tha Agimi – Është shtyrë.
– Ashtu!? Përse?
Agimi ngurroi pak çaste.
– S’e … di, por është e sigurt që do të jetë mbasdite. AVN e dha lajmin, para se të vije ti këtu. Hë, si thua?
– Jo!
Agimi nuk këmbënguli.
– Si të duash- i tha- Por mbas mitingut, eja pimë një kafe bashkë. Të bisedojmë disa gjëra.
– Në mbrëmje do të jem me Aleancën. Nesër në mëngjes shihemi!
– Mirë, – ra dakord Agimi. – Se mos harroj. Profesori kërkon të takojë. Rreth orës njëmbëdhjetë, në barin e madh. Sot që në mëngjes, mori xhipin tim dhe iku në Roskovec. Një zot e di se ç’bën andej!
– Do e takoj, – premtoi Iliri.
U nda me Agimin dhe u drejtua nga tregu i valutës. Rrugës pa disa të rinj, që afishonin lajmërimet e reja, me orën e ndryshuar të mitingut të PD. Një benc, ngjyrë blu, ecte ngadalë nëpër rrugë, duke përsëritur ndryshimin e orës së mitingut. Pak minuta më pas, një makinë policie u bënte thirrje qytetarëve, se çdo grumbullim njerëzish, në sheshin qëndror, deri në oren katër ishte i paligjshëm. Ndaloheshin antimitingjet dhe thirrjet kundra të militantëve të partive të majta. Ndalohej shërbimi i pijeve alkolike në lokalet e qendrës, një orë para dhe pas mitingut. Ndaloheshin të shtënat me armë. Ndaloheshin personat me precedentë penalë të barisnin rrugëve të qytetit. Ndalohej… Makina e policisë ishte larguar tej dhe Iliri nuk mund të dëgjonte të gjitha kufizimet e shpallura të policisë. Buzëqeshi me ironi, teksa mendoi se shteti dhe policia, si pjesë e saj, nuk merreshin seriozisht nga qytetarët.
Në tregun e valutës takoi dy shokët e tij, Ilmiun dhe Viktorin. Ishin kambistat, që punonin për të. Pas përshëndetjes së zakonshme, Iliri u tha:
– Për një javë duhet të mbledhim gjysmë milion dollarë.
– E vështirë – tha Ilmiu
– Do të ngremë një vizë kursin e blerjes – i udhëzoi Iliri- Do pranojmë edhe lireta dhe franga zviceriane.
– E vështirë, – tha përsëri Ilmiu.
– Do përpiqemi, – tha Viktori.
– E lehtë s’është, por jo e pamundur, – tha Iliri- Do bisedojmë edhe me kambistë të tjerë.
– Kështu po, – u bind Ilmiu.
– Keni lekë për të punuar gjithë ditën?
– Deri në njëzetë mijë dollarë secili, – tha Viktori.
– Bukur fort, – ia bëri Iliri. – Për çdo problem, do të bisedojmë. Unë do të jem këtu rrotull. Mirë u takofshim djema!
***
Ora po shkonte dhjetë. Iliri u drejtua për tek shtëpia e prindërve. Atje kishte lënë plikot e dollarëve për Riksin. Shtëpia, një vilë dykatëshe, ndodhej pranë gjykatës. Në katin e parë ishte dhoma e tij. Ai, së bashku me vëllanë, Kastriotin, banonte me prindërit, deri një vit më parë. Kastrioti ishte tre vjeç më i vogël se Iliri. Një mbrëmje Kastrioti erdhi në shtëpi me një vajzë. E quanin Shega. Kjo është gruaja ime, tha ai. Presim një fëmijë. Mbas disa muajve u lindi një djalë. Iliri bleu një apartament, në një nga pallatet e rinj. Por një dhomë në shtëpinë e prindërve mbeti përgjithmonë e tij. Ajo ishte banka e tij. Aty Iliri mblonte të gjitha paratë që qarkullonte.
Në vilë nuk kishte njeri. Iliri mbante nga një kopjo çelësash të portës së oborrit dhe derës kryesore të shtëpisë. Hyri brenda dhe mori pakon me dollarë. Me Riksin do të takohej në barin Great Britain, ose në GB, siç i pëlqente Ilirit ta quante.
Riksi nuk kishte ardhur ende. Iliri zuri vend në një nga kthinat e barit. Flamuri, pronari i lokalit, që shërbente aty sëbashku me të shoqen, solli dy gota me Martini dhe u ul në kolltukun, përballë Ilirit.
– Ti e di që unë nuk pi alkol – i tha Iliri.
– Unë e solla tashmë – ia priti Flamuri – Hajde, gëzuar!
E toki gotën e vet me të Ilirit dhe e boshatisi me dy të kthyera. Dukej i shqetësuar. Sytë e jeshiltë i ishin bërë të verdhë.
– Si i turbullt më dukesh, – vërejti Iliri. – Ke ndonjë hall ?
– Më shumë se hall. Kam një problem.
Preku me gishta goten e boshatisur dhe shtoi :
– Më duhet edhe ndihma jote
– E ke me pashë, ti e di.
– Dua dhjetë mijë dollarë, këto ditë. Mund të m’i huash ?
– Patjetër, – tha Iliri. – Kur i do ?
– S’e di. Në mes të ditës, në mes të natës.
– Kuptova, – i tha Iliri. – I ke gati në çdo kohë.
Flamurit iu lagën sytë. Shtrëngoi fort dorën e shokut.
– Faleminderit miku im ! Nuk po më pyet, përse më duhen ?
– E di që të duhen. Mjafton kaq !
– Dua të nis Dritanin për në Amerikë, – tregoi Flamuri.
Dritani ishte djali i tij.
Iliri u befasua. Dritani vazhdonte Universitetin e Tiranës, për elektronikë, viti i tretë.
– Do të lërë në mes studimet ?
– Këtu i kërcënohet jeta – tha Flamuri.
Iliri e njihte mirë Dritanin. Dukej serioz e për më tepër ishte i shkëlqyer në mësime.
– Ka probleme me ndonjë vajzë ? – pyeti Iliri.
– Jo !
Iliri ngurroi një çast e pastaj tha :
– Mos është ngatërruar me ndonjë tregëti droge ?
Flamuri vuri buzën në gaz :
– Mendon se im bir do të binte kaq poshtë ? Jo! Sigurisht që jo.
Uli zërin dhe afroi kokën drejt Ilirit
– Dritani, bashkë me disa studentë të tjerë, duan të krijojnë një lëvizje të re, si ajo e dhjetorit të 1990-ës. Janë duke biseduar me Azemin për këtë çështje. Ja përse jam i shqetësuar.
– çtë keqe ka kjo ?
– Edhe pyet!? Duket që ti s’merr vesh fare nga politika. Po të jetë se krijohet ky grupim, do të jetë një lëvizje e re politike. Dhe po të vihet në krye të saj Azemi, kthehet në uragan, kupton apo jo!? Kësaj i trembem unë. Sepse të gjitha partitë dhe pushtetet, do të jenë kundër saj.
Iliri e kundërshtoi :
– Me sa di unë, Azemi është bashkuar prapë me PD. Llogjikisht edhe kjo lëvizje apo grupim, do të jetë pjesë e programit të PD.
Flamuri tundi kokën për jo. Nënqeshi hidhur, si t’i thoshte shokut, që shumë gjëra nuk ishin ashtu siç dukeshin. Dhe meqënëse Iliri ishte një nga miqtë e tij, që shikonte vetëm dukjen e gjërave, u trishtua më shumë.
– Marrim nga një Martini tjetër ? – iu drejtua Ilirit
– Absolutisht jo – i tha Iliri – Edhe ty nuk të lejoj të pish më.
– Ke të drejtë – pranoi Flamuri – I kam rrëkëllyer disa gota më teper sot.
Ndezi një cigare. I zgjati një Ilirit. Iliri e mori, por nuk e tymosi.
– Kam frikë për Dritanin, – tha Flamuri. – Por edhe për Azemin e shokët e tim biri, domosdo. Ideali i tyre është ai i vitit nëntëdhjetë “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. Por bëmë luftën midis nesh. Ai ideal nuk ekziston më, pra e kanë vrarë. Nuk ma nxë goja ta them, por tani e kupton frikën time.
– Nuk mendoj se është tamam kështu, – tha me mëdyshje Iliri
– Atëherë, më shpjegon dot, pse u ndryshua orari i mitingut të PD? Ishte në orën dymbëdhjetë, pastaj u shty për në orën katër.
– S’di çtë them, por s’besoj të jetë bërë qëllimisht. Thjesht procedura burokratike.
– Edhe unë dua të besoj si ti, por zemra më flet ndryshe , – tha Flamuri.
Në atë çast, në kthinë u duk Riksi. Çalonte lehtë nga këmba e djathtë, por gjithsesi rrezatonte elegancë. Një vit më parë, një plumb qorr e kishte goditur në pulpën e këmbës. Për të eleminuar disi gjymtimin e befasishëm, ndryshoi lukun. Filloi të vishej me kostum e kravatë dhe të frekuetonte të vetmin floktore për burra “Brush for men” të qytetit. Flitej gjithashtu se kishte zënë edhe një dashnore, rreth të tridhjetave, një miss i vërtetë. Por vetëm flitej, se askush nuk e kishte parë ndonjëherë me të. Riksi ishte pesëdhjetë e ca vjeç dhe tanimë, një vit pas plagosjes, ngjante me një kokorosh dyzetë vjeçar. “ Plumbi po të kapi, o të çon në botën tjetër, o të rinon”, ishte sentenca e vetme e shpikur prej tij, e përhapur kudo në qytet.
Riksi u dha dorën shokëve dhe u ul në një nga kolltukët bosh.
– Një kafe dhe një uiski me akull, – iu drejtua ai Flamurit, – Si gjithmonë Xhon të Zi.
Pa gotat bosh mbi tavolinë dhe shtoi:
– Ju keni pirë Martini? Mbushini prapë. Paguaj unë.
Iliri vendosi pëllëmbët sipër gotave.
– Nuk !- shqiptoi
Riksi vuri buzën në gaz. Pa Flamurin.
– Jo! – tha Flamuri
– Mos bëni si fëmijë me “nuk” dhe “jo”. Merrni diçka tjetër, ndonjë amita ose
kanaçe Demi i Kuq.
Riksi e kishte zakon ti shqipëronte emërtimet e pijeve të huaja. Kjo ishte kthyer tashmë në mani, që perveç habisë, shkaktonte shpesh të qeshura. Nëpër ambiente, ku atë e njihnin pak ose aspak, gjithsesi.
– Unë do të marr një kafe. Ilirit do ti sjell një redbull. – ra dakord Flamuri.
Iliri pranoi. Flamuri shkoi drejt banakut, të kryente porosinë. Kur ngelën vetëm, Iliri vendosi mbi tavolinë pakon me dollarë.
– Njëqindmijë, sipas porosisë ? – pyeti Riksi.
– Njëqindmijë fiks. Janë tëtë pliko me kartëmonedha njëqind dollarëshe dhe katër pliko më kartëmonedha pesëdhjetë dollarëshe. Hapi, numëroi plikot.
– S’është nevoja, shoku. I ke numëruar ti – tha Riksi .
Mori pakon e dollarëve, të mbështjellë me gazetë e qeskë plasmasi dhe e vendosi në anë të kolltukut.
Mbas pak erdhi Flamuri me tabakanë në duar. I shërbeu në fillim Riksit, pastaj Ilirit. La tabakanë në tavolinën pranë e u ul në kolltuk. Ndezi një cigare.
– Si i mërzitur më dukesh, – vërejti Riksi
– Hallet e përditshme, – tha Flamuri.
E ciku lehtë Ilirin në gju, si për ta kujtuar që biseda e tyre, e pak minutave më parë, ishte private.
Iliri iu drejtua Riksit :
– Çfarë mendon për mitingun e PD-së, që u shty për në orën katër mbasdite?
Riksi mori nje pamje mospërfillëse :
– S’di çtë them. As më ka vajtur mendja ti bëja vetes një pyetje të tillë.
Piu një gllënjkë uiski e nisi të rrufiste me nge ekspresin :
– Ju e dini që mua pak më interesojnë punët e partive.
– Mos na thuaj që je fare indiferent, – e ngacmoi Iliri.
– Si gjithë të tjerët, – tha Riksi. – Puna ma do që të jem nga pak me të tërë.
– Me PS-në je pak më shumë.
– Domosdo, është në pushtet tani. Por edhe PD s’e kam lënë pa gjë.
– E di, ndaj të pyeta për këtë rast.
Riksi kqyri të dy shokët me vëmendje. E kuptoi se diçka, që lidhej me pyetjen e Ilirit, ishte biseduar më parë prej tyre. Ndoshta dhe mërzia e Flamurit kishte lidhje me të. Me zë të ulët e duke buzëqeshur tha :
– Orën e mitingut të PD-së e ndryshuam ne, domethënë unë me disa të tjerë. Por nuk dua të dalë asnjë fjalë, përtej kësaj tryeze. Është thjesht punë tregëtie, më kuptoni.
Se ç’lidhje kishte mitingu i një partie me tregëtinë, Iliri as mund ta merrte me mënd. Absurditete të tilla dëgjonte shpesh. çuditërisht këto funksiononin në kohë rrëmujash, si tani. Disa ditë më pas ai do ta pyeste Riksin për fjalët e thëna atë moment. Disa ditë më vonë, ajo që sot ishte e pakuptimtë, do të ishte më se e llogjikshme. Riksi do t’i spjegonte Ilirit se sa e thjeshtë është lidhja e politikës me biznesin.
Por Flamuri s’ishte tipi i Ilirit :
– Riksi, nuk po të kuptoj ç’thua. Ma sqaro më mirë.
– Po ja. Sot do të bëjmë një kontrabandë cigaresh. Nga deti. Në pyllin me pisha, pranë Poros. Do të fillojmë mbasdite. Kam paguar disa mijë dollarë për ta zhvendosur mitingun disa orë.
– Edhe? – pyeti Flamuri ende i paqartë.
Riksi rrudhi buzët i pakënaqur :
– Shmangim policinë, ja sepse o burrë i dheut. Duke qënë të zënë gjithë ditën me mitingun, ata nuk do të kenë kohë të merren me ne. E thjeshtë fare, por e zgjuar, apo jo !
Riksi kukurisi mbyturazi.
Flamuri u ndje i lehtësuar, por buza nuk i qeshi. Ndeshi në vështrimin e Ilirit. Qenka kaq e thjeshtë, sikur donte të thoshte ai. Ndërsa ti, përfytyroje vetëm zi.
– Marrim nga një gotë tjetër, – propozoi Riksi. – Ia vlen pas asaj që ju tregova. Flamuri e kundërshtoi :
– Të festojmë për kontrabandën tënde!? Gjithë qytetin e ke bërë rrëmujë. Na ke bërë me dhimbje koke.
– Gjithë Shqipëria rrëmujë e kontrabandë është, shoku. Edhe nëpër dogana kontrabandë bëhet. Zyrtarët i fusin paratë tona në xhepat e tyre, jo në arkën e shtetit.
Riksi pa orën dhe u ngrit në këmbë. Nxorri nga portofoli njëmijë lekë dhe i la mbi tavolinë.
– Ç’janë pirë këtu, janë të mijat, – tha me një ton, që nuk pranonte kundërshtime. – Më duhet të iki tani.
Pastaj, si të ishte kujtuar për diçka, u tha :
– Do vini me mua, miq. Ju ofroj një drekë me peshq të freskët, në Poro. Dy orë gjë është. Hë, si thoni ?
Ilirit iu kujtua propozimi i Agimit për drekën në Poro.Vetvetiu bëri lidhjen midis Riksit dhe VZ e AM në kontrabandën e cigareve. Të ishte perfshirë edhe Agimi këtu!? I erdhi keq nga kjo pandehmë.
– Unë s’mund të vij, – tha Iliri. – Më pret profesori tek Luksi.
– Edhe unë s’mund ta lë vetëm lokalin, – tha Flamuri. – Për më tepër, pres disa shokë të tim biri nga Tirana. Mund të jetë dhe Azemi me ta e kthehen këtu për ndonjë kafe.
Riksi mbajti këmbët :
– Eh, sa do më pëlqente të pija një kafe me Azemin !
– E thua kot, – ia priti Flamuri.
– Për Azemin? Është vërtet dëshirë, shoku. I besoj atij djali. Udhëhoqi lëvizjen demokratike, pra ndryshoi një sistem dhe kur PD erdhi në pushtet, nuk mori asnjë post shtetëror. Më thuaj shoku, ke parë a ke dëgjuar diçka të ngjashme me këtë? Në Shqipëri jo e jo, por rast të tillë nuk ka as në botë.
Flamuri e pa me simpati Riksin.
– S’e pandehja të kishe një mendim kaq të lartë për Azemin, – tha ai.
– Azemi është djali i artë i Shqipërisë, shoku. Fjalët liri, demokraci, ekonomi tregu, për herë të parë i dëgjova prej tij. Dhe i përktheva në para. Mjaftoi një fjalë e tij, që unë të kuptoja ndryshimin e madh. Unë, një oficer i thjeshtë, që gëzoja kur kisha ditën e shërbimit në repart, se do ngopja barkun me bukë, tani jam bërë milioner. Në një farë mënyre, unë i detyrohem edhe atij, për atë që jam sot.
– Ama në miting për Azemin nuk do të vije, – i tha Iliri.
– S’është e sigurt pjesëmarrja e tij, – u mbrojt Riksi
– Ti prapë s’do të vije edhe të ishte ndryshe, – i tha Flamuri.
– S’jam njeriu i mitingjeve unë, – tha Riksi. – Por do të isha i nderuar, të ulesha në një tavolinë me të. Ja, siç jemi ne të tre, të ishte dhe Azemi këtu. Njëherë m’u dha rasti ta takoja në Memaliaj. Ishte dhjetori i nëntëdhjetë e pesës. Unë vija nga Kakavija me dy maune, me mallra ushqimore. Tek ura e Memaliajt u ndalëm. Rreth njëmijë veta kishin bllokuar sheshin para urës. Zbrita nga makina për të marrë vesh çpo ndodhte. Miting s’ishte, se s’kishte as flamuj, as thirrje partiake e as tribunë. Le që s’ishte as vend për mitingje sheshi pranë urës. Më thanë që aty, tek një gomisteri, kishte ndalur Azemi, thjesht për të ndërruar një gomë të makinës. Disa minuta më vonë, gjithë Memaliaj ishte lëshuar drejt urës. Takimi me Azemin ishte kthyer në një festë. Unë, me zor të madh çava mes turmës dhe e putha Azemin në ballë. Doja ta ftoja për një kafe, por kuptohet, ishte e pamundur. Azemin e morrën në krahë dhe e çuan në qytet. Vetëm atëhere, ura u bë e kalueshme dhe unë u largova. Po të kisha rendur mbas turrmës, them që do të isha ulur në një tavolinë me të e do të kishim këmbyer ndonjë mendim. Por atë ditë isha shumë i zënë me punë. Sidoqoftë, e takova njëherë.
Riksi pa përsëri orën :
– Mu bë vonë,- tha.- Takohemi nesër a pasnesër dhe drekojmë të tre.
U largua duke u lëkundur lehtë djathtas, por gjithsesi elegant. Flamuri e përcolli deri tek dera.
Mbas tij edhe Iliri u çua nga tavolina.
– Ti do të vish në miting? – e pyeti Flamuri.
– Nëse do të vijë Azemi, patjetër.
– Unë do të jem pranë birrarisë Partizani. Atje të pres.
– Dakord !
***
Sapo doli nga lokali, Iliri mori rrugën ngadalë drejt lokalit Lux. Kristan D e priste në ambientin e jashtëm të barit. Ishte ulur në një nga tavolinat, nën tendën e madhe ngjyrë vjollcë.
– Tungjatjeta profesor !- e përshëndeti Iliri dhe e përqafoi.
Kristan D e përgëzoi, i rrahu shpatullat.
– Më ka marrë malli, – tha ai. – Ka më se një javë që nuk jemi parë.
– Keni munguar ju profesor, – i tha Iliri. – Unë në qytet kam qenë.
-Unë në shkollë. Paradite dhe mbasdite. Përgatitemi për vitin e ri arsimor. Por më shumë jam marrë me laboratorin. Dikush ka hyrë brenda, ka marrë ç’ka dashur dhe një pjesë të aparateve e ka shkatërruar. Do kohë dhe para të bëhet si më parë.
Kristan D hoqi thellë në zemër. Ai ishte gjashtëdhjetë vjeç, trup mesatar e i shëndetshëm, pothuajse i shogët. Iliri kështu e mbante mend, këtu e dhjetë a pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur ishte në gjimnaz. Jepte lëndët e fizikës dhe astronomisë. Por ndonjëherë jepte edhe matematikë e kimi. Flitej se ai ishte diplomuar në të gjitha disiplinat që përmbante fakulteti i shkencave.
Ndërtimin e laboratorit Kristan D e filloi kur Iliri ishte në vitin e dytë të shkollës së mesme. Bashkoi në një të vetëm laboratorët e fizikës dhe kimisë, që ishin më shumë figurativë. Ditë pas dite, javë pas jave e muaj pas muaji, ai bashkë me disa nxënës e shndërroi laboratorin në një qendër të mirëfilltë shkencore, që ishte më shumë se programi shkollor. Eksperimente nga ato më të thjeshtat e deri te ato më të ndërlikuarat, filluan të provoheshin në laborator. Iliri ishte gjithmonë pjesëmarrës në ato përvoja të paharrueshme. Profesori shkruante në dërrasën e zezë disa formula dhe ekuacione të panjohura, në atë kohë për Ilirin. Pastaj me orë të tëra, mundoheshin t’i provonin duke i eksperimentuar. Më vonë, kur vazhdoi për dy vjet studimet për fizikë në Universitetin e Tiranës, Iliri kuptoi se profesori eksperimentonte për zhvendosjen e objekteve në hapësirë, për udhëtimin në kohë të shkuar e të ardhme, për ndriçimin jokabllor të qyteteve e për disa ide të tjera ekstravagante e të çuditshme. Kur erdhi demokracia, për profesorin dhe laboratorin e tij nisën të qarkullonin fjalë të pazakonta. Thuhej se ai loste me kohën dhe hapësirën, si në një fushë shahu.
Të tjerë pëshpërisnin nën zë, se ai kishte zbuluar formulat e alkimistëve të lashtë, për të përgatitur ilaçin kundër plakjes. Profesori vinte buzën në gaz, sa herë që Iliri i tregonte këto thashetheme, por asnjëherë nuk argumentonte të kundërtat.
– Do të të ndihmojmë me para, që ta ngresh përsëri laboratorin, – i tha Iliri profesorit.
– Kristan D ia ktheu i qetë :
– Mbase nuk do të jetë e nevojshme. Laboratorin do ta modeloj thjesht mësimor.
Iliri ndjeu keqardhje për të. Ishte lodhur vallë profesori!? Nuk mund të besonte, që ai të hiqte dorë nga eksperimentet e klasit të parë.
– Pse profesor?
– Mbase nuk ia vlen, – tha Kristan D. – Ndonjë punë e mirë që mund të kem bërë vitet e fundit, mund të bjerë në duar të gabuara. Atëherë do të vuajmë më shumë. Shih si na kanë katandisur!
Iliri e kuptoi që ato duar të gabuara, ishin kasta e politikanëve dhe e parallinjve të mafies.
– Të ka bërë ndokush presion?
– Si gjithmonë, – tha Kristan D pa gajle. – Dje më erdhi në shkollë njëri nga këta të Shik-ut të qytetit. Do të të pyes për diçka, më tha, por nuk është zyrtare. Më mirë ulemi në ndonjë kafene dhe bisedojmë. Ashtu bëmë. Shkuam në një bar, ku më prisnin tre të tjerë. Djem të rinj, ja, mosha jote a diçka më tepër. Jemi të qeverisë, u prezantua njëri prej tyre. Vijmë me urdhër nga lart, tha tjetri. I treti nuk foli. Kemi dëgjuar se ke shpikur ilaçin e jetëgjatësisë, foli i pari. Jemi gati ta blejmë, cilido qoftë çmimi, tha i dyti. Unë i kundërshtova. Atëherë djaloshi i parë, diçka i tha në vesh personit të tretë. Ky i foli me zë të ulët, por unë munda të dëgjoj disa fjalë. Ishin rusisht. Me sa duket zotërinjtë, që u prezantuan si të qeverisë, janë lidhur me mafien ruse. Mendohu mirë, tha i pari. Ne nuk bëjmë lodra fjalësh. Do të takohemi përsëri, tha i dyti. Nuk më frikësoni dot, ia ktheva unë. E lash kafen në mes dhe u ndava prej tyre.
Iliri u shqetësua.
– Ç’ke ndërmend të bësh? – e pyeti.
– Do të merrem vetëm me mësimdhënie, – tha Kristan D. – Më vonë mund të merrem përsëri me eksperimentet e mia. Tani është koha të ndahem nga lakmia. Këtë e bëj më shumë për veten time. Besoj se më kupton.
Iliri tundi kokën i trishtuar.
– Tani më duhet patjetër ndihma jote, si mik e kaluar mikut që të kam, – tha Kristan D.
– Kërko ç’të duash, professor.
– Bëhet fjalë për arkivin e eksperimenteve të mia. E kam në shtëpi. Por mund të më bastisin shtëpinë, ashtu siç bënë me laboratorin. Dua të ta besoj ty për njëfarë kohe. Si thua?
Iliri u mendua pak.
– Pranoj, – tha. – Do ta fsheh tek dhoma ime, në shtëpinë e prindërve.
Kristan D ngeli i kënaqur.
-Vend më të sigurt nuk ka, në të gjithë qytetin. Shtëpia është pranë gjykatës dhe ka policë në çdo kohë. Edhe diçka tjetër. Në qoftë se mua më ndodh . . . ndonjë aksident, arkivi mbetet përgjithmonë i yti. Ky është një sekret që do të ngelet midis nesh.
Iliri donte ta ndërpriste, por Kristan D vazhdoi :
– Kjo punë do të bëhet javës tjetër. – Kristan D e pa Ilirin në sy – Një brengë e kam për ty, gjithsesi. Të mbaroje studimet e larta për fizikë. Ke qenë nxënësi im më i mirë. Më premto se do ta hedhësh këtë hap.
Iliri u skuq lehtë :
– U regjistrova për fizikë, në fakultetin e shkencave, me part-tajm, profesor.
Kristanit i qeshi buza. E afroi Ilirin nga vetja dhe e puthi në ballë.
– Ky po, është lajm i mirë, – tha i emocionuar.
Ia bëri me shenjë kamarierit. Sajmiri u afrua me një bllok të vogël në duar.
– Një kafe turke të zakonshme dhe dy konjak vendi – porositi Kristan D.
Iliri donte t’i thoshte “jo” profesorit për konjakun, por u përmbajt. Sajmiri erdhi mbas pak, la në tavolinë kafen dhe dy gotat me konjak e u largua.
Kristan D pa njëherë përreth, pastaj e derdhi njërën gotë në një saksi të madhe lulesh, që gjendej pranë këmbëve të tij.
– S’do të pish vërtet konjak, – i tha Ilirit.
Nxori nga xhepi i brendshëm i xhaketës një damixhan të vogël dhe mbushi gotën e zbrazur, me një lëng, që kishte ngjyrën kafe të çelët, si të konjakut.
– Konjaku është për mua, – tha.
Mori gotën me konjak në dorë dhe e trokiti me atë të Ilirit.
– Ç’është kjo? – pyeti Iliri.
– Pije! – e urdhëroi Kristan D.
Iliri e ciku gotën në buzë.
– Paska shije të athët, – tha ai. – Qenka e trashë si pelte. S’po më tregon se çfarë është.
– Është më tepër se pije e zakonshme dhe ilaç farmacie, – tha Kristan D, me ngadalë, sikur të shqiptonte ca fjalë magjike.
Iliri e gjerbi pijen me nge. Disa minuta mbas kësaj ndenji i topitur, pastaj teshtiu fort.
– Shëndet ! – ia priti Kristian D.
– Faleminderit!
Me një kartopecetë fshiu hundët e buzët dhe e pyeti Kristanin :
– Agimi më tregoi që shkove në Roskovec, që në mëngjes. Më keni thënë njëherë profesor, se Roskoveci është një vend pelegrinazhi për ju. Fsheh ndonjë gjë interesante ky vend?
Kristan D iu përgjigj :
– Në arkivin tim kam shkruajtur edhe për vizitat e mia në Roskovec. Bëhet fjalë për një vend, që quhet Fushëzot, rreth dy kilometër larg nga Roskoveci . Është një lëndinë midis kodrinave. E veçanta e këtij livadhi është se ka një rrezatim ndryshe nga ambientet e zakonshme. Unë kam disa vjet që e studioj fenomenin në Fushëzot dhe kam arritur të zbuloj një dukuri të veçantë. Ky vend është i pangopur nga ana energjitike, pra thith vazhdimisht energji. Por më interesante është se thith vetëm energji negative. Kur je atje, ndjehesh tjetër njeri. Stresi, lodhja, mendimet e errëta, befas zhduken. Ende nuk kam arritur të zbuloj shkakun e këtij fenomeni. Nga ana shkencore, dua të them. Mbase misteri duhet kërkuar në emitologjinë e emrit të luginës. Fushëzot nënkupton fusha ku takohen zotat, domethënë ata që vijnë nga qielli. Disa rrëfenja të lashta, flasin për një portë kalimi në botë të tjera. Mbase ka qënë një ufodrom. Sidoqoftë është një vend i magjishëm. Herën tjetër do të shkojmë bashkë atje.
Ai nxori nga xhepi një qeskë të vogël plasmasi, në të cilën kishte disa gramë humusi të zi.
– Është nga dheu në Fushëzot, – tha Kristan D. – Mbaje gjithmonë me vete. Konsideroje si një nuskë. Natën, kur të biesh për gjumë, vendose poshtë jastëkut. Në mëngjes do të ndjehesh i freskët e plot energji pozitive.
Iliri e futi qeskëzën në xhepin e këmishës.
– Të pyes edhe për diçka profesor?
– Ç’të duash, – i tha Kristan D.
– Ti je mik i Azem Hajdarit. Di gjë në do të jetë sot në qytetin tonë për mitingun e PD ?
– Po, është pjesë e drejtuesve, që vijnë nga Tirana.
– E sigurt kjo ?
– Më se e sigurt. Më mori në telefon sot, herët në mëngjes. Ti përse pyet ?
– Thjesht, doja ta dija.
– Ti do të vish në miting ?
– Meqë do të jetë Azemi, po. Do të jem bashkë me Flamurin, tek birrari “Partizani”. Do të bashkohesh me ne, professor ?
– Jo. Unë do t’i qëndroj pranë Azemit kur të ngjitet në tribunë.
Kristan D njihej me Azem Hajdarin që në fillimet e lëvizjes demokratike. Drejtori i shkollës ku jepte mësim Kristani, ishte njëri nga iniciatorët e krijimit të PD në qytet. Mbledhjet e para gjysmë të fshehta, bëheshin në shkollë. Kristani, që mbasdite punonte në laborator, i njihte nga afër të gjithë pjesëmarrësit. Atje u takua për herë të parë edhe me Azemin. Ishte mbrëmje e vonë. Gjithë qyteti ishte pa drita. Ata ishin mbledhur në zyrën e drejtorit që ndriçohej dobët nga dy-tre qirinj. Kristani hyri në zyrë dhe iu drejtua të pranishmëve :
– Ejani në laboratorin tim. Aty ka gjithmonë drita.
Kur mbaroi mbledhja, Azemi qëndroi njjë copë herë në laborator, i çuditur me atë ç’kishte ndërtuar Kristan D.
– S’kam parë kurrë më parë diçka të tillë, professor, – i tha Azemi dhe filloi të pyeste Kristanin për të gjitha pajisjet, aparatet dhe modelimet.
– Kur të vijmë në pushtet, ne demokratët, të premtoj se do të të ndihmoj për studimet e tua, – i tha Azemi.
Që nga ajo kohë, ata u takuan dhe herë të tjera, u bënë miq.
Iliri nuk e kishte pyetur asnjëherë drejtëpërdrejt profesorin për ndihmën që Azemi i kishte premtuar, kur demokratët erdhën në pushtet. Por një ditë Kristani i tha:”Ndihma më e madhe për mua është heshtja për eksperimentet e mia”
Mbas këtij citimi, Iliri rrallë e tek dhe kur ishin vetëm i bënte ndonjë pyetje.
– Mbas mitingut takohemi brenda në bar, – tha Kristan D.
– Unë nuk vij dot. I kam premtuar Aleancës të jem me të në mbrëmje.
– Ashtu?! Kisha ndërmend të ftoja Azemin për një kafe, me shoqërinë tonë të ngushtë. Nënkupto, përveç net ë dyve, të ishin dhe Flamuri, Agimi dhe Riksi. Po mirë, le të jetë dhe Aleanca bashkë me ne.
– Unë dhe Aleanca do të jemi thjesht për një kafe, – ra dakord Iliri.
– Asaj nuk i dihet, – tha Kristan D. – Ti e ke takuar ndonjëherë Azemin ?
– Asnjëherë, – tha Iliri. – Por kam shkruar në ditarin tim, mbresat për të. Kur e lexoj tani më duket se e kam takuar drejtpërdrejt.
Iliri i tregoi profesorit për mitingun e janarit të vitit nëntëdhjetë, kur e kishte krahasuar Azemin me një replikant.
Kristan D vuri buzën në gaz.
– S’më ka vajtur mendja ndonjëherë të barabitja një njeri, bir njeriu, me një replikant. Me Azemin mund ta bëja këtë paralelizëm. Një djalë me energji të jashtëzakonshme. Trim i fjalës. Kampion i lirisë. Mund të modelohet një replikant me cilësitë e tij. Si ide është interesante.
Kristan D mbylli përgjysmë sytë:
– Vetëm se replikantët formatohen të jenë të kufizuar në kohë. Nuk jetojnë më shumë se dyzetë vjeç. Le të themi se vdesin të rinj.
Fjalët e fundit profesori i shqiptoi me dhimbje, thua se po fliste për qënie njerëzore.
U ngrit nga tavolina. Iliri e shoqëroi deri tek turizmi, në qendër të qytetit. Atje u ndanë, me premtimin që të takoheshin mbas mitingut.
***
Kur Iliri mbërriti në shesh, mitingu kishte kohë, që kishte filluar. Flamuri po
e priste pranë birrarisë Partizani.
– U vonove, – i tha.
– Dremita pak, – u shfajësua Iliri.
Pa nga tribuna. Azemi nuk ishte tamam në qendër, por dallohej nga gjithë të tjerët. Ilirit iu duk më i gjatë se ç’ishte në të vërtetë. Dhe shumë i bukur. Një brerore drite grimcohej përreth tij. Ia tha këtë përshtypje Flamurit. Flamuri lëvizi i shqetësuar.
– Unë kam që në fillim të mitingut që e përjetoj këtë mbresë, -tha ai.
Ndezi një cigare. E thithi dy-tre herë dhe e lëshoi poshtë, në trotuar. E fiku, me nervozizëm, me majën e këpucës.
– Është ogur i keq, – shtoi.
Iliri donte ta qetësonte.
– Drita është ogur i mirë, – i tha
Flamuri nuk u përgjigj. Iliri s’donte që ta kaplonte shqetësimi i shokut.
– Kurora e dritës është gati si ylberi. Ylberi është shenjë e mirë, – foli prapë Iliri.
Por Flamuri përsëri heshti. Iliri e kuptoi. Shoku i tij qëndronte stoik në parandjenjat e veta.
Vërtet, ç’ishte gjithë ky nur, që rrezatonte Azemi? Iliri hodhi sytë përqark, për të dalluar një shenjë natyrore që shpjegonte dukurinë. Ah, mjegulla, i pohoi vetes. Tisi i hollë i mjegullës, që vinte nga lumi, po pushtonte ngadalë qytetin. Ajo po dendësohej nëpër këmbët e njerëzve, që kishin mbushur sheshin dhe dalëngadalë po përfshinte dhe shtatet e tyre. Një rreze dielli depërtonte nga retë e larta, e pikëlohej nëpër mjegull në mijëra xixëllima, pikërisht mbi bustin e Azemit.
– Është rrezja e dritës dhe mjegulla që zbukurojnë Azemin, – i tha Iliri Flamurit.
Flamuri pa lart, nga drejtohej dora e Ilirit.
Atë çast, rrezja e diellit u zhduk, por figura e Azemit rrezëllinte po njësoj. Drita vinte nga brenda tij. Mjegulla e bënte më të dukshme.
– Kjo është shenjë e Zotit, – tha Flamuri.
– Është shenjë e mirë, – ia priti Iliri.
– Ashtu qoftë! – qetësoi veten Flamuri.
Për herë të parë, atë ditë, u mundua të formonte buzëqeshjen.
Atë çast Azemi iu afrua mikrofonit. Rrethorja e dritës lëvizi si ai. Tha fjalën e parë, të dytë, pastaj zëri i humbi. Gjithë sheshi u ndjeh bosh. Kishin ndërprerë energjinë elektrike. Në tribunë lëvizën të shqetësuar. Nga rreshtat e pasmë të tribunës një burrë iu afrua Azemit dhe i dha një altoparlant. Ishte Kristian D.
– Profesori, – pikasi menjëherë Iliri.
– Qenka vërtetë profesori, – tha Flamuri. – Ndërsa unë mendoja, se si ka mundësi që profesori s’u duk fare këtej rrotull për mitingun, kur dihet që Azemin e ka mik për kokë.
Kristan D u tërhoq nga rreshti i parë, i dytë dhe humbi në rreshtin e fundit. Mbase ai s’ishte fare nëpër rreshta, por qëndronte jashtë tribunës e atje priste Azemin, derisa të mbaronte mitingu.
– Profesori më premtoi, që do të sjellë Azemin tek Luksi e të pimë një kafe me shoqërinë tonë, – i tha Iliri Flamurit.
– Nuk e besoj, – iu përgjigj Flamuri. – Dritani më tha që grupi do të kthehet menjëherë në Tiranë, sa të mbarojë mitingu. Megjithatë, shpresoj që profesori të na bëjë ndonjë suprizë.
Azemi u mënjanua nga mikrofoni dhe foli me altoparlant, duke theksuar çdo fjalë, pa gjeste.
Fjala “liri”, s’ishte më një shenjë. Shqiptarët kishin vite që e kishin fituar lirinë, por ende nuk ishin njerëz të lirë. Ne, që ëndërronim të ishim qytetarë të Europës, akoma nuk jemi bërë qytetarë në vendin tonë. Demokracia ështe ende një shenjë.
Kjo ishte ligjërata e Azem Hajdarit. Fare e shkurtër. Pas kësaj nuk u dëgjuan thirrje dhe ovacione. Një murmurimë e përzishme sundoi në shesh. Ndërsa në rreshtat e parë, përballë tribunës, u ndje një pëshpërimë pakënaqësie. Ata, militantët të mësuar me tubime, donin të brohorisnin për partinë e tyre, duke sharë kundërshtarët. Donin të tundnin mes brohoritjeve, flamujt dhe pankartat që mbanin në duar, duke treguar se partia e tyre ishte e fortë.
Azemi kishte vite që kishte munguar në tribunat e PD. Dhe në të parin rast, që u riduk në qytetin e tyre, nuk u bëri thirrje të bërtisnin. Bile, nuk ngriti as zërin në fund të fjalimit, që ata ta shoqëronin me një “urra” aq të fortë, sa t’i fuste drithmën gjithë qytetit. Kështu bënin kundërshtarët në mitingjet e tyre. Kështu duhet të silleshin dhe ata.
Mjegulla, që po dendësohej, po e bënte më nervoze padurimin e tyre. Dikush nga tribuna, që e kuptoi shpirtin e trazuar të turmës në shesh, me një zë koke, i ftoi pjesëmarrësit të brohorisnin për PD, për liderët e saj, për fitoren e partisë së tyre, për shkatërrimin e kundërshtarëve politikë. Njerëzit atëherë brohoritën në kor, tundën flamuj e parrulla, por jo ashtu siç donin, sikur grishësi të ishte Azemi.
Pak nga pak, njerëzit u shpërndanë nëpër mjegull, duke mërmëritur. Dy policët, që rrinin pranë birrarisë “Partizani”, nxituan të largoheshin, thua se u ruheshin zërave në mjegull. Mund të përplaseshin me ndonjë mitingas të çartur që mund t’u thoshte “Zotërinj të rendit! Ju bëhet qejfi, që ne nuk e tronditëm qytetin me thirrjet tona, hë? “ Kushedi ç’mund të ndodhte më pas. Jo, më mirë të largoheshin nga sheshi sa më shpejt.
Iliri e jetoi me mënd frikën e policëve dhe vuri buzën në gaz.
– Pse qesh? – e pyeti Flamuri.
– M’u bë, sikur dy policët pranë nesh, kishin frikë nga turma. Sa mbaroi mitingu, u larguan të parët nga sheshi.
Iliri i tregoi pastaj shokut, për atë ditë të largët janari të vitit nëntëdhjetë, për mitingun e parë të demokratëve në qytetin e tyre dhe frikën e tij kotsëkoti prej policëve.
Flamurit iu shtua më tepër pezmi nga tregimi i Ilirit.
– Që në krye të ditës e kam ndjerë se diçka nuk shkon sot. Ja, tamam si kjo puna e frikës së policëve.
I futi krahun Ilirit e u drejtuan nga grumbulli i madh i njerëzve, që shoqëronin liderat e tyre.
– Mbase takojmë Azemin, e i themi ndonjë fjalë, – shpresoi Flamuri.
Ata iu afruan grumbullit të njerëzve, por nuk çanë dot deri në qendër. Flamuri dalloi kokën e të birit dhe ngriti dorën lart.
– Është Dritani, – i tha Ilirit. – Me siguri që është pranë Azemit.
Tundi të dy duart, por qendra e njerëzve lëvizi. Dritani i humbi nga sytë.
– Edhe profesori është pranë Azemit, – tha Iliri.
– I tregove profesorit për shqetësimin tim? – pyeti Flamuri.
– Jo,- ia ktheu Iliri. – Biseduam në përgjithësi. Edhe për Azemin.
Flamuri bëri një gjest pakënaqësie:
– T’i kishe thënë një fjalë.
– Do ta cilësonte si paranojë
– Mbase ke të drejtë. As unë nuk i fola Dritanit për dyshimet e mia. Do të më ironizonte.
– Atë do të bëj edhe unë tani, – i tha Iliri.
Flamuri u dorëzua në çast.
– Ikim, atëhere. Nuk ka më kuptim të rrimë këtu.
Ecën drejt hotel Lux.
– Presim profesorin këtu. Do zoti dhe vjen dhe me Azemin, – tha Flamuri.
– Unë do të shkoj nga shtëpia e Aleancës. Kthehem mbas gjysmë ore.
– Mirë, shoku. Unë po të pres këtu.
***
Iliri u nda me Flamurin dhe nxitoi hapat për në apartamentin e vet. Arriti tek pallati mbas pesë minutash. Për fat kishte drita. U ngjit në katin e katërt me ashensor. U fut drejt e në banjo dhe bëri një dush.
Mbas banjos i thau flokët dhe i krehu me kujdes. Flokët morrën formën me gjysmë krela, siç i pëlqente atij
Veshi një këmishë bojë qielli, një palë pantallona të zeza, dhe xhaketën ngjyrë gri me dy të çara. Vuri kollaren e zezë, që e kishte përzemër, këpucët e zeza lustrafinë dhe tashmë ishte gati.
Mbas njëçerek ore ishte tek shtëpia e Aleancës, në lagjen e kishës katolike. Ky ishte emri i vjetër i lagjes “Fitorja”. Dikur atje ishte kisha katolike, që në vitet gjashtëdhjetë ishte rrafshuar me tokën e ishte kthyer në pemishte. Së fundi, në themelet e kishës së vjetër, kishin filluar punimet për ndërtimin e kishës së re. Rruga për te shtëpia e Aleancës kalonte pranë kishës.
Mjegulla e kishte shpejtuar ardhjen e mbrëmjes. Errësira po mbulonte lagjen.
– U vonove, – i tha Aleanca.
– Me orarin jam në rregull, – tha Iliri dhe i tregoi orën e dorës. Ora ende nuk kishte vajtur gjashtë.
– Eja brenda, – e ftoi ajo dhe e kapi me majat e gishtave. – Sa të përshëndetësh prindërit e mi, unë do të jem gati.
– Ti gati je, – i tha ai.
Ajo kishte veshur një fund bardhë e zi me pala, deri në gjunjë e një këmishë të bardhë, me mëngë treçerekëshe. Flokët e verdhë, të gjatë, përfundonin me rica të holla.
– Do të vesh xhaketën dhe këpucët, – tha ajo.- Do të rri disa minuta dhe para pasqyrës.
Ajo e tërhoqi mbas vetes. Në hollin e vogël të shtëpisë, e prisnin babai dhe nëna e Aleancës, të ulur në një divan. Iliri u ul në një karrike.
E ëma e Aleancës i afroi tabakanë. Iliri piu pak ujë, mori një llokume dhe e futi në gojë.
Babai i Aleancës, Petro Dhamo, para demokracisë e derisa doli në pension, në vitin nëntëdhjetë e dy, ishte drejtor i SMT së rrethit, siç quhej në atë kohë ndërmarrja e mekanikës bujqësore. Kur lindi vajza, ai i tha të shoqes:
– Emrin do e vëmë Aleanca, si aleanca e klasës punëtore me fshatarësinë punonjëse.
Gruaja nuk kundërshtoi dhe vajza u rregjistrua në gjendjen civile me këtë emër. Kur erdhi demokracia, Aleanca donte ta ndryshonte emrin, por i ati i tha:
– Tani kemi aleanca natyrore, moj bijë: aleanca me Europën, me ShBA, aleaca e Atlantikut të Veriut
Aleanca i tregoi Ilirit fjalët e babait.
– Babai ka të drejtë, – i kishte thënë Iliri me të qeshur. – Emrin e ke të bukur. Për më tepër, unë e kam të vështirë të të dashuroj ty me një emër tjetër.
Aleanca doli nga dhoma, e ndriçuar nga gëzimi. Kishte veshur një xhaketë bojë mjalti dhe një palë këpucë të kuqe, me shkëlqim. U rrotullua në majë të takave.
– Dukem mirë? – pyeti ajo.
Përqafoi të atin, i dha një të puthur të jëmës në faqe, kapi Ilirin prej krahu dhe doli nga shtëpia.
E ëma u vajti nga pas deri tek rrugica.
– Nuk do ta mbyll derën e oborrit, – tha ajo.
Iliri njihej me Aleancën që në gjimnaz. Iliri ishte maturant, ndërsa Aleanca në vitin e dytë. Mbas një mbrëmjeje vallëzimi me të dyja klasat, Iliri e kishte përcjellë Aleancën në shtëpi. Në rrugicën, aty afër portës, ai e kishte puthur. Për disa sekonda, vetëm sa i kishte cikur buzët e saj. Mbas kësaj ata u lidhën me njëri-tjetrin përgjithmonë. Por vetëm para tre muajsh u fejuan, u lidhën si të thuash zyrtarisht. Ditën e martesës ende s’e kishin prerë, por të dy e mendonin të afërt. Brenda vitit, i kishte thënë Iliri. Aleanca kishte pranuar me kokë. Ajo ishte mësuese e anglishtes në gjimnazin e ri dhe koha e martesës, s’përbënte asnjë problem për punën. Mjaftonte një javë mjalti me Ilirin mbas martese. Edhe pushimet e Vitit të Ri do t’i kalonin bashkë, jashtë qytetit. Në Korçë do të më pëlqente më shumë, kishte thënë ajo. Do të ketë dëborë. Iliri kishte thënë po.
Sot do të caktonin ditën e martesës.
Ajo e kapi Ilirin për krahu. Hodhi hapin e parë, të dytë, duke përcaktuar ritmin e ecjes. Ilirit i pëlqente që kohët e fundit, ajo merrte inisiativën e veprimeve dyshe. Ishte njësoj si ta tërhiqte për dore. Në pragun e jetës në çift, intuita femërore ishte më e sakta.
Kaluan sheshin qëndror, të ndriçuar dobët.
– Do të kalojmë nga hotel Luksi, – tha Iliri. – Profesori ka premtuar të sjellë Azemin për të pirë një kafe me shoqërinë tonë të ngushtë.
– Mirë, – pranoi Aleanca.
Përjashta barit, nën tendën e madhe, Iliri shqoi Flamurin, që i vetëm tymoste cigaren. Ai ngriti dorën për t’i grishur të afroheshin. Të dy i vajtën afër.
Flamuri i dha dorën Aleancës.
– Azemi nuk vjen, – tha. – U nis me grupin për në Tiranë. Dritani i përcolli deri jashtë qytetit. Por ju uluni e pini një kafe bashkë me mua.
– Jo, do të lëvizim, – tha Iliri.
– Do të vijmë nesër paradite tek G B, – i premtoi Aleanca.
– Epo ia kalofshi mirë, atëherë, – tha Flamuri dhe e puthi Aleancën në ballë. – Të kam njësoj si Dritanin tim. Mirupafshim nesër, shoku, – iu drejtua Ilirit dhe i rrahu shpatullat.
Mbasi u ndanë me Flamurin, Aleanca tha:
– Sa herë dëgjoj të flitet për Azemin, nuk e di pse ndjehem e trishtë. Më vjen keq për të. Më duket i braktisur nga të gjithë.
– Unë s’mendoj kështu, – tha Iliri. – Ka mijëra njerëz që e duan Azemin, sepse Azemi ka dhënë shumë dashuri. Ka mijëra të rinj, që me një fjalë të tij, mund t’i shkojnë pas.
– Që në krye të herës, unë e kam pasur këtë ndjesi, – tha Aleanca. – Im atë vjen një mbrëmje në shtëpi, i mërzitur. Ishin ato ditët e fillimit të demokracisë. Mezi hëngri dy kafshata bukë. Pse je kaq i ngrysur, e pyeti mamaja. Çështje pune, i tha ai. Të kanë hequr nga drejtor? Punë e madhe, vazhdoi mamaja. S’është tamam çështje pune, tha babai. Na erdhën nga komiteti i partisë sot. Organizuam një takim për zhvillimet e reja demokratike në vend, për pluralizmin politik e të tjera si këto. Ngrihet sekretari i dytë i rrethit dhe sulmon partinë e parë, të sapoformuar, PD. Pastaj me fjalët më të ulta, nxjerr vrer për Azem Hajdarin, kryetarin e kësaj partie. Azemi është ai djali kaçurel, që udhëhoqi lëvizjen studentore, sqaroi ai mamanë. E di, tha mamaja. Atë djalin e njoh nga televizori. Djalë për t’u pirë në kupë është. E pra, vazhdoi babai, sekretari e sulmon Azemin me shpifje nga më të ultat. Na thotë që ka ndarë dy gra dhe këtë studenten tani e ka grua të jashtëligjëshme. Ka shtatë fëmijë me gratë e para dhe dy a tre me këtë studenten, të gjithë ilegalë, e budallallëqe të tjera të këtij lloji. Ja, këta janë njerëzit që duan të na marrin pushtetin, përfundoi. Në këndin e kuq ra heshtja. Mua më erdhi turp nga fjalët e tij, sepse në ndërmarrje kemi dhe punonjës shumë të mirë, por që përkrahin demokratiken. U ngrit një djalë i ri dhe i tha sekretarit se fjalët e tij ishin shpifje. Ky u bë si bishë. Do të të hedh hekurat, i tha. Do të të kalb në burg. Pastaj m’u drejtua mua. Po ti drejtor, më tha, gjarpërinjtë ke strehuar në administratë. Unë ia prita se djali kishte të drejtë. Pluralizmin s’e bëmë unë dhe ti, por atë e vendosi partia dhe shoku Ramiz. Kush nuk e pranonte atë , ishte kundër vijës së partisë. Ashtu, tha ai. Nesër në mëngjes të vish në Komitetin e Partisë dhe të dorëzosh dokumentin e Partisë dhe çelësat e drejtorit. Po ti ç’do të bësh, i tha mamaja. Po këmbëngulën, do t’i dorëzoj të dyja, tha babai. Nuk e dua karrigen e pushtetit në këmbim të gënjeshtrave dhe sharjeve. Boll më.
Aleanca u shtrëngua fort mbas Ilirit:
– Tregimi i babait më trishtoi atë kohë. Po sa të pavërteta janë thënë e shkruar për Azemin deri tani. Sa vrer është vjellë kundër tij. Nuk e kuptoj përse, kur duhet të kishte ndodhur e kundërta. Një shtet, apo një komb, do të krenohej me një Azem si i yni.
Iliri donte t’i thoshte se Azem Hajdari ishte i nderuar nga populli, por klasa e politikanëve . . . E la përgjysmë përgjigjen që mendonte dhe e afroi Aleancën pranë vetes.
Kishin mbërritur tek tavernat, buzë lumit. Ishin katër të tilla pranë njëra-tjetrës. Të gjitha të ndërtuara me dërrasë. Edhe emërtimet i kishin të gjitha njësoj, thjesht Taverna. Por cilësoheshin me nga një numër 1,2,3,4.
– E kam zgjedhur që në shtëpi tavernën, – tha Aleanca.
– Damat zgjedhin gjithmonë
– Taverna tre, – përcaktoi Aleanca. – Unë, ti dhe ne të dy.
Taverna tre shërbente më së shumti prodhime deti.
– Unë do të zgjedh sepie të furrës, me shumë salcë, – tha Iliri. – Po ti?
– Të shoh njëherë menunë.
Kamarieri i priti tek dera
– Urdhëroni ! – i ftoi ai.
Në tavernë kishte pak klientë. Ata zgjodhën një tavolinë pranë dritares. Lumi nuk dukej, por rrjedhja e ujit, me tingujt e zgjatur e monotonë, dëgjohej nga dritaret gjysmë të hapura.
Kamarieri solli menunë. Aleanca e lexoi vertikalisht.
– Palçeta qengji me perime të pjekura, – porositi. – Sepje të zgarës me shumë salcë, djathë të bardhë të skuqur, një sallatë domate dhe verë.
Pa Ilirin
– Verë të kuqe të Delvinës, – plotësoi Iliri. – Në fund do të sjellësh tortë dhe Martini.
Kamarieri mbajti shënimet në bllok dhe u largua.
Aleanca nxorri nga çanta një kalendar të vogël një fletësh dhe e la mbi tavolinë. Vendosi duart e saj mbi ato të Ilirit.
– Unë do të pëlqeja për martesën, mesin e nëntorit, – tha ajo.
Iliri i hodhi një sy kalendarit të vogël.
– E diela s’është domosdoshmëri, – propozoi ai pa gajle.
– E diela është e padiskutueshme, – kundërshtoi Aleanca.
– Në parim s’jam dakord, – tha Iliri. – Por më thuaj arsyet pse të jetë vetëm dita e diel. Për mua të gjitha ditët janë njësoj.
– Së pari, e diela është pushim. Unë nuk dua të martohem në ditë pune, si bëjnë emigrantët. Ata vijnë këtu e, për shkak të kohës së kufizuar, zgjedhin një ditë çfarëdo si të kremte.
– Së dyti, – numëroi Iliri
– Së dyti, për traditë. Në shtëpinë e nuses festa bëhet të shtunën, në shtëpinë e dhëndërrit të dielën.
– Së treti?
– Së treti, dua të dal nuse nga shtëpia e të më shohë gjithë lagjja. Gjithë nxënësit dhe mësuesit e shkollës do të vijnë të më përcjellin. Kjo realizohet vetëm të dielave. Dhe së fundi . . .
– Paska edhe të katërt?
– Po, ka edhe një të katërt. Dua të vë kurorë në kishën pranë shtëpisë.
– Kisha ende s’është ndërtuar, – vërejti Iliri. – Edhe prift s’ka.
– Prifti i dikurshëm jeton në lagjen tonë, – tregoi Aleanca. – Është rreth shtatëdhjetë vjeç. Kur i thashë, se doja të kurorëzohesha në kishën e tij, ai u mallëngjye. Vajti në Tiranë, tek këshilli i tyre dhe ata e emëruan si priftin e kishës që po ndërtohet. Që nga ajo ditë, vjen rregullisht në kishë, me rrobat e priftit. Altari i parë i besimtarëve ka qenë toka, nën qiell, më tha. Ai do të më bekojë ditën e diel të martesës.
– Dhe e pesta, – tha Iliri.
– Nuk ka të pestë. Kjo ishte e fundit.
– E pesta është që unë pranoj katër arsyet e tua, – tha Iliri. – Ndërsa e gjashta është një propozimi im, për ty. Do të vish në shtëpinë time sot?
Aleanca u bë e trëndafiltë.
– As mos e mendo, – i tha Ilirit dhe i hoqi duart nga duart e tij. – A nuk e dëgjove mamanë që do ta linte portën të pakyçur? Kjo do të thotë që më presin në shtëpi.
– Arsyen e gjashtë, do ta diskutojmë pasi të caktojmë ditën e martesës, – nuk u tërhoq Iliri.
– Mos fol kështu se do të zemërohem, – tha Aleanca duke ulur kokën e turpëruar.
Ai ia mori gishtat dhe ia puthi. Aleanca instiktivisht u ep drejt tij, por shpejt u tërhoq në pozicinin e saj. Duart i fshehu mbas shpine.
Kamarieri u shtroi tavolinën, hapi shishen e verës, ua serviri nëpër gota dhe u tërhoq në një kënd të sallës.
Iliri ngriti gotën i pari
– Gëzuar !
– Gëzuar !
Trokitën gotat.
– Për të dielën tonë ! – tha Iliri
– Për dasmën tonë !
Ora kishte kaluar shtatë e mbrëmjes. Televizori i ndezur, në një cep të sallës ndërronte pamjet e një filmi aksion. Filmi dukej i pakuptimtë, pasi në tavernë dëgjoheshin këngët me motive myzeqare, që stononin tmerrësisht me sfondin e një muzike filmi aksion. Ishte një kasetë me këngë dasme të vjetra, me zanore të zgjatura në fillim dhe në fund të fjalëve, që shkaktonin trishtim. Banakieri, me sytë nga televizori, rrinte krejt i përhumbur në magjinë e këngëve dhe përmendej sa herë kamarieri i afrohej banakut e i jepte ndonjë porosi.
Në një moment, ai e fiku magnetofonin dhe e përqëndroi vështrimin në ekranin e televizorit. Shiriti i titrave, s’ishte më përkthimi i filmit. Disa sekonda më pas, transmetimi i filmit u ndërpre dhe ekrani i AVN u bë blu. Shkronjat e titrave u bënë të mëdha e të dukshme. Iliri lexoi. Njoftohemi, se disa minuta më parë është qëlluar me armë deputeti Azem Hajdari… Njoftohemi, se disa minuta më parë është qëlluar me armë deputeti Azem Hajdari… Njoftohemi…
– Kanë vrarë Azemin! – tha me zë të lartë, gati vajtues banakieri.
Iliri pa Aleancën.
– E vranë, – tha ajo me sytë nga televizori.
Në tavernë ra heshtje e thellë. Të gjithë vështrimet ngrinë mbi ekran.
Banakieri kërkoi me pult TVSH. I njëjti lajm i vrasjes së Azemit, me titra. Pranë selisë së PD në Tiranë,.. saktësonte TVSH.
Mbas pak, një spikere deklamoi me zë vrasjen e Azemit. Fjalët i shqiptoi pothuajse me rrokje, me një ton të përzishëm.
Aleanca afroi karrigen pranë Ilirit dhe shtrëngoi fort me duar krahun e tij të djathtë.
– Përse !? – shqiptoi ajo e zymtë.
Iliri nuk u përgjigj.
U dëgjua një krismë e thatë, si bubullimë e largët. Pastaj një breshëri krismash. Po qëllonin me armë.
Në tavernë klientët lëvizën karriget. Nxorën portofolët për të paguar. Disa lanë lekët në tavolinë dhe pa kërkuar reston, dolën me nxitim.
Iliri pagoi dhe me Aleancën, që s’ia lëshonte krahun, u largua si gjithë të tjerët. Rruga kryesore e qytetit po boshatisej me shpejtësi. Iliri kërkoi me sy ndonjë taksi.
– Eja ikim në këmbë, – i tha Aleanca.
Iliri nxitoi hapin. Ritmi i ecjes së tij ishte i shpejtë. Aleanca dihati me vështirësi. Iliri ngadalësoi pak.
Lart në qiell shndriti një vetëtimë blu. Prapë vetëtima blu, mendoi Iliri. Krisma e bubullimës erdhi e shurdhët. Pas kësaj u dëgjuan breshëritë e automatikëve. Trajektoret e kuqe të plumbave dukeshin si meteorë që humbisnin nëpër re. Filluan pikat e para të shiut.
Tek shtëpia e Aleancës, porta e oborrit, ishte hapur kanatash. Nëna dhe babai, ndienë hapat e të rinjve dhe hapën derën e jashtme.
Iliri nuk u fut në shtëpi.
– Eja brenda – tha Petrua. – Nuk ke ku ikën tani.
Iliri përqafoi Aleancën dhe bëri mbrapsht.
– Mos kini merak për mua. Do t’ju marr në telefon, sapo të mbërrij në shtëpi.
Humbi në rrugicë.
Pjesa e dytë
Iliri u zgjua pak minuta para orës shtatë. Sytë iu lbyrën nga drita e mëngjesit.
Kishte harruar pa ulur grilën e dritares, natën e kaluar. Përpëliti qepallat disa herë. Më në fund sytë iu hapën. Ndiente një dhembje prapa kokës. Edhe trupin e kishte të dërrmuar. Ijet i dhimbnin. Kishte kaluar një natë sfilitëse. Ajo përpëlitje në shtrat, që mund të quhej gjumë, e kishte lodhur më shumë se një rendje e gjatë. Mori frymë thellë për të rregulluar ritmin e qetësisë, që i mungonte qysh nga nata e djeshme.
Vrasja e Azemit e kishte tronditur tej mase. Kush? Përse? Parandjenja e keqe e Flamurit, qysh në krye të ditës së djeshme, kishte përfunduar me një mort në pragun e natës.
Përfytyroi Flamurin me sytë e lagur nga lotët që do t’i thoshte. Shenjat ishin të dukshme, por ne nuk i vlerësuam. Do të niste pastaj të përmendte shtyrjen e orarit të mitingut, mjegullën e papritur të mbasdites vonë, aureolën si të ëngjëjve, që rrethonte figurën e Azemit dhe vetëtimat ngjyrë blu.
Iliri, nga ana e tij, do t’i tregonte për kryqin e vogël dhe emrin e Azemit, të shënuar në ditar me ngjyrën jeshile, për krahasimin e Azemit me një replikant , dhe fjalët e profesorit se replikantët nuk rrojnë më shumë se dyzetë vjeç.
Megjithatë, shenjat nuk janë informacion, do të përfundonte Iliri. Ishin tepër të qarta, do të kundërshtonte Flamuri. Ne të kishim bërë minimumin. Ta njoftonim se i kanosej një rrezik. Nuk do të na besonin, do t’i përgjigjej Iliri. Megjithatë, duhej ta lajmëronim, do të këmbëngulte Flamuri. Unë ndihem në faj.
Iliri përfytyroi se si Flamuri, pasi të thoshte fjalët e fundit, do të kthente me eks një dopjo Martini.
Iliri u ndje në faj. U çua përgjysmë në shtrat. Ku është faji im këtu, arsyetoi. Një fjalë t’ia kishim thënë pas mitingut, qortoi veten, njësoj siç do të bënte Flamuri.
Dëgjoi tingujt e shkurtër e të përsëritur të orës. Po binte ora shtatë. U ngrit nga krevati me përtesë, mori orën në duar dhe çaktivizoi alarmin.
Hodhi sytë përtej dritares. Qielli ishte gri , njësoj si mëngjesi i djeshëm. Retë ishin tepër lart. Gjasat për shi ishin të pakta.
Iu afrua tavolinës. I hodhi një sy kalendarit me fletët ditore. Nxorri nga sirtari një kolor të zi dhe u ul në karrige. Do të bënte një kryq të madh në fletën e datës 12 Shtator 1998. Përbri orës 20 °° do të shtote : “ U vra Azem Hajdari”. Instiktivisht lexoi edhe njëherë shënimet e datës së djeshme , që i dinte përmendësh. Ja , ora 10 °° në G B Bar , porosia e dollarëve për XX , ora 18 °° , një darkë me Aleancën. Pastaj i habitur, përqëndroi vështrimin mbi kalendar. Shënimi i orës 12 °° “ Mitingu i PD. Azem Hajdari ? “ mungonte. Zbrasësia e trembi. E shkrova dje në mëngjes , i tha vetes. Me stilolapsin jeshil. Ah , nuk ishte as kryqi i vogël jeshil në krye të faqes. Ç’po ndodh kështu, mendoi. Unë ditën e djeshme e fillova me shënimet në kalendar. U dithërua deri në palcë.
Lapsi i kuq e stilolaosi me bojën blu ishin pranë kalendarit. Stilolapsin jeshil nuk po ia kapte syri. U alarmua. Hapi sirtarin e tavolinës. Ishte aty. E mori dhe bëri një shkarravinë mbi një letër të bardhë. E vendosi stilolapsin mbi kalendar. Ishte gjurma e një dite të zhdukur!? Rrëmbeu pultin dhe ndezi televizorin. Në ekran u shfaq stampa e televizionit AVN. E shtunë, 12 Shtator 1998. Emisionet tona rifillojnë në orën 08°°.
Kontolloi TVSH. Përsëri 12 Shtator 1998. Po unë e jetova njëherë këtë ditë, foli me zë të lartë. Pas datës dymbëdhjetë, vjen trembëdhjeta. Mbas të shtunës, vjen e diela. Shkoi në korridor dhe pa veten në pasqyrën e madhe. Ky jam unë, tha Nuk jam në ëndërr.
U ul në karrike, pranë tavolinës. Donte të bërtiste e të kërkonte ndihmë. Po kujt? Në shtëpi ishte vetëm ai. E kuptoi se po e jetonte për së dyti datën dymbëdhjetë shtator.
E çfarë nëse e jetoj këtë ditë për së dyti , arsyetoi. Sa e sa gjëra përsërisim në jetë. Kthehemi mbrapsht dhe e nisim nga e para.
Një ide e beftë e ngriti në këmbë. Do ta fillonte ditën e jetuar një herë, nga e para. Do ta ndryshonte. Mund të shmangej atentati ndaj Azemit.
Në kalendar, pranë datës 12 shtator, shënoi kryqin e vogël me lapsin e kuq. Asnjë shënim tjetër.
U vesh me të shpejtë dhe doli jashtë apartamentit. Mbylli derën mbas vetes. Kurthi i kohës të ishte vetëm brenda hapësirës së shtëpisë !? Zemra i shtoi rrahjet. Zbriti nëpër shkallë. Në katin e dytë do të ndeshej me nënë Sofien. Vetëm sa do të përshëndeteshin. Disa shkallë më lartë, nënë Sofia do të rrëshkiste e do të lëndohej pak në njërin gju. Ai do ta ndihmonte të ngrihej dhe do ta shoqëronte deri në katin e pestë, në apartamentin e saj. Kështu kishte ndodhur.
Në katin e dytë Iliri takoi nënë Sofinë.
– Mirëmëngjes, nënë Sofie!
– Mirëmëngjes, o bir!
Në duar mbante bukën dhe një çantë plastike, mbushur me perime.
– Të të çoj unë lart, – i tha.
Mori bukën dhe perimet në njërën dorë. Me tjetrën kapi nënë Sofien për krahu.
– Më rrofsh, o bir! – uroi nënë Sofia.
Disa shkallë më lart, ajo gati u pengua, por u mbajt fort mbas Ilirit .
– Uf, e përpak rrash !
Iliri e shoqëroi deri tek dera e apartamentit të saj.
– Faleminderit ! – e uroi ajo për së treti.
Funksionoka, mendoi Iliri duke ecur shkallëve tëposhtë. Mori frymë thellë.Korrigjimin e parë të ditës, sapo e bëri. Të sotmen e njihte. Ishte si një letër e shkruar. Mund të fshihte një fjalë, një ngjarje dhe ta rishkruante ndryshe. Veçanërisht mbrëmjen do ta bëj të bukur, tha, pa plumba.
U drejtua tek hotel Lux. Rrugës u përball me Paskalin, kryetarin e PD së qytetit. Vetëm sa ishin përshëndetur në rastin e parë. Tani ndaloi para tij.
– Mirëmëngjes! – e përshëndeti Iliri.
I zgjati dorën
Paskali ia shtrëngoi përgjysmë.
– Më fal Ilir, nxitoj. Duhet të shkoj diku.
Kishte tepri në ngutjen e tij.
– Doja të të pyesja për orën e mitingut, – i tha Iliri. – Përse është ndryshuar?
– S’e di, – tha Paskali shpejt e shpejt.
Hodhi hapin e parë djathtas, që të shkëputej nga Iliri. Pastaj ndali.
– Ti nga e ke marrë vesh, që orari ka ndryshuar ? – pyeti ai dyshues.
– Thjesht e di, – tha Iliri. – Do të bëhet në katër mbasdite.
Paskali e pa ngultas.
– Orarin e zhvendosi policia, – tha ai. – Mua sapo më njoftuan. Për atje jam nisur. Por ti si e ditke këtë lajm? Informacionet e policisë janë të rezervuara.
Në vend që të përgjigjej drejtpërdrejt, Iliri i tha:
– Mos prano të ndërrohet ora. Këmbëngul për këtë. Është me rëndësi.
Paskali u ndje i nënvlerësuar nga mënyra se si po zhvillohej biseda me Ilirin. Një tjetër të dinte më shumë se ai për partinë që ai drejtonte!? Për më tepër, ta këshillonte se ç’duhej të bënte!? Në njëfarë mënyre edhe ta urdhëronte. Dhe cili? Një tjetër, që nuk ishte as anëtar i partisë së tij.
– Policia s’është në dorën tonë, more zotëri, është e qeverisë. Dhe çfarë duhet të bëjmë e si do t’i bëjmë punët e partisë, nuk kemi nevojë për këshillat e rrugës.
Hodhi hapin e parë djathtas, u shkëput nga Iliri dhe nxitoi për në Drejtorinë e Policisë.
***
Ishte ora tetë, kur Iliri mbërriti në hotel Lux. U fut në bar e u drejtua tek tavolina ku ulej çdo mëngjes. Sajmiri i buzëqeshi që nga banaku. Do t’i sillte kafen ekspres në filxhan çaji, apo do t’i thoshte se Agimi e priste sipër !?
Agimi e priste në barin privat.
Iliri ngjiti shkallët. Trokiti në derë dhe e hapi. Agimi e tërhoqi butësisht brenda.
– Mirëmëngjes! – tha Iliri për të tre.
– Mirë se erdhe!
Agimi e drejtoi tek tavolina.
V.Z dhe AM u çuan në këmbë dhe përshëndetën njëzëri nga ana tjetër e tavolinës:
– Mirëmëngjesi !
– Njihu me miqtë e mi, – i tha Agimi dhe e la Ilirin në këmbë, përballë dy djemve.
Iliri nuk priste që ata të zgjasnin dorën e të prezantoheshin. Lëvizi karrigen e u ul në tavolinën e madhe rrethore, karshi V.Z.
– Të lutem, një ekspres dopjo, – iu drejtua Agimit.
Agimit iu duk e pazakontë sjellja e Ilirit. Mendjemadhësia ishte më e pakta që mendonte. Iliri nuk denjoi t’u jepte as dorën. Ah, jo kështu. Ai, Agimi kishte organizuar këtë takim pune, ku më i fituari dilte Iliri. Ndërsa Iliri tregohej kaq mospërfillës.
Agimi përgatiti ekspresin në filxhan çaji dhe e la para Ilirit. Bëri një përpjekje për të buzëqeshur. Kaloi nga ana tjetër e tavolinës. Diçka i pëshpëriti në vesh VZ. Ky tundi lehtë kokën. Agimi zuri vend në tavolinë midis Ilirit dhe V.Z. Si i zoti i shtëpisë, filloi bisedën i pari.
– Këtu jemi midis shokësh e miqsh. E ku ka më mirë se sa të bësh një biznes, me njerëz që njeh e janë të besuar.
Pastaj iu drejtua Ilirit.
– Miqtë e mi janë nga Tirana. Do të të thonë vetë kërkesën që kanë.
– Po i dëgjoj, – tha Iliri.
V.Z. pa nga A.M. Ky u ngrit në këmbë dhe paraqiti kërkesën që Iliri tashmë e dinte. Të siguronte gjysmë milioni dollarë, për dhjetë ditë. Të gjitha kartmonedhat do të kontrolloheshin me aparat.
Pasi përfundoi pa nga shokui tij më i madh. V.Z. aprovoi duke tundur kokën.
– Pranoj , – tha Iliri. Por afati do të jetë më shumë se dhjetë ditë.
AM vështroi V.Z. Ky i bëri një shenjë.
– Sa ditë më shumë ? – pyeti AM.
– S’e di, – tha Iliri.
VZ , që deri në atë moment , tundte kokën dhe bënte shenja me shokun , tha:
– Nëqoftëse kjo punë nuk ka cak, atëherë është e kotë të bisedojmë me tej.
Fjalët i shqiptoi ngadalë, me zë të thellë basi, të ngjashëm me atë të Ahmet Golemit.
Ndërhyri Agimi :
– Një minutë zotërinj. Nuk mund të themi kaq lehtë “jo”.
U kthye pastaj nga Iliri:
– Se si më dukesh sot, – i tha, – i mërzitur, i paqetë. Ndonjë problem nga shtëpia?
Iliri nuk iu përgjigj menjëherë. Të ishte vetëm me Agimin, do të fliste më shpenguar. Në prani të dy të rinjve nga Tirana, fjalët e tij mund të mos besoheshin fare. Mund të lindnin dhe keqkuptime. Sa do të donte, të bisedonte me profesorin më parë. Disa gjëra do të ndryshonin që në krye të ditës.
Agimi priste përgjigjen e tij. E kishte humbur durimin. Mori një kubik akulli, e hodhi në gojë dhe filloi ta përtypte me zhurmë.
– Mund të ketë trazira këto ditë në qytet, – foli Iliri, duke iu drejtuar më tepër Agimit. – Gjithë vendi mund të jetë në kaos. Prandaj nuk vendos dot një afat përfundimtar për grumbullimin e valutës.
Agimi u ngrit nga vendi dhe shkoi nga ana tjetër e tavolinës. Donte ta kishte Ilirin ballëpërballë. Të ishin vetëm ata të dy në bar, do t’i thoshte “Ç’po na përrallis kështu“. Por sërish do ta dëgjonte deri në fund. Iliri nuk fliste asnjëherë me hamendje. Për më tepër, ishte i kursyer në fjalë.
Agimi vuri dorën mbi supin e V.Z. dhe foli për të tre:
– Po na thua që do të ketë trazira këto ditë! Gjithë Shqipëria rrokopujë është. Përditë ka krisma armësh. Dëgjojmë për vrasje. Dëgjojmë për vjedhje. Jemi të rrezikuar në çdo orë të ditës dhe të natës. Megjithatë, punën kurrë nuk e kemi lënë. Përpiqemi të jetojmë normalisht. Qyteti ynë është më i qetë se shumë qytete të tjerë, sepse ne punojmë.
– Do të qëllojnë Azem Hajdarin, – tha Iliri. – Sot në mbrëmje. Pranë selisë së PD, në Tiranë.
VZ lëvizi i shqetësuar. Pa nga AM. Ky u ngrit në këmbë. Me njërën dorë largoi fundin e xhuboksit dhe preku revolen e ngjeshur në brezin e pantallonave blu xhins.
– Nga e di ti? – pyeti Agimi
– E di , – tha Iliri.
– Ke ndonjë informacion ? – pyeti Agimi.
– Po e jetoj për së dyti, ditën e sotme, shoku. E di ç’do të ndodhë nga mëngjesi e deri në mesnatë. Vrasjen e Azemit e mora vesh nga televizioni. E dhanë të gjitha mediat, edhe të huajat.
Agimi e pa shokun me vëmendje. Nuk dalloi asnjë dridhje të dritës në sytë e tij. Iu duk i lodhur. Një natë pa gjumë, mendoi. Mëngjesi të ishte pjesa e fundit e ditës për atë !?
– Mbase ke nevojë për pushim, – i tha. – Bisedojmë më vonë për punën tonë.
– Do të bisedojmë nesër në mëngjes, – tha Iliri. – Do të pres profesorin, në orën njëmbëdhjetë në barin poshtë. Ai ka marrë xhipin tënd dhe ka ikur në Roskovec. Ai mund të të shpjegojë se ç’po ndodh me mua. Do të bisedojmë dhe për ngjarjen e mbrëmjes në Tiranë e si mund ta shmangim atë.
– Ashtu!?
Agimi kujtoi porosinë e profesorit për Ilirin.
– Ti nga e dije se profesori kërkon të të takojë në orën njëmbëdhjetë?
– Do të ma thoshje ti, kur të dilja prej këtu. Por unë, tashmë, e di. Për mua, e sotmja është si një film, që e kam parë njëherë.
V.Z. i pëshpëriti diçka në vesh Agimit. U ngritën të dy nga tavolina dhe shkuan deri tek banaku.
– Është e pabesueshme, çka po dëgjoj nga shoku yt, – tha V.Z.
– Është e rrallë, por jo e pangjarë , – ia ktheu Agimi.
– Kjo do të thotë që ti u beson fjalëve të tij, apo jo?
– Po. Ne jemi një grup shokësh, që e njohim mirë njëri tjetrin. Jemi më shumë se miq. Iliri është më i riu prej nesh. Profesori thotë se për këtë arsye ai është i përkëdheluri i grupit. Për Ilirin ky status nënkupton më shumë cilësi. Unë e besoj atë.
– Mund të ketë gisht profesori, në këtë rast? – pyeti V.Z.
Agimi nënqeshi. V.Z. e mori gjestin e tij si aprovim.
V.Z. e kishte takuar Kristanin vetëm një herë, para gjashtë muajsh. Po drekonte me XX dhe Agimin në një lokal në Poro. Me ta ishte edhe Kristani. Agimi e prezantoi V.Z. me profesorin. Gjatë bisedës, V.Z. dëgjoi nga profesori ,gjëra të padëgjuara më parë. Duke iu referuar Biblës, profesori tha se njeriu është modeluar të rrojë jo më pak se pesëqind vjet. Diçka është prishur në orën tonë biollogjike, shpjegoi profesori. Përderisa është prishur, edhe mund të ndreqet. Kur V.Z. e pyeti, se si mund të bëhet kjo gjë, profesori i tha thjeshtë se duhet vajisur ingranazhi i orës së jetës. Folën pastaj për kohën dhe hapësirën, si dy elementë brenda të cilave ka kuptim jeta e çdo njeriu. Profesori tregoi se perënditë, në të cilët besonin stërgjyshërit tanë, s’ishin tjetër veçse njerëz inteligjentë, të cilët njihnin mekanizmin e kalimit në kohën e shkuar dhe të ardhme. Ata flisnin për të ardhmen me saktësi, sepse e njihnin mirë atë. Ndaj udhëzonin popujt e tyre si të silleshin ditë pas dite e vit mbas viti. Të tillë njerëz, mund të ketë edhe sot, përtej shkencës dhe magjisë. Po ju profesor, pyeti V.Z. Unë jam më afër shkencës. Unë eksperimentoj, kishte përfunduar Kristani.
Të ishte eksperiment i profesorit rasti i Ilirit, dyshoi V.Z.
V.Z. u ul në vendin e tij, në tavolinën e madhe. Priti që Agimi t’i ulej pranë.
– Po mirë, – iu drejtua Ilirit. – Pranoj, që takimin tonë të punës ta shtyjmë për nesër.
Iliri e vështroi me mëdyshje. Kishte ardhur koha për t’u larguar. Nuk kishte ç’të bisedonte më me tiranasit.
– Ju uluni, zoti Ilir, – tha V.Z. – Unë besoj në ato që thoni. Më duket interesante përvoja që ju po kaloni, por jam po kaq i shqetësuar për fatin e Azemit. Na thuaj diçka më tepër.
Iliri u ul.
– Azemi u qëllua pranë selisë së PD-së, rreth orës tetë të mbrëmjes. Për fat të mirë, unë e di tashmë këtë. Është detyra jonë, veçanërisht e imja, ta shmangim atentatin.
Iliri piu pak ujë
– Do të bëja të njëjtën gjë, për të shpëtuar një jetë tjetër, të një njeriu fare të panjohur në një kënd të botës. Por për Azemin, do të bëja më tepër se për këdo tjetër. Është njeriu që vrau frikën time. Është njeriu, nga fjalët e të cilit kuptova thelbin e të jetuarit, lirinë.
V.Z. tundi kokën si të pohonte fjalët e Ilirit. Por sytë e tij të bardhë, ishin të ftohtë.
– Azemin e njoh mirë, – tha ai. – Ja, i hipi bencit e për dy orë jam në Tiranë. I them Azemit fjalët e tua. Por a do të më besojë ai ?! Këshillat, kujdes këtu, mos ik atje, mos dil i vetëm, janë të përditshme për të. Ti duhet të më japësh më shumë informacion, për këtë rast. Besoj se më kupton ?
– Shefi e ka shok të ngushtë Azemin, – u hodh dhe tha A.M. – Kanë qenë bashkë në grevën e urisë së studentëve.
V.Z. mbylli pak sytë.
– Isha nga të parët në grevën e urisë – tregoi V.Z. – Në fillim, thjesht për një bast, një darkë tek pesëmbëdhjetë katëshi. Kisha shëndetin e një kali gare, dhe u thashë shokëve se do të dorëzohesha i fundit. Më pas e ndjeva se s’ishte thjesht bast e as solidaritet shokësh. Thellë, në secilin prej nesh, flakëronte dëshira për liri dhe Shqipëri europiane.
Azemin e kishim të parin tonë. Ishte një idealist i madh. Ishte më i bukuri prej nesh. Nga paraqitja, po se po, por më shumë nga fisnikëria dhe fjala e bardhë, domethënë fjala e paqes. I tillë ka mbetur edhe tani, idealist dhe i paqtë. Pamvarësisht se ne nuk u bëmë dot qytetarë të Europës. Ne nuk jemi ende as qytetarë të vendit tonë. Jemi ca civilë të mjerë, pa damkë dhe identitet, sepse nuk kemi shtetarë të zotë.
V.Z., ndërsa fliste, dukej se ëndërronte. Sytë e akullt i ishin zbutur e ujëzuar. Ngjyra e tyre e bardhë, ishte shndërruar në blu. Fytyra i ishte ngjyrosur rozë. Pikat e djersës i vesuan deri në mjekër. Mori një kartëpecetë dhe e shkoi lehtë në fytyrë. Disa sekonda më vonë, u bë përsëri i ftohtë.
AM u ngrit menjëherë në këmbë dhe i afroi shokut një gotë me ujë. VZ e piu menjëherë
Iu drejtua Ilirit.
– Shefi kërkon më shumë informacion për atentatin që do t’i bëhet Azemit. Pastaj futemi në aksion ne.
– Televizioni dha vetëm njoftimin. Më shumë me titra e fjalë, se sa me pamje. Ky është i gjithë informacioni që unë kam.
– Ndonjë hollësi e veçantë ? – këmbënguli AM.
– S’më kujtohet asgjë e tillë. Isha i tronditur.
Iliri pa Agimin. Ky nuk po fliste prej minutash të tëra. Kishte mbështetur mjekrën pak anash, mbi njërën dorë dhe dëgjonte, ndërsa të tjerët flisnin. Vendosi duart në tavolinë e shpiu këmbët e u bë më i vëmendshëm, kur dëgjoi AM, t’i thoshte Ilirit se do të hynin në aksion. I la bashkëbiseduesit të mbaronin fjalët e nisura dhe tha :
– Do të presim profesorin. Do të bisedojmë e pastaj do të vendosim se ç’duhet të bëjmë.
– Unë mendova të niseshim për Tiranë, të takonim Azemin, – tha V.Z. – Të vinte edhe Iliri me ne.
– Jo! – tha prerë Agimi. – Do të presim profesorin.
– Azemi do të jetë këtu, në miting, – tha Iliri.
– E sigurtë kjo? – pyeti V.Z.
Dhe pa pritur që Iliri të fliste , shtoi :
– Është e sigurtë, përderisa e thua ti.
Agimi i ra lehtë shpatullave:
– Kështu po, – tha.
Pastaj iu drejtua Ilirit:
– Në takimin tonë, që ti e ke jetuar njëherë, çfarë vendosëm për grumbullimin e valutës ?
Ishte një mënyrë për të ndryshuar disi fillin e bisedës, një lloj pushimi pa ankth.
Iliri i tha V.Z.
– Ofertën tuaj unë e pranova që në krye të herës. Dhe afatin prej dhjetë ditësh. Mbas kësaj, ju më afruat njëmijë dollarë si dhuratë. Një pliko me kartmonedha dhjetë dollarëshe. Plikon e keni në xhepin e djathtë të xhaketës.
V.Z. futi dorën në xhep. Nxori plikon me dollarë dhe e la në tavolinë, para Ilirit.
– E taksura nuk kthehet, – tha, – sido që të jetë marrëveshja jonë.
Iliri preku me gishtin e madh, të njërës dorë, kartëmonedhën e parë. E veçoi nga grumbulli dhe e mbajti në dorë. Plikon e shtyu në drejtim të V.Z.
– Vetëm kjo kartëmonedhë është origjinale, – tha Iliri. – Nëntëdhjetë e nëntë të tjerat janë fallco. U mungojnë disa elementë sigurie.
V.Z. mbeti vërtet i habitur.
– Qenke i zoti , – tha.
– Ky është profesioni im zotëri, – ia ktheu Iliri. – Aparati edhe mund të gabojë. Gishtërinjtë e mi kurrë.
– Unë i besoj plotësisht këtij zotërie, – iu drejtua V.Z. dy të tjerëve, ende i suprizuar nga fjalët e Ilirit.
Pastaj i tha Ilirit:
– Kjo ditë do të jetë e gjatë për ne. Do të takohemi përsëri e do të flasim përsëri. Ne e dimë emrin tuaj, nga Agimi. Ndërsa ju, nuk e kërkuat prezantimin tonë. Apo jemi njohur në takimin e mëparshëm, pra në të sotmen, që ti e ke jetuar njëherë?!
Iliri u mendua disa sekonda. Donte të shmangte ngatërresën me inicialet V.Z. I zgjodhi fjalët me kujdes.
– Kur hyra këtu, u ula drejt e në tavolinë, sepse e dija që ju nuk do të përmendnit emrat tuaj. Nuk e bëtë në takimin e parë. S’do ta bënit as sot. As Agimi nuk do ta bënte. Agimi ju ka treguar, se të gjithë klientëve, me të cilët unë punoj, i njoh ose jo, u drejtohem me iniciale. Është pjesë e sekretit tim profesional. Edhe ju s’bëni përjashtim. Për mua, ju jeni zotëria V, pikë, Z , pikë. Rastësisht, këto iniciale koinçidojnë me gërmat e para të emrit dhe mbiemrit tuaj, që unë nuk e di se cili është.
– Ah, – i shpëtoi VZ-së. -V dhe Z janë me të vërtetë shkronjat e para të emrit dhe mbiemrit tim.
– Kjo qenka me të vërtetë shumë e çuditshme! – tha AM.
Pastaj iu drejtua Ilirit:
– Ju e njihni shefin?
Ngriti fundin e xhuboksit, por e uli përsëri. Kryqëzoi duart mbi kraharor.
– Jo, emrin e shefit tuaj nuk e di. As tëndin.
– Jo, nuk jemi njohur më parë, – tha V.Z. – Për këtë jam i sigurt. Atëhere cili është kuptimi i këtyre inicialeve?
– V dhe Z janë gërmat e para të një dukurie astronomike. Tregojnë një shumicë yjesh, mbase miliona, që përthithen nga një vorbull e përfundojnë mbase në një univers tjetër.
– Aha, e kuptova, – tha V.Z. – Ky fenomen quhet Vrima e Zezë.
Mblodhi buzët.
– Janë miliona yje që tërheqin njëri-tjetrin, – tha Iliri shpejt e shpejt.
V.Z. u mendua një çast, në duhej ta pranonte këtë krahasim, gërmat e para të të cilit përputheshin me ato të emrit të tij.
– Më pëlqen ky term, – tha më në fund. – V pikë Z pikë. Nuk është rastësi që emri im ngjason me një fenomen astronomik. Si thua ti shoku?
– Shumë i bukur shef! – tha AM. – Një grumbull yjesh që shkëlqejnë.
– Pse zgjodhe pikërisht këtë term, për identitetin tim? – iu drejtua V.Z. Ilirit.
– Bëra një përngjasim të kësaj dukurie me mbledhjen e valutës në treg, për llogarinë tuaj. Gjysmë milioni dollarë, për pak ditë, është me të vërtetë një përthithje yjore.
– Qenke i zoti ! – tha V.Z. – Po shokun tim si do ta thërrisje?
– E kam quajtur A. pikë, M. pikë.
– Që do të thotë?
– Antimeridian, në anglisht, ose paradite në shqip. Njohja jonë është në mëngjes, ndaj këto iniciale m’u dukën të përshtatëshme.
V.Z. iu drejtua shokut :
– A.M. Paradite. Bukur, apo jo? Kështu do të të thërrasë edhe unë ndonjëherë.
– Si urdhëron, shef ! – iu përgjigj AM
– Do të takohemi prapë. Mirupafshim ! – tha V.Z.
Agimi e përcolli Ilirin deri jashtë hotelit.
– Më duken si në ëndërr, ato që biseduam në bar.
– Unë jam në erë fare, – tha Iliri. – Më bëhet sikur një njeri tjetër, që jam unë, përsërit veprimet dhe fjalët e mia, të një dite më parë. Edhe emri im është ndarë më dysh, il dhe ir. A ka kuptim kjo ?
– Il dhe ir. Nuk e di.
– Mua më ka zënë frika. Sa të vijë profesori e të sqarojë eksperiencën që po kaloj. Të shmangim edhe ngjarjen e mbrëmjes në Tiranë. Atëhere po, do të jem më i qetë.
– Gjithçka do të vejë mbarë! – tha Agimi. – Megjthatë, bëj kujdes!
– Kujdes për çfarë?
– Për ndonjë fjalë më tepër. Thashethemet përhapen shpejt.
– Do ta kem parasysh, miku im. Mirupafshim!
Agimi e mbajti një copë herë në krah.
– Mirëardhsh! – i tha.
U ndanë. Agimi e ndoqi me sy derisa Iliri humbi në trotuarin – shëtitore, që të nxirrte në qendër të qytetit. U kthye në hotel. Diku, prapa kokës, e gërrici një cimbisje e mprehtë. Aventura e marrosur e kthimit në kohë, iu duk se po e kaplonte dhe atë. Iu shfaqën vizione figurash e fjalësh, të përsëritura. Dreqin, shau me vehte. Instiktivisht, lëvizi dorën para syve, si të përzinte pamje të jetuara më parë. U ndje më mirë.
* * *
Riksi doli nga floktorja e burrave “Apollon” i lumturuar. Ajo hapësirë, rreth dyzetë metra katrotë, ishte parajsa në dyzetë minuta. Përbëhej nga dy pjesë, salloni dhe dhoma, të ndara me një perde luksi të errët. Magjia krijohej në dhomë. Një kolltuk me mbështetëse të lëvizshme, përballë një pasqyre sa faqja e murit. Pranë shërbenin dy të reja, një vajzë dhe një nuse. Vajza ishte pronarja e lokalit. Mbasi i qethën pak flokë dhe i lanë kokën e fytyrën me ujë të vakët, e fshinë me dy peshqirë të butë. Paskëtaj, vajza u largua nga dhoma. Nusja uli mbështetësen e kolltukut pothuajse horizontalisht dhe u përkul mbi të duke buzëqeshur. Me mollëzat e gishtave, të buta si copëza simite, ajo filloi t’i bënte masazh lëkurës së kokës, ballit, mollëzave të fytyrës, gushës dhe qafës. I hoqi përgjysmë këmishën dhe duart e saj i lëvizën nëpër shpatulla e deri në gjoks. Me delikatesë, ngriti kanotierën, vendosi pëllëmbët mbi shpinë dhe për disa minuta duart e saj u bënë pjesë e trupit të tij. E fshiu përsëri me peshqir të lagur, pastaj me peshqir të thatë dhe e ndihmoi të mbërthente këmishën. U zgjat pak mbi majat e këmbëve dhe i rrethoi kollaren në qafë. Për të qindtat e sekondës, buzët e saj cikën buzët e tij. Ai u drithërua.
– Me shëndet! – ia bëri ajo.
Kaq ishte. Magjia u përmbush.
Riksi nxori nga xhepi i pantallonave dhjetë dollarë dhe ia la në dorë.
– Faleminderit! – tha nusja.
Dolën të dy në sallon. Vajza mori xhaketën nga kremastari dhe ia veshi. Preu faturën, shtatëqindtë lekë. Riksi la mbi tavolinë dy kartëmonedha njëmijëlekëshe.
– Faleminderit! – i tha vajza dhe e puthi lehtë në faqe.
Nusja u ngrit mbi majat e këmbëve dhe e puthi në faqen tjetër, diku pranë veshit.
Riksit i sëmboi zemra nga përkëdhelitë e tyre.
I meritoj këto përkujdesje, i tha vetes dhe numëroi: Një, jam klient i rregullt. Dy, pagesën e bëj disa herë më të lartë se detyrimi. Tre . . .
U pa në pasqyrë. I pëlqeu shëmbëllimi i vet. Kostumi me ngjyrë kafe të çelur, me vija të zeza vertikale, e tregonte më të gjatë e të hollë se ç’ishte në të vërtetë. Iu duk vetja dhjetë vjeç më i ri. Përshëndeti dhe doli nga floktorja. Vajza e përcolli deri jashtë derës.
– Mirëardhsh zotëri! – uroi ajo.
Riksi, realisht, ndjehej më i ri. E çfarë nëse i kam kaluar të pesëdhjetat, mendoi. E çfarë nëse lëndon pak këmba e majtë!? Unë jam përsëri aktiv. Kam më tepër ngasje, se shumë moshatarë të mi.
Mori rrugën në këmbë për në hotel Lux. Një benc, ngjyrë blu ecte ngadalë në rrugë dhe lajmëronte me altoparlant ndryshimin e orës së mitingut të PD.
Riksi nënqeshi me ironi, me një turmë imagjinare militantësh partie. Të ulur në baret e shumta të qytetit, me nga një filxhan kafe përparë, ata supozonin dhjetëra arsye përse liderat e partisë kishin shtyrë kohën e mitingut. Të tjerë militantë, kundërshtonin supozimet e para dhe ngrinin hipoteza të rej, të cilat, mbas disa minutash, hidheshin poshtë. Kundërshtitë e tyre do të vazhdonin edhe gjatë kohës së mitingut, por edhe mbas tij, sepse ata nuk dota mësonin kurrë të vërtetën. Riksit sepse i erdhi keq për ta. Përfytyroi t’u tregonte të vërtetën. Orën e mitingut e shtyta unë, deklaroi para tyre. E bëra këtë ndryshim, që policët të merreshin gjithë ditën me mitingun dhe ne të bënim me nge kontrabandën e cigareve. Por pa keqdashje, më besoni. Nuk ka asnjë prapavijë politike.
Militantët do ta shihnin me dyshim. Pastaj do të talleshin me të. Do ta quanin të çmendur e do ta përzinin me gurë.
Po të ndodhte kështu, vërtet s’do të më besonin, pranoi Riksi. Por edhe unë, asnjëherë nuk do t’u tregoja të vërtetën.
Riksi e vendoste figurën e tij një shkallë sipër tyre, pikërisht sepse nuk ishte anëtar i asnjë partie. Kjo s’do të thoshte se ishte fare apolitik. Ai ishte me të gjitha partitë. Prej kohësh kishte mësuar se me para mund të lëvizte fijet e politikës dhe shtetit. Që të bënte më shumë para, shpesh herë duhet të luante me ata që ishin në pushtet dhe me ata që do të vinin në pushtet. Provat me para, ashtu si reaksionet kimike me katalizatorë, realizoheshin lehtësisht.
Riksi hyri në barin e hotelit gati triumfator. Agimi, V.Z. dhe AM, kishin zënë vend në një tavolinë, pranë faqes së qelqtë, larg banakut. Një rreze dielli përthyhej në xham dhe shpërndahej në tavolinë, me disa katrorë, me ngjyra të ndryshme. Një fillim ylberi, e cilësoi Riksi. Magjia e ditës, e krijuar në floktore, po e shoqëronte kudo, ku hidhte hapin.
Riksi u shtrëngoi fort duart shokëve dhe u rehatua në karrigen me shilte. Shkëlqente i tëri.
Agimi i bëri një shenjë kamarierit. Sajmiri u afrua në çast.
– Një xhon të zi, një ekspres dhe akull, – porositi Riksi.
– Sill dhe dy ujë pa gaz, – shtoi Agimi.
Kur kamarieri u largua, Riksi i tha V.Z.
– Punët po ecin, siç i planifikuam dje mbrëma. Mitingu u shty për në orën katër. Punëtorët i zgjodha një për një, me dorën time. Edhe koha s’duket e keqe.
– Do ta anullojmë, – tha V.Z.
– Çfarë?
Të ishin shaka ato fjalë!? Riksi numëroi me mend deri në pesë. Ja, shokët do të shpërthenin në kukurizma. Riksi do të bënte të hutuarin, pastaj do të qeshte edhe ai. Por asgjë e këtillë nuk ndodhi. Asnjë grimcadë buzëqeshjeje nuk u shfaq në futyrat e tre të tjerëve. Riksi pa shokët në sy. Agimi dhe AM ulën kokat. VZ hodhi vështrimin tej, në sallë. Riksi u ndje i vetëm. E kishin braktisur. Magjia e ditës u thye në dhjetëra copëza. Mijëra dollarë të shkuara dëm.
– Do të flasë ndonjëri nga ju e të më thotë çfarë ka ndodhur? Kam një muaj që e kam planifikuar punën e sotme e kur gjithçka është gati, ju thoni t’i vëmë shkelmin. A i merrni me mend cilat do të jenë pasojat?
Riksi u bë gati t’i numëronte një për një pasojat. Humbjet në para, prishja e marrdhënieve me të tjerët, humbja e besueshmërisë . . . Por do të priste dhe pak. Shpresonte ende që të ishte një lojë. Do të dëgjonte të qeshurat e tyre. Ishte në kufijtë ekstremë të pritjes.
V.Z. vendosi dorën mbi supin e Riksit.
– Do të qëllojnë mbi Azem Hajdarin, sot . Ndaj vendosa të aullojmë gjithçka. Të fitosh para, në një kohë që një miku yt do të vritet, është, s’di si të them, jo njerëzore. Për më tepër që ndihma jonë atij i shpëton jetën.
Riksi pa shokët me rradhë.
-Nuk po ju kuptoj. – tha.
Më ndihmoni, dukej se fliste pamja e tij.
– Ishte Iliri këtu para teje, – tha Agimi. – Ai po e jeton ditën e sotme për së dyti. Si dhe pse nuk ta shpjegoj dot. Ai na tregoi për atentatin ndaj Azemit. Për atë, dita e sotme është njësoj si një film, që ai e ka parë njëherë. Është kthyer në kohë njëzetë e katër orë pas. Më kupton tani?
Riksi ndenji pak sekonda në heshtje.
– Më thoni që nuk po fliste seriozisht. Më thoni që është thjesht shaka. Po më bëni me zemër, dëgjuat?
– Jo, unë po flas shumë seriozisht, – tha Agimi.
Riksi ktheu kokën nga V.Z.
– Është e vërtetë, – tha V.Z. – Unë i besova atij shokut tuaj, Ilirit. Përfytyro një çast, sikur ai të na tregonte një ëndërr, ose të na fliste për një parandjenjë të keqe. Unë prapë do t’i merrja në konsideratë fjalët e tij. Ndërkohë po gjykoj për ato që ai tregoi. Dhe po bindem se pa dashjen tonë, jemi dhe ne shkaktarë të atentatit ndaj Azemit. Ndjehem në faj.
Nuk kishte fjalë më të pakuptimtë se ajo që shqiptoi V.Z.
– Për çfarë e ke fjalën? – pyeti Riksi.
– Azemi do të jetë sot në miting, – tha V.Z. – Këtë e kemi të konfirmuar nga Iliri. Mirëpo ne e deformuam ditën e sotme, miqtë e mi. Ndryshuam rrjedhën e ngjarjeve të qytetit. Paguam, për interesin tonë, që mitingu i PD të zhvillohej disa orë më vonë. Azemi erdhi në mitingun që u zhvillua në orën katër. Paskëtaj iku në Tiranë. U kthye në selinë e PD. Ndërkohë po binte nata. Pak kohë më vonë, Azemi doli nga selia e do të largohej, mbase për në shtëpi. Vrasësit, të fshehur nga errësira, i kishin zënë pritë dhe e qëlluan. Kështu ngjau. Tani, imagjinoni se si do të rridhnin ngjarjet, sikur të mos kishim ndërhyrë në të sotmen. Mitingu do të ishte zhvilluar në orën dymbëdhjetë. Paskëtaj, do të kthehej në Tiranë, do të qëndronte pak në selinë e PD e do të shkonte në shtëpi. Në këtë rast vrasësit nuk do t’i zinin pritë pranë selisë, sepse do të binin në sy.
– Por mund t’i zinin pritë, diku tjetër, – kundërshtoi Riksi.
– Vend tjetër, orë tjetër, apo ditë tjetër, do të ishte një ngjarje tjetër, – tha V.Z.
– Një flutur rreh krahët në qytetin tonë dhe në Tiranë shkaktohet një furtunë e madhe, – tha Agimi.
– Tamam kështu ka ndodhur, siç e shpjegoi shefi, – tha AM.
Riksi përfundimisht u shlumturua. Fytyra i ishte bërë e zbehtë. Bebja e syrit ishte zmadhuar dyfish. Trupi i ishte lëshuar në karrige i paformë dhe kishte rritur përmasat. Zbërtheu kopsën e fundit të këmishës, e liroi nyjen e kollares. Mezi u mbush me frymë. Piu një gllënjkë uiski
– Ju po thoni që ne qenkemi pjesëmarrës në këtë atentat?
Agimi i ra lehtë, me gishta, në dorë.
– Askush s’e tha këtë fjalë shoku.
V.Z. u tregua i pamëshirshëm me veten :
– Pa dëshirën tonë, ne kemi ndihmuar vrasësit. Kjo është ndërgjegjia ime tani.
– Unë nuk ndjehem aspak në faj. Unë po merresha me punën time, me biznesin tim, – tha Riksi. – Megjithëse, po ta mendosh hollë-hollë, ngjarjet mund të kishin rrjedhur ndryshe. Tanimë, që dimë se çfarë do të ndodhë, diçka mund të korrigjojmë.
– Po, diçka mund të rregullojmë , – pranoi V.Z.
– Ora e mitingut nuk ndryshon më, – tha Riksi. – Do të zhvillohet në orën katër mbasdite. Kur erdha për këtu, po e përhapnin lajmin me qëndër zëri. Po zëvendësonin afishet.
– Këtë e dimë nga AVN, – tha V.Z.
– Ç’do të bëjmë atëhere?
– Do të takojmë Azemin kur të vijë në qytet, – tha V.Z. – Do të pijmë një kafe me të e do të bisedojmë gjatë e gjerë.
– Kur të vijë profesori, e vendosim këtë punë. – tha Agimi – Azemin ai e ka më shumë se mik. Mbase i mbush mendjen të rrijë në qytetin tonë sot.
– Këtu në hotel ? – pyeti Riksi.
– Po. Këtu është super i mbrojtur.
– Ende jam i turbullt, nga çfarë po dëgjoj e çfarë po them. Do të flas dhe vetë me Ilirin. Tani më duhet të shkoj se kam shumë punë. Duhet të anulloj gjithçka.
– Shtyje për një afat të pacaktuar këtë punë, – thaV.Z.
– Ç’ të shtyj, – shfryu Riksi. – Lipsur qoftë! Po të ndodh ajo gjëja e tmerrshme në Tiranë.. .Pse të përfshihesha unë në këtë rast? Dhe pse pikërisht me Azemin? Ai flet për ideale, ndërsa ne mendojmë si të grumbullojmë pasuri. Ai na fton për qytetari, ne bëjmë kontrabandë. Jo, kjo nuk është e drejtë.
Riksi u trishtua. Një mjegull loti i veshi syrin e majtë. E fshiu me gisht.
– Ej shoku, mos bëj kështu, – i tha Agimi. – Kontrabandë gjithandej bëhet. Paratë, që do të zhvasnin doganierët, ti do t’ua jepje fukarenjve. Sevap do të bëje.
– E ke të lehtë të flasësh kështu, se isha unë iniciatori i kontrabandës. Edhe ideja e korruptimit, për shtyrjen e orës së mitingut, e imja ishte. Unë jam fillimi i kësaj gjëme, ndërsa ti më thua të jem i qetë. Jo, nuk do të jem aspak i qetë, derisa kjo ditë të përfundojë mirë.
Riksi i dha fund gotës me uiski. I hodhi një sy orës së madhe në murin përballë. Ora po shkonte nëntë e gjysmë. Pastaj do të bëhej dhjetë, njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë. Të më ndodhte mua rasti i Ilirit, mendoi Riksi. Që në mëngjes do të përballej me personat që kishte paguar, për të ndryshuar orën e mitingut. Do t’ju paguaj dyfish, do t’u thoshte, që mitingu të mbahet në orën e paracaktuar, në dymbëdhjetë. Paskëtaj, e sotmja nuk do të deformohej më dhe atentati ndaj Azemit nuk do të ndodhte. Ai, i ndihmuar me valutë nga V.Z., do të priste natën të bënte kontrabandën e cigareve. Punëtorët do t’i paguante me dyfishin e shpërblimit të premtuar. Magjia, që kishte filluar në sallonin “Apollon”, do të zgjaste gjithë ditën dhe natën e do të bëhej e plotë mëngjesin e nesërm, kur ai të llogariste fitimin në miliona lekë. Eh, s’më ndodhi mua rasti i Ilirit, pranoi me dëshpërim.
Riksi u nda me shokët, me një mirupafshim të thjeshtë. Do të takohej përsëri me ta. U nis në drejtim të UK bar. Edhe ky Flamuri! S’i gjeti një emër shqip lokalit, mendoi. Më pati premtuar. Të paktën ta shqipëronte emrin. Mbretëria e Bashkuar, MB bar, do të ishte më i pranueshëm.
* * *
Kur Iliri mbërriti në UK bar, ora shënonte dhjetë e pesë. U drejtua te kthina ku rrinte zakonisht.
Riksi kishte ardhur përpara tij. Ishte ulur në tavolinë, përballë Flamurit. Në dorë mbante gotën, të mbushur përgjysmë me Bllejk Xhonin e tij të preferuar. Disa kube të vegjël akulli reflektonin dritë të kuqe, si të ishin rubinë të vërtetë. Riksi ndonjëherë thoshte : “Uiski , në vetvete është pije e zakonshme. Copëzat e akullit e bëjnë aristokrate”.
Iliri i përshëndeti e u ul në kolltukun pranë Flamurit, përkundrejt Riksit. U përpoq të ishte i qetë. Ende nuk kishte vendosur, në duhej t’u fliste shokëve për eksperiencën që po kalonte. Riksit do t’i tregonte diçka, kur të dilnin nga bari, ndërsa Flamurit, kurrsesi jo. Parandjenjat e këqia, që në krye të ditës dhe shqetësimi për të birin, ishin shumë tashmë për të.
– U vonova pak, – iu drejtua Iliri Riksit.
Priste një “je tamam në kohë” ose “s’ka problem shoku”, por Riksi s’tha asnjërën prej tyre. Papritur u ngrit në këmbë dhe e mori Ilirin për qafe. E mbajti një copë herë të shtrënguar mbas vetes. Pas tij, edhe Flamuri e përqafoi gati me ngashërim.
– Ç’është ky përqafim prej vuvi? – vërejti Iliri.
Në vend të përgjigjes Flamuri e pyeti:
– Të të sjell një Martini?
Gota e tij e pijes ishte bosh.
– Jo, vetëm një ekspres të zakonshëm.
– Do të sjellësh një xhon të zi për Ilirin e një për mua! Për vete, merr një Martini! – urdhëroi Riksi.
Iliri pranoi në heshtje.
Flamuri iu drejtua banakut për të kryer porosinë.
– Ç’farë ka ngjarë, që jeni kaq të përdëlluar me mua? – pyeti Iliri.
– Do të flasim kur të jetë këtu Flamuri, – tha Riksi.
Iliri mori pakon e dollarëve dhe ia dha Riksit.
– Porosia jote, njëqindmijë dollarë, – i tha.- Janë tetë pliko me kartëmonedha njëqind dollarëshe. Katër pliko janë me kartëmonedha pesëdhjetë dollarëshe.
Riksi e kapi pakon e mbështjellë me gazetë e plasmas dhe e vendosi me indiferencë në njërën anë të kolltukut.
– S’po i numëron plikot? – tha Iliri.
– Në rregull janë, përderisa i mora nga dora jote.
Flamuri nuk u vonua. Vendosi gotat me pije mbi tavolinë dhe u ul. Toki gotën e tij me dy të tjerët. Piu përgjysmë. Me një ehee të zgjatur, shprehu pikëllimin e thellë. Pa Riksin e i tundi kokën, si t’i thoshte “fillo”.
– Isha tek Luksi, para se të vija këtu, – tha Riksi. – Ashtu kisha planifikuar një punë sot mbasdite, me dy miqtë e mi nga Tirana, që janë dhe miqtë e Agimit dhe që ti i takove. Ata më treguan për bisedën tuaj. Ishin të detyruar ta bënin, sepse anulluam punën e mbasdites, që të jemi së bashku e të shmangim atentatin ndaj Azemit. Erdha këtu e fola me Flamurin. Të dy jemi të çuditur, se si disa raste fare pa lidhje me njëri-tjetrin, përputhen në një ngjarje të vetme. Por duam të dëgjojmë atentatin nga goja jote shoku.
Iliri u bë mavi. Ja, filluan dyshimet e para, mendoi. Por ishte normale. Kështu do të ndjente edhe ai për një rast të tillë, për një person tjetër.
– Po e jetoj për së dyti ditën e sotme , miqtë e mi, – filloi të tregonte Iliri. – E sotmja, që për ju sapo ka nisur, unë i shkova njëherë deri në fund. Për mua filloi me një befasi magjike. Më afruan një ofertë, për të siguruar një shumë të madhe në valutë. Isha i gëzuar. Për më tepër që mbrëmjen do ta kaloja me Aleancën. Do të caktonim edhe ditën e martesës. Para dhe dashuri. Një ditë për t’u mbajtur mend, apo jo!?
Në orën dhjetë u takova me ju, si tani. Më pas takova profesorin në hotel Luks. Mbas dreke, bashkë me Flamurin, shkuam në mitingun e PD. Në tribunë ishte edhe Azemi. Foli shkurt. Ai e mbylli mitingun. Në mbrëmje darkova me Aleancën, në një nga tavernat anës lumit. Ndjehesha i lumtur. Pikërisht atje, mësova për atentatin ndaj Azemit. Në fillim e pashë nga AVN, pastaj nga TVSH. Në qytet u dëgjuan të shtëna me armë. E përcolla Aleancën deri në shtëpinë e saj e u ktheva në apartamentin tim. Gjithë stacionet televizive, edhe ato të huajat, jepnin lajmin e vrasjes së Azemit. Nuk e di si më ka zënë gjumi e sa kohë kam fjetur. Sot në mëngjes u zgjova përsëri më dymbëdhjetë shtator. Mezi munda ta pranoj këtë realitet, që e jetova një herë. Fillimisht u frikësova. Por tani e kam mbledhur veten. Kemi në dorë të shmangim një atentat, të shpëtojmë jetën e një njeriu. Dhe kur bëhet fjala për Azem Hajdarin, motivimi dhe kënaqësia është më e madhe.
Iliri heshti pak. Pa shokët në sy.
– Ti Flamur, gjatë gjithë ditës, parashihje një zezomë. Që në mëngjes, ishe i shqetësuar për ndryshimin e orës së mitingut, dallove shenja jo të mira përreth figurës së Azemit. Mbasi mbaroi mitingu, unë dhe ti u përpoqëm të kontaktonim Azemin, por ishte shumë e vështirë. Nuk ia dolëm dot. Ti, Riksi që e admiron veçanërisht Azemin, kishe dëshirë ta ftoje për një kafe. Por mbasdite kishe planifikuar një punë, që do të të sillte para të paparë. Dhe e shtyve këtë mundësi, për një kohë tjetër. Vetëm profesori dhe Dritani ishin me Azemin, gjatë kohës që ai qëndroi në qytet. Ata do të jenë përsëri me të. Profesorit do t’i tregojmë çfarë ka ndodhur. Besoj se mbrëmja s’do të jetë e zezë.
Iliri u mbështet në kolltuk. Piu pak uiski me akull.
Flamuri ndezi një cigare. I zgjati një Ilirit, por ai s’e pranoi. Ia dha cigaren Riksit dhe ia ndezi me çakmak. Riksi e thithi dy-tre herë fort. Tymin e nxori ngadalë, me një fërshëllimë të lehtë.
– Pse pikërisht ti ? – iu drejtua Ilirit.
Iliri u ep në drejtim të Riksit.
– Pse pikërisht unë!?
Mendja iu turbullua nga një mjegull e ndritëshme. Kësaj pyetjeje, në dukje të thjeshtë, e kishte të vështirë t’i jepte një përgjigje.
– S’e di ! – tha. – As më ka vajtur mendja për një pyetje të tillë, ndaj nuk kam asnjë përgjigje. Mbase profesori ka një shpjegim për rastin tim.
– Mbase profesori ka eksperimentuar me ty, – ia priti Riksi.
– Kjo është absurde, – kundërshtoi Iliri.
– Nuk është fare e pakuptimtë, – tha Riksi. – Ai vazhdimisht bën eksperimente, krijon përvoja të reja.
– Mua do të më kishte vënë në dijeni.
– Nuk është kusht, – tha prerë Riksi.
Iliri kujtoi çastin e takimit me Kristanin në hotel Lux, pas kthimit të tij nga Fushëmbrete. Profesori kishte pirë konjak, ndërsa Ilirit i kishte afruar një pije të bërë, me siguri, në laboratorin e tij. Thua të ishte ajo pija magjike, që e kishte kthyer njëzetë e katër orë pas!? Apo ishte hajmalia me dheun e Fushëmbrete, që ai i kishte falur !? Iliri nuk thoshte dot jo.
– Mund të kesh të drejtë, – i tha Riksit.
– Ti je xheloz për zgjedhjen e profesorit, – i tha Flamuri Riksit.
– Jo, – tha Riksi. – Jeta ime është tepër e koklavitur edhe pa situata të tilla. Unë punoj nga mëngjezi e deri në mesnatë dhe ndeshem me probleme, që ndonjëherë nuk u jap dot zgjidhje. Por në biznesin tim, do të më ndihmonte të kaloja herë-herë ndonjë përvojë, si kjo e Ilirit. Ja, të marrim rastin e sotëm, të isha unë në këmbë të Ilirit. Tani do të ishim më të qetë. Mitingu do të zhvillohej në ora dymbëdhjetë dhe në mbrëmje, Azemit nuk i kërcënohej asnjë rrezik. Ndërsa unë do të vazhdoja punën time të planifikuar një ditë më parë. Ti Ilir je dakord me mua, apo jo?!
Iliri tundi kokën.
– Ndërsa unë nuk të kuptova fare, – tha Flamuri. – Si do të zhvillohej mitingu në orën dymbëdhjetë?
Riksi ngurroi dhe pa nga Iliri.
– Po s’e the ti, do ta them unë, – tha Iliri. -Vetë doje të ishe në këmbën time.
– Dëgjo shoku, – iu drejtua Riksi Flamurit. – Orën e mitingut e shtyta unë. Pagova ca para dhe aq. Po ta jetoja për së dyti ditën e sotme, si Iliri, që në mëngjes do të paguaja ca para të tjera dhe mitingu do të ishte në orën dymbëdhjetë. Kështu do të ndodhte.
Flamuri e pa Riksin me dyshim :
– Ti paske shtytur orën e mitingut!? S’më besohet! E përse duhet ta bëje këtë gjë?
– Për një biznesin tim. Policët do të merreshin gjithë ditën me mitingun e PD dhe ne do të punonim rehat.
– Ndonjë tip kontrabande kjo?
– Diçka e tillë.
– Dhe ke bërë gjithë qytetin rrëmujë, për interesat e tua!? Dhe mua, shokun tënd, më ke bërë me dhimbje koke që në mëngjes!?
– Më keq akoma shoku! Kam deformuar kohën. Pa dashjen time, kam ndikuar në.. atentatin ndaj Azem Hajdarit.
Riksi u ndje i trishtuar. E boshatisi gotën me uiski, me një të kthyer. Ilirit i erdhi keq për të.
– Gjithçka do të vejë për së mbari Riksi. Ja, do e shohësh vetë. Pastaj, ti s’ke pse mban mbi shpinë një barrë, që s’është e jotja.
Eh, eh , – tundi kokën Riksi.
– S’doja të lëndoja Riksi. – i tha edhe Flamuri – Më fal!
– Eh, eh, – ia bëri Riksi – Nuk më rënden fjalët e miqve mua. Ndërgjegjia më rëndon si gur në zemër.
U çua në këmbë. La në tavolinë një kartëmonedhë njëmijë lekëshe dhe doli nga lokali duke çaluar.
– E qortova më ashpër sa duhet, – tha Flamuri i brengosur.
– S’i trembet të vërtetës ai, – tha Iliri. – Sot u shfaq më shumë qytetar, se sa biznesmen. Kjo është e gjitha. Tani dua të them diçka tjetër. Në takimin, më parë, më ke folur në konfidencë, për Dritanin. Doje ta nisje për në Amerikë. Kërkove nga unë të huaja dhjetë mijë dollarë. I ke gati kur të duash, në mes të ditës a në mes të natës.
Flamuri u prek nga kujdesi i Ilirit
– Faleminderit miku im, – i tha.- E vërteta është se kisha një plan të tillë. Por mbasi erdhi këtu Riksi e më tregoi për ty dhe Azemin, kam ndërruar mëndje.Të mbarojë njëherë dita e sotme. Unë shpresoj për mirë. Thellë në shpirt, dua që Dritani të rrijë këtu. Do ai, së bashku me shokët, të ringjallin idealet e lëvizjes studentore, të vitit nëntëdhjetë!? Le ta bëjnë. Atë që s’e realizuam dot ne, baballarët e tyre, le ta bëjnë fëmijët tanë. Nuk kam pse trembem për të. Do jem krah tij.
Iliri u befasua me shndërrimin e papritur të Flamurit, nga baba i dhëmbshur në një qytetar të klasit të parë, në më pak se një orë. Donte ta lavdëronte, por s’po gjente dot fjalët e duhura.
– Do të jetë më mirë për të gjithë që Dritani të qëndrojë këtu, – tha më në fund.
Pa orën. Ishte shenja se duhej të largohej. Flamuri e përcolli deri tek dera.
– Në orën katër do takohemi tek birrari Partizani, – tha Flamuri.
– Varet se si do të zhvillohet situata, – tha Iliri.
– Si do rrjedhë koha, e di, – tha Flamuri.
Pjesa e Tretë
Iliri u vonua me kast, në takimin me Kristanin. Nuk donte të tregonte nga e para si po e rijetonte këtë ditë. Le ta bënte Agimi rolin e ndërmjetësit kohor. Profesori do të kërkonte më pas vetëm ndonjë hollësi.
Në orën njëmbëdhjetë e njëzetë shkoi në hotel Lux. Kristani po e priste i vetëm, në ambientin e jashtëm të barit. Ishte ulur nën çadrën verdhë e blu, me fytyrën nga rruga. Sa pa Ilirin, ia bëri me dorë. Gjysmë minute më vonë, Iliri ishte në krahët e tij.
– Ka një javë që s’të kam parë, – i tha Kristani. – Më mori malli, ndaj e porosita Agimin të takoheshim këtu.
– Unë jam i përditshëm tek Luksi, – ia ktheu Iliri. – Ju keni munguar profesor.
– Unë në shkollë, paradite dhe mbasdite. Po vë pak rregull në laborator. Po e modifikoj në laborator mësimor.
Kristani fliste shpenguar, aq sa Iliri nuk arriti të kuptonte, në kishte biseduar me Agimin më parë.
Sajmiri u afrua pranë tyre.
– Mirëdita, – tha dhe mori qëndrimin drejt, me duar të ulura.
– Urdhëroni !
Profesori pa Ilirin.
– Porosit për vete dhe për mua, – i tha.
Ishte njësoj si ti thoshte, se Agimi ia kishte treguar të gjitha.
– Dy konjakë Skënderbeu dhe një kafe turke, – porositi Iliri.
Kristani i buzëqeshi.
– Të kam shok dhe mik. Mik special fare. Ç’ka po përjeton tani, mund të ishte argëtuese dhe dobiprurëse për ty. Por qëlloi ditë e zezë.
– Ditën e kemi në dorë ta ndryshojmë, profesor.
– Do ta bëjmë, – tha Kristani. – Ndryshe, ç’vlerë kanë kapërcimet në kohë!? Do ta shohësh, mbrëmja do të jetë e bukur.
Sajmiri solli kafenë, dy gota me konjak e u largua. Kristani e derdhi një gotë në vazon e madhe të luleve aty afër. Nxori nga xhepi i xhaketës damixhanin dhe e mbushi gotën bosh me një lëng, me ngjyrën si të konjakut. Ia dha gotën Ilirit. Mori gotën me konjak dhe e toki me atë të Ilirit.
– Pije ! – gati e urdhëroi.
Iliri e piu gotën përgjysmë. Pija vinte e athët. Mblodhi buzët dhe u koll. Një pjesë e lëngut i doli nga flegrat e hundës.
– Shëndet ! – ia bëri Kristani.
Iliri shkundi për pak sekonda trupin deri sa e mori veten.
– Ndikon kjo pije në përvojën që po kaloj ? – pyeti ai Kristanin.
Fjalët i shqiptoi të zvargura, me një ton mospërfillës, thua se kërshëria të ishte për dikë tjetër.
– Jo, – tha Kristani. – Konsideroje si çaj. Thjesht, të bën mirë.
-Ndikon mbase kampioni i dheut, i marrë në Fushëzot?
Kristani tundi kokën për jo. Futi dorën në xhep dhe nxori një qeskëzë me pluhur ngjyrë gri.
-Mbaje gjithmonë me vete, – i tha.
– E kam një në shtëpi, poshtë jastëkut.
– Pranoje edhe këtë porcion. E harruara edhe humbet.
Iliri e futi qeskëzën në xhepin e pantallonave.
– Do të më lejoni tani të bëj pyetjen e plotë profesor ?
– Unë e di përse do të më pyetësh, – i tha Kristani. – Pyetja e plotë nënkupton disa pyetje, që kanë lidhje me njëra tjetrën, apo jo? Pyetjet bëji një nga një dhe unë do të përgjigjem. Atëhere fillo.
– Përse më ndodhi mua të jetoj për së dyti të sotmen, profesor?
– Çdokush mund të ngecë ndonjëherë, në kurthin e kohës.
– Po përse pikërisht unë?
– Mendoj se ngarkesa jote emocionale ka qenë e madhe, gjatë gjithë ditës. Vrasjen e Azemit e ke përjetuar përtej të zakonshmes.
– Sa keni ndikuar ju në eksperiencën që unë po kaloj?
– Në ç’kuptim ?
– Në kuptimin e drejtëpërdrejtë. Keni eksperimentuar me mua profesor ?
– Psikologjikisht, po, – tha Kristani. – Dëgjo, miku im. Çdonjëri prej nesh, minutë pas minute, ditë pas dite, i nënshtrohet një eksperimenti të pafund me vetveten. Ditë pas dite kërkon të arrijë të pamundurën, shpesh pa e kuptuar as vetë. Të jesh me mua, ndonjëherë kjo lëvizje shpejtohet. Për rastin tënd, unë kam dhënë shtysën e parë.
– Me një fjalë . . .
– Mjafton kaq. Kur të mbarojë e sotmja, nesër ose pasnesër, do të bisedojmë prapë.
– Ditën që do të marr në dorëzim arkivin tuaj, profesor ?
– Ah , ta paskam thënë edhe këtë !?
Kristani hoqi thellë në zemër.
– E di që do ta ruash në një vend të sigurt. Përkohësisht, por ndoshta dhe përgjithmonë.
– Po e sistemoj në dhomën time, në shtëpinë e prindërve.
– Vend më të sigurtë nuk ka, – tha Kristani. – Shtëpia ndodhet ngjitur me Gjykatën dhe është nën vëzhgim njëzetë e katër orë. Të falemindert, miku im!
Piu konjak dhe shtoi :
– Një merak e kam për ty. Të kam patur nxënësin më të mirë të gjimnazit. Të kishe mbaruar universitetin, do të ishe bërë një fizikan i shkëlqyer. Do të ma kaloje dhe mua.
– Sivjet u rregjistrova në Fakultetin e Shkencave në Tiranë, professor. Me part time. Vitin tjetër mendoj të jem student i rregullt.
Kristanit i gëzoi zemra.
– Vërtet? Më lumturove, miku im.-
U ngrit në këmbë dhe e puthi Ilirin në ballë.
– Ndërsa unë kam një merak tjetër , profesor .
– Pa ta dëgjojmë.
– Kam lexuar në një revistë shkencore amerikane, për kapërcimet në kohë. Atje mësova se këto kapërcime, në të shkuarën apo në të tashmen, mund të zgjatin disa minuta, disa orë, disa ditë apo më shumë.
– Teori e saktë fare. Kush është shqetësimi yt?
– Sikur koha që unë po e rijetoj, të zgjasë vetëm për pak orë e të ndërpritet në këtë moment? Atëhere… ne nuk do të kontaktojmë dot me Azemin. E sotmja merr fund. Unë ndodhem në të nesërmen. Azemin ndërkohë e kanë vrarë, që dje në mbrëmje.
Kristani vuri buzën në gaz.
– Nuk ndodh ekzaktësisht kështu. Koha lëviz vetëm në një drejtim, përpara. E sotmja do të mbarojë, që të vijë e nesërmja. Ti e jetove njëherë të sotmen, por megjithatë, do ta konsumosh përsëri si gjithë të tjerët. E rifillove të sotmen nga mëngjesi, por mund ta filloje në drekë apo në darkë. Në çdo rast, e sotmja do të përfundonte në mesnatë. Para se ti të vije këtu, unë i telefonova Azemit në shtëpi dhe në zyrë. Nuk u përgjigj kush. Sa më shpejt ta takojmë, aq më mirë është, për të gjithë ne.
– Po nëqoftëse e sotmja, më përsëritet disa herë, profesor? Unë çdo mëngjes do të zgjohem me idenë se duhet të shpëtoj jetën e një njeru!? Ky do të jetë një makth i vërtetë.
– Nuk ndodh kështu. Ajo pjesë e ditës, e ndryshuar njëherë, do të ngelet, apo do të stampohet si e tillë.
Iliri u qetësua nga shpjegimet e profesorit.
– Faleminderit profesor ! – i tha.
– Dua të më jepje ndonjë hollësi, nga ato që ke parë dhe dëgjuar në televizor, – tha Kristani. – Mbas sa orësh, mbas atentatit, Azemi . . . mbaroi.
– Ah, kjo s’më kujtohet. Një moment. Dale të përqëndrohem pak. Jo, vërtet s’e kam parasysh. Fjalët u qëllua, u vra, vdiq, ishin të njëkuptimshme. Është qëlluar me breshëri automatiku, këtë e them me siguri. Ka rëndësi kjo, profesor?
– Unë do të marr masat për rastin më ekstrem. Një informacion i tillë, do të më shërbente shumë .
– Di që nuk mbaroi menjëherë. Di që u dërgua direkt e në sallën e operacionit në spitalin ushtarak. Kaq.
– Edhe kaq, mjafton, – tha Kristani. – Më kujtohet, kur Azemin e qëlluan në parlament. Unë në atë kohë, nuk ndodhesha në Shqipëri, që Azemit t’i vija menjëherë në ndihmë. Por falë zotit, ai shpëtoi. Kur e takova e ngelëm për pak minuta vetëm, nxorri nga poshtë jastëkut një plumb dhe ma la në dorë. Ishte plumb revolveri, një nga ata që e kishte goditur pranë zemrës. Plumbi ishte i shtypur në majë. Si ka mundësi të ndodhë kjo, profesor, më pyeti. Unë jam prej mishi, nuk jam prej hekuri. Ishte vërtet e çuditshme. Disa milimetra më shumë të kishte depërtuar plumbi në mish, do t’i kishte prekur zemrën dhe ai s’do të ishte më, në mes të të gjallëve. Unë nuk i ktheva përgjigje atë çast. Edhe sot e kësaj dite, nuk kam gjetur një shpjegim shkencor për atë rast. Përtej shkencës, në kufijtë e të pamundurës, çdo fenomen e ka një përgjigje. Azemi, për hir të ideve dhe personalitetit të tij, që janë sipërore në një realitet shqiptar konservator e të prapambetur, është gjithmonë i kërcënuar me jetën, nga njerëz apo grupe të ndryshëm njerëzish, që synojnë majat e larta të pushtetit. Ai e njeh këtë fakt dhe ka marrë masa mbrojtëse. Përpos kësaj, qenia e tij, apo trupi i tij, ka aktivizuar sistemin imun të mbrojtjes së jetës. Shpesh herë populli thotë, për filan hero epik, se atë nuk e kap as plumbi dhe as shpata, se ai ka një cipë që e mbron nga ambienti i jashtëm. Pikërisht kjo cipë mbrojtëse, ishte aktivizuar në rastin kur atë e qëlluan në parlament. Aq e fuqishme ka qenë ajo, sa nuk lejoi që plumbat të preknin organet jetësore të Azemit. Nuk e di se si ka funksionuar sistemi i tij imun, në atentatin e mbrëmjes … së sotme. Ndaj doja të dija ndonjë hollësi më tepër. Duhet parashikuar më e keqja. Gjithsesi unë besoj për një hepiend betovenian sot në mbrëmje. Sipas Biblës, Zoti i përfundoi ditën e shtunë të gjitha punët e krijimit të botës. E shtuna mbrëma është triumfi i rregullit mbi kaosin.
Iliri kujtoi krahasimin e Azemit me një replikant, në janarin e largët të vitit nëntëdhjetë e një. Krahasimi i dikurshëm, tanimë i dukej fare i përsosur. Thua se një vullnet i shenjtë kishte modeluar Azemin. Ai gati i tregoi profesorit për Azemin dhe replikantin, por u përmbajt. Profesori do t’i thoshte se replikantët nuk jetojnë më shumë se dyzetë vjeç dhe kjo do ta trishtonte përsëri. Fjalët e profesorit kishin ndikim magjik mbi të. Atë çka profesori hamendësonte me fjalë, atij i dukej se bëhej realitet.
Në atë kohë, nga brenda hotelit, u shfaqën Agimi, V.Z. dhe A.M.
Agimi dhe V.Z. zunë vend pranë Kristanit dhe Ilirit. A.M. u ul një tavolinë më tej, me fytyrën nga rruga. Ky është roja, mendoi Iliri.
V.Z. në praninë e Kristanit, nuk ishte më njeriu i akullt. Pa profesorin në sy, por jo ftohtë. Përpëliti dy tre herë qepallat dhe u përkul në drejtim nga ai.
– Ç’do të bëjmë, profesor ?
Ai nuk iu drejtua Kristanit me emër, as me simbolin “zotëri”, por e thirri profesor. Kjo nuk ishte për thjeshtësi. Ishte hera e dytë që takohej me Kristanin dhe dijet e tij, bënin ndryshimin me shumicën e njerëzve që njihte.
– Janë dy zgjedhje, – tha Kristani. – Nëqoftëse do të kundërshtoni, do të thoni psetë. Zgjedhja e parë është të lajmërojmë policinë e shtetit. Ata e kanë me ligj sigurimin e jetës së deputetëve dhe politikanëve.
Sa mbaroi fjalën Kristani, Agimi u hodh dhe tha:
– Kundërshtoj. Nuk kam besim te policia. Krerët e saj janë të lidhur me politikën dhe krimin.
– Edhe unë s’jam dakord, – tha V.Z. – Do të futemi të gjithë në një qerfull, nga e cila nuk do të dalim dot.
Kristani pa Ilirin.
– Policia nuk mbron dot as veten e vet, – tha Iliri. – Ata nuk pranojnë asnjë denoncim pa fakte.
– Edhe unë jam kundra, – tha Kristani. – Burokracia e tyre është vrasëse. Megjithatë, ishte një zgjedhje.
Në atë kohë në bar erdhi Riksi. Dukej i shqetësuar që përtej. Çalonte shumë nga këmba e majtë, ndërsa afrohej me nxitim tek tavolina.
Përshëndeti e u përqafua me Kristanin.
– Të lutem, profesor, të bëjmë më të mirën, – tha Riksi. – Ti je miku numër një i Azemit. Ndihem ose jo në faj, jam përfshirë pa dashjen time në atentatin kundër tij. Kam deformuar kohën.
Kristani, që dinte gjithçka rreth bisedave, nga Agimi dhe V.Z., tha :
– Riksi, miku im. Në atentatin ndaj Azemit janë përfshirë vetëm vrasësit dhe urdhëruesit e tyre. Askush prej nesh, qoftë edhe pa dashje, nuk ka gisht në këtë ngjarje. Këtë mund ta vërtetoj edhe shkencërisht, por nuk është çasti tani.
Ai hodhi një vështrim nga V.Z. dhe Agimi, të butë, por edhe qortues.
– Koha nuk deformohet miqtë e mi. Ajo rrjedh nga e kaluara në të ardhmen. Hapësira, vendet e takimit ndryshojnë. Njerëzit gjenden në të njëjtën kohë, në vende të caktuara.
Ai nxori nga xhepi një letër e një stilolaps. Vijëzoi dy drejtëza pingule me njëra tjetrën.
– Kjo është koha, – tha për njërën drejtëz, – kjo tjetra është hapësira apo vendet e takimit.
Ai bëri një pikë në letër.
– Ky është vendi pranë selisë së PD në Tiranë, ku atentatorët presin Azemin. Ne do të përpiqemi, që në atë kohë, pra në atë orë, Azemi të mos jetë në këtë vend, por diku tjetër. Ja, kjo pika këtu.
Ai bëri një pikë tjetër në letër.
– Kjo pikë, pra ky vend, mund të jetë qyteti ynë, hoteli im, apo jo profesor. Ne jemi mbrojtja më e mirë për të, – tha Agimi.
– Unë do ta takoj dhe do t’i propozoj të kalojë natën me ne. Vërtet, që ne jemi mbrojtja më e sigurt për të. Por zgjedhja do të jetë e tij.
Riksi u mallëngjye dhe fshiu një pikë lot.
– Eh, sa do të dëshiroja të pija një kafe me të!
– Tani, – vazhdoi Kristani – në orën katër, është e sigurtë që do ta takojmë Azemin. Po kontaktuam me të më shpejt, do të jetë më mirë akoma. Ti Agim, herë pas here do të telefonosh në dy numrat që të kam dhënë unë, të paktën deri në orën dy. Nëse e hap telefonin, në emrin tim do t’i lësh një takim para mitingut.
Në atë kohë A.M. u ngrit nga tavolina dhe bëri një ecejake në trotuar. Kryqëzoi duart dhe u mbështet në parmakun e ambientit të jashtëm të barit. Ktheu njëherë kokën për V.Z. Ky iu afrua dhe folën diçka me zë të ulët.
– Ç’është ? – pyeti Agimi.
– A.M. dyshoi për dy persona, që herë pas here hidhnin vështrimin këtej. Mbase jo për ne. Ndoshta janë thjesht kalimtarë, sepse tani janë larguar.
– Edhe diçka tjetër, – tha Kristani. – ta zemë se për një arsye madhore, unë nuk do ta takoj dot Azemin. Ti, V.Z. do të kontaktosh me të.
– Ç’është kjo arsye madhore, profesor ? – pyeti Riksi. – Kërkon të na dhembë zemra akoma !?
Të gjithë vështrimet u përqëndruan mbi Kristanin. XX kishte folur për të tërë.
– Gjithmonë ka një “nëqoftëse”, miqtë e mi, – tha Kristani.
– Nga do ta marr vesh unë që ju s’keni kontaktuar me Azemin? – iu drejtua V.Z. Kristanit.
– Po qe se takohem me Azemin para orës katër, do t’ju vë në dijeni. Ndryshe, do të jem me të, gjatë mitingut. Do të jem në tribunë, përkrah tij. Nëqoftëse s’më shihni as në tribunë, është detyra jote V.Z. t’i flasësh Azemit për rrezikun që i kanoset.
– T’i themi edhe Dritanit, djalit të Flamurit, – propozoi Riksi.
– Jo! Askush përtej nesh, s’duhet të dijë më shumë, – përfundoi Kristani.
Ai u çua nga tavolina.
– Unë me Ilirin do të largohemi tani. Shpresoj ta pimë kafen së bashku, para mitingut.
Kristani dhe Iliri u dhanë dorën të tjerëve dhe morën rrugën drejt qendrës.
– Do të vemë deri tek shkolla, – i sugjeroi Kristani Ilirit. – Do të marr diçka në laborator. Pastaj do të më shoqërosh deri në shtëpi.
– Mirë, – tha Iliri.
Ata lanë pas sheshin qëndror dhe u futën në një rrugicë, që të nxirrte shkurt për te shkolla. Në fund të rrugicës, u dolën përpara dy djelmosha kokërruar, veshur me kostume të zinj, këpucë të zeza, e syze të zeza.
– Do të vini me ne, – tha njëri prej tyre.
– Cilët jeni ju zotërinj ? Ne nuk ju njohim, – tha Kristani.
Ai që foli, nxori nga xhepi një si pasaportë.
– Jemi të shikut, – tha. – Ju jeni profesor Kristan D dhe ju tjetri Ilir Ukidi.
Ai nuk dha shpjegime të tjera. I bëri shenjë shokut. Vunë në mes Kristanin dhe Ilirin, e i kapën fort për krahu. Sa dolën nga rrugica, hipën në një Audi, tip i vjetër. Personi që foli dhe Kristani u ulën në sediljet e pasme. Iliri dhe ai tjetri, zunë vendet e para. Ai tjetri ndezi makinën, vuri direkt marshin e tretë dhe Audi mori hov e kërceu në mes të rrugës. Futi marshin e katërt. Po i drejtoheshin periferisë së qytetit.
Para mbikalimit të hekurudhës, do të ktheheshin djathtas Pesëqind metra prej aty, ndodhej ndërtesa e Shikut, një vilë dykatëshe, rrethuar me mur të lartë, fshehur nga pemët e shumta. Por Audi nuk u kthye djathtas. Përshkoi me shpejtësi mbikalimin dhe iu turr rrugës së bregdetit.
– Zotërinj, ky është rrëmbim, – tha Kristani.
Shoferi, nëpërmjet pasqyrës së brendëshme, përtheu një buzëqeshje ironike për Kristanin.
– Ne jemi punonjës të shtetit, profesor, jo banditë, – tha shikasi përkrah Kristanit.
– Ku po shkojmë atëhere ? – pyeti Kristani.
Shikasit nuk folën. Mbas një kilometër rrugë, ata parkuan në një vilë. Ishte identike me ndërtesën e Shikut brenda qytetit.
Shoferi zbriti nga makina i pari. Udhëhoqi Kristanin e Ilirin për në katin e dytë. Shoku i tij vinte në fund.
U futën në një apartament me dhomë, paradhomë, ballkon e banjo, gjysmë zyrë e gjysmë ambient banimi.
– Pse na sollët këtu ? – bëri pyetjen e radhës Kristani.
Të rinjtë heshtën. Dolën nga apartamenti duke tërhequr derën pas vetes, por derën nuk e kyçën.
Mbi tavolinën e madhe, ishte një telefon i kuq. Iliri ngriti receptorin dhe formoi një numër.
– Telefoni nuk punon, – tha.
– E kanë me kod, – hamendësoi Kristani
Hapi derën me shina të ballkonit. U ul në një karrike plastike, me ndenjësen një tip shilteje. U ndje rehat.
– Merr një karrike dhe eja ulu këtu, – i tha Ilirit.
Iliri u afrua tek Kristani.
– Si mendon ti Ilir, përse na sollën këtu ?
Iliri nuk iu përgjigj menjëherë. Kujtoi pjesë nga biseda e parë me profesorin.
– Ata kanë dëgjuar për eksperimentet tuaja, profesor. Duan të përfitojnë prej teje.
– Aha ! – ia bëri Kristani, si të sillte ndërmend një kohë të shkuar.
– Më keni treguar në barin e Luksit, në takimin më parë, për disa shikas të ardhur nga Tirana, ofertën e tyre për eliksirin e jetëgjatësisë, refuzimin tuaj dhe kërcënimin e tyre se do të vinin përsëri.
– T’i paskam thënë të gjitha këto!? Natyrisht, që të kam folur gjerë e gjatë. Do t’i dëgjoje përsëri sot, nëqoftëse s’do të ishte çështja e Azemit. Marrëzia e shikasve, do të ishte një arsye për të qenë unë këtu. Po ti Ilir, pse je këtu !?
– Sepse isha bashkë me ju, jashtë në rrugë.
– Jo, – tundi kokën dyshues Kristani. – Ti nuk ndodhesh këtu aksidentalisht. Ashtu si dhe unë. Sot zhvillohet mitingu i PD. Sot vjen Azem Hajdari.
– Ju mendoni se unë s’qenkam i rastësishmi!? Pa dale ta mendoj ndryshe këtë situatë. Ju jeni këtu profesor, si miku i ngushtë i Azemit. Unë s’kam asnjë lidhje, as me PD e as me Azemin. Atëhere, supozohet të jem këtu, sepse di diçka për atentatin ndaj Azemit.
– Pikërisht . Ti je shënjestra.
– Jo, kjo është e pamundur. Është e pamenduar të ketë folur ndonjëri prej nesh.
Ilirit i dolën para syve, fytyrat e Riksit, Agimit, Flamurit, V.Z., A.M. Të gjithë të shqetësuar për jetën e Azemit. Riksi dhe V.Z. mbartnin njolla faji në ndërgjegjen e tyre. Flamuri qortonte veten, se nuk kishte ditur të lexonte shenjat. Cili të ishte kallauzi ?
– Ky është njëri nga variantet, më analitiku, sipas meje, – tha Kristani. – Por mund të jetë diçka tjetër. Do të presim.
Iliri pa orën. Po afrohej një e mbasdites. Kishin gjysmë ore që kishin ardhur dhe askush s’ishte bërë i gjallë e t’u spjegonte përse mbaheshin të veçuar në këtë ndërtesë.
– Të dal njëherë në korridor, se mos takoj njeri, – tha Iliri. – Duket sikur na kanë harruar.
– Presin ndonjë shefin e tyre, – tha Kristani. – Por ti dil e hidhi një sy vilës.
Iliri hapi derën e apartamentit. Në korridor nuk pipëtinte njeri. Në katin e dytë ishin dhe tre dyer të tjera. Iliri lëvizi dorezat. Ishin të kyçura. Zbriti nëpër shkallët, në katin e parë. Iu afrua derës së jashtme. Ajo ishte e mbyllur. Trokiti nëpër dyert e tjera. Askush nuk u përgjigj. Iliri u ngjit lart në dhomë.
Profesori kishte marrë një bidon me ujë nga frigoriferi dhe pinte herë pas here.
– Duket si një ishull i pabanuar. Jemi vetëm ne të dy. Të gjitha dyert janë të mbyllura. Edhe dera e jashtme.
– Do të presim, – tha Kristani.
Kaloi pothuajse një orë. Në orën dy, u dëgjua zhurma e një makine që parkoi në oborrin e vilës. Pas pak u hap dera dhe në paradhomë hyri njëri nga shefat. Kristani e njohu. Ishte personi që kishte organizuar takimin e Kristanit me dy shikasit nga Tirana dhe një të tretë, që fliste rusisht.
– Mirëdita, – tha ai dhe u ul në një kolltuk rrotullues, në tavolinën që dukej si e shefit.
– Përse na sollët këtu ? – pyeti Kristani.
– Kemi urdhër t’ju mbajmë deri nesër në mëngjes, – iu përgjigj shefi.
– Urdhër nga kush ?
Tjetri nuk u përgjigj.
– Përse ?
– Më vjen keq profesor, por nuk mund t’ju jap shpjegime.
– Ju na keni rrëmbyer, na izoloni një ditë e një natë, dhe nuk na thoni arsyen? Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut. Kjo përbën krim.
– Ky është sekret shtetëror.
Shefi tha këto fjalë, picërroi sytë dhe mori një pamje hijerëndë. Ai ishte esmer dhe hija e zyrtarit e bëri gati të zi.
– Dëgjo këtu, zotëri, i tha Kristani. – Merr ata shefat e tu, që punojnë për qeverinë lart në Tiranë dhe u thuaj që unë pranoj të bëj kompromis me ta, nëqoftëse do të dal prej këtej para orës katër.
Shikasit iu mbush balli me djersë.
– Ose më mirë, u flas vetë në telefon, – shtoi Kristani.
– Kjo nuk bëhet, – tha shefi. – S’ka lidhje me ta. Është çështje e drejtorisë sonë.
– Atëhere, s’është çështje shtetërore, por lokale, – ironizoi Kristani. – Por mund të kthehet në çështje shtetërore, nëse ti nuk na lë të largohemi tani.
Shefi mori një bidon ujë nga frigoriferi dhe e piu përgjysmë.
– Dëgjo profesor, – tha ai. – meqë këmbëngulni, po flas haptazi me ju. Kemi një informacion, që ju të dy, së bashku me disa shokë të tjerë, po përgatitni një atentat kundër deputetit, zotit Azem Hajdari.
– Kjo është qesharake, – tha Iliri.
– Kjo është absurde, – tha Kristani.
– Edhe unë nuk është se i besoj plotësisht, – tha shefi. – Informacionin e kam klasifikuar jo të plotë. E di që ti professor je mik i Azemit. E di që dhe ti Ilir je me bindje të djathta. Por jam i detyruar të veproj në bazë të rregullores. Ju premtoj, se do t’ju mbajmë këtu deri në përfundim të mitingut të PD dhe deri sa zoti Hajdari të jetë larguar nga territori që mbulon drejtoria jonë. Kjo do të jetë një alibi edhe për ju. Në njëfarë mënyre, unë po ju mbroj.
Ai u ngrit nga kolltuku dhe me zhdërvjellësi doli nga apartamenti. Dera u mbyll pas tij. U dëgjua një kërcitje e lehtë metalike. Iliri lëvizi dorezën e derës, por ajo nuk u hap.
– Paska mbyllur derën me pult, – tha ai. – E humbëm Azemin, professor.
– Ende shpresoj se diçka do të bëhet. Ai do t’i lajmërojë shefat e tij në Tiranë.
* * *
Flamuri e priti më kot Ilirin pranë birrarisë Partizani. Do të jetë me profesorin, Agimin dhe Riksin, mendoi. Derisa ka një plan për të shpëtuar Azemin, ka dhe detyra për ta. Nuk është kollaj t’i thuash tjetrit se në filan orë, në aksh vend do të qëllojnë mbi ty. Po ti, nga i di këto gjëra, të thotë ai. Po ja, ky djali, që e quajnë Ilir, i ka jetuar njëherë ato orë të zeza. Jo, nuk ishte pranë vendit ku të vranë, i dëgjoi nga televizori. Azemi, sigurisht, do të qeshte me të madhe e do të thoshte se përrallë më të bukur nuk kishte dëgjuar ndonjëherë. Në atë çast do të ndërhynte profesori. E di ti ç’është koha dhe hapësira, do t’i thoshte Azemit. E di ti që unë luaj me to siç luan ti me politikën. Ndaj që nga ky çast, jam unë ai që jap urdhërat. Ti vetëm do të bindesh.
Mjegulla po mbulonte ngadalë turmën në sheshin qëndror të qytetit. Ca vetëtima blu çanë qiellin. Ishin të shurdhëta, pa bubullima. S’kam parë ndonjëherë vetëtima blu, tha Flamuri. Kjo është shenjë se Azemit nuk i kanoset më rreziku. Hodhi sytë tutje nga tribuna. Një aureolë e ndritshme rrethonte bustin e Azemit. Flamuri fërkoi sytë për të parë më mirë. Azemi po fliste. Si lëvizte ai, lëviznin edhe rrathët e ngjyrosura me dritë të aureolës. Sa e bukur kjo shfaqje, tha Flamuri. Vetë Zoti, në qiell, qenka dorëzanë për jetën e Azemit.
Mitingu mbaroi. Njerëzit humbën pjesë pjesë nëpër mjegull. Flamuri mori drejtimin për nga Lux-i. U ul në sallën e barit, pranë banakut. Porositi një kafe. Mbaroi kafen, la lekët në tavolinë dhe shkoi tek banaku.
– Të bëj një telefonatë, – i tha baristit.
Ky ia bëri me kokë. Flamuri telefonoi në lokal. Dëgjoi zërin e të shoqes.
– Alo, jam Flamuri. Ka ardhur Dritani? Jo!? Po të vij, thuaji që jam te Luksi . E pres këtu.
Pastaj iu drejtua baristit:
– Di gjë kur vjen Agimi?
Baristi iu afrua Flamurit që nga ana tjetër e banakut dhe i foli me zë të ulët.
– Agimi, Riksi dhe dy shokë të tyre, janë larguar që në orën një dhe ende nuk janë kthyer.
– Po i pres përjashta atëherë, – tha Flamuri.
Baristi e uli më tepër zërin:
– Z. Flamur, ata i kanë marrë.
– Ç’thua more! Policia?
– Jo, ishin ca civilë. Bile u bë dhe një përleshje e vogël, në barin jashtë. Njëri nga shokët e Agimit e shtriu përdhe njërin prej civilëve, por të tjerët iu hodhën përsipër e i vunë prangat. I futën nëpër makina dhe u larguan me shpejtësi.
– Po profesori dhe Iliri ishin me ta ?
– Jo, nuk i pashë.
Flamuri doli jashtë barit. Bëri një ecejake në trotuarin përballë hotelit. Ç’të ishin këta civilët? Policë të krimit ekonomik? Apo punonjës të shikut, dingot, siç i quanin të rinjtë. Flamuri u trua se ishin dingot. Të kenë kapur edhe Ilirin me profesorin!? Po Azemi, ç’do të ndodhë me të !?
Shpejtoi hapat për nga qendra e qytetit. Sheshi ishte boshatisur nga turmat. Sapo kishte filluar qarkullimi normal i automjeteve. Në rrugën pranë, një grup të rinjsh, po vinin drejt tij.
– Ej, babai i Dritanit, – e thirri njëri prej tyre. – Dritani sa u nda nga ne. Po shkon në shtëpi.
– Iku Azemi, djema ?
– Ikën të gjithë.
– Kanë mbi gjysmë ore.
– Natën e mirë, babai i Dritanit !
– Natën e mirë, djema !
Flamuri u kthye te Lux-i. Baristi, që nga banaku ia bëri me dorë të afrohej.
– Erdhën ata? – pyeti Flamuri.
– Jo ! Por ty të kërkoi gruaja në telefon.
Flamuri formoi numrin e telefonit të lokalit.
E shoqja i tha se Dritani po shkonte në shtëpi. Ndjehej i lodhur. Epo mirë, i tha Flamuri. Ai donte ta pyeste të birin, nëse profesori dhe Iliri ishin takuar me Azemin. Por hoqi dorë. Profesori mund të ishte takuar me Azemin edhe para mitingut. Kanë pirë kafe dhe kanë biseduar, pa praninë e të tjerëve, mendoi Flamuri. Ka qenë një ditë e tërë për të bërë një gjë kaq të thjeshtë.
Kishte filluar shiu. I imët e i përzier me mjegull, dukej sikur qëndronte pezull në ajër, si në një napë të hollë, të tejdukshme. Nata po mbulonte qytetin. Trotuaret po boshatiseshin. Ishte koha, kur nëpër bare kishte më shumë klientë, se kalimtarë në rrugë.
Flamuri pa orën. Shtatë e mbrëmjes. Ndezi një cigare dhe u mbështet në fasadën e hotelit, nën strehën e gjerë prej betoni. Aty do të priste derisa të vinte ndonjëri prej shokëve.
Kur po pinte cigaren e tretë radhazi, dalloi Ilirin që po afrohej. I doli përpara.
– Po ku jeni, shoku? U bëra merak për ju, – tha Flamuri.
I hodhi dorën në sup Ilirit dhe u futën brenda. Kaluan pranë banakut.
– Katër ekspresë në një filxhan çaji, – i tha Iliri kamarierit. – E dua të fortë.
U ulën në tavolinën në fund të lokalit.
– Hë, ç’bëtë ? – pyeti Flamuri.
– Më duket se e humbëm Azemin, shoku.
– Si, asnjëri nuk e takoi Azemin? As profesori?
– As profesori dhe asnjëri prej nesh. Na morrën ata të shikut, që në orën një dhe na izoluan në godinat e tyre. Mua me profesorin bashkë, të tjerët nuk e di se ku. Dyshonin se po organizonim një atentat kundër Azemit. Na liruan prapë, sepse nuk kishin prova të mjaftueshme. Dhe të tjerët, sikur kanë ardhur tashti.
Në atë kohë në bar hynë Riksi, Agimi, V.Z. dhe A.M. A.M një dorë e kishte të fashuar dhe syrin e majtë të nxirë. Erdhën te tavolina e fundit.
– Ky është Flamuri, shoku ynë i ngushtë, – prezantoi Agimi. – Këta janë V.Z. dhe A.M, Flamur. Ortakët tanë nga Tirana.
– Të paskan goditur keq, – vërejti Flamuri për AM.
– U përlesha me dingot, – tha AM. – Nja dy prej tyre i shtriva përdhe.
Erdhi kamarieri. Riksi porositi një Xhon të zi. Të tjerët kafe dhe ujë.
– Profesori ku është ? – pyeti Riksi.
– U nis për në Tiranë. Me një nga ata, – tha Iliri. – Juve, kur ju morrën?
– Sa ikët ju. Na çuan në një vilë dhe na mbajtën brenda deri tani. Nuk na dhanë asnjë shpjegim. Po juve ? – pyeti Riksi.
– Ne na kapën tek rrugica pranë shkollës. Na veçuan në një vilë jashtë qytetit. Thanë se e bënin për të mirën tonë. Atje morrëm vesh se edhe juve ju kishin marrë. U kishin dhënë informacion, se ne po përgatisnim një atentat kundër Azemit. Informacioni s’ishte i sigurt, por për të shmangur ndonjë të papritur, neve do të na mbanin të izoluar gjatë kohës së mitingut.
– Ky është kulmi, – tha V.Z. – Atentatorët janë të lirë, ndërsa ata dyshojnë tek ne, që jemi shokët dhe miqtë e Azemit.
– Dikush ka folur, – tha AM.
Ra një heshtje e rëndë.
– Dikush ka përgjuar, – tha Riksi. – Ka marrë një fjalë këtu dhe një fjalë atje dhe ka raportuar një thashethem. Kjo përputhet me ato që tregoi Iliri.
– Thashethemin mund ta ketë sajuar vetë shiku, për të na pengar ne të takonim Azemin. Dhe ia arritën qëllimit.
– Ti thua që shiku… -nuk e përfundoi mendimin Riksi.
– Është një mundësi, – tha A.M.
– Unë jam dakord me llogjikën e Riksit, – tha Agimi – Por s’është momenti të rrekemi tani me këto dyshime. Të dëgjojmë Ilirin, përse iku profesori në Tiranë.
– Me insistimin e profesorit, shikasi që ishte caktuar për mbikqyrjen tonë, u bind se ishim ne që do ta mbronim Azemin nga ndonjë atentat i mundshëm. Profesori nuk ia tregoi plotësisht të vërtetën. Më në fund e kandisi që të niseshin në Tiranë. Është vonë, i thashë unë. Nuk do ta takosh dot Azemin. Ai m’u përgjigj se të qëllosh një njeri me armë, nuk do të thotë se ai vdes në çast. Ka ende shpresa për jetën. Por mund t’i bënte edhe ndonjë telefonatë.
– Unë kam besim te profesori, – tha Flamuri.
– Edhe unë , – tha Riksi.
– Profesori është tepër i saktë, – tha Iliri dhe uli kokën.
Fjalët e Ilirit ishin një “po“ apo një “jo“!? Askush nuk guxoi të pyeste për këtë.
Iliri pa orën.
– Unë do të bëj një telefonatë, për Aleancën – tha ai. – E kishim lënë të darkonim bashkë sonte. Ajo do të zgjidhte tavernën tre. Do t’i kërkoj falje që nuk isha me të sonte.
Iliri përmendi tavernën dhe të tjerët e kuptuan që kishte ardhur koha të rrinin para ekranit të televizorit. Boshatisën gotat, filxhanët dhe rregulluan karriget si në një sallë kinemaje. Stacioni lokal AVN jepte një film Uestern. Agimi mori në dorë pultin dhe shtypi butonin një. Ishte TVSH. Po jepte këngë popullore të jugut.
– Tirana i jep . . . lajmet më shpejt.
– Do Zoti dhe profesori e ka marrë në telefon Azemin.
– Mbase nuk do të ketë fare lajm të tillë. Dita sot ka ndryshuar. S’është ajo që ka jetuar Iliri.
– E nga e di ti që s’është e njëjtë
– Nga Iliri, nga ta di tjetër. Iliri, në këtë orë, duhej të ishte me Aleancën në tavernën tre. Por ai ndodhet këtu.
– Kjo s’do të thotë asgjë.
– Edhe mund të thotë. Ja, të pyesim Ilirin.
Ata kthyen kokën nga Iliri.
Iliri kishte mbyllur telefonin dhe rrinte mbështetur tek banaku. Ishte me fytyrë nga ata, por nuk shihte ata. Kishte ndezur një cigare dhe tymoste kot.
– Ai s’pi kurrë duhan, – tha Flamuri me zë të dridhur.
Në atë çast, këngët u ndërprenë. Në ekran u duk fytyra e spikeres kryesore të TVSH. Në buzët e saj dukej akoma hija e buzëkuqit të fshirë me ngut. Me zë të qartë e të përzishëm, ajo lajmëroi se Azem Hajdarin e kishin qëlluar me armë, në një pritë, pranë selisë së PD.
Në bar u bë zhurmë. Kanë vrarë Azemin, u dëgjuan dy-tre zëra. Pastaj disa lëvizje karrigesh. Përsëri heshtje.
AM u ngrit në këmbë. Një pikë loti iu shkëput e ra mbi dorën e shokut të vet. V.Z. ngriti kokën lart.
– Ti po qan AM? – pyeti ai paksa i çuditur.
– Pse, është turp të qash, shef !?
– Jo . Edhe unë dua të derdh lot, por paskam harruar. Ti qaj AM, qaj !
Përfunduar 7 Korrik 2009
Komentet