*Aspekti historik, diplomatik dhe politik i një prapaskene kundër shtetit të Kosovës dhe zhbërjes së tij, që njëherësh ia hap dyert Serbisë së Madhe në Ballkan dhe depërtimit të Rusisë
1.Aspekti historik:
Nuk ka kurrfarë “konflikti të ngrirë” me Serbinë. Ky është vetëm një konstrukt mashtrimtar, që si metaforë (“krushqit e ngrirë” në vend të “krushqve të masakruar”), sa nga konceptet ideologjike, sa nga mosnjohja e historisë, po edhe nga naiviteti e servilizmi ndaj Beogradit, së fundi ka depërtuar edhe në politikën shqiptare.
Por, nga aspekti historik, e vërteta është ndryshe, ngaqë pikëpjekjet midis shqiptarëve dhe sllavëve, që si serbë shfaqen vetëm në shekullin nëntëmbëdhjetë kur identiteti fetar ortodoks do të kthehet në atë nacional, janë lufta pushtuese të tyre për hapësirë, me pasoja të rënda për qenien shoqërore, kulturore dhe politike të shqiptarëve, të përcjella me etnocide, kulturocide dhe gjenocide të vazhdueshme dhe tragjedi.
Gjeneza e tyre shihet diku në shekullin VII, pasi perandori Heraklit, kishte lejuar vendosjen e fiseve sllave në Ilirikun Perëndimor për të penguar depërtimet barbare nga lindja. Ky veprim i Bizantit, më vonë, në shekullin X, pasi sllavët të fillojnë të pranojnë krishterimin, do të përcillet edhe me organizimin e tyre fisnor (zhupanitë) në Bosnjën Qendrore (Zahumle), prej nga, zhupanitë sllave në Ilirik, të nxitura herë nga Vatikani, që të dobësojë Bizantin, e herë nga Kostandinopoja që të pengohet “depërtimi latin” në Bizant, vazhdimisht ka shkuar në dëm të faktorit autokton fillimisht dardan-ilir, në mesjetë atij arbëror dhe në kohën e re atij shqiptar.
Kjo më së miri, pasqyrohet me kryqëzatën e katërt (1189), kur Frederiku hungarez dhe Barabrosa gjermanë, në rrugë e sipër për ta pushtuar Kostandinopojën dhe për ta kthyer në “kështjellë katolike”, siç ndodhi në të vërtetë kur qendra e Bizantit e pushtuar nga kryqtarët latinë për mbi gjashtëdhjetë vjet u bart në Nike, zhupanëve sllavë (Nemanjajve me origjinë tribale) ua hapi rrugën për t’u futur në Dardani, me ç’rast ata pushtuan Nishin, Ulpianën, Therandën dhe Skupin për të arritur Ohrin, ku ndodhej qendra e peshkopatës.
Këto vajtje-ardhje të Nemanjajve të Rashës (kështjellës së fundit dardane në ilirik) dhe gjithë ato zhvillime të dy shekujve të luftës midis Lindjes dhe Perëndimit në Ilirik dhe Dardani, megjithatë nxjerrin në pah edhe pjesëmarrjen aktive të faktorit autokton arbëror (feudalëve, despotëve dhe zhupanëve) si dhe përpjekjet e tyre të vazhdueshme, që në kuadër të Bizantit që i pikonte çatia në të gjitha anët dhe ishte çështje kohe se kur do t’i shembej ajo, të forconin pushtetin e tyre me të gjitha mënyrat, ku vasalitetet ndaj “të fortëve” shfaqeshin si mjet politik i pashmangshëm.
Pushtimet pesëshekullore osmane sikur “ngrinë” hegjemonizmin sllav, por ai serish u shfaq në fillimet e shekullit nëntëmbëdhjetë, kur doli në skenë hegjemonizmi ruso-sllav me pretendimet që pjesës evropiane të Perandorisë Osmane në shpërbërje e sipër, t’ia krijonte “atutë” për “rikthim historik” të sllavëve të jugut dhe shteteve të tyre nacionale, kryesisht në dëm të etnisë shqiptare.
Duke u shfrytëzuar kisha ortodokse si dhe realitet etnike që Perandoria Osmane, për interesat e veta, i kishte vendosur mbi bazat e përkatësisë fetare (mileti osman për myslimanët dhe mileti-rum, ose romej për të krishterët), pansllavizmi përvetësoi përkatësinë e krishterimit lindorë (ortodoksisë) për zgjimin e lëvizjeve nacionale (serbe, greke, rumune dhe bullgare) për qëllime hegjemoniste, gjë që e gjitha u pasqyrua me krijimin e shteteve kombëtare (Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë) mbi bazat e kësaj përkatësie, paçka se një pjesë e madhe e shqiptarëve etnikë që i takonin krishterimit ortodoks u përfshi në këto lëvizje revolucionare dhe shfaqeshin edhe si bartës të tyre (në Serbi dhe sidomos në Greqi).
Mbi këto baza janë të njohura veprimet pushtuese të Serbisë dhe të Greqisë ndaj etnisë shqiptare edhe pasi që shqiptarët ia dolën të shpallin shtetin e tyre të pavarur, por që Konferenca e Ambasadorëve e Londrës, në vitin 1913 e njohi si të përgjysmuar. Krahas rrezikimit të vazhdueshëm të shtetit shqiptar, Beogradi, bëri çmos, që me anën e dhunës shtetërore dhe programeve të vazhdueshme (kolonizimit, shpërnguljeve dhe terrorit policor-ushtarak), ta rrënojë qenien etnike dhe atë fizike të shqiptarëve në Kosovë ne Maqedoni.
2.Aspekti diplomatik:
Edhe nga aspekti diplomatik nuk ka kurrfarë “konflikti të ngrirë” midis shqiptarëve dhe serbëve, meqë ato si çështje janë ngritur mbi binarë të ndryshëm: ajo serbe – si subjekt politik në sherbim të shtendërtimit, ndërsa shqiptarja si objekt për kusuritje të vazhdueshme deri në shuarje të saj me të gjitha mjetet. Në këtë aspket, diplomacia serbe, e përkrahur nga ajo ruse po edhe disa vendeve evropiane (pa përjashtuar edhe atë austrohungareze e fokusuar te interesat e saj që sllavët e jugut të ruanin përkatësinë perëndimore), të ashtuquajturës “të drejtë historike”, të falsifikuar shumanshëm gjoja me shtetin mesjetar serb që nuk ka ezistuar kurrë, ia kanë krijuar “alibinë” diplomatike si mjet për realizimin e këtyre qëllimeve. Kjo është parë qysh nga Kriza Lindore e vitit 1867, kur Rusia cariste pasi që në Paqen e Parisit të vitit 1856, do të fitojë të drejtën për mbikëqyrje ndaj ortodoksëve të Ballkanit, do të vërë në lëvizje diplomacinë e saj në shërim të këtyre qëllimeve. Të tilla ishin nismat për dërgimin e konsujve rusë në viset shqiptare (Shkodër, Prizren, Shkup, Prishtinë, Janinë, Manastir dhe gjetiu), të cilët, krahas veprimtarisë subversive kundër shqiptarëve, do të fillojnë edhe ato të “misionarizmit” kulturor (hapjen e shkollave në gjuhën serbe) si dhe rindërtimin e kishave “ortodokse serbe” nga trashëgimia e përbashkët e krishterimit. Krahas këtyre punëve, konsujt rusë do të organizojnë edhe lëvizjet politike nacionaliste në përputhje me interesat hegjemoniste sllave, ku infiltroheshin edhe grupe të armatosura (komitë) nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria për arritjen e qëllimeve politike, siç ishin ato që nxorën në pah krizën e Maqedonisë (1889-1903) dhe të tjera me të cilat iu krijua platforma diplomatike luftërave pushtuese ballkanike (Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Bullgarisë), që shpërthyen në vjeshtën e vitit 1912 kundër Perandorisë Osmane dhe për pasojë patën pushtimin e trojeve shqiptare me pasoja tragjike.
Platforma diplomatike rusomadhe mbrojti interesat e vendeve sllavo-ortodokse në Ballkan në dëm të trojeve shqiptare në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1912 dhe kudo që iu dha rasti. Nën petkun e këtij hegjemonizmi, interesimi i Moskës për Serbinë vazhdoi edhe gjatë kohës së komunizmit. Tragjedia shqiptare e viteve 19944/45 si dhe kalvari i vuajtjeve shqiptare vazhdoi edhe në rrethanat e “bashkim-vëllazërimit”, me ç’rast, aleanca ideologjike Tiranë-Beograd u ndërtua mbi tragjedinë e Kosovës dhe luftën e vazhdueshme për bashkim kombëtar qoftë edhe në rrethanat e vetëvendosjes ideologjike, siç u pasqyrua në Konferencën e Bujanit. Kjo politikë vazhdoi edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe deri në ditët e sotme, me ç’rast Rusia shfrytëzon edhe KS të OKB-së për këto qëllime.
3.Aspekti politik:
Meqë nga aspekti historik dhe diplomatik nuk ka kurrfarë “konflikti të ngrirë” midis shqiptarëve dhe serbëve, pos hegjemonizëm në vazhdimësi të shtetit serb ndaj shqiptarëve, i bazuar në platformën politike të “Naçërtanjës” së vitit 1844 dhe i pasqyruar me gjenocide të hapura nda shqiptarëve dhe qenies së tyre etnike, siç ishin ato gjatë luftërave të viteve 1877/78 (gjenocidi dhe pastrimi etnik i shqiptarëve nga Toplica, Kurshumlija dhe Nishi), i Luftrave Ballkanike në vitet 1912/13 (i pushtimit të Kosovës dhe Maqedonisë me mbi dyqind mijë viktima), i vitit 1944/45 (i ripushtimit sllavo-komunist të Kosovës nga partizanët jugosllavë të përkrahur nga ata shqiptarë me mbi pesëdhjetë mijë viktima), si dhe përpjekjet për gjenocidin e fundit në vitin 1999, i cili u pengua nga ndërhyrja e NATO-s, shfaqja e formulës politike të “dhënies fund të konfliktit të ngrirë”, siç po ndodhë kohëve të fundit nga politika shqiptare në Kosovë dhe Tiranë, ndonëse si i tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë, paraqitet si një prapaskenë kundër shtetit të Kosovës dhe zhbërjes së tij. Kjo prapaskenë tepër perfide e Beogradit, jo rastësisht fillon mbi formulën e “konfliktit të ngrirë”, në mënyrë që duke i postuar çështjet te kjo “nyje” dhe zgjidhja e saj “me pajtim historik”, në njërën anë të bëjë bashkëpjesëmarrës edhe shqiptarët në një “luftë të vazhdueshme” gjoja të ndërsjellë, që asnjëherë nuk ka ndodhur, ngaqë shqiptarët nuk kanë qenë subjekt i saj pos viktima, dhe në tjetrën anë të heq përgjegjësinë historike të serbëve për krime kundër shqiptarëve, paçka se edhe ndërhyrja e NATO-s e vitit 1999, e mbështetur mbi rezolutën 1136 të KS të OKB-së, është bërë pikërisht mbi bazën e mbrojtjes së shqiptarëve nga zhdukja fizike.
Por ajo që ëshët edhe më e rrezikshme për shqiptarët dhe për rajonin në përgjithësi, që i ashtuquajturi “ pajtimi historik” të ndodhë pa kërkim falje nga Beogradi për krimet e kryera dhe pa njohjen e shtetit të Kosovës, padyshim se e kthen në lojë opsionin e Serbisë së Madhe e me të edhe rikthimin e ndikimit rus në Ballkan, pikërisht në dëm të shqiptarëve dhe të përcaktimit të tyre perëndimor në përputhje me doktrinën e rilindjes kombëtare.
Ndonëse shkrirja e “konfliktit të grirë” midis shqiptarëve dhe serbëve, siç po paraqitet nga presidenti despotik i Kosovës dhe përkrahësit e tij të shumtë në politikën zyrtare të Shqipërisë, duket si një romansë joshëse që gjoja i hap dyert edhe bashkimit kombëtar shqiptar e broçkulla të ngjashme, në të vërtetë, paraqet fillimin e zhbërjes së shtetit të Kosovës – të arriturës më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull.
Për Beogradin dhe Rusinë pranimi i shqiptarëve të futen me aq naivitet në këtë lojë tepër të rrezikshme për ta, edhe po qe se kjo, për arsye gjeostrategjike do të mund të pengohej nga vendet perëndimore qoftë edhe me çmimin që edhe për shumë kohë të mbetet “paqe e ngrirë”, do të thotë fitore diplomatike. Ngaqë shqiptarëve ua humb kredibilitetin si faktor të besueshëm properëndimor, që janë në gjendje që të pranojnë diktatin e politikës serbe dhe lojërat e saj, siç janë këto të tanishmet të Serbisë për të siguruar vizën për anëtarësim në BE, edhe atëherë kur për këtë nuk kanë kurrëfarë arsyeje!
Komentet