PRISHTINE – Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, ka paralajmëruar se partitë opozitare janë duke punuar për mobilizim kudo në Kosovë. Ai thotë se rasti është urgjent dhe se populli po u lutet per proteste.
“Jemi koordinuar deri më tash me partitë opozitare dhe ato, po ashtu, pajtohen se nevojitet një lëvizje popullore për ta çuar këtë Qeveri drejt dorëheqjes e për ta ndaluar kështu edhe asociacionin. Opozita e udhëhequr nga Vetëvendosje e ka edhe vullnetin, edhe guximin, edhe besimin për ndryshime, prandaj ajo është shpresa për ndryshime. Mobilizimi duket shumë më i madh sesa në janar, apo në herët e mëparshme.
Njerëzit kudo që shkojmë po na luten ta shpallim sa më shpejt protestën, pasi ka padurim për shumë arsye. Nuk janë vetëm asociacioni dhe demarkacioni, por edhe papunësia, rritja e çmimeve, shkatërrimi i shkollave e i spitaleve. Asgjë nuk po shkon mirë”, ka deklaruar Kurti në këtë intervistë për “Epokën e re”.
Kurti ka thënë se asociacioni i komunave me shumicë serbe është një “para-shtet” i krijuar. Sipas tij, me këtë asociacion Kosova po federalizohet.
“Mustafa me dekret qeveritar do ta sajojë një entitet që s’do të mund ta zhbëjmë dot e as ta kontrollojmë mandej”, është shprehur Kurti. Ndërkaq, duke folur për arrestimet e fundit të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje!, Kurti ka potencuar se arrestimet po e shpërfaqin tendencën e këtyre forcave qeveritare për ta ruajtur pushtetin nëpërmjet dhunës policore. “Ata po arrestojnë aktivistë për aktivitete simbolike, por po arrestojnë edhe qytetarë thjesht pse shprehin zemërimin e tyre në ‘Facebook’. Por, askush nuk merret me krimin e rëndomtë, aq më pak me fajdetë, me trafiqet, me kontrabandën, me korrupsionin dhe me krimin e organizuar. Në Kosovë vrasësit dhe mafiozët lihen të lirë, ndërsa aktivistët politikë arrestohen. Ky është realiteti i kësaj Qeverie që i shërben mafies njësoj siç u shërben familjarëve të vet”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se kjo Qeveri është përcaktuar ta mbrojë Kosovën nga Lëvizja Vetëvendosje!, e jo nga Serbia, krimi e korrupsioni.
“Prandaj, ajo duhet të bjerë”, ka thënë ish-lideri i VV-së. Kurti ka bërë me dije se aktivitetet e Lëvizjes Vetëvendosje! në kundërshtim të asociacionit do të jenë të përditshme, të paparashikueshme dhe të pandalshme. “Reagimi ka për të qenë popullor dhe në mbarë Kosovën, e nuk ka për të pasur vetëm protesta”, ka thënë ai.
Kurti ka shtuar se projektet e dëmshme të kësaj Qeverie mund të ndalen edhe prej saj, nëse kryeministri Mustafa vendos ta anulojë marrëveshjen.
“Por, siç e njohim ne, ai është një njeri frikacak, që kurrë nuk bën veprime të tilla pa pasur presion të madh popullor. Edhe Jabllanoviqin ai kishte frikë ta hiqte nga pozita e ministrit. Dhe u desh ta detyrojnë qytetarët në protesta masive”, ka thënë Kurti.
Ish-lideri i VV-së e ka porositur kryeministrin Mustafa, se nëse nuk e anulon marrëveshjen për asociacion dhe e shpall veten të pafuqishëm për t’i realizuar interesat e vendit të vet, atëherë le të japë dorëheqje.
Kurti folur edhe për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës e Serbisë. Ai ka thënë se nuk mund të ketë normalizim dhe stabilizim të situatës kur Serbia nuk e njeh Kosovën.
“Nuk mund të ketë normalizim dhe stabilizim të situatës kur Serbia nuk e njeh Kosovën sepse nëse mosnjohja stabilizohet, ajo do të mbetet aty përgjithnjë. Pas njohjes, duhet të vijë edhe ballafaqimi me të shkuarën, dhe një kërkesëfalje e dëmshpërblimi për humbjet e vuajtjet e luftës dhe okupimit”, ka deklaruar Kurti.
Komentet