SHKODËR – Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari gjatë hytbes në faljen e së premtes nga xhamia e Parrucës për situatën e arsimit në Shqipëri ka dhënë disa mesazhe të forta. Në prag të nisjes së sezonit shkollor dhe akademik, Sytari tha se arsimi ndodhet përballë sfidave të mëdha, ku nga njëra anë janë mësuesit, të cilëve u mbetet një barrë e madhe dhe nga ana tjetër janë prindërit, në dilemë për zgjedhjen e shkollave dhe të ardhmen e fëmijëve. Myftiu bëri apel që të rinjtë t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë rrugës së dijes, pa harruar apelin për shkatërrimin sipas tij që po pëson gjuha shqipe dhe që duhet të ndalet sa më parë. Gjatë faljes së të premtes në xhaminë e Parrucës në Shkodër morën pjesë përveç besimtarëve të zakonshëm, edhe nxënës e studentë, si dhe mësues të shkollave 9-vjeçare, të mesme dhe pedagogë të Universitetit të “Luigj Gurakuqi”.
“Një tërheqje vëmendjeje për sojin tim, për rininë, për fëmijët tanë në këtë fillim viti shkollor dhe fillim viti akademik për të respektuar dijen dhe dijetarët. Në kohët e qytetërimeve askush nuk guxonte të ngrinte dorë kundër mësuesit, askush nuk mendonte ta thërriste në emër, të tallej apo ta fyente mësuesin, askush nuk mendonte për t’i bërë kamera të fshehta mësuesit për ta bërë objekt qesharak. Sfida e mësuesit është të ruajë këtë ekuilibër të madh të besimit dhe qytetarisë, të ruajë këtë ekuilibër të madh të vlerave tona kombëtare dhe fetare, të ruajë këtë ekuilibër të madh të një brezi, i cili ka më shumë se kurrë nevojë për ndërhyrjen e njerëzve të urtë dhe të ditur, për t’i shpëtuar brezat dhe rininë tonë nga tentakulat e së keqes prej së cilës kërcënohet çdo ditë. A nuk është e dhimbshme të mendojmë se ka ardhur një ditë ku njerëzit diskutojnë mes vetes se në cilën shkollë ta çoj fëmijën, në atë shkollë ku luhet poker, në atë shkollë ku nuk ndalohet duhani, në atë shkollë ku shpërndahet droga apo në atë shkollë ku pihet alkooli. A nuk është paradoksale kjo, shkollë dhe imoralitet, shkollë dhe shthurje, shkollë dhe duhan, shkollë dhe drogë, o Zot o Zot, Zoti na ruajt dhe na udhëzoftë”, u shpreh myftiu i Shkodrës.
MESAZHI I MYFTIUT
Ndërkaq, gjatë fjalës së tij, imam Muhamed Sytari foli për sfidat e prindërve të sotëm, duke thënë se duhet t’u qëndrojnë shumë afër fëmijëve, sepse kjo është një kohë e çuditshme, kur në mënyrë të fshehtë ka përpjekje për t’ju vjedhur fëmijët. Jo materialisht – tha myftiu – por për t’u vjedhur mendjen, për t’u vjedhur shpirtin, për t’u devijuar besimin, për t’i nxjerrë nga drita e besimit në errësirën e mohimit, për t’i nxjerrë nga drita e vlerave, tabanit e trashëgimisë islame drejt injorancës, drejt primitivizmit dhe drejt një modeli që nuk mund të jetë premtues për të ardhmen e asnjë brezi. Më pas, myftiu foli edhe për sfidën e mësuesve të sotëm, që është sipas tij për të edukuar një brez, i cili më së shumti ka nevojë për mësuesin edukator.
Myftiu Sytari deklaroi se fëmija dhe i riu që është para duarve të mësuesit, nesër do jetë mjeku i së ardhmes, politikani i së ardhmes, presidenti i së ardhmes, kryeministri i drejtë dhe moral i këtij vendi, politikani i drejtë dhe moral i këtij vendi, deputeti moral dhe i drejtë i këtij vendi, do të jetë ministri moral dhe i drejtë i këtij vendi, do të jetë myftiu moral dhe i drejtë i këtij vendi, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë i urtë, i drejtë dhe i posaçëm në atë pozicion i këtij vendi, pra do të jetë e ardhmja. Nëse ne sot neglizhojmë farat e së nesërmes – këshilloi myftiu i Shkodrës – askush të mos ketë habi pastaj nëse pas disa vitesh modelet hibride do të drejtojnë Shqipërinë dhe ta marrin përdore drejt dekadencave më të mëdha se sa ka rënë sot Shqipëria si pasojë e një keqformimi, si pasojë e këtij keqedukimi, si pasojë e një formimi që nuk njeh Zotin, nuk njeh bazën morale, nuk njeh tabanin kombëtar, por njeh vetëm të qenurit misionar i dikujt dhe diçkaje që njerëzit nuk e shohin dhe ajka e dijetarëve e dinë, por shumica e njerëzve heshtin dhe nuk flasin dhe shumica shkojnë në turmë si turmat që nuk dinë ku shkojnë dhe kush i drejton.
APELI
Në fund të fjalës së tij, myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari iu drejtua mësuesve dhe edukatorëve të shtrenjtë, duke u thënë amanet fëmijët e këtij vendi dhe amanet fëmijët e Shkodrës. “Çdo mësues le të jetë vlerë, të jetë sakrifikues, të jetë model, të jetë pikë referimi për fëmijët tanë. Jo të mendojmë të kundërtën. Duhet të lutemi që Zoti të na ruaj nga dija e padobishme, e cila sjell korrupsion dhe sjell aty ku nuk duhet njerëz, të cilët shkatërrojnë vendin dhe prishin pasuritë e tij.
Një shoqëri që nuk vlerëson dijetarët, mësuesit dhe edukatorët, një shoqëri që nuk interesohet që fëmijët e saj të lartësohen në gradët e shkallëve më të larta të dijes dhe nxënies së saj është një shoqëri e destinuar për t’u shkatërruar siç janë shkatërruar shumë shoqëri të tjera u shpreh myftiu”, pohoi Sytari. Në mbyllje, ai bëri një lutje për gjithsecilin prej prin-dërve dhe fëmijëve që të kenë vëmendjen tek fëmijët që t’ua mësojnë bukur gjuhën shqipe. “Po na ikën gjuha shqipe për duarsh, po na ikën gjuha jonë kombëtare, këtë gjuhë me të cilën na ka veçuar Zoti nga krejt popujt e tjerë të botës, po na ikën për duarsh në një mënyrë apo tjetër, po na masakrohet gjuha, po na bastardohet trashëgimia kombëtare, po na bastardohen traditat kombëtare, tabani kombëtar i vlerave dhe njerëz pa traditë. Pa taban e trashëgimi nuk gjen në asnjë vend të botës, veç ata që janë larguar nga kjo botë dhe nuk kanë asgjë”, përfundoi mesazhin e tij myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari.
Komentet