Intervistë me historianin Shpëtim Sala – president i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, autor e botues i veprës bibliografike “Dr. Ibrahim Temo në Fondet e AQSH” (QMKSH. Tiranë, 2015)
-Zoti Shpëtim, vepra juaj bibliografike “Dr. Ibrahim Temoja në Fondet e AQSh” paraqet interes shkencor e publik. Cilat janë burimet arkivore e konceptimi libror?
Shpëtim SALA: Bibliografia ime “Dr. Ibrahim Temoja në Fondet e AQSh” ka përmbledhur në një libër të vetëm të gjitha dokumentet (letra, kartëpostale, telegrame, dorëshkrime, memorandume, fjalime, kanonizma, proklamata, litografi, kartëvizita etj.) që ka dërguar, ka marrë apo ka mbledhur dr. Temo, një prej veprimtarëve më të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare. Fondi “Ibrahim Temo” (Fondi 19) është tejet i vëllimshëm dhe me shumë rëndësi për historinë shqiptare të Rilindjes si dhe të viteve para e pas Shpalljes së Pavarësisë.
Materialet arkivore janë përshkruar në këtë libër duke dhënë një konceptim të shkurtër të tyre. Në fund, secilit zë, i janë cilësuar: numri i fondit, dosjes, sasia e faqeve; data, muaji, viti i hartimit të dokumentit; në rastin e korrespondencave data, muaji, viti i dërgimit dhe mbërritjes së letrave; gjuha në të cilën është shkruar dokumenti, në se është dorëshkrim apo shtypshkrim;kush e ka nisur letrën dhe kujt i drejtohet ajo.
-Ju keni vite që merreni me figurën e dr. Ibrahim Temos, ndaj na shenjoni shkurtimisht jetën e tij?
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo lindi në Strugë më 21 mars 1865 e ndërroi jetë po aty më 2 gusht 1945 duke e varrosë në varrezat myslimane të Mexhidies. Amaneti i tij ishte që të prehej në Strugë ose në ndonjë tjetër qytet brenda kufijve shqiptar të afërt me Strugën.
Të parët e fisit të dr. Ibrahim Temos u larguan nga Gurabardhi i Matit për në Nahijen e Strugës në vitin 1780, ku aty kaloi fëmijërinë dhe e përfundoi shkollën fillore. Në vitin 1884 shkoi për në Stamboll. Fillimisht u regjistrua në vitin e parë të shkollës së mesme mjekësore të Ahirkapisë, ndërsa në prill 1888 u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë të Gjylhanesë në Stamboll, ku mbaroi studimet në fundvitin 1892 dhe atje mbrojti tezën e diplomës të titulluar “Sëmundja e Tërbimit”, duke u diplomuar si Mjek Ushtarak.
Sot, në nderim të tij, gjimnazi i qytetit të Strugës dhe shkolla fillore në Strimnicë (komuna e Zhelinës) mbajnë emrin “Ibrahim Temo”. Në pllakën e mermerit në hyrje të shtëpisë dykatëshe të Dr. Ibrahim Temos që ndodhet pranë lumit Drin, në Strugë, lexojmë: “Në këtë shtëpi më 21 mars 1865 u lind Dr. Ibrahim Murat Temo (1865-1945) veprimtar dhe personalitet i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Strugë më 20 gusht 2005”.
-Dr. Ibrahim Temo me krijimin e në veprimtarimin e Shoqërisë “Bashkim Përparim” thuhet se pati kontribute kombëtare shqiptare dhe persekutime otomane.
– Shpëtim SALA: Sigurisht, dr. Ibrahim Temo është krijuesi i Shoqërisë së fshehtë “Bashkim dhe Përparim” (1889) programi i së cilës bazohej në parimet e Kushtetutës Osmane (1876), kishte për qëllim emancipimin e shoqërisë osmane, ishin kundër absolutizmit të Sulltanit.
Në shoqatat e Turqve të Rinj bënin pjesë mjaft shqiptarë që kishin bashkërenduar veprimtarinë e tyre me atë të Turqve të Rinj me qëllim që të realizonin Autonominë e Shqipërisë. Ndër veprimtarët më të shquar shqiptarë kanë qenë dr. Ibrahim Temo, Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi Bej Ohri, Jashar Erebara e të tjerë.
Dr. Ibrahim Temo pati persekutime otomane. Ai e përshkruan me saktësi arrestimin e tij në librin “Egitim amaçli taranmiştir”. Shoqëria “Bashkim dhe Përparim” vendosi të krijojë degët e saj në Ohër, Strugë dhe rrethina. Në verën e vitit 1889 dr. Ibrahim Temo vendosi t’i kalojë pushimet verore pranë familjes në qytetin e Strugës. Me të mbërritur aty, ai rekrutoi të rinj shqiptarë atdhetarë, të shkolluar, inteligjentë. Dr. Ibrahim Temo ndërmori një veprim mjaft të guximshëm, duke ja paraqitur me shkrim idetë e shoqërisë “Bashkim Përparim”, në një takim kokë më kokë Qamil beut, komandant i repartit rezervist të Ohërit, pasi mendonte, se ai do ta ndihmonte për themelimin e Shoqërisë “Bashkim dhe Përparim” në Ohër. Mirëpo, Qamil Beu jo vetëm që nuk pranoi të bashkëpunonte, por i tha dr. Ibrahim Temos, se ishte kundërshtar dhe armik i Sulltanit. Në telegramin dërguar Stambollit, Qamil Beu shkroi për propozimin që i kishte bërë Dr. IbrahimTemos, ndaj një javë më vonë, u arrestua dhe e nisën për në Stamboll.
-Dr. Ibrahim Temo, pas disa arrestimeve nga otomanët, u arratis nga Stambolli e shkoi në Rumani. Cila është veprimtaria e tij, atje?
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo, mbas dy arestimeve të tjera, u arratis si marinar nga Stambolli me vaporin “Meteor” që kishte përkatësi rumune dhe mbërriti në Konstancë të Rumanisë më 1 tetor 1895. Pasi qëndroi për një kohë të shkurtër në Konstancë u drejtua për në Bukuresht, ku pati përkrahjen e Nikolla Naços. Ai përfundoi në Bukuresht një kurs njëvjeçar specializimi, ku mori titullin “Doktor i Medicinës”. Nga Bukureshti (dhjetor 1896) ai u vendos në Mexhidije (Dobruxhë) nja 30 km. larg nga Konstanca, ku u caktua mjek i bashkisë së atij qyteti.
Dr. Ibrahim Temo pati një kontribut të dyfishtë në drejtim të zhvillimeve politike e kulturore shqiptare dhe atyre të Perandorisë Osmane. Ai kontribuoi në shoqëritë e Xhemijetit sëbashku me veprimtarë të tjerë shqiptarë, duke menduar se emancipimi politik dhe shoqëror i Perandorisë Osmane do të sillte për Shqipërinë plotësimin e dy kërkesave të rëndësishme për ta: Autonominë dhe lirinë e mësimit të Gjuhës Shqipe.
-Në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dr. Ibrahim Temo ka një vend të nderuar, një piedestal të lartë, ndaj ju si studjues donim t’na i vinit në dukje disa nga atributet e kontributet e veprimtarisë së tij të shumanshme?
– Shpëtim SALA: Veprimtaria dhe kontributet e dr. Ibrahim Temos e evidentojnë atë si një nga atdhetarët më të spikatur shqiptar. Vetëm në vitin 1896 ai ka këmbyer një korrespondencë mjaft të dendur me atdhetarët shqiptarë si: Dervish Bej Elbasani, Dervish Hima, Faik Konica, Hamdi Bej Ohri, Jovan Kuneshka, Kristo Luarasi, Ligor Marko, Mehdi Frashëri, Mid’hat Frashëri, Shahin Kolonja, Sotir Koleja, Viskë Babatasi e të tjerë. Në korrespondencën e tij me atdhetarët shqiptarë flitet për situatën në Shqipëri, përpjekjet e tyre për pavarësi, botimet në gjuhën shqipe, futjen e tyre në Shqipëri, kryengritjet e armatosura në Shqipëri, për alfabetet që duheshin përdorur në shkrimin e gjuhës shqipe, hapjen e shkollave shqipe, etj.
Faik Konica e konsideronte dr. Ibrahim Temon si një atdhetar të vërtetë. Në vitin 1898 Faik Konica i propozonte atij të vihej në krye të Shoqërisë “Përlindja e Shqipënisë”. Dr. Ibrahim Temo, një vit më vonë, më 1899, i drejtohej Dervish Himës “…të shkruante verëm për Shqipërinë, çlirimin dhe bashkimin kombëtar, për reformat në Shqipëri, përparimin e gjuhës së saj.”
Dr. Ibrahim Temo vu në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar dhe në shkrimet e tij ka trajtuar ngjarje të rëndësishme si Lidhjen e Pejës, Kuvendin e Dibrës, Kongresin e Manastirit, Kongresin e Elbasanit, etj., Ai ka shkruar dhe ka vënë në dukje çështje të rëndësishme që lidheshin me fatin e shqiptarëve, për figura të shquara të Rilindjes Kombëtare, ashtu siç nuk mungojnë dhe mendimet e tij për çështje të shëndetësisë, të gjuhës dhe arsimit shqip.
Dr. Ibrahim Temo dha kontributin e tij në krijimin dhe veprimtarinë e klubeve patriotike shqiptare, në hapjen e shkollave shqipe, në mbështetjen e alfabetit latin për shkrimin e gjuhës shqipe. Ai e konsideronte shtypin si një mjet të fuqishëm në zgjimin dhe ndërgjegjësimin e kombit shqiptar. Ai ka mbështetur kryengritjet e armatosura në Shqipëri si një nga mënyrat e zgjidhjes së kërkesave kryesore të shqiptarëve. Ai ka qenë mbështetës i autonomisë dhe pavarësisë së Shqipërisë
Më 9 gusht të vitit 1898 dr. Ibrahim Temo nënshkroi Memorandumin e Komitetit Shqiptar në Bukuresht drejtuar Sulltanit dhe shteteve evropiane me kërkesa për Autonominë e Shqipërisë. Memorandumi është nënshkruar edhe nga anëtarët e tjerë të komitetit, si: Mehmet Bej Frashëri, Jashar Erebara, Pandeli Evangjeli, Dervish Hima ,etj.
-Si shpjegohet se shqiptarët dhe Ibrahim Temo nga promotorr të Lëvizjes së Turqve të Rinj u shkëputen prej tyre?
Shpëtim SALA: Lëvizja Nacional-Borgjeze e Turqve të Rinj lindi në vitet ‘80 të shek. XIX, e drejtuar së pari kundër absolutizmit dhe despotizmit të Sulltan Abdyl Hamid II. Ata, njëherash, ishin kundërshtarë të autonomisë së popujve të shtypur, nuk merrnin në konsideratë çështjet kombëtare si problemi themelor i Perandorisë shumëkombëshe Osmane. Ata synonin të forconin pushtetin otoman të centralizuar mbi këta popuj. Thelbin e programit të tyre e përbënte ruajtja e unitetit dhe tërësisë së Perandorisë Osmane, paprekshmëria e Dinastisë Osmane. Ata synonin që pushteti i saj arbitrar, absolutist, të shndërrohej në një Monarki Kushtetuese Parlamentare. Ideologjia e tyre nuk arriti të ngrihej në shkallën e mendimit nacional-borgjez më të përparuar të kohës, por vijoi të mbështetej në osmanizmin dhe panislamizmin.
Lëvizja Kombëtare Shqiptare bazohej në luftën kundër absolutizmit të Sulltanit dhe për emancipimin e shoqërisë osmane. Kërkesat e parashtruara nga Turqit e Rinj përkonin me Programin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të popujve të tjerë të shtypur në Perandorinë Osmane, pasi shqiptarët me përmbysjen e rregjimit të Abdyl Hamid II synonin të siguronin fillimisht Autonominë e tyre dhe si program më të avancuar të fitonin Pavarësinë.
Një pjesë e atdhetarëve shqiptarë si Ibrahim Temo, Dervish Hima e Hamdi Ohri u përfshinë mjaft herët në Lëvizjen e Turqve të Rinj duke luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në aktivitetin e tyre.
Dr. Ibrahim Temo ka qenë një nga themeluesit e Komitetit të parë Xhonturk “Bashkim e Përparim” (1899) dhe mbeti një nga veprimtarët më të dalluar të Lëvizjes të Turqve të Rinj, njëherazi një nga pjesëmarrësit më aktivë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në Lëvizjen e Turqve të Rinj morën pjesë gjithashtu Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi Ohri, Hoxha Kadriu (Prishtina), Jashar Erebara etj. Në vitet 1896-1897, kur Shoqëria “Bashkim e Përparim” nuk kishte ngritur ende organizatat e saj në Rumeli, falë ndihmesës së degës së Konstancës të kryesuar nga Dr. Ibrahim Temo dhe veprimtarëve të tjerë shqiptarë, ajo arriti të shtrinte ndikimin e vet në Shkodër, Durrës, Manastir, Ohër, Strugë, Dibër, Elbasan, Tiranë, Korçë, Starovë, Berat, Janinë dhe në qendra të tjera. Në disa nga këto qytete ishin ngritur bërthama të Shoqërisë “Bashkim e Përparim”,
Shqiptarët që morën pjesë në Lëvizjen e Turqve të Rinj u përpoqën të formonin në gjirin e kësaj lëvizjeje një krah demokratik dhe përparimtar. Duke qenë dhe përfaqësues të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare këta veprimtarë shqiptarë në një varg thirrjesh, traktesh, manifestesh, promemoriesh si dhe në artikujt e botuar në shtypin e Turqve të Rinj iu drejtuan turqve e shqiptarëve, gjatë viteve 1896-1905, me kërkesat për “njohjen e kombësisë shqiptare, çeljen e shkollave shqipe”, “bashkimin e tokave shqiptare në një vilajet të vetëm”, madje “formimin e një Shqipërie autonome”. Këto kërkesa u kundërshtuan nga Ahmet Rizaj dhe krerët e tjerë të Lëvizjes të Turqve të Rinj, pasi i quanin ato të papranueshme për “kombin sundues (turk) që ishte në fuqi” dhe “për shtetin osman që kishte si gjuhë të përgjithshme dhe zyrtare atë osmane”.
Mosmarrëveshjet midis Shqiptarëve dhe Turqve të Rinj (xhonturqve) për kërkesat mbi Autonominë e Shqipërisë ndodhën në periudhën kur midis tyre kontradiktat ishin ashpërsuar ndjeshëm. Turqit e Rinj pasi nuk mundën ta frenonin vërshimin e nacionalizmit shqiptar, tentuan të ndryshonin drejtimin e tij. Një nga synimet e tyre ishte përpjekja për të hedhur poshtë kërkesën e shqiptarëve për një alfabet latin. Ata synuan që germat latine të Alfabetit Kombëtar Shqiptar të zëvendësoheshin me germa arabe. Ata shpallën në të njëjtën kohë që shkronjat latine ishin shpikje e të huajve, objektivi i të cilëve ishte të devijonin myslimanët e mirë nga besimi i tyre, dhe që shkronjat arabe ishin të shenjta, etj. Por dhe kjo propagandë naive e tyre, dështoi me turp përpara bashkimit të përgjithshëm të popullsisë shqiptare, myslimane e të krishterë, të cilët nën sloganin kuptimplotë të Rilindjes sonë Kombëtare, “Feja e shqyptarit ashtë shyptaria”, kishin sheshuar çdo ndarje fetare midis tyre.
Dr. Ibrahim Temo filloi të distancohet nga Turqit e Rinj që nga viti 1902 kur nuk pranoi të merrte pjesë në kongresit e organizuar nga turqit e rinj në Paris.
Në Kongresin Xhonturk të Parisit (4 – 9 shkurt 1902) morën pjesë përveç turqve edhe armenët, maqedonasit, arabët, shqiptarët (Ismail Qemali, Dervish Hima, Jashar Erebara, Hoxha Kadriu, Hamdi Bej Ohri) etj. Shqiptarët, midis të cilëve u shqua Ismail Qemali, kërkuan që t’u njiheshin atyre dhe kombësive të tjera joturke liria e gjuhës dhe e shkollës amtare, si edhe të drejtat e tjera politike. Ismail Qemali theksoi gjithashtu nevojën e përgatitjes së kryengritjes kundër absolutizmit të Sulltanit, ku të merrnin pjesë edhe forcat ushtarake dhe ishte për përdorimin e dhunës, rryma të tjera në kongres, ishin për një politikë paqësore.
Pas këtij Kongresi të Parisit dr. Ibrahim Temo botoi disa artikuj në gazetat e tyre (498), ku demaskonte atë pjesë të platformës ku prekeshin aspiratat për të cilat luftonte populli shqiptar.
Në rrethanat, kur Shoqëria “Bashkim e Përparim” nuk deshi t’u njihte popujve jo turq asnjë të drejtë kombëtare, shqiptarët u rezervuan në raportet e tyre me Lëvizjen e Turqve të Rinj. Sikurse dëshmon edhe shtypi i kohës (“Shqipëria”, Bukuresht, 1897-1899; “Drita”, Sofje, 1901-1908; “Shkopi”, Kajro, 1907-1908; “Kombi”, Boston, 1906-1908 etj.), shumica e qarqeve atdhetare shqiptare e shihnin me mosbesim Lëvizjen e Turqve të Rinj.
-Cili ishte pozicioni i Ibrahim Temos ndaj Kongresit të Dibrës?
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo me rastin e mbledhjes së Kongresit Kushtetues Shqiptaro-Osman (Kuvendi i Dibrës, 23 – 29 korrik 1909) i dërgonte parisë një letër, ku ai iu kërkonte atyre pozicionimin e tyre të qartë ndaj Turqve të Rinj dhe i këshillonte organizatorët të mos u besonin dhe të mos bashkëpunonin me ta.
Ai iu propozonte organizatorëve të Kongresit që të bëheshin disa ndryshime në protokollin e mbledhjes.
-Cili është kontributi i Ibrahim Temos në Shpalljes e Pavarësisë, në qverisjen e Princ Vidit, në Konferencën e Paqes në Paris?
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo luftoi dekada të tëra, sëbashku me atdhetarë të tjerë shqiptarë për të aritur në ditën e Shpalljes së Pavarësisë.
Në tetor të vitit 1912 ai ka qenë në krye të një grupi shqiptarësh në organizimin e pritjes që ju bë Ismail Qemalit në Konstancë, dhe e shoqëroi për në Bukuresht, ku u prit më 20 tetor të vitit 1912 nga një grup i madh shqiptarësh të kolonisë të këtij qyteti.
Nga Ohri dhe Struga në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë morën pjesë: Zyhdi Bej Ohri, Dr. Myrtezai dhe Nuri Efendi Sojliu, ndërsa dr. Ibrahim Temo nuk pati mundësi të ishte pjesëmarrës në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Në këtë ngjarje të shënuar mori pjesë vëllai i tij Nuri Sojliu. një nga përfaqësuesit e Strugës në këtë ngjatje të shënuar, një nga firmëtarët në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.
Dr. Ibrahim Temo mbërriti në Durrës në fund të majit 1914, i dërguar nga Qeveria Rumune, në krye të një grupi sanitar të Kryqit të Kuq të Rumanisë. Ai u emërua në qeverinë e Princ Vidit, drejtor i përkohshëm (provizor) i shëndetësisë. Dr. Ibrahim Temo sëbashku me ekipin e tij dha një kontribut të vlefshëm për luftimin e sëmundjeve infektive dhe në veçanti të malarjes. Dr. Ibrahim Temo, sëbashku me Dr. Halit Bej Bërzhezhdën, kishin hartuar përpara vitit 1909 një projekt në të cilin ka bërë plotësime edhe Jashar Erebara, dhe me anën e të cilit synonin zhvillimin e shëndetësisë në Shqipëri. Me gjithë përpjekjet e tyre Projekti nuk arriti të realizohej për shkak të mungesave financiare dhe kohës së shkurtër të qeverisjes të Princ Vidit në Shqipëri.
Dr. Ibrahim Temo në bashkëpunim me Asdrenin hartuan një raport prej 10 faqesh, të cilin ja dorëzuan Qeverisë Rumune. Në raport pasqyrohej gjendja në Shqipëri, si dhe aprovimin për mënyrën e qeverisjes së Princ Vidit. Raporti duhet të jetë hartuar në fillim të muajit gusht të vitit 1914
Me largimin e princ Vidit nga Shqipëria iku dhe dr. Ibrahim Temo e u vendos sërisht në Konstancë.
Dr. Ibrahim Temos ju dha Akti i Përfaqësimit për në Konferencën e Paqes në Paris nga Kolonia Shqiptare në Rumani. Ai e kryesoi delegacionin e kësaj diaspore. Ai ishte një ndër antarët aktiv të kësaj Konference dhe u vu në mbrojtje të të drejtave legjitime të popullit shqiptar. Sëbashku me dr. Ibrahim Temon, si përfaqësues të Kolonisë Shqiptare të Rumanisë, ishin dhe atdhetarët e shquar: Dhimitër Berati e Pandeli Evangjeli. Më 4 maj 1919 dr. Ibrahim Temo dhe Pandeli Evangjeli i dërguan në emër të Kolonisë Shqiptare të Rumanisë një Memorandum Presidentit Willson, ku theksohej se Populli Shqiptar ka të gjitha të drejtat për të patur shtetin e tij të pavarur.
-Cili ishtë këndbështrimi e qëndrimet e dr. Ibrahim Temos në marrëdhëniet e shqiptarëve me maqedonasit?
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo ka trajtuar gjerësisht marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase. Në dokumentet që ndodhen në Fondin “Ibrahim Temo” (333, 509, 521, 1007, 1044) materialet dokumentare dëshmojnë kontributin e Dr. Ibrahim Temos në zgjidhjen e çështjes Maqedonase (498, 558).
Dr. Ibrahim Temo ka shkruar disa artikuj mbi problemin maqedonas, mbi qëndrimin e Rusisë, Gjermanisë, Italisë, Serbisë ndaj këtij problemi. Intelektualët shqiptarë dhe maqedonas u organizuan në shoqëri të përbashkëta me qëllim bashkërendimin e veprimtarisë për të realizuar të drejtat e tyre kombëtare. Një nga shoqëritë e përbashkëta ishte ajo “Shqiptaro-Maqedonase”, e cila u krijua në Vjenë në fillim të vitit 1912. Në programin e shoqërisë kërkohej të luftohej shovinizmi e nacionalizmi kombëtare e spekulativ. Të respektoheshin kishat e xhamitë, shkollat në gjuhën amtare etj.
Dr. Ibrahim Temo dhe atdhetarët shqiptarë kontribuuan në krijimin e shoqërive të përbashkëta shqiptaro-maqedonase në Bullgari, Maqedoni, Austri etj. Qëllimi kryesor i tyre ishte lufta kundër pushtimit turk.
Shqiptarët i kanë marrë pjesë dhe i kanë ndihmuar maqedonasit në Kryengritjen e Ilindenit (1902). Nga ana e tyre, në vitin 1902 komitët maqedonas zunë rob në Maqedoni amerikanen Miss Stone të shoqëruar nga shqiptarja Katerina Cilka. Ata i zunë dhe i trajtuan ato si skllave dhe për t’i liruar ato komitët maqedonas kërkuan 30.000 lira turke (150.000 dollarë). Me grabitje dhe me dhunimin e grave zinte fill Kryengritja e Ilindenit. Qëllimi kryesor i komitëve maqedonas në këtë rast nuk ishte vetëm sigurimi i një sasie të madhe parash, por edhe pengimi i veprimtarisë së Shoqërisë Biblike në botimet dhe hapjen e shkollave në gjuhën shqipe.
Dr. Ibrahim Temo përshëndeste bashkëpunimin e shqiptarëve me maqedonasit në luftën e përbashkët kundra turqve. Ai u ftua në një konferencën që do të organizohej më 30 mars 1903 në Paris, me titullin “Maqedonia dhe Shqipëria”, traditat, zakonet dhe pavarësia e tyre.
Drejtuesit e Lëvizjes Maqedonase në vitet e luftës së përbashkët kundër sundimit osman nuk kanë qenë të sinqertë me shqiptarët. Por kjo është një temë mjaft e gjerë për t’u parashtruar në kuadrin e një interviste tematike.
-Ju, si studjues e botues i kësaj bibliografie për dr. Ibrahim Tema, mund të na thoni se cilat janë ndër vite veprat e tij letrare, dokumentare e ato shkencore për mjekësinë ?
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo botoi në shtypin e Xhemijetit dhe në shtypin shqiptar mjaft artikuj në të cilët përfshihen analiza mbi zhvillimet në Shqipëri, Maqedoni, Bullgari, Rumani e në veçanti në Perandorinë Osmane.
Dr. Ibrahim Temo botoi dy libra, atë me kujtime për jetën e Ataturkut dhe, tjetrin – për krijimin e Komitetit “Bashkim e Përparim”. Librin me titull “Atatürkü niçin severim” (Pse e dua Ataturkun) më 1937 në Konstancë librin “Itihad ve Teraki Cemiyetinim te sekkübü” (Formimi i shoqërisë “Bashkim Përparim”) më 1939.
Gjatë periudhës që vijonte studimet për shkencat mjekësore dr. Ibrahim Temo botoi: “Aile Tabibi” (“Mjeku i Shtëpisë”) me 300 faqe, në 1. 000 kopje, Stamboll, 1894 dhe “Tegadi ve devam-i hayat”. (“Ushqimi dhe zgjatja e jetës”). Në përfundim të studimeve të larta për mjekësi mbrojti tezën e diplomës me temën: “Kudus hastaligi daulkelb” (“Sëmundjen e Tërbimit”) dhe “Tababet-i oval ve Hijz-i sihha (“Medicina popullore dhe mbajtja e shëndetit”), Mexhidije, 1914, (botuar me alfabet arab)
-Së fundit, si është vlerësuar figura e Ibrahim Temos nga studiuesit shqiptar e të huaj?
Shpëtim SALA: Personaliteti e veprimtaria politike dhe shoqërore e Dr. Ibrahim Temos është vlerësuar nga mjaft historianë shqiptarë e të huaj.
Faik Konica, bashkëkohës i tij, deklaronte se: Dr. Ibrahim Temo e ka zemrën më shqiptare se vetë Faiku, dhe se shkruan shqip më mirë se vetë ai.
Sigurisht, janë të shumtë historianët shqiptarë dhe të huaj që e kanë vlerësuar veprimtarinë e dr. Ibrahim Temos, si: Kristaq Prifti, Stavro Skëndi, Hasan Kaleshi, Josef Hammer, Karl Sushein, Enver Pasha e të tjerë.
Dr. Ibrahim Temo mbetet një nga figurat atdhetare shqiptare me përmasa e kontribute ballkanike, pasi diti të bashkërendojë veprimtarinë e tij në shërbim të Çështjes Kombëtare Shqiptare me ato të popujve ballkanikë. Ai është dhe përfaqësues i kontributit që shqiptarët e Strugës dhanë për Çështjen Kombëtare Shqiptare.
Dr. Ibrahim Temo është një nga figurat e shquara të kombit shqiptar, për të cilin e ardhmja ka për të fol më shumë e më mirë se e deristotmja.
Komentet