Një grup zyrtarësh dhe ish zyrtarësh amerikanë nga i gjithë spektri politik do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore të së shtunës për Senatorin John McCain, i cili vdiq të shtunën në moshën 81-vjeçare. Në ceremoninë që do të mbahet në Katedralen Kombëtare në Uashington do të flasin ish-Presidentët Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush si dhe ish-sekretari i shtetit Henry Kissinger dhe ish senatori Joseph Lieberman.
Arkëmorti do të mbahet nga ish-nënpresidenti Joe Biden, ish-sekretari i mbrojtjes William Cohen, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut Michael Bloomberg dhe ish-senatorët Gary Hart, Russ Feingold dhe Phil Gramm.
McCain do të varroset të dielën në Akademinë Detare të SHBA në Anapolis të shtetit Merilend, shkolla ku ai kishte studiuar.
Homazhet do të fillojnë në Arizona, shteti që ai përfaqësoi së pari në Dhomën e Përfaqësuesve për dy mandate duke filluar nga viti 1983, përpara se të zgjidhej në Senat në vitin 1987. Trupi i senatorit do të vendoset në Kapitolin e Shtetit të Arizonës të mërkurën.
Që nga vdekja e tij, udhëheqës botërorë dhe kolegë të tij të mëparshëm në Kongres, republikanë dhe demokratë, kanë ndarë kujtimet e tyre për senatorin e ndjerë dhe kanë vlerësuar lart figurën e tij si politikan i shquar në skenën botërore. Ata kanë kujtuar shërbimin e tij në ushtri si aviator i Marinës, sidomos guximin që tregoi në kushtet e rrahjeve dhe torturave të vazhdueshme gjatë 5 viteve e gjysmë si rob lufte në duart e vietnamezëve të veriut në kulmin e Luftës së Vietnamit në vitet 1960.
Por Presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili ishte përfshirë shpesh në shkëmbime politike me zotin McCain dhe tre vjet më parë u shpreh se McCain konsiderohej një hero thjesht nga që ishte kapur rob, u kritikua pasi reagimet e tij të para ndaj vdekjes së senatorit ishin vetëm ngushëllime për familjen por nuk përmendnin shërbimin e tij ushtarak apo karrierën politike.
Shtëpia e Bardhë, sipas një raporti të gazetës Washington Post të hënën, kishte përgatitur një deklaratë që lavdëronte jetën e zotit McCain dhe e quante atë hero, por Presidenti Trump nuk deshi që ajo të publikohej.
Flamujt në Shtëpinë e Bardhë u ulën në gjysmë shtizë gjatë fundjavës në nderim të senatorit McCain, por u ngritën përsëri të hënën. Të hënën, zoti Trump nuk përfilli pyetjet e përsëritura të gazetarëve rreth zotit McCain, por pasdite vonë, flamujt u ulën përsëri në gjysmë shtizë.
Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë nga presidenti në të cilin ai thoshte se, pavarësisht nga dallimet politike, ai respektonte shërbimin e zotit McCain ndaj vendit dhe urdhëronte që flamurët të ngriheshin në gjysmë shtizë deri në varrimin e tij.
Në deklaratë thuhej gjithashtu se zoti Trump i kërkonte zëvendëspresidentit Mike Pence që të mbante fjalim në një ceremoni për nder të senatorit të premten dhe se tre anëtarë të kabinetit do të përfaqësojnë administratën Trump në ceremonitë për nder të zotit McCain gjatë kësaj jave.
Në një darkë të hënë mbrëma, zoti Trump përmendi shkurtimisht zotin McCain në komentet e tij, duke thënë “ne vlerësojmë shumë gjithçka që Senatori McCain ka bërë për vendin”.
Ndërsa përgatitej për ndarjen nga jeta, senatori McCain deklaroi se nuk donte që zoti Trump të vinte në funeralin e tij, duke preferuar pjesëmarrjen e nënpresidentit Pence, me të cilin kishte shërbyer në Kongres.
Edhe në prag të vdekjes, McCain, e kritikoi ashpër presidencën Trump, duke qortuar udhëheqësin e SHBA se në takimin e nivelit të lartë të Helsinkit, muajin e kaluar përqafoi qëndrimin e Presidentit rus Vladimir Putin, që tha se Rusia nuk kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Pas kthimit në Uashington, Presidenti e ndryshoi qëndrimin, por pothuajse çdo ditë ka sulmuar hetimin rreth çështjes së ndërhyrjes ruse në zgjedhje.
“Dëmi i shkaktuar nga naiviteti i Presidentit Trump, egoja, ekuivalenca e rreme dhe simpatia për autokratët është vështirë të llogaritet,” tha senatori McCain në atë kohë. “Është e qartë se samiti në Helsinki ishte një gabim tragjik,” tha ai.
Më parë, Shtëpia e Bardhë publikoi homazhe nga zyrtarë të shumtë të administratës Trump që lavdëronin zotin McCain, i cili humbi zgjedhjet presidenciale të 2008 ndaj kandidatit demokrat Obama. Në homazhet veçohej shërbimi ushtarak dhe heroizmi i zotit McCain si rob lufte dhe pavarësia e tij si udhëheqës politik.
Të pesë ish-presidentët amerikanë që jetojnë bënë deklarata me vlerësime të larta për senatorin McCain.
Jashtë Shteteve të Bashkuara, udhëheqësit botërorë vlerësuan rolin e senatorit jashtë.
“John McCain ishte një hero i vërtetë amerikan,” shkruante presidenti francez Emmanuel Macron. “Ai ia kushtoi gjithë jetën e tij vendit, zëri i tij do të mungojë, mendimet tona shkojnë plot respekt tek të afërmit e tij”.
Kryeministrja britanike Theresa May tha se zoti McCain “mishëronte idenë e shërbimit, duke vënë vendin mbi veten”.
Prej vitesh, zoti McCain ishte për lidhje më të ngushta me Vietnamin, vendi ku ai u burgos.
Të hënën, Ministri i Jashtëm i Vietnamit Pham Binh Minh shkruante në një libër ngushëllim në Ambasadën e SHBA në Hanoi, “Ishte ai që mori drejtimin për shërimin e plagëve të luftës si dhe normalizimin dhe promovimin e partneritetit gjithëpërfshirës me Vietnamin”.
Një monument për zotin McCain në brigjet e liqenit të Hanoit ku ai u kap pasi aeroplani i tij u rrëzua në vitin 1967 është kthyer në një vend mjaft të vizituar, pas lajmit të vdekjes së senatorit, i mbushur tashmë me lule, qirinj dhe flamurë.
Komentet