Letra e panevojshme e ish-kongresmenit Dioguardi drejtuar kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, në kohën kur ka një lëmsh administrativ në lidhje me statusin e kampit të Tepelenës, më shtyn të bëj të njohura disa veprime të deritanishme jo në përputhje me legjislacionin shqiptar.
Qysh në fillim e them se i vetmi veprim i duhur është shpallja muze kombëtar me emrin: “Kampi i internimit tela me gjemba Tepelenë në vitet 1949-1953”. Emërtesa zyrtare e kohës ka qenë “Kampi i Tepelenës”. Prej këtu nis edhe marrja në konsideratë e kriterit historik. Kushtet e burgut të hapur të këtij kampi, prania e madhe e fëmijëve, si dhe rrethimi tela me gjemba, janë fakte që dalin në dokumentet zyrtare.
Për fat të keq, në trajtimin e statusit të vendit të kampit në fjalë, janë përfshirë institucione që nuk kanë asnjë lidhje me procesin e shpalljes së një muzeu të tillë, të cilët në rastin më të mirë mund të jenë vetëm propozues. Koncepti “memorial kombëtar”, i përdorur në korrespodenca me institucione nuk gjen mbështetje te legjislacioni shqiptar.
Në raste të tjera vendos Këshilli i Ministrave. Le të shohim disa veprime të muajve të fundit.
Bashkia e Tepelenës shkel e para ligjin. Këshilli Bashkiak i Tepelenës me vendimin nr.40, datë 30.11.2017 “Për miratimin e objekteve prioritare të investimeve për vitin 2018”, ndër të tjera ka vendosur ndërtimin e “Memorialit kombëtar të kampeve të punës së detyruar”, vendim që ma sa u duk ishte “lexuar” me vëmendje edhe nga ish-kongresmeni i sipërcituar.
Si bazë ligjore e vendimit, është përdorur neni 54/k i ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, për kompetencat e këshillit bashkiak, te i cili thuhet se këshilli bashkiak i njësisë: “miraton norma, standarde e kritere për rregullimin dhe disiplinimin e funksioneve që i janë dhënë atij me ligj, si dhe për mbrojtjen e garantimin e interesit publik”.
Shihet qartë që Këshilli Bashkiak i Tepelenës ka tejkaluar kompetencat, vendimi nuk ka referim të duhur ligjor dhe rrjedhimisht ky vendim duhet të jetë nul.
VIJON AUTORITETI
Pas këtij vendimi, me shkresën nr.52/1 prot., datë 29.1.2018, Autoriteti i dosjeve i drejtohet Ministrisë së Kulturës me kërkesën “për bashkëpunim” për “Memorialin kombëtar të kampeve të punës së detyruar në Tepelenë”. Pra, Autoriteti, krejt pa tagër ligjor në rastin e ndërtimit të muzeve, i vendos emrin e vet këtij procesi, duke cituar një bazë ligjore të paqenë, si dhe konventa ndërkombëtare krejt pa lidhje. Pastaj po vetë Autoriteti e ngatërron edhe më shumë kur thotë se projekti kombëtar është miratuar edhe nga një njësi vendore si Bashkia e Tepelenës.
Pra, projekti në formë është kombëtar, por në thelb del vendor. Në shkresë thuhet se miratimi i këtij memoriali do ishte hapi i parë drejt kthimit të kompleksit në muze “për kampet e punës së detyruar në Shqipëri”. D.m.th. nuk duhet bërë hapi i parë ligjor duke e vendosur menjëherë statutin e muzeut, por do bëjë Autoriteti “nxehjen” për kohë të pacaktuar, e pastaj shohim e bëjmë për zbatim ligji. Këta që do ndriçojnë gjithë dynjanë, janë të pandriçuar për vete, ende nuk dinë se kampi nuk ka qenë kamp i punës së detyruar, sepse i tillë është ai që ndërton një vepër apo kryen punime në bujqësi e miniera.
Sa për ilustrim historik, sipas raportit të datës 13.1.1951 të Degës së Burgjeve dhe Kampeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kampi i Tepelenës nuk përmendet fare i përfshirë në punët e detyruara. Ndryshe ndodh këtë kohë me Kampin e Valiasit ku raportohet puna jo vetëm e të internuarve shqiptarë, por edhe atyre grekë dhe (robër) gjermanë.
Vetë Autoriteti ka miratuar vendimin nr.54, datë 10.8.2017 “Për memorialin kombëtar të punës së detyruar” dhe një memoriali tjetër për ditën 30 gusht kushtuar të zhdukurve, pa referuar mbështetjen ligjore konkrete (neni i ligjit).
Kampi i Tepelenës ka qenë në varësi të Degës së Burgjeve dhe Kampeve dhe jo të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit. Në njoftimin e Autoritetit thuhet: “Ky projekt përmban rikthimin në identitet, si kamp dëbimi të një prej kapanoneve, vendosjen e stendave me dëshmi….” E gjitha kontradiktore e pa bazë ligjore.
D.m.th. do bëjmë eksperimente më parë, do japim shfaqje, do shohim ligjet tona dhe në fund do ngarkohet institucioni që e ka detyrë funksionale ta bitisë këtë punë. Pra, na rrofshin ligjet tona për trashëgiminë kulturore, i “zgjidh” Autoriteti të gjitha.
Autoriteti, si hallkë artificiale rënduese në buxhetin e shtetit, krejt i panevojshëm të ekzistojë, do që të jetë arkiv në shkelje të ligjit të arkivave, por tani do të jetë edhe bashki për nivel vendor, por edhe ministri kulture në nivel qendror. E që t’i zgjasë marritë e këtij rasti, lexoni çfarë thotë Autoriteti: “Autoriteti ka firmosur disa marrëveshje bashkëpunimi me partnerë, të cilët ndihmojnë në mbledhjen e dokumenteve dhe të dhënave zyrtare si dhe në ndërgjegjësimin qytetar dhe edukimin shoqëror, nëpërmjet rishqyrtimit të historisë dhe rivlerësimit të saj”.
Marrëveshjet brenda shtetit, janë mjeti kryesor i propagandës dhe “punës” së Autoritetit.
Kushedi sa marrëveshje ka nënshkruar Autoriteti. Aq shumë sa duket si përfaqësues i akredituar i një shteti tjetër në Shqipëri. Shfrytëzimi i dokumenteve është i lirë dhe i pakufizuar për askënd. Baza ligjore është ligji i arkivave. Asnjë dokumentacion që lidhet me Kampin e Tepelenës nuk është i klasifikuar. Autoriteti, ndonëse formalisht “i pavarur”, paraqitet si organ varësie, teksa citon në shkresën e sipërthënë programin e qeverisë “Rama” në vitet 2017-2021: “Rrugët e Kujtesës” janë, gjithashtu, një itinerar unik i Shqipërisë që do të vijojnë të nxjerrin në pah aspektin historik dhe edukativ të siteve të ish-diktaturës si Spaçi apo Tepelena, në vijim të projekteve tashmë të njohura muzeale të Kujtesës”.
Pavarësisht formulimit që nuk vjen hiç era shtet, por era shoqatë, edhe këtu flitet për muze që mund të jenë kombëtare, vendore ose (tashmë me ligjin e rij) autonome. Cilët janë “projektet tashmë të njohura muzeale të kujtesës” dhe a mbështetet këto në legjislacion? Kjo sepse veprimet e deritanishme në Tepelenë, përveçse propagandistike, nuk janë veçse ndërtime pa leje. Deri në qershor të këtij, për çdo gjë duhej operuar me ligjin nr.9386, datë 4.5.2005, “Për muzetë”. Shihet qartë se nuk është zbatuar fare ky ligj. Pavarësisht se thuhen një mijë gjëra e nënshkruhen çdo muaj marrëveshje teatrale bashkëpunimi, ende nuk dimë në pronësi të kujt është sot territori ku mund të ngrihet kompleksi muzeal, i bashkisë apo Ministrisë së Mbrojtjes? Ishte edhe një rrethanë tjetër që mund të shfrytëzohej këtë vit. Më 17.5.2018, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin 27/ 2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, sipas së cilit, u konsideruan muze kombëtare 10 të tillë. Kishin rastin të shpalleshin me këtë rast kampi i punës së detyruar të të burgosurve në Spaç dhe kampi i internimit në Tepelenë.
Nuk u shfrytëzua ky rast. Autoriteti propozoi përfshirjen në ligj të vendeve të pushkatimit në tipologjinë e pasurive kulturore (pavarësisht se nuk ka bazë tëzbatohet), por ngurroi të fuste edhe dy rastet në fjalë. Për të gjitha sa thashë më sipër, tashmë muzeu kombëtar mund të ngrihet vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të Këshillit Kombëtar të Muzeve në Ministrinë e Kulturës. Kësisoj, duhet pezulluar çdo veprim që bie në kundërshtim me legjislacionin tonë, duke bërë të mundur të miratohet sa më shpejt muzeu kombëtar i kampit të internimit tela me gjemba i Tepelenës. Do ishte me vend që Autoritetit t’i shtoheshin kompetencat duke e kthyer në një agjenci koncertesh e ekspozitash. Të paktën do ishim të sigurt se legjislacioni do zbatohej në fushat e tjera.
* Kastriot Dervishi, ish-drejtor i arkivit te Ministrisë së Brendshme
Komentet