Partia Demokratike ka vijuar edhe sot me akuzat kundër Taulant Ballës, dhe shton se kanë gjetur lidhje të tjera mes tij dhe Edmond Begos.
Duke treguar një dokument, deputeti demokrat Gent Strazimiri tha se në autostradën Tiranë-Elbasan, kompania e Edmond Begos ka përfituar 10 milionë euro nga paratë e taksapaguesve.
DEKLARATA E PLOTË E GENT STRAZIMIRIT
Tre vjet më parë, si në këtë kohë, i shtrenguar nga presioni ndërkombëtar, Edi Rama u detyrua të nxjerrë një nga një kriminelet e tij nga parlamenti. Por kjo ishte vetëm fasada, sepse bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin mbetet e pacënuar dhe Shqipëria parajsë e krimit të organizuar.
Kjo qeveri ka vënë buxhetin e shtetit në shërbim të trafikantëve të drogës, të vrasësve, të dënuarve për përdhunim dhe trafik vajzash e fëmijësh.
Dokumenti që Partia Demokratike publikoi dje për tenderin 1 miliardë lekë që miku trafikant droge i Taulant Ballës fitoi në Librazhd dy muaj më parë, është vetëm një nga shumë dokumentat zyrtarë që provojnë sesi taksat e shqiptarëve shkojnë për pasurimin e një grushti kriminelësh të lidhur me pushtetin.
Taulant Balla hesht, për të fshehur atë që e mendojnë të gjithë, se është ky personi i pushtetshëm që i ka siguruar trafikantit të drogës akses në paratë dhe pasuritë e shqiptarëve dhe se ky akses në miliona euro është burimi I miqësisë familjare që Taulant Balla ka me ish anëtarin e bandës së Lushnjës, që dikur luante futboll me kokat e prera.
1 miliardë lekët e dy muajve më parë për nënstacionin e Librazhdit janë shumë pak në krahasim më paratë e siguruara 3 vitet e fundit, jo nëpërmjet tenderave publikë, por si nënkontraktues i firmave private, që detyrohen nga I pushtetshmi i Partisë Socialiste t’i kalojnë paratë kompanisë së trafikantit të drogës.
Rasti më flagrant është ai I ndërtimit të autostradës së Elbasanit.
Partia Demokratike ka vërtetuar se kompania “Inerte Express” e trafikantit të drogës dhe mikut të familjes së Taulant Ballës ka përfituar 10 milionë euro që nga viti 2015 deri më sot nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Është kjo një nga arsyet pse gjendja për njerëzit e zakonshëm është përkeqësuar dhe mesatarisht 45 biznese mbyllen në ditë, që kur Edi Rama vendosi thundrën në ekonominë shqiptare.
Ti dyqanxhi, biznesmen shqiptar apo i huaj, që psherwtin në kafe dhe thua që leku “është mçef”, kupto që leku nuk është fshehur! Ai shkon në xhepat e trafikantëve të drogës, biznesi i të cilëve shumëfishohet brenda ditës nën kujdesin e veçantë të Edi Ramës dhe taulantëve të tij.
Komentet