Me 5 shtator 2015 VATRA organizoi nji aktivitet për përkujtimin e akademik Mark Krasniqit, i cili vdiq pak ditë ma parë dhe u vorros në Prishtinë. Perkujtimi u zhvillue ne Royal Regency Hotel dhe filloi para orës 11:30 të ditës dhe zgjati rreth dy orë. Aktiviteti u zhvillue në mënyrë krejt spontane ku, përveç kryetarit Dr. Gjon Buçaj i cili foli në emën të Vatrës, folësit tjerë shprehën kujtime dhe mbresa përsonale për lidhjet miqsore, nga takimet e ndryshme që kanë pasë me Profesorin e njerë. Drejtimi i aktivitetit iu ngarkue zotit Besim Malota i cili ka pasë marrëdhanje të ngushta, edhe familjare, në shpinë e të cilit profesor Krasniqi ka ndejtë të shumtën e kohës sa herë që ka ardhë në Shtetet e Bashkueme. Në fillim ai përshëndeti dhe ngushlloi të pranishmit për humbjen e akademikut të shquem si dhe për dy kolegët tjerë të tij që mbrenda pak ditësh u ndanë nga jeta, akademikët Esat Stavileci dhe Pajazit Nushi. Mbas nji minut heshtje për të tre, ai ftoi kryetarin Dr. Gjon Buçaj i cili foli në emën të Vatrës. Agim Rexhaj mik përsonal shprehi dhimbjen e madhe dhe vlersoi plot emocion humbjen e randë me përshkrime të kontakteve të shumta miqsore që ka pasë. Liridona Malota të cilës profesor Krasniqi i ka dhanë emnin kur ka lindë, në vjetin 1991 ai gjindej në Amerikë “tue kërkue lirinë”, dhe i dha emnin Liridona, emën me të cilin i ati u pajtue me kënaqsi. Harry Bajraktari i cili kishte marrë pjesë në vorrim përshkrou nderimet që Akademikut iu banë në Kosovë dhe solli kujtime nga bashkpunimi me të ndjerin. Ai gjithashtu solli për Vatrën nji ekzemplar të librit të fundit, i cili u botue me shpenzimet e tij në mënyrë të përshpejtueme nji ditë para vdekjes. Idriz Lamaj, Marjan Cubi, Tomë Paloka edhe Mithat Gashi vlersuen lart veprën e profesor Krasniqit dhe përpjekjet e tij të palodhshme deri në fund të jetës për Kosovën, për kombin shqiptar dhe për bashkimin e trojevet etnike. Profesor Mithat Gashi lexoi poezinë “Kosovës” të shkrueme kur autori ishte 22 vjeçar, student në Itali me bursë të Ministrisë së Arsmit të Shqipnisë. Në fund nipi i Profesorit, Martin Krasniqi, falënderoi të pranishmit dhe, prej këtij tubimi, i drejtoi mirënjohjen Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për përcilljen shumë dinjitoze të axhës Mark në pushimin e mbram. Gjatë programit, i cili ishte i lirë dhe folësat u shprehën simbas deshirës së tyne, u treguen disa pjesë filmike të përgatituna mjeshtrisht nga z. Dritan Haxhia, ku fliste vetë Akademik Krasniqi. Në të mramin fragment filmik, për realizimin e botimit të librit të fundit ai falënderon Hajdar Bajrakarin dhe redaktorin Bajrush Morina. Me zanin e lodhun shqiptoi porosinë për shqiptarët: Mos hiqini dorë kurrë nga Bashkimin Kombëtar.
FJALA E DR.GJON BUÇAJ KRYETAR I VATRES MBAJTUR NE AKADEMINE PERKUJTIMORE:
Në përkujtimin e Akademik Mark Krasniqit – 5 shtator 2015, New York
Me rastin e vdekjes së Akademik Mark Krasniqit, lindi spontanisht ideja për organizimin e nji përkujtimi këtu, në komunitetin shqiptaroamerikan të New York-ut me rrethe, për të tregue respektin tonë për këtë atdhetar të shquem dhe mirënjohjen për kontributin që Ai i ka dhanë kulturës shqiptare dhe, në mënyrë të veçantë, arsimit dhe luftës për liri e pavarësi të Kosovës. Fatkeqsisht, lajmet për humbje të randa nga Kosova nuk u ndalen me kaq, mbrenda nji muejit u shuen edhe dy figura të tjera, kolegë e miq të Mark Krasniqit, akademikët Esat Stavileci dhe Pajazit Nushi. Gjithashtu në Kroaci vdiq edhe studiuesi arbëresh, Alekander Stipçeviq, ilirologu ma i madh bashkëkohor.
Në tubimin e sotëm, ata që e njohën nga afër ose e admiruen nga larg profesor Markun, qoftë në Kosovë ose gjatë vizitave të Tij në Amerikë, do të kenë rastin të sjellin kujtime dhe mbresa përsonale, kurse në nji rast të përshtatshem ma vonë, mund të organizohet nji konferencë shkencore, ku do të ndigjojmë studiues dhe njohës të kualifikuem, mbi jetën dhe veprën e këtij përsonaliteti kombëtar të shumanshëm.
Megjithatë, lypet që këtu të njifemi, shkurtimisht, me disa të dhana biografike të jetës së tij. Ai lindi me 19 tetor 1920 në katundin Gllaviqicë, që tash thirret shqip Shëngjon, në rrethin e Pejës, në nji familje me origjinë prej krahinës Nikaj e Mertur. Shkollën fillore e kreu në katundin e lindjes, kurse gjimnazin në Prizren më 1941. Prej atij viti deri në 1943 ka studiue letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), e prej 1946 ka studiue Gjeografinë dhe Etnografinë në Universitetin e Beogradit, ku ka diplomue me 1950. Prej 1950 deri 1961 ka punue në Akademinë e Shkencave në Beograd, asistent e mandej bashkëpunëtor shkencor. Në vitin 1960 ka doktorue në Universitetin e Lubljanës, sepse në Beograd ia refuzuen temën që trajtonte aspekte të ndryshimevet bashkëkohore gjeografike shoqnore në Kosovë. Prej vitit 1961 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, deri sa pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga arsimi në vitin 1981. Për studentat dhe për kolegët ka mbetë gjithmonë Professor Marku ose Baca Mark, i nderuem dhe i dashtun. Baca Mark e thërriste me respekt edhe President Rugova, të cilit Baca Mark i ndejti gjithmonë përkrahës besnik.
Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik, antar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipnisë deri në fund.
Si autor ka shkrue shume libra shkencorë, letrarë, publicistikë dhe tekste shkollore. Posta e Porositur, Lepuri analfabet; monografitë etnografike Rugova, Lugu i Beranit (koautor), Rrënjët tona etnike, Gjurmë e gjurmime – studime etnografike, Besa në traditën shqiptare, Toleranca në traditën shqiptare dhe Mikpritja në traditën shqiptare, Jehona e Kohës (përmbledhje poezishë për të rritun), Reagime (polemika), janë disa nga titujt e veprave të tij. Ka botue edhe librin Kujtime e Përjetime, me shenime autobiografike, si dhe librin e fundit që doli nga shtypi nji ditë para vdekjes, Porosia ime per shqiptarët: Mos hiqni dorë kurrë nga Bashkimi Kombëtar. Ka ba disa përkthime në gjuhën shqipe nga autorë të ndryshëm. Si polemist njifet sidomos me shkrimet që botoi në mprojtje prej sulmeve nga intelektualët shovenista dhe pushtetarët serbë në vitin 1966, me forcën e fakteve dhe të guximit përsonal, si e tregon tema “Qëndrimet shkencore në thumb të politikës antishqiptare”. Guximi i tij ishte mbështetje e fortë morale edhe për intelektualët tjerë shqiptarë të Kosovës në kohë presioni dhe persekutimi. Në vitin 1992 paraqiti raportin “Kosova sot” (Kosova Today) në Senatin Belg në Bruxelles, në mbrojtje të çashtjes së Kosovës. Nji vepër tjetër me vlerë të madhe kombtare asht edhe roli i tij gjatë procesit historik të pajtimit të gjaqeve në Kosovë.
Burrë i ndershëm, i sinqertë, i kandshëm në shoqni, i ambël në biseda, cilësi këto që shumë prej jush i keni shijue, patëm kënaqsinë me i shijue ma se nji herë edhe në Vatër. Agim Karagjozi i pat dhurue nji libër me dedikimin:
“Akademik Mark Krasniqit me admirim e mirënjohje për kontributin madhor që ka dhënë kulturës shqiptare dhe mbrojtjes së të drejtave të Kosovës. Kujtim nga Vatra.”
Agim Karagjozi
New York, 20 prill 2004
Akademik Mark Krasniqi ka marrë shumë çmime e vlersime akademike kombëtare e ndërkombtare. Ai asht nderue me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit nga Presidenti Rugova dhe me medaljen Nderi i Kombit nga President Nishani.
Ai ka meritën e madhe të ngritjes së monumentit të Skënderbeut në Prishtinë, si inisjatori dhe organizatori i palodhshëm deri në realizimin e qellimit. Kam pasë kënaqsinë me qenë pjesë e publikut të gëzuem në tubimin festiv të asaj dite plot emocion të 28 nandorit 2001 në Sheshin ku u ngrit monumenti.
Bashkimi Kombëtar ishte synim i tij jetsor, ai asht edhe AMANETI i Tij i fundit për shqiptarët.
I letë i qoftë dheu i tokës së ambël të Kosovës!
I paharrueshem qoftë kujtimi i Tij!
Komentet