-Shënime dhe mbresa nga Ekspozita e piktorit të talentuar beratas Agron Polovina, e cila u hap disa ditë më parë në qytetin e tij të lindjes-
1.Meditim…
Agron Polovina, për “shëtitjet” e tij nëpër vende të ndryshme të Shqipërisë e përtej, na fton denjësisht dhe me personalitet piktori t’i shikojmë arritjet e tij në Ekspozitën personale që çeli në Berat, në qytetin e lindjes, me dt. 20 korrik, në orën 11.00. Është një ftesë që nuk i ngjan një ftese të zakonshme. Është një ftesë pa zhurmë e pa bujë, e dinjitetshme. Është një ftesë e një piktori të talentuar, që me arritjet e tij pikturike në gjinitë e kompozicionit, peizazhit dhe portretit, etj., ka treguar se në panteonin e pikturës shqiptare, ai ka vendin e tij me individualitetin e tij të vlerësueshëm. Kësaj here na fton në Beratin e tij, në qytetin e ‘një mijë e një dritareve’ i cili është ‘pikturuar’ suksesesshëm në poemën për fëmijë të Ismail Kadaresë, në poemën historike të Agim Mehqemesë, në shkrimet interesante publicistike me tharm historik të Ylli Polovinës, në librin-antologji për bashkëqytetarët e tij të shkrimtarit Simon Vrusho apo në këngët beratase që i ‘qan’ shpirti dhe zëri i babuçit Kozma Dushi. Kurse, tani, Berati paraqitet në një pamje tjetër me “sekretet e të papriturat e tij” përmes ngjyrave dashuronjëse, si identitet, si rrënjë, si zanafillë në pikturat befasuese të piktorit Agron Polovina. Po të njëjtin “kujdes”, po të njëjtën befasi ndjejmë si përftesë dhe hapësirë edhe në pikturat (peizazhet) e Vermoshit, Lepushës, apo motivet e Durrësit, etj, ku talenti shpaloset në shumëplanshmërinë e tij.
Në këtë gjerdan pikturash, ku xixëllojnë magjikja dhe qiellorja, është e pamundur të mos flasësh edhe për disa veçori të tjera që i shfaq piktori Polovina si cilësime brenda profilit të tij, në pikturat autoriale të arrira artistikisht e estetikisht. Agroni u jep “frymë” pikturave të tij, “frymën” e talentit, të seriozitetit e të konsistencës së tij. Punon gjer në imtësi me detajin. Detaji, – një mrekulli në tablotë e tij! Karakteristikë tjetër është potenca e ngjyrës, jo vetëm që të rrëmbejnë, por siç e thashë të mahnisin dhe të mrekullojnë… Dhe unë me time shoqe, Pitin udhëtuam nga Shkodra drejt një mrekullie që e ka emrin: “Ekspozita e piktorit Agron Polovina”. Na ndjekshin të tilla mrekulli!..
2.Vlerësime të Artistëve për Artistin Polovina, në vite…
Ph. D. Oltsen Gripshi (Historian & kritik arti): “Ka nga ata piktorë të cilët pikturojnë diellin si një njollë të verdhë, por ka disa të tjerë që falë artit dhe inteligjencies së tyre, tjetërsojnë një njollë të verdhë në diell dhe ato në blu e jeshile në qiell dhe hapësira të blerta.” (P. Picasso). Ngacmuar nga kjo thënie, mbërrij për të lexuar pastozitetin dhe trashësinë e penelatave në peizazhet e Agron Polovinës, i cili shpërbën rregullat klasike të pikturuarit të peizazheve dhe i rindërton ata nëpërmjet një gjuhe sa ekspresive po aq dhe origjinale-stilizuese. … Peizazhet e kësaj ekspozite janë pjesë e fondit të krijimtarisë së piktorit Polovina dhe dëshmojnë kryekëput talentin e pakrahasueshëm të këtij artisti fisnik, i cili mirësinë dhe shpirtin e tij ekspresiv e shfaq edhe në veprat që ai realizon. Artisti Polovina natyrën e sheh, e vrojton dhe e vëzhgon si muzën e tij të përjetshme dhe me të arrinë të shpërthejë e të jetë vetvetja. … Peizazhet e piktorit Polovina nxjerrin në pah lirshmërinë e interpretimit, duke kapur emocionin e spektrit të ngjyrave, vlerësuar çastin me luajalitetin e dritëhijeve dhe bukurinë e dritës.
Zaim Elezi, piktor: “Me një rrugëtim qartas kualitativ dhe impresionues në shtrojën e artit viziv shqiptar. Këndvështrimi i tij linear dhe agresiv në kompozimet e tij, lejon autorin të provokojë me tone potente ngjyrore duke e bërë tablonë jo thjeshtë sugjestive por një shije të kalkuluar artistike që të ngelet gjatë në memorie.
Marrëdhëniet ndërmjet personazheve në tablotë e tij veprojnë në grup, herë herë dy, ose tri figura që rreken të krijojnë ndjesinë sikur është një e vetme, duke krijuar një forcë të shumëfishtë në shprehjen e emocionit dhe mesazhit të tablosë. Kjo i bën krejt të veçantë konceptin dhe tablotë e autorit dhe zëri i tij në korin e artistëve shqiptarë është lehtësisht i dallueshëm dhe lumturisht unik.
Autori lehtësisht i ka braktisur akademizmat dhe skemat duke gjetur veten në shprehje e koncepte jo vetëm të pangjashme, por me një modernitet për t’u përshëndetur dhe inkurajuar. Ajo që nuk mund të neglizhohet te Agron Polovina është gjinia e peizazhit në të cilin ai operon me një zhdërvjelltësi dhe freski impressive që të mban me sytë ngulitur në tablo. Të krijohet përshtypja në peizazhet e autorit, sikur brusha e tij e gjen të vogël formatin e tablosë dhe rend në tjetrën duke u ngutur të na mbërthejë, duke na freskuar san ë njërin peizazh në tjetrin, sikur të ishin burime që gurgullojnë ujë mali të freskët gjithë dritë e tërsëllimë ku nuk ngopesh duke pirë. Por ajo që mbahet mend dhe nuk harrohet është lëngu jetësor që mbart brusha dhe ngjyra e autorit, jeta dhe e vërteta jetësore.”
Ilmi Bani, piktor, kritik arti: “Përpara tablove të realizuara me mjeshtëri të piktorit Agron Polovina ndjen kënaqësinë e emocionit, sepse ngjyrat janë të pastra e plot tingull, të freskëta e të gjalla, që më kujtojnë peizazhin e larë mbas shiut. Mirëpo çka e bën dhe më të fortë përshtypjen në pikturat e tij, është fakti që piktori kërkon ngjyrën dhe di të ruhet nga efektet, të cilat siç të thërrasin ashtu dhe të harrojnë t’u vesh pas. Këtë gjë e provon më së miri kërkimi e pasurimi i ngjyrës nëpërmjet rrugës së ndërtimit realist të hapësirës dhe sendeve. Gjetja e pikave interesante te peizazheve dhe kompozimi i tyre në kuadratin e telajos është i tillë që kur ndodhesh para tablosë thua se ai është një zbulim, që për hir të së vërtetës, nuk na ndodh të gjithëve, ose për ta shprehur më qartë do të thosha se, të ndodhur para atij peizazhi, por tashmë jo para pikturës, por para natyrës, s’do të na dukej interesant për të pikturuar. Kjo është e thjeshta, e zakonshmja e ngritur në art. Por kush e arrin këtë? Në rastin tonë Agroni ia ka dalë mrekullisht. Realizimi teknikisht është i zhdërvjelltë. Peneli i shkathtë dinamik ia shton freskinë ngjyrave dhe gjallërinë tablosë. Të gjitha këto e tregojnë Agronin një piktor mirëfilli, me përvojë të gjatë dhe me shqetësime të kërkimeve të pandërprera, është një piktor realist, i fortë dhe origjinal.
3.Nga një studim i Prof. as. Ikbale Kalaja, piktore:
Në studimin e saj me titull: “Piktori i kënaqësisë së thellë dhe ngjyrave potente tingëlluese” (titulli marr hua për titull të shkrimit tim), Prof. as. Ikbale Kalaja, piktore, pasi analizon disa tipare të krijimtarisë pikturike të Agron Polovinës, në mes të tjerave thotë: “Agron Polovina është pjesë e rëndësishme me një tingull të veçantë në pazëllin e madh shumëngjyrësh që përbën imazhin e Artit Pamor sot në Shqipëri, i cili vazhdimisht na ofron të tjera pjesë për të plotësuar imazhin e vet, apo diçka të re për t’u zbuluar prej nesh, nga pjesëzat që e përbëjnë.
Sapo fillon të shohësh punët e tij, përballesh me shumë emocion, ngjyrë dhe dritë që të vijnë përmes penelatash ekspresive hedhur gjithë kënaqësi në kuadratin pikturik. Ato lëvizin zhdërvjellët, plot nerv, energji mbushur me një ndjenjë kënaqësie që pushton gjithë sipërfaqen e tablove. A thua këto përplasje “lozonjare” të penelatave, që vallëzojnë mbi tablotë e Polovinës, si të nxitura nga një ritëm i brendshëm melodioz, i ndjeshëm dukshëm në pikturën e tij, imitojnë kënaqësinë dhe gëzimin e lojërave dhe të vrapit të fëmijërisë.
Thua kjo të jetë arsyeja? Por përgjigje që ke zgjedhur për ndjesinë e fillimit, e kupton që nuk është e duhura. Kjo tenton të ngushtojë mendimin kritik për krijimtarinë e këtij piktori, pasi edhe kur shkëputesh nga cikli i peizazheve të vendlindjes së piktorit ku ajo lojë është evidente, ndjesia e kënaqësisë në lojën e penelatave vazhdon të të shoqërojë në të gjitha tablotë, pavarësisht motivit. Atëherë kupton se kjo është më tepër. Ajo është kënaqësia e ekzaltimit që autori ndjen në momentin e krijimit. Është pikërisht ndjesia e autorit në këtë moment sublime të krijimit, që e bën të veçantë pikturën e Polovinës. Është ndjesi që buron veç prej shpirtit, e ndjen, të mbush e s’të mbetet tjetër veç ta derdhësh në telajo. Pikërisht këtë moment, piktori kënaqet dhe fillon të luajë me penelatat, me ngjyrën, me siluetat, planet, me ajrin që lëviz e me çdo gjë në tablotë e tij dhe krijon atë kënaqësinë dhe magjinë që të mbërthen. Është pikërisht kjo arsyeja që ta bën pikturën e tij të dashur, të ngrohtë, është arsyeja pse të tërheq e të bën të ndalesh. E, akoma më tej, është mbase kjo e veçantë që bën diferencën mes artit dhe zanatit. Siluetat dhe planet në tablotë e Polovinës fshehin në brendësinë e vet një tjetër të veçantë të krijimtarisë së tij, Siluetat dhe planet në tablotë e Polovinës fshehin në brendësië e vet një tjetër të veçantë të krijimtarisë së tij, të kapshme jo nga një sy çfarëdo dhe po kaq jo të kuptueshme nga vizitori i zakonshëm. Përkundrazi, mbase të keqinterpretuar. Bëhet fjalë për një deformim apo ekstravagancë të linjës dhe hepim të planeve, të cilat pavarësisht saktësisë së padiskutueshme të perspektivës lineare, pësojnë këto transformime të vetëdijshme, për të plotësuar, apo për të vazhduar lojën e piktorit gjatë aktit krijues, lojë e cila u jep tablove të tij një magji që po ashtu rrëmohet në thellësinë e nënvetëdijes së autorit përsëri nga reminishencat e fëmijërisë, për të na e sjellë vetëdijshëm para nesh. Kjo është ajo e veçanta tjetër e krijimtarisë së Agron Polovinës që e bën siluetën e tij në tablo shumë të lirshme, të zhdërvjellët e spontane, të ngjashme me spontaneitetin e vizatimeve fëmijërore që mrekullojnë artistët dhe janë kaq të lakmueshme prej tyre, siç edhe shprehet artisti i madh Pikaso: “Kur isha fëmijë vizatoja si i rritur dhe pastaj gjithë jetën jam përpjekur të vizatoj si fëmijë”. Polovina ka gjetur mënyrën e vet për ta bërë këtë, e cila në tablo vjen krejt natyrshëm dhe lidhet në mënyrë krejt organike me të gjithë elementët e gjuhës vizive të krijimtarisë së tij.
Ngjyra në tablotë e A. Polovinës, qofshin ato kompozime, portrete, apo peisazhe të natyrës a të arkitekturës, të krijon njëherësh dy ndjesi të ndryshme. Nga një këndvështrim ajo të vjen potetente, e pastër, dekorative e shumë tingëlluese, e në këtë rast duket që piktorin e ka ushqyer dhe influencuar piktura e mjeshtërve të ikongrafisë mesjetare të qytetit të tij, për mirëmbajtjen dhe restaurimin e të cilave ai ka punuar, ndaj diti të mirrte tharmin prej tyre dhe ta sillte në kohë. Nga ana tjetër ngjyra në krijimtarinë e këtij piktori na vjen edhe transparente, e dritëshme, brilante, plot ajër dhe fluide, si ndjesitë që të krijojnë rrugicat e Mangalemit sa herë t’i vizitosh.
Duket që krijimtaria e A. Polovinës ka mbarsur të gjithë gjurmët dhe ndjesitë e qytetit të lindjes, të regjistruara në kohë në nënvetëdijen e tij.
4.Detaje, ngjyra dhe përsiatje…
Secili prej nesh i kishte sytë te peizazhet e piktorit Polovina. Secili prej nesh bisedonte me to si me një të njohur të vjetër dhe të ri. Bisedonte në heshtje, me zë. Meditonte. Secili krijonte një botë, por në fakt “thirrej” nga bota e ngjyrave dhe e motiveve të trajtuara nga peneli i Agronit, në gjininë e peizazhit.
Pas kësaj “bisede” me pikturat e Agronit, i pari e merr fjalën piktori-ikonë Kujtim Buza. Piktori që i ngjan një bardi të lashtë, e mbulojnë kujtimet, dhe endet përmes kujtimeve që e lidhin me Beratin. Në fjalët e tij poetike shëtit koha dhe realiteti… Më pas ndalet në vlerat e ekspozitës dhe në personalitetin në rritje të vazhdueshme të piktorit Polovina. Kurse Piktori Pashk Përvathi përmes një entuziazmi të brendshëm që pasqyrohet në sytë dhe në lëvizjet e tij, e shikon ekspozitën në planin njerëzor e artistik. “Agroni, me kërkesa të larta ndaj vetes rend drejt një arti të vërtetë dhe me vlera profesionale.- thotë ai. – Ndaj dhe ekspozita ka dalë e bukur e plot shije.” Ndërsa artisti Haxhi Kalluci, përmes një vibrimi njerëzor, rreshton ca fjalë malli për Gonin dhe peizazhet e tij. Po në këtë rrafsh malli, por i shoqëruar me kujtime fëmijërie, flet edhe piktori Zaim Elezi. Me të folurin e tij që i ngjan një kadence poetike, i kujton piktorit rrugëtimin e përbashkët gjatë viteve të Liceut e më pas në Akademi. Zaimi nuk harron të thotë: “Galeria ku u ekspozuan peizazhet e Agronit, nuk është një galeri e thjeshtë, këtu prodhohen vepra të denja e që të mahnisin.” Flasin dhe të tjerë… Shëtisin përsëri kujtime. Në fund si i ‘zoti i shtëpisë’ dhe si mik i artistëve Fadil Nasufi shpalos shpirtin njerëzor dhe fjalët bujare siç i ka gjithmonë zakon teksa i dalin nga zemra. Përmes mirësisë së tij, dimensioni artistik i fjalëve të Fadilit u jep “peshë më të rëndë” peizazheve të Agron Polovinës.
Përsëri vazhdojnë bisedat. Peizazhet janë aty, “flasin” përmes ngjyrave mahnitëse, si: Manastiri i Ardenicës, Orikumi, Fusha e Korçës në dimër, Dimri në Drenovë, Pylli i Divjakës, Myzeqeja, Lini, Mati, Kalaja e Shkodrës, Kantjeri detar i Durrësit, Radhima, Dimri në bregdetin e Kallmit, Kalaja e Beratit, Rrugica e vjetër në Durrës, Liqeni i Seferanit, Buzëmbrëmja në Belsh, Kodrat e Maminasit, Boga, Mbasditja në Lëpushë, Vermoshi, Laguna e Panajasë, Perëndim në liqenin e Pogradecit, etj. Kjo është harta shëtitëse e piktorit Agron Polovina që na ka sjellë në ekspozitën e tij. E kush nuk donte ta donte stinën e dimrit dhe të vjeshtës, pyjet e bregdetin, rrugicën e vjetër dhe liqenin, kalatë, perëndimet e diellit dhe pasditet, në “realitetin” e këtyre peizazheve? E, për t’u kënaqur estetikisht e për të marrë margaritarë-vlerash nga shumë vende të Shqipërisë; ejani në Berat, dhe shijoni ekspozitën e piktorit të talentuar Agron Polovina. Më besoni, se frymëmarrja do të jetë tjetër frymëmarrje, ngjyrat do t’u rrethojnë këndshëm dhe do të shpalosen si një ylber i rrallë por real… Dhe mbrëmja do të jetë një tjetër mbrëmje, sigurisht e bukur në Berat, aq më shumë kur edhe Edicioni i 5-të i Festivalit Multikulturor është mysafir, kësaj here përmes tingujve muzikorë…
Berat, 20.07.2018
Komentet