Në artikullin “Ka një skenar për zbrazjen e Shqipërisë…..”, Artur Zheji ngrinte disa pyetje, ndërmjet të tjerave si : “Pse nuk paska kapacitet Shqipëria të mbajë një popullsi të vogël 3 milionëshe me dinjitet dhe standardin normal njerëzor “, si dhe “Sa janë të ardhurat e vërteta të Shqipërisë në naftë, krom, bakër, pyje, ujë të pijshëm, bregdet?”, të thjeshta, por me shumë kuptim. Do të përpiqem që të bëj një analizë dhe mundësisht të jap një përgjigje, mbështetur mbi llogaritjen e pasurive të vendeve të publikuara nga Banka Botërore në vitin 2018 në “The Changing Wealth of Nations 2018 – Building a Sustainable Future”, GlennMarie Lange, Quentin Wodon, and Kevin Carey, Editors, World Bank.
Pasuria e vendeve për kokë banori është llogaritur si një shumatore e pasurisë nga : (i) kapitali fizik (i akumuluar), (ii) kapitali natyror ose pasuria natyrore, (iii) kapitali njerëzor, si dhe (iv) asetet e huaja neto. Shuma e të katër kategorive shprehet po në dollar për kokë banori. Në pasurinë e kapitalit fizik (të akumuluar) përfshihen makineritë, pajisjet, ndërtesat, strukturat teknologjike si dhe toka urbane. Në pasurinë natyrore përfshihen burimet energjetike, karburantet, gazi, qymyri, mineralet, toka bujqësore, zonat e mbrojtura, pyjet etj.. Në kapitalin human përfshihen njohuritë dhe aftësitë, si dhe eksperienca e forcës së punës. Në neto, asete përfshihen kapitali i investuar ose aksione, si dhe forma të tjera të kapitalit financiar të zotëruar nga vendësit në vende të tjera.
Në radhë të parë, është me interes të shikohet se cila është pesha e secilës nga këto elemente në pasurinë totale si dhe krahasimi i vendit tonë në grupin e vendeve më të ardhura mbi mesataren. Vendi ynë, sipas klasifikimit të Bankës Botërore, grupohet në vendet me të ardhura mbi mesataren (upper-middle-income countries). Po të shikojmë të dhënat për të gjitha vendet, pasuria totale për kokë banori në planetin tonë është 168,580 dollarë, ku nga këto pasuria natyrore përfaqëson 9.4% te totalit, pasuria e kapitalit fizik përfaqëson rreth 26.6% dhe kapitali njerëzor 64.4% të totalit të pasurisë.
Është e qartë që, të zhvillohet dhe të prosperojë një vend me rendësi të dorës së parë, është të rrisë nivelin e kapitalit njerëzor. Nisur nga ky klasifikim, krahasuar me mesataren e grupit, Shqipëria ka një pasuri për kokë banori mbi dy herë më të ulët. Më e theksuar është diferenca e kapitalit njerëzor, i cili është rreth 3 herë më i ulët. Ndërsa pasuria e kapitalit fizik dhe pasuria natyrore janë respektivisht 50% dhe 40% më të ulëta për kokë banori.
Me interes është gjithashtu të shikohet një krahasim sipas zonave gjeografike. Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve të Europës dhe Azisë Qendrore. Nga tabela e mëposhtme, shikohet që krahasimi i vendit tonë me mesataren e këtij grupi e thellon më tej diferencën. Pasuria e vendit tonë për kokë banori, në këtë grup është mbi 7 herë më e ulët se mesatarja e grupit. Në mesatare, pasuria për kokë banori e grupit është 10 herë më e lartë për pasurinë e kapitalit njerëzor dhe 6.5 herë më e lartë e kapitalit fizik. Ndërsa pasuria e kapitalit natyror ose burimet natyrore është vetëm 45% më e lartë. Ajo që është e rëndësishme për t’u theksuar, është diferenca e lartë që ka vendi ynë për sa i përket nivelit të kapitalit njerëzor.
Ndërsa një krahasim me vendet e zhvilluara evropiane, do të na lejonte të vlerësonim peshën e faktorëve që mundësojnë nivele të larta të pasurisë për kokë banori në raport me vendin tonë. Si dhe për të evidentuar diferencën e madhe të kapitalit të prodhuar dhe kapitalit njerëzor të vendit tonë me vendet europiane. Nga tabela e mëposhtme, vendet europiane që kemi seleksionuar janë vendet, të cilat kanë një nivel të kapitalit natyror apo të burimeve natyrore më të ulët se vendi ynë, si: Belgjika, Franca, Gjermania, Zvicra, Britania, Italia etj…
Një krahasim me vendin tonë me mesataren e vendeve europiane tregon qe niveli mesatar i pasurisë për kokë banori është rreth 10 herë më i lartë dhe se niveli i pasurisë së kapitalit fizik është mbi 9 herë më i lartë. Ndërsa diferenca e kapitalit njerëzor është shumë e theksuar, në rreth 16 herë. Ndërkohë që vendi ynë ka një nivel të pasurisë natyrore për kokë banori rreth 47% më të lartë se mesatarja e këtyre vendeve. Një element tjetër që është i rëndësishëm për t’u theksuar në strukturën e pasurisë totale për kokë banori. Struktura e vendit tonë konsiston që 35.4% të pasurisë e përbën kapitali fizik, 25.2% e përbën kapitali natyror dhe 42.9% e përbën kapitali njerëzor. Ndërsa në mesataren europiane, struktura është 32.4% kapitali fizik, 1.7% është kapitali natyror dhe 67.4% kapitali njerëzor. Ka vende si Gjermania dhe Islanda ku pesha e kapitalit natyror është në rreth 1 % e kapitalit total. Ndërsa në vendet si Belgjika, Luksemburgu dhe Zvicra, pesha e kapitalit natyror është më e ulët se 0.8% e totalit. Analiza krahasuese me vendet e zhvilluara europiane tregon se si pasuria totale e këtyre vendeve është shumë herë më e lartë se vendi ynë dhe se elementet kryesorë të pasurisë së tyre janë kapitali fizik dhe në mënyrë të veçantë kapitali njerëzor. Dhe se, kapitali i burimeve natyrore përfaqëson një përqindje të vogël ose dhe të papërfillshme për disa vende në strukturën e pasurisë totale të vendeve. Rasti i vendit tonë, me një nivel të ulët të pasurisë për kokë banori në kushtet e burimeve natyrore të konsiderueshme, mbështet tezën e njohur të “resource curse” ose e njohur si “paradox of plenty”. Kjo tezë i referohet një paradoksi që vendet e pasura me burime natyrore kanë një zhvillim më të ngadaltë dhe një shkallë demokratizimi më të ulët, një rritje ekonomike dhe sociale më të ulët, si dhe një performancë më të ulët se vendet që kanë pasuri natyrore më të ulët, por që kanë sisteme të konsoliduara të demokracisë, të respektimit të së drejtës, etj…
Një krahasim i fundit në tabelën e mëposhtme, do të na lejojë të shikojmë diferencën ndërmjet vendit tonë dhe vendeve të rajonit. Në raportin e Bankës Botërore nuk ka vlerësim për Serbinë dhe Malin e Zi. Krahasimi me vendet e rajonit tregon një ndarje të qartë ndërmjet vendeve, d.m.th. vendet si Shqipëria, Bosnja-Hercogovina dhe Maqedonia kanë një nivel të pasurisë për kokë banori dukshëm më të ulët krahasuar me vendet si Kroacia, Greqia dhe Sllovenia.
Po të konsiderojmë dhe një tregues tjetër që është ai i dendësisë së popullsisë, vendi ynë krahasuar me Slloveninë me të njëjtën pothuajse dendësi, ka një pasuri totale dhe kapital njerëzor për kokë banori rreth 7 herë më të ulët se Sllovenia.
Për t’i dhënë përgjigje pyetjeve, ajo që është e dukshme, është fakti që vendi ynë ka pasuri natyrore të konsiderueshme për të mbajtur këtë numër të popullsisë dhe se të ardhurat për kokë banori nga pasuria natyrore si nafta, krom, bakër, pyje, ujë të pijshëm, bregdet etj., janë më të larta se vendet e zhvilluara europiane. Por, niveli i pasurisë totale nuk varet vetëm nga burimet natyrore. Që Shqipëria të mbajë këtë popullsi me dinjitet dhe standardin normal njerëzor është e domosdoshme rritja e kapitalit fizik dhe në mënyrë të veçantë e kapitalit njerëzor. Rritja e këtyre faktorëve është lidhur me zhvillimin ekonomik dhe social, demokratizimin, stabilitetin politik, burimet njerëzore, shpërndarjen e pasurisë, barazinë gjinore, bashkëpunimin ndërkombëtar, ndihmën e huaj, politikat fiskale dhe sociale. N.q.s. do të flisnim për politika fiskale, fokusi do të ishin politika që stimulojnë akumulimin e kapitalit fizik si dhe ato që lejojnë rritjen e kapitalit njerëzor në mënyrë të veçantë. Në qoftë se do të flisnim për kapitalin njerëzor, do të duhet të jemi më të kujdesshëm në mbajtjen e potencialeve intelektuale dhe jo largimin e tyre, duke ulur më shumë akoma pasurinë e kapitalit njerëzor për kokë banori. Ne kemi nevojë për politika që prodhojnë qëndrueshmëri ekonomike dhe politike dhe jo situata të pasigurta që nxisin emigrimin e kapaciteteve. *Ekonomist
Komentet