RENDI JURIDIK DHE KONSTITUCIONAL duhet të rivendoset në vendin tonë
Në vitin e Skënderbeut, lajmëtari i kësaj shpalljeje të bujshme, të përgatitur për propaganda të mirëfilltë errësonjëse ndaj vëmendjes së publikut, dikur një djalë plangprishës i kryeqytetit dhe sot, kryeministër i vendit, ka sjellë para nesh një projekt, me anë të të cilit kërkon të shkatërrojë kompleksin e dy teatrove më të rëndësishëm në vend, që gjenden në kompleksin e dikurshëm të Fondacionit “Skanderbeg”, themeluar në kohën kur Minister i Arsimit ishte një prej njerëzve më vizionarë, që ka patur populli ynë, Profesor Ernest Koliqi. Dhe kjo ministri kishte në stafin e saj intelektualët më të ditur të vendit asokohe, si: Vangjel Koça, Aleksandër Xhuvani, Anton Paluca, Padër Anton Harapi, Xhevat Korça, Mustafa Merlika, Dhimitër Berati, Atë Zef Valentini, Karl Gurakuqi, Ekrem Vlora, Dom Lazër Shantoja, Eqrem Çabej, Kolë Kamsi, etj.
Në republikat kontemporane oligarkike, ku ndërthuren metodat e sundimit të klikave sunduese të fundit të shekullit XV, me ato Sigurimit të Shtetit të kohëra komuniste të Kadri Hazbiut, mund të ndodhin gjithshka, por jo në një vend, që pretendon të jetë kandidat serioz për të hyrë në BE.
Në vjeshtën e vitit 2013 Ju kam thënë publikisht, se Rilindja ështe kuptuar si rilindje e politikave të marrëzisë së përçarjeve, konfiktit, segregacionit dhe të shkeljes së lirisë dhe grabitjes së pronës dhe pasurise publike, shkatërrimit të trashëgimisë kulturore.
Një establishment, që nuk gjeneron dot lirinë e garantuar, që godet liberalizmin dhe klasën e mesme, që në momentin e saj të parë të ngjizjes, që funksionon si një klike grupesh kriminale, nuk ka si të ketë të ardhme. E keqja është, se ajo mund ta fundosë vendin në kaos dhe armiqësi të tejskajshme.
Sot, pas 5 vitesh në pushtet, Ju i keni tejkaluar parashikimet, duke vendosur vendin në kaos, hajduterinë në sistem, sistemin konstitucional në kolaps dhe së fundmi keni vendosur çdo gjë nën kontrollin e Krimit të Organizuar, që po bën kërdinë në këtë vend.
Kryeministri, i dalë nga zgjedhjet e blera të qershorit të vitit 2017 bën sikur nuk kupton, se në çfarë udhe po shkon Shqipëria. Ai ka vendosur ta bëjë karrierën e tij politike, duke e hedhur Republikën dhe Shqipërinë në kaos, rrënim dhe ç’orientim strategik, duke ju hedhur Ju dhe anëtarësisë së PS, nga një copë thelë, nga plaçka e madhe, që po e grabit, ai dhe klika e Tij, që e mbështet fuqimisht.
Vesi më i keq i tij është përbuzja ndaj shtresës së varfër, që mbijetojnë në këtë vend për të fituar bukën e gojës me djersën e ballit, duke mos i siguruar asgjnjë të ardhme fëmijëve të tyre, dhunimi i ligjit, shkatërrimi i kuadrit kushtetues, dhunimi i intelektualeve, injorimi i elitës intelektuale të shoqërisë civile.
Ai zbavitet nga Kulla e tij me dramën, që po i sjell popullit shqiptar. Sillet sikur ndodhet në një kopësht zoologjik. Para tij sillen ortakët e tij groteskë, të zgjidhur nga kafazët e ruajtjes, që janë hedhur si qejtë të kafshojnë çdo cep të Shqipërisë, përmes banditëve të kontrolluar nga deputetët e fortë socialistë krahinorë, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë Partiake të Shtetit, që u ka lënë dorë të lirë ushtarëve të krimit, që po bëjnë baterdinë dita-ditës në këtë vend. Bizneseve të tyre nuk guxon t’u afrohet askush, as policia kriminale, as tatimet e Arben Ahmetajt, as OSSH-ja, as UKT –ja e Erjon Velisë, as Policia ndërtimore, as taksat bashkiake.
Ju sot keni sjellë një akt për shkatërrimin e dy teatrove.
Unë jam sot këtu për të kërkuar ndaljen e çdo akti të kontestuar dhe fillimin e procedurave urgjente për plotësimin e boshllekur të krijuar në administrimin e së drejtës. Duhet një arbitër për të ndalë dhe për të ndarë davanë e luftës politike, që ka pllakosur politikën shqiptare.
Me forcë keni sjellë një ligj, që Ju lejon të bëni shkatërrime të hapësirës së mbrojtur kulturore të kryeqytetit:
Me këtë vendimmarrje:
1. Keni shkelur ligjin për qeverisjen vendore;
2. Keni shkelur ligjin për konçensionet dhe partneritetin publik-privat;
3. Keni shkelur kushtetutën, që nuk ju jep asnjë tagër, as qeverisë qendrore dhe as qeverive krahinore për të tjetërsuar pronat publike. Dhe të qeverisësh, nuk do të thotë të falësh pronat publike të rëndësisë së veçantë.
Të nderuar deputetë!
Arsyeja pse një ligj korruptiv, guxon të sillet në Parlament ështe, se shumica parlamentare u ka hequr prokurorëve dhe gjyqtarëve autoritetin, që u jep kushtetuta.
Këtë autoritet të hetuesit dhe të prokurorit, Mazhoranca ia ka dhanë Ministrit të Brendshëm, në kohën e të cilit, për herë të parë në historinë e tranzicionit, ndodhen së paku dy vrasje enigmatike brenda stukturës së Ministrisë së Brendshme, ndërsa rolin e Gjykatësit Suprem e ka marrë Kryeministri i vendit.
Sot do t’i kërkoja përfaqësuesve të mazhorancës ndryshimin e kalendarit parlamentar. Gjithashtu është e nevojshme gjetja e një zgjidhjeje për vakumin e krijuar nga grushti antikushtetues i shtetit, i krijuar nga rënia e paramenduar e Gjykatës Kushtetuese.
Boshllëku nuk mund të vazhdojë më, ndaj për të bërë një zgjidhje emergjente, unë propozoj:
Ngritjen e një Komisioni Ekspertësh Konstitucionalistë, që do të përgatisin brenda pak ditësh, e theksoj, brenda pak ditësh, propozimet për ndryshimet e nevojshme kushtetuese në aktet transitive, ose në aktet themeltare, që do të mundësojnë vetëm vendosjen në funksion të Gjykatës Kushtetuese, ndryshe nga pjesa tjetër e sistemit të drejtësisë, së cilës do t’I duhet t’i lihet koha e nevojshme për të kryer vetingun. Duhet të gjendet një modalitet që t’i hapë rrugën kushtetuese Presidentit të Republikës, që të hedhë shortet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, derisa të gjendet zgjidhja e kandidatëve për Gjykatën më të lartë të vendit, ose duhet të gjendet një zgjidhje e përkoheshme, ashtu sikur deshet të zgjidhnit për prokurorinë.
Duhet një zgjidhje me ligj të posaçëm të boshllëkut të krijuar në vend me Gjykatën Kushtetuese, pa penguar procesin e vetingut për institucionet e tjera të drejtësisë së re.
Kjo masë emergjente do të vendoste në kushte te barabarta të vlerësimit të së drejtës, sjelljen institucionale dhe vendimarrjen politike të krahëve të spektrit parlamentar dhe do të shmangte konfliktin politik të paparimtë dhe të pambarimtë.
E theksoj këtë, sepse shoqëria gjendet para një egërsie të shfrenuar të Kryeministrit të vendit dhe sankylotëve rreth tij, të cilët po perdorin rreth 60 deputetë socialistë me formim të cunguar, të sjellur nga periferia e vendit, të pandjeshëm për sentimentet qytetare të Tiranës dhe për trashëgiminë kulturore të mbetur të kryeqendrës së vendit. Provincializmi Socialist, që është në fakt minoritar në shoqëri, dikton sot politikat dhe vendimarrjet më të rëndësishme në vend. Një sistem i tërë piramidal i shkëmbimit të interesave të një grupi puthador dhe lëpirës deputetësh, i kapjes së kokës se tyre në korrupsion, favore dhe trafikim, i përdorimit abuziv të paditurisë së tyre sistematike mbi të vërtetat historike dhe kulturore, mban peng Parlamentarizmin dhe Europianizimin institucional të vendit tonë.
Mazhoranca parlamentare gjendet e drejtuar nga një njeri, që ka mprehur shpatën dhe po godet Republikën, po dërrmon ndarjen e pushteteve brenda saj, parimet e shpjegueshmerisë dhe përgjegjshmërinë në qeverisje, tolerancën në komunikim, etj.
Kjo është vetëm shfaqja e jashtme, që mbart brenda interesat e korrupsionit dhe krimit të organizuar ku është ngërthyer e tërë Kupola drejtuese e PS-së.
Të nderuar kolegë!
Sistemi ynë penal parashikon sanksione në rast të dhunimit të kushtetutës.
Grushti antikushtetues i Shtetit, përkufizohet si krim politik, duke u artikuluar në krime kundër sigurisë së brendshme dhe kundër sigurisë ndërkombëtare të shtetit. Të gjithë kanë nje karakteristikë të përbashkët se janë krime, që drejtohen kundër institucioneve politike shtetërore dhe përkundër stabilitetit të vendit
Zbulimi i këtyre krimeve u besohet zakonisht gjykatësve penalistë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ndalon drejtuesit më të lartë ekzekutivë të kryejnë atentat kundër Kushtetutës së vendit.
Në këtë rast Prokuroria e Përgjithshme ka detyrën e hetimit të krimit të shkaterrimit te Gjykates Kushtetuese dhe pengimit afatgjate te rindertimit te saj
I bej thirrje kryeprokurores që ta hetojë çështjen.
Askush nuk mund ta pengojë drejtësinë dhe aq më pak të parën drejtësi, që ruan stabilitetin, Drejtësinë Kushtetues.
Kryetari i Mazhorancës, mbasi e ka dërrmuar sistemin, po pengon dhe po saboton ri-Konstituimin e Gjykatës Kushtetuese, me veprime dhe mosveprime. Ai ka detyrim institucional të arsyetojë dhe veprojë pozitivisht në plotësimin e boshllekut të krijuar. Dhe Ai nuk e bën, qesh dhe tallet.
Ndaj, Grushti i Shtetit, i drejtuar prej Kryeministrit të vendit, duhet të marrë fund sot: RENDI JURIDIK DHE KONSTITUCIONAL duhet të rivendoset në vendin tonë.
Komentet