Fatmir Xhafaj nuk do të duhej të ishte përfshirë në asnjë lloj qeverie, që kur për vëllain e tij ekzistonte një fletë arresti e paekzekutuar nga vitit 2002.
Vëllai i Fatmir Xhafajt akuzohej nga drejtësia italiane për përfshirje në trafik droge, ndërsa shteti shqiptar, përfshirë edhe Ministrin e Brendshëm e linte të vëllain në liri të plotë !
Vetëm ky fakt e bënte të papranueshëm Fatmir Xhafajn që kryeministri t’i besonte portofolin e kryepolicit!
Emërtimi i Famir Xhafajt në këtë post e bën pis edhe integritetin e kryeshtetarit !
Dorëzimi i të vëllait autoriteteve italiane me 16 vjet vonesë nga ana e Ministrit të Brendshëm pas ekspozimit të një telefonate, ku vëllai i Fatmir Xhafajt ishte i përfshirë në një bisedë komprometuese, e vë në spikamë shkeljen e ligjit nga të dy vëllezërit.
I vëllai i Fatmir Xhafajt ka shkelur ligjin duke trafikuar, ndërsa Fatmir Xhafa ka shkelur ligjin duke mos ia dorëzuar për 16 vjet drejtësisë trafikantin!
Natyrisht që Fatmir Xhafajn nuk e fajëson faji i të vëllait, por e fajëson mosdorëzimi i të vëllait për 16 vite, ku Fatmir Xhafaj ka ngjitur lart e më lart shkallët e pushtetit!
Vrasja e shoferit të Ministrit të Brendshëm është fundi pa nder i karrierës politike të Fatmir Xhafajt, që do të thotë se largimi i tij nga posti i Ministrit të Brendshëm duhet të jetë i menjëhershëm.
Ministra të përlyer e përlyejnë jo vetëm figurën e tyre, por edhe qeverisjen dhe sidomos atë që i ka zgjedhur, dmth kryetarin e qeverisë, Edi Ramën, i cili zgjedh dhe mbron njerëz të gabuar.
Kujtoni lidhjet e ngushta të Edi Ramës me Sajmir Tahirin, lidhjen e ngushtë të Edi Ramës me kryebashkiakun e Kavajës dhe tani me Fatmir Xhafajn!
Vrasja e shoferit të Ministrit të Brenshëm Fatmir Xhafaj i ngjan një trilleri mafioz nga Hollywood-i, por në fakt realiteti i frikshëm që sundon në Shqipëri e tejkalon atë.
Tek çdokush lind dyshimi se shoferi i Ministri i Fatmir Xhafajt duhet të ketë ditur më tepër se duhej.
Kjo është një pistë dyshimi që nuk e kundërshton dot askush!
Menjëherë pas vrasjes, shteti doli me variantin e vetëvrasjes të të ndjerit, pastaj shtypi botoi një deklaratë të familjes dhe në fund, për ta plotësuar skenarin, një mesazh që i ndjeri ia dërgonte nënës së tij.
Na lini të qetë, thosh familja! Natyrisht që ashtu do të thosh. Edhe vëllai tjetër i shoferit të Fatmir Xhafajt është i punësuar në Gardën e Republikës! E kush do të guxonte nga familjarët të merrej me Fatmir Xhafajn me pushtet të pakufizuar.
Sa për mesazhin e të ndjerit për nënën, vrasësit nuk e kanë patur të vështirë ose ta detyronin viktimën, ose ta shkruanin vetë atë, pra mesazhi vetëm e thellon dyshimin.
Vrasja e shoferit të Ministrit Fatmir Xhafaj ia humb totalisht Ministrit të Brendshëm besueshmërinë dhe kredibilitetin.
Gjatë regjimit diktatorial Fatmir Xhafaj ka qenë pjesë e hetuesisë së regjimit barbar! Edhe kjo e dhënë nuk duhej të tejkalohej.
Ministri Fatmir Xhafaj ngjan si një kërcënim për sigurinë kombëtare. Edhe ai që e ka zgjedhur, nëse nuk e largon nga detyra ose e detyron që të japë dorëheqjen!
Edhe sikur shoferi i ndjerë të ketë kryer vetëvrasje duke qenë në shërbim të Ministrit të Brendshëm, kjo vrasje që hedh dyshime të forta, ndikon negativisht dhe shërben si terror psiqik për qytetarët, sepse ngjan si terror shtetëror, eleminim fizik nga ana e shtetit. Prandaj largimi i menjëhershëm i Fatmir Xhafajt është i detyrueshëm për t’i dhënë kredibilitet institucionit që siguron mbrojtjen e rendit publik.
Fatmir Xhafaj do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen që ditën që dorëzoi të vëllain përpara drejtësisë italiane. Sepse përmbushi një detyrim të harruar prej tij për 16 vjet!
Nëse nuk do ta jepte dorëheqjen menjëherë sa e dorëzoi të vëllain, Fatmir Xhafajn duhej ta largonte kryeministri.
Në rastin e vrasjes apo vetëvrasjes të shoferit të ndjerë të Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i pashkarkuar dhe i padorëhequr merr pamjen e një mafiozi.
Dhe këtë profil i jep edhe qeverisë, edhe kryetarit të qeverisë që e ka zgjedhur dhe që e mban në krye të Ministrisë të Brendëshme!
Komentet