Qeveria nuk ka humbur asnjë minutë kohë për të çuar deri në fund projektin për një Teatër të ri Kombëtar.
Pak kohë pasi kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njofoi se kishte arritur marrëveshjen me artistët për çështjen e Teatrit dhe ndërtimin e një teatri të ri në gjurmën e atij ekzistues, Qeveria kalon në mbledhjen e djeshme projektligjin për “Përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të teatrit kombëtar”.
“Ky projektligj reflekton opinionet e diskutimet e vazhdueshme me komunitetin e artistëve, arkitektëve, opinionet e qytetarëve të lirë gjatë konsultimeve me përfaqësues të Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës”- sakteson qeveria, bashkengjitur projekligjit.
Sipas Qeverise, “Projektligji i ri pasqyron thelbësisht kërkesat e komunitetit të artistëve lidhur me ruajtjen e pronës së teatrit, me standardet e domosdoshme europiane për një teatër dinjitoz kombëtar dhe me pjesëmarrjen e qarte të 2 (dy) përfaqësuesve të artistëve në procesin e negociimit”.
Projektligj i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Qershor 2018:
* Ky projektligj reflekton opinionet e diskutimet e vazhdueshme me komunitetin e artistëve, arkitektëve, opinionet e qytetarëve të lirë gjatë konsultimeve me përfaqësues të Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës.
Projektligji i ri pasqyron thelbësisht kërkesat e komunitetit të artistëve lidhur me ruajtjen e pronës së teatrit, me standardet e domosdoshme europiane për një teatër dinjitoz kombëtar dhe me pjesëmarrjen e qarte të 2 (dy) përfaqësuesve të artistëve në procesin e negociimit.
Projektligji siguron transparencën e plotë të negociimit dhe garancinë ligjore të autoritetit më të lartë ligjor të shtetit.
P R O J E K T L I GJ
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË VEÇANTË PËR NEGOCIIMIN DHE LIDHJEN E KONTRATËS ME OBJEKT “PROJEKTIMI DHE REALIZIMI I PROJEKTIT URBAN DHE GODINËS SË RE TË TEATRIT KOMBËTAR”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pikat 1 e 2, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Objekti
Ky ligj ka për objekt përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është realizimi i projektit për zhvillimin e një zone urbane në qytetin e Tiranës dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar me partner privat.
Neni 3
Përkufizime
Për qëllim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Autorizim i komisionit të negociimit”, tagri që gëzon komisioni i negociimit për të përfaqësuar pronarin-shtet me të drejta të plota, për të vlerësuar dhe tjetërsuar pronat në pronësi të pushtetit qendror apo të vetëqeverisjes vendore për zhvillimin e këtij projekti, sipas pikës 4, të nenit 6, të këtij ligji.
2. “Autorizim i kryetarit të bashkisë”, tagri që gëzon kryetari i bashkisë apo personi i autorizuar prej tij për të përfaqësuar pronarin-shtet me të drejta të plota për të nënshkruar kontratën me partnerin privat, për zhvillimin e projektit sipas parashikimeve të këtij ligji.
3. “Kontrata”, kontrata e shkëmbimit, që lidhet ndërmjet partnerit privat dhe Bashkisë Tiranë, e cila ka për objekt kalimin e ndërsjellë të pronësisë së sendeve ose të të drejtave të tjera nga pronari-shtet te partneri privat dhe anasjelltas, sipas parashikimeve të Kodit Civil.
4. “Projekti”, ndërtimi i godinës së re të Tetarit Kombëtar dhe zhvillimi i zonës ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, sipas propozimit të paraqitur nga partneri privat.
5. “Prona shtetërore”, prona e paluajtshme shtet e pushtetit qendror dhe vendor, që vendoset në dispozicion për zhvillimin e këtij projekti.
6. “Komision i negociimit”, grupi ndërinstitucional, i krijuar sipas nenit 5, të këtij ligji.
7. “Tjetërsim”, vendosja në dispozicion e pronës shtetërore në shkëmbim të zhvillimit të projektit.
8. “Miratim i kontratës”, ligji, me anë të të cilit Kuvendi miraton kontratën e paraqitur nga Këshilli i Ministrave dhe të i nënshkruar nga kryetari i bashkisë apo personi i autorizuar prej tij.
Neni 4
Pronat në pronësi shtet dhe statusi i tyre
Në dispozicion të zhvillimit të projektit vihen pasuritë e paluajtshme në pronësi shtet, sipas parashikimeve të këtij ligji, Kodit Civil dhe legjislacionit për pronat e paluajtshme.
Sipërfaqja që përbën pronën e Teatrit Kombëtar do të jetë po ajo edhe pas përfundimit të ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar.
Neni 5
Përbërja e komisionit të negociimit
1. Komisioni i negociimit krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave, kryesohet nga përfaqësuesi i caktuar nga Bashkia Tiranë dhe në përbërje të tij ka përfaqësues të institucioneve, si më poshtë vijon:
a) Ministria e Drejtësisë;
b) Ministria e Financave dhe Ekonomisë;
c) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë;
ç) Ministria e Kulturës;
d) Avokatura e Shtetit.
2. Komisioni i negociimit mund të thërrasë edhe përfaqësues nga institucione të tjera si dhe ekspertë të fushës, që gjykohen të nevojshëm.
3. Komuniteti i aktorëve teatrorë përfaqësohet në komisionin e negociimit me jo më shumë se dy përfaqësues, të përzgjedhur nga vetë ata.
4. Nuk mund të marrin pjesë në komisionin e negociimit personat që kanë konflikt interesi me partnerin privat, sipas kuptimit të ligjit “Për konfliktin e interesit”, dhe, për këtë arsye, anëtarët e komisionit nënshkruajnë deklaratën për konfliktin e interesave.
Neni 6
Kompetencat e komisionit të negociimit
1. Komisioni i negociimit të kontratës vlerëson dhe negocion me partnerin privat, shoqërinë “Fusha”, sh.p.k., propozimin e paraqitur prej tyre dhe harton projektkontratën finale të negociuar nga palët, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda një afati kohor prej 30 ditësh, nga data e krijimit të komisionit.
2. Komisioni duhet të verifikojë, paraprakisht, statusin e të gjitha pronave, mbi të cilat do të zhvillohet projekti, përfshirë këtu edhe ato private, si dhe marrëveshjet e arritura nga partneri privat me pronarët privatë, që ka për këto pasuri.
3. Sipas nenit 4, të këtij ligji, institucionet përkatëse duhet të vendosin menjëherë në dispozicion të komisionit të negociimit vlerësimin financiar të pasurive shtetërore, për të cilat ai do të negociojë me partnerin privat, në lidhje me përfitimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
4. Puna, vlerësimi i procesit dhe i kushteve të kontratës nga anëtarët e komisionit të negociimit do të reflektohet gjatë të gjitha fazave të negociimit, bazuar në fushën e veprimtarisë që mbulon institucioni.
5. Bashkia e Tiranës është përgjegjëse për hartimin dhe administrimin e të gjitha procesverbaleve e dokumenteve të procedurës si dhe të çdo dokumenti tjetër, që lidhet me procedurën e përcaktimit e të negociimit të kushteve të kontratës, përfshirë edhe procesverbalet e mbledhjeve, kur është rasti.
6. Komisioni i negociimit të kontratës autorizohet dhe gëzon të gjitha të drejtat për vlerësimin dhe propozimin lidhur me tjetërsimin e pronave në pronësi të pushtetit qendror apo të vetëqeverisjes vendore për realizimin e këtij projekti, bazuar në legjislacionin në fuqi.
Neni 7
Procedura e negociimit për lidhjen e kontratës
1. Procedura e negociimit për lidhjen e kontratës do të kryhet nga komisioni i negociimit, i përcaktuar sipas këtij ligji.
2. Procedurat e negociimit përfundojnë jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për krijimin e komisionit.
3. Komisioni i negociimit të kontratës mund të asistohet për marrjen e ekspertizave të specializuara nga një konsulent, i përzgjedhur sipas një procedure të veçantë, të përshpejtuar, nga ana e Bashkisë së Tiranës, që përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Kulturës, në vendimin e ngritjes së komisionit të negociimit, sipas pikës 1, të nenit 5, të këtij ligji.
4. Komisioni studion dhe vlerëson propozimin për zhvillimin e projektit, i cili duhet të përmbajë, minimalisht, dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Analizën teknike, e cila duhet të përmbajë sfondin e projektit, konceptin e projektit, vendndodhjen, sipërfaqen e përgjithshme publike e private të zbatimit të projektit, studimet topografike dhe gjeologjike, përshkrimin konstruktiv, funksional e teknik të projektit, standardet teknike, periudhën e vlerësuar të ndërtimit të teatrit;
b) Analizën ekonomike dhe financiare, e cila duhet të përmbajë kostot e projektit;
c) Çdo dokumentacion tjetër, që do t’i shërbejë për kryerjen e negociatave.
5. Në rastin e një procedure të suksesshme për negociimin dhe nënshkrimin e kontratës me partnerin privat, komisioni i negociimit do të vendosë si kusht në kontratë edhe detyrimin e partnerit privat për të paguar vlerën përkatëse, të paguar nga pronari-shtet, Bashkia e Tiranës, në rastin e parashikuar në pikën 3, të këtij neni, dhe/ose të kryerjes së ekspertizave të ndryshme, nëpërmjet ekspertëve privatë të fushave përkatëse.
6. Për nevoja të punës të komisionit të negociimit, korrespondencat me institucionet bashkëvepruese realizohen nga kryetari i komisionit të negociimit, bazuar në vendimmarrjet e komisionit.
Neni 8
Kontrata dhe përmbajtja e saj
1. Kontrata ndërmjet pronarit-shtet dhe partnerit privat duhet të përmbajë propozimin e paraqitur nga shoqëria “Fusha”, sh.p.k., sipas këtij ligji, i cili është vlerësuar nga komisioni negociator dhe do të jetë pjesë e pandashme e kontratës.
2. Kontrata, përveç kërkesave që burojnë nga Kodi Civil, parashikon ato terma që vlerësohen të përshtatshëm nga palët dhe duhet të përmbajë, domosdoshmërisht, edhe këto elemente:
a) Përkufizime, interpretime, natyrën dhe objektin e punëve që duhet të kryhen, cilësinë e punimeve për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar;
b) Afatet dhe kohëzgjatjen e kontratës në lidhje me fillimin dhe përfundimin e punimeve për godinën e re të Teatrit Kombëtar;
c) Teatri do të jetë i plotë dhe funksional në ditën e dorëzimit sipas afatit të përcaktuar, ku do të përfshihen, ndërtimi i objektit, mobilimi i brendshëm, instalimet teknologjike të skenave, instalimet audio/video, si edhe të çdo elementi tjetër të nevojshëm për një teatër bashkëkohor dhe modern;
ç) Pronësinë e aseteve, përcaktimin e sipërfaqeve përkatëse shtet, që do të vendosen në dispozicion të partnerit privat, duke marrë shteti përsipër garantimin e aksesit në zonë dhe/ose servitutet e kalimit sipas projektit (që garantojnë hapësirat funksionale të projektit, rrugët e kalimit dhe aksesin publik), lehtësitë dhe kushtet e tjera për t’u plotësuar nga shteti, në shkëmbim të përfitimit të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe sipërfaqeve ndërtimore që mund të përfitojë Bashkia e Tiranës;
d) Të drejtat dhe detyrimet e institucioneve shtetërore përgjegjëse për garantimin e së drejtës së pronësisë mbi pronat shtetërore, të vendosura në dispozicion për zhvillimin e projektit deri në përfundimin e tij, duke garantuar të drejta të plota të pronësisë dhe marrjen përsipër për përballjen ndaj çdo pretendimi nga të tretët dhe pa ndikuar në ecurinë e projektit, si dhe duke marrë përsipër lirimin e aseteve nga përdoruesit dhe të sheshit të ndërtimit nga objektet publike;
dh) Të drejtat dhe detyrimet e partnerit privat, shoqërisë “Fusha”, sh.p.k., në zhvillimin e projektit;
e) Paraqitjen e një pasqyre financiare, që pasqyron garancinë ekonomike të partnerit privat dhe/ose çdo dokument tjetër provues nga pala financuese, nëse ka, për garantimin e zhvillimit të projektit;
ë) Sigurimin e kontratës për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, të depozituar në një bankë të nivelit të dytë nga ana e partnerit privat ose nga një kompani sigurimi, që operon në Shqipëri, përpara përmbylljes së negociatave dhe pasqyrimin e kësaj të dhëne në relacionin përmbyllës;
f) Dispozitat përfundimtare, lidhur me sanksionet kundrejt palëve, në rast të mospërmbushjes së detyrimeve të marra përsipër në kontratë dhe të përcaktimeve të këtij ligji;
g) Standardet artistike, që duhet të ketë teatri;
gj) Të drejtat e institucioneve përgjegjëse, pjesë e komisionit, për të ndjekur dhe monitoruar procesin e ndërtimit të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe cilësinë e shërbimeve, që duhen përmbushur nga partneri privat;
h) Principet komerciale, financiare dhe ligjore;
i) Çdo kufizim ose kusht të zbatueshëm për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve të partnerit privat, sipas kontratës;
j) Përkufizimin dhe pasojën e forcës madhore, ndryshimin në ligj dhe ndryshimet e tjera, duke përfshirë çdo të drejtë të palëve për të kërkuar kompensimin ose rishikimin e kontratës;
k) Kushtet dhe procedurat për ndryshimin dhe/ose përfundimin e kontratës, të drejtat dhe detyrimet e palëve, me kalimin e afatit apo përfundimin e kontratës;
l) Ligjin e zbatueshëm dhe mekanizmat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, që mund të lindin ndërmjet institucionit përgjegjës dhe partnerit privat;
ll) Kushtin që, mbi tokë, godina e re e Teatrit Kombëtar, është një godinë më vete, pa asnjë ndërtim tjetër, përveç pjesëve ndihmëse të saj, dhe se i gjithë investimi do të përballohet nga partneri privat, sipas parimit me “çelësa në dorë”;
m) Procedurat për dorëzimin nga ana e partnerit privat dhe të marrjes në dorëzim nga institucioni përgjegjës i godinës së re të Teatrit Kombëtar;
n) Kushtin që partneri privat të fillojë, fillimisht apo paralelisht, godinën e Teatrit Kombëtar gjatë zhvillimit të projektit në zonën urbane;
nj) Procedurat për dorëzimin nga ana e partnerit privat dhe të marrjes në dorëzim nga Bashkia e Tiranës të sipërfaqeve takuese ndërtimore;
o) Çdo dispozitë tjetër, bazuar në legjislacionin në fuqi për lidhjen e kontratave;
p) Hyrjen në fuqi të kontratës, pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Neni 9
Nënshkrimi i kontratës
1. Nënshkrimi i kontratës nga kryetari i Bashkisë Tiranë ose personi i autorizuar prej tij bëhet brenda afatit kohor prej 10 ditësh, nga data e marrjes së projektkontratës dhe relacionit përmbyllës të negociatave.
2. Kryetari i Bashkisë Tiranë mund t’i kërkojë komisionit të negociimit të kontratës rishikimin e projektkontratës. Komisioni duhet të rinegociojë dhe t’ia paraqesë për nënshkrim kontratën kryetarit të bashkisë, të shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda afatit kohor prej 30 ditësh, duke filluar nga data e kthimit.
Neni 10
Miratimi i kontratës
1. Pas nënshkrimit të kontratës nga kryetari i Bashkisë Tiranë ose personi i autorizuar prej tij, kontrata, së bashku me relacionin përmbyllës të negociatave, i dërgohet Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e procedurave ligjore për miratimin e kontratës nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
2. Data e hyrjes në fuqi të kontratës do të jetë data e hyrjes në fuqi të ligjit, pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Neni 11
Nxjerrja e akteve nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore në mbështetje të neneve 5, pika 1, dhe 7, pika 3, të këtij ligji, jo më vonë se 45 ditë nga hyrja në fuqi e tij.
Neni 12
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË VEÇANTË PËR NEGOCIIMIN DHE LIDHJEN E KONTRATËS ME OBJEKT “PROJEKTIMI DHE REALIZIMI I PROJEKTIT URBAN DHE GODINËS SË RE TË TEATRIT KOMBËTAR””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Komentet