Marrë nga libri i porsabotuar “Këmbësori poetik”
Shiu i beftë i prillit, – e bën karrocën e tij, – fluturuese, – me florinj efemerë. – Ku nxiton? – Ku vallë?
***
Unë ngre dorën, – e përshëndes!
***
Ah, Helena e Trojës! – Ajo, – qe kështjella, – ku qenë, – burgosur sëbashku, – dhe akejtë, – dhe trojanët. – Përtej mureve, – qe – vetë Helena, – brenda, – mureve, – tërë kacafytja, – për vdekje, – e luftëtarëve, – që vriteshin, – me tmerr, – për të njëjtën gjë ! – Pa kuptuar – asgjë !
***
Krishti furnizon
Me peshq të rinj
Restorantet politike,
Të Wallt Street-it.
Dhe drurët
Grumbullohen mbi mal,
Si dishepuj të motshëm
Të Diellit!
Vjen Endacaku i yjeve,
I pluhurosur me kozmogoni,
Pastaj Acari
Si Antikrishti i Madh!
Ç’kaktusë të birësuar
Nga deti Jon,
Hapësira e klonon vetveten
Në njëmijë shtrëngata.
Dhe pastaj
Do të shfaqet
Vetë Vdekja
Si një orgazmë madhështore!
Si t’i ngjiz këto ëndërra
Në martesë me detin?
Si bandit i kënaqësive
Unë dhe mitet i plaçkis!
Sqepa zogjsh
Si gjilpëra gramafoni,
Katër pllaka horizontesh,
Me muzikë shekujsh!
Nga bakri
I këtij mangalli antik,
Do të bëj hajmali
Të Kujtesës së Humbur!
Do të zhduket shekulli i vjetër
Si heqja e një mjekre të rreme,
Po drita boreale e mollëve
Në fakt, nuk ndriçon askënd!
Do të mbetem
Krejt i vetëm
Si mbretëresha e bletëve
Në një zgjua shahistik!
***
Kush, – i di, – rrugët, – e fjalëve, – në ajër? – Pse – Kujtesa, – është, – udha, – ku shpesh, – nuk mund, – të ecë, – askush?
***
Pena e mprehtë
E Migjenit
Është banesa e rrufeve foshnja,-
Jetimët e Arsyes!
Te dora delikate
E Ofelisë
Hamleti rëndon
Si byrzylik!
Ndërsa ky kalë Swiftian
Bëhet prangë
Në dorën time
Të shkrimit.
***
Prejardhje, – të errëta, – të domethënieve! – Gjithçka, – rrotullohet! – Gëzimi, – i të jetuarit ! – Imagjinatë, – përrallëzuese, – plot etje, – për jetën ! – Martirizim, – i rëndë, – paleokristian, – i emrave ! – Tempuj, – qiellorë, – po pa zota ! – Vallë, – statujat, – do të kthehen, – në feminine, – e shkëmbejve, – të lashtë ? – Çdo flatër zogu, – është, – një shpikje, – kundër, humnerave, – rëndesës, – dhe boshllëkut ! – Dhe – ky avion, – në horizont, – është, – shkumësi, – me të cilin, – shkrova, – dikur, – në dërrasën, – e zezë, – të shkollës, – fillore ! – Dhe, – drita, – vjen, – mbi mua, – nga ca lartësi, – që i venë, – në lëvizje, – ca zemra, – të padukshme, – ose motorë, – idesh, – që ende, – nuk janë, – prishur, – dhe ndryshkur, – përgjithmonë !
***
Nga germat – e zeza – frymon – një dritë – metafizike ! – Dhe – përballë – meje – duket – fytyra ime – e dytë, – e panjohur! – Eci – në malin – e shurdhët, – pa hije, – pa fllade, – ngre – perden – jeshile – të Heshtjes – për të hyrë – brenda!
***
Unë, – jam, – një, – nga, – fëmijët, – e natës! – Ç’është, – kjo formë, – e ftohtë, – e zbrazëtirës ? – Fluturon, – floku, – im, – i erërave. – Në damarët, – e bimëve, – shket, – mendimi. – Hija, – e pavërtetësisë, – më ndjek, – me flutura, – të zeza ! – Si kronist, – i ëndërrave, – duart, – i kam zhytur, – në dete iluzionesh ! – Janë, – sfilitur, – Lajmëtarët, – e Pranverës ! – Nga çezmat, – rrjedhin, – eposet, – e harruar ! – Kush, – mua, – m’i mbledh, – hapat, – dhe – më fut – në paqenësi ?
***
Oktavio Paz tha :
« Të gjithë ne jemi kohë,
S’janë vitet ato që kalojnë,
Jemi ne ! »
Statuja e Skënderbeut me kalë,
Shëtit në Shans-Elizé,
Në Ishullin e Pashkëve,
Madje dhe në Atlantidë.
Kur kam ftohtë
Vetvetiu zgjohem
Te një përrallë,
Që digjet!
Centauri Mjekërblu,
Më tregon rrugën,
Tek Taverna Kozmike,
E Khajamit!
Si mund ta dimë,
Që kjo salamandër
E fabrikon një botë arti,
Që kurrë s’u arrit?
Rripet si lëkura ime, e djegur,
Ky realitet i vrazhdë
I kriminalizuar
Nga paraja!
Tek hija, që le,
Në shkretëtirë,
Hapet dritarja,
E një bote arkeologjike!
Vajzat e Avinjonit,
I shkulin flokët Mona Lizës!
Populli i pikturave
Ç’njerëzim i dyzuar!
Çdo risi
Bëhet prap rutinë!
Dhe lulet janë
Kafshëza bimore!
Nga syri i Zotit, Zotit,
Duan ta nxjerrin
Si drudhëzë
Vetë Shekspirin!
***
Poeti, – është, – hibridi, – i murgut, – me martirin!
***
Vërtetë, jam – detar – (mbase pirat) – i fjalës, – por – edhe këmbësor – i Fantazisë, – në qiell!
***
Kotësi! – Kotësi! – Piktura, – të thurura, – merimangash! – Testament, – prej hiri, – i Harresës !
***
Dhe lulet, – e thara, – janë, – meshtarë, – të vdekur, – në kishën, – e braktisur, – të stinëve!
Durrës, 13 shkurt, 1998
SHTRËNGATAT PRINCËR
Tek kjo kokërr arre,
Që bije në trotuar,
Mbase është varri im !
***
Si janë ëndërrat
E erërave ?
***
Mes paradokseve, i kam disa motive gëzimi, si dallëndyshe dimri ! Dhe i zbukuroj fjalët me heshtje ! Një pishtar vrapon para, një pishtar triumfues, por unë s’e ndjek dot ! Brenda emrave të Homerit dhe të Whitmanit janë oraret, kur punon Historia, jashtë tyre, ka veç plogështi dhe gjumë.
***
Gjethet rrëzohen në skajshmëri
Si ceremoni parade !
Unë thith energji të mëdha
Nga idetë e të vdekurve !
Fjala ndriçohet nga brenda
Ashtu si detet e De Radës
Plot lëvizje kohërash
Dhe përtëritje të pabesueshme !
Çdo peshk
Ka kthetra zogu !
Por vetëm zemra
Është amfibi më i rrezikshëm !
Dhe vullkani,
Që shpërthen,
Është gjeneza
Që tek Pikaso bën Guernikën!
***
Kuptoje detin si Nocion përdëllimi
Më shumë se masë ujërash, kaktuset
Si poetikë surrealiste dhe jo si janë
Në të vërtetë, dashuria s’është
Thjesht femra, – hiret e saj s’humbin
Me trupin që mplaket.
***
Ç’kohë ! Të ekzistosh s’do të thotë
Se je ! Varfërohet kuptimi, fruti i ri
Bëhet pluhur ! Por uji i mistershëm vërshon
Si në ereksion! Mund të gjesh një amforë antike –
Ëndërr qiellore të së ardhmes, por eukaristia
Është formë e pakapshme!
***
Ja manastiret mesdhetare plot ullinj
Dhe pulëbardha, (ku murgjit u ngjajnë
Më shumë ullinjve, se sa pulëbardhave !)
Shoh Centaurët groteskë të reve,
Që bëhen shkëmbej vulgarë,
Se Princesha Imagjinatë ka vdekur para Krishtit!
***
Mali Tomor rri pezull. Po e tashmja
Ku është? Ngjarjet i shohim
Si centurionët e vrazhdë romakë
Në Golgota, që s’kuptonin, – ahere
Çfarë ndodh s’është diçka e re,
Kahja s’perceptohet, tragjedia
S’ka kumt!
***
Jam ikanak i detrave,
Dhe ndërtoj në vegim altare,
Dhe tatuazhet ma hanë Kujtesën,
Si milingonat një elefant!
Po fryma e Naim Frashërit
Krijon një ekuilibër,
Kuptimësi rregullore
Të sendeve, zotave, gjallesave!
E dashur! E ke shpikur stilin,
Buzëqeshjen dhe të ecurën tënde,
Për hyrjen triumfuese në Tempull,
Me pelerinë dafine!
Pse tërë njerëzit
Janë si dete, që ecin,
Me zemrat – amfora,
Të anijeve të mbytura?
***
Kush i çvoshk rrufetë, si lëkurat inkandeshente, të gjarpërinjve të padukshëm, të qiellit? Ka ndodhur një rrëmujë e hatashme në Parajsë ! Është parë papritur një engjëll fëmijë, që mban në dorë thikën e rigjetur dhe të përgjakur të Kainit të harruar !
***
Dhe Infiniti vezullon si semafori enigmatik dhe përthithës i djajve !
***
Dhe e pakohshmja dhe e pahapësirta janë një perpetuum mobile !
***
Jashtë rastësive, çdokush është jashtë çdo gjeje !
***
Dalja, për t’u rikthyer nga Vdekja, është e mbyllur, si kuptimet e mëdha dhe të fshehta në Apokalips!
***
Ah, raca e brishtë dhe egoiste e njerëzve, më e nëmur se sa e kuajve të Swiftit !
***
Dhe metaforat i kam,
Shpesh dezertorë,
Të kuptimeve universale,
Të vërteta!
Dhe kam kuptuar qartë,
Se nën spirancën e ndryshkur të Hënës,
Planeti quhet “Titaniku” i mbytur,
I konstruktorit fatkeq, që është Zoti, Zoti.
Unë vetëm detit ja besoj,
Të më zbardhë dialogët e fshehtë,
Të Sokratit,
Me një pulëbardhë të mijëvjeçarëve.
Shtrëngatat janë Princër,
Te një Tej-jetë,
Që shpërthen
Nga Padukshmëria!
***
Dhe unë e di
Artin e ri të leximit
Me një trandafil zanore
Dhe tri zogj bashkëtingëllore!
Kush po ma thurr
Me mjekrën e Onufrit
Trikon e dëshpërimit
Te zgribi i Alefit ?
Pemën e Kaltërsisë,
Po e ujis me proverba!
Tek ky portokall i Jugut
Rron shpirti i një tigri!
Këtë liqen po e mbledh,
Si qilimin e vjetër,
Nga oda e Lasgushit,
Për në Muzeun e Poetëve!
E Diela e frymëzimit tim
E aborton të Hënën përherë.
Dhe sendi është
Kartëvizita e Vdekjes!
***
Cili lumë
Është kundërshtim i detit?
Zanafilla
Është këmisha ime!
Llamba e ndezur
E abazhurit
Është gurvarri
I një amazone elektrike.
Veç gijotina
Ma anulon të qeshurën.
Ç‘aliazh krijon Mistika,
Me mermerin dhe frutat?
Aty, ku tërhiqen të gjallët,
S’tërhiqen dot,
As abstenojnë dot,
Të vdekurit!
Dreqi e mori
Këtë sallatë,
Me mëlçi
Nga të Prometeut të vjetër!
***
Kanibalë Kanibalë! Rripmëni, më piqni, dhe gostitni, me mishin tim, tërë kryeengjëjt, me pension të kohëhapësirave të Absurdit!
***
Dhe më lëvizin dhe më përplasen idetë! S’di pse, po ngjyrat e Van Gogut i gjej tek çorapet etnografike të shpatit, për këmbët e zbathura të Onufrit!
Durrës, 12 qershor 1998
DEMI QIELLOR
O, zjarre të padukshme, – në gllënjkën e ujit, – që pi! – Jam i gjallë, – dhe njëkohësisht, – një banor, – i vdekur, – i Epidamnit antik!
***
Njëqind shekuj, – kam qenë, – skllav, – si Spartaku thrakas, – i Yllit Polar, – dhe tani – s’jam më !
***
E di një qiell kobalti
Dhe një tokë prej gazit helium,
Krokodili prej druri frikësohet,
Nga kali kibernetik.
Zogjtë e shenjtë egjiptianë
Kanë kokëza ujqish,
Unë bëj pranvera të gjalla
Nga lulet e herbariumeve
Dhe rrufetë endin vello tronditëse
Për pelat nuse dhe drurët dhëndër,
Dhe Pagjumësia ime farkëton
Ëndërra floriri të Atlantidës!
Rrezet e balsamosura i gjej
Në sarkofagët e Babilonisë së Shpirtit
Shpik biblioteka ozoni
Për lexuesit azmatikë!
Nga vrima e një ylli të largët
Del një përbindësh abstrakt.
Ajri lëviz në pllaja si profetët
Me mjekra kërcënuese rrufesh !
Kush nga zorra e verbër
Nxjerr vetveten e tjetërsuar ?
Çdo trim mutëson frikacakun,
I dashuruari urrejtësin!
Tek qenia e një vajze
Jam gjysma e saj prej mashkulli
Akrepi i madh kur bjen mbi të voglin
Si dritë saldimi shkrep çasti i takimit
E përmbys kazanin e jeniçerëve,
Plot muzgje, shkronja dhe kaproj.
Si ta festoj Dhimbjen
Si Sabatin e shtrigave ?
Metafizika blu e gurit,
Më mbështjell plot flutura.
Ah, Poezia pa metafora
Është si populli i shpopulluar!
Trupat na koncentrohen tek fotografitë,
Ecim… po trupat i kemi aty!
Pse e kërkojmë në fushën e orës
Shifrën fatale 13?
I pavdekur nga Vdekja
Po krejt i vdekshëm nga Dashuria
Tek cingarja ime digjet
Asteroidi kozmikisht kaq i largët.
Koha është gara,
Që mbaron pa asnjë fitues,
Kujtesës i kanë rënë flokët
Dhe dhëmbët, – skleroza e ka rënduar.
Një Kryeengjëll më pret në shi,
Se e ka shpikur ombrellën e parë,
Që s’e di akoma as Zoti, Zoti.
Si hapet dera, të bisedoj me të vdekurit?
Dhe guri i fundit kilometrik
Më ka mbetur si fishku i fundit
Në revolen time fatale
Për t’u vetëvrarë padyshim!
Thundrat e mia, e dashur,
I kanë patkonj byzylykët e tu,
Me rërën e klepsidrave e bëj llaçin
Të suvatoj murin e Shpresës!
Dera mbyllet si letra e bixhozit
Për të fituar shansin e vetmisë së Budës
Akrepat e orës luajnë shah
Veç me dymbëdhjetë numra absurdë.
***
Fletët e pashkruara
Më bijen nga duart,
Si ftesa gjyqi,
Për divorcin me Artin !
Valltarët molosë,
Të vdekur, të Dodonës,
Kërcejnë në ekstazë
Me Engjëjt e Shkrimit !
Sendet heshtin,
Janë harpa Orfeu,
Po pa tela,
Pa duar muzikanti.
Trafiku rrotullohet
Në udhëkryqin e qytetit
Si koburja me mulli
E kaubojit të Western-it!
Te furra shkrirëse
E yllit të Orionit
Derdh bustin në bronx
Të Marin Barletit !
Manasterium sine libris,
Est sicus civitas,
Sine opidus,
Mensa sine cibis*
***
Dhe kronikani Amian Marcelini shkroi dikur : „bybliothecus sepulchrorum ritu in perpetuum clansis” („bibliotekat e mbyllura përgjithmonë janë si varrezat.”)
_________
* „Manastiri pa libra,
Është si qyteti
Pa mure,
Si tryeza pa ushqim » (Vargje në latinisht)
***
Kometa është fatura
E një Zoti pronar
Rriten taksat, por plebenjtë
E kanë humbur Marksin !
Në rezortin ndanë lumit Jordan
Menyja është kaq ekzotike :
Koka e Gjon Pagëzorit
Gatuar me lakra dhe erëza !
Shqipëria është vendi
Ku s’dua të kem trup,
Po pa përmasa
Të shtrihem kudo !
***
Çdo karnaval – është, – Arti, – që imiton Zodiakun !
***
Nën lëvoren, – e rrapit, – të Libohovës, – e gjej – një Foshnje, – që shekuj – më parë – lindi – të ishte – një hyjni ilire – pa emër !
***
Te çdo çmenduri, – e imja, – patjetër, – ka, – më tepër, – se sa dy përjetësi ! – Dhe luspat, – e peshqve – kanë krushqi, – me gjethet, – e pemëve ! – Dhe ndihem, – si arkeologu, – që i ka, – njëqind binjakë, – prej statuje, – po, që ai, – s’i ka zbuluar, – ende, – dhe ndoshta, – s’do t’i zbulojë, – asnjëherë ! – Dhe një sfinks – me tul midhje, – na e neverit – shijen ! – Dhe kuajt – e fjalëve, – i kanë – vrarë, – kalorësit mbretër – të kuptimeve !
***
Shtëpia dritëndezur e nënës
Është plaga më e madhe, e imja,
Në Durrësin
Ku më kanë harruar!
***
Në një Betlehem – Kompjuter, – lindin – vetëm – foshnja formula!
***
Vjen një banor hënor
Për të na thënë:
“- Se popujt janë mite,
Kurse vetmia jo!”
Tek xhepat dhoma, të shtëpisë,
I kam harruar librat
Si kartëmonedha, me të cilat
S’blen dot as ëndërra!
Sendet janë
Kohëzgjatje pa limit,
Tek dega e një sythi rriten
Flatrat e një zogu Parajse!
***
Ah, funerali, – i poetëve, – s’është, – gjë tjetër, – veç – farëmbjellje- e shenjtë!
***
Nga gjinjtë e Ajkunës
S’rrjedh qumësht,
Por rrugët
Për në Apokalips !
***
Ky trumcak, – i Imagjinatës, – zbret – nga shtrëngata, – dhe shndrohet, – në një dem qiellor – mitik!
Durrës, 23 korrik 1998
Komentet