VOAL

VOAL

Mushkonja – Tregim nga SULEJMAN MATO

June 15, 2018

Komentet

ÇMALLJA E PLAKUT NGA ÇAMËRIA- Tregim nga Bedri TAHIRI

 

Çamëria s´lypet, Çamëria merret
Epir, bëje dorën grusht dhe lëviz
O e mbijetuar e pellazge- ilirëve
Shqipëria shtrihet deri n´Prevezë!
(Atdhe GECI)

Plaku imëtak nga Çamëria, që kur në Kosovë agoi ditë e bardhë, kishte ndarë mendje e zemër të shkelte njëherë në tokën e shenjtë të Prekazit heroik. Por, kot, puna rrokullisej lëmsh. O sot, o nesër dhe nuk i vinte se nuk i vinte shtegu. Ditën që iu dha mundësia, sa s’fluturoi nga gëzimi.
-Plakë, ore e uruar, që më ke humbur si sëpata pa bisht, eja shpejt e bëmi gati rrobat kombëtare, -thirri me gjithë zë te shoqen, e cila po vraponte pas një klloçke me dymbëdhjetë zogj atje tej në fund të oborrit.
-Ah, unë korba, po ç’i paska shkrehur sot dalldia e rinisë, kur me maliherin hedhur krahut bridhte maleve dhe e luftonte hasmin nazifashist,- mërmëriste ajo, tek i kërkonte opingat me xhufka, që ishin tretur diku në fund të arkës së vjetër të nusërisë, pa të cilat nuk ecte dot.
-Për ku kështu, ore i uruar?- pyeti ajo pasi ia kishte gjetur të gjitha.
-Larg do vete, larg, në Drenicë, në Prekazin e lavdisë, në truallin e Adem Jasharit- u gjegj ai, më shumë duke mërmëritur e duke u përpjekur të shikonte fytyrën e vet të rrudhosur, në xhamin e dritares së thyer.
-Epo nuk ka lezet de, të vete ndryshe në vendin e shqipeve të trimërisë!- bënte me vete tek po hipte në makinë.
Rruga nuk qe e shkurtër, duhej kapërcyer radhë e radhë vendbanime të lashta shqiptare: katunde e qytete, fusha e male, kodra e lugje…Secili më i bukur se tjetri. Secili histori në vete…Filati, Parga, Gumenica, Konica, Arta, Parathemia, Preveza, Margëlliqi, Rrapeza, Spllanca, Kastria, Tabani, Lëkurësi, Stanova, Trikopallu, Thesprotia…
-Ore lum vëllai, ju paça për jetë të jetëve, këto vende të begata, linden njerëz të ditur e trima që të merrnin gjak në vetull, si: Akilin, Odiseun, Aleksandrin e Madh, Pirron, Papa Shën Eleuterin, Hoxhë Hasan Tahsinin, Dora d’Istrian, Muhamet Çamin, Musa Demin, Marko Boçarin, Mitrush Kutelin, Faik Konicën, Osman Takën, Bilall Xhaferrin, Qamil Buxhelin…
Kur kaloi përskaj Ardenicës, ku dikur Gjergji ynë i pavdekshëm, kishte kaluar muajin e mjaltit me Donikën e bukur, seç iu lidhën në mendje: Drenicë e Ardenicë!
Sa bukur: Drenicë e Ardenicë!
E madhërishme!
Dhe, kjo, një copë herë nuk iu shqit nga truri…
Obobo, sa e gjatë iu duk rruga nëpër trojet shqiptare.
-Po e gjatë duhej të ishte xhanëm,- i foli vetës, si me inat, duke dredhur mustakun e hollë si bisht miu, bile edhe më e gjatë do të ishte, po të mos na kishin shkurtuar të pabesët grabitqarë.
Ama këtij po i ngutej, andaj i dukej e gjatë dhe e pafund. Alpet kryelarta ende shikonin vëngër shiritin e zi që ua përthekonte shtatin me nëntë plagët e Gjergj Elez Alisë, shkaktuar nga duar të pakujdesshme…
Kur zbriti në truallin e ëndërruar, sa s’e tradhtuan këmbët. Hë, hë, dhe burrë i them vetës, bëri nëpër hundë si me inat. Një copë herë ngeli mumie e shushatur, mu në mes të rrugës. Të tjerët, që rastisen përnjëherë, moti kishin arritur te varrezat dhe po i nderonin e ky ende qëndronte i hutuar fare. Mbase ashtu edhe i pëlqente, të dehej e të ekzaltohej thellë e thellë me dhuntinë e të pavdekshmëve.
Hëpërhë, vërtet, i duhej vetmia. Po, ore, po. Ashtu do të çmallej më gjatë e më lirshëm.
Pasi pushoi pakëz dhe mori veten, u nis andej, ku edhe vizitorët veç ishin pakësuar. Rojat, dy të rinj shtathedhur, me uniforma elegante, nderonin gatitu, pa rrahur as qerpikë. I përmalluar në kulm e i zhuritur si eshka në diell, u turr drejt tyre. Aq i bënte atij për rregullat ushtarake.
Dhe, fap njërit e fup tjetrit, iu hodh në përqafim ngashërues. Ata nuk bëzanin. As ky nuk po fliste. Lotët e gulçimit i shkonin çurkë faqeve thatake e të mërdhezura nga emocionet. Sakaq u ndal dhe ra në gjunjë përpara varrit te Komandantit. Mori një plis dheu të shkrifur, mbase nga gjaku i lirisë, dhe zu ta puthte me afsh përpirës:
-Më fal Komandant, mbase u turpërova e u ligështova, por mos ma merr për keq! Lëmshi i mbledhur kaherë në grykë për pak më ngufati. Besoj që nuk jam koritur. Si thua Ti? Kur pat vdekur Skënderbeu, patën lotuar gjithë princërit e kapedanët e Arbërisë, bile Leka i pat shkulur flokë e mjekër. Patën lotuar edhe vetë fushat e malet, aq sa u krijuan lumenj e liqeje të tërë vërshues!
Ende qëndronte ashtu, si të ishte vetëm për vetëm, pa ua venë veshin mijëra syve, që si shigjeta helmuese ishin lëshuar mbi të. Vërtet, tashmë ishte ulur ndryshe, si në odë burrash, këmbëkryq. Kishte vënë përpara kutinë e bakfanit, me duhan si këmbë sokoli, dhe çibukun e zbukuruar prej shqope, trashëguar nga i ati, i cili e mbante kujtim nga trimi i asaj ane, nga Musa Demi i Filatit.
Ashtu, ngeshëm, fët e fët, zuri të mbështjellë cigare pas cigareje, ani pse dikush, mbase të gjithë, mund ta merrnin për të krisur.
-Urdhëro një duhan të sertë nga Tahir Çapari, o komandant Adem Jashari!
-Ndale njëherë këngën dhe vallen e Osman Takës e ndize një letër, o Hamzë Jashari!
-Ndoshta nuk e pi, por për hatrin tim merre një, o mësuesi i nderuar Shaban Jashari!
-Urdhëro edhe ti o…
-Urdhëroni!…urdhëroni!…
Vonë, pasi u çmall mirë e mirë me të gjithë, i luti këmbët e mpira që ta shpinin deri te kullat e qëndresës. Atje duhet të bëhem më i fortë, i tha vetës,- duke mbledhur atë pakëz fuqi që i kishte mbetur. Ashtu e kërkonte puna. Themelet e lara me gjak lirie, që suksesshëm kishin sfiduar gjithë atë zerzele mbytëse, nuk e durojnë dot lotin. Jo, jo, kurrsesi. Në këtë vatër kurrë nuk është dëgjuar tjetër, përveç kuvendime, këngë, burrëri, trimëri. Këtë e di unë fare mirë, ore lumë vëllai. Këtu kanë luftuar e qëndruar i madh e i vogël, pleq e të rinj, burra e gra. Kanë qëndruar edhe këto mure gjysmë të rrënuara…
…Beteja ka zgjatur plot tri ditë e tri net…Këtu, përpara kullës ka qëndruar baca Shaban me pushkën e gjatë…Atje, në ballë, komandant Adem Jashari, duke dredhur mustakun e duke kënduar…Më tutje, midis dy kullave, strategu Hamzë Jashari, që me gjoks i doli tankut përpara…Brenda, në bodrum, qëndronin graria, në ballë me nënë Zahiden…shpjegonte ciceroni kujdestar para vizitorëve kureshtarë.
Por ky, kishte zënë një qoshe dhe kishte tretur thellë në humbëtirat e pafundme të mendimeve. Parasysh i vegoheshin dragonjtë, duke kamxhikosur pamëshirshëm kuçedrën shumëkrerëshe…
-Ore djalosh, dua të të them një fjalë, he ta marrsha të keqen!- iu drejtua atij, kur e pa se kishte ngelur vetëm.
-Urdhëro babëlok,- fol ai lirshëm!
-Nuk iku dot pa e pirë një kafe në truallin e Adem Jasharit!- tha me zë të prerë dhe u ul këmbëkryq në oborr, mu përballë portretit të legjendarit.
-Po, si jo, ore të lumshin këmbët!- e uroi djaloshi i papërtueshëm, duke e vënë fill xhezven në furnelë.
-Ohoho!-lëshoi plaku një si psherëtimë ngrohtësie nga thellësia e shpirtit, pasi piu hurpën e parë. Takëmin e duhanit sërish kishte vënë përpara. Çibuku zuri të nxjerrë fjollat e tymit lakadredhas. Më nuk po fliste. Ishte qetësuar. Ua hidhte sytë me radhë: kullave gjysmë të rrënuara, varrezave matanë, bunkerit atje tej në maje të kodrës, ku valëvitej flamuri kuqezi. Në fund ndali vështrimin mbi kullat e reja, ku gjallonte farë e pavdekshme e Jasharëve…
-Të lumtë e të ma bësh hallall biro,- foli me zë të ngjizur, pasi kishte mbaruar. Tash u çlirova. Ja si po marrë frymë lehtë, si nositi gjoks hapur. Edhe Zotin e pata lutur që të më falte jetë veç derisa ta plotësoja këtë dëshirë të vetme.
Kaq kisha: Ta pija një kafe në truallin e Adem Jasharit!!!
Tashti edhe mortja lë të urdhërojë kur të dojë! Po, po, kur të dojë! Unë e kreva timen: u çmalla!
Atyre që sollën lirinë, u lumtë dhe ua paçim borxh edhe jetën!

KOSOVË, KOHA JONË KOMBËTARISHT- Poezi nga ATDHE GECI

 

 

Jo rrallë kam qarë me shiun  dhe stuhitë e tij, me

vetëtimat dhe murmurimat   e kotit, kam kujtime

nga koha me pushkë në dorë dhe këngë në zemër

Kosovë dardane, koha  e  një epoke kombëtarisht

Jam n´mërgim të detyruar, në mërgim ekonomik,

mërgimi  i  detyruar  nga shtypja dhe nga vrasjet

është i neveritshëm  dhe  është  plagë kombëtare.

Unë s´jam nga ata  që qëllim jete i kanë dëfrimet

kënaqësitë dhe aventurat  e  tejkalimeve  vetjake

Kam vuajtje atdheu në kraharor, dhimbje poetike

ndeshje lotësh mes mallit, dehjes  dhe  pikëllimit,

si një udhëtar i detyruar për në mërgim, koha ime

mund të quhet Promethiane, i tej plagosur nga ata

që vrasjen kishin mësim!Unë punoj për vendi tim

aq sa kam forcë e zemër t´i bëjë detyrat e mia për

atdheun, për pjesët e atdheut tim të pushtuar. Liri,

unë kam aq gjak e frymë që pikat e gjakut për liri

t´i bëj këngë, poema  dhe  dedikime  për herojtë e

kombit. Malli dhe dhimbja janë pjesë  e  jetës për

për mua, çdo  frymëzim  në  këtë temë kujtoj se e

kam bërë ashtu s´i  e kërkon misioni i shkrimtarit.

Në Gjermani  unë nuk u kundërvihem ligjeve dhe

zakoneve të tyre.Gjermanët kanë tejet respekt ndaj

njerëzve tanë të mërguar me  detyrim, shpirti  tyre

është  gjigant, Gjermania është një krah i Kosovës.

Shqiptarët  kemi  lashtësi  të  shquar dhe të ndritur

i gjithë Kontinenti i  Evropës  quhej  pellazgë-iliri

Liriun e takova një mëngjes vjeshte në Dortmund

më përqafoi fort dhe u ndalëm të bashkëbisedojmë

Trepça  dhe  pasuritë  e  Kosovës  janë  në  heshtje,

kam ardhur këtu më thotë  Liriu  për  përgatitjen  e

vullnetarëve tanë  për  Frontin e Luftës në Kosovë,

në Kosovë e gjithandej toka avullon gjak të nxehtë

kemi bekimin e popullit që t´i dalim zot Dardanisë

lufta e UÇK-së  është  e ardhmja e Kosovës së lirë,

Amerika  dhe  Aleanca  Perëndimore,  NATO, janë

në anë e Kosovës, mërgimtarët kudo janë bashkuar

për liri të Kosovës, i mërguari po jep para dhe gjak

Në rrugën drejt lirisë  unë  me  vete kisha Kosovën

gjysmën e familjes  dhe  disa  dorëshkrime  librash.

Jeta  e  poetit  është  rrugë  e  veçantë  nga  të tjerët,

rri  e  qetë  vetja  ime, mbaje veten që unë të mbajë

liria do gjakun e çdonjëri  që lirinë ta kemi në duar.

Kosovë, emri im prej gjakut  dardan, emri  im  prej

prej gjakut shqiptar, në  kraharor  kam prush kënge

gaca  të  prushit  të  lashtë  të  kohës së Prometheut

një himn kombëtar dhe  një flamur gjaku kombëtar.

O atdhe, o  Dardania  ime, o Iliri Arbërore, ndjemë,

ndodh që  hera-herë  natën kur zgjohem, dëgjoj  një

ushtimë  përroi  të  egërsuar  dhe  një  përndjekje të

qetësisë në gjumë, një  fluturim  mendimesh  të  një

mërgimtari. Liri, i  mërguari  në  mërgim  i  bart  dy

plagë; një  për  familjen  e  të  afërmit  dhe  një  për

atdheun. Kjo  ndeshje nate  midis mallit e dhimbjes

mi jep krah ëndrrave  dhe  dashurisë sime për atdhe

Kosovë dardane, koha  e  një  epoke  kombëtarisht!…

Atdhe Geci – Dortmund, 2024

Një mësim nga e kaluara…- Tregim nga Bedri Çoku

…Qyteti…”shumë i madh e shumë i populluar”, Dyrrahi,  jetonte ditët e tij të begatshme. Nëpër rrugët  e sheshet e zbukuruara  njerëzit lëviznin   lirisht; grumbulloheshin ose shpërndaheshin nën tingujt e glorisave, tibieseve, hydraulisteve  etj… sidomos, pas betejave të ashpra e të gjata me ushtritë detare e tokësore të Romës dhe fitores ndaj tyre. Banorët taulantë dhe një pakicë helenësh e maqedonas, bashkëqytetarë tashmë të lidhur si mishi me thoin në zjarrin e luftës, kundra armikut të përbashkët, gëzonin frytet e fitores, lirisë e begatisë… Kudo hidhej “vallja e shpatave”…

Edhe fshatrat përreth këtij qyteti – kërthizë  e Adriatikut, lulëzonin: bujqit punëtorë dhe  peshkatarët e  bregut të  detit merrnin  prodhime të bollshme. Midis njerëzve  mbretëronte  ligji i të   drejtave të barabarta. Ata e donin dhe e  respektonin njëri-tjetrin. I bindeshin vetëm  Këshillit të Lartë të Pleqve. Të rinjtë e të rejat ndiqnin me zell zanatet dhe punët shtëpiake. Miqësia vëllazërore, nga gjaku i njëjtë, i lidhte banorët e Dyrrahut dhe Qeverinë e tij, me  banorët dhe arkondët e Apolonisë – asokohe, shumë e  përparuar. Bënin tregti  e shkëmbime kulturore-sportive si me asnjë vend tjetër. Banorët dyrrahnianë përfitonin shumë nga arti dhe kultura  apoloniane, ngaqë të rinjtë e të rejat e  qytetit – shtet, sidomos bijtë e arkondëve, studionin  edhe jashtë vendit, kryesisht në shkollat greke e romake. Me të drejtë,  rinia  dyrrahniane,  miqësinë e vet  me të  rinjtë e Apolonisë, e quante  si një “Kurorë e bukur”… Moda dhe muzika apoloniane hynte çdo ditë e më tepër në shpirtin e rinisë së Dyrrahut. Rrugët dhe sheshet  e qytetit mbusheshin çdo mbrëmje  me të rinj e të reja  të veshur me lutiklave e pretekste të qëndisura me argjend, tamam si tebët e Apolonisë… Odeonet, vendet ku jepeshin shfaqje dhe luhej muzikë apoloniane, mbusheshin plot me njerëz të të gjitha moshave. Ata ndiqnin me kënaqësi grupe këngëtarësh e muzikantësh nga të gjitha trevat ilire, greke e maqedonase. Ndërsa agarajet, vendet ku zhvilloheshin ceremonitë e festave kombëtare dhe  fetare, gjithmonë  rrinin të hapura për njerëzit…Në stadiume, të rinjtë,  herë pas here  matnin aftësitë dhe forcën e tyre, në  sporte të ndryshme…

 

Kudo lulëzonte jeta…. Mirëpo, një ditë prej ditësh, në qytetin  e  bukur të Durrahut, u rikthye nga studimet e larta  biri  i  një familjeje  të  shquar. E pritën me lule e këngë në  portin  e madh të qytetit, ku  oratorë  të shquar thurën frazat  të sofistikuara  për  birin e  tyre të ditur. Ky ishte Epikadi, bir i  dëshmorit të luftës… madhështor me atë  veshjen ala sokratçe, por ajo  që e bëri më të  bujshme rikthimin e tij në tokën amtare,  ishte  një kafshëz e  bukur, e panjohur për qytetarët e Durraut,  që ai  e solli me vete.  Të gjithë  u habitën  me  qenien  e  panjohur, që lëvizte vazhdimisht e  s’rrinte në një vend. E gëzuar, e hareshme, ajo  sikur  njihej  me banorët e qytetit dhe  rendëte  drejt tyre  për  të  luajtur  e  përqafuar me ta.  U afronte  feçkën pranë fytyrës, sikur donte t’u fliste vetëm fjalë  dashurie.

– Po kjo kafshëz e bukur e  kaq e dashur,  ç’lloje është more ,  Epikad ?- pyeti kryeplaku i Këshillit,  filozofin e ri,  ardhur  me kënaqësi për të pritur birin e dashur të qytetit, njeriun e shkolluar të së ardhmes. – Si-ta-marr-ta-ha, or bacë ! – Iu përgjigj i dituri  – Është e rrallë në botë.  Me origjinë Perëndie! Kush e ka një të  tillë në vatanin e vet, ai  popull  s’do të njohë Vuajtje, Mjerim  dhe Luftë. E kam siguruar me sakrifica të mëdha, o plaku ynë i nderuar. Rrezikova edhe jetën,  deri sa e bëra  timen: ”Do t’ia çoj vendit  tim , thashë,   të mos njohë kurrë vuajtje  e robëri.”….

– Urraaaa !

Ushtuan brohorimat  e  qytetarëve.

– Rroftë  Epikadi!…Rroftë   Si- ta- marr- ta-haja !

Nga skela deri në qendër të qytetit, populli  e mbajti në krahë Epikadin dhe  Sitamarrtahanë e bukur e çudibërëse. Atje, kënduan këngë dhe  kërcyen  valle, për  filozofin  dhe qenien  e  tij  me origjinë Perëndie. Mirëpo,  plasi sherri: në cilën shtëpi do të qëndronte Sitamarrtahaja, sepse  të gjithë  e dëshironin ta kishin në  kopshtin e tyre…Madje, pati edhe zënka e përleshje me grushta…..

Kaluan ditë e javë, kaluan muaj  dhe jeta në Durrahi vazhdonte e qetë, e begatë…Sitamarrtaha-ja rritej e zbukurohej përditë e më shumë…Populli  i thurte  vargje  bukurisë  dhe madhështisë  së  saj. Ajo ishte  simbol i lirisë e  i lumturisë së tyre. Betoheshin për kokën e saj…bënin kurbane…Fëmijët   belbëzonin emrin e  Sitamarr-taha-së, sapo merrnin gojën…Nëpër mure, në dorezat  e shpatave, në  mburoja e unaza,  në  varëse  e zbukurime  vajzash,  shënohej emri “Si-ta-marr-ta-ha”! Gëzimet dhe ditët e mortit fillonin e mbaronin me lutje  e thirrje për  jetëgjatësinë e Sitamarr – taha-së…

Mirëpo,   pa pritur, për çudinë e  të gjithëve, disa  fshatarë, pranë qytetit,  filluan të ankoheshin për zhdukjen e djemve dhe vajzave të tyre, në mënyrë misterioze, për lopët, kuajt e  delet,  një nga një ose në tufa, që zhdukeshin ose   gjendeshin me barkun e çarë  dhe pa të brendshme, ndërsa, disa qytetarë lajmëruan  për humbjen misterioze të fëmijëve…Aq fshehtas,  sa   fatkeqët   rendnin te  Kopshti  i  Bukur i qytetit, ku jetonte  Sitamarrtaha-ja  dhe binin në gjunjë  para saj: kërkonin mëshirë… shpëtim… Luteshin  e përgjëroheshin për  fatkeqësinë  e tyre të papritur …

Qenia-Perëndi, që ua  “kuptonte aq mirë”  fatkeqësinë njerëzve , u  lëpihej  dhe  u  përqallej, thua se vërtet  do të bënte  të pamundurën për t’i shpëtuar   nga rreziqet e tjera!

Megjithatë, djem trima e të mençur, vajza të bukura e të zgjuara  vazhdonin të zhdukeshin përherë e  më shumë,  po aq papritur e në mënyrë të fshehtë!

Kryesia  e Këshillit të  Pleqve ra në hall. Kudo kishin vendosur  roje  dhe njerëz me  detyra të posaçme në të gjithë vendin, kishin bërë përforcime dhe  prita të fshehta, por asgjë… Numri i grave, nënave e motrave  me të zeza   rritej përditë e më shumë… Po dukeshin njerëz që shisnin plaçkat e shtëpisë, për të mbajtur frymën gjallë…fshatarë që shisnin tokat dhe bagëtitë… familje të tëra fisnikësh që po rrënoheshin… Pse po ndodhte kjo fatkeqësi ?  A nuk kishte  forcë Perëndie,  Sitamartaha-ja ?…Turma njerëzish të mjeruar rrinin para saj, luteshin, kërkonin ndihmë, duke kënduar këngët  e kompozuara enkas për të, bënin kurbane. Ndërsa ajo qante… derdhte lot për fatkeqësinë e tyre…

Tregonin se, nga dëshpërimi, ajo rrinte ditë të tëra pa ngrënë e pa pirë…Kudo shiheshin  rrënime, vjedhje, vrasje, plaçkitje me dhunë…njerëz që iknin nga sytë këmbët  për të  mbijetuar…E padëgjuara ndodhte pa pritur e pa kujtuar, si nga  një forcë e mbinatyrshme, si mallkim Perëndie. Kjo i alarmonte njerëzit e pafuqishëm…Mjeranë, që s’dinin nga t’ia mbanin, grumbulloheshin përreth kafshës së mahnitshme për t’i  kënduar bukurisë  dhe  mençurisë së saj, të bindur  se  perënditë  do t’ia  kthenin fuqinë  hyjnore. Por më kot. Çdo gjë shkonte  tatëpjetë, me vrull…

Ata që vinin nga vendet e tjera, sidomos nga qytetet ilire, shikonin dhe iknin të çuditur se si po shkatërrohej liria dhe begatia e qytetarëve të Durrahit ; habiteshin se si ata njerëz të virtytshëm, atdhetarë të flaktë, nga varfëria dhe frika e pasigurisë, po shndërroheshin në ca zbatharakë të këqij, që vrisnin e grabisnin njëri-tjetrin, për t’i bërë ballë mjerimit që i kllaposi aq pa pritur…Ndërkohë që  këndonin, kërcenin, argëtoheshin dhe vdisnin me  emrin e Sitamartahasë në gojë.

– Sa çudi !…Po mirë, xhanëm, nuk ka dalë  njeri, së paku, të thotë shkakun e kësaj kërdie ?

Pyeti një nga fylarkët  e Këshillit të Lartë të  Apolonisë, emri i të cilit ishte shumë i nderuar midis ilirëve, më të kulturuar të asaj kohe. Por s’mori përgjigje. Kush t’i përgjigjej ? Si t’i përgjigjej ? Nëse dikush kishte hamendësim  për diçka  nuk  ia donte zemra ta thoshte ? Kjo ia  hidhëroi   zemrën patriotit   të kulturuar. Si  mund të shkatërrohej qyteti i vëllezërve  të tij ve të gjaku, të  gjuhës, ku  njerëzit po  të vdisnin pa i afruar  kush ndihmë !?

“Kurrën e kurrës, gjaku Ilirianëve nuk do të bëhet ujë!”

Ai, më i nderuari i fylarkëve, me shpenzimet e familjes së vet,  përgatiti  ushtarët e përzgjedhur  të  Apolonisë dhe,  bashkë  me ta,  dërgoi djalin dhe vajzën e tij në Dyrrahi,   të pajisur në trup  me armët më të sofistikuara  të kohës dhe  i la të lirë të bridhnin natë e ditë  nëpër   qytet. Tadi dhe Masila e bukur, ndenjën disa javë në Dyrrahi…S’lanë rrugicë e qoshe të fshehur të qytetit  pa kontrolluar. U endën edhe nëpër kodrat përreth qytetit, edhe gjatë bregdetit të bukur, por nuk gjetën asnjë gjurmë të atij që shkaktonte fatkeqësinë. Nuk i njihte askush dhe,  cilido që i shikonte, si të dashuruar i kujtonte. Motra dhe vëllai, mes ushtarëve të Apolonisë, flinin pak e lëviznin shumë. Ditë e natë, të uritur e të rraskapitur, kërkonin  shkaktarin që  mjeronte  vëllezërit e tyre, dyhranianë …Takonin  prindër, vëllezër e motra, fëmijë e të afërm të të zhdukurve, por nga askush nuk mësonin diçka të saktë, qoftë edhe  një dyshim të vogël. Ama,  u   vinte mirë  që   fatkeqët e  adhuronin  Sitamartahanë dhe  shpresonin shumë prej saj, njëlloj    siç e  adhuronin  edhe ata   vetë, një   qenie   hyjnore….

Natën me shi e me frullisë të ftohtë,  Tadi dhe Masila trime, mbështetur, si përherë  nga luftëtarët e  shtetit  të tyre, vendosën të  mos  largoheshin nga  qendra e  qytetit, pikërisht  aty ku tregonin se zhdukeshin  njerëzit  më të mirë  të vendit, me  parandjenjën  se do t’u  shfaqej  gjëmëmadhi  i pamëshirshëm…

Dhe ashtu ndodhi.

Duke u gdhirë ata  vunë re se, drejtë  tyre,  me sytë që xixëllonin  nga tërbimi, po afrohej një qenie e kreshpëruar nga etja për gjak, katërkëmbësh, me trup të madh e putra ujku. Një përbindësh i vërtetë.

– Kujdes, Masila, nxirr armët dhe  mbrohu !- E këshilloi vëllai i tronditur   nga ç’po i  shikonin   sytë, ndërkohë që kafsha   afrohej   gati për t’iu hedhur sipër   – Futu mes ushtarëve ! – bërtiti ai dhe, me harkun e shigjetës shtrirë, sa  hante krahu,  ia  mbante shenjën në lule të ballit, përbindëshit  të llahtarshëm…

– Qenka Sitamartahaaa, Masila !..Kujdes,  sytë e saj  lëshojnë  rreze që të      verbojnë !

– Aha,   kush na paska qenë shkaktari që  vret   e rrënon  vëllezërve tanë !- Thirri Masila –  Përpara, Tadi, pa mëshirë !…Urraaa !

Ai shkrehu harkun  e fuqishëm dhe, shigjeta e helmatisur, u ngul drejt  e në syrin e majtë të përbindëshit…

Motër e vëlla dhe  ushtarët trima, iu hodhën sipër kafshës së pabesë, duke ia   grirë mishin   copa – copa…

Pas pak, edhe shiu pushoi…  Qielli u hap…Miliarda  yje shndritën kupën e paanë të gjithësisë, ndërsa  motër e vëlla,  dora-dorës, rendën të gëzuar drejtë bashkatdhetarëve   të çliruar, tashmë, nga Sitamartaha-ja, e pabesë….

Ndër shekuj, tregon gojëdhëna, banorët e Durrahit  nuk lejuan  të hynte më  në qytetin e tyre, qoftë edhe një lule, sado e thjeshtë, e bukur të ishte, pa ia mësuar origjinën me dhëmbë e dhëmballë….

GRABITQARI- Poezi nga SAMUEL BECKETT (1906-1989)- Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

zvarrit urinë e tij nëpër qiellin
e kafkës sime guaskës së qiellit dhe tokës
lëshohet përmbys që me shpejtësi
t’ua marrë jetën e të largohet
i qesëndisur me inde të mund të mos i shërbejnë
derisa toka e uritur dhe qielli të mos bëhen fir

KUAJT NË MESNATËN PA HËNË- Poezi nga JACK GILBERT (1925-2012)- Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

Zemra jonë endet e humbur në pyll të errët.
Ëndrra jonë përballet në kështjellën e dyshimit.
Por ka muzikë në ne. Shpresa është fundosur
por engjëllesha fluturon përsëri duke na marrë me vete.
Mëngjeset e verës fillojnë ca nga ca
ndërsa ne flemë, dhe ecin me ne tevona
si bukuri këmbëgjata nëpër
rrugët e pista. Nuk është befasi
që rreziku dhe vuajtja na rrethojnë.
Ajo çfarë na habit është të kënduarit.
Ne e dimë se kuajt janë atje në livadh nëpër terr
sepse ne ua ndiejmë erën atyre,
mund t’i dëgjojmë tek marrin frymë.
Shpirti ynë ngulmon si një njeri që lufton
nëpër luginën e ngrirë
e cila papritmas kundërmon lule
dhe e kupton se bora po shkrin
atje kundruall në majë të malit,
e kupton se pranvera ka filluar.

 

QINGJI E KORBI- Poezi humoristike nga ANDREA ZALLI

 

 

Krrakatja e korbit vëmendjen i tërhoqi

Qingjit që me tufën po kulloste n’pllajë,

Si natyrë kureshtare që ishte, zanin ndoqi

Deri që pa zogun në nji pemë, nalt në majë.

 

-T’lutem, i tha qingji, a mund t’më tregosh:

Çka ban gjithë ditën, ma thuej të vërtetën?”

-Asnji gjâ prej gjaje, more bukurosh,

Thjesht rri ktu i ulun edhe shijoj jetën.

 

-Si shijohet jeta ndejë, pa bâ asgjâ?!

“Duhet mund e punë” mue m’thojnë gjithnji!

-A ke ndi ndonjiherë për mbret apo pasha?

Shembullin e tyne ndjeku, provoje edhe ti.

 

Qingjit iu duk kshillë që s’mund t’refuzohej,

Ndaj u shtri n’rrazë t’pemës edhe mbylli sytë,

Por s’vuni ré ujkun teksa po i afrohej

I cili iu hodh sipër …e nuk pa mâ dritë!

….

 

Nëse ndokush prej jush ndonji paqartësi ka

Rreth ksaj historie e rreth moralin të saj,

Që ta shijosh jetën ndejë, pa bâ hiç asgjâ

Duhet që t’rrish nalt, krejt nalt, në majë.

Njerëzit e zakonshëm dhe njerëzit e jashtëzakonshëm* – Nga FJODOR DOSTOJEVSKI- Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

“…njerëzit, sipas ligjit të natyrës, ndahen gjithmonë në dy kategori: në atë të ulët (njerëz të zakonshëm) ose, si të thuash, materiali i cili përdoret vetëm për të riprodhuar e tij, dhe njerëzit e vërtetë, domethënë ata që kanë dhuntinë ose talentin për t’i thënë një fjalë të re botës së tyre. Është e qartë se mund të ketë nënndarje të pafundme, por secila prej këtyre kategorive ka tiparet e veta mjaft të përcaktuara: kategoria e parë, ose për ta thënë në mënyrë të përgjithshme materiali, përbëhet nga njerëz që nga natyra janë konservatorë, të respektueshëm, të cilët jetojnë të nënshtruar dhe iu pëlqen të jenë të nënshtruar. Dhe, për mendimin tim, këta e kanë edhe për detyrë të jenë të nënshtruar, sepse ky është funksioni i tyre dhe nuk ka asgjë poshtëruese në këtë. Në kategorinë e dytë të gjithë shkelin ligjin, janë shkatërrues, ose të paktën janë të prirur të jenë të tillë, duke gjykuar nga aftësitë e tyre. Krimet e këtyre njerëzve, natyrisht, janë relative dhe të ndryshme: shumica kërkojnë, me formulime të ndryshme, shkatërrimin e së tashmes në emër të një të ardhmeje më të mirë. Por nëse njëri prej tyre, për të realizuar idenë e tij, duhet të kalojë mbi trupin e dikujt, të derdhë gjak, me thënë kështu, për mendimin tim ai brenda vetes me ndërgjegje ka të drejtë të vendosë ta derdhë atë gjak, por kjo, kini parasysh mirë, edhe në varësi të idesë dhe të rëndësisë e saj. Dhe vetëm në këtë kuptim… e kam fjalën për të drejtën e tyre për krim… Dhe gjithsesi nuk ka pse të alarmohet: masa e njerëzve nuk ia njeh kurrë këtë të drejtë, i ekzekuton dhe i var (pak a shumë) dhe ta bëjnë me qëllime të mira, duke përmbushur kështu funksionin e tyre konservator, edhe nëse në brezin e ardhshëm po kjo masë do të përkulet para atyre që ishin ekzekutuar dhe do t’u ngrejë monumente (pak a shumë). Zoti i së tashmes i përket kategorisë së parë, zoti i së ardhmes i përket të dytës. Të parët e ruajnë botën dhe e shtojnë atë numerikisht, të dytat e lëvizin botën dhe e drejtojnë atë drejt qëllimit të saj. Të dyja palët kanë të njëjtën të drejtë për të ekzistuar. Me pak fjalë, të gjithë kanë të drejta të barabarta…

Jashtëzakonisht pak burra lindin me ide vërtet të reja, apo edhe të aftë për të thënë diçka të re, madje është e çuditshme se sa pak janë ata. Por një gjë është e qartë, se rendi në të cilin lindin njerëzit e të gjitha këtyre kategorive dhe nënkategorive duhet të varet saktësisht dhe rreptësisht nga një ligj i natyrës. Natyrisht ne nuk e dimë ende këtë ligj, por besoj vërtet se ekziston dhe ndoshta në të ardhmen do të mund ta zbulojmë. Masa e madhe e njerëzve, materiali, ekziston vetëm për të qenë në gjendje të arrijë fundin përmes një përpjekjeje të caktuar, përmes një procesi ende misterioz, përmes kryqëzimit të specieve dhe racave, për të gjeneruar një person, qoftë edhe një në një mijë, të pajisura me pak frymë pavarësie. Dhe të njerëzve me një shkallë edhe më të madhe pavarësie, një në njëqind mijë. Por vetëm një në miliona burra të shkëlqyer lindin, dhe gjeni të mëdhenj, figura që kanë çuar në përkryeshmërinë e njerëzimit, mirëpo, vetëm një mund të lindë pasi mijëra miliona njerëz kanë kaluar në faqen e dheut. Me pak fjalë, padyshim që nuk e shikova amën nga e cila buron gjithçka, por sigurisht në bazë të gjithë kësaj ka dhe duhet të jetë sigurisht një ligj të natyrës, nuk mund të jetë rezultat i rastësisë”.

(Nga romani “Krim dhe ndëshkim” – fjalë të vëna në gojën e Raskolnikovit)

ATJONI DHE “VOAL”…

Atjoni shkëlqente prej poezisë.
Dhe vetë është një poezi e magjishme.
Adonis

“Voal” e njeh Atjon Zhitin, ka botuar më parë shkrime, vëzhgimeve të tij rinore që ai solli, me atë vrullin studentor, qartësinë dhe porositë si “kredo” dhe ndjehen po aq aktuale e të freskëta.
Atjoni studionte për filozofi në Itali, në Universitetin “Sacro Cuore” të Milanos. Ndërkaq ishte dhe anëtari më i ri i PEN Clubit italian, po kështu dhe anëtar i Parlamentit Rinor Europian, përfaqësonte të rinjtë shqiptarë..
Atjon Zhiti është autor i librit, “Për atë që dua(m)”, (bot. 2015) një përmbledhje me ese, recensa, poezi, intervista e përkthime të një 19 vjeçari, i pritur me dashuri nga lexuesi, sidomos të rinjtë dhe kritika, ku guximi në ide gërshetohet me ëndrrën dhe përkushtimin, që bëjnë të besosh se brezi i ri di të dojë, të kërkojë dhe të presë nga vetja, ku vizioni lidhet me kritikën konstruktive, për të ecur përpara si vend.
Po kështu në Prishtinë enti botues “Bogdani” ka nxjerë librin “Jam Atjoni”, përmbledhje skicash dhe shkrimesh të ndryshme.
Para se të dilte albumi i madh “Opera Atjon” (në shqip dhe italisht, bot. 2017), ku janë riprodhuar të gjithë vizatimet dhe pikturat e tij të fëminisë dhe adoleshencës, me vlerësime nga studiues e kritikë arti nga vendi, më pas dhe nga të huaj, ishin hapur dhe ekspozita me punime të Atonit në mjedise universitare.
Artikuj të Atjonit kanë dalë në shumë media në Shqipëri e Kosovë dhe në diasporë, në Itali, Zvicër, Mbretëria e Bashkuar, SHBA. Pjesë të tyre janë përkthyer dhe në gjuhë të tjera si italisht e rumanisht. Po kështu ka dhe botime të tjera, libra të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit me kopertina dhe ilustime nga Atjon Zhiti. Për “Studentin e përhershëm” siç e quan gjenerata e tij, kanë folur dhe shkruar personalitete të njohur të kulturës shqiptare, por dhe asaj të huaj.
Në Romë, në një nga kishat pranë Piazza “Navona” është dhënë koncerti për violinë dhe piano, kushtuar Atjonit.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Fëmijë “Giffoni” ka dhënë çmimin me emrin “Atjon Zhiti” për anëtarin më të mirë të jurisë, ku ai bënte pjesë dhe ishte dalluar në takimet në Shqipëri dhe Itali.
Dhe në letërsi jepet çmimi ndërkombëtar “Atjon Zhiti” nga Shoqata e Shkrimtarëve “Bogdani”, me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel. Ky çmim së pari shkoi në Argjentinë, më pas në Itali dhe së fundmi në Japoni.
Emri i Atjonit është bërë më i njohur dhe më i dashur për të gjithë që e kanë njohur apo lexuar. Ai çeli një rrugë dashurie e dritë për të rinjtë dhe vërtet në Tiranë është emërtuar dhe “Rruga e Atjonit”, ajo në hyrje të Parkut të Madh, që bashkohet me Rrugën “Faik Konica”, të cilin ai e adhuronte.
Në nderim të Atjonit tonë, si ideal dhe frymëzim në këto 10 vjet për gjeneratën e tij, po nxjerrim nga shkrime të tij dhe skica, thënie dhe poezi…

– Redaksia –

 

DO TA RREGULLOJMË BOTËN ME BUZËQESHJE
Kështu thoshte Atjoni.

E dëshmon gjenerata e tij, shokët dhe dhe shoqet e shumta që e adhuronin kudo.
Na e tregoi dhe studenti nga Kosova, në përurimin e librit “Për atë që dua(m)” të Atjonit në Universitetin Europian të  Tiranës, në Aula Magna, të mbushur si kurrë ndonjëherë, me të rinj, intelektualë, shkrimtarë, deputetë, ish të burgosur, të panjohur, vinin të tjerë, s’kishte më vende, rrinin dhe në këmbë, etj.

Pasi folën emra të njohur për vlerat e librit, mesazhet që përcjell e befasitë, u ngrit në fund dhe një djalë nga salla, “Vij nga Prishtina, – tha, – posaçërisht për këtë takim, jam student në Zyrih, Ylli Haziri quhem.
Jam më shumë sesa shok i Atjonit, – vazhdoi ai – jam vëlla i tij. E kam njohur në mbledhjet e Parlamentit Rinor Europian, ai si shqiptar nga Shqipëria dhe unë si shqiptar nga Kosova. Kemi qenë bashkë në Riga e Barcelonë, në Paris e Pragë, në Beograd, Preshevë dhe Prishtinë, në shtëpitë e mia…kam mbresa të pashlyeshme. Atjoni ishte aq sa i mirë, po aq dhe dinjitoz, të  përqafonte fuqishëm dhe kishte mendime të fuqishme; i gjithi i çiltër dhe gjithë dashuri.
Atjoni kishte dy dashuri të  mëdha, – tregoi ndër të tjera ai, teksa dridhej mes emocionesh të  dukshme për shokun e tij, – dashuri për dashurinë, për vajzat si të thuash, dhe dashurinë për atdhe, ku brenda kishte dhe Kosovë. Dhe prekej shpejt…”.

Atjoni dinte të bashkonte. Në një nga takimet e Parlamentit Europian të të Rinjve, ai është mes shokëve shqiptarë dhe serbë, ku me njërën dorë po mban të shpalosur flamurin e Republikës së Kosovë dhe me tjetrën atë të Serbisë. Me çiltërsinë e tyre, ata 19 vjeçarë, benë atë që politika e dy vendeve, por dhe ajo ndërkombëtare, nuk po e realizon dot. Pranuan tjetrin. Fotoja e këtij çasti është vërtet emblematike…

“Do ta rregullojmë botën me anë të buzëqeshjeve”, na thoshte Atjoni – e përfundoi fjalën e tij studenti nga Kosova…

Buzëqeshja e Atjonit mbetet vepër arti, ajo të bënte për vete, që jo vetëm ta doje, por dhe ta besoje Atjonin menjëherë. Ishte ai që këmbëngulte ndër shokë se duhej të studionin, në universitet jashtë sa më shumë, në Europë e Amerikë e të ktheheshin patjetër, se “Atdheun do ta bëjmë ne”, besonte, “më të bukur dhe më të fortë.”

“Ne do ta sundojmë botën me buzëqeshje e punë të pareshtur” – u bë credo-ja e tij, që ia gjeneratës së tij si emblemë.

 

KOHA ME ATJONIN…

Ashtu siç ka “Rruga e Atjonit” në Tiranë, ka dhe një “Kalendar të Atjonit”, i shpërndarë në shumë shtëpi në shumë vende, me nga një pikturë të tij dhe me nga një thënie, të nxjerrë nga libri i Atjonit, në shqip, në italisht dhe anglisht.
Ato kanë bukurinë dhe mençurinë e moshës:

1 Të bësh të kthehen gjërat në shërbim të lumturisë së njeriut.
2. Drejtësia është ai princip, ku çdokush bën vetëm ato gjëra që prej natyre e ligji është thirrur të bëjë.
3- Shkencat shkojnë para, sepse nuk gabojnë dy herë në të njëjtën mënyrë po ashtu si dhe njerëzimi Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenit zëvendësohet nga dukja.
4- Duhen patur si burim force e njëkohësisht “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës.
5- Kërkimi është zhveshje
6- Të ndërgjegjësohemi e së bashku të bëjmë një kryengritje morale të vazhdimtë…
7- Dashuria ime është tek ju, sepse ju dua shumë, jam i menduar, se dua te jem te ju: zemër.
8- Dashuria për dije është e pa kohë dhe e tillë do të jetë. Nuk do pranoj çka nuk më pëlqen, por do të mundohem të njoh gjithçka, kohë nuk kam për paragjykime, tabu, etj.
9- Tirania luftohet me dije, gadishmëri ndaj vuajtjes, intelektualizëm dhe objektivizëm ndaj realitetit pa pasur frikë.
10- Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë.
11- Që konflikti të mos jetë torturë, por vuajtje intelektuale, mundësisht gëzim. Lumturia është detyrë, por të mos ndjehet si e tillë.
12- Jeta s’duhet mbivlerësuar duke menduar se është e gjatë dhe e përjetëshme, por njëkohësisht nuk duhet nënvlerësuar duke thenë se është e kotë dhe e shkurtër, jeta është një hua dhe ne duhet ta lajmë atë duke bërë mirë.

POEZIA DHE SI EPILOG

Poetja nga Argjentina, Susana Roberts është fituesja e parë e Çmimit Ndërkombëtar në letërsi “Atjon Zhiti”, që e jep Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel.
Po sjellim dy poezi të saj:

SUSANA ROBERTS
ÇAST SUBLIM

I dashur Atjon, ku je këtë të diel pasdite,
ndërsa dielli sapo del me fytyrën tënde?
Vallë je në rrugën e gjerë,

Në realitetin tim të largët vrava mendjen
se për çfarë e kishe fjalën:
Për lirinë?… Për dritën?… Për paqen?…

(Përktheu nga origjinali Bajram Karabolli)

DISA NGA THËNIET PËR ATJONIN:

Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…
Helena dhe Ismail Kadare
Shkrimtarë, Tianë-Paris. 

Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar.
Gëzim Qendro
Studiues, kritik arti, Tiranë

Kapja e universit në të gjitha dimensionet. Kjo është fabula e pikturës së tij. I mbërthyer nga ky detaj artistik… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…

Gëzim Tafa
botues, kritik arti, Tiranë

Bota është më e varfër pa Atjonin… Një engjëll i bukur që na fali gjithmonë dashuri, ngrohtësi e miqës…
Luan Topçiu
kritik arti, studiues,
Bukuresht, Rumani

…libri të Atjonit – testamenti i Tij për Shqipërinë, një testament që do t’u drejtohet bashkëmoshatarëve të Tij më fatlume. Ai do të jetë si Ungjilli për ta…

Eugjen Merlika
Studiues, Itali

 

TË HUAJT PËR ATJONIN

Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…
Robert Elsie 
albanalog kanadez,
Berlin, Gjermani
        

Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të tijin…
Sebastiano Grasso
Poet, President i PEN Clubit, Itali
Atjoni i vogël e ka kuptuar dhe vizatimi i tij është një “strategji politike” e madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.
Giampaolo Mattei
Gazetar, Romë, Italian

– Në shkrimet e Atjonit ka filozofi, jo si diçka abstrakte, por të lidhur me politikën, jo në kuptimin e politikës sot, por si te grekërit e lashtë, pjesë e jetës, ndërkaq të lidhura aktualitetin…
Mauro Geraci Antropolog, studiues i letërsisë shqipe,
Romë Itali

Është tronditese, një mrekulli në ngjyra… Një fëmijë që mbledh kështu një civilizim 4000 vjeçar dhe arrin të njëjtën sintezë… Atjoni ka ndjerë shpirtin universal, shpirtin e Zotit, me rëndësi humane.
Padre Marko I. Rupnik
Profesor Teolog, artist,
Universiteti Gregorian. Romë.

…një xhevahir krijimtarie… Libri i Atjonit do të vendoset në sektorin e artit në bibliotekën e dikasterit e do të mbetet si dëshmi e një figure që bëri shumë për kulturën në një hark të shkurtër kohe, që na dha shenjën e gjenialitetit të tij.
Kardinal Gianranco Ravasi
Biblist, kritik arti.
Ministër i Kulturës Vatikan

…Atjoni shkëlqente prej poezisë. Dhe vetë është një poezi e magjishme.

Adonis Poet, Paris, Francë

 

 

 

 

 

Krimineli- Tregim nga Bedri Çoku

Salla e gjyqit ishte e mbushur plot me njerëz. Disa gra në radhën e parë mbanin shami në duar, gati për t’ia plasur vajit, kurse burrat dhe djemtë qëndronin të menduar e hijerëndë. Dikush psherëtinte… ndërsa e qeshura e një studenteje, andej nga fundi i sallës sikur vinte nga larg. Ajo tallej me shoqet e shokët. – Zhuljeni, duket, do të jetë ende në dhomën e tualetit. Ndërsa ne..hëm, presim! Po a pritet kështu, me buzë të varura? Mirëpo, fjalët e të qeshurat i bezdisnin njerëzit, që prisnin me padurim hyrjen e kriminelit në sallë. E, sapo heshtnin ata, fatmirësisht dëgjoheshin fjalët e belbëta të një fëmije, në krahët e të ëmës, që e ndryshonin mjedisin e trisht. Së fundi, erdhi çasti i shumëpritur. Bisedat dhe pëshpërimat i mbuloi pasthirrma e lemerishme e disa njerëzve te dera anësore, kur policët e armatosur po sillnin, midis tyre, një djalë të pashëm e krenar, me duart e lidhura grusht, mbi të cilat rëndonin hekurat e rëndë. E çuan përbri vendit ku rrinte trupi gjykues. E urdhëruan të ulej, por ai i vështroi me mospërfillje ata që e urdhëruan. Ngriti kokën lart për të parë krejt pamjen e sallës. U ul disi i shpenguar. – Biiir! U dëgjua prapa kurrizit zëri i nënës. Ai ktheu kokën dhe trupi iu rrëqeth. – Biiir i nënës. Unë… .Unë… . Fliste ajo duke surbitur lotët që i binin buzëve. Ai u mallëngjye. Vështroi nga xhamllëku i dritares, ku në qiellin e kaltër, një bashkë reje e bardhë, dukej sikur ishte në ikje. Sa keq! Zërat në sallë, si zhaurimë valësh, ia deformonin fjalët e ngrohta të nënës. I vini copa-copa, me ngashërime të dhimbshme, si pika helmi, si ëndërrat e trembura e të ankthshme në qelinë e ftohtë.- Ktheje kokën nga unë, xhan!… Vdiqa nga malli… M’u dogj shpirti… Oh! Neli i nënës! I lutej ajo. Por ai s’donte të shihtte fytyrat e njerëzve në sallë, që e urrenin dhe e përbuznin për krimin që kishte bërë. Biiir! Përpiqej ajo të mbulonte pëshpërimat e njerëzve… “Ah, kjo nëna… s’më le rehat të vdes si burrat!” Kam kaq kohë… .o shpirt! Ktheje kokën, xhan!… Ktheje, o trimi i nënës… Këtë herë atij iu mbushën sytë me lot, zemra i gufoi dhe vdekja iu duk e dashur, e bukur… Donte t’i dëgjonte edhe një herë fjalët e fundit… ” O, trimi i nënës!” E ktheu kokën nga ajo dhe buzëqeshi. – Ashtu, të keqen nëna: të të shoh, të ngopem dhe të vdes edhe unë me ty… .Nënë e bir e përpinë njeri-tjetrin. Policët e urdhëruan djaloshin të mos shikonte më nga salla, por ai vazhdoi t’i buzëqeshte nënës, të çmallej me fytyrën e saj të vogël, të fishkur para kohe. I pandehur, kthehu përpara! – bërtiti polici me zë të fortë. Ai donte të dëgjonte edhe një herë fjalët: “… Trim i nënës”, që ishin baras me vdekjen, me Gjithësinë, me Dashurinë, për të cilën po flijohej. Folmë, Neli… të dëgjoj nëna zërin tënd, folmë! Shoqe qytetare, rregulli në sallën e gjyqit, ju detyron të heshtni!- Foli ashpër polici. I flas tim biri, shoku polic. Është djali im që… s’do ta shoh më. Nënë! Pusho maskara! Oh, zëri yt i bukur!… O shpirt i nënës!… I vetmi nënës. Në sallë ra qetësi varri. Djaloshi, në këmbë, përpiqej të përballonte policët, që donin t’ia mbyllnin gojën, ndërsa nëna zuri fytyrën me duar dhe u shkreh në vaj. Mos qaj, nënë! – bërtiti ai. Ajo zbuloi fytyrën. – Nuk qaj, bir, më fal! Ai u ul më në fund dhe hodhi sytë nga dritarja, me zemrën mal. Nëna e vlerësonte… “Por unë s’dua të vijë ajo me mua. Luiza nuk e donte. Edhe në atë jetë do ta urrejë… S’dua të vijë… na shqetëson… – Çohu! E urdhëroi polici, ngaqë në sallë hyri trupi gjykues. Djaloshi u ngrit në këmbë paksa i hutuar, kur pa dy burra dhe një grua duke zënë vendet në podium. Njëri prej tyre vuri buzën në gaz dhe urdhëroi policët t’ia lironin duart të pandehurit, nga hekurat.

U shuan edhe zhurmat e fundit, andej, nga qoshja e sallës. Nisën formalitetet. Sekretarja, grua e re, shënonte me shpejtësi, pyetje – përgjigjet. Djaloshi fliste saktësisht dhe serioz. Menjëherë pasi mbaruan formalitetet, prokurori, një burrë i shkurtër dhe i vrazhdë në fytyrë, u derdh mbi të pandehurin egërsisht e me urrejtje. Zoti Kryetar, tha ai, kriminelët në vendin tonë socialistë, janë shëmtirë, kancer, plagë e keqe e shoqërisë. Përpara nesh, fatkeqësisht, ndodhet një nga këta gjakatarë, që këputi jetën e një luleje të bukur, filiz të shëndetshëm të shoqërisë sonë. Ndaj më dridhet zemra e më paket fryma, teksa shoh ende gjallë, para nesh, këtë katil, përbindësh dhe varrmihësi i vajzës sonë të shtrenjtë, motrës së virtytshme, shoqes dhe anëtares së devotshme të organizatës së rinisë, Luiza Koçinit… Djaloshit i drithëroi shpirti nga permendja e emrit të viktimës, që ai e kishte vrarë me duart e tij. Emri i saj e përcolli dhunshëm jashtë sallës së gjyqit, në bregdet, ditë vere, ku valët e shkumbëzuara, si shqerra të bardha, ndiqnin njëra-tjetrën dhe përplaseshin në këmbët e zbathura të Luizës së vetmuar. Ç’ishte ajo vajzë, që ecte e menduar, e brengosur, bregut e bregut? Mos e kishte fyer ndonjë djalë? Skënderi e vuri re i pari, kur ajo u nda nga shoqet, pa përfillur vështrimet e djemve lakmiqarë e të grave kureshtare, dhe mori bregut e bregut… Me një fustan të hollë, që i varej nga dy rrypa të ngushtë në supe, në shoqëri me vetveten… Një copë herë e shoqëruan vështrimet e njerëzve të çuditur teksa ajo largohej mospërfillëse, por pastaj nuk u interesua njeri për siluetën e brishtë, që humbiste e zvogëlohej vazhdimisht… Skënderit iu qep prapa. Emrin ia mësoi nga shoqet, kur ajo luante volejboll me to, në rërë. Luiza! Sa emër i bukur, vërtet si një tingull femëror!… E çuditshme edhe kur luante volejboll ajo se si ulej e merrte topin… Ngrihej ngadalë, duke bashkuar gjunjët. E mbërthente atë sikur të ishte diçka që do të thyhej dhe e lëshonte fltuturimth me majat e gishtave, si të ishte një zogth për fluturim… Mirëpo, nuk lozte me qejf, nuk ishte hiç sportiste. Trupi i hollë sa s’i këputej në vrapim. Skënderi e kishte parë gjithë kohën pa ia ndarë sytë… Iku autobusi i fundit për në qytet dhe ai s’e kishte vënë re fare. Vajza që luante volejboll, pa qejf, ia kishte rrëmbyer zemrën. Luiza ndaloi dikur dhe, u ul në rërën e vakët, sapo dielli i afrohej sipërfaqes së detit, i madh, i kuq, si shandan i varur në qiell. Atë vështronte Luiza, kurse rërën e vakët e shpërndante me grushte nëpër pulpat e zbuluara. S’e ndjeu fare djalin e magjepsur, që iu afrua tinëz dhe e vështronte nga pas qafën e hollë, ngjyrë alle, flokët e zinj të prerë dhe krejt trupin e hajthëm, të mbështetur në njërin krahë, e tretur në mendime. Flladi i lehtë ia valëviste balluket mbi ballin e lartë e të rrumbullakët. Ai vendosi t’i fliste. Por si ta fillonte bisedën? Qëndroi një copë herë në mëdyshje, i përqendruar tek ajo, që s’jetonte fare në këtë botë… Zhaurima e valëve vinte si bisedë vajzash të shqetësuara… “Po sikur ajo të ishte duke pritur një tjetër? ” Megjithatë, ai iu afrua edhe pak dhe i tha: – Pse rri vetëm, Luiza? Vetëm buzët lëvizi, sepse zëri nuk i doli. Kjo i dha më tepër zemër. – Pse je larguar nga plazhi? … Më fal, po pse rri e mërzitur? A pret njeri tjetër? … Ajo s’iu përgjigjej, as sytë nuk i shkëputi nga horizonti i kuqërremtë. Ai priti me shpresë që ajo do kujtohej, të paktën për kofshët e zbuluara, ngaqë pranë saj ndodhej një njeri i panjohur. Apo kujtonte se rëra e shpërndarë ia mbulonte lakuriqësinë në sytë e tij? Ç’ishte kjo vajzë e çuditshme, që s’ donte t’ia dinte as nga prania e një të panjohuri? Së fundmi, ai u shfaq para saj dhe busti i tij i madh, ia bllokoi horizontin. Ajo pa një copë herë gjoksin muskuloz, pastaj fytyrën. Iu duk i pashëm e burrëror, por idiot dhe i egër. I kaluan të dridhura në trup. Kokën e vari në gjoks. – Më lini vetëm, ju lutem! – i tha e bezdisur. – Unë… unë… Dua vetëm, vetëm ju thashë! Ai e pa atë drejt e në bebëza.“Oh, ç’ fytyrë e bukur! Sytë e perënduar, si dy yje të mekur, me faqet e zbehta e flokët e zinj të gafrruar nga ujë i detit, tregonin se vashëza kishte rënë në mjerim.. Ai mbeti si i ngrirë. Ajo shtriu fustanin deri tek gjunjët, mbuloi gjoksin e vogël përpëlitës, me parakrahët dhe e ktheu trupin anash. Atij i fluturoi mendja nga padurimi për t’u marrë vesh me të. – Luiza! – thirri dhe ra në gjunjë para saj. E bezdisur, ajo ktheu kokën në anën tjetër, kurse ai ia kapi dorën dhe e shtrëngoi në gjoks. Më quajnë Skënder… Dua vetëm shoqëri me ty.- Posi!… Edhe Eshersti kështu i thoshte Migenit.(personazh në librin “Lulet e mollës”)- Luiza… Ah, Migen e shkretë! Pse u dashurove me një djalë të keq, e budalla? Pse? Unë s’jam i keq, Luiza… .- Aaaa!Ja ktheu ajo me qesëndi – Më vjen keq, të betohem… .Përse je mërzitur? – Haj!… Ja bëri me përbuzje për keqardhjen e tij. Ai mezi u përtyp. Ju djemtë jeni shpirtvegjël e të djallëzuar… Shëtisni nëpër botë me gjuhën e bilbilit dhe grabisni e robëroni zemrat e vajzave te mjera… .Unë s’ jam i djallëzuar, Liza… S’ta dua të keqen, asnjëherë… Luiza më thuaj… E di!… Po përse, atëherë, më ndoqe nga prapa? A nuk të ndjek njeriu i djallëzuar kështu? Pyeti ajo si një vajzë e vogël dhe u treb nga fjalët e veta. Kurse ai uli kokën, tërhoqi rripat e kanotierës, që ia shtrëngonin gjoksin e fryrë dhe heshti. Edhe Luiza bëri si ai.Pastaj Skenderi pyeti: Kush janë Migeni… Esheresti? – Ua, nuk e di? !… S’e paske lexuar “Lulet e Mollës”? – Lulet e mollës!? … ..- Po. Të Gollsuorthit.Jo, s’e kam lexuar… Bile, sot e marr vesh se qenka një libër i tillë në Botë… .i Gollusorthit- Gollsuorthit, ndreqi ajo.- Po, Gosullorthi.- Goll-su-or thi.- Goll-su-or-thi.- Bravo! Tani e the mirë… Jo, Esheresti, por Eshersti.- Eshresti- E-sher-sti.- E-sher-sti. – Ha, ha, ha! Qeshi, ngaqë vërtet iu duk idiot, por i çiltër… . ”Zemrën e paska të pastër”, mendoi.Nuk lexoj shumë libra, Luiza. Punoj mekanik. Kam lexuar vetëm “Lulja e Kujtimit”, “Sikur të isha djalë” …e ndonjë tjetër. Çfarë të tjerë? Romane. Po cilët romane? Ajo shikonte ballin e rrudhosur të djaloshit, që s’i kujtoheshin titujt e romaneve… “Zonja Bovari” e ke lexuar? Jo. – Po “Evgjeni Grande”? … .Ah, e shkreta Evgjeni! Ajo prapë u bë e trishtuar dhe ia qepi sytë detit. Buzët që i lëpiu iu bënë shumë të bukura. Ai ia rrëmbeu duart dhe e tërhoqi me kujdes që të ngriheshin së bashku në këmbë. Luiza shkundi fustanin dhe u nis para tij . Skënderi ecte prapa, i dëshiruar për trupin e hollë e të gjatë dhe, i çuditur, thoshte me vete: “Më se vallë ushqehet kjo vajzë? Duket sikur është e ndërtuar vetëm me eshtra zogjsh? Dridhet si tel milimetrik… ..Dhe ecën kaq lehtë e bukur!… Ku ka qenë më parë që s’e kam njohur? Ajo u kthye pa pritur nga ai dhe bërtiti: – Pse më ndjek prapa si hije? Ai uli kokën i turpëruar dhe donte të fliste. Por ajo s’e la. E shikon këtë hapësirë, detin? Thuaj, a ka në botë, vallë, ndonjë djalë që e ka zemrën kaq të madhe? E ktheu me forcë nga deti. Ai veç e shikonte i habitur – Ah, e zeza unë… sa dëshirë kam në këto çaste, të jem në krahët e fuqishëm të atij djali!… Të më ngrinte lart, lart dhe të më çonte mu në mes të detit… Më thuaj, a ka? Ai vështroi krahët e tij. – Ja, atje… E sheh atë dritëzën… atë që ndriçon? – Po. E shoh… Është fanari. A më çon dot atje? Atje? Por atje mund të shkosh vetëm me barkë. Edhe me not… A di not? – Di.

 

– A shkojmë? – Është larg, Luiza dhe… dhe… Skënder, të lutem, më shoqëro! Sonte, kam qejf të shkoj deri atje larg, larg nga toka… Mirë, ku të duash ti… por, mos vonohesh për në shtëpi? Mos të flasin? Mua? !… .Pse, si kujton ti, vetëm ata duan të jetojnë? Është larg, Luiza… Ndoshta.. Ajo e mbërtheu nga krahët dhe e shkundi, duke thirrur: Dua të shkoj atje… duaaaa! E sheh që s’je ti ai djalë në botë të më dojë me gjithë shpirt… .Ouf, e zeza unë… ëndrrat e mia! Sa shumë e dua atë djalë që më ndjek deri në fund të botës!- Luiza, unë të dua… Posi!… Si më do mua? … . Sa më do? Shumë. Shumë? Dhe e puthi. Atij i ngecën fjalët në grykë. Kaq shumë? – i tha ajo. Ai donte ta pushtonte mes krahëve, por ajo i rrëshqiti… iku. Ndiqmë, pra!- thirri. Luiza. Nëse më dashuron “shumë” eja, pra! Dhe u hodh në det. – Skënder, eja!… .Po më kape, puthmë Ai u lëshua si i hasdisur drejt saj, duke notuar më tërë forcën e krahëve…

Ajo po largohej me shpejtësi. Më në fund e arriti… Tani, puthmë, Skënder! U fundosën të dy të përqafuar. Shkuan deri në fund të detit. Ai u dha këmbëve dhe trupit me forcë për t’u ngjitur lart, ajo e tërhoqi poshtë. Shkuan përsëri në fund. Këtë herë ai i përplasi këmbët shumë, shumë që të arrinin në sipërfaqe. Ua,… për pak u mbytëm! – i tha ajo duke qeshur. Dhe ia shtrëngoi kokën në gjoks me dashuri. Notonin pranë e pranë. Gjithmonë duke u larguar nga bregu. Ti notuake shumë mirë, Skënder. Më ty shkoj edhe përmatanë detit… U lëshua përpara me vrull. Ai pas. Dallgët e mëdha i mbanin një copë herë lart, si dy gogla. Ngaqë dielli ishte fundosur qyshkur, deti kishte marrë pamje të zymtë e kërcënuese. Megjithatë, horizonti përflakej ende si një buqetë me trëndafila të kuq, aqsa edhe retë e bardha dukeshin me ngjyra… Djali lutej të ktheheshin, por ajo s’pranonte. Mos u bë frikacak… S’të dua kështu!… Lidhte krahët në qafën e tij, e puthte, pastaj çante përpara me gëzim… Luiza, kthehemi! – i bërtiti ai kur pa që ajo notonte si e marrë drejt valëve të errta e të medha… Atëherë, i pandehur, na thuaj cilat qenë shkaqet që e vrave atë? – pyeti kryetari. Në sallë mbretëroi qetësi e zymtë. Siç tregova edhe më lart, zoti kryetar, unë e dashurova Luizën, prandaj s’e lash të mbytej… Por ajo kishte dëshirë të vdiste, prandaj më nxiste të shkonim aq larg bregut. Por, të vdisnim të dy. Më godiste me grushte kur unë përpiqesha ta hidhja në kurriz për ta nxjerr në breg… I kam ende fjalët e saj në vesh, kur përpiqesha për ta tërhequr në breg: Lëshomë, s’dua të jetoj… Jo s’dua!… .Pse të jetoj? – bërtiste. Ai më tradhtoi… i ligu!.. Edhe Migeni vdiq… .vdiq. Mirë bëri! Pse të jetonte? Edhe unë dua të vdes… Lëshomë të mbytem! Kur dolëm në breg, vazhdoi prapë të më thoshte: Eja, Skënder, të lutem, eja të shkojmë të dy në jetën e përtejme!..Të betohem, që do të jem gruaja jote besnike, përjetësisht … Hajde! Isha lodhur sa mezi qëndroja në këmbë. Fal zotit, ajo më hodhi krahun në bel dhe, ashtu, të përqafuar, ecëm zvarrë-zvarrë drejt plazhit… Po herë tjetër, i pandehur, a ju kishte kërkuar viktima të vdisnit së bashku? – pyeti njëri nga anëtarët e trupit gjykues. Po. Por unë e kisha kuptuar, tashmë, qëllimin e saj. Ndonëse ishte vajzë me shpirt të pastër, gjithsesi mua nuk më dashuronte, edhe pse e kuptonte që e doja shumë. Ajo dashuronte një tjetër. Pikërisht, atë që e kishte braktisur. Një student në artin dramatik. Arsyen pse ishin ndarë s’e di, nuk e mora vesh kurrë. Por e vërteta është që Luiza dashuronte marrëzisht, prandaj ndarja me aktorin e kishte tronditur shumë. Ndërsa, mua, më shprehte dashuri vetëm për të arritur qëllimin e vet. Edhe kur më dhuronte ndonjë të puthur, e ndjeja, nuk putheshin dy zemra. Unë puthja vetëm mishin e saj të ftohtë… I pandehur, ndërhyri kryetari, përgjigjuni pyetjes që ju është bërë: A ju ka kërkuar viktima herë tjetër për të vdekur së bashku? Prokurori u ngrit me rrëmbim. Kjo mënyrë djallëzore e të pandehurit, përpiqet të na i paraqesë viktimën si vajzë të dëshpëruar, të tronditur… sikur qenka zhgënjyer në dashuri dhe për këtë arsye paska dashur t’i jap fund jetës. Përralla! S’është aspak e vërtetë. Aspak!… Djalin, të cilin ajo e dashuronte, e kemi këtu. Ai qan me lot për vdekjen e saj. S’ka dyshim që kjo është mënyrë e zakonshme e kriminelëve të romaneve të verdha, si ç’është i pandehuri që kemi përpara … Fol, i pandehur, përgjigju drejtësisë, trego të vërtetën! Djali u zverdh kur dëgjoi se i dashuri i Luizës ndodhej aty, në sallë, por s’e humbi toruan. Dua të shtoj, zoti kryetar, vazhdoi ai, nëse Luiza hoqi dorë nga dëshira për t’u mbytur atë natë, në det, e bëri ngaqë i dhashë fjalën se do t’i jepja fund jetës tokësore edhe unë, për të shkuar me të, i lumtur, në botën e përtejme. Prandaj iu luta të më priste edhe pak kohë sa të mbaroja, me gjase, disa punë të lëna përgjysmë. Nuk e di sa më besoi, por për një gjë jam i sigurt: Jeta për Luizën s’kishte më kuptim! “Fati im”, thoshte, ajo “është si fat i zi i Migenit”. “Lulet e Mollës” e mbante gjithmonë me vete. Dhe, me që donte të vdiste, e lidhi shpresën te fjala ime… Më vonë e kuptova pse s’donte të vdiste vetëm. E mësova në takimin që do të tregoj tani… Por ama, të kuptohemi! Liuza s’e kishte shpirtin e keq. Jo! Ajo s’kërkonte shpagim, as të hakmerrej me djalin që e kishte tradhtuar. Arsyeja pse nuk dontet ë vdiste vetëm ishte fare e thjeshtë… Luiza kishte frikë të vdiste vetëm… Në sallë krisi zhurma. Filluan diskutimet e njerëzve me njeri-tjetrin. Ndërsa prokurori, i skuqur si speci, duke u dridhur nga inati, u çua në këmbë. Ky është mashtrues, gënjeshtar, tmerrësisht gënjen, shoku kryetar… Me paturpësi i pandehuri thurë një dramë, të cilën e ka sajuar me fantazi në qeli. Asgjë s’është e vërtetë. Sepse Luiza s’ka qenë e tradhtuar. E vërtetojnë këtë më së miri thëniet e dëshmitarit, i cili pohon se e dashuronte dhe ka pasur takime të rregullta me vajzën, deri ditën e fundit. Por, duket sheshit, i pandehuri s’ka talent për të ndërtuar drama. Fakti që s’i përgjigjet pyetjes së anëtarit të trupit gjykues, në mënyrë të dukshme tregon se, melodrama është e sajuar… Hajt, i pandehur, lëri përrallat dhe përgjigjuni drejtësisë! Unë s’po gënjej zoti kryetar, po them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Dy muaj pasi ishim njohur, lamë takim jashtë qytetit. Atë ditë ajo erdhi shumë e gëzuar. S’e dija nga i buronte gëzimi. Por, për çudinë time, mbante përdore edhe një biçikletë “Diamant”. Sepse nuk e niste dot vetë. Sot, do të ngjitemi në Qafë të Koshovicës, më tha. Kam shumë qejf të udhëtoj me biçikletë, jashtë qytetit… . Po ti s’di ta nisësh, i thashë, kot, për ta ngacmuar. S’ka gjë… Më mbajnë krahët e tu të fuqishëm… .S’të kam zgjedhur kot të jeshë burri im, për në atë jetë…Dhe m’u kthye e mërzitur. Skënder, të lutem, më thuaj të vërtetën, a i mbarove punët, që i kishe të pambaruara? Kur do ta bëjmë dasmën tonë? E dija për cilën dasmë e kishte fjalën, ndaj u dëshpërova. Jo se do të vdisja. Një ditë e kemi të caktuar atë. Por u dëshpërova, ngaqë ajo e kërkonte “martesën” ende me këmbëngulje dhe seriozisht. – Mos u mërzit, i thashë i vendosur, edhe pak ditë e do të martohemi. Por, tani më thuaj, pse kërkon të ngjitemi me biçikletë në Qafë të Koshovicës dhe jo me këmbë? Ti e di sa e vështirë është ngjitja atje me dy vetë… Oh, sa budalla bëhesh! – ulëriti. Në këmbë kemi kaq vite që shëtisim. Pse të mos bëhemi një herë me krahë dhe të shkëputemi nga toka? … Të fluturojmë si dy engjëj… Ja, kështu!

Hapi krahët dhe erdhi përqark meje si zogu në fluturim – A nuk fluturonte kështu Demoni, kur shkonte te Tamara? Bëri dy- tri rrotullime rreth e qark, më puthi, pastaj thirri: Hajde, Demoni im, më merr në gjirin tënd të zi! U ngjit në biçikletë gjithë hare. Hajde, shpejt, shpejt!..Bërtiste duke më tërhequr nga krahët. Ai ndaloi një çast, sepse në sallë filluan zhurmat. Vuri re se vështrimet e njerëzve ishin drejtuar vetëm tek ai, jo me urrejtje e përbuzje, si më parë. Disa vështronin seriozë e të menduar, të tjerë me habi. Të rinj e të reja diskutonin dhe përpiqeshin për t’u afruar në rreshtat e parë. E ëma e tij shterngohej, e shkreta, t’i buzëqeshte, por ishte e lodhur dhe e dërrmuar. Dukej sikur ngërdheshej, ndërsa psherëtinte… Kryetari i ra ziles dhe mezi vendosi qetësinë. Prokurori, i cili çoç zhgaraviste me nervozizëm në letër, sapo krimineli filloi përsëri të fliste, lëshoi lapsin dhe po dëgjonte me vëmendje. Me të dalë nga qyteti, e ngava biçikletën shpejtë. Sepse donte ajo të ecnim shpejt. Ashtu lumturohej… Shikonte përpara, vetëm në një pikë, me sytë e mbyllur si në ëndërrime, sikur fluturonte… .Ndërsa unë e shihja botën nëpërmjet rrjetës së imtë të flokëve të saj, të fryrë e të shpërndarë mbi fytyrën time. Në ato çaste thosha:” Bah, çfarë mendime të kobshme ka në kokë kjo vajzë! Mendime që unë, vetë, po ia përkëdhelë me frymën time! E dija, e kisha të qartë ç’endej në kokën e saj. Edhe, pse e deshironte vdekjen me aq gëzim. Mund të gjente tjetër njeri për të vdekur, por… ngaqë e kuptonte se e doja shumë Liuzën, kjo ishte edhe arsyeja pse e mbështeste dëshirën e madhe për të vdekur me mua. Domosdo, i marrosur nga dashuria, unë mund të bëhesha kollaj xhebrahil i shpirtrave tanë. S’kisha lexuar libra, madje as nuk dija që ekzistonin librat të tillë si “Demoni”, “Evgjeni Grande”, “Një jetë”, “Lulet e Mollës”. Ajo m’i jepte me kusht që t’i lexoja e t’ia komentoja. Megjithatë, nga ç’kuptoja, mendimet e mia ishin komplet kundra me të sajat. Vdekja, për mua në ato libra, s’ishte meritë aspak e personazheve, as bukuri artistike e gjetur nga autorët. I thosha Luizës se personazhet e këtyre librave ishin të paaftë për të gjetur lumturinë në tokë. Jeta për ta është me pasione, sepse ata e ndjejnë dhe e vuajnë më shumë të keqen. Kjo i mbyt, i çon drejt përfundimit… Ajo tërbohej dhe zemërohej nga konkluzionet e mia. Më quante budalla. E dinte, s’isha unë ai, që mund ta bëja të lumtur. Ajo vuante për atë tjetrin, ndërsa unë vuaja natë e ditë për të. Nëna më qortonte vazhdimisht, ngase për shkak të Luizës kisha braktisur cdo gjë, isha dobësuar dhe kisha lënë pas dore problemet e shtëpisë. Isha i vetmi fëmijë në shtëpi. Babai më kishte vdekur. Ndërsa unë përpiqesha, me tëra mundësitë e mia, për të argëtuar Luizën, si e si t’i hyja, sado pak, në zemër. Por ishte e pamundur. Mbeta vetëm një argëtues i thjeshtë i dashurisë. Dhe, po të kisha pasur mundësi ta njihja djalin, për të cilin ajo vuante, me siguri do t’i kisha dhënë një dru të mirë… Nejse, mos ta zgjasim… Prokurori ndërhyri përnjëherë. – Mirë që e pranon vetë, i pandehur. Mos ta zgjasim më! Sepse trillimet e tua e kaluan durimin tonë …

Dhe u kthye nga trupi gjykues. – Shoku kryetar, kërkoj të dalin dëshmitarët… Nga të dhënat hetimore e pohimet e tyre, e vërteta është krejt ndryshe. Procesi gjyqësor, siç po flet i pandehuri, po merr rrugë pa krye, sepse ky po tregon gjëra të sajuara… Por Kryetari shënoi diçka në letër, pastaj ia bëri me dorë prokurorit të ishte i duruar, ndërsa djalit , me kokë, që të vazhdonte. – Pasi u ngjitëm në Qafë të Koshovicës, zotërinj të nderuar të trupit gjykues, pushuam një copë herë nën ullirin mu në majë të kodrës. Liuza s’pushonte së foluri. U bë llafazane madhe. Çfarë nuk fliste. U mërzita nga marrëzitë që thoshte. E përqafova dhe e mbajta ashtu me forcë, deri sa filloi të qante. Nuk e duroja dot kur lotonte dhe ofshante për atë tjetrin. Ngaqë dashuroja tani vetë, më dhimbsej vajzë e gjorë. Prandaj, kur më tha të zbrisnim me shpejtësi nga Qafa e Koshovicës… Ju e kuptoni zoti kryetar, sa e vështirë është vetë i dytë me biçikletë… Unë prapë s’e kundërshtova… Ah, sa frikë kam të shkoj pa ty në atë jetë! – më tha kur e kisha pushtuar midis krahëve dhe e shtrëngoja për të mos folur marrëzira. S’e di, nëse e kishte më tërë mend, apo e tha për të fshehur qëllimin e zi, kur më pëshpëriti në vesh: “Sepse kam filluar të të dua edhe ty pak, o idioti im i pashëm!” Dhe, para se të lëshoheshim me shpejtësi nga ajo tatëpjetë e frikëshme, më kërkoi një puthje zemre. Më puthi pa afsh, por jo pa dhembshuri. Gjoksi i dridhej nga hovet e frikës. Pastaj më futi në gisht një unazë. E kuptova qëllimin e unazës, sepse s’ishte e parë herë që e kërkonte vdekjen. Përse ma vë këtë? E pyeta, për të parë se ku do të dilte. – Kam dy, më tha, një ia kisha taksur atij që do më donte më shumë. Përfundimisht, ai je ti Skënder… Më vjen keq… më fal… Unë s’të dua aq sa më do ti… I tha këto fjalë më zë të dridhur. E para herë që fliste ashtu me mua. E përqafova. Më la të lirë…

Pastaj u nisëm. Biçikleta ishte kondrapedal. I lëshova ngadalë frenat. Me shumë frikë. Kisha zbritur disa herë me biçikletë në rrugën nacionale, përmes asaj kodre, por, ama, jo vetë i dytë. Jo me Luizën që kërkonte orë e çast të vdisnim bashkë! Lëshoje të fluturojmë!

Bërtiste, pse unë përpiqesha të ngadalësoja shpejtësinë. C’ është e vërteta, e zotërova një farë kohe. Lëshoje, Skënder! Ulëriti dhe filloi të godiste me grushte duart e mia të “salduara” në timon. Lëshoje, lëshoje, o , i lig! Gulçonte nga inati… . Ah, e mjera unë! Thërriste, ngaqë s’ishte e kënaqur me vrullin e biçikletës. Mirëpo, gjithsesi, erdhi edhe çasti kur unë s’munda të isha më zot i shpejtësisë. As frenat nuk pinin më ujë. Pak të frenoja, me siguri do të rrezikoja më shumë. Tani, ajo dhe unë bashkë me të, po fluturonim vërtet siç donte ajo. Era po na merrte frymën. Vetëm timoni mbeti pika e sigurisë, ku mund të mbështesja shpresën e fundit. U përqendrova i tëri tek ai… Luiza filloi të këndonte. Ndërsa unë u pushtova nga tmerri. Nga çasti në çast u ndjeva i pasigurt. Provova një herë të ngadalësoja vrullin me anë të kontrapedalit, por ishte e pamundur. Edhe ai, si frenat, ishte jashtë përdorimit. Qortova veten, por ishte tepër vonë. Fluturimi ynë kishte kapur kulmin e marrëzisë. Atë kulm, për të cilin ajo më dërdëlliste përditë. Tani këndonte, qeshte, klithte nga hareja, ndërsa unë kulloja ujë prej djersëve të vdekjes. Ajo rrinte me tërë peshën e trupit mbi krahët e mi… Tronditjen e parë e ndjeva papritur, kur njëra dorë më mbeti në ajër, ndërsa tjetra mbante timonin me zor. Një çast Luiza e ktheu atë me forcë. U lëkundëm andej-këndej, por nuk u rrëzuam. Instinktivisht, isha bërë përkohësisht zot i timonit. Por vetëm përkohësisht. Sepse lëkundja e madhe e bëri të vetën: shpëtuam pa u përplasur në shkëmb, ngaqë ”Fluturimi i Vdekjes” përfundoi në kanal, m’u atje ku trupat tanë u gjendën larg njeri-tjetrit dhe me plagë shumë të rënda… . Biiiir! Thirri e ëma si e mbytur nga lemza. Kurse njerëzit në sallë, kaluan nga makthi, në psherëtima të lehta. Kryetari mblodhi anëtarët pranë vetes dhe pas pak urdhëroi futjen e dëshmitarëve. E para hyri një vajzë, shoqja e Luizës. E njihnit viktimën? – pyeti Kryetari. Po. E kam pasur shoqe të ngushtë. Ç’dini të na thoni për fatkeqësinë e saj? Ajo filloi të qante. Luiza da… dashuronte Sandërin. S’e di kur ishin prishur, por ajo kishte disa muaj pa marrë letra nga ai. S’ma kishte thënë këtë, e kuptova vetë… .Sepse ai edhe kur erdhi me pushimet dimerore, nuk e takoi Luizën. E gjeta një ditë të mërzitur në shtëpi… Lexonte një libër dhe qante. E ftova në kinema, s’pranoi. “Jo, nuk vij, më tha, kam qejf të lexoj, vetëm të lexoj”. E pyeta pse ishte aq e mërzitur. “Hiç! S’kam gjë, më ka prekur kjo novelë që po lexoj… Sa e bukur është!”Si titullohej novela? -“Lulet e Mollës”. Atë e lexonte hera-herës. Ndërsa Aleksandërin s’e përmendte si më parë. E kuptova që ishin ndarë. Arsyen s’e di, nuk ma tha. Por ngaqë nuk donte ta kujtonte më, as unë s’e ngacmova … Ndërsa për Skënderin më thoshte se e kishte kushëri të largët dhe e mburrte për djalë të mirë. Nuk dyshova asnjëherë për marrëdhëniet që kishte me Skënderin. Për mua ajo ishte e ndershme… E dija që ajo donte vetëm Aleksandërin. A ju kishte thënë ndonjëherë Luiza për jetën, që s’vlente, që s’kishte më kuptim… për botën ku jetojmë, me gjasë se është e mërzitshme, e padurueshme dhe pallavrat të kësaj natyre? – pyeti prokurori. Kështu nuk fliste… s’e kam dëgjuar. Ajo ëndërronte si poeteshë, dashurinë me Sandërin e përjetonte shumë. E ndërtonte të ardhmen si asnjëra nga ne, shoqet. Gjithmonë kishte qarë Luiza kur lexonte libra, apo vetëm tani, kohët e fundit? -pyeti Kryetari. Ç’është e vërteta, kur ishim më të reja, thoshte vazhdimisht se i ndjente vuajtjet apo gëzimet e personazheve në libra, sikur të ishte vetë njëra prej tyre … Ndërsa, kohët e fundit, kishte filluar të qante. Kutjoja se tani është më e rritur, kupton e ndjen më shumë… është e dashuruar. Ishte e ndjeshme… Kryetari kërkoi edhe mendimin e anëtarëve. Dëshmitarja u largua.

Pastaj hyri një djalë i pashëm, gati i bukur, por i zbehtë në fytyrë. Ai qëndroi i shpenguar para trupit gjykues, me pamje artistike. Sapo e pyeti Kryetari, ai vendosi gishtin tregues në xhilën e xhaketës dhe aty e mbajti deri në fund. Kryetari: E njihnit viktimën? Dëshmitari: – Po. E kam në zemër. Kryetari: – Po ajo ka vdekur… Dëshmitari: – Për mua është e pavdekshme. Kryetari: – Ç’marrëdhënie keni pasur me Luizën? Dëshmitari: – Luiza ishte e zonja të ma ripërtërinte jetën, në çdo takim… Kryetari: – Herën e fundit si u ndatë? Dëshmitari: – Në marrëdhënie të shkëlqyera… në mirëkuptim të… Kryetari: Korrespondencën kur e keni ndërprerë? Dëshmitari:- Asnjëherë. Kryetari: – Vërtet? Dëshmitari: Më se e vërtetë.Kryetari: Drejtësia disponon të gjitha letrat tuaja. E fundit ka datën e muajit dhjetor. Si e shpjegoni këtë fakt Dëshmitari: Po. Në takimin e fundit që bëmë… kërkova që letrat e mia t’i digjte pasi t’i lexonte. Kryetari: – Përse? Dëshmitari: – Për të mos pasur konsekuenca nga i vëllai, i cili kohët e fundit e përgjonte. Kryetari: – Ç’mendoni për vdekjen e Luizës? Dëshmitari: – Ajo Vdiq nga dora e një krimineli… . Në sallë pati ilaritet. U ndezën diskutime me zë. Dëshmitari i hutuar, i habitur… shikonte njerëzit në Sallë, pastaj , nga i pandehuri. Ky me zor e mbajti një të sharë vençe, por pështymën ia hodhi në fytyrë. Aleksandëri u shmang. Ndërsa Kryetari ndërhyri dhe e ndihmoi të largohej nga Salla, e cila po e ilarizonte nga të katër anët. Duke u kthyer nga i pandehuri, i tha: Po pse, mor djalë, e vrave atë vajzë? Në sallë u vendos qetësi absolute. Djaloshi kaloi dorën mbi ballin e djersitur dhe vazhdoi – Dolëm të shëruar nga spitali, zoti kryetar, por asaj nuk i thashë gjë për aksidentin. E, ç’t’i thosha? A s’isha vetë fajtor, përderisa e dija që ajo donte të vdiste me patjetër, me mua? Por, nga ajo ditë, zoti Kryetar, para meje Luiza s’pati më guxim të zinte me gojë qëllimin e “martesës tonë”. U largua nga unë pa më thënë asnjë fjalë. Jo vetëm kaq, por as sytë nuk m’i hidhte, kur gjendeshim përballë njer-tjetrit. E shihja hera – herës, që ajo lëviste me një djalë tjetër. Fatkeqësisht, unë e dashuroja ende. Prandaj, kur e shikoja me një tjetë, tërbohesha. Djalin, të cilin ajo po e mashtronte, si dikur mua, e njihja, e kisha pasur shokë në shkollë. Kisha muhabet. Ishte djalë i mirë, i urtë, i sjellshëm. Për ta pirë në kupë, siç i thonë fjalës. E kisha takuar disa herë për t’i shpjeguar të vërtetën e Luizës, por ai ishte marrosur me keq për të. Ndaj arsyetova, zoti Kryetar,: “A duhet ta lë shokun tim të shkollës të vdiste bashkë me Luizën? Në këtë rast a nuk do të isha edhe unë bashkëpunëtor në këtë krim? Dhe ndaloi. U mbush thellë me frymë. E takova shokun e shkollës. Ai ishte i vendosur për t’u martuar me të. Por s’e kishte venë ende “unazën” në gisht. Më tha që e patën lënë për të dielën, në manastirin e Ardenicës. Do të ngjiteshin në majë të kambanores, atje ku nuk do të kishte mundësi t’i shihtte njeri, kur të ndërronin unazat. Kuptohet, do të fluturonin të dy nga ajo lartësi, ashtu sic dë shironte ajo. Sic ndodhi me mua, në Qafë të Koshovicës…

Ai uli kokën i menduar. -Ç”të bëja, zoti Kryetar? – vazhdoi i revoltuar. A ta lija moshatarin tim të ngjitej në majë të kambanores për të “fluturuar” prej andej? … Prandaj vendosa, më mirë të shkonte e vetme ajo, në jetën e përtejme… Ai u lëshua në karrige, sikur të binte nga një lartësi e madhe. Pushtoi kokën me duar dhe u dënes. Në sallë filluan diskutimet, pro dhe kundra tij. Ndërkohë, trupi gjykues, doli nga salla, për të marrë vendimin për djaloshin kriminel. Vendimi u dha me vdekje – pushkatim. E ëma e tij klithi dhe u rrëzua pandjenja. Ndërsa psherëtimat e dhimbshme të burrave dhe ngashërimet e grave e të vajzave të reja, vazhduan edhe kur ai mori fjalën e fundit. Luiza, tha ai, paska pasur të drejtë! Sepse edhe unë besoj tani se, drejtësia dhe e vërteta qenkan vetëm atje, në jetën e përtejme… .Lamtumirë, o Nënë! Lamtumirë, o njerëz të mirë! Ju lutem, mos e lini nënën time të na prish lumturinë edhe atje, në jetën e përtejme … Lamtumirë!

JASHTË PARANTEZËS- Poezi nga SENAD GURAZIU

…rrallë me poezitë, anise shpesh po përmendet nga unë dhe kjo “rrallësia”, pothuaj bajate, kafshatë që s’kapërdihet – do thoshte Migjeni – dmth. në vend të ankesës… më mirë të sillja ndonjë diç poetike në dritë, i bie që me fjalë aq i lehtësuar ankimi ndërsa aq i vështirë na qenka krijimi, ehuuu do kishte Migjeni 100% të drejtë, s’pi ujë, jo vetëm mua por amullia, varfëria krijuese s’i shitet kujt, sidoqoftë ja po e ngjes një të para një dekade tashmë : )

JASHTË PARANTEZËS
Senad Guraziu, 2014

(finis vitae sed non amoris)

Në fillim gjithçka është djerrinë,
një pikë uji e shpon gurin,
por tokën s’e mbars fjala,
fara boshe, s’ka zanafillë
pa frymën e dashurisë,
lëkurënjomë mbi gurë
i njohim filizat e frikës, ligjet
e logjikës, e njohim zvarritjen,
si hardhuca të dritës, lakuriq
nën diellin e pafajësisë, që
nga thirravaji i parë sikur
e dimë: s’do ishim nisur
kurrë kah drita pa dashurinë.

Parandjenjat tona stampuar
qelizave, në secilin gjen, diç
sikur na flet: s’ka tjetër shteg,
dhe frymojmë, dashurojmë,
ushqehemi me ëndrrat, dehemi
për një jetë, e marrim vulën
e kthimit diku në “mesjetë”,
kthehemi me t’njëjtën biletë;
në ardhje frymën si dashuri
e pranojmë, në ikje dashurinë
e gjithë jetës… si frymë
duhet ta dorëzojmë.

BALADË PËR NJË JETË (Migjenit)- Poezi nga QERIM ARIFI

Plepi ndër stinë kotet plotë dhembje
Për barishtet e njoma e të venitura para kohës
Shelnjet e paluara në rezginatën e dhimbës trishtuese
Ende mbi kashtën e blozuar të kasolleve ndihen ca këmbanare
Ato janë të drejta
Vetëm ato bijnë në barkun e zbrazët e qiellit të unët
Andej ka dritat e ditës ikin me nxitim
Por ata zogj të mjerë që nuk janë mësuar të shohin
Nuk jetojnë, vdesin

POSTFEMINIZMI- Poezi nga Brenda Shaughnessy- Përktheu Senad Guraziu

…poezi mjaft komplekse, vetëm “amerikanizmi postfeminist”, apo dhe ose postfeminizmi amerikançe, mundet kaq koklavitur, po ashtu sfidë në vete dhe përkthimi, dmth. për ta “ofruar” sa më afër shqipes : )

POSTFEMINIZMI

Brenda Shaughnessy [ 1970, ShBA ]

Ka dy lloje njerëzish, ushtarë dhe gra, siç pati
thënë Virginia Woolf. Të dyja palët thjesht për dekor.

E thënë kjo në mënyrë aq të sjellshme.
Aspekti teknik: virgjëresha dhe ujqër *.

Tani kemi mundësinë e zgjedhjes. Dy vajza të vogla
hyjnë në bar, njëra porosit një “shirley temple”*.

Tutori* i Shirley Temple vjen dhe i thotë s’do pendohesh.
Një bukuroshe e vërtetë, por dhe mjaft e shtrenjtë.

Unë vetë, më pak frikë kam nga grabitqarët
sesa të bredh rrotull në trupin e nënës.

Është mjaft ultësisht, më shumë sesa lakuriq.
Le ta nivelizojmë të gjithën: ti i jepesh pikëllimit

në dhomën tënde gri. Nepsi im i pangopur në vetmi.
Të brendshmet transparente, dritë-metalike,

të lirshme. Dhe cigaret e rralla majë-zeza
në një kuti artizanale. Kush nga ne e thurë botën

e gjallimit me delir-joshjen e armatosur: lufta jote
kundër gangsterëve, apo çorapet e mia të trupit.

Asketik ose sarkofilik*. Meshkujt do shqyejnë
cipën e shikimit tënd edhe nëse ikën

që para mëngjesit. Derrat i ngasin
sirenat* nga pakot. Ah, mish, tekno-mish*,

ka dy lloje njerëzish. Të nxehtë, përzier me dritë,
dehur me ofendim. Ti dhe unë.

– – –
* “virgjëresha dhe ujqër” – figuracion ironik me teknicitetin rreth emrit të poetes Virginia Woolf (“virgin – virgjër”, “woolf = ujk”)
* shirley temple – koktej joalkoholik me xhenxhefil dhe lëng shege, zbukuruar me ndonjë qershi; pije për fëmijë, veçanërisht shërbehet për vajzat
* tutori – “makroi”, tutori i prostitutave (Shirley Temple, në këtë rast mbase pseudo-emri i ndonjë prostitute)
* sarkofilik – mishngrënës; pëlqimi i mishit si ushqim
* sirenave – fig. sirenat e detit; “kukullat e kënaqësisë”, femrat prej silikoni, lodrat e meshkujve gjoja për t’mos u ndjerë “vetëm” gjatë fantazisë së tyre seksuale
* tekno-mish – (technoflesh, lojfjalësh me termin “technoflash”), mbase këtu në kontekst lidhur me tekno-urbanizmin; prostitutat nën dritat e neonit, trupi i femrës dhe bukuria sintetike (gjokset prej silikoni) si “ofertë” në tregun seksual

– – –
© B. Shaughnessy – via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica

dhe 2 foto

[ Ergys Temali – Skënderbeu, Krujë, 2021 – Getty images, ose Unsplash… kam harruar ]

[ Fadil Berisha – K’cimi i Tropojës, 2024 (Modeli: Emine Çunmulaj) ]
(të tjerët mund ta kenë ditur, unë vetë s’e dija… fotoja qenka shkrepur nga askush tjetër por nga fotografi shqiptaro-amerikan Fadil Berisha)


Send this to a friend