Në foto: Skifter Këlliçi dhe Nando Martinelli
KILI, 1962, PËRSËRI NGADHËNJEN BRAZILI, POR..
“Natyrisht, Brazili është favorit,- deklaronte trajneri çek Vitlaçil,- para ndeshjes finale të skuadrës së tij kundër kampionit të botës në fuqi,- por edhe ne kemi jo pak shanse për të fituar”.
Trajneri brazilian, Morreira, parapëlqeu më mirë të heshtte para finales që u zhvillua në stadiumin e Santiagos, para 80 mijë shikuesve. Por e vërteta është që golin e parë e shënuan çekët me anë të Masopustit, të cilët, madje mund të kishin shënuar edhe golin e dytë. Pastaj brazilianët u përmedën nga ky “nokdaun” dhe shënuan me anë të Amarildos, golin e parë që u pasua nga i dyti dhe pati për autor Ziton.
Kur çekët po vizitonin dëshpërimisht portën brazilianë, në kërkim të golit të barazimit, Xhalma Santosi nisi një harkore brenda zonës së portës kundërshtare. Portieri çek, Shroif, i verbuar një grimë nga rrezet e diellit, nuk arriti ta mbërthente topin dhe Vava shënoi golin e tretë, që u dha brazilinëve Kupën e Botës, por pa shkëlqimin e katër viteve më parë.
”Ekipi i zgjedhur i Brazilit nuk e rimori titullin e lartë të kampionit botëror me lojë të shkëlqyer, por me lojë të organizuar”, -ishte mendimi i specialistëve.
Kjo vinte se tashmë brazilianët ishin arritur apogjeun e shkëlqimit të tyre. Më pas ky shkëlqim do të venitej.
Finalja
Brazil -Çekosllovaki 3-1
Brazili- Zhilmar,Xhalma Santos, Nilton Santos, Zito, Mauro ,Zozimo, Garinça, Didi, Vava, Amarildo, Zagalo.
Çekosllovakia- Shroif, Tihi, Novak, Pluskal, Popluhar,Masopust,Pospihal, Sherer, Kadraba, Kvashnjak, Jelinek.
(Novak, Pluskal, Masopust, etj.,më 1958 ishin futbolistë të “Duklës’”së Pragës, ,që u mënjanua 1-0 nga “Partizani” ynë më 1958 në një turne ndëkombëtar futbolli, të zhvilluar në Berlin).
Gjyqtar Llatishev, (B.Sovjetik)
Golshëuesit më të mirë: Garinça, Vava, (Brazil), Albert, (Hungari), Sançes, (Kili), Ivanov, (B.Sovjetik), Jerkoviç, (Jugoslavi), me nga 4 gla.
ANGLI, 1966
TË ZOTËT E SHTËPISË PER HERË TË PARË KAMPIONË TË BOTËS
…Kur po mbaronte tërë finalja Angli-Gjermani Perendimore,Veberi i gjermanëve barazon 2-2. Në shtesë gjuan Hërsti, topi përplaset në tra, bie në tokë. Por brenda, apo jashtë saj? Gjyqtari zviceran Dinst, i drejtohet anësorit sovjetik, Bahramov, që tund kokën në shenjë pohimi… Por nuk binden gjermanët. Dhe si për të dëshmuar të kundërtën, Hërsti shënon golin e katërt, i treti për të në këtë ndeshje, 4-2.
Edhe sot diskutohet për këtë gol ”fantazmë”. Ka edhe shpjegime anekdotike. Në një artikull të shkruar nga një gazetar i njohur italian, theksohet se sovjetiku Bahramov me dy konserva haviari ia prishi mendjen njërit prej anëtarëve anëtarët të komisionit për caktimin e gjyqtarëve, i cili ishte nga Mali, (Afrikë), që ta cakonte atë gjyqtar anësor. Dhe arsyeja ishte se ai donte të hakmerrej ndaj gjermano-perëndimorëve që kishin mënjanuar skuadrën sovjetike. Dhe e gjeti rastin. Meqë topi u largua nga një mbrojtës gjerman, Dinsti fillimthi dha korner. Por Bahramovi ngriti flamurin për gol. Atëherë Dinsti shkoi te Bahramovi që të merrej vesh me të. Mirëpo ky i fundit nuk dinte as gjermanisht dhe anglisht si Dinsti, i cili, nga ana tjetër, nuk dinte rusisht! U morën vesh kështu me shenja. Si memecët…(Sot ky problem zgjidhet me kamera të vogla televizive, që vendosen mbi traun e portës).
Sidoqoftë, Anglia fitoi Botërorin ’66. Dhe solli edhe një të re në evoluimin e sistemit 4-2-4, të nisur nga brazilianët, të cilën e shndërruan përfundimisht në 4-3-3. Për meritë edhe të trajnerit të saj, Alf Remsi, që qysh nga viti 1956 nisi të drejtonte skuadrën modeste “Ipsuiç”, kur ndodhej në kategorinë e tretë, e kaloi në kategorinë e dytë, pastaj në të parën, për t’u bërë trajner i kombëtares angleze më 1963….
Ky botëror shënoi një befasi të papërfytyrueshme. Italianët, dy herë kamionë të botës, u mënjanuan nga skuadra diletante e Koresë së Veriut, (1-0). Kjo skuadër për pak nuk kaloi në gjysmëfinale, sepe në takimin me Portogalinë udhëhiqte 3-0. Por ishte Eusebio, perla nga Mozambiku, që shnoi tre gola dhe pastaj me dygola të tjerë portugezët e mbyllën ndeshjen 5-3 në favorin e tyre.
Finalja
Angli-RF Gjermane 4-2, me shtesë loje;
Anglia- Benks, Koen, Xh. Çarlton, Mur, Uillson, Staillz, B.Çarlton, Pitërs, Boll, Hant, Hërst
RF Gjermane- Tilkovski, Hëtges, Shulc, Veber, Shnelinger ,Overat, Zeeler, Bekenbauer, Haler, Emerih.
Gjyqtar- Dinst, (Zvicër)
Golshënuesi më i mirë- Euzebio, (Portogali), 9 gola
Nga galeria e yjeve:
Bobi Çarlton, (Angli), Euebio, (Portogali), Zeeler, (Gjermane), Jashin,(B.Sovjetik), B.Mur,(Angli), Bekenbauer, (RF Gjermane), Hërst, (Angli).
MEKSIKË, 1970
BRAZILI TRIUMFON PËR TË TRETËN HERË
“Në këtë botëror rendimenti i skuadrave mund të kishte qenë edhe më i lartë, por ndikuan edhe kushtet atmosferike, madje edhe takanjose të klimës meksikane, me qershor shumë të nxehtë, sidomos për evropianët, aq më tepër, po të kihet parasysh edhe ajri i rrallë, për shkak të lartësisë së Meksikës 2000 m. mbi nivelin e detit dhe se shumë ndeshje u luajtën në mesditë, për t’ua lëshuar vendin ndeshjeve të toreadorëve, shumë popullore në këtë vend.
Ndeshjet u zhvilluan nga 31 maj -21 qershor në stadiumet e Guadalaharës, Leonit, Pueblës, qytetit Meksiko, stadiumi i të cilit “Acteka” ka një nxënësi prej 104 mijë shikuesish, i dyti edhe sot pas stadiumut “Marakana” në Rio de Zhaneiro, me nxënësi prej rreth 200 mijë shikuesish, ku më 1950 është zhvilluar finalja e famshme Brazil-Uruguai, (1-2).
Edhe sot mbetet e paharruar ndeshja Itali-Gjermani Perëndimore 4-3. Kur loja e rregullt po përfundonte 1-0 për italianët, skuadra gjermane barazoi. Pastaj në shtesën prej 30 minutash u shënuan 5 gola, tre në portën gjermane dhe dy në atë italiane. Ja përse në hyrje të stadiumit “Acteka’’ në kujtim të kësaj ndeshjeje dramatike është vendosur një pllakë përkujtimore.
Duke fituar për të tretën herë (1958, 1962, 1970), brazilianët u bënë zotër të përhershëm të Kupës së Botës, të mbiquajtur, siç kam shkruar, Zhyl Rime, për nder të presidentit të FIFA-s, që ishte dhe nismëtar i kësaj veprimtarie të madhe botërore
Finalja
Brazil-Itali 4-1
Brazili- Feliks ,Karlos Alberto,Piaca, Brito, Everaldo, Klodoaldo ,Gerson,Rivelinjo, Zhairsinjo,Tostao, Pele
Italia- Albertozi, Burgniç, Rozato, #era, Faketi, Domengini ,De Sisti, Bertini, (Juliano), Macola, Boninsenja, (Rivera).
Gjyqtar-Glëkner, (RD Gjermane).
GJERMANI 1974
PAS 20 VJETËSH GJERMANET PERSËRI KAMPIONË TË BOTËS
“Fitorja e gjermanëve, por nderi i holandezeve”,- ky ishte opinoni i përgjithshëm i shtypit botëror, pas kësaj ndeshjeje.
Në sekondën e 50-të Fogsti nuk arrin ta frenojë Kruifin e papërmbajtur dhe me 11- metërsh hollandezët udhëheqin 1-0. Por kur e njëjta skenë përsëritet para portës holandeze, Hënesi, po me 11-metërsh barazon. ”Kur shënova golin e dytë,- tha Myleri pas ndeshjes,- e ndjeva se do të fitonim, por pa portierin Majer nuk do të ishim bërë kampionë të botës”.
Ishte lajtmotivi i “Shturm und drangut”, (gjermanisht-stuhi dhe vrull), të 20 vjetëve më parë, pikërisht më 1954, që aq shumë u përfol, sidomos për dyshimin se mos vallë gjermanët kishin përdorur drogë, e cila kishte sjellë si përfundim një fitore të diskutueshme të tyre .
Me këtë triumf, Gjermania Perendimore dëshmoi se pas Brazilit, tri herë kampion i botës, ishte absolutisht fuqia e dytë e rruzullit tokësor në futboll: dy herë kampione e botës, (1954,1974), dyta më 1966, e treta më 1970, e katërta më 1958 dhe në çerekfinale më 1962.
Gjermania- Majer,Fogst, Shvarcenbek, Bekenbauer, Brajtner, Bonhof, Overat, Hënes, Grabovski, Myler, Helcenbajn;
Hollanda- Jongblod, Zyrbir, Rejsbergen, (De Jong), Haan ,Krol, Hansen, Van Hanegen, Neeskens, Rep,Kruif, (Van de Kerkof), Renzenbrink.
Gjyqtar, Teilor, (Angli)
Golashënuesi i më i mirë-Lato (Poloni), 7 gola
ARGJENTINË, 1978
KUPA E BOTËS U MBETET ARGJENTINASVE
“Kur presidenti i Kilit, Videla në tribunë me gjeneralë të tjerë përreth,- kujton më pas futbollisti argjentinas Ardiles,- na përshëndeste, me kupën e Botës që e kalonim dorë më dorë, -ne nuk dinim se jo shumë larg stadiumit “Monumental” , ku kishim luajtur, në katet e nëndheshme të Shkollës së Meknikës Detare torturoheshin me qindra e qindra atdhetarë argjentinas”.
Dhe atyre u shtoheshin me mijëra e mijëra të tjerë “Desaperesidos, (“ Të humbur”), sepse vertët humbën dhe u shuan pa gjurmë.
Po të ndalemi te shtesa e fnales Argjentinë-Holandë: Ajo nuk pati histori. Shënoi së pari Bertoni, ashtu siç kishte parandier dhe pastaj Kempesi, pa dyshim nga më të mirët e kampionatit.
(Në janar të vitit 1997 ky Kempes erdhi më Shqipëri dhe deri në mars të vitit të ardhshëm drejtoi ”Lushnjën”, e sponsorizuar nga firma “Xhaferi”. Ishte periudha e shkëlqimit të rremë marraramendës të piramidave, që solli pasoja aq tragjike për shqiptarët. Erdhi, mbase edhe për të pastruar para, dhe u zhduk shpejt në ato ditë ku mund të shkonte njëmend për dhjamë qeni).
Kështu Argjentina vuri në kokë kurorën e kampiones. Hollanda mbeti përsëri e dyta.
Ky qe ndër botërorët me të dobët teknikisht, shumë larg finales së Mynihut, sepse edhe Holanda ishte shumë larg skuadrës së Kruifit dhe futbollit total.
Në këtë botëror të zhvilluar në Amerikën Latine fitoi përsëri një skuadër e këtij kontinenti: Më 1930 dhe 1950- Uruguai, më 1962 dhe 1970- Brazili. Dhe po t’u shtojmë këtyre shifrave edhe fitoren e Brazilit në Suedi, më 1958, bilanci ishte 6-5 për latino-amerikanët.
Por këtë radhë nën petkun e kampionëve të botës, Argjentina, e drejtuar nga Menoti, i përzgjedhur nga junta ushtarake si simpatizuesi i saj, e zhveshi futbollin nga finesa dhe zhonglimi i tepruar. Kampionia fitoi duke u mbështetur te loja kolektive, me ritëm të lartë, me tipare të përafërta të lojës së evropianëve.
Planeti i futbollit, pasi ishte pushtuar tri herë nga “samba” braziliane, tani do t’i mbante “ison” tangos argjentinase.
Finalja
Argjentinë-Holandë 3-1, (më shtesë (1-0, 1-1)
Argjentina- Filiol, Olguin,Galvan, Pasarela,Tarantini, Ardiles,(Larosa),Galiego, Kempes, Luke, Bertoni Ortis ,(Hauzman);
Holanda- Jongblod, Poortvil, Krol, Neeskens, Brands, Hansen,(Zyrbir),Hahn, V.Van Kerkof, Rep, Naninga, Reezenbrink.
Golashnuesi më i mirë i botërorit- Kempes, (Argjentinë)- 6 gola
(Vijon)
Komentet