Kushtetuta është ligji suprem i një vendi
Në të gjitha rendet juridike të shteteve demokratike, aktet ligjore dhe marrëveshjet ndërshtetërore, duhet të kenë mbështetje në Kushtetutën e tyre.
Ndryshe, cilido akt juridik, përkatësisht politik – juridik, i cili nuk ka mbështetje të plotë në Kushtetutën, çfarë është rasti me Marrëveshjen për Asociacionin –Komunitetin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, apriori dhe pa dilema, rezulton të jetë invalid, juridikisht i pavlerë dhe si i tillë i paaplikueshëm
Marrëveshja kosovare – serbe për Asociacionin- Komunitetin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë (Marrëveshja) e parafuar ditë më parë nga kryeministrat e shteteve në fjalë, jo që nuk ka mbështetje, por, është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Kosovës!
Marrëveshja, me versione të ndryshme në gjuhët zyrtare
Sikundër dihet, teksti origjinal, fillestar dhe përfundimtar i Marrëveshjes është hartuar në anglisht e rrjedhimisht i njëjti është përkthyer në shqip e serbisht, të cilat, sipas nenit 5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në vendin tonë, janë gjuhë zyrtare.
Andaj, teksti i Marrëveshjes, domosdo do të duhej të ishte i hartuar me kujdes të shtuar në koherencë e konsistencë reciproke të plotë.
Përkundrazi, në tekstin e Marrëveshjes në shqip ose nga njohja e cekët e anglishtes ose qëllimisht, terma të caktuara nuk janë përkthyer përshtatshëm e, në raste të caktuara, janë neglizhuar si të paqena.
Është nevojë e, si e tillë, edhe praktikë e mirë që në fillim të akteve juridike e politike, veçanërisht të karakterit shtetëror, sikundër edhe të fushës shkencore, që në pjesët hyrëse të tyre të prezantohen termat kyçe me definimet kuptimore vetëm për kontekstet tematike konkrete në mënyrë që të evitohen mundësitë e interpretimeve dualiste të të njëjtave. Pjesa e tillë quhet glosar të cilin Marrëveshja ishte dashur ta kishte, por mbase nga neglizhenca dhe injoranca teknoburokratike, në këtë rast nuk është bërë.
Në tekstin e Marrëveshjes në anglisht kudo është përdorur termi Asociacion ngjitur me komunitet: ”Marrëveshja për Asociacionin – Komunitetin e Komunave me Shumicë Serbe…” Gjithsesi aplikimi i tillë i këtyre termave nuk është as nuk mund të jetë praktikë e mirë, ngase pashmangshëm rezulton interpretime të ndryshme e për aq edhe arbitrare.
Në fjalorët, ndër më të dalluar të anglishtes, siç është Reader.s Digest, Family Word Finder, A New Thesaurus of Synonyms and Antonyms in Dictionary Form, ose Concise Oxford English Dictionary, asociacioni trajtohet dhe kuptohet sinonim, ndër të tjera me organizatën, federatën, konfederatën, aleancën, ligën, unionin, koalicionin, organin ( …organization, federation, confederation, alliance, league, union, coalition, body…)
Së andejmi, pasi Marrëveshja nuk e përmban nocionin e termave kyçe, në praktikë, kuptimi, roli dhe funksioni i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, pashmangshëm, mund dhe do të interpretohet, ad hoc, konform me synimet politike, gjithnjë në kontekst më të lartë të organizimit politik, në formë të (kon)federatës e aq më parë kur Marrëveshja me provizionet e veta, pikërisht në vend të asociacionit, qenësisht e reflekton së pakut Kosovën e federalizuar në binomin Kosovë dhe Asociacioni – Komuniteti i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Në anën tjetër termi “komuniteti”, në kontekste të ndryshme, ka kuptimin dhe rolin e (district, locale, area, vicinity, quarter, residential suburb, environs, environment, surroundings…) distriktit, lokalit, ambientit …varësisht se nga situata të caktuara, çfarë funksionit i dedikohet, por kurdoherë me glosarin e veçantë të termave kyçe – relevante të teksteve e dokumenteve të caktuara.
Titullimi i Marrëveshjes nuk është konsekuent dhe fillimisht është i kundërthënshëm referuar se trajton asociacionin (me shumë kuptime) apo komunitetin ( po ashtu me shumë kuptime) e të cilat tok të ndërlidhura, japin shumëkuptimësi të disfavorshme për një agriment ndërshtetëror, që do të duhej të krijonte një bazë unike të veprimeve praktike,të cilat sikundër dihet e shihet do të jenë edhe të shumta edhe të ndryshme e, aq më shumë, problematike për interpretim e aplikim unik e konsekuent.
Mbështetja në disa akte sekondare
Në shtetet bashkëkohore demokratike, cilido akt juridik i përgjithshëm, pra edhe Marrëveshja, nolens volens, duhet të bazohet në dispozita përkatëse të ligjit suprem të shtetit- Kushtetutës. Ndryshe, akti juridik i përgjithshëm që nuk do të mbështetej apo nuk do të buronte nga kushtetuta, apriori, konsiderohet dhe është nul, juridikisht invalid dhe i paaplikueshëm, çfarë është edhe Marrëveshja në fjalë.
Marrëveshja, në vend të apelimit në dispozitë kushtetuese adekuate, e të tillë nuk ka, pra nuk ka as bazë kushtetuese për të, paradoksalisht e papresedencë thirret në Marrëveshjen e Parë (First Agreement), e cila, as aty e askund tjetër në tekstin e saj nuk identifikohet me datë e numër.
Për të qenë ironia edhe më e madhe, Marrëveshja pas thirrjes në “Marrëveshjen e Parë” dhe në Ligjin për Ratifikimin e saj, apelohet, sa për sy e faqe edhe në “Kosovo Law” apo në “ Ligjin e Kosovës” që mund të përkthehet edhe në të Drejtën e Kosovës! Gjithsesi , Kosova nuk ka “ Ligj të Kosovës “ apo “Kosovo Law” aq më parë kur nuk ka dispozitë kushtetuese që do të krijonte bazën për miratim të ndonjë farë aktit ligjor të tillë. Pra, adresimi në “Kosovo Law” është lyerje e ballit me akull apo justifikim për Editë Tahirin dhe për Isë Mustafën për të theksuar se “Marrëveshja bazohet në ligjet e Kosovës”. Cilat qenkan ato ligje, aq më parë kur, asnjë i tillë nuk ekziston!
Së andejmi, duke u apeluar në “Marrëveshjen e Parë” e në “Ligjin e Kosovës” në vend të dispozitës konkrete të Kushtetutës (e të tillë nuk ka) me Marrëveshjen në fjalë është shkelur neni 16 i Kushtetutës sipas së cilës “Kushtetuta është akti juridik më i lartë i Kosovës …” dhe të gjitha aktet juridike të përgjithshme duhet të bazohen në të.
Nëpërkëmbja e nenit 18, par. 1 dhe e nenit 93 të Kushtetutës me pikën 2 të Marrëveshjes
Sipas pikës 2 të Marrëveshjes, Qeveria e Kosovës, me dekret aplikativ më parë të vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese, do të fuqizojë Asociacionin -Komunitetin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Në atë mënyrë, papërfillshëm është nëpërkëmbur neni 18 par. 1 i Kushtetutës, me të cilin eksplicite është përcaktuar se, marrëveshjet ndërkombëtare duhet të ratifikohen nga Kuvendi. Pra, Qeveria e Kosovës, si ekzekutiv, (edhe) në këtë rast arbitrarisht dhe në kundërshtim me funksionet e përcaktuara me nenin 93 të Kushtetutës ngrihet në surrogat të legjislativit duke tentuar të mbulohet me alinenë e po asaj dispozite sipas së cilës dekretin e saj paraprakisht do ta vlerësojë Gjykata Kushtetuese. Kjo edhe nga fakti se Gjykata Kushtetuese do të ishte e angazhuar për të vlerësuar se a është dekreti qeveritar konform me Marrëveshjen që nuk mund të mos jetë, por nuk do të trajtonte (pa)përputhshmërinë e Marrëveshjes me Kushtetutën që është çështje themelore e parësore.
Statuti i Asociacionit në favor të zgjerimeve të juridiksioneve të tij
Me Marrëveshjen, Asociacionit i janë konceduar autorizime të gjera tok me funksione ekzekutive, mbikëqyrëse administrative e legjislative.
Për dallim të tekstit në shqip, në tekstin në anglisht është theksuar shprehimisht se … Statuti i Asociacionit – Komunitetit…do t’i përmbajë, së paku ( at least) elementet e po kësaj Marrëveshjeje, që do të thotë se, skopi i autorizimeve të tij minimalisht do të konsistojë në ushtrimin e funksioneve publike ( lexo “shtetërore “ e jo të NGO-së në të cilat apelohet Isë Mustafa e Editë Tahiri) në fushën e ekonomisë, shëndetësisë primare e sekondare, edukimit, planifikimit urban e rural, advokatimit e përfaqësimit të interesave të serbëve kosovarë në institucionet qendrore (qeveritare), nismave legjislative dhe të procedurave gjyqësore, vendosjeve të ankesave në procedurë administrative si dhe të komunikimeve me institucionet qendrore nga bazat e bashkëpunimeve të barabarta me institucionet qendrore pra edhe me Qeverinë e Kosovës ( mutual cooperation). Pra, këto autorizime, fillimisht e shprehimisht, i janë konceduar Asociacionit – Komunitetit e të tjerat, pritet të rrjedhin nëpër etapa ca më të volitshme për palën serbe për t’i shndërruar në norma juridike, duke u nisur nga e vetmja shprehje e sipërthënë : “së pakut “ apo “ At least”.
Vargu i gjatë i shkeljeve kushtetuese me Marrëveshjen
Me Marrëveshjen në fjalë janë nëpërkëmbur papërfillshëm dispozitat e n. 1/1, 1/2, 19, 16, 18/1, 79, 84/8, 93/3, 113 të Kushtetutës.
Me Marrëveshjen për Asociacionin- Komunitetin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, këtij unionit i garantohet status i entitetit legal e në saje të juridiksionit taksativisht të numëruar edhe i entietit administrativ, publik e politik.
-Rrjedhimisht, Kosova, përkundër faktit se me nenin 1 par. 1 të Kushtetutës është definuar republikë e pavarur, sovrane, demokratike, unike dhe e pandashme, pra, republikë unike e jo e përberë, me Marrëveshjen në fjalë, ajo në masë të konsideruar federalizohet me tendencë intensive për konfederalizim eventual të saj. Ndaj me Marrëveshjen e sipërthënë shkelet neni 1 par. 1 i Kushtetutës.
-Marrëveshja, në vend të komponentit qytetar sipas nenit 1 par. 2 të Kushtetutës, bazohet dhe favorizon etnikën e, konkretisht, vetëm një etnikum- atë serb në Kosovë! Në atë mënyrë, shprehimisht, shkelet neni 1 par. 2 i Kushtetutës me të cilin Republika e Kosovës është definuar shtet i shtetasve të vet, pra shtet i asnjë formacioni etnik veçanërisht. Duke i privilegjuar e favorizuar ekskluzivisht serbët kosovarë, me Marrëveshjen në fjalë, nëpërkëmbët e neglizhohet papërfillshëm neni 1 par. 2 i Kushtetutës.
-Me pikën 17 të Marrëveshjes, Asociacioni është liruar nga detyrimet e taksat për mallra e shërbime të destinuara për realizimin e objektivave të tij, por në atë mënyrë është shkelur parimi i barazisë së qytetarëve dhe të organizatave të tyre e, mbi të gjitha, neni 10 i Kushtetutës, me të cilin, në vendin tonë është sanksionuar ekonomia e tregut e mbështetur në kompeticionin e ndershëm të lirshëm.
-Marrëveshja e ka nëpërkëmbur papërfillshëm n. 18 par. 1 të Kushtetutës, sipas të cilit, çdo marrëveshje ndërshtetërore, përkatësisht ndërkombëtare, duhet të ratifikohet në Kuvend, madje, me shumicën e kualifikuar të votave, ashtu që në vendin e legjislativit e ka autorizuar ekzekutivin si surrogat të legjislativit që nëpërmjet dekretit më parë të vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese, të fuqizojë Asociacionin, që do të thotë, të ushtrojë funksionin legjislativ të ratifikimit, që kudo ishte, është dhe kurdoherë do të mbetet juridiksion e kompetencë e Kuvendit.
-Me Marrëveshje, ndër të tjera, Asociacionit – Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë i janë konceduar autorizime të nismave të proceseve dhe procedurave legjislative, gjyqësore, advokatimeve dhe të përfaqësimeve në institucionet qendrore dhe, në atë mënyrë janë mospërfillur nëpërkëmbshëm dispozitat e neneve: 79 ( nismat legjislative mund t’i ndërmerr Presidenti, Qeveria , Kuvendi ose së pakut 10 000 qytetarë, por, jo edhe Asociacioni – Komuniteti), 84/8 (nisma legjislative të definuara për Presidentin e jo edhe për Asociacionin), 93/3 ( nisma legjislative të rezervuara për Qeverinë e Kosovës por jo edhe për Asociacionin) si dhe dispozita e nenit 115 (nisma të proceseve e të procedurave në Gjykatën Kushtetuese ( ku, natyrisht, nuk figuron Asociacioni -Komuniteti).
Përfundime
Marrëveshja për Asociacionin -Komunitetin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është dokument juridik – politik në kundërshtim me dispozitat e neneve 1/1, 1/2 , 10, 16, 18/1, 79, 84/8, 93/3, 113 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Me këtë Marrëveshje shprehimisht nëpërkëmbën paskrupulla dispozitat e neneve 1 par. 1, 1 par. 2 , 10, 16, 18 par. 1 , 79, 84 par. 8, 93 par. 3 dhe 113 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ,nga se, e njëjta stipulon klausa e zgjidhje juridike qe nuk kanë bazë kushtetuese madje as ligjore.
Për të qenë ironia edhe më e madhe, me Marrëveshjen në fjalë, stipulohen dispozita të karakterit kushtetues apo legal të pa bazë kushtetuese, Qeveria e Kosovës po të kishte qenë vigjilente dhe proaktive në masën e kërkuar paraprakisht do të kishte përgatitë e propozuar në procedurë legjislative amendamente kushtetuese për krijimin e bazës për miratimin e Marrëveshjes në fjalë, por, ajo nga neglizhenca irracionale, nuk e ka ber punën e vet dhe së andejmi ka rezultuar presedenca e paparë dhe e padëgjuar në jurisprudencë e cila konsiston në modifikimin e kushtetutës së një vendi (Kosovës) me një marrëveshje ndërshtetërore kosovare – serbe.
Komentet